Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956

    Oriku, qyteti i gdhendur në shkëmb

    Me Adnand Agastrën, kapitenin e Rangut të Dytë, kemi rënë dakord të mbarojmë shpejt. Një ditë më vonë do të jetë në udhëtim. Ndaj, në hapësirën e pamatë të Pasha Limanit, të dy nxitojmë. Ai për ikje. Ndërsa ne, pas shpjegimit që na bën shefi i shtabit të Pasha Limanit për nëndetëset, në kërkim të një emocioni historik. Tre muaj më parë, në postbllokun e parë të Bazës së Vlorës, më kot, jemi munduar të bindim oficerin e rojës për të vizituar Orikumin, qytetin e vjetër antik. “Duhet leje”, na ka thënë oficeri thatë dhe pastaj, pa asnjë ‘arsye’ është larguar. Leja nuk është gjendur. Qytetin e arkivuam në kujtesë. Asnjëherë nuk e kemi kuptuar sepse qyteti duhej të mbyllej kështu. Vetëm se, historia gjithmonë e ka fshehur Orikumin. Pas luftërave të shumta të Pompeut me Çezarin, për këtë vend, flitet pak fare pak. Thjesht si vend traziti. Arkeologu i parë që e vizitoi këtë vend ishte Karl Paçi. Shumë larg. Ai vuri re gjurmët e një rruge të qytetit të vjetër, që zbriste me shkallë faqet e kodrës në një gjatësi 27 metra dhe gjerësi 2,40 metra,duke kaluar anas shtëpive me dhoma të gdhendura po në shkëmb. Ashtu, është edhe para syve tanë, pak minuta më vonë, gjithçka e bardhë dhe e ngjitur me shkëmbin.

    Dikur

    Çezari u nis nga Brindizi me 30,000 ushtarë në anije transporti, për të kaluar Adriatikun në anën e ngushtë. Për fat brenda një dite e gjithë flota e kaloi Otranton, ndihmuar nga një erë fatlume. Ai zbarkoi më 5 janar të vitit 48 p.Kr. në një breg të quajtur Paleste në tokën e fisit Kaon të Germinëve. Pa humbur kohë, Çezari u nis në krye të ushtrisë për në Orik, duke iu ngjitur gjatë natës malit “nëpër një shteg të ngushtë dhe të vështirë”. Pranë qafës së Llogorasë, barinjtë vendas edhe sot tregojnë një shesh që quhet qafa e Qezarit... Në mëngjes, ushtria e tij, u shfaq para mureve të kështjellës së Orikut, e cila mbrohej nga një garnizon i përbërë nga ushtarë parthinë dhe banorë vendas, të komanduar nga oficeri i Pompeut, Luc Torkuati.

    Njësoj si ne, në këtë qerthull, nxitet të ecë dhe shoferi ynë. Ka dëgjuar Orikumin, por asgjë më shumë. Kohë më parë i jemi afruar njëherë së bashku nga Kisha e Marmiroit. Nga tutje, nëpër ca vende të zhveshura, gjurmët e Orikumit kanë qenë të pakta. Rrugës së pakët nga nëndetëset, në qendër të Pashait, shkëmbejmë me Adnandin historitë tona. Shumë herë nuk përkojnë. Diku afër Palasës zbarkoi Çezari në luftërat civilo romake. Njeriu, që e bëri të njohur në kujtime këtë qytet. Por sot, qyteti brenda kësaj zonë ushtarake nuk thotë shumë. Pak njohuritë që shkëmbejmë me Adnandin na mjaftojnë që të orientohemi për simbiozën e qytetit me bazën. Kalojmë disa magazina, ndërsa mjerimi i Pasha Limanit, duket në zbrazëtinë e pamëshirshme të mjediseve dhe në mungesën e personelit. Duket se koha ka fashitur gjithçka. Këtu ka qenë kjo..., vazhdon oficeri, ndërsa me shumë kujdes mundohet të na tregojë disa mina të vjetra dhe ndërtesa që janë shkrumbuar nga viti i tmerrshëm i vitit 1997. Derisa shfaqet ai. Qyteti antik i Orikumit gjendet në fund të gjirit të Vlorës, pranë portit të sotëm të ushtarak të Orikumit. Tradicionalisht mbahet si qendër e themeluar nga kolonialistët Eubeas, që u kthyen nga lufta e Trojës, por në të vërtetë duhet të jetë themeluar nga Apolonia për të kontrolluar guroret e Akrokerauneve, thuhet në literaturën historike. Prej tyre merreshin blloqet gëlqerore dhe kolonat për ndërtimet monumentale. Më e madhja është gurorja e Gramës, në bregun perëndimor të gadishullit të Karaburunit, ku detarët që strehoheshin gjatë shtrëngatave, kanë skalitur dhe mijëra mbishkrime.

