Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565

    Zanat dhe Orët në "Lahutën e Malcis"

    Zanat dhe Orët në "Lahutën e Malcis"


    27/04/2008 - gazeta Shqiptare
    • Tonin Çobani


    Në gojën e popullit, kur përmendën Zanat dhe Orët, thuhet Shtojzovallet, që do të thotë Shtojua, o Zot, vallet. Zanat dhe Orët janë qenie mitologjike, ndërsa fjala “Shtojzovallet” vjen si eufemizëm për Zanat dhe Orët ose për të dyja së bashku. Ky ligjërim ishte i përgjithshëm në kapërcyell të shek.XIX-XX kur ngjizej Lahuta e Malcis, ndërsa sot në ligjërimin e shkruar ndodh të përdoret eufemizmi Shtojzovallet, sikur të bëhej fjalë për qenie mitologjike, pavarësisht nga Zanat dhe Orët. Në popull thuhet edhe Zanat e Malit, çfarë nënkupton se vendqëndrimi tyre ka qenë përgjithësisht mali, prandaj gjinorja “e malit” është identifikim: Zana e Veleçikut (Zana e Malit të Veleçikut), Zana e Miliskaut (Zana e Malit të Miliskaut). Për Orët thuhet: Ora e Shalës ose Orët e Dukagjinit dhe Ora e Shtëpisë ose Ora filanit me kuptimin përkujdestarja misterioze e krahinës, e shtëpisë apo e aksh individi. Për këtë arsye mund të arrijmë në përfundimin se funksioni i dallon Zanat prej Orëve. Me fjalë të tjera, Zana është një qenie mitologjike, ndërsa Ora është një Zanë me “detyra” të përcaktuara. Për më tepër Zana është trime, sepse në popull thuhet: Filani është trim si Zana, ndërsa ky krahasim zakonisht nuk vjen për Orët. Zana është shumë e bukur, prandaj thuhet: E bukur si Zanë. Orët mund të jenë ose jo të bukura.
    Si Zanat ashtu edhe Orët, pra Shtojzovallet, zotërojnë edhe një fuqi të mistershme: aftësinë për të shituar njerëzit. Zakonisht shitojnë burrat që guxojnë t’i shohin Shtojzovallet nudo tek lahen nën dritën e hënës, apo këdo që i trazon gjatë ekstazës së tyre të vallëzimit. Folja “me shitue” ka të bëjë me një veprim të mistershëm që e zotërojnë vetëm Shtojzovallet, të cilat, kur zemërohen me njerëzit, i shitojnë ata, dmth, i lënë pa mend në kokë për tërë jetën, të paaftë për t’i dalë zot vetes; i ngrijnë në vend, i bëjnë kallkan. Zanat dhe Orët shitojnë këdo, burrë apo grua, plak a të ri me timbrikën e hatashme të tingujve që prodhojnë gjatë të kënduarit ose me vallet e magjishme e mjete të tjera, ashtu si edhe shërojnë apo u japin fuqi të mbinatyrshme me qumështin e gjirit cilitdo që ka fituar simpatinë e tyre.
    E bëmë këtë hyrje, sepse gjykojmë se Fishta nga ky përfytyrim popullor u nis kur iu drejtua Zanave dhe Orëve në veprën e tij madhore, Lahuta e Malcis. Madje mund të thuhet me plot gojë se vepra e tij ka ndikuar në ngulitjen e mëpastajme të përfytyrimeve për Zanat dhe Orët, tanimë jo thjeshtë si besime popullore, por të rizgjuara si imazhe artistike nga mitologjia iliro-arbërore.
    Nisur nga vargu “Për mjedis mue m’plastë lahuta”, që Fishta e ka vënë si betim në gojën e një Zane, mendojmë se edhe vetë titulli i veprës Lahuta e Malcis ka të bëjë më tepër me mitin e Zanave këngëtare se sa me instrumentin e lahutës, me të cilin shoqëroheshin përgjithësisht vargjet epike të folklorit shqiptar. Në veprën e Fishtës metonimia “lahuta e malësisë” shënjon bëmat e malësorëve, historinë e shkruar dhe të pashkruar të shqiptarëve ndër shekuj, mbartur ndër mitet e tyre të trashëguara qysh nga parahistoria e etnogjenezës ilire që na shpie te pellazgët, popullimet paraindoeuropiane të kontinentit tonë. Lahuta është simbol identifikues i atyre qenieve mitologjike prej nga Fishta krijoi figurën e Zanës së Frymëzimit, me të cilën këndoi për 35 vjet rresht në veprën e tij epope. Më tej ai modeloi personazhin e Orës së Shqipërisë, një Zanë që u jep fuqi të mbinatyrshme heronjve shqiptarë; skaliti figurën e Zanës së Madhe, që lufton fyt a fyt me Orën thepe të Malit të Zi etj. Fishta këndoi në Lahutë të Malcis “Panteonin” e munguar të Shtojzovalleve dhe të disa figurave të tjera mitologjike në letërsinë shqiptare. Edhe për këtë kontribut Lahuta e Malcis “është përpjekja ma vigane,- si shprehet Ernest Koliqi,- qi Shqiptari bani deri tash per t’ia zbuluem vetvetes boten e vet”
