TIRANE- Puna për restaurimin e veshjeve të Adem Jasharit dhe familjes së tij është drejt përfundimit. Njëqind e njëmbëdhjetë veshje janë restauruar deri më tani në në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë në Tiranë. Janë gjithsej 123 objekte tekstili që i përkasin familjes së heroit të Kosovës. Objektet janë gjetur në familjen Jashari në Prekaz pas luftës. Në fund të prillit të vitit të shkuar ato u sollën në laborator për t'u pastruar e restauruar. Atëherë i ngjanin një grumbulli rreckash të dëmtuara, ku dalloheshin ende shenjat e djegjeve, të përlyerjes me baltë, por edhe të luftës. "Momentalisht po përfundojmë 5 veshje të tjera; pantallona, xhaketë etj, ndërkohë që kanë mbetur edhe 7 rroba, të cilat mendohet të përfundojnë restaurimin në muajin shtator", shprehet Frederik Stamati, shef i laboratorit të Konservimit. Triko grash, mëngë rrobash, këmisha burrash, triko e këmishë fëmijësh, çorape burrash e grash, por edhe pjesë të djegura perdesh apo jorganësh që janë përdorur nga familja Jashari gjendeshin mes tekstileve që mbërritën në Tiranë. Për më shumë se një vit është punuar për pastrimin dhe restaurimin e tyre, disa prej të cilave kanë qenë mjaft të dëmtuara. "Në Kosovë janë mbledhur rreth 240 objekte tekstili, prej të cilave gjysma në fund të prillit u sollën në Tiranë për t'u restauruar. Tekstilet ishin të kalbura pasi për njëfarë kohe ngelën në baltë e shi, disa të djegura, e të tjera si këpucë e çizme prej lëkure ishin të deformuara", tregon Stamati. Këto objekte kanë mbërritur në Tiranë në bazë të një marrëveshje me drejtorin e fondacionit "Adem Jashari", Shaban Hoxha. Në Kosovë nuk ka një laborator të specializuar për të bërë ndërhyrje të tilla. Ndërsa një pakicë objektesh, rreth 50, që nuk janë të dëmtuara kanë mbetur për t'u trajtuar atje. Shumica e veshjeve ende nuk janë identifikuar se cilit nga prej pjesëtarëve të familjes i ka përkitur. Megjithatë në përfundim të procesit të restaurimit, koleksioni i veshjeve do të dërgohet në Prishtinë, në fondacionin "Adem Jasharin", për t'u ekspozuar në shtëpinë muze të Prekazit.



(s.g/GazetaShqiptare/Balkanweb)