
Postuar më parë nga
RaPSouL
Flet kryetari i Partisë Radikale Serbe
Zoti Nikoliç, pavarësisht rezistencës në Evropë, mundet që në Serbi të kemi shumë shpejt një koalicion qeverisës të krijuar nga radikalët, socialistët dhe Partia Demokratike e Vojisllav Koshtunicës. Edhe kësaj radhe duket se askush nuk mendon se një qeveri e tillë do të qëndrojë së bashku për shumë kohë. Disa madje thonë se një gjë e tillë mund të çojë në luftë civile.
Bashkimi Evropian e ka ndarë popullin tonë në serbë të mirë dhe serbë të këqinj, si rezultat vendi po shkon drejt destabilizimit. Evropa ka dhënë të gjithë mbështetjen e saj ndaj Partisë Demokratike (shënim: Partia Demokratike dhe Partia Demokratike e Serbisë janë dy parti të ndryshme) të Boris Tadiç, pavarësisht se 90 për qind e të gjithë votuesve kanë hedhur votën e tyre për parti në favor të bashkimit me BE.
Ky është një mesazh krejt tjetër nga ai që kemi dëgjuar shpesh nga partia juaj radikale.
Sigurisht që ne jemi në favor të BE. Por, cili është ndryshimi mes kërkesës sonë se BE duhet të pranojë Kosovën si pjesë të Serbisë dhe presidentit Tadiç, i cili, pikërisht pas zgjedhjeve, tha se nuk do e njohë kurrë pavarësinë e Kosovës? Është e qartë se pa këtë njohje, ne nuk do bëhemi kurrë pjesë e BE.
Kryeministri aktual- dhe duket dhe ai i ardhshëm- Vojislav Koshtunica
Kërcënoi se do të anulojë Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit mes Serbisë dhe BE menjëherë pas zgjedhjeve të mes-majit.
Ky është një vendim që i përket parlamentit dhe pyetja nuk është një prioritet. Ne mund të presim, derisa marrëveshja të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare të BE, dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë. Qëllimi im është jo një përplasje me BE, por komunikimi.
Për çfarë?
Vendimet nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë mbi kokat tona. Pse nuk na u ofrua edhe neve zgjidhja e Qipros për Kosovën? Qipro njihet si një shtet, pavarësisht faktit se pjesa veriore është de facto pothuajse e pavarur. Kështu ndjehem si i dhunuar. Tani, BE kërkon të dërgojë një mision për të pushtuar Kosovën. Pse po nuk flasin me ne? Ndoshta ne do e pranonim një mision të tillë sipas principeve të rezolutës së KB 1244. Isha në Kosovë para dy javësh. Gjithandej vetëm kaos…
Kaosi do përkeqësohet me Serbinë që po krijon një shtet paralel dhe po provokon dhunë.
Komuniteti ndërkombëtar po merr atë çfarë donte. Brukseli ishte i vetëdijshëm se ne nuk do e njihnim pavarësinë e Kosovës dhe se do të krijonim një administratë tonën lokale atje. Trupat e NATO-s të misionit të KFOR mund të qëndrojnë në kufirin aktual mes Kosovës dhe Serbisë. Ne nuk do të lejojmë një ushtri-kosovaro- shqiptare aty.
A nuk e kupton Serbia se, duke injoruar realitetin, thjesht dëmton Serbinë dhe veçanërisht serbët në Kosovë? Ju si realist duhet të kuptoni se Kosova nuk do të jetë kurrë më pjesë e Serbisë.
Kush tha? Ne do të përdorim veton tonë për të parandaluar Kosovën që të bëhet anëtare e çdo organizate në botë.
Kjo do ishte një strategji e mirë për të detyruar Kosovën të bëhet pjesë e Shqipërisë. Duke ndërmarrë një hap të tillë, Kosova mundet që në mënyrë automatike të fitojë anëtarësim në këto organizata.
Këtë mos e llogarit. Përndryshe do të ketë luftë në Evropë. Apo mendoni se Rumania do të rrijë duarkryq, nëse hungarezët në Rumani do të kërkojnë të bëhen pjesë e Rumanisë? Nuk jemi ne, por Evropa ajo që duhet të përballet me realitetin.
Saktësisht për këto arsye, ka shumë vende në Evropë dhe kudo në botë që nuk do ta njohin kurrë precedentin e Kosovës.
