Unë përballë Blushit me: "Të jetosh në Çamëri"
Intervistë/Flet Abedin Rakipi, 26-vjeçari çam nga Berati e me banim prej vitesh në Bruksel, i cili ka vendosur të sfidojë Ben Blushin dhe romanin e tij "Të jetosh në ishull", duke shkruar si kundërpërgjigje po një roman
Ajo që nuk pritej po ndodh: romanit të Ben Blushit, "Të jetosh në ishull", po i përgatitet një kundërpërgjigje kokë për kokë, po me një roman. Them "ajo që nuk pritej, po ndodh", ngase deri më kritizerët e Blushit nuk e kanë kaluar dot cakun e një shkrimi në gazetë dhe tashmë që jehona e romanit të shumëpërfolur është shuar e bashkë me të dhe komentet "pro" e "kundër", vjen lajmi i një romani anti-Blush dhe me një titull tejet sinjifikativ, me një thagmë nga ankthi ynë mbarëkombëtar: "Të jetosh në Çamëri". Autori i romanit është pikërisht një 26-vjeçar me origjinë nga Filati i Çamërisë, i quajtur Abedin Rakipi, një aktivist dinamik i çështjes çame, i cili prej sa vitesh që jeton në zemër të Evropës, në Bruksel, ka bërë "djalin e dalë në mal", për atë copë të kafshuar mynxyrshëm nga trupit i kombit. Me një formim intelektual të avancuar për moshën, zotërues i 7 gjuhëve të huaja, Abedin Rakipi ka studiuar fillimisht në kolegjin Mehmet Akif Ersoy në Tiranë, pasi ka ardhur nga qyteti i tij, Berati, e më pas studimet e larta i ka përfunduar në Bruksel. Atje ka qenë i angazhuar fuqishëm në ambientet socio-kulturore, duke marrë pjesë për pesë vjet rresht në forumin social evropian. Kjo pozitë i ka dhënë shansin të takohet personalisht me Kryeministrin e Belgjikës, Guy Verhofstadt, dhe me kreun e diplomacisë, Louis Michel, që momentalisht është edhe komisar i EU. Ai u ka parashtruar atyre tragjedinë çame. Po në këtë drejtim, Abedin Rakipi ka organizuar një protestë në Hagë kushtuar çështjes çame e tashmë po merret me ndërtimin e një sajti gjigant në internet në aq gjuhë sa zotëron, pra shtatë, kushtuar Çamërisë, historisë, kulturës e tragjedisë që përjetoi shekullin e kaluar. Vitet e fundit, Abedin Rakipi u është kushtuar kërkimeve historike, duke u zhytur në arkivat prestigjioze evropiane e ato osmane. Dhe janë pikërisht këto kërkime të cilat e kanë ndihmuar për librin që do e hedhë së shpejti në treg, në kundërpërgjigje të romanit të Ben Blushit, "Të jetosh në ishull". Pikërisht për këtë shprehet në intervistën e mëposhtme 26-vjeçari sfidues...
Ju po shkruani një roman, që është konsideruar anti-Blush dhe me një titull tejet sinjifikativ: "Të jetosh në Çamëri". Cila është simbolika në këtë rast?
Që i vogël kam qenë një nga ushtarët e Çamërisë. Edhe pse isha ndoshta vetëm pesë vjeç, dashuria e thellë për ato vatra që gjyshi mi përcolli deri në zemrën time, m‘u ngul në zemër përjetësisht dhe tek unë rritej gjithmonë ideja që më thoshte: Abedin duhet të bësh diçka për dheun tënd të larë me gjak dhe që gjyshërit ta lanë amanet, varret e tyre akoma na thërrasin. Po nuk bëre gjë ti Abedin dhe çamët e tjerë, kush do ta bëjë vallë?
Dhe po dal direkt te pyetja juaj. Simbolika e romanit që unë po shkruaj me titullin "Të jetosh në Çamëri" dhe që është konsideruar anti-Blush, është se Blushi në romanin e tij e trajton islamin si fe pushtuesi, që i solli popullit tonë vetëm të këqija dhe që populli ynë ka vuajtur shumë nga kjo fe dhe ka luftuar mjaft për të ruajtur të drejtat e tij kombëtare. Ai thekson faktin se shumë shqiptarë kanë vdekur për të mos e ndryshuar fenë e tyre dhe që islami u është imponuar me dhunë nga pushtuesi turk. Romani im është konsideruar anti-Blush, sepse aty trajtohen vuajtjet që ka jetuar populli i Çamërisë pikërisht për faktin se ishin myslimanë, duke filluar që nga vitin 1821 me revolucionin grek, ku filluan spastrimet e para etnike ndaj myslimanëve të Çamërisë së Jugut, Artës dhe fshatrave përreth. Çamët deri vonë janë ftuar nga grekët dhe priftërinjtë e tyre që ta ndryshojnë fenë, me kusht që të mund të qëndronin në Çamëri. Me qindra janë dëshmitë e çamëve të ardhur në Shqipëri që tregojnë sesi priftërinjtë shkonin fshat më fshat duke i ftuar që të ndryshonin fenë e tyre dhe pastaj të mund të rrinin të qetë në Çamëri.
