Rreth 500 personalitete nga e gjithë bota do të udhëtojnë këtë vit drejt Prishtinës. Në datat 18-19 gusht, në kryeqytetin kosovar do të mbahet edicioni i 27-të i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Studiues nga rreth 90 vende do të prezantojnë punën e tyre kërkimore në albanologji. Një sërë referatash dhe tryeza shkencore do organizohen gjatë këtyre dy ditëve. Në ndryshim nga vitet e tjera, temat e këtij seminari do të reflektojnë edhe në tre përvjetorë të rëndësishëm. Kështu, do të përkujtohet 100-vjetori i Kongresit të Manastirit, ngjarjes ku u vendos edhe alfabeti standard i gjuhës shqipe, 70- vjetori i vdekjes së Millosh Gjergj Nikollës - Migjenit dhe 100- vjetori i lindjes së filologut të njohur shqiptar, Eqrem Çabej. Shqipja, si një nga gjuhët më të vjetra të botës, do të fokusohet në diskutimet e seminarit të 27-të, ku shumë filologë të njohur nga Europa, Azia, Amerika e Jugut dhe Australia do të referojnë tezat e tyre. Sipas drejtorit të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, Imri Badallaj, është i madh numri i të interesuarve që kanë dashur të bëhen pjesë e këtij seminari. "Programi i këtij viti është mjaft i ngjeshur. Pas hapjes do të organizohen gjashtë ligjërata, ku personalitete të njohura nga Kosova dhe Shqipëria do t'i mbajnë në fusha të ndryshme - në fushën e gjuhësisë, letërsisë dhe kulturës në përgjithësi", - shprehet ai. Për shkak të përvjetorëve që përkojnë me edicionin e 27-të të seminarit, do të organizohen edhe dy tryeza shkencore për letërsinë, ku do të lexohen disa kumtesa që kanë të bëjnë me 100-vjetorin e lindjes së Eqrem Çabejt dhe një tjetër për përvjetorin e vdekjes së Migjenit. Jashtë vëmendjes nuk do të lihen as dy ngjarjet e tjera. Dy pasdite me referime janë organizuar për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në të cilin pritet të marrin pjesë gjuhëtarë dhe studiues të letërsisë, ndërkohë që historianë nga vendi dhe të huaj do të jenë të pranishëm me referatat kushtuar 130-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
Temat
Gjatë Seminarit të 27-të Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare që do të mbahet në Prishtinë në datat 18-19 gusht, një vend të rëndësishëm do t'i kushtohet gjuhës, duke e parë atë në aspektin "Shqipja në rrjedhën e globalizmit". Ndërsa për letërsinë do të trajtohet tema "Kosova dhe letërsia shqipe". Kumtesat do të përmblidhen në dy botime; në atë të gjuhësisë dhe letërsisë. Diskutime të tjera do të mbahen rreth çështjeve sociale dhe kulturore, duke përfshirë këtu edhe referime për zbulimet e fundit arkeologjike të rrënojave antike të Kosovës dhe Shqipërisë gjatë këtyre viteve të fundit. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar më 1974, në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Masat e dhunshme serbe në vitin 1989, bënë që seminari të pezullohej për disa vite. Ndërkohë, dy sesione të këtij seminari ishin mbajtur në Tiranë gjatë viteve 1995 dhe 1996. Hyrja e NATO-s në Kosovë bëri të mundur që në vitin 2000, tradita të vazhdonte sërish në Prishtinë. Seminari organizohet nga Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës në bashkëpunim me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Financiarisht mbështetet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në Kosovë.
(d.b/GazetaShqiptare/Balkanweb)