Kujdesi që duhet të tregoni për fëmijët dhe të moshuarit. 10 rekomandime për të pasur një lëkurë ngjyrë çokollate
Ndërsa termometrat tregojnë çdo ditë temperatura të larta dhe meteorologët konstatojnë se një situatë e tillë do të vazhdojë edhe në ditët që vijojnë, specialistët e mjekësisë pranë Ministrisë japin këshillat për të mbrojtur shëndetin nga vapa. Me rikthimin e temperaturave të larta mjekët tërheqin dhe një herë vëmendjen, sidomos për moshat në rrezik, për të respektuar këto rregulla të thjeshta dhe mjaft efikase që shmangin pasojat shëndetësore të të nxehtit. Sektori i promocionit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe shërbimi i Edukimit dhe Promocionit të Shëndetit kanë hartuar udhëzime dhe fletëpalosje të shpërndara në qendrat shëndetësore jo vetëm të Tiranës si dhe të publikuara në faqen online të Ministrisë së Shëndetësisë www.moh.gov.al. Konsumoni sa më shumë lëngje, pavarësisht aktivitetit fizik, por gjithnjë duke pasur parasysh rekomandimet e mjekut. Nëse mjeku ka këshilluar që të mos merret një sasi e madhe uji për arsye shëndetësore, atëherë këshillohuni me mjekun tuaj për sasinë që duhet të përdorni. Mos konsumoni lëngje me përmbajtje kafeine, alkooli, apo sasi të mëdha sheqeri, gjë që do të sillte humbje lëngjesh nga organizmi. Evitoni gjithashtu përdorimin e lëngjeve shumë të ftohta, që mund të shkaktojnë dhimbje stomaku. Evitoni qëndrimet për një kohë të gjatë në ambiente me temperaturë të lartë dhe lagështirë të madhe. Evitoni qëndrimet në plazh dhe në rrezet e diellit në intervalin mes orës 11.00 dhe 17.00. Përdorni kapele për mbrojtjen e kokës dhe të qafës. Qëndroni brenda, nëse është e mundur në ambiente me ajër të kondicionuar. Rekomandohen banja të freskëta çdo ditë ose disa here në ditë (sidomos për fëmijët). Vishuni me rroba të lehta, të lirshme dhe me ngjyra të çelëta. Mos lini fëmijë vetëm në makina të mbyllura, të parkuara. Kujdes të veçantë për popullatat në risk, fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë me probleme kardiovaskulare të hipertensionit dhe diabetikët. Vizitoni fëmijët dhe të rriturit me probleme të shëndetit periodikisht.
Pasojat
Pasojat më të shpeshta që mund të vijnë si rezultat i temperaturave të larta janë: Goditja nga dielli si rezultat i qëndrimit të gjatë nën rrezet e tij; Djegia e lëkurës nga rrezatimet e forta diellore, si edhe kanceri i lëkurës; Intoksikacionet për shkak të ushqimeve; Rëndimi i disa sëmundjeve të zemrës e tensionit. Goditja nga dielli manifestohet me: djersitje, humbje të lëngjeve të organizmit, dhimbje koke, marrje mendsh, ulje të presionit të gjakut, rënie të aftësive mendore e fizike. Për të evituar një goditje të tillë, specialistët këshillojnë të: Evitoni qëndrimet për një kohë të gjatë në diell; Evitoni lëvizjet gjatë orëve 11-14 të mesditës kur rrezet e diellit janë më të forta; Përdorni çadra dhe kapele, kur ju duhet të lëvizni gjatë ditës; Vishuni sa më lehtë, përdorni veshje pambuku; Pini sa më shumë lëngje; Gjatë ditës freskohuni herë pas here me ujë; Frekuentoni plazhet. Për ata që frekuentojnë plazhet: Ekspozohuni gradualisht në diell dhe jo menjëherë; Përdorni kremrat mbrojtës të lëkurës; Qëndroni nën çadra; Pini sa më shumë lëngje. Ndërsa për helmimet ushqimore mjekët këshillojnë të lani me ujë të pastër e të rrjedhshëm të gjitha frutat dhe zarzavatet. Gjithashtu produktet ushqimore duhet të ruhen në vende të freskëta dhe të konsumohen ushqime të sapopërgatitura. Të sëmurët që vuajnë nga sëmundje të ndryshme të zemrës e të tensionit duhet të jenë të kujdesshëm e të konsultohen herë pas here me mjekun specialist.
