Artan Mullaj
11-01-2008




Si në të gjitha fushat e zhvillimit tonë, edhe arsimi shqiptar provokon mjaft arsye për t'u zhgënjyer. Mjafton të përfytyrosh se fëmijët tanë "dimërojnë" dijet e tyre në shkolla publike me turne dhe pa ngrohje e ndriçim, me trurin dhe këmbët e mpira. Ose mjafton të kujtosh radhët e turpshme të blerjes së librave, me gjithë faturat e vjedhjeve në vijim. Por une dua të momentoj dhe rikthej në vëmendje një dukuri të publikuar dhe debatuar edhe më parë nga media dhe politika, shkollën greke në Korçë. Sipas meje është pikërisht kjo shkollë rënia e kambanës dhe prova më e mirë e dështimit të programit propagandistik qeveritar për arsimin.

Shkolla e debatuar greke sot ka në krah një ndërtesë binjake, që me sa duket do të jetë shumë shpejt një gjimnaz grek, apo një kolegj profesional pranë fushës se Dvoranit). Janë bërë pra dy ndërtesa klasike në radhë, dhe natyrisht, nuk mund të ketë asnjë arsye për të menduar se nuk do të ketë të tjera të tilla në vazhdim, shkolla artistike greke, shkollë baleti grek, universitet grek në Korçë, e ku di unë.. Gjithsesi, kjo ngjarje, natyrisht dhe absolutisht, për opinionin tim përbën një zhvillim të dobishëm. Edhe pse në programet e mësimdhënies atje mund të ketë probleme serioze, edhe pse atje mund të provokohen ndijime subnacionaliste, megjithë hidherimin total që sjell kjo rrëmujë, ajo përbën në vetvete një zhvillim të dobishëm. Fëmijet e zonës atje civilizohen, edukohen seriozisht dhe qytetërohen, dhe kjo nuk është pak. Ndryshe nga ç'është nëpër shkollat publike mbarë vendit, të vegjlit atje kanë kompjutera, kaloriferë, mësues të arsimuar, të licencuar dhe pedagogji të shëndetshme. Nxënësit atje kanë internet të vërtetë, laboratorë, shpresa, qetësi, ajër të pastër, gjithë çka do të duhej për edukimin normal dhe gjithë çka do dëshirohej nga gjithkush. Kështu ndodh kur Shqipëria dhe gjuha shqipe janë shnderruar në epitete të katrahurës.



http://www.shekulli.com.al/news/46/A...008-01-11.html