    Zanat dhe Orët zënë vendin më të madh të lëndës mitologjike në Lahutë të Malcis. Veçanërisht Zana e Frymëzimit, që na shfaqet që në blenin e parë (“Marash Uci”, shkruar më 1902), e identifikuar si Zana e Veleçikut. Zana e Frymëzimit është thirrur prej Fishtës që në ngjizje të poemës si një alter autor, duke e bërë kështu një element funksional të strukturës përmbajtësore dhe narrative të veprës.
    Duhet thënë që në fillim se Zanat dhe Orët (dhe përgjithësisht figurat mitologjike) nuk vijnë në veprën e Fishtës si mite të gatshme, si mund të mendohet sot kur etnologët kanë arritur të studiojnë mitologjinë shqiptare dhe ta krahasojnë atë me mitologjinë ballkanike e më gjerë. Mitet në veprën e Fishtës nuk janë as ndikim i modeleve të njohura letrare të penave të shquara, si janë shprehur disa studiues kur kanë krahasuar poetin e Lahutës së Malcis me Homerin, Virgjilin, Miltonin a ndonjë tjetër. Aq më pak, Zanat dhe Orët e Lahutës së Malcis shëmbëllejnë me Vilat e mitologjisë së sllavëve të Ballkanit, për të cilat, gjithashtu, ka pasur studiues që kanë gjetur përvijime pa u thelluar sa duhet.
    Në kohën kur jetonte Fishta, Zanat dhe Orët ishin një realitet, ta quajmë, fantastik shqiptar. Ditën malësorët gjallonin me pushkë në krah, natën mbylleshin në kullat e tyre për t’ua lëshuar trojet përreth qenieve mitike, të cilat kishin në dorë fatin e njerëzve, mbarëvajtjen e gjësë së gjallë, shumimin e bereqetit. Secili person ose çdo gjë e gjallë kishte Orën e vet të bardhë ose të ligë. Çdo fis a krahinë kishte Zanën e vet që ishte e bukur “me të verbue”, trime “me të çartë”. Edhe në qytete (veçmas në një qytet si Shkodra) fantazia mitologjike ishte e gjallë. Netëve me hënë të plotë Zanat dhe Orët e maleve këndonin dhe hidhnin valle zabeleve më të bukura buzë ujërave, ashtu si ditën malësorët mblidheshin në log duke u argëtuar me këngë e valle.
    Duke qenë edhe vetë pjesë e këtij realiteti, Fishta e thërret Zanën e Veleçikut për të kënduar së bashku me të në Lahutë të Malcis bëmat e këtyre njerëzve, shpirtin e tyre. Sikur të mos kishte vepruar ashtu, dmth, po të mos e thërriste një Zanë Mali për të kënduar së bashku me të jetën e malësorëve, zor se malësorët do ta pranonin këngën e tij, si u pranuan realisht vargjet e Lahutës së Malcis, duke u mësuar përmendsh edhe nga njerëz që nuk dinin shkrim e këndim. Sepse ndër shqiptarë ka edhe një kult të këngës, një kult të fjalës së bukur që vjen vetëm si frymëzim i magjishëm prej qenieve mitologjike, si kudo në trevat e Mesdheut. Kur duan ato, Shtojzovallet, ia vënë dikujt në dorë lahutën dhe ia rreshtojnë fjalët. Jo kushdo mund ta bëjë këtë punë, përveç të zgjedhurve prej Zanave. Fishta që kur zu fill Lahuta e Malcis ndihej i zgjedhur prej Zanës së vet të Frymëzimit: “Se pa ty, besa, moj Zanë, / Vështirë se ‘i fjalë unë muj me e thanë” do të shkruajë ai më vonë.
