Postuar më parë nga
DI_ANA
Një legjendë interneti për prejardhjen e emrit Shqiptar
Arber Hasangjekaj
18-01-2008
Një legjendë interneti për prejardhjen e emrit Shqiptar
Lexova me mjaft interes shpjegimin e fjalës "shqiptar" nga gjuhëtarja e ftuar në rubrikën tuaj dhe ju falënderoj për shpjegimet. Sigurisht që ai është një shpjegim i saktë shkencor dhe gjuhësor, por unë doja të sillja në këto faqe të hapura edhe një legjendë mbi emrin "Shqiptar", që e kam gjetur në një forum në internet me autore italiane. Sigurisht që është një përrallë e bukur, por a nuk është e vërtetë që të gjithëve na pëlqejnë nga pak përrallat?
****
Një i ri kishte dalë për gjah në male dhe një Shqiponjë që vinte rrotull mbi kokën e tij, ndali në një shkrep shkëmbor. Kjo shqiponjë ishte jashtëzakonisht e bukur dhe kishte mbërthyer për sqepi një gjarpër. Pas pak, shqiponja u ngrit sërish fluturimthi nga kreshta dhe u drejtua për andej nga kishte folenë.
Djaloshi u mbërthye nëpër shkëmbinj, dhe u ngjit lart deri në majën e shkëmbit ku ndodhej foleja e shqiponjës. Aty pa të voglin e shqiponjës duke luajtur me gjarprin e ngordhur. Por gjarpri nuk kishte ngordhur ende në të vërtetë…Në një moment ai lëvizi me shpejtësi trupin duke nxjerrë dhëmbët e vegjël, gati për të injektuar në trupin e shqiponjës, helmin e vet të tmerrshëm…
Me shpejtësi dhe guxim, djaloshi nxori harkun dhe shigjetën, qëlloi mbi gjarprin dhe e vrau atë. Pastaj mori shqiponjën e vogël dhe u drejtua rrugës së kthimit në shtëpi…
Papritur djali gjuetar ndjeu mbi kokë një rrahje kërcënuese krahësh dhe një hije e madhe e zezë e mbuloi. Ishte shqiponja nënë që qëndroi përballë tij...
- Përse e rrëmbeve tim bir? - klithi rëndë Shqiponja.
- I vogli tani është imi, sepse e shpëtova nga gjarpri që ti ende nuk e kishe vrarë, - iu përgjigj djali
- Më kthe djalin tim, - gjëmoi shpendi i madh, - dhe në këmbim unë do të të jap mprehtësinë e syve dhe forcën e krahëve të mi. Ti do të bëhesh i pamposhtur dhe do të njihesh nën emrin tim…"
Pakti u pranua. Djali i ri dorëzoi shqiponjën e vogël. Kjo e fundit u rrit dhe fluturon gjithmonë mbi kokën e djalit, pranë tij. Ai u bë një burrë i madh i fortë që luftonte bishat e egra dhe armiqtë e atyre anëve.
Gjatë gjithë këtyre përpjekjeve të tij, Shqiponja besnike e shihte dhe e udhëhiqte nga lart. Të mahnitur nga kjo bashkëjetesë e pazakontë e gjuetarit të njohur me shpendin e bukur, njerëzit nisën ta quanin atë djalë dhe pasardhësit e tij, "Shqiptar", që do të thotë Bir i Shqiponjës dhe mbretërinë e tij, Shqipëri, ose Toka e Shqiponjave.
Marre nga Gazeta Shekulli
E dime qe asnje nga ne nuk beson te legjendat,por a nuk eshte pershkruar aq bukur?!
Respekte
Krijoni Kontakt