Jemi të vetëdishëm për ndikimin e mënyrës së zgjeruar të jetës në familje në shumë aspekte të jetës familjare, mirëpo këtu do t’i vështrojmë dhe analizojmë vetëm disa aspekte të jetës përbrenda kësaj organizate, duke krahasuar në veçanti ndikimin e formës së zgjeruar të familjes dhe asaj bërthamë në raportet familjare, mes-bashkëshortore dhe në ndarjen gjinore të roleve/të punës në familje.

Përkufizimi i familjes së zgjeruar dhe format më të shpeshta të familjes së zgjeruar në shoqërinë shqiptare
Familja e zgjeruar përkufizohet si një grup prej tre ose me shumë brezash që jetojnë së bashku ose brenda së njëjtës banese ose shume pranë njeri tjetrit. (A. Giddens) Nuk është e thënë që familja e gjerë të jetojë nën një çati, por normalisht anëtarët jetojnë afër njëri-tjetrit dhe punojnë së bashkju në grupe. Familja që jeton një një shtëpi quhet “e zgjeruar në kuptim të banimit”, ndërsa ajo anëtarët e së cilës kanë role të njëjta dhe janë të varur e të lidhur ngusht në mes veti, por janë pak a shumë të shpërndarë quhet “funksionalisht e zgjeruar”.

Familja e zgjeruar mund të përfshijë tre ose katër gjenerata. Këta mund të jetojnë dhe punojnë së bashku në një ekonomi të përbashkët shtëpiake, ose si një bashkësi fisnore e gjerë, që lidhet nëpërmjet marrëdhënieve shoqërore. Format më të shpeshta të famijes së zgjeruar në shoqërinë shqiptare janë të modelit : tre breza (fëmijë, prindër dhe gjysh e gjyshe, më rradhë edhe agjallarë e halla) nën një çati ose në një oborr ose pranë njëri tjetrit.



Karakteristika të jetesës në familjen bërthamë

Përveç karakteristikave të tjera që përmenden në këtë studim, familjen bërthamë e karakterizojnë edhe këto kushte: liria më e madhe e individit, hapësirë më e gjerë, mundësi më e vogël e konfliktit të gjeneratave, izolimi shoqëror, mungesa e kontaktit me të afërmit e familjes dhe si rezultat i kësaj një varg problemesh, siç është: mbingarkesa e roleve.


Faktorët e paraqitjes së familjes së zgjeruar në shoqërinë shqiptare


Shumë nga shkaqet që kanë rezultuar në paraqitjen e formës së zgjeruar të familjes në shoqërinë shqiptare janë të njëjtat me ato të familjeve europiane.

Faktorët e famijes së zgjeruar në shoqërinë shqiptare janë: faktori global: modeli mesjetar i familjes, faktori i sigurisë dhe ndikimi i mësimeve fetare si fuqizues dhe përkrahës i modelit të zgjeruar të familjes.

Modeli mesjetar i familjes

Në kohërat mesjetare familja dhe komuniteti lokal ishin epiqendra kryesore e prodhimit të të mirave dhe e kryerjes së shërbimeve. Zakonisht famija ishte një njësi prodhimi e integruar ku anëtarët e familjes – gruaja, burri dhe fëmijët – bashkërendonin punën e tyre në procesin e prodhimit që kishte bazën në punimin e tokës ose në zeje të ndryshme. Megjithëse gratë kishin përgjegjësinë kryesore në rritjen e fëmijëve, ato kishin edhe një rol të rëndësishëm ekonomik në mbajtjn e shtëpisë. Në Europë, industrializimi ka prekur dhe ka ndryshuar rolet e burrave, grave dhe fëmijëve në familje. Nuk jemi të sigurt nëse kjo ka ndodhë në masë të përafërt edhe në familjen shiqiptare, ngase nuk mund të thuhet për industrializim të mirëfilltë të shoqërisë shqiptare. Veç kësaj, shoqëria tradicionale shqiptare e ndikuar mjaft shumë edhe nga kultura islame, ka insistuar në ruajten e familjes së zgjeruar ose së paku në ruajtjen e lidhjeve të ngushta familjare, si obligim moral dhe fetar.

Faktori i sigurisë

Një faktor tjetër që ka ndikuar në këtë drejtim është edhe ai i sigurisë, meqë jetesa në familje të gjerë dhe solidariteti i anëtarëve në të ishte një ruajtës i mirë nga rreziqet e jashtme, që vinin nga zënkat ndër fisnore ose ndër familjare si dhe nga armiqët dhe pushtuesit e vendit.