    Nisur nga vargjet e Fishtës, gjithnjë nga bleni i parë, Zana e Frymëzimit është thirrur në Lahutë të Malcis për të mallkuar armikun (“Lum, oj Zana e Veleçikut \ që m’ia lëshon ti namet anmikut”); për të nxitur malësorët në mbrojtje të trojeve të veta (“Që m’i uron djemtë e Malcis”); për të mbajtur zgjuar ndërgjegjen kombëtare edhe në kushtet më të pafavorshme (“Që m’ia qan hallin Shqipnisë”). Por, pavarësisht asaj që komunikon autori, Zana e Frymëzimit është thirrur në Lahutë të Malcis, jo vetëm si një alter autor, por edhe si një alter ego. Fishta vë në pingrimën e Zanës krahas lavdisë së të kaluarës (“në të bardhat kohë që kanë prendue”) edhe dhimbjen e vet për gjendjen e rëndë ekonomiko-sociale të shqiptarit të robtuar:
    Për me mbrojtë një grue te shpia,
    Të cilës bukë i lypin fëmija
    Edhe i len, ndoshta, me qa
    Përse e mjera bukë nuk ka
    (Kënga XIII, v.30-34)
    Vargje të tilla, që rreth një çerek shekulli më vonë do të karakterizonin veprën e Migjenit, nuk mund të zinin vend ndryshe në një vepër epike që ishte e orientuar në lartësimin e bëmave heroike të kombit. Kemi parasysh këtu rregullat e ngurta të klasicizmit që nuk e pranonte kategorinë e së ulëtës (vulgares) në një vepër epike. Por Fishta, që i ka njohur mirë këto rregulla, ka ditur edhe t’u shmanget atyre, duke i lëshuar rrugë spontanitetit të vet poetik përmes pingërimës së Zanës së Frymëzimit. Zana e Frymëzimit, si një alter ego, shpreh në ndonjë rast edhe nervozizmin që i shkaktohej poetit prej një realiteti herë-herë aspak epik, si dhe nevojën për t’u çliruar prej mllefeve asfiksuese për shkak të politikës së atëhershme të Evropës në Ballkan, e cila ishte fare pak qytetëruese si pretendonte të ishte. Në shpërthime të tilla autori ka përdorur edhe një gjuhë tejet vulgare, si në vargjet:
    Uh, Evropë, ti kurva e motit,
    Që i re mohit Besës e Zotit,
    Po a ky asht sheji i qytetnisë,
    Me nda tokën e Shqipnisë,
    Për me mbajtë këlyshët e Rusisë?
    (XIII, v.40-44)
    Një dimension tjetër i Fishtës, të cilin na duhet ta theksojmë që në krye të këtyre shënimeve për Zanat dhe Orët në Lahutë të Malcis, është fakti se ai ishte një frat i shkolluar që njihte mirë mitologjinë greko-romake e biblike. Fishta njihte mirë edhe letërsinë e shkruar që ishte mbështetur në atë mitologji. Por thirrja e Zanave dhe Orëve në Lahutë të Malcis nuk duhet marrë si aplikim i atyre modeleve, qofshin edhe të mjeshtërve klasikë si Homeri e Virgjili. Aq më pak të mendohet se Zanat dhe Orët janë muzat dhe nimfat e Olimpit apo se Zana e Frymëzimit të Fishtës është muza Kaliopi që në mitologjinë greke paraqitet me lahutë në dorë dhe simbolizon epikën. Fishta e krijoi vetë figurën mitologjike të Zanës së Frymëzimit sipas lëndës mitologjike që gjallonte në popull. Zana e tij e Frymëzimit nuk është as Diana e romakëve që identifikohet me Artemidën e grekëve, sa do që në thelb ka diçka të përbashkët me të, sepse simbolizon mbrojtjen e natyrës së virgjër. Çabej që e ka lidhur origjinën e fjalës “Zana” me Dianën e romakëve, ka theksuar se “kulti i fortë i Dianës në Shqipëri e përveç këtij vendi në mbarë Gadishullin e Ballkanit të kohës antike sikundër shihet nga dëshmia e mbishkrimeve (...) na bën të pranojmë që te kjo Diana kemi të bëjmë me një “interpretatio latina” të hyjnive epikore (vendase) pararomake.” Ka edhe një shpjegim të A.Meyerit, që vëren se “tek emri ilir Thana... mund që të ruhet një shkallë e vjetër e shqipes Zana”, të cilën e lë të kuptuar edhe Çabej si të pranuar. Në këtë rast kemi të drejtë ta lidhim edhe me kuptimin e foljes me thanë (ai thot-ë), pra, me simbolikën e Thot-it, një nga perënditë më të lashtë të Egjyptit me origjinë pellazge (iliro-shqiptare), siç e klasifikon prof. Katapano në veprën e tij, “Thot-i fliste shqip”.