Pra, nisur nga fakti që çamët kanë vuajtur shumë nga dhuna fetare dhe etnike e ushtruar nga Kisha Ortodokse Greke dhe shteti grek, unë denjoj me këtë roman që t‘i tregoj popullit shqiptar se faqet e historisë sonë, të cilat janë të mbushura me urrejtje antiturke, rezervojnë shumë pak të dhëna për trojet shqiptare të Çamërisë; ka vetëm disa faqe, që edhe gjenocidin e tmerrshëm që ndodhi në Çamëri mezi e tregojnë. Pra, Blushi, i cili pretendon se populli shqiptar ka vuajtur shumë nga islami dhe turqit, duhet që të mësojë se ne kemi vuajtur më shumë nga greko-sllavët.
Si u ngjiz te ju ideja e një romani, derisa opozicionet ideore kundrejt Blushit deri më tani kanë qenë vetëm shkrime të llojit "kritikë"?
Siç e theksoni edhe ju, opozicionet ideore kundrejt Blushit deri më tani kanë qenë vetëm kritikë gazetareske dhe kjo gjë ka bërë që romani i tij të ketë një popullaritet dhe një publicitet shumë të madh. Por unë mendoj se pas disa muajsh apo vitesh kritikat harrohen, ose më saktë zhduken, kurse romani ngelet si vepër artistike edhe pas vdekjes sime e të Blushit, ndaj mendoj se duhej një mënyrë më efikase për t‘i treguar popullit tonë se ekziston edhe "volte face" i romanit të Blushit dhe se e vërteta ka shumë fytyra, gjithmonë varet nga këndvështrimi dhe idetë që ajo mbron. Ideja për t‘u kundërpërgjigjur me një roman, ishte e menjëhershme tek unë, pasi nuk po kuptoja se si asnjë intelektual mysliman nuk po arrinte të kishte vërtet një reagim që do të baraspeshonte rëndesën historike dhe emocionale që ka romani i Blushit, ndaj i thashë vetes: Abedin, ti duhet ta bësh dhe fillova shkrimin e romanit.
Si ju ra në dorë romani "Të jetosh në ishull"?
Për romanin e Blushit kam dëgjuar për herë të parë në forumin virtual internetik "Çamëria" me mbi 650 anëtarë. Në këtë forum, të cilin e kam krijuar dhe e drejtoj vetë, diskutohet rreth çështjes çame dhe Çamërisë. Ai është bërë një fole, ose një vatër për çamët anembanë botës. Prioriteti ynë është informimi i popullsisë shqiptare dhe opinionit botëror rreth çështjes çame. Në këtë forum u postuan disa kritika rreth Blushit, gjë kjo që ngjalli kureshtjen time dhe që më shtyu ta blija dhe ta lexoja romanin.
Kur nisët ta lexonit, kishit ndonjë dozë paragjykimi që në fillim (nisur nga emri i autorit), apo patët startin e një lexuesi që nuk e dinte se ç‘do të ndodhte fletë pas flete?
Romanin e vlerësova shumë, sepse Blushi është vërtet një shkrimtar me një potencial artistik shumë impresionues dhe u mundova që mos të kem asnjë paragjykim kur fillova leximin e romanit dhe faqe pas faqe i nënvizoja frazat ku kishte pasaktësi historike, ku kishte deformim të ngjarjeve dhe ndodhive historiko-fetare dhe ku kishte urrejtje të hapur ndaj islamit, gjithashtu dhe fraza ku kishte ftesë të hapur për ta braktisur fenë e tyre islame. Gjithsesi, ajo që më shqetësoi nuk ishin fyerjet që i bën Blushi islamit, sepse nuk është i pari, por fakti që ai mundohet ta justifikojë këtë platformë fyerjesh me fakte historike të sajuara, që janë shumë larg së vërtetës.
Konkretisht ku gabon Blushi?
