Shkarkimet e drejtuesve të Monumenteve të Kulturës kanë krijuar një kaos në administrimin e trashëgimisë
Shkarkimi nga detyra i drejtores së Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Durrës ka nxjerrë në pah një problematikë të mprehtë që vë në diskutim mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore në qytetin e lashtë dhe zonat përreth nga institucionet shtetërore. Problematika ka mbërritur deri te Kryeministri Sali Berisha, i cili nuk ka reaguar ende ndaj situatës kritike të krijuar në Durrës, ndërsa kritikohet një prej anëtarëve të kabinetit të tij për qëndrime të pabazuara që prekin specialistët në dëm të mbrojtjes së vlerave dhe kundërshtim të ligjit. Brenda pak muajsh, ky është lirimi i dytë nga detyra i drejtuesve të kësaj drejtorie rajonale bërë nga ministri i Kulturës Ylli Pango. Strumbullari i shkarkimeve është Torra Veneciane dhe synimi i Pangos për ta liruar atë nga qiramarrësit aktualë me të cilët shteti ka një kontratë të rregullt, pavarësisht se në ç‘kushte u realizua ajo. Vitet e fundit, shkarkimet e drejtuesve të Monumenteve të Kulturës kanë përsëritur situatën e shefave të policisë së portit në detyrë, duke i dhënë drejtorisë së Kulturës imazhin e një vendi pëllumbash. Kjo është shfrytëzuar edhe nga firma ndërtimi në Durrës, të cilat të penalizuara me pezullim punimesh nga drejtoria e kanë denoncuar atë në prokurori për vonesat që, sipas tyre, u kanë shkaktuar humbje ekonomiko-financiare. Për shkak të informalitetit dhe keqmenaxhimit të nëntokës muze, Durrësi, gjatë 17 viteve të fundit, i është nënshtruar një masakre me efekte shkatërruese të parikthyeshme në emër të modernizimit të qytetit. Aktualisht, me ligjin e ri, atributet administrative për dhënien e lejeve i janë hequr strukturave të Durrësit, duke u centralizuar në funksionet e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik. Duke e parë me pozitivitet këtë reformë të ndërmarrë, arkeologia Brikena Shkodra, e emëruar në krye të Drejtorisë Rajonale të Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës në Durrës në fund të janarit, thotë për gazetën se pjesa më e madhe e zbulimeve të bëra gjatë dy dekadave të fundit është varrosur në themelet e pallateve të cilat ajo i etiketon "monstra të kulturës kombëtare". Për t‘ju përgjigjur nevojave të Durrësit antik dhe pasurive të tij, Shkodra kërkon ndryshimin e organikës në të cilën mungojnë specialistët e mirëfilltë dhe fillon të realizojë hartën dixhitale të monumenteve, duke pasqyruar në të edhe objekte me vlera historike të papërfshira në mbrojtje deri tani. Puna e nisur prej saj u ndërpre në mes vetëm 3 muaj pas emërimit. Motivimi i shkarkimit nga ministri i Kulturës, Ylli Pango, ishte mospërmbushja e detyrave funksionale sipas kërkesave të ligjit. Lirimi nga detyra bëhet pa u njoftuar Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe as drejtuesja Shkodra, së cilës nuk i lihet mundësia të përballet me pakënaqësinë dhe pretendimin e ngritur ndaj saj për moskryerje të detyrave funksionale, ç‘ka përbën shkelje të Kodit të Punës. Megjithatë më 5 maj, e liruar nga detyra, Shkodra i drejton ministrit Ylli Pango një relacion mbi përmbushjen e detyrave funksionale të titullarit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, ku kundërshton motivimin e shkarkimit dhe rendit punën e bërë gjatë 3 muajve në detyrë, "jo aq për të ruajtur vendin e punës, sa për të mbrojtur dinjitetin profesional". Ndërsa është liruar nga detyra, arkeologia Brikena Shkodra është komanduar në vendin e saj, më 13 maj, Edlir Tërpo, ish-punonjës i Institutit të Hidrometeorologjisë.
