Gazeta Shqip
Kryeministri, ky silenciator i fjales se lire
Andrea Stefani
Me gjithë betimet e kohë pas kohëshme për besnikëri ndaj fjalës së lirë dhe medias, Kryeministri Berisha nuk po mundet të përmbajë, përsëri kohë pas kohe, zemërimin e tij ndaj kritikave në media. Duket se Berisha nuk po arrin të kuptojë se respekti dhe toleranca ndaj fjalës së lirë nuk ka të bëjë me ato media dhe gazetarë që i thurin lavde qeverisë dhe Berishës. Respekti ndaj fjalës së lirë dhe medias si industri e saj, ka të bëjë mbi të gjitha me ata gazetarë dhe media që thonë dhe shkruajnë për qeverinë dhe Berishën gjëra që ajo nuk i pëlqen. Prandaj respekti ndaj fjalës së lirë, televizioneve dhe gazetave, nuk mund të mos shfaqet si tolerancë ndaj kritikës. Por nuk duket aspak e tillë një deklaratë e Këshillit të Ministrave e bërë dy ditë më parë, kundër "Gazetës Shqiptare", një prej të përditshmeve më të njohura në vend. Në pak rreshta, deklarata e qeverisë së Kryeministrit, që vetëshpallet dashnor i fjalës së lirë, ka ekspozuar një mllef me intensitet të frikshëm kundër një gazete, duke e etiketuar atë si një "fletushkë" të "specializuar për shpifje dhe trillime" dhe të vënë në shërbim të opozitës. Toni i deklaratës dhe fjalori i përdorur nuk ngjasojnë aspak me ato të një qeverie demokratike, por saktësisht me një pretencë të egër dhe të vrazhdë të një prokurori komunist kundër një armiku të klasës dhe partisë.
***
Çfarë e ka zemëruar kaq shumë Kryeministrin Berisha, sa të harrojë rishtazi betimet publike për respekt ndaj medias, duke ju rikthyer zakonit të tij të paharruar, duke urdhëruar një sulm thuajse rrugaçëror ndaj një gazete? Një lajm i botuar prej kësaj të fundit mbi atë që ajo e cilëson si një takim sekret të Kryeministrit me kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano? Apo mos vallë raportimi prej gazetës i faktit që kryebashkiaku i Himarës është parë gjatë ca ceremonive inauguruese përkrah Kryeministrit pa simbolet dalluese (shiritin kuqezi) që atij ia detyron ligji ta mbajë në të tilla raste? Apo që këto inaugurime me prerje shiritash bardhë e blu janë bërë - sikundër raporton "Gazeta" - larg fokusit të medias vendase? Kjo nuk ka shumë rëndësi. Edhe sikur për një moment të pranojmë se, ashtu sikundër pretendon dhe deklarata e qeverisë, takimi sekret Berisha-Bollano nuk ka ndodhur, të supozojmë se ndoshta mund të ketë (gjë që megjithatë nuk është provuar) pasaktësi edhe në të gjitha të tjerat. Por a nuk do të qe i mjaftë një përgënjeshtrim i qeverisë me tone shumë më të qeta dhe civile?
Kujt i shërbejnë deklarime të tilla primitive, që më shumë se një sqarim apo saktësim të opinionit rreth një raportimi mediatik përçojnë mesazhin e egërsisë dhe urrejtjes qeveritare për një gazetë "mashtruese", që përcjellin jo respektin për median e lirë, por përbuzjen për "një fletushkë" në shërbim të opozitës? Të tilla deklarime primitive jo vetëm nuk rivendikojnë të vërtetën, por sikur kërkojnë ta fshehin atë prapa avujve të një urrejtjeje kundër mediave armike të qeverisë. Të tilla deklarime barbare, jo vetëm nuk sqarojnë, por kërkojnë të frikësojnë dhe terrorizojnë mediat kritike ndaj qeverisë dhe Kryeministrit.
***
Deklarata, si ajo e bërë tri ditë më parë në adresë të një gazete, deklaratë ku ndihet qartë skërmitja e inatit kryeministror, janë krejtësisht të patolerueshme për një qeveri që këmbëngul të vetëquhet demokratike. Sepse bota demokratike i ka treguar me kohë rrugët dhe mjetet për të vepruar edhe kundër shpifjeve dhe mashtrimeve, por pa viktimizuar fjalën e lirë. Gjuha e urrejtjes nuk është mjeti demokratik që një qeveri të sqarojë në publik edhe gabimet e mundshme në raportimet e mediave. Por është pikërisht kjo gjuhë që po aplikohet, jo vetëm në deklaratat e qeverisë Berisha, sa herë mediat publikojnë diçka të papëlqyeshme për të, por edhe në disa media "të pavarura", që Berisha i ka financuar për të organizuar të tilla sulme kundër fjalës së lirë.
Berisha është nga politikanët e rrallë në tranzicionin lindor, që vazhdon të përdorë me sukses mediat e tij "të pavarura" kundër mediave dhe gazetarëve të pavarur. Ai mbetet mjeshtri i shantazhimit të mediave të pavarura me media "të pavarura".
Të mos përmendim këtu presionet fiskale mbi mediat apo largimet nga punërat të familjarëve të gazetarëve që e kritikojnë. Kohët po tregojnë se sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë Berisha fortifikohet në llogoren e tij të vjetër kundër fjalës së lirë. Ato që po ndryshojnë dhe sofistikohen janë vetëm armët e luftës kundër fjalës së lirë. Tentohet të jenë më pak të zhurmshme, por përsëri e vrasin atë, ndonëse qetësisht. Si një pistoletë me silenciator. Qeveria "Berisha" në këtë rrafsh shfaqet më e pabesë edhe se regjimi komunist i Hoxhës. Diktatura dhe diktatori e shpallnin se ishin kundër fjalës së lirë. Në ballin e sistemit diktatorial ishte gdhendur me germa kapitale armiqësia ndaj fjalës së lirë: ndalohet propaganda kundër regjimit! Por të shpallësh se je për lirinë e fjalës dhe më pas ta luftosh atë në forma nga më të ndryshmet (duke i shpallur ndonjë media armike, apo duke i kërcënuar gazetarët që të kritikojnë me bukën e gojës, apo duke ju mbyllur ekranet), për ta bërë të heshtë apo që është e njëjta gjë, për ta vrarë fjalën e lirë, është t‘ia kalosh nga pabesia edhe diktaturës.
Sepse një qeveri demokratike mund ta urrejë një pikëpamje, një media, një gazetë apo një gazetar, por ka për detyrë të luftojë me të gjithë forcën e saj, me të gjithë pushtetin e saj, me të gjithë burokracinë e saj, që ata të mos heshtin. Mund ta urrejë një fjalë, po duhet të bëjë gjithçka që ajo të shqiptohet, që ajo të mos kërcënohet. Berisha po bën të kundërtën. Në fakt, atë që ka bërë gjithnjë, që kur 18 vjet më parë shkeli në politikë. Vetëm se sot ka vënë një silenciator në grykën e urrejtjes së tij të pashuar kundër medias dhe fjalës së lirë. Ky është "ndryshimi".
Krijoni Kontakt