    Në blenin e dytë të Lahutës së Malcis, në episodin e Vraninës (botuar më 1907) Zana e Frymëzimit (ajo nuk identifikohet më si Zana e Veleçikut) zë vend më dukshëm në strukturën përmbajtësore dhe narrative të atij cikli. Në një farë mënyre mund të thuhet se Zana e Frymëzimit, gjithnjë si një alter autor, “përzihet” në konfliktin e çetës shqiptare të Oso Kukës me cubat e sirdarit të Malit të Zi. Me të narracioni fiton një përmasë të re, tepër origjinale, sepse dialogu i saj me autorin zbulon në një farë mënyre intrigën e atij konflikti të ashpër tragjik midis shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre.
    Në blenin e tretë të Lahutës së Macis Zana nis të na shfaqet edhe si personazh. Ajo tanimë është “Ora e Shqipnisë”. Duhet të risjellim ndër mend se bleni i tretë “Lidhja e Prizrenit” (shkruar dhe botuar së pari më 1920-1922) zë vend në Lahutë të Macis fill mbas episodit të Oso Kukës (bleni i dytë), me të cilin hapet vepra. Kur shkruheshin dhe botoheshin të pesë këngët e episodit “Lidhja e Prizrenit”, Shqipëria ishte bërë shtet i pavarur, ishin vendosur kufijtë dhe kishin filluar të funksiononin institucionet. E kaluara nuk ishte më një tregim mitologjik për fisin apo një këngë folklorike trimërie. E kaluara tashmë është histori. Marash Uci dhe Oso Kuka janë një pjesë e saj. Fiset e malësorëve që u përballën me shovinizmin malazias, gjithashtu, një pjesë e saj. Madje e gjithë Shqipëria dhe Ballkani ishin pjesë e konflikteve historike të perandorive të kohës dhe të Fuqive të Mëdha. Ashtu si sot dhe dje, në vitet ’20-‘30, kur vazhdonte të shkruhej Lahuta e Malcis, Fishta ishte ndërgjegjësuar se po shkruante epopenë e fisit dhe të kombit shqiptar. Dhe kombi shqiptar i kishte rrënjët deri thellë në mitet e veta. Zana e Frymëzimit do ta shoqërojë autorin si në dy blenet e para. Por tashmë Fishta është bërë intim me të. Ai i drejtohet me shprehje të tilla, si: “Deh, moj Zanë, ty, t’qofsha true”.
    Edhe në këngën e fundit Fishta nuk e harron Zanën e vet të Frymëzimit, e cila për disa dekada i ka qëndruar pranë. Ai tani e quan një bjeshkatare, me të cilën ka realizuar një monument të pavdekshëm në gjuhën shqipe: “Ndertue kem ‘i pomendare, \ Rrfe as mot mos m’e dërmue”. Të pathemelta mbetet argumentimet e disa studiuesve që te kjo Zanë vazhdojnë të kërkojnë një figure “që del në literaturën tonë si substitut i Perëndive të literaturës antike greke”. Ajo është thjeshtë një krijesë e poetit që i shton rrëfimit epik notat e “tipizimit lirik”. Më kot janë munduar edhe zëra të tjerë që kanë kërkuar te këto Orë dhe Zana të Lahutës së Malcis analogji apo diçka tjetër me Vilat e epikës sllave. Mund të ishte e kundërta.
    Fakti që figurat mitologjike shqiptare vijnë fuqishëm në letërsinë e shkruar shqiptare kaq vonë, në fillimshekullin XX, nuk duhet paragjykuar si “një fenomen i vonuar në letërsi”, krahasuar me letërsinë e vendeve të zhvilluara, përfshirë, psh, letërsinë dhe kulturën gjermane me Richard Ëagnerin (1813-1883), shkrimtar dhe kompozitor i shquar i romantazmit evropian, veprat e të cilit ishin rikrijim i subjekteve dhe figurave mitologjike gjermanike, veçanërisht, të eposit të Nibelungëve. Mund të kujtojmë këtu se në vitin 1906, kur Fishta niste botimin e Lahutës së Malcis në Evropë vlerësohej me Çmimin Nobel italiani Karduçi (1835-1907), që në vendin e tij konsiderohej poeti i fundit romantik. Në një këndvështrim më të guximshëm, për shfrytëzimin e miteve nga Fishta dhe rikrijimin e tyre, sipas modeleve të letërsisë gojore, mund të shtonim se ai ishte në të njëjtën paralele me zhvillimet estetike evropiane të kohës së tij. Autori i Lahutës së Malcis ishte në vazhdën e atyre shkrimtarëve romantikë, për të cilët është thënë se “në krijimtarinë e tyre pati gjallërim edhe një lloj mitologjizmi i ri, i cili i parapriu mitologjizmit modernist”.

