Në luftën e zhvilluar për vite të tëra kundër kancerit akoma nuk është bërë e mundur të gjendet një teknikë e qartë e cila të mund të kurojë këtë sëmundje vdekjeprurëse. Por nga fusha e mjekësisë dhe shkencës vjen një lajm i ri për një armë më tepër që shkenca vë në dispozicion të kësaj lufte. Kjo është një teknologji e re “Made in Chine”, pa bisturi, agi apo rreze radioaktive. Tumori “digjet” me ultratinguj të cilët e eliminojnë atë pa shkaktuar dëme në indet përreth tij. Terapia e re quhet Hifu (Ultratinguj të fokusuar me intensitet të lartë), e përdorur në Lindje e Largët prej 10 vjetësh, me anë të së cilës janë trajtuar më tepër se 20 mijë pacientë në disa qendra ku realizoheshin këto trajtime. Në perëndim qendra “pilot” është Instituti Europian i Onkologjisë (IEO), në Milano, ku vazhdojnë të bëhen përpjekje dhe studime për të perfeksionuar teknikat dhe aparaturat e duhura për të djegur qelizat tumorale. Sot kjo teknikë ka avancuar duke bërë të mundur trajtimin e të gjithë formave të shfaqjes së tumorit, qoftë edhe në organet e brendshme. Teknologjia e re është prezantuar nga IEO, drejtori shkencor Umberto Veronesi, Paolo Arnone dhe Franco Orsi. Aparatura është shpikur nga shkencëtari Zhibiao Wang, e cila ka një vlerë prej 1.5 mimlionë euro, i është dhuruar Fondacionit Veronez e më pas Institutit Europian të Onkologjisë nga Hiteco Group.
Ultratingujt kundër kancerit
“Përdorimi i ultratingujve në onkologji nuk është një fakt i ri. Ultratingujt e fokusuar janë përdorur prej disa kohësh në mjekësi kundër tumoreve sipërfaqësorë në gjinekologji, laringologji, e më së fundmi edhe kundër kancerit të prostatës.”- shprehet Orsi, drejtor i Unitetit Radiologjik. E reja më e fundit e kësaj aparature tashmë aktive në Institutin Europian të Onkologjisë (IEO), është mundësia për të luftuar zona të tjera e organe të brendshme ku mund të shfaqet kanceri, në gji, mëlçi, pankreas e veshka, përfshirë dhe mitrën, muskujt dhe kockat. Pra mund të digjen qelizat kanceroze me ultratinguj gati në të gjitha organet që vëzhgohen në ekografi. Trajtimi me ultratinguj të fokusuar lejon që të “goditet” tumori pikërisht në zonën ku ai është shfaqur, pa ndërhyrjen e instrumenteve të tjera kirurgjikale, duke mos shkaktuar dëme biologjike në indet përreth zonës tumorale.
Trajtimi dhe kohëzgjatja
Pacientët e trajtuar me këtë teknike deri më tani nga Instituti Europian i Onkologjisë në Milano, janë vetëm katër, por rezultatet janë shumë inkurajuese. Pacientët janë një burrë 75-vjeçar me kancer në zorrën e trashë; një grua 65-vjeçare me kancer në gji; një burrë 62 vjeç me kancer në prostatë; dhe një e re 20-vjeçare me kancer në gji, e shfaqje të qelizave kanceroze në shpatull. Kohëzgjatja e kësaj metode trajtimi varet nga tipi i tumorit dhe shkalla e përparimit e përhapjes së tij. Metoda Hifu aplikohet si për tumoret beninje, edhe për ato malinje. Teknologjia e kësaj metode është certifikuar me markën CE në vitin 2005, falë një testi të realizuar nga një qendër kërkimesh në Oksford.
Tirana Observer
Krijoni Kontakt