Nga"Borëbardha" te"Ditarii AnaFrankut", 100 vëllime te domosdoshme

Që adoleshentët dhe të rinjtë e sotëm nuk lexojnë kjo dihej prej kohësh, por problemi qëndron në faktin se si mund t‘u zgjohet atyre kureshtja dhe dashuria për librin në kohën kur çdo ditë e më shumë kjo veprimtari njerëzore po vdes mes brezit në rritje. Leximi ka efekt mbi kulturën gjuhësore të fëmijëve, mbi sistemin e vlerave dhe në përgjithësi mbi botën shpirtërore të të rinjve. Sepse qëndrimi ndaj letërsisë artistike është një nevojë e brendshme, shpirtërore. Nevojën për një përjetim të posaçëm emocionues, intelektual mund të na e japin vetëm librat. Idenë ndoshta më të veçantë për të mundur internetin dhe televizionin e ka pasur gazeta angleze "Daily Telegraph" e cila ka hartuar listën e librave që të gjithë fëmijët dhe të rinjtë duhet të lexojnë. Klasifikimi që gazeta e ka titulluar "100 librat që fëmijët duhet të lexojnë" i drejtohet fëmijëve dhe deri diku edhe adoleshentëve. "Pipi Çorapegjata", "Liza në botën e çudirave" apo "Herry Poter", janë disa nga titujt që mund t‘i bëjnë ata të pasionohen pas leximit, duke hequr dorë, të paktën për disa orë, nga televizioni apo videolojërat. Është e vërtetë se fëmijët tanë nuk lexojnë aq sa duhet dhe se në vend të tyre preferojnë internetin apo televizionin. Me këtë rast e përditshmja londineze rendit historitë që garantojnë se do të ndezin pasionin për letërsinë te fëmijët me shpresën se do të bëhen lexues të rregullt dhe të pasionuar kur të rriten. "Fëmijës tim nuk i pëlqen të lexojë, nuk lexon aq sa duhet, apo lexon vetëm libra me ilustrime dhe budallallëqe pa vlerë", është shqetësimi i shumë prindërve të ditëve të sotme. Që leximi i letërsisë artistike mes të rinjve është në rënie, e konfirmojnë plotësisht edhe statistikat. Kështu, sipas një sondazhi të kryer së fundmi në Britaninë e Madhe, tregohet se vetëm 20% e fëmijëve mes moshës 6-16 vjeç, lexojnë çdo ditë nga një libër, ndërsa pjesa më e madhe dhe respektivisht 53 për qind, maksimumi lexojnë nga një herë në javë. Rreth 40 për qind thonë se nuk arrijnë të përqendrohen mbi libra, sepse janë shumë të gjatë; 48 për qind thonë se kur vijnë në shtëpi në mbrëmje janë shumë të lodhur për të lexuar një libër, 46 për qind, për të njëjtën arsye, pëlqejnë më mirë të shohin televizor, 26 për qind tregojnë se preferojnë të navigojnë në internet ose të luajnë "Playstation". Dhe më pak se 25 për qind e lexuesve të rregullt arrijnë të lexojnë vazhdimisht çdo ditë. Pra, shifrat tregojnë qartë se e njëjta tendencë po përhapet me ritme të shpejta edhe në pjesën më të madhe të vendeve të Evropës, po ashtu dhe në Amerikë.