    Kënga e fundit
    Edhe në këngën e fundit Fishta nuk e harron Zanën e vet të Frymëzimit, e cila për disa dekada i ka qëndruar pranë. Ai tani e quan një bjeshkatare, me të cilën ka realizuar një monument të pavdekshëm në gjuhën shqipe: “Ndertue kem ‘i pomendare, \ Rrfe as mot mos m’e dërmue”.

  2. #2
    Hyllin Maska e Hyj-Njeriu
    Anëtarësuar
    22-07-2007
    Vendndodhja
    Fatkeqesisht mes ndergjinoresh
    Postime
    2,945
    Uh, Evropë, ti kurva e motit,
    Që i re mohit Besës e Zotit,
    Po a ky asht sheji i qytetnisë,
    Me nda tokën e Shqipnisë,
    Për me mbajtë këlyshët e Rusisë?
    Shqiptari e ka care rrugen e historise me Palle ne dore!

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    Citim Postuar më parë nga Hyj-Njeriu Lexo Postimin
    Uh, Evropë, ti kurva e motit,
    Që i re mohit Besës e Zotit,
    Po a ky asht sheji i qytetnisë,
    Me nda tokën e Shqipnisë,
    Për me mbajtë këlyshët e Rusisë?

    Dhe akoma po i mban.......
    Historia perserit vetevetn deri sa edhe SHQIPERIA TE PERSERISE VETVETEN...dhe te nxjerre ne skene BURRAT e qemotit, te cilet e shpetuan

  4. #4

    Pjesëz e shkëputur nga " Ali Pasha i Gucisë"

    T’lëshofsha bjeshkët e t’lëshofsha malet,
    Mos na nam, he shto Zot vallet!
    Pse ne nama na ka ra,
    Se ne besa na ka vra,
    Q’se ka mb’rrijt’ fisi i shqiptarit
    Me u dridhë para gospodarit,
    Shqiptari me u dridhë n’sy t’Knjazit,
    Që as luga n’fyt t’nji mazit
    S’çon kandar ai ndër mbretni…
    Jo, por, n’qoftë se n’shqiptari
    Ke gjetë hije me pushue,
    Ke gjetë gurra me u freskue,
    E rudina me lodrue,
    Me lodrue e me vallëzue
    Krah e m’krah me t’Buk’rat tjera,
    Kur lulëzon e butë pranvera,
    Pashë atë sy që e paske yllë,
    Që ma çilë e që ma mbyllë
    Si ajo hana nepër pyllë,
    Deh! m’kall’zo n’ketë hije shpati
    Si ta shpëtoj Shqipninë i ngrati,
    Se t’baj benë mbi gurë t’vorrit,
    N’Bigë të Shalës e m’shkamb t’Tomorrit,
    Që për të nuk m’dhimbet djali,
    Që për të jetën e fali.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    dicka nuk shkon ne keto komentet e cobanit..
    sdi pse.. sikur nuk i ka lezet ktij me u marr me fishten..