Faktori fetar

Në Islam forma e organizimit është një çështje e hapur, përkundër kërkesave dhe detyrimeve të ndërsjella të anëtarëve të familjes. Kërkesat e tilla mbeten, pa marrë parasysh se çfarë forme mund të marrë familja. Ndonëse, në Islam nuk ka kurrfarë kushtëzimi që familja të jetë e njërit apo e tjetrit lloj, njësoj siç nuk ka kurrfarë kushtëzimi në favor të, apo kundër llojit bërthamor të familjes (H.Abdulati, Struktura familjare në Islam), në këtë diskutim do të provojmë se si koncepti i familjes në Islam ka qenë më afër llojit të zgjeruar të familjes dhe ka ndikuar në një masë të madhe në formimin dhe ruajtjen e këtij tipi të organizimit familjar. Nëse marrim për bazë përkufizimin e familjes që nuk ka të bëjë me faktorin e banimit, për shkak se anëtarët e familjes mund të zënë apo edhe të mos zënë vendin e njëjtë të banimit, atëherë është e sigurt se Islami promovon një formë të zgjeruar të familjes duke mos kushtëzuar banimin nën një çati apo në afërsi. Në kulturën shqiptare faktorë të ndryshëm (që u cekën më lartë) kanë përcaktuar një formë të tillë të familjes së zgjeruar ku si komponentë e rëndësishme ka qenë edhe faktori i banimit. Meqë nuk rekomandon ndonjë lloj të veçantë të organizimit familjar, Islami, duke mos qenë indiferent ndaj kushteve shoqërore aktuale, ka vazhduar traditën e jetesës së përbashkët të familjes së zgjeruar si një formë funksionale e organizimit familjar në atë kontekst kulturor, ndonëse nuk insiston në një formë të caktuar të organizimit të familjes duke përjashtuar format e tjera. Për shkak të fleksibilitetit të rregullave islame për vendbanim, me siguri ishte lehtë të ndiqet zakoni, sipas të cilit çifti bashkëshortor zakonisht jetonte me familjen e burrit dhe konsideroheshin si anëtarë të saj. Kështu, po e patëm parasysh se familja e zgjeruar patjetër nuk e përjashton llojin bërthamor, së paku si nënsistem, duket se Islami e ka konsideruar formën e zgjeruar të familjes të pranueshme, edhe pse jo edhe të domosdoshme. Kjo formë në dukje ka qenë vepruese dhe e veprueshme. Islami e përkrahu atë, edhe pse nuk insistoi që ashtu të jetë apo të mos jetë gjithmonë. Solidariteti i familjes së zgjeruar parashihet dhe fuqizohet nga vetë Kurani në të cilin gjenden aludime të përsëritura lidhur me të drejtat farefisnore (17:23-26; 4:7-9; 8:41; 24:22 etj.) dhe rëndësinë e marrëdhënieve të mira me ta (2:83; 16:90). Është paraparë hiseja e trashigimisë, jo vetëm për anëtarët e familjes bërthamë, por edhe për ata të familjes së zgjeruar (2:180-182; 4:33, 176). Dënim i dhembshëm u kërcënohet atyre që i injorojnë këto masa për ndihmesë ndër-familjare (4:7-12).

Kur flasim për familjen në kontekst të shoqërisë shqiptare duhet patur parasysh familjen e gjerë, duke qenë se kultura shqiptare (veç tjerash e ndikuar edhe nga kultura fetare islame) vë theks të veçantë në ruajtjen e lidhjeve familjare, krijimin e raporteve të mira dhe ndihmën reciproke si një ndër detyrat më të mëdha fetare.

Kultura shqiptare më tepër e përkrah sistemin e zgjeruar të familjes se sa atë bërthamë. Shumë familje shqipare edhe sot janë të zgjeruara në kuptim të banimit – dmth. anëtarët e atyre jetojnë bashkë me tre apo më shumë breza të të afërmëveve në një shtëpi apo afër njëri-tjetrit. Edhe atëherë kur ky version banimi i familjes së zgjeruar nuk është i mundur apo nuk preferohet, atëherë lidhjet familjare tejkalojnë kufijtë e njësisë bërthamë dhe janë të dukshme në lidhjet e fuqishme psikologjike, sociale, ekonomike dhe bile edhe politike. Ndihma dhe përgjegjësitë e ndërsjella që ndikojnë në këto grupe gjaku nuk janë vetëm të dëshirueshme dhe të mira, por ato – sipas Ligjit islam – janë detyra të anëtarëve të shoqërisë. Vetë Kurani nxit për solidaritet në familje të zgjeruar. Ai specifikon shtrirjen e përgjegjësive të tilla dhe përmban norma për sasinë dhe mënyrën e trashigimisë, ndihmës dhe ndërvartësisë brenda familjes së zgjeruar.

Në këtë studim në veçanti do të spikasim mënyrën e ndikimit të mësimeve fetare islame në ruajtjen dhe vazhdimësinë e familjes së zgjeruar dhe në sjelljen e anëtarëve përbrenda kësaj organizate. Shumë norma të sjelljes në këtë tip të familjes do të vështrohen dhe shpjegohen si ndikime të mësimeve fetare islame në kulturën dhe mënyrën e jetesës shqiptare në familje. Me këtë nuk dëshirojmë të absolutizojmë ndikimin e mësimeve fetare në formimin e familjes shqiptare, sepse nuk besojmë në shpjegime njëdimensionale dhe njëkomponentëshe. Qëllimi është thjesht të hetohet ky ndikim në shumë aspekte në formimin e jetës familjare shqiptare.


Krahasime në mes të ndikimit të këtyre dy formave të familjes në raportet familjare

Që në fillim duhet tërhjekur vëmendjen në një dallim thelbësor në mes të lidhjeve familjare në familjen moderne bërthamë dhe atyre në famlijen tradicionale të zgjeruar.

Në shoqërinë moderne familja bërthamë karakterizohet me lidhje afërsie që i nënshtrohen një procesi përzgjedhës vullnetar nga ana e anëtarëve të kësaj familjeje. Në hijen e familjes bërthamë moderne të afërmit nuk janë ashtu vetvetiu dhe nuk imponohen, por secili individ zgjedh të afërmit e tij. Kjo përzgjedhje e vetëdishme i nënshtrohet një procesi që ndikohet nga animi dhe shija personale si dhe emocionet. Pra këto lidhje nuk janë shprehje e natyrshme e lidhjes së gjakut, por janë lidhje që shumë i përngjajnë lidhjeve miqësore. Ndërkaq, lidhja familjare në familjen tradicionale të zgjeruar shqiptare është një detyrë ligjore (që ka burim edhe në detyrat fetare) që nuk i nënshtrohet qejfit dhe animit personal. Bile, poqëse njëra palë shkëput këtë lidhje apo nuk sillet me korrektësi me palën tjetër, palës tjetër nuk i lejohet të shkëpusë lidhjen. Nëse analizojmë tekstet islamike të moralit fetar, në familjen e gjerë, lidhja familjare nuk bazohet në interesa materialë dhe të pasurisë së përbashkët – siç sygjerojnë disa analiza – por, bazohet në lidhje të përgjegjësisë që vie nga besimi që nuk matet me peshojë të dobisë (utilitetit), fitimt apo dëmit material, meqë përballë saj është kënaqësia e Zotit në nivel të besimit dhe ruajtja e lidhjeve familjare.

