Do mundohem t'ju jap një përshkrim dhe një krahasim të pikëpamjeve të Frojdit, Jungut dhe Fromit mbi besimin fetar dhe format e shfaqjes së tij.
Do të fillojmë diskutimin tonë duke parashtruar idetë e Zigmund Frojd në lidhje me religjionin.
Frojdi analizon thellësisht problematikën e fesë tek libri “ E ardhmja e një iluzioni “, i botuar me 1927 dhe që për Fromin mbetet një ndër librat më të mirë të Frojdit (mjerisht i papërkthyer në shqip - shënim J@mes_Douglas). Kujtojmë se besimi fetar dhe sidomos krishtërimi, kishin filluar të sulmoheshin në Evropë që nga periudha e iluminizmit.
Filozofë iluministë si Volteri apo Dideroi nën emrin e arsyes kritikonin fort fenë si shfaqje të injorancës dhe paditurisë së popullit. Trashëgimtarë të kësaj prirje ishin edhe Nice dhe Marksi. Kështu për Nicen “Zoti ishtë një përgjigje e rëndomtë dhe e vrazhdë, një mungesë delikatese kundrejt mendimtarëve”. Ndërsa për Marksin “religjioni është opium për popullin” (frazë aq shumë e cituar edhe gjatë të kaluarës sonë socialiste - shënim J@mes_Douglas).
Frojdi i përthith këto mendime ateiste duke i përshtatur dhe i vendosur nën kornizën e sistemit psikoanalitik. Kështu për Frojdin besimi nuk është gjë tjetër veçse pasqyrim i konflikteve dinamike mes idit, unit dhe mbiunit të studiuara nga psikanaliza tek individi dhe të shfaqura tek feja në një skenarë më të gjërë.
Për Frojdin feja lindte nga nevoja e njeriut për të bërë të durueshme mjerimin dhe palumturinë e tij. Për disa individë feja mund të ishte një përgjigje ndaj ankthit, por në të njëjtën kohë, sipas Frojdit, ajo ishte e dëmshme për mendjen njerzore. Kështu Frojdi arriti në atë pikë sa të përcaktonte fenë si “një narkotik me të cilin njeriu kontrollon ankthin e tij, por mpin mendjen e tij”.
Feja nuk ishte në gjendje të përballonte kritikat e shkencës dhe ishte e detyruar të dukej gjithmonë e më shumë një iluzion. Ndërsa shkenca moderne për Frojdin, nuk ishte një iluzion pasi ajo ishte e vetëdijshme për kufijtë e veta.
Besimi fetar e kishte fillesën e tij në pafuqishmërinë e njeriut përpara forcave të jashtme të natyrës. Ai lindte në stadet e hershme të zhvillimit njerzorë, kur njeriu akoma nuk mund të përdorte arsyen e tij për t’u bërë ballë forcave të jashtme të natyrës, dhe duhet t’i mposhte ato me ndihmën e forcave afektive. Duke u ndeshur me forca të rrezikshme dhe të pakontrolluara, njeriu kishte nevojë të ndihej nën mbrojtjen e dikujt, nën mbrojtjen e “Babait” i cili zotëronte një forcë dhe urtësi shumë të lartë të cilën njeriu mund ta meritonte vetëm nëse i nënshtrohej atij dhe duke iu shmangur thyerjes së rregullave të tij.
Në këtë mënyrë, sipas Frojdit feja është një përsëritje e përvojës jetësore fëminore. Njeriu u bën ballë përvojave kërcënuese si fëmija që i bën ballë pozitës së tij të pambrojtur duke u mbështetur te babai, duke u mahnitur për forcën e tij dhe duke e pasur frikë atë. Feja për Frojdin bazohet mbi koncepte të vdekura përderisa ato janë iluzione të bazuara tek dëshirat e njeriut.
Mirëpo Frojdi nuk kufizohet vetëm duke thënë se feja është një iluzion. Ai mendon se feja është e rrezikshme, sepse shenjtëron institucionet të pavlera njerzore dhe më keq akoma, i mëson njerëzit t’ju besojnë iluzioneve dhe u ndalon që të mendojnë në mënyrë kritike. Frojdi madje përgjithson duke pohuar se pengesa për të menduar në mënyrë kritike në lidhje me ndonjë objekt apo fushë të caktuar, shpie në dobësimin e të menduarit kritik edhe në fusha të tjera dhe në të njëjtën kohë në uljen e aftësisë së arsyes në tërësi.
Një tjetër e metë e fesë sipas Frojdit është se ajo e mbështet moralitetin në parime shumë të paqëndrueshme. Në qoftë se domethënia e normave etike bazohet në atë se ato janë porosi të perëndisë, atëherë e ardhmja e etikës vihet në varësi nga besimi tek Zoti. Mirëpo duke qënë se sipas Frojdit të qënurit fetar të njerëzve do dobësohej gjithnjë e më shumë atëherë bashkë me fenë do shkatërrohen edhe vlerat tona morale (duket ndikimi i qartë i Nices, i famshëm për shprehjen e tij “ nëse Zoti vdes kush do na i japi Urdhëresat Morale - shënim J@mes_Douglas).
Rreziku që Frojdi sheh tek feja ka të bëj me faktin se idealet e tij vetiake janë pikërisht ato koncepte të cilat, sipas mendimt të tij, i kërcënon feja: arsyeja, pakësimi i vuajtjeve njerëzore dhe moraliteti.
Qëllimi i vërtetë i zhvillimit të njeriut për Frojdin është arritja e të vërtetës nëpërmjet lirisë dhe kjo gjë bëhet e mundur duke parë me guxim realitetin në fytyrë dhe duke kapërcyer fiksimin fëmijërorë. Njeriu duhet të heqë dorë nga iluzioni i ekzistencës së Zotit dhe të bëhet një i rritur që lë shtëpinë prindërore.
Vetëm njeriu i lirë dhe i rritur, i cliruar nga pushteti i autoritetit, mund ta kuptojë drejt botën rrethuese. E vetëm në këtë rast,sipas Frojdit, nëse do të bëhemi të rritur dhe te cliruar nga autoriteti do të fillojmë të mendojmë për veten.
Krijoni Kontakt