    Në burimet historike, Orikumi përmendet përciptas, me përjashtim të përshkrimeve të luftimeve, që zhvilluan forcat e Çezarit me ato të Pompeut, rreth këtij qyteti në vitet 49-48 para Krishtit. Pak muaj më parë, kemi parë ndoshta nekropolin e qytetit, por bagëtia dhe mos-njerëzia, na kanë bindur se qyteti është i paarritshëm. Të vetmit, disa kuaj të azdisur, që qëndronin të patrazuar andej, kanë qenë edhe justifikimi i paktë i vendit të braktisur. Tre km nga Orikumi, kisha e vogël e Marmiros në një kodër të ulët, futur në disa ferrishte, ku kulmojnë një ferrnajë me cazë si shtiza, ka qenë kënaqësia jonë e pakët. Që andej kemi admiruar më kot, një qytet, që e kishim parë vetëm në foto. Njësoj, Edward Lear kaloi disa kohë që këndej në Dukat, atëbotë quajtur si Dukates, në udhëtimin e tij në Shqipëri më tetor të vitit 1848. Pastaj kapi Qafën e Llogorasë. Llogoraja është Park Kombëtar dhe ndoshta është më i bukuri në bregdetin Adriatik (e kanë përcëlluar shqiptarët pas viteve 2000). Është terreni, ku ndërsa qëndrojmë në qytetin antik, oficeri na shpjegon se Qafa është rreth 1055 m e lartë dhe nga këtu duket Korfuzi. “5 km poshtë në anën tjetër është fshati Palasa. Që andej erdhi ai”, na thotë krenar?!

    Vetë qyteti

    Por ndërsa gjendemi në qytet, ai është zhgënjyes me fotot, që kemi parë. Ngrihet mbi një kodër të ulët shkëmbore, e cila kontrollonte dikur kanalin, që lidhte detin me lagunën. Vëzhgimet dhe kërkimet arkeologjike kanë vërtetuar qenien e një muri rrethues, i cili përmendet edhe nga Çezari. Monumenti më i njohur është teatri, i cili është hapur gjatë gërmimeve arkeologjike të vitit 1958. Shkallaret e tij janë gdhendur në shkëmb, ndërsa orkestra me diametër 10 metra, përbën një rindërtim të periudhës romake. Aty përveç shfaqjeve teatrale zhvilloheshin dhe ndeshje me gladiatorë. Këta ta tregon pareti i lartë i saj. Ka kullesa të mira. Përpara teatrit është gërmuar dhe një altar, i cili lidhet me një tempull ende të pazbuluar, duke lënë të kuptohet se aty shtrihej agoraja e qytetit.

    Zona e banuar shtrihej mbi teatër; edhe banesat ishin kryesisht të gdhendur mbi shkëmb. Një pjesë e rrugëve, gjithashtu është gdhendur në formë shkallësh. Pjesa më e ruajtur ka gjatësi 17 m, gjerësi 2,4 m dhe ka 27 shkallë. Vendosja paralele e rrugëve dëshmon për zbatimin urbanistik hipodamik. Porti i qytetit siç e përmend Çezari, ka qenë nga ana e lagunës, ku dallohen dhe muret nën nivelin e detit. Kjo dëshmon se gjatë shekujve ka ndodhur ulja e ngadalshme e bregut nën ujë, si edhe mbushja me aluvione e portit.
    Oriku dhe në kohën romake luajti rolin e një stacioni në rrugën antike të Akrokerauneve. Në periudhën bizantine, siç tregojnë rindërtimet në muret rrethuese, ai u rifortifikua, përmend profesor Neritan Ceka, në librin e tij “Kështjellat ilire”. Në vitin 1958, aty ka gërmuar me sukses Dhimosten Budina. U zbulua teatri i qytetit me shkallaren e gdhendur në shkëmb. Skena e thellë dëshmonte që teatri kishte qenë rindërtuar në periudhën romake dhe ishte përshtatur dhe për gladiatorë. Një mbishkrim greqisht i shekullit të I dëshmonte se punimet ishin paguar nga një romak i pasur nga familja e Atikëve, që njihej si përkrahëse arti. Oriku humbet, por u rindërtua në shekullin e VI m.Kr në kohën e dyndjeve sllave.. Ushtaraku nxiton, por njohuritë e tij nuk na ndihmojnë për ndonjë gjë më shumë. Shiu po afrohet. Era nuk rresht.

