Dallimi në mes të Zuhdit (Asketizmit) dhe Sufizmit
Vëllezër, feja Islame urdhëron sjellje të balancuara dhe të matura në të gjitha çëshjet, kështu që nuk ka tejkalim kufijsh (skajshmëri), e as nuk ka rënie në shkallë më të ulët nga ajo që është e nevojshme.
Gjithashtu me qëllim të shmangies nga jeta e kësaj bote, Islami merr një rrjedhë mesatare në mes të lakmisë dhe koprracisë së çifutëve dhe dashurinë e tyre të jashtëzakonshme për jetën e kësaj bote, dhe në mes të murgërisë në mesin e të krishterëve, të cilët totalisht iu larguan kërkimit të mjeteve të duhura për jetesë dhe përmbajtjen nga puna dhe të fituarit për jetesë.
Nëse shmagia nga preokupimi me jetën e kësaj bote bëhet brenda kufinjëve të përshkruar nga i Dërguari i All-llahut, atëherë ajo është për t’u lavdëruar në Islam, meqë i Dërguari ishte i pari dhe më i shquari nga ata që e frenojnë veten nga preokupimet me këtë botë dhe në të njëjtën mënyrë ishin edhe Ebu Bekri dhe Umeri radijallahu anhuma e shumë sahabë të tjerë. Sidoqoftë, frenimi nga preokupimet me këtë botë nuk i ka detyruar ata që t’i shmangen fitimit dhe të qëndrojnë në një strehë të vetmuar duke pritur çkado që njerëzit t’u sjellin. Për më tepër, njerëzit vinin te ta dhe ata do ta shpenzonin pasurinë e tyre në lëmoshë. As nuk do t’i linin gjërat e mira dhe të pastërta, përpos nëse do të ishin të vështira për t’u arritur, por kur ata i gjenin këto gjëra, ata përfitonin prej tyre. Vërtet Pejgamberi i donte gratë dhe parfumet dhe pëlqente të hante mish. Ai do të agjëronte nganjëherë, e do ta ndërpriste. Ai do të qëndronte në namaz një pjesë të natës dhe gjithashtu do të flinte. Ai do të punonte, luftonte, gjykonte në mes të muslimanëve dhe u mësonte atyre Kur’anin dhe atë që është e mirë.
Pastaj në mesin e dijetarëve kishte nga ta që e frenonin veten nga çështjet e kësaj bote, në mënyrën e praktikuar nga i Dërguari. Sidoqoftë, kjo shmangie nga çështjet e kësaj bote që është praktikuar nga i Dërguari nuk është diçka obligative për muslimanët, meqë nuk është urdhëruar në Kur’an ose Sunnet. Për më tepër, në mesin e sahabëve ka pasur të tillë që kanë qenë të zënë me punë dhe duke mbledhur pjesë të madhe të pasurisë. Në mesin e tyre ka qen Uthman ibn Afvan, Abdurr-Rrahman ibn Avf dhe Ez-Zubejr ibn el-Avam. Ensarët poashtu kanë qenë pronarë të dy kopshteve të mëdha, në të cilat punonin dhe Pejgamberi nuk i ka ndaluar nga kjo. Për më tepër, në hadith thuhet: "Sa e mirë është pasuria e ndershme për një njeri të drejtë." Ai u lut për shërbëtorin e tij, Enes ibn Malik dhe e përfundoi lutjen e tij me këto fjalë: "O All-llah, shtoja pasurinë dhe fëmijët dhe bekoje me to!" [el-Buhari (përkthimi anglisht 8/258, nr. 389)]
