Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283

    (Pa)fuqia dhe kundërthëniet e rezolutës së Këshillit të Evropës

    Written by Esat Stavileci
    Tuesday, 29 January 2008


    Këto ditë, Kosova dhe shqiptarët, kudo që jetojnë, “u kthyen me sy e veshë” nga Strasbourgu, ku u takua Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, për të diskutuar një tekst – projekt-rezolutë të Lordit Russel Johnston rreth të ardhmes së Kosovës, pa vra mendjen për (pa)fuqishmërinë e organit dhe të vetë rezolutës dhe mundësisë që ajo të ketë ndonjë “ndikim të rëndësishëm” për statusin e ardhshëm të Kosovës.

    Nuk është hera e parë që Lordi Russel Johnston përpiqet që “të përfitojë” Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës “në mbështetje të Kosovës”.Kësaj rradhe “ia doli” të sigurojë shumicën e votave të parlamentarëve evropianë , passi që nga teksti menjanoi fjalën “pavarësi”për Kosovën.



    Kundërthëniet e Rezolutës



    Teksti i ofruar i projekt-rezolutës së Lordit Russel Johnston u amendamentua në dy pika.Pikërisht amendamentimi solli dy kundërthënie të mëdha të dokumentit.

    E para, edhe pse teksti vlerëson se “mundësitë e gjetjes së një zgjidhjeje kompromisi janë shterur pas dy vjetësh të kërkimit intensiv të zgjidhjes së statusit final të Kosovës”, po në atë tekst iu bë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të bëjë gjithçka që është në kompetencë të tij të tejkalojë dallimet dhe të arrijë në një kompromis”, pra po në atë tekst u kërkua vazhdimi i negociatave për statusin.

    E dyta, edhe pse Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës shprehi keqardhje “për mungesën e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët” në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, po ajo Asamble kërkoi “gjetjen e rrugëve alternative për vazhdimin e negociatave të bazuara në Rezolutën 1244 të Këshilit të Sigurimit të OKB-së”, pra po ai organ kërkoi që Këshilli Sigurimit të OKB-së duhet t’i tejkalojë dallimet ekzistuese dhe ta imponojë një zgjidhje për Kosovën.



    Mungesa e konsensusit



    Se mungon një konsensus në Këshillin e Evropës rreth të ardhmes së Kosovës dëshmon edhe deklarata e sekretarit të përgjithshëm të tij, Terry Davis.Thelbi i fjalës së tij u shpreh në thënien se “vendimi për statusin e Kosovës duhet të merret me marrëveshje, dhe jo në mënyrë të njëanshme”.Edhe pse edhe vetë ai është i vetëdijshëm se Këshilli i Sigurimit të OKB-së “e ka nxjerrë nga agjenda e vet” çështjen e Kosovës, përsërit qëndrimin se çështja e statusit të Kosovës “duhet të zgjidhet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, duke shtuar se “nuk është optimist rreth mundësive që vendimi atje të merret në një afat të shkurtër” që le të kuptohet se çështja e të ardhmes së Kosovës “duhet të sillet në labirint”.







    Kërcënimet e status quos



    Rezoluta e miratuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës “arritjen e një kompromisi” e kërkon me qëllim të “parandalimit që Kosova të shndërrohet në një fuqi baruti dhe përfundimisht në një konflikt të ngrirë në Ballkan”.

    Rezoluta e miratuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës “fton të dyja palët në ruajtjen e paqes”.

    Kërkesa për “shmangien e dhunës” është shndërruar në një sllogan të zyrtarëve ndërkombëtarë, pa llogaritur se shkalla e durimit në Kosovë është “në nivelin më të ulët” të mundshëm që, nëse do të zgjasë status quoja në Kosovë, shpejt mund të zbrazet.

    Një gjë që nuk kanë parasysh zyrtarët ndërkombëtarë është se statusi i pazgjidhur i Kosovës ose zgjidhja e tij që nuk do të korrespondonte me vullnetin e plot të popullit shumicë të saj, do të mund të këcënonte stabilitetin në rajon.





    Në mes të pritjeve dhe shtyrjeve të tjera





    Edhe pse në Kosovë “po shkruhen letrat” për kërkimin e “njohjes së pavarësisë”, qarkullojnë data dhe afate të ndryshme se kur Kuvendi i Kosovës “do të bënte shpalljen e Deklaratës për pavarësi”që, në mos asgjë tjetër, lënë të kuptojnë se janë manipuluese ato që janë përmendur ose që vazhdojnë të përmënden.

    Ekzistojnë disa rrethana që “mund të ndikojnë” në dinamikën e “shpalljes së pavarësisë”.

