Filologjiku, gati kurrikulat e reja për “Master” për këtë vit. Rrokaj: “Sistemi i Bolonjës, baras me 4-vjeçarin vetëm nëse bëhet Masteri”

Jonida Tashi

Studentët e Fakultetit Histori-Filologji, që përfundojnë këtë vit sistemin 3-vjeçar sipas Bolonjës, do të përballen me një testim ndryshe për marrjen e diplomës së nivelit të parë. Kështu, atyre do t’u duhet të përgatisin një temë të veçantë, gati 30 faqe punim. Ndryshe nga sistemi i mëparshëm, ai katërvjeçar, kur studentët i nënshtroheshin një provimi, tani do të jenë vetë ata që do të përgatisin një temë, të cilën do ta prezantojnë përpara një auditori pedagogësh. Dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj, propozon edhe një test të veçantë për studentët që nuk e përgatisin dot temën prej 30 faqesh. Sipas tij, diploma e këtyre studentëve mund të jetë e njëjtë me ata të sistemit katërvjeçar vetëm në rast se studentët do të vazhdojnë studimet për “Master”. Përsa u përket kundërshtimeve të ditëve të fundit për tarifën e shkollimit, Rrokaj shprehet se është detyrë e qeverisë të ndryshojë kuotën e regjistrimit, fakultetet vetëm paraqesin propozimet e tyre. Sistemi Bolonjës ka filluar të vihet në zbatim në shumë fakultete të universiteteve tona.
Fakultetet
Aktualisht, të gjitha fakultetet në vend kanë hartuar programet e reja për Masterat e Bolonjës, të cilët, pas rishikimit nga universitetet përkatëse, do të dërgohen në Ministrinë e Arsimit për t’u miratuar më pas nga Këshilli i Ministrave. Fakulteti i Histori-Filologjisë është një ndër fakultetet që i ka hartuar kurrikulat dhe është në pritje që të miratohen ato që janë hartuar. Sipas Rrokajt, Fakulteti i Histori-Filologjisë i ka gati kurrikulat e reja për ata që do të vazhdojnë studimet për “Master”, pas mbarimit të sistemit 3-vjeçar. Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rrokaj, sqaron se këtë vit janë duke përgatitur sistemin e diplomave të nivelit të dytë dhe Masterat e nivelit të parë dhe të dytë. Të gjitha këto, sipas tij, kanë kaluar jo vetëm në Këshillin dhe Senatin e Fakultetit, por edhe në Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës për miratim.
Kurrikulat
Rrokaj sqaron se në këto kurrikula studentët kanë disa mundësi zgjedhjeje, sipas profileve që ata i gjykojnë si të përshtatshme. Larmia e këtyre kurrikulave, sipas dekanit të Filologjikut, do t’u japë mundësi studentëve që t’u përgjigjen kërkesave që ka tregu për punë. Por megjithëse është folur shumë për sistemin e Bolonjës, ende në radhët e studentëve gjen studentë që nuk janë të mirinformuar për këtë sistem. Madje, jo vetëm kaq, por shumë prej tyre nuk dinë as se çfarë duhet të bëjnë pasi të mbarojnë studimin 3-vjeçar dhe as se sa mundësi punësimi ka diploma e nivelit të parë të Bolonjës. Studentët që mbarojnë sistemin trevjeçar dhe pajisen me diplomën “Bachelor” mund të vazhdojnë Masterin e nivelit të parë dhe të zgjedhin midis disa profileve. Brenda Masterit të nivelit të parë do të ketë: Mësuesi, Redaktori, Arkivistikë, Arkeologji, Menaxhim territori, Turizëm etj.
Kriteret
Për të vazhduar Masterin në Fakultetin e Histori-Filologjisë kriteret e pranimit do të jenë të përgjithshme. Ky fakultet nuk ka përcaktuar kritere specifike si mesatarja, kreditet etj., për të ndjekur studimet specializuese që ofron ai, por çdo gjë do të varet nga kërkesa dhe oferta. Kështu, për të ndjekur Masterin e nivelit të parë (plus dyshin), nevojitet vetëm diploma e nivelit të parë. Ndërsa për të vazhduar Masterin e nivelit të dytë, duhet të kesh fituar diplomën e nivelit të dytë. Ndërkohë që numri i pranimit të studentëve për Master do të varet nga mundësitë akademike dhe infrastrukturore. Kurse të rinjtë që e kanë marrë diplomën para vitit 2008, do të regjistrohen në Doktoraturë. Kjo e fundit përfshin Master të nivelit të dytë dhe jo më pak se dy vjet kohë të nevojshme për përgatitjen e doktoraturës. Studentët që kanë mbaruar studimet e larta sipas sistemit katërvjeçar, ekuivalentohen me Masterin e nivelit të parë dhe diplomën e nivelit të dytë.

Kreditet për diplomat e studimit
Për të fituar një diplomë të nivelit të parë (DNP) studenti duhet të ketë grumbulluar 180 kredite.
Për të fituar një diplomë të nivelit të dytë (DND) studenti duhet të ketë grumbulluar 120 kredite.
Për të fituar një diplomë të integruar të nivelit të dytë (DIND) studenti duhet të ketë grumbulluar së paku 300 kredite.
Për të fituar një diplomë të Masterit të nivelit të parë (MNP) studenti duhet të ketë grumbulluar 60 kredite.
Për të fituar një diplomë të Masterit të nivelit të dytë (MND) studenti duhet të ketë grumbulluar të paktën 60 kredite.
Për të fituar një diplomë të një programi studimi jo universitar, studenti duhet të ketë grumbulluar 120 kredite.
Për të fituar një certifikatë në përfundim të një programi studimi të formimit të vazhduar, studenti duhet të ketë grumbulluar numrin e nevojshëm të krediteve, të përcaktuar nga institucioni respektiv i arsimit të lartë për atë program studimi.


Kushtet e pranimit në programet e ndryshme të studimit
1. Për t’u pranuar në një program studimi të ciklit të parë, apo program të integruar të studimit të ciklit të dytë, kandidati duhet të ketë përfunduar me sukses Maturën Shtetërore, të zotërojë një diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të ose të zotërojë një diplomë të lëshuar nga një Institucion i Arsimit të Lartë. Institucionet publike të Arsimit të Lartë mund të përcaktojnë në përputhje me aktet ligjore në fuqi edhe kritere të veçanta pranimi për kandidatët, të cilët kanë mbaruar Maturën Shtetërore, të cilat i bëjnë publike të paktën një vit para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion.
2. Për t’u pranuar në një program studimi të ciklit të dytë kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të parë, ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të. Institucionet publike të Arsimit të Lartë përcaktojnë në rregulloret mësimore përkatëse kritere specifike për pranimin e studentëve në çdo program studimi të ciklit të dytë, që lidhen me drejtimin e formimit të tyre në ciklin e parë dhe kualitetin e përgatitjes individuale të studentëve, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Këto kritere specifike bëhen publike para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion.
3. Për t’u pranuar në një program studimi të Doktoratës, kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të dytë, diplomë të integruar të nivelit të dytë apo diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, ekuivalente me to. Institucionet publike të Arsimit të Lartë përcaktojnë kritere specifike të pranimit në programet e doktoratës, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Këto kritere bëhen publike para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion.
4. Për t’u pranuar në një program studimi specializimi afatgjatë, kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të dytë, diplomë të integruar të nivelit të dytë, apo diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, ekuivalente me to, dhe të plotësojë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv. Institucionet publike të Arsimit të Lartë përcaktojnë kritere specifike të pranimit në këto programe studimi, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, të cilat bëhen publike para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion.
5. Për t’u pranuar në një program studimi “Master i Nivelit të Parë” (MNP), kandidati duhet të ketë përfunduar së paku një program studimi të ciklit të parë, si dhe të plotësojë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv për këto programe studimi, të cilat bëhen publike para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion.
6. Për t’u pranuar në një program studimi “Master i Nivelit të Dytë” (MND), kandidati duhet të ketë përfunduar së paku një program studimi të ciklit të dytë apo program të integruar të studimi të ciklit të dytë, si dhe të plotësojë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv për këto programe studimi, të cilat bëhen publike para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion.
7. Për t’u pranuar në një program studimi jo universitar, të natyrës profesionale, kandidati duhet të ketë përfunduar me sukses Maturën Shtetërore ose të zotërojë një diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të, si dhe të plotësojë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv për këto programe studimi, të cilat bëhen publike të paktën një vit para fillimit të pranimeve tё radhës në institucion.
8. Ekuivalentimi i titujve të studimit të fituar jashtë vendit me qëllim pranimin në programet e ndryshme të studimit të ciklit të dytë dhe të tretë, bëhet nga Institucionet e Arsimit të Lartë, duke respektuar aktet ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare.


Albania