Dallim tjetër është se familja e zgjeruar karakterizohet me nivel më të lartë të shkallës së ndërveprimit dhe të ndërlidhjes njerëzore se sa familja bërthamë. Ky është një faktor që e shton ndërveprimin e individit me shoqërinë e tij më të gjerë. Në të njejtën kohë, shkalla e konfliktit brenda saj është më e ulët se sa ajo në shoqëritë industriale në të cilën individi ndihet i frustruar e i dështuar si rezultat i konkurrencës në jetën publike, gjendje kjo e cila pasqyrohet në sjelljen e tij në familje ndërkohë që familja nuk ia jep atë që ai e kërkon, gjë që ngrit shkallën e konfliktit sa që mund të shkaktojë shfaqjen e dhunës familjare, përkundër familjes së gjerë e cila individëve të saj i siguron një shkallë më të lartë të dashurisë dhe ngopjes emocionale.


Familja e gjerë si sferë për kryerjen e funksioneve të ndryshme

Funksioni ekonomik


Familja e gjerë është sferë e përshtatshme për praktikimin e funksioneve të ndryshme. Ndër të tjera, ajo është fushë e përshtatshme për kryerjen e detyrës ekonomike. Përkundër disa studimeve që konsiderojnë rolin tradicional të gruas që kufizohet përbrenda shtëpisë dhe fusha e shërbime jo publike, si rol më pak i rëndësishëm se roli i gruas në fushë publike, pikëpamja islamike familjen e sheh si fushë të rëndësishme të zhvillimit dhe trup/godinë ekonomike të pavarur që nuk është më pak e rëndësishme, bile si diçka që kapërcen përpjekjet organizative për ndryshim, dhe kjo është fushë – sipas disa studimeve – shumë e rëndësishme sidomos për shoqëritë e botës së tretë.

Si kompenzim për femrën, ngase kryen detyrat natyrore femërore (amvisënia, rritja dhe edukimi i fëmijëve), masa të fuqishme shoqërore, morale dhe ligjore ndërmerren në mënyrë që anëtarët meshkuj të shoqërisë të kryejnë obligimin e mbajtjes dhe mbrojtjes së femrave në famlje – gratë, motrat, hallat dhe tezet, nënat, të vejat, vajzat – si dhe të afërmit e tjerë që kanë nevojë për ndihmë. Në rast të divorcit, gruaja zakonisht kthehet në familjen prej nga e ka prejardhjen ku të afërmit e saj meshkuj e mbajnë dhe i ndihmojnë.

Kështu familja e zgjeruar, përveç funksionit të saj shoqëror, vepron si një njësi ekonomike për ndihmë të ndërsjellë ndërmjet anëtarëve të saj. Veprimtaritë shoqërore dhe ekonomike ndërmirren së bashku, dhe të mirat dhe fitimet shfrytëzohen së bashku nga e gjithë familja.

Funksioni gjyqësor

Gjithashtu, familja e gjerë është sferë e përshtatshme për të kryer detyrën gjyqësore në shoqëri. Poqëse ligjet dhe aparati gjyqësor janë të uzurpuara nga ana e ligjeve të cilat nuk kanë mbështetje popullore (siç ka ndodhur shpeshherë në historinë shqiptare) është penguar puna me normat kombëtare shqiptare, atëherë familja e gjerë ka qenë sferë në të cilën zbatoheshin ato norma për rregullimin e raporteve shoqërore, me përjashtim të disa çështjeve ku është i nevojshëm ndërhyrja e shtetit, ta zëmë: zbatimi i ndëshkimeve e të ngjashme, ndonëse edhe kjo është bërë shpeshherë në pajtim me normat dhe ligjet zakonore shqiptare.

Funksioni arsimor-edukativ

Në sferën e arsimimit dhe edukimit familja mund të nxjerrë një pikëpamje alternative në çështje të ndryshme nga sfera e mendimit, e historise, bile nga ajo e gjuhës dhe letërsisë, në mënyrë që të sigurojë një rezistencë për t’i bërë ballë programit shkollor i prekur nga lufta ideologjike kundër kombit shqiptar.


Ndikimi i familjes së zgjeruar në raportet ndër bashkëshortore

Në traditën shqiptare, pjesëmarrja e familjes në kontraktimin dhe ruajtjen e martesave është më e fortë. Ndërsa shumë feministë perëndimorë e qortojnë përzierjen e familjes në martesë apo aranzhimin e martesave si ndikim negativ për shkak të kufizimit të qartë të lirisë dhe përgjegjësisë individuale, muslimanët argumentojnë se një pjesmarrje e tillë është e leverdishme si për individët ashtu edhe për grupet në shoqëri. Kjo jo vetëm që i siguron dhe garanton martesat të bazuara në parime më të rëndësishme, më të shëndosha dhe më të sigurta se sa tërheqja fizike dhe pasioni seksual, por gjithashtu siguron mbrojtje për vazhdimësi të suksesshme martesore. Anëtarët e familjes sigurojnë një shoqëri të shumëllojshme si dhe burime të gatshme për këshillim dhe mirëkuptim për të posamartuarit përderisa ata përshtaten dhe ujdisen ndërmjet vete. Zënkat kurrnjëherë nuk janë rrënuese të lidhjes martesore, meqë anëtarët e rritur të familjes veprojnë si ndërmjetës dhe pajtues dhe sigurojnë një burim alternativ të konsulltës. Këshu, në vend se familja të hapet ndaj ndërhyrjeve të jashtme, ajo mbrohet nga ato. Grindjet dhe konfliktet në familje zgjedhen brenda shtëpisë, sipas nevojës thirren të ndërmjetsojnë të moshuarit dhe të urtit nga familja e burrit dhe e gruas. Gjyqet janë alternativa e fundit në këtë drejtim, ngaqë dihet se procedimi i këtyre çështjeve në gjyqe publike vetëm sa mund ta komplikojë dhe ta shtojë konfliktin dhe urrejtjen.