    nejse..

    Fishta do te mbetet ma i madhi poet i shqiptareve.. dhe nji nga ma te medhejt e botes..


    nje dizaj isha ne shqiperi e rastesisht hyj ne bised me NJA tre katunar ..( prej veriut dukeshin nga pamja dhe e folmja.. ) tek nje kafene e zakonshme ne kamz.. diku aty buz rruges ose udhes.. ku shkojne shterngatat.. makinat.. jo partia .. lol..
    si e ke e emnin i them.. atij ma te madhit ne moshe..
    marash me thon ..tha..
    e po ku je o marash uci .. i them.. me shaka sigurisht..
    po tha marash uci jam tha i uc mehmetit.. e qeshi..
    po kta dy tjeret i thash.. tuj qesh dhe un.. a mos jan t'bijt e calit..
    po tha bash te bijt e calit jan tha e tja fillon katunari.. qe sta mushte synin.. e ta reciton fillim e mbarim.. te famshmen kangen e marash ucit nga Lahuta e te madhit Fisht..

    me habiti me diturin e tij e me recitimin madheshtor qe beri..aty ne tavolinen e kafenese buz rruges me pluhur e zhurme.. sa dhe kafexhiu .. mbeti pa mend.. megjithse ish nje skraparlli i ardhur..

    cili poet shqiptar e ka kte veti qe vjershat e tij tja kendoj aq bukur e me shpirt dhe njeriu i thjeshte me plot halle..

    nje mrekulli qe e kemi fishten..

    ka qen e do jet busull e atdhetarise me te kulluar..



    ja dhe ..


    Kenga e Marash Ucit .. por tme falin adhurusit e fishtes per fatin e keq qe ne internet nuk gjen dot asnji poezi te fishtes te shkruar pa gabime te tmerrshme gjuhesore e sharlatanizma te disave qe duan kinse ta pastrojne fishten nga dialekti e ta bajn kinse ma te qytetnyem.. e qe ja kan hup lezetin e origjinalit..
    nejse..

    kur ske pulen do hash sorren..

    le te knaqemi dhe me kto qe kemi..

    kenga e Marash ucit.. nga Lahuta e Malcise..




    Te nje mriz, te nje lajthi
    Kishin ndodhun tre bari
    Dy me dhen e nje me dhi
    Njeri plak e dy te ri
    Marash Uci e t’bijte e Calit
    Dy djem t’lehte si shpezet e malit
    Marash Uci i Uc Mehmetit
    Ane e mbane i kisht’ ra detit
    Kishta pa pronat e mbretit
    Cak prej Hotit tue zane fill
    Der’ku piqet buka n’diell
    Pse saqe Marashi i ri
    I pat dale mbretit n’ushtri.
    Me arme n’dore, me zjarr ne gji,
    si qe doke asht n’Shqipni
    Burre i forte e trim si zana,
    armet i qene ketij baba e nana
    Babe tagani e nane breshana,
    vella e moter dy pistolet
    dy gjarprusha prej Stambollet.
    Ky qe lype eshe per vete
    En’kushtrim e n’gjyqt bajrakut
    E nder pre marre karadakut
    E kudo qe i doli prija
    Aty iu duk edhe trimeria
    Por, si kripit i ra bora
    E la kamba , e la dora
    Edhe i shkrehi armet besnike
    Ato arme qe n’kohe jetike
    Pa n’qene ndera e Arberise kreshnike
    E na doli bari malit
    I shnrijak me t’bijte e Calit
    Prore Mashi djelmeve t’Hotit
    U kallezonte punet e motit
    Punet e motit, pune trimnie
    Si shqiptari mbas lirie.
    E mbas beses e s’bardhes fe
    Bante deken si me le
    E u permendte ore e zana
    Edhe u thonte shum’ pune t’medhana
    Per lugat kur zehet hana
    E per lufte qe me dragona
    Ban kuldhedra n’vise tona
    Edhe i njihte ai ma s’mirit
    Sa dragoj jane rodit t’njerit
    Mbi rane t’hjedhme e n’ure t’vezirit
    Prandej e donin gjith’baria
    E ndigjojshin fjalet e tia
    Si kah pushka ashtu ka ‘urtia
    Por cka, Zot, Ka Mashi sot
    Qe na asht vra e nuk ban ta?
    Athue i ra bsha nder berre
    Ja se toket i mbeten djerre
    Ja i punoi t’ngratit rreziku
    Pa buke n’shpi me e gjetun miku?
    Ujku n’berre si ka ra,
    pse kur marashi s’u asht nda
    nuk kisht mbetun ky pa e pa
    m’e pase pa edhe e kishte vra
    as s’i mbet ketij n’dere borxhlia
    me 'i qind dhen qe ka te shpia
    s’len borxhli me 'i vojtun t’birit
    edhe miqte ia pret ma s’mirit
    si edhe qete qe i ka si buej
    s’ia len djerr token kurrkuj
    por as vet cka ka s’e di
    vec u thote shnrijakeve t’ri
    “Pa ndigjoni, o djemte e mi
    diku i pune sot m’ka qellue
    as nuk kam si rri pa shkue
    nje here pse me pase per t’peshtue
    zogu dore, pasha mue!
    Vone e vone ke per ta zane,
    fjale i mocmi si e ka lane
    se sa rri as vet s’e di
    se je jave, ose nje muej
    Zoti e di, nuk mund t’a quej
    Por n’qofte thane prej Perendie
    Mos me shkele un ma n’keto hije
    Mos me u zane ma pune trimnie
    S’bardhes kohe qe ka perendue
    Ah, ju djem, u qofsha true
    Per ate qe vrane e kthiell!
    Me ma majte ju sot nje keshille:
    “Amanet un jam t’u lane
    me ruejt gjane, me k’qurun stan’
    armet e mbushme mos me i dhane
    me shoke tuej kurr mos m’u zane
    mos m’u zane, as mos m’u nga
    pse n’dite t’ngushte k’ta u gjinden vlla
    si me pushke ashtu me vha
    t’huejn me fjale mos ta poshtoni
    buken para, por t’ia shtroni
    n’shqiptari si asht zakoni
    me i besue mos i besoni?
    Edhe n’mend kini nje fjale
    Zemres s’fryt me i lanun dale
    Fjalet per paje kurr mos me i ndale
    Ujit turbull mos me i ra
    Mos me dale n’va t’pa va
    Me iu ruejte rrases se limueme
    Me iu rujte shakes s’terbueme
    Me iu ruejte po, grues se leshueme
    Vendin tuej, e dashte perore
    Me ruejte bese, mos me carte ndore
    Ai Cun Mula thote nje fjale
    Madhi Zot, ty t’qofshim fale!
    Nder dy pune njera do t’dale
    A se i shkojme mbretit n’ushtri
    A se lufte kem me Mal t’Zi
    Oren cult por e ka Hoti
    Po u coj fjalet tash kreneve t’vendit
    T’dalin sonte n’log t’kuvendit
    Aty punet kem me i peshue
    Mandej dalte si qofte gjykue.



    ..
    Ndryshuar për herë të fundit nga Brari : 03-05-2008 më 02:52

  6. #6
    Warranted Maska e Qerim
    Anëtarësuar
    06-12-2003
    Vendndodhja
    Home
    Postime
    1,641
    Po per "vëllëz-at" apo "vallesa" qe shfaqen ne fjalorin arberesh di njeri gje ?

    ps.vëllëzat a ligat thonë se t`jenë do gra pisëruame, plaka e të shënduame ,çë venë tuke ecur natën mbi varret, kur mjegullat e errësira pështronjën jetën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •