Deputeti socialist shprehet në lidhje me debatin që është hapur për kthimin dhe kompensimin e pronave
Angjeli: PS e PD kundër pronarëve të mëdhenj
"Çdo cenim i themelit të ligjit të '91, do të ishte me pasoja jo vetëm juridike e ekonomike, politike, por edhe financiare, sociale"
BBC: Pse Partia Socialiste, derisa e konsideron pronën private të shenjtë, nuk garanton kthimin e saj të plotë?
Angjeli: Me të vërtetë që prona private është e shenjtë dhe ajo është themeli, baza e ekonomisë së tregut. Ne e kemi shpërndarë 100 për qind të tokës në pronë private, diskutimet lidhen nëse do t'u kthehet toka pronarëve të mëdhenj. Në këtë rast, kryeministri Nano ka thënë se nuk mund të korrigjonte të gjitha padrejtësitë që janë bërë gjatë periudhës së transicionit. Kjo kryesisht është e lidhur me ligjin për tokën, i cili tashmë është miratuar që në vitin 1991 dhe miratimi dhe zbatimi i tij ka qenë me të vërtetë një shembull i bashkëpunimit të forcave politike, sepse ka pasur një konsensus të gjerë dhe tani do të thoja në masën 95-96 për qind konsiderohet i zbatuar, pavarësisht nga disa parregullsi që mund të ketë. Kështu që, çdo cenim i themelit të këtij ligji, do të ishte me pasoja të mëdha jo vetëm juridike e ekonomike, politike, por edhe financiare, sociale. Kështu që është vështirë që tani forcat politike të marrin përgjegjësinë për të bërë një pakt të ri për ta rishpërndarë tokën. Ndërsa elemente të ligjit, që ka nxjerrë përvoja, mund të përmirësohen.
BBC: Megjithatë opozita këmbëngul, ajo thotë që në themel të këtij ligji është parimi: toka i përket atij që e punon dhe jo toka i përket pronarit të ligjshëm.
Angjeli: Nuk mendoj se opozita, në përgjithësi, dhe opozita kryesore, që është Partia Demokratike (PD), ka këtë mendim, pasi ajo ka qenë një nga forcat politike e cila, së bashku me mazhorancën e sotme, ka votuar dhe zbatuar ligjin ekzistues të tokës. Natyrisht, në kampin opozitar ka dhe parti të tjera të vogla, të cilat e kanë pasur dhe kanë në themelin e programit të tyre këtë ide, por është shumica ajo që vendos dhe ajo e ka vendosur prej kohësh dhe, natyrisht, që po e zbaton atë.
BBC: Ka shumë raste që pronat e pronarëve janë zënë forcërisht, veçanërisht pronat në zonat turistike. Çfarë do të bëhet në të tilla raste?
Angjeli: Në rastin për të cilin ju pyesni nuk bëhet fjalë për elemente që kanë të bëjnë me përmirësimin e legjislacionit, por bëhet fjalë për moszbatim të legjislacionit ekzistues. Kjo është e lidhur me forcimin e institucioneve, është e lidhur me forcimin e shtetit, forcën e ligjit dhe të zbatimit të ligjit. Natyrisht, ka pasur periudha në të cilat ligji ka qenë i dobët, institucionet kanë qenë të brishta dhe ato nuk zbatoheshin dhe kuptohet që në këto raste shumë subjekte, shumë persona kanë spekuluar dhe kanë shkelur ligjin duke i zënë ato. Tashmë që institucionet janë forcuar dhe shteti vepron më me forcë, në shumicën e rasteve po veprohet që atje ku janë zënë me forcë apo janë ndërtuar pa leje, apo janë në kundërshtim me ligjin, ato të gjitha tashmë po kthehen në baza ligjore me qëllim që atij që i takon me ligj, ta meritojë dhe ta mbajë atë.
BBC: Në një shkrim të kohëve të fundit keni thënë që kapitulli i pronave të patundshme nuk duhet hapur, por, ndërkohë, mjaft pronarë kanë pretendime pasi, sipas tyre, vlerat janë mjaft të mëdha.
Angjeli: Ideja ime nuk ka qenë që ai kapitull nuk duhet hapur. Ideja ime ka qenë e lidhur me debatin që zhvillohet sot në opinionin politik edhe lidhur me pronat e paluajtshme për të përfshirë në përmirësimet e legjislacionit kthimin e pronave të paluajtshme. Fjala këtu dhe mendimi im ka qenë në faktin se shumica e këtyre pronave të paluajtshme, që pretendohen për t'u kthyer, janë marrë në atë kohë nga shteti, janë konfiskuar, jo si prona për t'ë marrë shteti ndaj një qytetari pa asnjë bazë, po janë marrë në ato raste kur shtetasit e atëhershëm nuk kanë zbatuar ligjin për pagimin e detyrimeve të tyre fiskale, veçanërisht për dy lloj tatimesh. Për tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës dhe për tatimin mbi fitimin. Pra, një shtetas kur nuk paguante këto dy lloj tatimesh, shteti atëherë i konfiskonte pasuritë të patundshme. Atëherë për këto lloj pasurish nuk duhet hapur kapitulli.
BBC: Zoti Angjeli, kthimi i familjes mbretërore në Shqipëri ka rikthyer dhe një herë çështjen e pronave të kësaj familjeje. Bëhet fjalë, në konceptin tuaj, të diskutohet në lidhje me pronat e mbretit Zog apo në tërësi të familjes mbretërore, të anëtarëve të saj?
Angjeli: Në konceptin tim, bëhet fjalë që ata duhet të trajtohen si të gjithë qytetarët e tjerë, si gjithë shtetasit e tjerë të Republikës së Shqipërisë për sa u përket pronave që ata kanë pasur para se mbreti Zog të vetëshpallej mbret. Në këtë këndvështrim, atyre u takon të kërkojnë të drejtat e tyre dhe t'u rikthehen ato prona dhe pasuri që ata kanë pasur para se të vetëshpallej mbret. Për sa i përket pjesës tjetër të pronave, të cilat nuk janë prona të trashëguara nga familja mbretërore, por janë prona të vetëshpallura me vendime qeverie apo me ligj në Parlament kur Zogu u bë mbret, atëherë kjo duhet parë me shumë kujdes. Sepse të paktën nga sa njoh unë, nga një botim i ministrit të Financave të oborrit mbretëror të Zogut, Haxhi Shkoza, mbreti Zog ka nxjerrë disa vendime në vitin 1934, ku ai vetëshpallte që pylli i Divjakës ishte pronë e mbretit, kur dihet që pylli i Divjakës ka pasur pronarë dhe nuk mund të jetë pronë e Zogut. Apo tokat e lira në Sarandë, të gjitha janë pronë e mbretit. Edhe këto nuk mund të jenë objekt i kthimit të pronave të mbretit Zog. Raste të tilla duhen parë me shumë kujdes që të mos gabohet, pra të ndahet dhe të kushtëzohet kthimi i pronave të familjes mbretërore në ato që ajo ka pasur para se Zogu të bëhej mbret dhe në ato që, mbasi u bë mbret, ai i shpalli si prona të tij.
Krijoni Kontakt