Problemi i të qenët prind është gjithashtu i lehtësuar. Në familjen e zgjeruar nuk është e thënë që fëmijët e prindërve të punësuar të jenë të pambrojtur, të pambikëqyrur, të privuar nga dashuria adekuate dhe të pa socializuar, ngase shtëpia e familjes së zgjeruar kurrë nuk është e boshatisur. Së këndejmi nuk ka ndjenjë faji e cila shpesh i kaplon prindërit e punësuar në familjen bërthamë apo në familjen me një prind.

Tragjedia, bile edhe shkurorëzimi, nuk është aq tragjik as për të rriturit e as për fëmijët, meqë njësia më e gjerë shoqërore thith numrin “e tepërt” më lehtë se sa që e bën atë organizata e familjes bërthamë.


Individualizmi kundër organizatës më të gjerë

Mbështetja tradicionale e organizatës së gjerë dhe të ndërlidhur familjare lidhet me një traditë tjetër islame që si duket është e kundërt me trendet aktuale perëndimore dhe me ideologjinë feministe atje. Islami dhe gratë muslimane në përgjithësi përpiqen që interesat dhe qëllimet individuale t’i akordojnë me mirëqenien dhe interesat e grupit më të gjerë dhe anëtarëve të tij. Në vend që qëllimet idividuale të mbahen më lart, përcaktohet vendi i mashkullit dhe i femrës përbrenda familjes dhe përgjegjësitë e tyre ndaj familjes. Kjo nga muslimanët nuk shihet si shtypje e individit. Traditat tjera të cilat do të diskutohen më vonë ia garantojnë atij ose asaj lirinë individale dhe personalitetin. Feminizmi, së këndejmi nga gratë muslimane nuk merret si qëllim të cilin duhet ndjekur duke mos marrë në konsideratë marrëdhëniet e femrës me anëtarët e tjerë të familjes së saj. Gruaja muslimane qëllimet e saja i barazpeshon, bile ia nënshtron atyre të grupit familjar. Individualizmi i shfrenuar i provuar shpeshherë në jetën bashkëkohore, ai që qëllimet e individit i trajton të izoluar nga faktorët e tjerë, apo si më të lartat, është i kundërt me nga përcaktimi i thellë i Islamit për ndërvartësi shoqërore.

Në shoqëritë bashkëkohore çdo shkelje e individualizmit dhe pavarësisë shihet si gabim. Si nuk mund të kuptojnë se për aq sa ata janë të varur nga të tjerët dhe të tjerët janë të varur nga ata varet mirëqenia e tyre psikologjike dhe përshtatja e tyre në shoqëri. Bilem edhe vlerat siç janë liria individuale i janë nënshtruar keqpërdorimit dhe stërtheksimit. “Ngurrimi për të parë se theksimi i tepëruar në inidividin e izoluar është tragjedi e njeriut modern, që po i prinë pashmangshëm çrregullimit të unitetit dhe intergritetit të familjes” (Anshen 1959:11).


Disa nga përparësitë e jetesës në familjen e zgjeruar

Familja e zgjeruar është një institucion i cili mund të jetë shumë i dobishëm si për mashkullin ashtu dhe për femrën kur të ekzistojë krahas karakteristikave të tjera të një shoqërie të kulturuar. Edhe nga një studim i vogël siç është ky në lidhje me problemet e familjes mund të kuptojmë se familja e zgjeruar ka epërsi/avantazhe të shumta për të dhënë.

Ja disa nga përparësitë e jetesës në familjen e zgjeruar:

1. Ajo ruan nga egoizmi apo egocentrizmi i cilësdo palë bashkëshortore, meqë individi përballet jo vetëm me bashkëshort-in/-en e vet por me tërë anëtarët e tjerë të familjes, në rast se ai apo ajo shmanget nga kursi apo rruga e duhur.

2. Ajo i mundëson gruas të punojë për karrierën e saj pa dëmtuar vetveten, bashkëshortin, fëmijët apo të moshuarit, ngase në shtëpinë e familjes së gjerë gjithmonë gjinden anëtarë të rritur që i dalin krah nënës apo gruas e cila punon. Gruaja me karierë/profesioniste në familjen e zgjeruar nuk vuan nga barra fizike apo emocionale e punës së tepërt apo e ndjenjës së fajit për lënie pas dore të përgjegjësive amënore, martesore apo famijare. Në fakt, pa këtë lloj të institucionit familjar, është e pamundur të imagjinohet ndonjë zgjedhje e mundshme për problemet me të cilat tani përballen shoqëritë perëndimore. Ndërsa gjithnjë e më shumë gratë po hyjnë në forcën punuese, familja bërthamë nuk po ia del të plotësojë nevojat e anëtarëve të saj. Vështirësitë në familjet me një prind, natyrisht janë shumëfish më të mëdha. Barra dhe tensioni që sistemi i tillë familjar ia ngarkon gruas punuese është shkatërruese për individin, për martesën dhe familjen. Shpërbërja i familjeve që rezulton dhe shtrirja e shkallës së lartë të divorcit në shtetet perëndimore janë shqetësim në rritje e mjekëve, avokatëve, psikiatërve dhe sociologëve, si dhe natyrisht viktimave të pafat të këtij fenomeni.

3. Familja e zgjeruar siguron socializim adekuat të fëmijëve. Ndonjëherë këshillës së nënës apo të babait në familjen bërthamë apo në atë me një prind mund të mos i varet veshi nga ana e fëmijës së padiciplinuar dhe kokëfortë, por presioni i kombinuar i anëtarëve të familjes së fuqishme të zgjeruar është një instrument efikas për jokonformitet dhe mosbindje.

4. Familja e zgjeruar siguron një larmi psikologjike dhe shoqërore për marrëdhëniet si për të rriturit ashtu edhe për të mëdhenjtë. Meqë ka më pak kërkesa për raporte një-me-një, ka më pak kërkesa emocionale për secilin anëtar të familjes. Mosmarrëveshja apo ndonjë përleshje në mes të anëtarëve të rritur, fëmijëve apo ndërmjet personave të brezave të ndryshëm nuk arrin përmasat e dëmshme që mund të arrijë në familjen bërthamë. Gjithmonë ka anëtarë alternativë në familje për të lehtësuar dhembjen dhe për të siguruar këshilla terapeutike dhe shoqërim (alternativ). Bile, as lidhja martesore nuk rrezikohet nga tensione të mëdha, siç mund të ndodhë në familjet bërthamë.

5. Familja e zgjeruar pengon krijimin e hendekut ndër-brezor. Ky problem shoqëror ku secila grupmoshë izolohet aq shumë nga brezat e tjerë sa që ka vështirësi të krijojë ndërveprim të suksesshëm dhe konstruktiv me njerëzit e grupmoshave të tjera. Në familjen e gjerë tre apo më shumë breza bashkëjetojnë dhe në vazhdimësi ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Kjo gjendje siguron mësim të dobishëm dhe përvoja socializuese për fëmijët, ndërsa për më të moshuarit ndjenjë të nevojshme sigurie dhe se janë të dobishëm.

6. Familja e zgjeruar mënjanon problemin e vetmisë që i torturon banorët e izoluar dhe anonim në qendrat urbane të shumë shoqërive bashkëkohore. Gruaja e pamartuar, e divorcuara apo e veja në familjen e zgjeruar kurrë nuk do të vuajë nga problemet me të cilat përballet gruaja e tillë në shoqëritë bashkëkohore perëndimore. Në shoqëritë e familjes së zgjeruar nuk ka nevojë për klubet e të pamartuarëve dhe të pamartuarave dhe për shtëpitë e izoluara të pleqve. Kërkesat shoqërore dhe psikologjike të individit, mashkull apo femër qoftë, plotësohen m mirë në familjen e gjerë.

Ndërsa lidhjet martesore bëhen më të brishta dhe më delikate në shoqëritë perëndimore, gruaja është viktima kryesore e këtij ndryshimi. Ato janë më pak të afta të rimartohen përsëri apo të krijojnë lidhje të tjera në krahasim me burrat, dhe psikologjikisht janë më të dëmtuara nga këto humbje.

7. Familja e zgjeruar siguron një kujdes më të madh për të moshuarit. Në familjen bërthamë kujdesi për prindërit apo prindin e njërit nga bashkëshortët i bie një individi, zakonisht gruas (nënës). Ajo duhet të sigurojë kujdes fizik si dhe mirëqenie emocionale për të moshuarit. Kjo është një barrë e madhe për gruan e cila njëherit duhet të kujdeset edhe për nevojat e fëmijëve dhe të burrit. Barra bëhet e paimagjinueshme poqë se ajo grua gjendet në marrëdhënie pune; më q’rast të moshuarit dërgohen në shtëpi të pleqve për të pritur vdekjen. Me përgjegjësitë dhe detyrat e ndara që familja e zgjeruar siguron, barra lehtësohet dukshëm.


Diferencimi i roleve gjinore

Sekset megjithëse mund të jenë të ngjashëm, ato nuk janë e njëjta gjë, pavarësisht dallimet e tyre nga kultura e shoqërisë. Meshkujt dhe femrat dallojnë në disa aspekte kryesore, si në lidhjet sociale, në dominim në agresivitet, dhe në seksualitet.

Tradita shqiptare, e ndikuar në masë të madhe nga tradita islame, specifikon një ndarje të roleve dhe përgjegjësive mashkullore dhe femrore në shoqëri. Feminizmi perëndimor ka mohuar një ndarje të tillë dhe ka kërkuar një shoqëri një-seksuale në mënyrë që të arrihen të drejta të barabarta për gruan. Me shoqëri një-seksuale mendohet shoqëri në të cilën rolet dhe detyrat e njëjta bien mbi të dy gjinitë, dmth. pa marrë paraysh dallimet dhe veçantitë gjinore dhe moshore. Në Perëndim detyrës për mbështetje financiare, sukses në karrierë dhe për vendimmarrje i është dhënë rëndësi e madhe dhe është vlerësuar më shumë se sa detyrat që kanë të bëjnë me çështjet shtëpiake, me kujdesin për fëmijët, me detyrat estetike dhe psikologjike, me ndërveprimin shoqëror të cilat janë përçmuar dhe bile përbuzur. Edhe burri edhe gruaja janë detyruar të ndjekin një model i cili mbase është më kufizues, më i ngurtë dhe më detyrues e shtrëngues se sa modeli i mëparshëm që burrit i ipte një rol të caktuar dhe gruas një tjetër rol. Ky është një lloj i ri i shovinizmit mashkullor për të cilën familja jonë nuk ka nevojë.