    E para, edhe pse thuhet se “shtyrja e shpalljes së pavarësisë nuk ka lidhje me zhvillimet në Serbi”, të kundërtën,në Bashkimin Evropian ky fakt zë vend të lart në arsyetimet “pse po vonohet” dhënia e sinjalit Kosovës “për të bërë hapin e duhur”.

    E dyta, edhe pse thuhet se “nuk është i domosdoshëm” pajtimi i të gjithë 27 shteteve, anëtare të Bashkimit Evropian, rreth të ardhmes së Kosovës, të kundërtën, në Bashkimin Evropian, po vazhdojnë përpjekjet “për të bindur” ato vende që ose e kundërshtojnë hapur, ose ende mbahen të rezervuara në lidhje me “pavarësinë e Kosovës”. Qipros, në deklarimin e saj “kundër” po “i bashkëngjiten” edhe Greqia “e pavendosur” dhe Rumania “e rezervuar”.

    E treta, edhe pse spanjollët nuk “kanë trumbetuar” me kërkesën e tyre për shtyrjen e “marrjes së vendimit për Kosovën”, të kundërtën, ata, në të vërtetë, po përpiqën që “ta detyrojnë” Bashkimin Evropian që “të pres” edhe mbajtjen e zgjedhjeve në Spanëjë, më 9 mars, e më pastaj “të deklarohet”.

    Ndërkohë, në Bashkimin Evropian ende nuk ka një vendim të unifikuar rreth “dërgimit të misionit të BE-së në Kosovë”, por as për modalitetet e këtij misioni.Një datë e përmendur më parë për këtë vendim(28 janar 2008) “iku”.Cila do të mund të ishte data tjetër, pritet të shohim.Përmendet data 18 shkurt 2008. “Të gjithë” në Bashkimin Evropian “do të dëshironin” që në Kosovë më parë të vendoset misioni i tij , e më vonë Kosova “të deklarohet”.Por asgjë më nuk mund të “parashikohet me saktësi”.



    “Vendime të vështira”, jo vetëm për serbët



    Sidoqoftë, “presionet amerikane” janë gjithnjë e më të fuqishme.Në një fjali të Condoleezza Rice, është thënë e tëra : “ Në një moment ne duhet të marrim vendime të rënda dhe shtyrja e këtyre vendimeve nuk i bën këto më të lehta”.Sado që ajo të ketë menduar në “vendimet e rënda”për serbët, nuk e mendoj se i ka “jashtë ndërdijes” ato vendime edhe për shqiptarët të cilët, me pranimin e Planit të Ahtisaarit, kanë pranuar që pavarësia e tyre “të gjymtohet dukshëm” dhe që “t’i mungojë shkëlqimi i duhur”.

    Paraqet,Sabri Selmani-Gjermani

  2. #2
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283
    Pavarësia dhe sëpata nën jastëk

    Tani që shpalljen e Pavarësisë e kanë reduktuar në “Çështje orësh”, dilema se do të ndodhë apo nuk do të ndodhë kjo shpallje mund të duket e pakuptimtë. Në dukje të parë i kapluarnga shumë emocione, i gëzuar që më në fund po realizohet ëndrra e tij stërgjyshore, qytetari i Kosovës po gëzohet. Po gëzohet që më në fund edhe ai do të bëhet zot në shtëpinë e vetë, do të jetë si gjithë njerëzit e botës me identitet shtetëror. Pas gjithë atyre përpjekjeve kolosale, pas gjithë atyre vuajtjeve të tmerrshme, pas gjithë atyre pritjeve të gjata, pas gjithë atyre eksperimenteve të panevojshme me të ardhmen tonë, pas aq shumë shtyrjeve, aq shumë zhgënjimeve të pakuptimta ky gëzim është i natyrshëm, njerëzor dhe shumë real. Për ata që kanë përcjellë procesin politik të deritashëm lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk e besoj që e kanë pasur të vështirë të parashikojnë këtë shpallje të Pavarësisë, që do të ndodhë së shpejti.

    Shkruan: Besnik Kryeziu

    Derisa të gjithë po flasin dhe po presin se kur po bie ora historike për Kosovën dhe popullin e saj, unë çuditërisht në vend të gëzimit jam shumë brengosës. Po brengosem jo më për ndonjë shtyrje të mundshme të shpalljes së Pavarësisë sepse kjo do të ndodhë gjithsesi si akt, por po brengosem me mënyrën dhe përmbajtjen që do ta ketë kjo Pavarësi. Po brengosem për mua dhe gjithë bashkëkombasit e mi se mos ndoshta kjo shpallje në këtë mënyrë dhe përmbajtje do të na zhgënjejë edhe njëherë si shumë herë deri tani?! Pse e them këtë? E them këtë sepse gjatë gjithë këtij udhëtimi për të ardhur deri te kjo shpallje ka ndodhur një shpëlarje e tmerrshme e trurit, ku qytetari në vend se të informohet drejt e saktë është keqinformuar për shumë gjëra që do të na sjellë kjo shpallje.

    Po më brengos sjellja e klasës politike, e cila jo vetëm që u tregua e paaftë dhe e pa zonja në zgjidhjen e statusit të Kosovës, por po tregohet edhe shumë qesharake përballë qytetarëve të Kosovës dhe miqve tanë ndërkombëtar, me këtë pasiguri dhe mos vendosmëri në bërjen e shtetit të Kosovës. Kjo klasë politike po kam frik se nuk do ta përballojë me sukses këtë shpallje të cilën nga a-ja deri në zh ja kanë formuluar ndërkombëtarët. Kur i shikon sjelljet e tyre krijon përshtypjen se këta politikanë asgjë nuk bëjnë pa u koordinuar me ndërkombëtarët, të dukën sikur ato orët e vjetra mekanike që ecin ashtu si i kurdisësh.

    Kjo lloj shpallje që do të ndodhë e veçantë nga shumë vende që kanë shpallur pavarësinë e vet, e bazuar në planin e Ahtisarit, do të krijojë një shtet shumë të dobët në të gjitha aspektet. Ky shtet, që sipas planit të Ahtisarit do të jetë shumetnik, vazhdimisht do të ketë nevojë për marrjen e infuzioneve ndërkombëtare, pa të cilat vështirë se do të qëndrojë në këmbë. Ky shtet që do të shpallet, do të jetë i shqiptarëve dhe i serbëve. Dhe mu këtu fillon padrejtësia e madhe ndaj popullit shqiptar. Si është e mundur që një pakicë kombëtare siç janë serbët në Kosovë të jenë të barabartë me popullin shumicë shqiptare? Parullat e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe serbeve janë vetëm iluzione dhe asgjë më shumë. Edhe në kohën e komunizmit ngjashëm sikur tash, flitej për njëfarë bashkim-vëllazërimi mes shqiptarëve dhe serbëve, por ky lloj bashkim-vëllazërimi u pa se si përfundoi. Përfundoi me një luftë tepër të përgjakshme, e cila luftë ne shqiptarëve na shkaktoj shumë viktima e dhembje të mëdha njerëzore. Gjithmonë kur po flitet për këtë bashkëjetesë po më kujtohet ai tregimi i sëpatës që një serbë e kishte ruajtur nën kokën e tij derisa po lëngonte nga një sëmundje. Kur fqinji i tij shqiptar kishte shkuar për ta vizituar dhe në momentin kur donë t´i ndihmojë që të ngritet nga shtrati e sheh sëpatën nën jastëk. I habitur e pyet se për çka e ka këtë sopatë nën jastëk, fqinji i tij serb ju kishte përgjigjur se e kishte ruajtur për t'ia hequr kokën atij. Edhe kjo lloj shpallje që do të ndodhë edhe ky shtet që do të dalë nga kjo shpallje do ta ketë sëpatën nën jastëk. Edhe serbet edhe shqiptarët do ta presin momentin që të komunikojnë me sëpatën e këtij rrëfimi të vjetër që edhe përkundër iluzioneve se ka ndryshuar diçka në raportet shqiptaro-serbe është shumë aktuale. Kjo shpallje do të na gjejë pa Ushtrinë e Kosovës sepse Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e transformuan në TMK. Ne të gjithë patëm shpresuar se TMK do të jetë Ushtria e Kosovës, por ja që me këtë shpallje ajo do të shpërndahet. Në vend të saj do ta formojnë njëfarë Force Mbrojtëse e cila më shumë do të jetë simbolike si edhe TMK-ja deri më tani se sa do të jetë një Ushtri në kuptimin e plotë të fjalës, në gjendje për ta mbrojtur Kosovën dhe popullin e saj. Kjo shpallje do të na gjejë pa integritetin e plotë territorial të Kosovës sepse pjesa Veriore e saj është nën administrimin e plotë të Serbisë dhe kush thotë ndryshe nuk bën gjë tjetër veçse gënjen vetën dhe qytetarët e Kosovës. Premtimet e politikanëve tanë se Kosova do të jetë një dhe e pandashme janë premtime të kota sepse ata nuk kanë fuqi dhe mekanizma për ta ruajtur tersin e plotë të Kosovës, është e vërtet se këtu është KFORI , por ata nuk janë nën komandën e Qeverisë sonë por të dikujt tjetër, për më tepër kur vendosmëria e tyre u pa edhe me ato 2500 hektar tokë që ia dhuruan Maqedonisë. Tani kur klasa politike ka filluar festën dhe së shpejti do ta shpallin Pavarësinë në Kuvendin e Kosovës, në Kuvendin ku janë të mbuluara muralët me figurat tona të ndritshme kombëtare, sepse ata nuk duhet ta shohin këtë shpallje si dënim që u angazhuan dhe luftuan për bashkimin e shqiptarëve në një shtet, unë nuk dua ta prish këtë festë siç nuk dua të jem as pesimist, por dua t'ia përkujtoj të gjithë klasës politik se në rast të çfarë do varianti të ndarjes së Kosovës përgjegjësi e plotë historike dhe politike do të bijë mbi ta dhe se do të përballen me ndëshkimin e fuqishëm të popullit të Kosovës. Uroj që kjo shpallje të jetë e dinjitetshme ashtu si edhe vetë populli shqiptar. Po e përfundoj me fjalët e njërit nga liderët më besnik e më të vendosur të Lëvizjes Studentore të vitit 1997, z.Muhamet Mavraj, i cili në Tubimin përkujtimor për Afrim Zhitin dhe Fahri Fazliun pat thënë:

