Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se Kosovës i duhen rreth 2 miliardë dollarë ndihma nga jashtë deri në fund të vitit, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të kontribojnë me 25 përqind të shumës Bashkimi Evropian duhet të mbulojë pjesën tjetër Version multimedial i ketij lajmi
Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Daniel Fried tha se Kosova ka nisur një fillim të mbarë që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia. Pas kësaj Daniel Fried shtoi se vendit i duhet edhe më tutje ndihmë e madhe për t’u bërë një shtet i aftë. Ai i bëri këto komente para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan. Fried tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të largojnë vëmendjen e tyre nga zhvillimet në Kosovë. Daniel Fried shtoi se Kosovës i duhen rreth 2 miliardë dollarë ndihma nga jashtë deri në fund të vitit. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të kontribojnë me 25 përqind të shumës ndërkaq pret që Bashkimi Evropian të mbulojë pjesën tjetër. Duke përsëritur kritikat e ashpra të SHBA-ve ndaj Serbisë për nxitjen e dhunës ndaj Kosovës, Frid tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë se Serbia do ta ndryshojnë kursin në mënyrë vendimtare drejt integrimeve me Evropën Perendimore. Edhe kryesuesi i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, senatori Jozef Biden po ashtu i tërhoqi vërejtjen Serbisë për qëndrimin që po mban. “Qeveria e Serbisë duhet ta ndalë shfrytëzimin e pavarësisë së Kosovës që mos ti shkaktojë më tepër dëme këtij vendi”, tha senatori Biden duke shtuar se “Serbia duhet të fillojë të ndryshojë politikën e saj të dështuar në 15 vitet e fundit dhe ta shohë të ardhmën si pjesë e Evropës” ka thënë Biden.
(Radio Europa e Lirë/Balkanweb)
Krijoni Kontakt