Mos po shpreson në mënyrë sekrete Partia Radikale se territore të huaja mund të bien nën varësinë e Serbisë—për shembull, Bosnja do bjerë dhe pjesa serbe, Republika Srpska do të bëhet pjesë e Serbisë?
Nuk kemi nevojë për atë shtet dhe as kemi nevojë për bashkim. Por Republika Srpska ka arritur tashmë nivelin e një province në Bosnjë, pa iu dhënë kompetencat që i takonin sipas Marrëveshjes së Dejtonit. Popullsia atje duhet të vendosë me anë të referendumit në lidhje me të ardhmen e saj.
Çfarë do t’i thonit kryeprokurorit të Gjykatës së Hagës për krimet e Luftës, kur të vijë në Serbi?
Që është imorale t’i kërkosh Serbisë që të dorëzojë të dyshuar të tjerë.
D.m.th., do të vazhdoni të bëni elozhe dhe ta quani hero Ratko Mlladiç, që ka qenë një i kërkuar që prej 13 vjetësh?
Kjo është një pyetje tjetër. Nëse do të formonim një qeveri, do të doja të shihja akuzat dhe, nëse do të ishte e nevojshme, do ta gjykonim këtu. E di, megjithatë, se ai nuk është në Serbi. Nuk po përpiqem të shmang krimet e luftës që kanë kryer serbët dhe nuk ka dyshime se këto krime janë kryer. Por ato nuk janë kryer vetëm nga serbët. Ishte një luftë e përgjakshme dhe gjithkush po vriste gjithkënd.
Në qytetin boshnjak të Srebrenicës, të paktën 8.000 myslimanë u ekzekutuan nga serbët …
Por jo gjatë çlirimit. Këta të çmendur që vranë më pas, duhet të përgjigjen për atë çka kanë bërë. Por e njëjta gjë duhet të ndodhë dhe për vrasësit e 2.600 serbëve në fshatrat që rrethojnë Srebrenicën.
Ju shiheni si një rusofil. Nëse koalicioni juaj vjen në pushtet, ekonomia e Serbisë do të orientohet kah Rusia, Kina dhe India. Kjo është një reminishencë e retorikës së kryetarit të partisë suaj, Vojisllav Sheshel - aktualisht në gjykatën e Hagës i akuzuar për krime lufte. Ai ka thënë: “Serbët mund të ushqehen dhe me bar.”
E pranoj, i pëlqej rusët. Ndjehem shumë afër me ata njerëz. Dhe na duhet të kemi një kanal të hapur, nëse BE vendos të bojkotojë qeverinë, nëse radikalët përfshihen në të. Në thelb na pëlqen të jemi një portë mes Lindjes dhe Perëndimit në të njëjtat masa. Edhe India, Kina dhe Rusia janë pjesë e së ardhmes së BE dhe partnerë ekonomikë të preferuar. Investitorët perëndimore do të kuptojnë shumë shpejt se mund t’iu besojnë garancive të mia dhe të investojnë kapitalet e tyre në Serbi.
Keni premtuar një qeveri stabël. Si mund të arrini një gjë të tillë me Partinë Socialiste që e shet shtrenjtë vetën? Lideri socialist, Ivica Daçiç, udhëtoi në Moskë përpara zgjedhjeve për t’i ofruar vejushës së Millosheviçit shansin për t’u kthyer në Serbi, pa u përballur me akuzat për rikthimin e saj gjatë fushatës elektorale. Dhe, pas zgjedhjeve, ai nuk e përjashtoi mundësinë për një koalicion me bllokun pro-evropian të presidentit Tadiç.
Evropa është sjellë në mënyrë të turpshme - atij që gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar vazhdimësinë e politikave të Millosheviçit- iu tha se do ta kishte më të lehtë rrugën për në Internacionalen Socialiste me ndihmën e Gjermanisë, në rast se do të bashkoheshin me Partinë Demokratike të presidentit Tadiç. Jam shumë i shqetësuar në lidhje me deklaratat agresive të bëra së fundi nga Tadiç dhe kam frikë se po përgatit njerëzit për protesta, nëse ne do të krijojmë koalicion qeverisës. Ky është stabiliteti, pas të cilit qëndron Perëndimi? Nëse do të vijmë në pushtet, do të punojmë dhe nuk do merremi me fjalë, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Ju njiheni si një njeri që sulmon dhe fyen kundërshtarët politikë…
Edhe parlamenti gjerman është i mbushur me vulgaritete.
Tema
Krijoni Kontakt