Lufta partizane në Shqipni në ditarin e nji italiani
Ardian Ndreca
(marrun prej: www.albanovaonline.com )
Doktor Franco Benanti asht nji oficer italian që shërben gjatë luftës si mjek pranë spitalit partizan. Operacioni i dimnit i gjen. Fehn, shpartallimi i brigadave partizane, gabimet trashanike në rrafshin taktik i shkaktojnë vuejtje të panumërta partizanëve të plagosun e të sëmurë, disa prej të cilëve vriten prej shokëve të vet për mos me i lanë me ra gjallë në duert e anmikut.
Ky asht rrëfimi i mjekut që njohti nga afër Hysni Kapon, Gogo Nushin, Mehmet Shehun, Islam Radovickën, Liri Gegën etj.
Sapo ka dalë prej shtypit ditari i nji hebreu italian të quejtun Emanuele Arton, antar i Partisë së Veprimit (Partito d’Azione) dhe partizan gjatë pushtimit nazist të Italisë, i cili në mars të 1944 kapet prej nazistave dhe vdes në tortura në burgun e Torinos. Ajo që të ban përshtypje në ditarin e Artomit asht aftësia vëzhguese e këtij të riu intelektual që andrronte me u ba historian.
Në ditar ai shenjon përshtypjet për jetën e bandës (çetës!) partizane. Për Artomin të rinjt që bajnë pjesë në bandë janë ma së shumti injoranta, të pagdhendun e deri edhe maskarenj e të pangimë.
Artomi shpreh shpesh përbuzjen e tij ndaj krenëve komunista, të cilët përveç cilsive të mira janë tepër injoranta dhe fanatikë. Jeta që bajnë partizanët i duket shpeshherë e vobegtë dhe vulgare: në kullat e kashtës ku flejnë partizanët pështyjnë po aty ku kalojnë natën e gjatë gjithë kohës ndihen krisma që nuk kanë të bajnë me kundërajrorin.
Të gjitha këto gjana e të tjera të cilat ma vonë retorika e historisë së rezistencës i ka naltue, duket se i shkaktonin nji alergji të veçantë partizanit intelektual Artom. Tue lexue librin e tij (Diario di un partigiano ebreo, Bollati Boringhieri, kujdesue prej Guri Schwarz) më erdhën në mend kujtimet e luftës partizane në Shqipni të nji mjeku italian të quejtun Franco Benanti, të cilat me sa di un nuk janë përkthye ende në gjuhën shqipe.
Libri i Franco Benanti-t (La guerra più lunga. Albania 1943-1948, Mursia) asht botue në vitin 1966 por tue qenë se librat e kësaj natyre janë tepër të pakët e të panjohtun, ai e ruen ende sot freskinë dhe randësinë e vet.
Asht nji libër prej të cilit mund të mësohet ma shumë për luftën partizane sesa prej vëllimeve të historisë që nisin e mbarojnë me “urra”.
Edhe pse i shkruem prej nji mjeku, ai libër mbetë edhe sot kronika e nji intelektuali që vuen dhe sheh tue vuejt të tjerët gjatë luftës, që urren luftën dhe dhunën dhe që na jep pamje të gjalla dhe mjaft besnike të asaj periudhe.
Autori ka qenë mjek pranë divizionit Perugia dhe asht marrë kryesisht me profilaksinë e tifos eksantematike dhe të sëmundjes së Brill-it – të dyja këto sëmundje që transmetohen nepërmjet morrave. Mbas kapitullimit të Italisë, dr. Benanti bashkohet me disa formacione partizane, ku ndihma e tij asht mjaft e çmueshme, mbasi tifoja asht nji rrezik i vazhdueshëm i tyne.
Gjatë vitit të fundit të luftës doktor Franko Benanti ban pjesë në spitalin partizan, i cili ndiqet kamba kambës prej gjermanëve dhe ballistave, të cilët kanë shpartallue gati krejtsisht brigadat partizane në jug të vendit, tue vra, tue kap rob të panumërt dhe tue tue ba që nji pjesë e madhe e formacioneve të dezertojnë. Ndërkaq Shtabi i përgjithshëm, vëren Benanti, kishte mendue kryesisht sesi me shpëtue vetveten. Megjithatë ai nuk mohon kurrsesi sakrificën ekstreme të disa njësive partizane për mbrojtjen e spitalit partizan, sidomos për tërheqjen e tij prej Zagorisë.
Por le të kthehemi pak mbrapa në kohë.
(vijon ma poshte...)
Krijoni Kontakt