    “Të nderuar familje të dëshmorëve për hir të ëndrrave e të gjakut të derdhur për liri, ju ftoj të jeni më të zëshëm për Kosovën në ditët në vijim përndryshe do të kemi edhe shumë, shumë të tjerë që do të bien si këta burra.” Se sa të zëshëm ishim ne për të ardhmen ton do ta shohim së shpejti.

  3. #3
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283
    Pavarësia ne emër te krishterëve, ç’është kjo?

    Gustin Marjakaj

    Deklaratën e Don Shan Zefit, se Kosova po e fitoka pavarësinë për shkak te shqiptarëve katolik, më shkoi.
    Nuk mund te besoja se një njeri si Don Shan Zefin, i cilin e quan veten intelektual, mund te deklaroj diçka kaq absurde, por në anën tjetër edhe provokuese për shqiptarët e besimit mysliman, por edhe për kosovarët tjerë.
    Të them te drejtën, kjo deklarate e tillë, për mua personalisht, edhe pse i takoj këtij besimi, ishte po aq provokuese siç ishte edhe për shokun tim Zenelin me vendbanim ne Wil te St.gallenit, ne dhomën e te cilit krahas Kuranit mund ta gjesh edhe Biblën, por çka është me e rëndësishme menjëherë të bie në sy edhe fotoja e dëshmorit Adem Jasharit, e rrethuar me dëshmorë të tjerë te cilët duke mos kursyer jetën e tyre por dhe atë te familjarëve te tyre, morën armët plot guxim për të luftuar. Të pabarabartë me armikun, ata arritën që Kosovën ta bëjnë brenda pak muajsh temë kryesore e mediumeve botërore. Ata ishin te vetëdijshëm se diçka e tillë nuk mund te arrihet pa u derdhur gjak. Dhe vendosën qe në radhë të parë ta derdhin gjakun e tyre dhe te familjarëve te tyre. Kjo është një e vërtetë që nuk mund ta mohojë askush. Këta njerëz nuk luftuan as ne emër te profetit as në emër te birit te hyut, por në emër te shqiponjës dykrerëshe, në emër te flamurit, në emër te plisit, në emër te abetares shqipe, në emër te himnit kombëtar, pra ne emër te çdo elementi shqiptar. Pas çlirimit te pjesshëm të Kosovës, këta njerëz, ose familjarët e tyre qe kishin mbijetuar tragjedinë, nuk derdhnin lot por ishin krenar për atë çka kanë bërë babai, gjyshi, nipi, xhaxhai ose daja i tyre për token shqiptare.
    Asnjëherë nuk i dëgjova duke pohuar se kontributi i tyre qenka bere ne emër te religjionit. Nuk i dëgjova duke deklaruar se shqiptaret te besimit mysliman ishin ata qe sakrifikuan te paret. Aq me shume unë u befasova kur e konfirmova përmes mediave kosovare se një deklarate e tille vërtetë është bere nga don Shan Zefi. Unë si besimtar katolik ketë deklarate e quaj provokuese dhe skandaloze, dhe ndjehem personalisht se duhet të kërkoj falje në rend të parë nga të gjithë familjarët e dëshmorëve te cilët dhanë jetën për ta sjellë Kosovën aty ku është tani e në radhë të dytë të gjithëve shqiptarëve të besimit mysliman, pavarësisht se unë jam një individ pa asnjë funksion publik. Tani me pak fjale dua ta përshkruaj gjendjen aktuale fetare në Kosove, ashtu siç e kam përjetuar vetë. Pa dyshim, dihet se shqiptarët, pavarësisht cilit besim i takojnë, sidomos rinia shqiptare është e orientuar kah sekularizimi evropiano-amerikan. Ketë gjë e kanë vërejtur edhe ndërkombëtaret te cilët tani me vite qëndrojnë ne Kosovë. Një gjë e tille nuk ju ka ikur as mediave te huaja te cilat gati çdo dite raportojnë për tolerancën