Këshilla për fëmijët
Fëmijët të mbahen në ambiente të freskëta dhe me lagështirë normale
Krevati i fëmijës të vendoset në një kënd të dhomës të mbrojtur nga korentet e ajrit dhe rrezet e diellit
Të bëhet ajrimi i herëpashershëm i dhomës
Temperatura e ambientit ku rri fëmija të jetë 24-25 gradë celsius
Në mungesë të mjeteve ftohëse të bëhet freskimi i dhomës me ujë herë pas here dhe vendosja e çarçafëve të lagur në dritare për të freskuar dhe lagështuar ajrin
Rekomandohen që fëmijët të shëtitën në ajër të pastër, në vende ku ka gjelbërim, larg zhurmave dhe tymrave gjatë orëve të para të mëngjesit deri në 9.30 dhe pas orës 18.00
Rekomandohen banjat e freskëta disa herë në ditë dhe ushqyerja me gji për më të vegjlit disa herë në ditë
Nuk rekomandohet që nëna t’i japë gji fëmijës kur është e nxehtë (nga rruga ose nga puna)
Të konsumohen ushqime të freskëta, të pastra, të përpunuara mirë termikisht dhe të ruajtura në kushte të përshtatshme frigoriferike
Të përdoren fruta dhe zarzavate të freskëta të lara me ujë të bollshëm
Të mos përdoren ushqime dhe lëngje të konservuara
Të përdoret ujë higjenikisht i pastër
Enët e gatimit dhe ushqimit të fëmijës të lahen dhe ruhen në vende të pastra
Ushqimet e fëmijës duhet të blihen në dyqane në kushte frigoriferike të ruajtura mire
Këshilla për të moshuarit
Të evitohen qëndrimet në ambientin e jashtëm në periudhën më të nxehtë të ditës
Të bëhen shëtitje në ajër të pastër dhe në vende me gjelbërim në periudhën më të freskët të ditës
Të përdoren kapele për të mbrojtur kokën dhe qafën
Të përdoret dietë ushqimore me zarzavate të përpunuar mirë termikisht (të gatuara me vaj misri ose ulliri)
Të evitohet përdorimi i yndyrave shtazore (gjalpë, dhjamë) dhe kripës së tepërt
Të përdoren lëngje (ujë higjenikisht i pastër, lëngje frutash të freskëta, supa)
Për të moshuarit nuk rekomandohen banja dielli, por frekuentimi i vendeve malore
Të eliminojnë udhëtimet e gjata
Të përdorin produkte ushqimore të kontrolluara higjenikisht
Të bëjnë kontroll periodik tek mjeku dhe të përdorin mjekimin e rekomanduar
10 këshilla për lëkurë çokollatë
Përpara se të niseni, përdorni një krem parapërgatitor
Lyeni trupin me krem përpara se të shkoni në plazh
Pini shumë lëngje për t’u hidratuar
Luftoni celulitin edhe në plazh
Mbani gjithmonë syze dielli
Mbroni flokët me vajrat e duhur
Pastroni lëkurën tuaj
Mbroni lëkurën e fytyrës
Merrni rrezet kur jeni duke lëvizur
Mos harroni kremin e pas diellit në fund të ditës
Përgatiti: Jonida Tashi
Të rejat nga shkenca
Xheli aloe vera kundër djegies
Xheli, gjalpi dhe mjalti Aloe vera, janë disa nga përgatitjet shtëpiake të cilat shfrytëzohen për mjekimin e djegieve. Përdorimi i xhelit me aloe vera ka dhënë rezultate mira kundër djegieve të lëkurës, pasi ajo jo vetëm që është freskues, por rigjeneron edhe lëkurën e djegur. Edhe pse eksperimentime të tilla nuk rekomandohen pa udhëzimin e mjekut (sepse për shembull, gjalpi mund ta rritë rrezikun për infeksion), megjithatë ekzistojnë fakte se mjalti mund të jetë i dobishëm për shkak të veprimit të tij anti-bakteror dhe kundër inflamacionit, gjë që ndihmon në përtëritjen e indit. Rezultatet e dhjetëra studimeve të reja, kanë treguar se mjalti ndikon shumë më mirë në lëkurën e djegur sesa kremrat e ndryshëm.
Krijoni Kontakt