PRISHTINE- Në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, u përurua vepra "Studime krahasuese për shqipen" e gjuhëtarit të njohur amerikan Eric Hamp. I lindur në vitin 1920, Hamp është diplomuar në Universitetin e Harvardit në vitet pesëdhjetë dhe që nga ajo kohë ka punuar si profesor në Universitetin e Çikagos. Fushat me të cilat është marrë ai janë gjuhët indoevropiane, në veçanti gjuhët kelte dhe shqipe. Eric Hamp studimet e shqipes i kishte bërë objekt preokupimesh të thelluara qysh në vitet e hershme '50-të. Studimet indoeuropiane në albanologji me veprën e Eric P. Hamp-it janë çuar përpara. Njohjet e tij të thella të problematikave keltike, balto-sllave, greke, armene, hetite, tokare, indo-iraniane, por edhe romane e ballkanistike dhe përgjithësisht të komparativistikës indoeuropiane, i kanë siguruar mundësi përqasjeje që më parë nuk ishin theksuar. Gjithashtu Hamp i është kushtuar edhe të folurës arbëreshe të Vakaricës, që mbetet edhe sot studimi më i gjerë përshkrues fonetik për ndonjë të folure të shqipes qysh më 1954. Në studimet dialektologjike shqiptare profesor Hamp është një nga njohësit më të mirë të të folmeve të ashtuquajtura të skajeve - të arbëreshëve të Greqisë, të arbëreshëve të Italisë, të zonave skajore gege në Maqedoni. Ai është i njohur për interesin e tij në gjuhët e vogla indoevropiane. Ai është anëtar i Akademisë Mbretërore Daneze dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe po ashtu edhe i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e cila edhe e ka botuar librin. Hamp është gjithashtu doktor nderi i Universitetit të Kalabrisë.



(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)