fetare ne Kosovë dhe ne Shqipëri. Disa mediume marrin shembull pozitiv sidomos myslimanët shqiptar të cilët edhe Kuranin e interpretojnë pakëz me ndryshe siç e bëjnë myslimanët joshqiptar. Bile një gazetar zviceran, ekspert i Ballkanit, në një darkë më tha se bota është e fascinuar nga Myslimanizmi Shqiptar, në kuptimin pozitiv kuptohet. Ai gjate bisedës shkoj edhe me larg duke me rrëfyer se disa udhëheqës perëndimor mendojnë seriozisht ta marrin mënyrën e te praktikuarit të fesë në Kosove dhe të shërbejë si model për botën myslimane.
    "As unë as koleget e mi nuk kemi hasur në një botë me përqindje të madhe myslimane kaq të sekluarizuar siç është rasti me shqiptaret", u shpreh gazetari i një gazete me prestigjioze Zvicerane. Ai shtoi se për ketë gjë janë te vetëdijshëm edhe udhëheqësit e botës perëndimore. Pra, tani edhe me pak i kuptoj provokimet qe vijnë nga disa meshtarë. Në shume rast kam përjetuar vet kur njerëz qe i takojnë besimit te krishtere, haptazi provokojnë besimtarët e religjioneve tjera, kurse ne anën tjetër, nëse një fëmijë i vogël i besimit mysliman, merr guximin te përmend fjalën "Allah", menjëherë ka reagime te ashpra duke e quajtur atë fanatik fetar, bile disa shkojnë edhe me larg duke e krahasuar atë me Al-kaiden. Sipas te dhënave, në Kosove jetojnë përafërsisht 60 mijë shqiptarë të besimit katolik, më shumë se 50 % e tyre jetojnë ne botën perëndimore. Është çmenduri të mendosh se një përqindje kaq e vogël ka qenë dominuese dhe për hir te saj bota po i ofron pavarësinë Kosovës. Nëse vërtetë qenka kështu, qe bota perëndimore ne emër te 60 mije shqiptarëve te krishtere po luftoka për ta pranuar pavarësinë e Kosovës, atëherë nuk paska shpresë për neve, sepse ne anën tjetër ne Kosovë jetojnë mbi 100 mije serb te cilat po ashtu e quajnë veten te krishtere. Pra, nëse Perëndimi vërtetë paska vendose qe ne vendimet e tyre për te ardhmen e Kosovës te jetë dominues elementi i krishtere, atëherë nuk paska shpresa për neve, sepse në Kosovë jetojnë 60 mije shqiptar katolik te krishterë, kurse 100 mijë serb ortodoks të krishtere. Unë nuk e di nga i ka marrë këto informata Don Shaf Zefi, por nëse pohimi i tij ka diçka te vërtetë në thelb, atëherë Shqiptaret paskan mbaruar.

  4. #4
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283
    LIDERËT PA KURRIZ DHE PAVARËSIA E NJË PRILLIT

    Shkruan: BESNIK PRISHTINA

    RRENAT DUHET TË MBULOHEN ME SHUMË FJALË BOSHE PËR TË VËNË NË GJUMË POPULLIN

    Nuk ka edhe një tjetër rast më të mirë në tërë historinë e Kombit Shqiptar që të ketë pas më shumë mundësi se tani që shqiptarët e ndarë me dhunë në 6 shtete nga Fuqitë e vjetra të Evropës dhe nga fqinjët shovinistë, të fillojnë të integrohen brenda një shteti të vetëm.

    Por, për fatin e keq të kombit tonë kurrë nuk kemi pas udhëheqje më të dobët dhe me jo kompetente se sot në të gjitha anët e kufirit. Niveli mendor i liderëve të sotëm shqiptar nuk arrin përgjegjësinë që duhet të e kenë burrështetasit e mirëfilltë për fatin e popullit dhe të vendit të vetë. Ata janë të preokupuar më shumë me fatin e ardhjes apo të qëndrimit në pushtet çfarë do qoftë ai edhe me kusht që atdheu të bie pjesërisht apo tërësisht nën sundimin huaj!

    Tani ata që i nisën “pazaret” me fatin e vendin në Rambuje e i përfunduan në Vjenë, po flasin mbi “pavarësinë” e Kosovës të një prillit, duke na kujtuar deputetët e Rrahman Morinës që njëherë e miratuan Kushtetutën e Millosheviqit e pastaj e nxorën “deklaratën e 2 korrikut”!

    Ata në vend se të ngulin këmbë që Kosovës ti njihet e drejta në VETËVENDOSJE si ndodhi me Republikat e ish RSFJ, ata pranuan Planin e Ahtisarit, i cili Kosovën e ricopëton dhe e futë nën sundimin të ri kolonial të Diktaturës së BE!

    Thuhet se motrat apo vëllezërit siamezë kanë gjithmonë të njëjtat halle. Nëse sëmuret njeri, sëmuret edhe tjetri edhe nëse gjendet diku në një vend tjetër. E kemi fjalën te sëmundjet sepse Tirana e Prishtina po i vuajnë të njëjtat halle!

    Se sistemet partiake, pavarësisht se a janë monist apo pluralist – krejt njësoj, janë krejtësisht antidemokratik, tregojnë garniturat e tanishëm të pushteteve në Prishtinë dhe në Tiranë ku për lider të Presidencës, të Parlamentit dhe të Qeverisë vinë njerëz që nuk e kanë as shumicën e thjesht të votave të popullit, por që në ato pozicione vinë si rezultat i manipulimeve partiokratike.

    Pra, njëfarë „BINGO POLITIKE“ i solli presidentët, kryetarët e parlamenteve dhe kryeministrat e ministrat në ato poste që janë. Kjo „BINGO POLTIKE“ me fatin e tyre, se a do të jenë apo jo në ato poste, është e dyfishtë sepse kjo varet se a do të jenë „komunikativ-të dëgjueshëm“ në raport me qendrat e vendosjes në Diktaturën e Perandorisë Globaliste të BE apo jo. Nëse ata e pranojnë rolin e vasalitetit në këto raporte edhe mund të qëndrojnë në ato poste, sepse ata varen nga asistenca e tyre ekonomike, dhe me që vet janë të pa afta për të qeverisur dhe për të siguruar një pavarësi ekonomike, politike e ushtarake të vendit.

    Ti kthehemi asaj se si erdhën sot në këto poste liderët e Tiranës dhe të Prishtinës. Në Tiranë kurrë nuk do të vinin në postet e presidenti, të kryetarit të parlamenti dhe as në atë te kryeministrit dhe të ministrave këta lider që janë po të mos ndahej Partia Socialiste në krahun e Metës dhe Nanos.

    Zotëri Meta vendosi për fatin e posteve të sotme në Tiranë duke e ndarë partinë e vet në dysh. Pra, jo vota e popullit, por Meta e Ramiz Alia kanë përgjegjësi për ardhjen e njerëzve të papërgjegjshëm në krye të vendit. Edhe deri te ardhja e presidentit, kryetarit të parlamentit, kryeministrit e ministrave të sotëm në ato poste në Prishtinë nuk kishte me ardhur kurrë dhe se deri te kjo rrjedhje vjen jo si rezultat i votës së popullit por rezultat i vdekjes të ish presidentit dhe ndarjes së LDK (ish-LKJ) në dy krahë nga ana e Dacit.

    Tani Daci e Meta vet shkuan në opozitë të përjetshme dhe vendit i lan pasoja të përjetshme! Ky përshkrim nuk u dha për ti prezentuar partitë e tyre si më të mira por për të treguar se si ka mundësi që të vjen dikush rastësisht në krye të pushteti si produkt i manipulimeve politike të parive pseudodemokratike!

    Gjatë këtij shkrimi lexuesit do ta vërejnë se askush nuk po përmenden emrat e presidente, kryeparlamentarëve, kryeministrave e ministrave të sotëm në Tiranë e në Prishtinë dhe kjo bëhet me arsye se ata edhe nuk janë emra që kanë subjektivitet. Ata lider janë vetëm numra dhe numrat mund të zëvendësohet me numra tjerë nga diktatorët e Perandorisë Globaliste të BE sa herë që ajo vendos se cili duhet të jetë në krye të një institucione kukull.

    Marionetat janë të zëvendësueshme ndërsa ,me liderët që kanë subjektivitet nuk mund të luan as kush sepse ata fatin e vet nuk e qesin para fatit të atdheut as njëherë.

    Prandaj prej Adem Demaçit e deri te Albin Kurti, të gjithë ata shqiptarë së nuk i kanë vu interesat e kombit në shërbim të interesit personal por veten e tyre në shërbim të kombit, janë të anashkaluar dhe po luftohen ku fshehur e ku hapur me terror social, ekonomik, politikë, policor e gjyqësor nga marionetat e sistemit antidemokratik!