Sa i përket Zuhdit të Sufive, ajo është një distancim nga fitimi i ligjshëm dhe puna e dobishme, dhe ulje në një ambient intim duke pritur që njerëzit t’u dërgojnë çkadoqoftë. Zuhdi për ta është që të lutesh, të kërkosh lëmoshë dhe të vizitosh sunduesit dhe tregtarët me qëllim mashtrimi, t’i lavdërojnë dhe t’u bëjnë lajka për të arritur që t’i marrin gjërat e pavlera nga tavolinat e tyre. Gjithashtu është shfaqje e rrejshme e varfërisë në veshjen e tyre, kështu që ata veshin rroba të vjetra dhe të shqyera (të grisura), me qëllim që të tregojnë se ata e ndalojnë veten e tyre nga jeta e kësaj bote, që janë të devotshëm dhe njerëz të ndershëm, të dashur te All-llahu. Disa prej tyre mund të jenë të sinqertë në qëndrimin e tyre në vuajtje të vetëimponuar, duke mbijetuar shumë ditë pa ngrënë, apo duke ngrënë vetëm bukë të thatë me kripë, kur kanë mundësi të hajnë ushqime të mira dhe të freskëta. Por kjo është në kundërshtim me Sunnetin e të Dërguarit dhe ai thotë: "Kushdo që ia kthen shpinën Sunnetit tim, ai nuk është prej meje." (Transmetuar nga Buhari dhe Muslim) Vërtet, Pejgamberi hante mish dhe ai e pëlqente këmbën e përparme të deles. Ndërsa disa nga Sufitë aq shumë e teprojnë , saqë zgjedhin që të hanë ushqime të dëmshme për ta. Disa nga ta hanë baltë dhe rërë, ndërsa zgjedhin për pirje ujë të turbullt, duke e lënë pas dore ujin e pastër dhe të freskët, meqë ata nuk do të ishin në gjendje të shprehin falënderimin e duhur për të. Ky në fakt është një arsyetim i dobët meqë duke lënë anash ujin e freskët, a do të shprehnin falënderimin e duhur ata për të mirat e tjera që Ai ua ka dhënë, sikur që është të pamurit, të dëgjuarit, shëndeti i mirë dhe kështu me radhë?
Më saktë, ai i cili e bën këtë është mëkatar, meqë ai vepron diçka që i shkakton dëm trupit të tij dhe çon në shkatërrimin e tij, e All-llahu i Madhëruar thotë:
"Dhe mos e mbytni veten tuaj. Sigurisht që All-llahu është i Mëshirshëm ndaj jush." [en-Nisa: 29]
All-llahu i Lartësuar thotë:
"All-llahu dëshiron lehtësim për ju dhe Ai nuk dëshiron vështirësim për ju." [el-Bekare: 185]
Gjithashtu i është lejuar muslimanit që të përmbahet nga agjërimi gjatë muajit të Ramazanit kur ai është udhëtar apo i sëmurë, si mëshirë për të, pra tërë lavdërimin e meriton All-llahu për dhuntitë e Tij.
Ky durim i mundimit të vetëimponuar ka qenë i pranishëm në mesin e Sufive, por sa i përket Sufive të mëvonshëm, ata ishin të brengosur vetëm për ushqim dhe pije. Ibnul-Xheuzi thotë në "Telbisë Iblisë", pasi kritikon Sufitë për imponimin e mundimeve të vetvetes së tyre dhe për shkuarjen e tyre përtej kufinjëve të asketizmit deri në pikën e torturimit të vetvetes:
"Kështu që ky privim që ata i bënë vetvetes, e cila kaloi përtej kufinjëve, nga e cila kemi qenë të ndaluar, ka ndryshuar krejtësisht nga Sufitë e kohës sonë, të shekullit të gjashtëmbëshjetë, dhe kështu ata janë bërë lakmues në ushqim aq sa ishin paraardhësit e tyre (lakmues) në uri. Ata shijojnë shujtat e mëngjesit, të mbrëmjes dhe delikatesat e ëmbëla, të gjitha apo shumicën prej të cilave i arrijnë përmes pasurisë së papastër. Ata kanë lënë fitimet e ligjshme, ia kanë kthyer shpinën adhurimit dhe i kanë shtrirë qilimat, në të cilat ata shtrihen me përtaci, e shumica prej tyre nuk kanë dëshira të tjera pos ushqimit, pijes dhe aktiviteteve të pavlera."
Ajo çka Ibnul-Xheuzi tregon është gjithashtu gjendja e Sufive të kohës sonë, mirëpo në të vërtetë ata janë shumë herë më të këqijë, o vëllezër, por nuk ka kohë të mjaftueshme për të përmendur shembuj lidhur me këtë nga praktikat e Sufive.
Krijoni Kontakt