Skandali i Home Office, i kërkuari shqiptar, me pasaportë britanike

30-vjeçari Arsim Murtati pretendon të jetë shtetas nga Kosova me emrin Arsim Murtaku

Nga Londra
Muhamed Veliu


Në gjykatën londineze të ekstradimeve "City of Westmisnter Magistrate Court" është zbuluar skandali i radhës ku është përfshirë Ministria e Brendshme britanike "Home Office". Një tjetër shqiptar i dënuar në mungesë me 11 vite burg, nga Gjykata e Kukësit për disa grabitje me armë, pavarësisht se ishte person në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe Interpoli, shteti anglez e ka pajisur me një pasaportë britanike.
Bëhet fjalë për shtetasin shqiptar nga Kukësi, Arsim Murtati, 30 vjeç, i cili pasi ka ardhur në Angli ka fituar azilin politik. Disa vite më vonë, ai i është gëzuar të qenurit shtetas britanik por me një ndryshim të vogël në mbiemrin e tij. Nga Arsim Murtati ai është regjistruar si Arsim Murtaku.


Zbulimi

Ndërrimi i mbiemrit, si dhe gëzimi nga fitimi i nënshtetësisë britanike nuk kanë zgjatur shumë për t‘ia zgjatur atij pafundësisht mësimin e identitetit të vërtetë. Në gusht 2007, Arsim Murtati që banon në qytetin Northampton në dy raste u kishte dërguar para në Shqipëri vëllezërve të tij. Informacioni i dërgimit të parave nga "Arsim Murtaku" vëllezërve me mbiemër Murtati, nuk dihet ende si ka rënë në dorë të agjentëve të Interpol Tiranës. Tejet vigjilent përballë këtij informacioni ata menjëherë kanë dyshuar se dërguesi i parave Arsim Murtaku mund të jetë "gjahu" i tyre i radhës, i kërkuari Arsim Murtati. Menjëherë ata u kanë dërguar kolegëve të tyre në "Scotland Yard" një e-mail me të dhënat e personit që nga Anglia kishte kryer dërgesën e parave.
Dy agjentë të skuadrës së ekstradimeve, së bashku me dy policë lokalë nga zona Northampton ka vizituar shtëpinë e shqiptarit "Wanted". Ai ka hapur derën dhe është marrë në pyetje nga policët. Shqiptari ka mohuar të jetë Arsim Murtati që ata kërkonin. Vajza e shqiptarit ka sjellë një pasaportë britanike me emrin Arsim Murtaku. Megjithatë, kjo nuk ka qenë bindëse për agjentët e skuadrës së ekstradimeve, të cilët e kanë arrestuar atë për llogari të shtetit shqiptar.


Procesi

Arsim Murtati ka qëndruar për rreth pesë muaj në burg, duke ndjekur procedurat e ekstradimit. Njerëzit e tij të familjes kanë mundur të sigurojnë 5 mijë sterlina si garanci pasurore, e cila e ka lënë atë të gjykohet i lirë me kusht firmosjen çdo ditë në stacionin e policisë. Së bashku me avokatin e tij mbrojtës, në seancën e fundit gjyqësore, Murtati për të provuar se ai nuk është shtetasi shqiptar që kërkon Interpol Tirana ka paraqitur tre dokumente që vërtetojnë se ai është Arsim Murtaku. Dokumenti i parë është i paraqitur gjykatës ishte një certifikatë kosovare lëshuar nga Komuna Prizren në vitin 2000, po ashtu është paraqitur në gjykatë një certifikatë e lëshuar më 5 dhjetor 2007 po nga Komuna Prizren. Kjo certifikatë mbante stemën blu të UN. Një certifikatë shkolle tetëvjeçare ka qenë dokumenti i tretë me të cilin pala mbrojtëse ka dashur t‘i mbushë mendjen gjykatës se kanë ndaluar një person të gabuar. Megjithatë, Interpol Tirana duket se ka një tjetër provë rezervë për të vërtetuar se ai është Arsim Murtati. Nga korrespondenca mes Tiranës dhe Londrës për këtë çështje ekstradimi mësohet se pala shqiptare është e gatshme të kryejë analizat e ADS-së së prindërve të Murtatit, duke i krahasuar ato me të Arsim Murtatit. Një gjë e tillë nuk dihet se kur do të ndodhë.


Dëshmia

Gjatë dhënies së dëshmisë, ai ka thënë se është baba i tre fëmijëve. Bashkëshortja është e sëmurë me depresion dhe nëse ai ekstradohet kjo do të shkatërrohet si familje. "Dua t‘i shikoj fëmijët e mi të barabartë si fëmijët e tjerë. Të ushqyer e të veshur si të gjithë ata. Nëse ekstradohem, ata do të mbesin rrugëve", ka thënë Murtati përmes një përkthyesi. "Paratë ua dërgova këryre dy personave në shenjë falënderimi për mbajtjen e familjes time, në shtëpinë e tyre gjatë luftës në Kosovë", është justifikuar ai pasi u pyet në gjykatë pse kishte dërguar ato para në adresën e dy vëllezërve Murtati nga fshati Shtiqën i Kukësit. Seanca e radhës e procesit të ekstradimit do të zhvillohet gjatë muajit maj. Është hera e dytë që gjatë një procesi ekstradimi zbulohet se qeveria angleze ka pajisur me shtetësi britanike një shumë të kërkuar shqiptar.
Disa muaj më parë u zbulua se Afrim Sinani, i arratisur nga Burgu i Bënçës, ku vuante një dënimin prej 18 vitesh burg për vrasje, ishte pajisur me pasaportë britanike.