Sëmundjet seksualisht të transmetueshme po rrezikojnë seriozisht shëndetin e adoleshentëve. Kjo për arsye se ata kryejnë marrëdhënie të pambrojtura në moshë të vogël dhe me multipartnerë. Alarmi erdhi dje nga mjekët infeksionistë gjatë prezantimit të seminarit në “Ditën e Sensibilizimit për IST dhe Përdorimin e Kontraceptivëve”. Sipas mjekëve, infeksionet seksualisht të transmetueshme po bëhen gjithnjë e më problematike për shëndetin e popullatës pasi pas viteve ’90 numri i tyre është gjithnjë në rritje.

Adoleshentët

Adoleshentët shqiptarë janë të ekspozuar nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme pasi kryejnë marrëdhënie në moshë të vogël dhe shumë herë në grup. “Janë të rinj ose të reja që bëjnë seks të pasigurt me multipartnerë, që nuk përdorin prezervativ ose kanë qenë në emigracion dhe kanë pasur marrëdhënie me punëtore seksi”,- pohon infeksionisti pranë spitalit të QSUT-së, Arjan Harxhi duke shtuar se të rinjtë janë të painformuar për këto sëmundje të rrezikshme, të cilat nëse diagnostikohen në kohën e duhur mund të mjekohen. Sipas tij, kryerja e një vizite te mjeku për sëmundje të tilla vazhdon të mbetet tabu, duke shkaktuar probleme serioze për shëndetin. Ndërkohë ai ritheksoi se grupet më të rrezikuara ndaj infeksioneve seksualissht të transmetueshme janë të rinjtë dhe veçanërisht përdoruesit e drogës, romët dhe homoseksualët.

Infeksionet

Krahas rritjes së infeksioneve me HIV/AIDS, për fat të keq, po shohim një rritje të numrit paralel të infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme, si ato me sifiliz, me gonorrenë, klamidia, në moshat e reja. Kështu u shprehën mjekët infeksionistë duke theksuar se vendi vazhdon të ketë probleme me raportimin e numrit të rasteve të sakta me IST. Sipas mjekut Arjan Harxhi rritja e rasteve të IST ndodh si pasojë e mungesës së edukatës për t'u mbrojtur nga këto sëmundje, për t’u konsultuar me mjekun. Studimet tregojnë se me klamidia janë raportuar 20% e grave në moshë riprodhuese dhe pothuajse 1% e tyre janë raportuar me sifiliz, gonorre, herpes genitalis, etj. Për më tepër, vërehet një rritje e numrit të rasteve me gonorre të zbuluar nëpërmjet survejancës rutinë spitalore. “Për parandalimin e këtyre sëmundjeve nevojitet edukimi i opinionit publik në drejtim të njohjes së rrugëve të transmetimit të viruseve dhe shenjat, në mënyrë që të kërkojnë ndihmë mjekësore. Ky është mesazhi që përcjell edhe “Dita e Sensibilizimit për IST dhe Përdorimin e Kontraceptivëve”,- u shpreh Harxhi, sipas të cilit, paralelisht me ndërgjegjësimin e qytetarëve nevojitet aksesi në shërbimet shëndetësore, pasi kapacitetet diagnostikuese janë të ulëta.

25 lloje infeksionesh seksualisht të transmetueshme përhapen kryesisht

20% e grave në moshë riprodhuese janë me infeksionin klamidia

Çfarë janë IST

Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme janë sëmundje që shkaktohen nga bakterie të cilat transmetohen përmes kontaktit seksual. Këto sëmundje janë ndër infeksionet më të përhapura në botë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, incidenca e rasteve me IST në vit është 333 milionë raste, pa përfshirë HIV/AIDS-in. IST numërojnë 25 lloje infeksionesh, ndër të cilat më të përhapura janë gonorrea, sifilizi. Shqipëria ende konsiderohet vend me prevalencë të ulët të Infeksioneve Seksualisht të Transmetueshme (IST), edhe pse në vendin tonë këto sëmundje janë një problem në rritje, që pas viteve 90’, sipas Institutit të Shëndetit Publik (ISHP).

Shekulli


Nje lajm mese alarmant!
Nuk e di çfare u kushton njerezve qe te mbrohen kur kryejne marredhenie?
Eshte ndryshe kur je me dike prej shume kohesh dhe teper ndryshe kur kryen marredhenie thjesht per nje nate ose nje "epsh"!
Imagjinoni dike qe tradheton te dashurin ose te dashuren duke shkuar me dike tjeter te semure dhe arrin te semure veten dhe parteneren me te cilen ka aq kohe?
A ja vlen te rrezikojme jeten vetem per "nje marredhenie seksuale te pambrojtur",e cila mund te jete fatale?
Cili eshte mendimi juaj?