    Fshatarët

    Era nuk i bezdis ata. Madje, më mirë nga të gjithë e kanë gjetur fshatarët. Disa bagëti i kanë lënë që të kullosin në atë që dikur ka qenë qyteti i famshëm. Nuk i trazon askush. “I kemi lënë fshatarët, janë pjesë e bazës. Kanë qenë dhe do të jenë. Kjo bazë ka qenë njësoj si shtëpia për ta, më sqaron ushtaraku, duke justifikuar lirinë e tyre. Në fakt, kujtimi më i kaluar për bazën ka qenë kur bariu, që e interpreton Kadri Roshi, i thotë një fshatari tjetër në filmin “Ballë për Ballë”, se po na marrin bazën. Për sa i përket ushtarëve, ata janë gjithmonë zhgënjyes për emrin e bazës. Kafshët që baresin tutje na hedhin sytë. Janë të vendosura tutje shkallareve dhe kullosin të patrazuara. Duket si një vend mitik. Kullosin pa bari. Diku duhet të jetë dhe ai, bariu, mbase tutje rrethimit. Por kafshët, që mund t’i shkojnë më shumë një kurbani në teatrin e qytetit, nuk trazohen. Ndoshta një shpresë e madhe e banorëve do të jetë kur qyteti antik t’i shpëtojë rrethimit të bazës, një përpjekje që tash janë duke e bërë instancat shqiptare të turizmi, për t’i shtuar atraksioneve të tyre dhe një pikë. Por ka kohë, që flitet dhe deri më tash asgjë. “Do të bëhet”, më thotë oficeri, që tash nxiton vërtetë.
    Në periudhën e pushtimit osman, Oriku shërbeu si bazë e flotës së vezirit Gjedik Ahmet Pasha, që duke u nisur nga Gjiri i Vlorës sulmoi dhe pushtoi Otranton. Që nga ajo kohë vjen dhe emri Pasha Liman, që në turqisht do të thotë Pasha Liman... Shoferi tash është i kënaqur, ndërsa sytë i mbesin larg në format e përkryera të teatrit dhe në paretet e tij. Por i pëlqejnë bash kullonjëset. Gjithçka i duket e arrirë dhe e përkryer. Por, jo shiut. Kurse, Adnani e ka gjetur arsyen, që duhet të ikim, ndërsa ne baresim drejt fundit të shkallareve të mbetura në shkëmb.
    Në fund të tyre duhet të largohemi. Rrëshqasim pak. Ka një bardhësi Orikumi, që të dorëzon. Ka një madhështi që pret të hapet. Ka një histori që pak dihet. Janë ditët e dimrit të vitit 2007.

    Ben Andoni
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e BARAT
    Anëtarësuar
    20-07-2006
    Vendndodhja
    Himarjot jet' e jet', Zot mbi male Hyll mbi det
    Postime
    2,565
    Eshte postuar edhe me pare ky shkrim, duke iu bashkangjitur atij te Erihoit


    Kliko:











    -------------------

Tema të Ngjashme

  1. Dardani apo Kosovë
    Nga Statovci në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 15-06-2018, 11:31
  2. HISTORIA E QYTETEVE SHQIPTARE (edmondfieri)
    Nga Eni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 12-03-2008, 14:28
  3. Ilirët - diskutimi mbi ta
    Nga Leonard Alili në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 111
    Postimi i Fundit: 10-10-2006, 16:02
  4. Burreli, qyteti me më shumë viktima në ‘97
    Nga FLORIRI në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 19-05-2005, 08:24
  5. Del nga dheu qyteti 2000-vjeçar i Adrianopolit
    Nga shoku_sar në forumin Arkeologji/antropologji
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 18-08-2003, 04:46

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •