Dy gjëra më tmerrojnë: injoranti i devotshëm dhe dijetari që nuk beson”


H. Aliu r.a.

Fati e deshi që shqiptarët të jetojnë në një hapësirë ku gjatë tërë historisë janë gërshetuar interesat e Lindjes dhe Perëndimit; në një vend ku janë takuar Krishterimi dhe Islami. Për këtë në trojet shqiptare kanë mbizotëruar interesat e njërës palë apo të tjetrës. Kjo është pasqyruar në një masë të madhe edhe në kulturën dhe vet identitetin e popullit shqiptar. Ky ndikim i kulturave të huaja vazhdon të jetë i pranishëm edhe sot e kësaj dite në trojet shqiptare. Me kalimin e kohës, shqiptarët i përvetësuan ato dhe, mund të thuhet, ato u bënë pjesë e identitetit të tyre kulturor dhe shpirtëror. Nuk ka dyshim se ato u ndikuan edhe nga tipare të veçanta të kulturës materiale dhe shpirtërore autoktone shqiptare. Ky konglomerat kulturash të ndryshme vetëm sa e pasuroi thesarin e përgjithshëm të kulturës sonë kombëtare, duke i dhënë asaj një karakter universal dhe gjithënjerëzor.

Nuk ka dyshim se periudha pesëdhjetëvjeçare e sundimit komunist bëri çmos ta fshinte tërë atë thesar kulturor e shpirtëror nga kujtesa e çdo shqiptari, duke përdorur për këtë edhe mjetet dhe metodat më represive që njohu ndonjëherë historia e njerëzimit. Mirëpo, rezultatet nuk ishin inkurajuese, ashtu siç mendonin ideologët e sistemit komunist, që të bënin shpëlarjen e trurit të tërë popullatës shqiptare. Megjithatë, nuk mund të mohohen as faktet se recidive të asaj periudhe kanë ngelur edhe sot e kësaj dite tek një numër individësh dhe për fat të keq, edhe tek një pjesë e intelektualëve.

Periudha e transicionit, e kalimit prej një sistemi totalitar në një sistem demokratik, shqiptarët i gjeti të papërgatitur. Shqipëria, shteti qendër i të gjithë shqiptarëve, u ballafaqua me ekzodin masiv të popullatës së saj, me qëllimin për ta lëshuar vendin dhe për ta marrë botën në sy. Ndërsa shqiptarët e Kosovës, të ballafaquar me politikën represive të okupatorit serb, për një dekadë të tërë nuk patën mundësi të ndërmerrnin asgjë në këtë drejtim. E njëjta gjë vlente edhe për popullin shqiptar të Maqedonisë.

Si rezultat i kësaj, shpesh po ndihen zëra, jo vetëm nga politikanët, po edhe nga disa njerëz të artit e të kulturës si dhe nga disa teologë të politizuar, për mbivlerësimin e njërit besim dhe zhvlerësimin e besimit tjetër, si dhe thirrjes së hapur që shqiptarët të kthehen në fenë e të parëve. Në këtë frymë qenë pamfletet e dhjetorit të vitit të kaluar, të shpërndara nga e ashtuquajtura Lëvizje Studentore për Shoqëri të Hapur e Demokratike, e cila nuk kishte asgjë të përbashkët me lëvizjen studentore.

Progresi i fuqishëm i këtij gjysmëshekulli të fundit, ka çuar njëkohësisht në një rrënim psikologjik të njeriut, sepse gjithnjë e më shumë po vihet re se çdo fuqizim material në jetë, atë po e bën gjithnjë e më të pakënaqur. Deviza e qytetërimit: “Krijoni gjithnjë dëshira të reja”, i shkakton njeriut për çdo dëshirë të paplotësuar një dhembje për realizimin e së cilës, shpesh “qëllimi justifikon mjetet”. Kjo ka çuar në një rritje marramendëse të kriminalitetit, korrupsionit, mashtrimeve e vjedhjeve, ose rritjen e pandalshme të alkoolizmit, përdorimin e drogës e të imoralitetit, të cilat në vazhdimësi çojnë në lindjen e sëmundjeve të reja masive, për shumë kohë të pashërueshme. Shkenca dhe teknika në asnjë mënyrë nuk mund të ndalin pasojat aq të dëmshme që janë pjellë e imagjinatës njerëzore për të fituar me çdo kusht lumturinë e kësaj bote. I vetmi mjekim është edukimi moral i religjionit nëpërmjet familjes, i cili mund të arrijë të vendosë një ekuilibër.

Të gjithë jemi dëshmitarë për problemet me të cilat ballafaqohet sot shoqëria shqiptare. Streset e ndryshme që e kanë kapluar atë, janë shpërndarë në të gjitha shtresat e saj. Kjo nuk kursen as fëmijë e pleq, ndërkohë që një brez i tërë të rinjsh është degdisur si më keq në skutat e errëta të qyteteve tona duke u zhytur në drogën, në imoralitet. Disa dukuri, të cilat në të kaluarën ishin tema tabu për shoqërinë shqiptare, siç janë prostitucioni, droga, alkoolizmi, etj., tash janë shfaqur në shumë mjedise. Fatkeqësisht, këto dukuri janë në rritje e sipër.

Shtrohet pyetja se çfarë duhet bërë që shoqëria shqiptare në përgjithësi dhe rinia në veçanti, të shpëtojë nga kjo përmbytje, e cila do të jetë me pasoja të mëdha për të ardhmen e kombit tonë në tërësi. Besojmë se shpëtimi i vetëm nga kjo katasrofë e mundshme, është kthimi i ynë në parimet tona fetare. Është feja ajo që me edukim shpirtëror të tij mund të sendërtojë një ekuilibër të vërtetë midis “progresit të jashtëm” të njeriut, dhe “progresi të brendshëm”. Ky problem nuk ka të bëjë vetëm me ne; është një problem me të cilin u ballafaquan edhe popuj të tjerë. Kështu, ish-Sekretari i Departamentit të Shtetit në SHBA, Xhon Foster Dallas, duke parë e jetuar ritmet e larta të qytetërimit, si dhe duke mbajtur parasysh pikëpamjet e krishtera për jetën, në librin e tij “Luftë a paqe”, thotë: “Ne arrijmë rekorde në prodhimin e të mirave materiale. Ajo që na duhet neve, është feja e drejtë dhe dinamike... Ne kemi humbur lidhshmërinë në mes besimit religjioz dhe jetës sonë praktike... Ne nuk shohim që feja jonë t’u përgjigjet kushteve moderne, nëse lidhja në mes fesë dhe punës ndërpritet, nuk do të mund ta krijojmë atë me fuqinë shpirtërore, e cila do të na ndërlidhë tërë botën”.

Për shumë probleme me të cilat shoqëria bashkëkohore ballafaqohet në ditët e sotme, zgjidhjet më të mira i gjejmë në librin e shenjtë të Islamit në Kur’an. Kur’ani predikon të jetohet jeta shpirtërore dhe trupore. Aty thuhet: “Të jetohet për jetën e amshuar, pa e lënë mangut atë që i takon në këtë botë”. (Kur’an, 28: 77).

Sipas Kur’anit, njerëzit duhet të kenë lirinë e brendshme shpirtërore, por dëshirojnë gjithashtu të jenë fizikisht të lirë e të fuqishëm për të zotëruar këtë botë, pa e konsideruar të huaj botën materiale: “O besimtarë, mos ia ndaloni vetes gjërat e bukura dhe të pastra që jua ka lejuar Zoti, por mos e teproni”. (Kur’an, 5: 90).

Në botën e jashtme, në natyrë. Islami sheh një mori faktesh dhe i bën thirrje njeriut për t’i studiuar ato në emër të Zotit, për të fituar një jetë gjithnjë e më të mirë tokësore, i udhëzon njerëzit të punojnë me dije e me shkencë, duke perceptuar njëkohësisht si kusht të domosdoshëm sigurimin më parë të një pushteti mbi vetveten. Që në shpalljen e parë të Kur’anit, njeriu urdhërohet: “Lexo, në emër të Zotit” (Kur’an, 96:1), që do të thotë se pa dije nuk do të jesh në gjendje të kryesh asnjë mision në jetë. Pra, Islami në emër të shkencës, nuk flak fenë, por nuk mohon as luftën për një jetë më të mirë në emër të fesë. Prandaj, Muhamedin a.s. e tmerrojnë më shumë “injorantët e devotshëm dhe shkencëtarët që s’besojnë”, ku bëjnë pjesë si ata që, duke mohur këtë jetë, kujtojnë se bëhen të shenjtë, si ata që me dije e shkencë punojnë për këtë jetë, por mohojnë Zotin.

Nga tërë kjo që u tha, mund të vijmë në përfundimin se Islami i jep zgjidhjen më të mirë asaj që kërkon sot njerëzimi i qytetëruar: “lidhjes së besimit religjioz me jetën praktike”. Dhjetë vjet më parë, orientalistët e shquar anglezë W.P. Montgomery dhe Wat, pasi studiuan idenë islame mbi jetën, pranuan botërisht: “Islami është një luftëtar i fuqishëm për t’i dhënë skeletin themelor religjionit të së ardhmes”. Ndërsa disa dhjetëvjetësha më parë, Bernard Shou, deklaronte: “Kam parashikuar rreth besimit islam se ai do të jetë i pranishëm në Evropën e nesërme, ashtu siç po fillon të bëhet i pranishëm në Evropën e sotme”.

Prandaj obligim i të gjitha institucioneve tona kobmëtare, fetare, edukative, arsimore dhe kulturore është të bëjnë çmos që, në radhë të parë, lënda e edukatës fetare të inkorporohet në të gjitha nivelet e sistemit tonë shkollor, si hap i parë drejt pajisjes së rinisë sonë me edukatë të mirëfilltë fetare. Në të njëjtën kohë lypset nga të gjitha institucionet tona me karakter kombëtar që ndaj besimeve tona tradicionale të kenë një qasje objektive dhe të mirëfilltë. Në këtë aspekt mediat mund të luajnë një rol të veçantë.

Vetëm me një qasje të këtillë, do t’i kryejmë obligimet tona ndaj rinisë sonë, e cila është pjesa më e ndjeshme e popullatës sonë dhe e ardhmja e kombit.
2 50.0