Në kohët e fundit, po dalin gjithmonë e më shumë, si kërpudhat pas shiut, sajte interneti që tregojnë se si duhet t‘u fusim në gjak fëmijëve dashurinë për leximin, por pavarësisht kësaj, paradoksal është fakti se pikërisht interneti, së bashku me televizionin dhe videolojërat, i bën konkurrencë letërsisë dhe gjithmonë e më shumë është ai që po i fiton sfidat. Megjithatë se çfarë duhet të lexojnë fëmijët tanë, në mënyrë që t‘u shtohet dashuria për librat, për të ndihmuar mësuesit dhe prindërit të zgjedhin, "Telegraph" ofron listën e tij: rreth 100 libra të mrekullueshëm të letërsisë botërore që u këshillohen të vegjëlve deri në moshën 16 vjeç. Mes atyre që propozohen janë: për të vegjëlit: "Borëbardha", "Hirushja" apo "Uini Pu"; për fëmijët më pak të rritur: "Përrallat" e vëllezërve Grim, "Piter Pan" i James Matthew Barrie apo "Pipi Çorapegjata" i Astrid Lindgren. Për sa u përket adoleshentëve, sugjerimet e gazetës angleze janë si më poshtëë: "Liza në botën e çudirave" i Lewis Carroll, "Ishulli i thesarit" i Robert Louis Stevenson, "Aventurat e Tom Sojerit" i Mark Twain, për të vazhduar më tej me "Oliver Twist" të Çarls Dickens, "Kim" i Rudyart Kipling, "Gra të vogla" të Luiza May Alcot, për ta mbyllur me "Ditarin" e Ana Frankut. Nuk i mungojnë zgjedhjes edhe "Princi i vogël" i Antonie de Saint Exuper, "Tre moskëtjerët" nga Aleksandër Duma, "Robinson Kruzo" i Daniel Defo, "Djemtë e rrugës Pal" i Ferenc Molnar, si dhe Pinoku. Por, edhe pse këto konsideron si thesare të letërsisë botërore, problemi është se si t‘i bësh fëmijët dhe adoleshentët t‘i marrin në dorë për t‘i lexuar. Dyshimet se një listë e tillë, mund të mos i bëjë fëmijët të tregojnë interes ndaj tyre janë të mëdha. Nick Hornby, një autor anglez, romani i fundit i të cilit ka pak kohë që ka dalë në Mbretërinë e Bashkuar, për herë të parë u drejtohet lexuesve më të vegjël. Vetë ai, që ka shkruar shumë si dhe përse duhet të lexojmë, nuk është aspak i bindur se kjo listë mund të jetë efikase. "Të bësh listën e librave që një fëmijë duhet të lexojë në mënyrë që të dojë letërsinë është mënyra më e mirë për larguar dashurinë për letërsinë. Të pretendosh se fëmijët tanë do të pëlqejnë të njëjtat libra që kemi pëlqyer edhe ne apo prindërit e tyre 40 vjet më parë është tërësisht absurde. Le të lexojnë ç‘të duan. E rëndësishme është që të kenë stimuj të mjaftueshëm për ta bërë, në familje dhe në shkollë, të mund të zgjedhin lirisht, pa një rrugë të përcaktuar nga të rritur që nga bota e tyre njohin gjithmonë e më pak", tregon autori i disa nga librave më të shitur në botë. "Asnjë guidë për fëmijët dhe sidomos asgjë që mund të jetë njëlloj nga njëri brez te tjetri". Për çdo rast, shton Michael Morpurgo, shkrimtar i njohur i historive për fëmijë, normat e vendosura nga shkolla në kohët e sotme janë tërësisht të gabuara. "Mësimi në shkolla është pjesërisht përgjegjës për mungesën e dëshirës që të rinjtë kanë për të lexuar. Shkolla u jep nxënësve idenë se letërsia nuk bën për ta, por që është një botë e rezervuar vetëm për një kastë të caktuar lexuesish dhe shpesh motivi është se të lexosh është ndryshe nga dëshira për të treguar. Shumë fëmijë, të cilëve u ishte ngjizur dashuria për librat, duke i dëgjuar ata të tregohen nga prindërit apo anëtarët e tjerë të rritur të familjes para se t‘i zërë gjumi, e humbin shumë shpejt këtë dashuri në bankat e shkollës ku të lexuarit nuk është kënaqësi por detyrë. Për t‘u dashuruar me letërsinë nevojiten patjetër histori tërheqëse, dhe jo gjithmonë shkolla është e aftë t‘ua japë". Por nuk është kurrë vonë për të nisur, rrëfen Alain de Bottom, një gazetar dhe shkrimtar anglez, libri i fundit i të cilit me titullin "Si Prusti mund të ndryshojë jetën tuaj", mjafton që kjo të bëhet në moshën e duhur cilado qoftë ajo: "Dashuria e vërtetë dhe e parë me letërsinë ka qenë në moshën 21 vjeç kur kam lexuar "Vuajtjet e djaloshit Verter" të Gëtes. Të fillosh të lexosh shpejt me pasion patjetër të ndihmon që diçka të tillë ta bësh edhe kur rritesh kur vjen mosha e arsyes. Nuk është e thënë që dashuria për librat të lindë që nga bankat e shkollës". Teoria e tij është kjo: Edhe nëse fëmijët tani nuk pëlqejë "Pipi Çorapegjatën" ose "Ishullin e thesarit", siç pëlqenim ne, Prust është akoma në kohë për t‘u ndryshuar jetën. Në fund të fundit, çdo brez ka librat e tij të preferuar".

Gazeta Shqip