Është vërjetur se në familjet muslimane rolet e meshkujve dhe të femrave janë më tepër plotësuese sesa konkurruese; të ndryshme, dhe jodiskriminuese për njërën gjini. Me fjalë të tjera rolet e femrave dhe meshkujve konsiderohen si të barabarta për nga rëndësia e tyre që kanë, por jo të njëjta për nga përmbajtja. Për femrën, roli i saj si grua dhe nënë konsiderohet më e shenjta dhe më thelbësorja. Sidoqoftë, asgjë nuk duhet ta pengojë atë të kryejë detyra të tjera në shoqëri përderisa ato nuk ndërmirren në dëm të suksesit të saj në obligimet e shtëpisë. Si kompenzim për të, ngase kryen këto detyra femërore, masa të fuqishme shoqërore, morale dhe ligjore ndërmerren në mënyrë që anëtarët meshkuj të shoqërisë të kryejnë obligimin e mbajtjes dhe mbrojtjes së femrave në famlje – gratë, motrat, hallat dhe tezet, nënat, të vejat, vajzat – si dhe të afërmit e tjerë që kanë nevojë për ndihmë.

Rolet bashkëshortore

Të drejtat e gruas, obligimet e burrit



Gruaja gëzon të drejtën për ta mbajtur burri, mbi bazën se ajo i është përkushtuar shoqërisë së burrit dhe shtëpisë së tij; ose nga vetë obligimet që nënkupton lidhja martesore, d.m.th., ajo është “amanet i burrit”. Burri bartë përgjegjësinë financiare të familjes me zemërgjerësi dhe bamirësi, në mënyrë që bashkëshortes së tij t'i garantohet siguri, që kështu ajo sa më me përkushtim ta ushtrojë rolin e saj "socio-emocional". Burrat, bijët, baballarët, bashkëshortët dhe vëllezërit mbrojnë dhe furnizojnë nënat, bijat, bashkëshortet dhe motrat e tyre. Islami e liron gruan nga skllavërimi jashtë shtëpisë në tregun punëtor të vrazhdë, kështu që ajo mund të udhëheq pjesën më të mirë të perandorisë. Në këtë mënyrë gruaja është e lirë dhe ekonomikisht e siguruar.
Komponentët e mirëmbajtjes: gruaja ka të drejtë të pakontestueshme për banim, veshmbathje, ushqim dhe kujdes të përgjithshëm.

Obligimet e gruas - të drejtat e burrit


Çdo gjë që i shërben qëllimit dhe karakterit të martesës (i cili definohet në kontekst të kulturës së caktuar) apo që nxirret nga ai bën pjesë në detyrat e gruas. Zakonisht, në kulturën shqiptare ajo kryen detyrat e amvisërisë, ku kjo gjë jo vetëm që shihet si e natyrshme, por gjithashtu është edhe shumë e rëndësishme për familjen nga aspekti ekonomik . Amvisëria është një detyrë shumë e nderuar dhe përgjegjësi serioze; është bazë për një shoqëri të shëndoshë. Shoqëritë që nuk tregojnë respekt për drejtimin e shtëpisë prodhojnë familje të degjeneruara, shtëpi të shkatërruara dhe shoqëri të prishura. Nënçmimi i detyrës së drejtimit të shtëpisë është kundërfamiljare dhe kundërshoqërore.
Gruaja, duke kryer rolin e saj emocional, obligimi kryesor që i bie mbi të është të punojë për suksesin dhe lumturinë e familjes. Ajo kujdeset për mirëqenien e bashkëshortit të saj, dhe nuk e ofendon as nuk e lëndon atë. Lidhjet e femrave si nëna, motra dhe gjyshe e mbajnë familjen bashkë. Femrat harxhojnë më tepër kohë për t'u kujdesur si për fëmijët parashkollorë ashtu edhe për prindërit e moshuar. Ato blejnë shumë kartolina dhe dhurata për festa dhe raste të ndryshme. Kjo ndihmon për të shpjeguar se përse të dyja gjinitë, krahasuar me miqësinë me meshkujt, pretendojnë që miqësia me femrat është më intime, e gëzueshme dhe më e kujdesshme.

Marrëdhënia legjitime seksuale në mes bashkëshortëve, që në Ligjin islam mirret si njëri nga qëllimet thelbësore të martesës dhe si një funksion universal i familjes, si të tilla mirren edhe në kulturën shqiptare. Me këtë bashkëshortët duke i qëndruar besnik njëri-tjetrit ruajnë kohezionin familjar dhe sigurojnë një ambient të mirë për t’u kryer funksionet e tjera të sajë.


Sociologjia për diferencimin e roleve brenda familjes


Sociologët në të gjitha grupet që i studiojnë gjejnë mbisundimin dhe nënshtrimin, si forma të sjelljes dhe diferencimeve të roleve. Kudo që dy persona janë në kontakt me njëri-tjetrin, psikologu social aty sheh marrëdhënien epërsi-nënshtrim apo dominim-lëshim. Studime nga psikologjia sociale që janë bërë në grupe të punëtorëve kanë argumentuar se në ato grupe zakonisht ekzistojnë dy forma të udhëheqjes dhe dy udhëheqës, në të njëjtën kohë. Studiuesit e quajtën njërin lider “specialist të detyrës”, se ai kryesisht shqetësohej për mbarëvajtjen e punës. Personi më i pëlqyeshëm u quajt lideri “socio-emocional”. Shqetësimi i tij kryesor ishte të krijonte një klimë të mirë sociale në grup. Ngjashëm, është konstatuar se shumica e famijeve kishin specialistin e detyrës që zakonisht ishte mashkull dhe liderin socioemocional që ishte femër. (Zelditch) Prandaj në shumë grupe është më e preferueshme të ketë dy liderë: njëri i shtyn anëtarët të bëjnë punën dhe tjetri punon t'i bëjë të lumtur ata. Një person nuk mund t'i bëjë dot të dyja funksionet; zakonisht njëri ndjek problemet e detyrës dhe tjetri merret me funksionet orientuese. Kështu në familjen e zgjeruar kjo ndarje e udhëheqësisë bëhet në bazë gjinore, në pajtim me prirjet e natyrshme të gjinive për këto role.