Blushi gabon në shumë vende. Mund të ketë gabime në çdo roman a libër të një tjetër profili, nisur nga papërsosmëria njerëzore. Ka dhe gabime të paqëllimta në këtë sens. Por nuk është thjesht gabim kur Blushi lëshon fyerje të tmerrshme kundër islamit dhe kur barazon myslimanët me kafshët. Kjo shkon ndesh edhe me humanizmin, sepse asnjë qenie njerëzore i çfarëdolloj feje apo etnie qoftë ai, nuk mund të barazohet kurrë me kafshët, qoftë edhe në një roman.
Pastaj, ai gabon, sepse sjell fakte historike të pavërteta.
Por gabimi që për mua nuk mund t‘i falet Blushit është se ai përpiqet që të mbështesë historinë që ofron në roman dhe ta tregojë atë si një realitet vërtet i jetuar nga populli shqiptar në një moment të caktuar, duke e bazuar atë mbi gënjeshtra, iluzione dhe ndërtim realitetesh virtuale.
Por vetë Blushi dhe mbrojtësit e tij shprehen se romani si i tillë ka brenda dhe imagjinatën e për këtë nuk mund të gjykohet sikur të ishte vepër e mirëfilltë historike. A mjafton dhe është e drejtë kjo lloj alibie?
Alibia e Blushit dhe e mbrojtësve të tij, se romani nuk mund të gjykohet si vepër historike e mirëfilltë, sepse ai ka brenda imagjinatën, besoj se mund të jetë një justifikim i mirë për të përligjur gabimet e pafalshme historike, për të cilat besoj se Blushi është koshient. Kur një shkrimtar i mirëfilltë nis një vepër kaq kolosale, e prek një periudhë kaq delikate të popullit tonë dhe një temë kaq të ndërlikuar, siç është marrja e islamit nga shqiptarët, duhet të bëjë gjithçka që burimet e tij historike të jenë në mënyrë perfekte të sakta dhe pastaj t‘i japë romanit ngjyrën ideologjike që ai dëshiron. Por kur autori nuk denjon as të japë burime të vërteta historike që prekin "mollën e kuqe" të shqiptarit, që është feja, identiteti dhe historia e tij, kjo tregon një neglizhim diletant nga një shkrimtar që pretendon se është serioz dhe i mirëfilltë. Ose, ose, çka është më afër logjikës, autori vetë nuk ka dashur të japë fakte historike të vërteta, sepse ndoshta ato mund të binin ndesh me ngjyrën ideologjike që ai ka dashur t‘i japë romanit. Pra, ose këto fakte historike thjesht nuk kanë ekzistuar, ose nëse kanë ekzistuar kanë qenë anti-"Të jetosh në ishull". Kjo nuk mund t‘i falet një shkrimtari që pretendon se ka shkruar "Kodin e Da Vinçit" shqiptar.
Blushi është gjykuar për romanin e tij edhe si një cenues deri diku i harmonisë fetare. A e merrni ju parasysh këtë normë vitale të shoqërisë sonë, apo mjafton t‘i thyeni hundën tjetrit?
Romani i Blushit vërtet ka qenë cenues i harmonive fetare në Shqipëri, sepse në një moment mjaft delikat ai i bashkëngjitet ftesës së bërë nga Kadare dhe një grupi të caktuar njerëzish, myslimanëve shqiptarë, për të braktisur fenë e tyre. Pra, ai futet në kuadrin e platformës së madhe denigruese që po i bëhet fesë islame në Shqipëri, për të mos i lënë pjesës myslimane zgjidhje tjetër, veçse braktisjen e islamit dhe kthimin në të ashtuquajturë n fe e të parëve. Unë personalisht nuk e denjoj një gjë të tillë në romanin tim; dua vetëm që populli shqiptar ta dijë se ka edhe një të vërtetë tjetër, që i fshihet atij nga Blushi dhe mbrojtësit e tij dhe më pas opinioni të zgjedhë vetë mes këtyre dy të vërtetave, evidencialisht duke e ftuar atë që të verifikojë burimet historike të këtyre dy veprave dhe asaj që ato përfaqësojnë në aspektin ideologjik. Do të përpiqem të ruaj në maksimum linjën e brishtë të harmonisë fetare në Shqipëri, duke u munduar që të mos lëndoj askënd.
Dhe së fundi, kur do dalë romani juaj?
Romani im del në muajin dhjetor të këtij viti, nëse çdo gjë shkon mirë.
http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=46986
Krijoni Kontakt