gazeta shqiptare:
Flet kuzhinieri personal i familjes mbretërore
"Mbretit Leka i pëlqejnë fasulet e byreku"
--------------------------------------------------------------------------------
Rezarta Delisula
TIRANE
Ka një lidhje ndryshe me Leka Zogun. Daja i tij, Bajram Neli, ka qenë oficer i oborrit mbre-tëror. Ka vdekur në 1982-shin në Francë dhe është varrosur pranë mbretit të tij. Pas shumë vitesh, Leka Zogu ka ruajtur amanetin e të atit.
Në koleksionin e armëve ruan edhe pistoletën me dorezë të fildishtë të oficerit mbretëror Bajram Nelit. Eshtë rritur në mes të burrave që flisnin me dashuri dhe nostalgji për Ahmet Zogun, edhe pse ka qenë e ndaluar. Hysen Neli është kuzhinieri personal i Leka Zogut. Ka punuar si kuzhinier që prej 32 vjetësh dhe tani në moshën 50-vjeçare u realizua ëndrra e tij: të gatuajë për mbretin.
Njohja
Më 1997-n Leka Zogu mbërriti në kryeqytet për të dytën herë. "Meqë nuk pata mundësi ta takoja në vitin 1993, shkova te hoteli ku ai qëndronte. Guri Durollari bëri prezantimin, duke i thënë se unë isha nipi i Bajram Nelit. U përqafuam fort dhe i shpreha dëshirën mbretit Lekë që të më merrte si kuzhinierin e tij", tregon Hyseni. Në atë kohë Ceni, ashtu siç e thërrasin miqtë, punonte shef kuzhine në Spitalin Ushtarak. Në vitin '97 punoi tre muaj si kuxhinier i Lekës, madje e ndiqte atë edhe kur shkonte jashtë Tirane. Edhe babai i Cenit ka qenë oficer i oborrit mbretëror. "Pasi iku mbreti Leka, kam menduar thuajse çdo ditë për kthimin e tij. Mua më pëlqen shumë të rrij me të, pasi është njeri i thjeshtë dhe komunikues, jam rritur duke më folur për familjen mbretërore", thotë Ceni. Që nga 28 qershori i vitit 2002 Hysen Neli punon në familjen mbretërore dhe, siç shprehet ai, do të vazhdojë të jetë gjithnjë në shërbim të tyre. Hyseni pi cigaret "Rothmans" që pi Leka Zogu e po kështu edhe shumë pjesëtarë të tjerë të oborrit. Ceni na tregon se në shtëpinë mretërore flitet vetëm shqip, madje edhe mbretëresha Suzan kupton shumë mirë dhe flet gjuhën e të shoqit. Kur Hyseni shtron tryezën, kënaqet kur dëgjon që mbreti Leka Zogu e thërret Hysen Aga. "Janë njerëz të edukuar dhe të urtë, dhe unë jam me fat që ndodhem mes tyre", shprehet kuxhinieri.
Fasule me spec
Kuxhinieri personal i familjes mbretërore thotë se Leka Zogut i pëlqejnë shumë gatimet tradicionale shqiptare. Gjella më e preferuar e tij është fasule me spec djegës, por edhe byrekun me spinaq e pëlqen shumë. Në mëngjes Leka Zogu preferon të pijë kafe turke pa sheqer të shoqëruar me ujë ose me ndonjë leng frutash. Në drekë zgjedh gjithnjë gjellë tradicionale, ndërsa në mbrëmje meze të ftohta. "Mbreti Leka nuk ha shumë, ndërsa duhanin e ka më qejf", thotë Ceni kuzhinieri i tij, duke shtuar se mbreti është rritur mes shqiptarëve dhe që i vogël është mësuar me gatim shqiptar. Mbreti Ahmet Zogu ka thyer një rekord ndërkombëtar, duke pirë 8 paketa mbrenda një nate, e duket se trashëgimtari i tij nuk mbetet shumë prapa. Leka ka qejf të pijë ndonjë gotë konjak "Skënderbeu" dhe po ashtu i pëlqen edhe birra "Tirana". Edhe princi Leka nuk bën naze për të ngrënë. Ceni na tregon se në mëngjes ai ha vezë omeletë, ndërsa në mbrëmje i pëlqen të hajë edhe pica. Mbretësha Suzana pëlqen peshkun dhe pulën e pjekur, ndërsa duhani i preferuar në Shqipëri është "Imperial".
28 Nëntori
Për preferencën e Leka Zogut në ushqim na tregon dhe një roje personale e mbretit. Sipas tij, kur kishin qenë në Tropojë në vitin 1997, mbreti do bënte një vizitë te të afërmit e ish-ministrit të kohës së Zogut, Abedin Mulosmanit. Porosia e tij për të ngrënë, ishte "bukë misri dhe fasule me spec djegës". Edhe familja mbretërore e ka festuar në mënyrën e vet 28 Nëntorin. Ceni tregon se mbreti Leka i tha që në mëngjesin e asaj dite të përgatisë një drekë të madhe ku, përveç punonjësve të oborrit, do të kishte të ftuar edhe miq. "Poqa qingja në hell dhe përgatitëm meze të tjera për të gjithë të pranishmit, ndërsa në tryeza kishte vetëm birrë vendi", tregon Ceni, duke shtuar se në mbrëmje mbreti Leka ishte i thirrur nga presidenti Moisiu në Pallatin e Brigadave. Tani mbreti Leka Zogu është qetësuar, pas humbjes të së ëmës, kjo falë ngrohtësisë që merr nga gruaja dhe djali i vetëm.
------------
Krijoni Kontakt