Të shkëpusim analizën nga Hamude Abdul-ati kur flet për diferencimin e roleve, strukturën e pushtetit dhe ndarjen e punës brenda familjes në dritë të zbulimeve sociologjike:

Parsons dhe të tjerë theksojnë se në familje në të vërtetë ekzistojnë struktura të shumëfishta të pushtetit, të pavarura nga njëra-tjetra. Derisa burri mund të ketë më tepër ndikim për disa vendime, gruaja mund të ketë në të tjerat. Njëra nga nevojat strukturore, me të cilat duhet ballafaquar familja, është ajo e udhëheqjes; dhe si çdo grup tjetër i qëndrueshëm, edhe familja duhet t'i diferencojë rolet në boshtin e pushtetit. Kjo udhëheqje është dy llojesh, natyrisht jo të ndërthurura në të njëjtin person. Ato janë: udhëheqja instrumentale (instrumental), që merret me "sistemin e jashtëm", dhe udhëheqja shprehëse (expressive), që merret me "sistemin e brendshëm". Siç ka treguar Zelditch, "pothuajse në të gjitha shoqëritë, pos në disa prej tyre, rolet instrumentale, të cilat përfshijnë udhëheqjen politike dhe ekonomike, ushtrohen nga burri-babai, ndërsa rolet shprehëse nga gruaja-nëna." Faktikisht në të gjitha shoqëritë, fëmijët dhe gratë i nënshtrohen autoritetit të burrit, që jeton me ta.
Këto vështrime duket që sugjerojnë se autoriteti është një element i domosdoshëm për çdo strukturë grupore. Autoriteti nuk është i një lloji apo i një dimensioni, pasi që mund të jetë instrumental apo shprehës, i hapur apo i fshehur, privilegj apo detyrë. Derisa autoriteti është një domosdoshmëri e çdo sistemi të qëndrueshëm shoqëror, kjo nuk do të thotë patjetër se ai do të jetë absolut, i pakontrolluar, i pandërrueshëm apo i pandashëm. Është e mundshme që disa vëzhgues jokritikë do ta përforconin autoritetin e hapur instrumental, në dëm të autoritetit njësoj veprues, por ndoshta më pak të spikatur, atij të fshehtë, shprehës. Përfundimet e arritura nga vëzhgues të tillë vështirë se mund të jenë të pranueshme si të tilla, ato duhet t'u nënshtrohen shqyrtimeve të kujdesshme dhe analizave strukturore. Janë bërë përgjithësime rreth inferioritetit dhe nënshtrimit të gruas gjatë historisë. Megjithatë, depërtimet e reja sociologjike në natyrën e strukturave të pushtetit brenda familjes, mund të paraqesin disa dyshime serioze rreth vlefshmërisë së pakualifikuar të këtyre përgjithësimeve. Burrat ndoshta kanë "besuar" se janë më të fuqishëm dhe më superiorë dhe kanë vepruar sipas "definimit të tyre të situatës". Gratë po ashtu ndoshta kanë mundur të sillen, së paku nga jashtë, sikur të ishin të nënshtruara dhe të përulura. Mirëpo, a mund të thuhet se ato kanë qenë të tilla në të gjitha drejtimet dhe gjithmonë? Kjo mbetet si një çështje e hapur. (Struktura familjare në Islam)

Në fakt, të dy llojet e roleve janë njësoj meritore për t’u kryer dhe respektuar, dhe kjo atëherë kur shoqërohen me barazinë që feja e kërkon dhe promovon, ndarja e punës në bazë të vijës gjinore në përgjithësi është i dobishëm për të gjithë anëtarët e shoqërisë.


Përgjegjësitë e gruas në jetën familjare janë të mëdha

Përgjegjësitë e gruas në familjen e zgjeruar shqiptare janë të rëndësishme. Përveç që ajo është përgjegjëse për të edukuar fëmijët e saj, ajo është burim i dashurisë dhe i mëshirës në shtëpi. Ajo është e cila i siguron familjes ngrohtësi, dritë dhe lumturi. Ajo është prehje për burrin i cili punon jashtë shtëpisë për të mbajtur familjen. Ç’është e vërteta, gruaja në të gjitha situatat është shtylla e familjes, dhe mbi supet e saja bien përgjegjësi të shumta.

