Tiranë, 15 qershor – Ish - kryetari i Shqipërisë Alfred Moisiu në një intervistë për Gazeta Shqiptare ka kërkuar që priftërinjtë ortodoksë të japin meshë shqip "Ka disa pakujdesi në kisha. Në disa raste, shërbimet fetare mbahen në gjuhën greke, kur duhen mbajtur në gjuhën shqipe", ka thënë ai.
Ai kujton kohën kur ka qenë kryetar i shtetit dhe ka shkuar në Gjirokastër për të ndjekur në kishë me rastin e Pashkëve, ceremoninë fetare të rastit. I ka bërë përshtypje fakti që prifti i lexonte psalmet nga një letër e bardhë e printuar. "A nuk është Bibla shqip? Unë mendoj se për të kuptuar gjuhën e Zotit, lutjet duhen thënë në gjuhën amtare, që ta kuptojnë të gjithë, sepse nuk di tjetri as arabisht, as rumanisht. Ka edhe kisha arumune, por është për një komunitet të vogël. Jam i mendimit se porositë e Zotit dhe Bibla e shenjtë duhet të jenë në gjuhën amtare, se ç'kuptim ka t'i thuash lutjet në gjuhë të huaj?", pyet ish-presidenti, ndërsa sjell në vëmendje se në disa kisha mesha mbahet në gjuhën greke.
Më tej ai rrëfen vizitën e tij në zonën arbëreshe të Italisë. "Vite më parë vizitova Siçilinë dhe një nga kishat arbëreshe pranë 'Pizza dei Albanesi'. Atje në kishë mbanin një shandan që kishte formën e shqiponjës dykrenore. I them: 'Uratë, a ka mundësi të shoh Ungjillin?' E mora në dorë dhe e lexova. Ishte në gjuhën shqipe; dhe ishim në Siçili pra, në vitin 2003", - tregon Moisiu.
Ai vëren se Ungjilli ishte në një shqipe të pastër, me ndonjë fjalë arbëreshe tek-tuk. "Më bëri shumë përshtypje kjo, në një kohë që tek ne psalmet lexohen greqisht. Kisha ortodokse, këtë punë duhet ta rregullojë", - përfundon ai.
http://www.koha.net/?page=1,14,149124
Krijoni Kontakt