Firmat e ndërtimit dhe trashëgimia kulturore
"Çdo pallat është një shkelje flagrante e ligjit për trashëgiminë kulturore", - thotë për "Shqip" arkeologia Brikena Shkodra. Por ata që i ndërtojnë pallatet janë ngritur kundër vlerave kulturore dhe atyre që i mbrojnë ato, në emër të pragmatizmit të thjeshtë. Reagim i pritshëm prej tyre dhe tepër i njohur në Durrës, ku problemi mes subjekteve ndërtuese dhe institucioneve që duhet të mbrojnë nëntokën muze, është i hershëm dhe shpesh ka lënë vend për abuzime dhe afera korruptive. Durrësi i sotëm është ndërtuar e rindërtuar disa herë mbi vetveten, qytetin e vjetër, veçanërisht qendra e tij. Kështu, që ngado që të gërmosh për të ndërtuar do të hasësh objekte të mesjetës apo antikitetit që toka me fanatizëm i ka ruajtur. Në një lojë si macja me miun, firmat ndërtuese përpiqen të mbyllin sa më shpejt themelet për të mos nxjerrë në dritë objektet e zbuluara, ose shpesh ndër vite kanë rënë në ujdi me drejtues të arkeologjisë lokale dhe qendrore për të vazhduar të patrazuar punimet. Bllokimi që iu bë rasteve më të fundit dhe kundërpërgjigjet e shpejta dhe të befasishme kanë krijuar një situatë të re në Durrës. Kur nuk funksionojnë marrëveshjet e kundërligjshme, gjendet një tjetër mënyrë për të reaguar. Në fundin e dhjetorit të vitit të kaluar, firma ndërtuese "Fama" u denoncua për dëmtimin e materialit arkeologjik që u gjet gjatë gërmimeve të bëra prej saj për hapjen e themeleve të një pallati. Me gjithë kallëzimin ndaj firmës, punimet nuk reshtën. Të mbështetura nga persona të fuqishëm që nuk dalin në skenë, me gjithë shkeljen e ligjit dhe dëmtimit masiv të vlerave të zbuluara, firma kaloi në veprime të tjera. Denoncon për dëm ekonomik kreun e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Lorenc Bejko, për shkak të vonesës në kthimin e përgjigjes. Fakti që ligji ishte për miratim në Kuvend dhe zona arkeologjike në Durrës është në ndryshim pasi në të nuk janë përfshirë shumë zona të rëndësishme, mbështeste vonesën. Ndërkaq, një tjetër firmë, ajo "Millonai", e cila gërmoi pa survejimin e specialistëve të arkeologjisë, ndëshkohet me masë administrative. Pas një periudhe shumë të gjatë në mosaplikimin e gjobave nga Atelieja e Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës, për firmën që po ndërton përballë Drejtorisë së Policisë pritet një gjobë 50 milionë lekëshe (të vjetra). Firma hedh në gjyq drejtorinë. E pyetur për këto raste, Shkodra thotë se nuk gjen përgjigje tjetër përveçse: "U kemi prekur në kallo njerëzve që fshihen pas firmave të ndërtimit". Madje dhe shkarkimi i saj, i pamotivuar, lidhet me faktin se ajo preku interesa të fuqishme, ndërkohë që nuk mundi të realizojë urdhrin verbal, të pambështetur në një shkresë zyrtare dhe as në ligj, për lirimin e Torrës Veneciane, e cila është shndërruar në një tjetër objekt ogurzi për drejtuesit e pabindur.
Torra Veneciane që pret koka drejtuesish
Pas Olti Deliallisit, arkeologia Brikena Shkodra është e dyta kokë që pritet për Torrën që qëndron krenare në krye të shëtitores bregdetare "Taulantia". Forma e saj i mundëson një pamje të plotë nga deti dhe qyteti, duke e bërë dhe shumë të preferuar nga turistët e huaj dhe vendas që vizitojnë Durrësin. Një kafe te Torra dhe një fotografi në bedenat e saj janë kujtime që çdokush që vjen në Durrës kërkon t‘i marrë me vete pas largimit. Ky pozicion e ka kthyer monumentin historik në qendër të vëmendjes. Shkodra thotë se ka hezituar mjaft para se të merrte drejtimin e Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës në Durrës, detyrë e propozuar nga kolegët e saj, Iris Pojani dhe Lorenc Bejko. Ajo thotë se hezitimi kishte të bënte me traditën që po krijohej në këtë drejtori për shkarkimin dhe emërimin e titullarëve dhe frikën se dhe ajo do të përfshihej në të njëjtën situatë të pabazuar në argumente. Përtej përplasjes së krijuar nga zbatimi i detyrës me firmën e ndërtimit, problemi është pikërisht Torra dhe kokat e turkut që priten. Në zbatim të një urdhri verbal, jozyrtar, më 12 shkurt të këtij viti, pak kohë pas emërimit, Brikena Shkodra bën zgjidhjen e njëanshme të kontratës me qiramarrësin e objektit Torra Veneciane. Kërkesës së saj për të nxjerrë jashtë objektit qiramarrësin, policia i përgjigjet negativisht, duke e argumentuar këtë ligjërisht. Po ashtu dhe Inspektorati i Ndërtimit. Në këto rrethana, qiramarrësi vazhdon rregullisht aktivitetin, si dhe të shlyejë detyrimet e tij ndaj shtetit. Ndërkaq, titullari i Dikasterit të Kulturës Shqiptare vazhdon të këmbëngulë për t‘i vënë drynin objektit kulturor me çdo kusht. Shkarkimi i Shkodrës nga të gjitha gjasat është pjesë e kësaj detyre të pakryer, të cilën e ka marrë përsipër drejtuesi i ri, të cilit i mbahet peng emërimi deri në përmbushjen e detyrës. Në shkresën ankimore që i është drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, ngrihet shqetësimi i këmbënguljes së padrejtë dhe antiligjor i ministrit Pango për lirimin e këtij objekti, ndërsa për një objekt tjetër të rëndësishëm, Muzeut Rajonal Arkeologjik të Durrësit, siguria e të cilit është në rrezik për shkak të mospagimit së rojeve të shërbimit dhe situatës së paqartë administrative, me gjithë relacionet e bëra, nuk ka asnjë reagim. Në Durrës, pas këtyre lëvizjeve të vazhdueshme me strumbullar Torrën, të gjithë janë kureshtarë të dinë se cili do të jetë fati i mëtejshëm i kullës së rrumbullakët dhe cilët do të jenë qiramarrësit e ardhshëm.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt