MPB: Policia do të ketë zero tolerancë ndaj bllokimit ilegal të rrugëve
Prishtinë, (Kosovapress) 06 Janar 2012 16:17
E drejta e disa qytetarëve për të protestuar dhe shprehur pakënaqësinë, nuk do të lejohet të abuzohet në dëm të lëvizjes së lirë të qytetarëve tjerë dhe mallrave në territorin e Republikës së Kosovës. Është thënë në takimin qw ministri Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, mbajti me menaxhmentin e lartë të Policisë së Kosovës, pas paralajëmrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje se do t’i bllokojnë pikat kufitare në Merdarë dhe Dheu i Bardhë.
Në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, thuhet se mes tjerash
në takim u diskutua lidhur me paralajmërimet e subjektit politik Vetëvendosje për bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe Dheu i Bardhë.
“Me këtë rast dëshirojmë të njoftojmë opinionin se Policia e Kosovës sikurse në të kaluarën do të ushtrojë detyrat e saj, si garantues i zbatimit të ligjit, në përputhje me mandatin dhe përgjegjësinë që i takon.
E drejta e disa qytetarëve për të protestuar dhe shprehur pakënaqësinë nuk do të lejohet të abuzohet në dëm të lëvizjes së lirë të qytetarëve tjerë dhe mallrave në territorin e Republikës së Kosovës.
Rrjedhimisht, Policia e Kosovës ka përgatitur planin operativ për parandalimin e bllokimit të pikave kufitare Merdarë dhe Dheu i Bardhë, si dhe rrugëve magjistrale të cilat shpijnë në këto pika kufitare.
Ministria e Punëve të Brendshme kërkon nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të mos përkrahin forma jo ligjore të shfaqjes së pakënaqësisë. Policia e Kosovës do të ketë zero tolerancë ndaj bllokimit ilegal të rrugëve dhe do të jetë në gatishmëri të plotë për t’u përballur me të gjithë ata që janë të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme me forcën e ligjit, forcë kjo që buron nga Kushtetuta më moderne dhe që respekton të drejtat e njeriut”, thuhetnë njoftimin e lëshuar nga MPB.
Zyrtarët e Lëvizjës Vetëvendosje, gjatë një konference të mbajtur dje, kanë paralajëmruar se Vetëvendosja më 14 janar do të bllokojë dy pikat kufitare me Serbinë, Merdarë dhe Dheu i Bardhë, dhe nuk do të hiqen nga këto pika, derisa Qeveria ta zbatojë të plotë mocionin e Kuvendit të Kosovës, për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë.
Krijoni Kontakt