    Përbërja e institucioneve në Prishtinë përbehet prej kameleonëve që zvarriten nga partia në parti në gjurmim se si me mbet në klubin e parazitëve të pushteti të cilët jetojnë në kurriz të buxhetit të vendit duke jetuar si mikrob nga gjaku i popullit të vet.

    Këto ditë i dëgjuam kryeministrin se si e akuzon ish qeverinë për keqpërdorimin e 52 milionëve Euro për telefona edhe benzinë sikur Kosova të ishte më e madhe se Kina. Kryeministri harroi të përmend plaçkitjen që i ka bërë Grupi për negociata me Serbinë buxhetit të Kosovës, për mëditjet e veta marramendëse, për veturat dhe për shitjen e pronës shoqërore me çfarë u shkatërrua baza ekonomike e Kosovës nga njerëzit të cilët ai i merr nga AKM në qeverinë ti si ministra. Ai tha se nga këto 52 milion do ti kursehen së paku 30 milion që do të thotë se 22 milion përsëri do të shkojnë për telefona e për benzinë nga buxheti i Kosovës, derisa njerëzit po vdesin për barna që kushtojnë shumë më pak!

    Çfarë përbërje kanë institucionet pushtetit kukull?

    Përbërja e orkestrës të institucioneve dhe të qeverisë të Kosovës përsëri përbëhet nga shumica e ish anëtarëve të ish-LKJ dhe të ish LDK. Ku për ministra vinë edhe bashkëpunëtorët e UDB ose bijtë e udbashëve. Vet ministrja i drejtësisë ka marr pjesë edhe vet në terrorin gjyqësor politikë të regjimit të Beogradit ndaj shqiptarëve. Si ka mundësi që të bëhet Zv. Kryeministër apo Ministër dikush që as në zgjedhje lokale nuk kanë arritur të fiton votat për kryetar të komunave. Si ka mundësi që në tëra strukturat e institucioneve të Kosovës të mos ketë as 5% njerëz që kanë lindur e janë rritur në qytete, po ku dominojnë fshatarët e një krahine apo të një tjetër krahine si dikur në kohën e titizmit kur në Kosovë dominoni gjakovarët. Dhe çka është edhe me absurde kurrë fshatarët nuk kanë qenë më të anatemuar e më të lan pas dore se tani. Liderët edhe pse vet janë të gjithë fshatar kurrë nuk i zënë në gojë fshatarët dhe hallet e tyre por ata ikin nga identiteti i vet si Drakulla prej drite dhe flasin vetëm për qytetar pa e përmend fjalën fshatar as njëherë. Kosova nuk ka vetëm qytetar, por edhe fshatarë, punëtor, pensionistë, intelektualë, rini e tj.

    Pranvera po vjen dhe „pavarësia“ e Grupit për negocime me Serbinë do të e shpall atë me 1 prill! Por, Kosova më nuk do të quhet Kosovë por „AHTISTARI-STAN“, „SOLLANA-MANI“, „GJUM-BUSH“ apo si të vendoset në BINGO! Himni vetëm është vendos:

    „...shoku Ahtisari ne po të betohemi
    se nga paketa e korrupsionit
    kurrë nuk do të largohemi…“

    Gjyshërit e tyre thonin “tyrkelhamderilah”, baballarët e tyre këndonin “shoku tito ne të betohemi...” e liderëve të sotëm ju shkon dita duke bërë BE-eeee për kokën e Ahtisarit dhe i luten popullit të mos ketë “...as eufori dhe as panik…” !

    Por, pas dimrit vjen pranverat! E pranverat në Kosovës sjellin edhe përmbysjen e pushteteve marioneta dhe ajo do të vazhdoi të jeto prapë shqip dhe vetëm shqip me shpirt në dhëmb, me armë në gji dhe me liri në shpirt e me flamurin e Skënderbeut lartë në qiellin shqiptar! “ …Se ky vend ka lindur burra që nuk njohin dy flamura…!

    30.01.2008

  5. #5
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283
    Në prag të pavarësisë së mbikëqyrur

    Gjendemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për shpalljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës nga Kuvendi i Kosovës. Koha e proklamimit të deklaratës së pavarësisë së mbikëqyrur sipas pakos Ahtisari po numëron ditët apo orët e fundit të këtij çasti historik për popullin shqiptar nëpërgjithësi dhe Kosovën në veçanti.