Funksioni dhe puna e gruas në shtëpi nuk është e lehtë dhe nga ajo kërkohet t’i përkushtohet asaj pune gjatë tërë ditës. Meqenë se shumica e barrës së edukimit të fëmijëve i bie gruas, ajo ka nevojë të studiojë dhe të vrojtojë në mënyrë sisematike fëmijët e saj që të jetë e suksesshme në këtë dretim. Për më shumë, është e nevojshme që ajo të jetë e qetë, pa tensionime të cilat shumë shpejt barten te fëmiu në fazën embrionale dhe në fazën kur ai është në gji të nënës gjë që shkakton rreziqet më të këqia, siç e vërtetojnë këtë provat. Është e njohur se ngarkimi i gruas me punë le gjurmë në disponimin dhe në nervat e saj. Po ashtu është e njohur se këto gjurmë barten tek embrioni i saj në shtatzani dhe te fëmija i saj në gjidhënie. Për më tepër, disa embriologë flasin për trashëgiminë e cilësive të cilat janë prezente te babai dhe nëna në momentin e fekondimit dhe gjatë shtatzanisë. Prandaj, gruaja e cila mban embrionin i cili zhvillohet në të ka nevojë të jetë e qetë nga tendosjet nervore dhe ngarkesat muskulare e mendore, ngase këto lënë gjurmë të këqia në fëmiun e saj në bark si dhe në periudhën e gjidhënies. Detyra më e madhe e gruas pra, është ruajtja e shëndetit të llojit njerëzor. Më tutje, asaj duhet t’i ipet rasti i plotë për t’iu përkushtuar fëmijës së saj aq sa ka nevojë që nën kujdesin e saj të formohet trupi, mendja dhe morali i fëmijës, në mënyrë që në të të mbjellë virtytet e larta. Kjo gjë nuk arrihet shpejt, mirëpo për këtë nevojitet mbikëqyrje dhe kujdes i vazhdueshëm. Kjo mbikëqyrje nuk duhet të injorohet, sepse vetëm nëna, që karakterizohet me durim dhe jolodhje, është ajo e cila zbulon shkaqet e sëmundjeve te fëmijët para se të jetë vonë për shërimin e tyre. Mendimi se gjithë lidhja e nënës me fëmiun e saj mbaron në shtatzëni dhe në lindje e zbret njeriun në shkallën e kafshës. Njeriu veçohet me kujdes të gjatë për fëmijët e tij, kujdes i cili nuk është vetëm ushqimor, siç është te kafshët, mirëpo ky kujdes te njeriu është edhe moral dhe mendor.

Nuk ka dyshim se kjo traditë është e formuar nga mësimet e traditës islame për rolin dhe përgjegjësinë që ai ia jep burrit si mbajtës dhe kujdestar i familjes dhe gruas si edukuese dhe kujdestare e fëmijëve dhe përgjegjëse për punët e shëpisë.

Ndërsa shoqëria islame e sheh amësinë si rolin më prestigjioz të gruas, emancipuesit aq shumë e kanë degraduar dhe mohuar amvisëninë, rritjen, edukimin dhe kujdesin për fëmijët sa që asnjë grua nuk mban kokën lart poqë se nuka ka ndonjë punë tjetër jashtë shtëpisë – sado që ajo punë mund të jetë më pak e vlefshme për të, për shoqërinë dhe për familjen e saj. Jemi mësuar të mendojmë se vetëm puna jashtë shtëpisë, në fabrikë, në zyrë, në shkollë e të tjera kërkon intelegjencë, aftësi dhe ambicie. Sa gabim! Sa shumë familje dhe anëtarët të tyre heqin keq nga kjo shkurtpamësi! Në të vërtet, amvisënia kërkon po aq intelegjencë, aftësi dhe ambicie sa cilado punë jashtë shtëpisë. Kurrë nuk duhet të nënçmojmë rëndësinë e punëve të shtëpisë e cila brumos qytetarinë e së nesërmes në të njëjtën kohë; sikurqë e mban/ruan shoqërinë e sotme. Është koha kur duhet të ndalojmë t’i themi nxënëses përtace nëse nuk shkon mirë në mësime: Ti bën vetëm për pregatittje të ushqimit dhe përkujdesje për fëmijë. Në vend të kësaj, amviseve dhe nënave të suksesshme dhe të shkëlqyeshme duhet t’i shpërblejmë për punën e tyre shembullore. Duke ua njohur rëndësinë këtyre punëve, do të krijojmë parakusht për të ruajtur modelin e zgjeruar të familjes.

Nga feministët kjo mund të shihet si hapje e derës së diskriminimit, por muslimanët traditën islame e shohin si përkrahës i fuqishëm i barazisë mashkull-femër. Në Kuran nuk bëhet asnjë dallim në mes të gjinivë në raport me Zotin. (Kuran 33:35 dhe 16:97) Dallimi ekziston vetëm në raport me njëri-tjetrin dhe me shoqërinë – dallimi në role dhe funksione. Të drejtat dhe përgjegjësitë e gruas janë të barabarta me ato të burrit, por ato nuk janë detyrimisht të njëjta. Të qenët i barbartë dhe i njëjtë janë dy gjëra të ndryshme. Tradita islame të parën e sheh si të mirë, të dytën jo. Së këndejmi, burri dhe gruaja duhet të plotësojnë njëri-tjetrin në organizatën shumëfunksionale në vend se të garojnë ndërmjet veti në shoqërinë njëfunksionale.

Barazia që kërkohet nga tradita islame duhet të shihet në kontekst më të gjerë nëse dëshirojmë ta kuptojmë atë. Meqë muslimanët diferencimin e roleve gjinore e shohin si natyrore dhe të dobishme në të shumtën e rasteve, përgjegjësitë ekonomike të anëtarëve mashkullorë dhe femërorë ndryshojnë ashtu që të japin barazpeshë për ndryshimet fizike në mes të burrit dhe gruas dhe për përgjegjësinë më të madhe e cila iu bie grave për riprodhim dhe edukim, funksione këto aq të nevojshme për mirëqenien e shoqërisë. Prandaj, të pohosh se në familje burri është përgjegjës për furnizim ekonomik, apo siç thuhet për mbajtje të familjes dhe se gruas nuk i bie kjo përgjegjësi nuk është përmbysje apo mohim i barazisë gjinore. Përkundrazi, ajo është një detyrë që duhet të kryhet nga burri si kompenzim për një detyrë që ka të bëjë me aftësitë, zotësitë dhe kompetencat e veçanta të gruas.