    Pas miratimit të Deklaratës së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës do të pason kërkesa zyrtare e shtetit të ri të Kosovës për njohjen e saj nga shtetet e ndryshme botërore anëtare të rregullt të Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe me plot të papritura, vështërsi, pengesa gjer në njohjen përfundimtare të saj, e për të cilin nevojitet së paku 130 shtetet e botës për të njohur dhe për të fituar ulësen në OKB, pasi që njohja dhe pranimi i saj nëpërmjet Këshillit të sigurimit dështoi për shkak të kërcënimit të vetos nga ana e Rusisë, ndoshta edhe të Kinës, si dy shtete nga pesë shtete me drejtë vetoje si anëtare e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. .

    Pas këtij akti historik, është shumë me rëndësi se si dhe në çfarë mënyre do të reagojë Serbia, e cila e ka përgatitur me kohë planin e veprimit të qeverisë së saj, i cili mbahet në sekret të plotë. Përveç disa paralajmërimeve të njohura të cilat veç dihen sikurse bllokada ekonomike, embargoja tregtare, energjetike, transitore, rrugore, thelbësore do të jetë se çfarë porosi ju ka dhënë komunitetit serb brenda në Kosovë, a do të përpiqet nëpërmjet tyre dhe personave të infiltruar brenda enklavave nga Serbia të provokojë destabilizimin e brendshëm të Kosovës. Përveç pjesës veriore të Kosovës që është duke e kontrolluar dhe qeverisur de fakto nga viti 1999, të cilin me siguri do të shpallin bashkimin e saj me Serbinë edhe de jure, do të shpallin edhe zonat autonome përreth enklavave brenda Kosovë sikurse që janë Shtërpca, Novobërdoja, Graçanica, Çagllavica, Parteshi etj.të cilat do të vihen direkt nën autoritetin e tyre politik të qeverisë së Serbisë sipas planit aksionar të veprimit. Pjesëtarët serb të SHPK-së që janë në detyrë, përveç që do të braktisin SHPK-në, ka gjasa reale se do të ndërrojnë uniformat e tyre me uniforma tjerë. Do të mbetet të shihet se si do të pozicionohet administrata politike e UNMIK-ut si dhe forca ushtarake e KFOR-it ndaj këtyre veprimeve të qeverisë së Serbisë sipas planit të aprovuar të aksionit më parë,e të zbatuar nga komuniteti serb brenda Kosovës. Pritet të shihet se a do të ndërmarrin masa veprimi për të eliminuar këtë plan, apo në “heshtje” do të aprovojnë këtë aksion të paramenduar me kohë. Hapi tjetër, është vendosja e autoritetit evropian nga Bashkimi Evropian apo EUMIK-u në fushën e sigurisë dhe të drejtësisë i cili do të ketë rol kyç, bile edhe vendimtar, në mbikëqyrjen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, e sidomos në monitorimin e organeve shtetëror ndaj përcjelljes dhe zbatimit të lirive dhe të drejtave të komuniteteve jo shqiptare në Kosovë, e sidomos me theks të posaqshëm të komunitetit serb. Hapi më i vështirë do të jetë zbatimi në vepër i pakos së Ahtisarit, i cili tek atëherë do të shihet se sa vështirë dhe i dhimbshëm do të jetë zbatimi i kësaj pakoje në Kosovë për popullin shumicë shqiptar . Zbatimi i kësaj pakoje të Ahtisarit do të ishte shumë vështirë të realizohej në shtetet evropiane me një traditë të gjatë shtetërore dhe me një demokraci të avancuar, e lere më të zbatohet një pako aq e ndërlikuar në një shtet që sapo lind dhe se në fillim do të jetë i hendikepuar dhe i shtrënguar me restrikcione tejet të ashpra dhe rigoroze që këtë shtet e bënë shumë vështirë funksional, dhe ja hup vlerat e një shteti normal dhe demokratik në Evropë.

    Na mbetet t’ju urojmë dhe t’ju dëshirojmë sukses shtetit më të ri të sapolindur të Kosovës,i cili është i 51 me rrallë në Evropë, por i cili që në fillim do merr frymë thellë, i ballafaquar me pengesat jashtëzakonisht të mëdha që në fillim të jetesës së tij.

    29.1.2008]
    Faik MIFTARI

    /30 Jan 2008/F.F.

Tema të Ngjashme

  1. Procesi i Pavarësimit të Kosovës
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 167
    Postimi i Fundit: 12-10-2012, 06:23
  2. Identiteti evropian i shqiptarëve
    Nga Iliriani në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 572
    Postimi i Fundit: 02-05-2012, 15:45
  3. Aldo Bare: Dokumentat do t’i bëjmë nëpërmjet Gjermenit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 75
    Postimi i Fundit: 21-05-2007, 00:58
  4. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 17-08-2006, 18:04

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •