31 DHJETOR E HËNË | 2007| R EPORTAZH

Në mesin e shqiptarëve të Prilepit - Më afër fshatit Cërnilishtë

Shaban DALIPI

Fshati Cërnilishtë është afër qytetit të Prilepit dhe i takon Komunës së Dollnenit.
Shtrihet në pjesën veriore të saj, aty ku fillon rrafshnalta e Pellagonisë. Ky fshat që
numëron rreth 380 shtëpi merret kryesisht me kultivimin e duhanit dhe drithërave,
të cilat mbillen në një sipërfaqe prej 1 mijë e 500 hektarësh. Aktualisht në fshatin
Cërnilishtë jetojnë rreth 2 mijë banorë shqiptarë, të cilët ekzistencën familjare
e sigurojnë pikërisht nga kultivimi i këtyre produkteve. Banorët e këtij fshati janë
punëtorë të zellshëm dhe të përkushtuar ndaj prodhimit të duhanit, i cili shquhet
për cilësinë e lartë. Për çdo vit, Cërnilishta prodhon rreth 8 qind tonë duhan,
por nuk ngec as prodhimi i grurit i cili arrin deri më 1 mijë e 200 tonë.

Pikërisht kultivimi i këtyre rendimenteve, e ka ruajtur Cërnilishtën nga migrimi i
popullatës, na sqaron Ismail Ahmeti, 71- vjeçar. "Të gjitha familjet që jetojnë këtu
merren me prodhimin e duhanit dhe të drithërave, ku përmes tyre ne kemi siguruar
mbijetesën dhe tani jemi të kënaqur jo vetëm se në këtë mënyrë kemi zgjidhur
çështjen e punësimit, por edhe kemi ruajtur kompaktësinë e familjeve tona dhe të
fshatit në përgjithësi", shprehet Ahmeti, duke shtuar se në krahasim me fshatrat tjera,
nga Cërnilishta shumë pak veta e kanë marrë rrugën e kurbetit në vendet e huaja.
Në mbështetje të fjalës së tij, një grup të rinjsh thonë se në punët e vështira për
prodhimin e duhanit angazhohet e tërë familja, nga të vegjlit e deri te më të
moshuarit sepse në këtë mënyrë punësohen të gjithë anëtarët e familjes. Ahmeti
rrëfen se prodhimi i duhanit dhe i drithërave në këtë fshat ka filluar të rritet
me zgjerimin e tokës pjellore, të cilën banorët e Cërnilishtës e kanë blerë nga
maqedonasit e fshatrave fqinje, siç është Gostirazhi, Strovi, Dollgoveci, Margari
dhe Gostinca. Ai potencon se familjet e këtushme, tani kanë sipërfaqe të mjaftueshme
të tokës pjellore për të siguruar kushtet e një jetese të mirë pa u larguar nga
vendlindja.

Tmerret e represionit

Fshati Cërnilishtë ka përjetuar edhe tmerret e represionit të pushtuesve të ndryshëm,
të cilët në këto mjedise kanë zhvilluar dy fushata të shpërnguljeve masive.
Sipas Xha Ahmetit, fushata e parë ka ndodhur gjatë periudhës së vitit 1918,
ku nga fshati Cërnilishtë janë dëbuar me dhunë mbi 60 familje, ndërsa fushata e
dytë është realizuar nga pushteti komunist, gjatë viteve 1955-1956 ku nga ky
fshat u dëbuan për në Turqi rreth 45 familje nga gjithsej 140 shtëpi, sa i kishte
atëherë fshati. "Pas këtyre shpërnguljeve të dhunshme, tendencat asimiluese u
përqendruan në fushën e arsimit. Shkolla fillore e fshatit Cërnilishtë e hapur
menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore nga mësimdhënësit e ardhur nga Shqipëria,
deri më vitin 1963 ka mbajtur emrin e Ismail Qemalit, ndërsa më pas kjo shkollë u
quajt "Petre Gligoroski", thotë Ahmeti. Ai i ka të freskëta kujtimet e periudhës së
atëhershme të pushtetit komunist. "Nuk na mjaftonte vetëm arsimimi fillor prandaj
unë së bashku me bashkëfshatarët e mi, 12 herë me radhë kemi shkuar në Shkup
për të kërkuar hapjen e shkollës tetëvjeçare në gjuhën shqipe dhe këtë të drejtë
legjitime e fituam më vitin 1975", rrëfen plaku 71-vjeçar, i cili nuk lë pa i përmendur
edhe goditjet që iu bënë arsimit shqip pas vitit 1981. Por edhe përkundër këtyre
vështirësive nga ky fshat, dolën kuadro të profileve të ndryshme dhe me tituj
shkencorë, të cilët tani japin kontributin e tyre për zhvillimin e fshatit.

Zëri i intelektualëve për shkollë

Pikërisht kuadrot e këtij fshati, sot kanë ngritur zërin e tyre kundër një padrejtësie
tjetër. Ata nuk mund të pajtohen që selia e shkollës së tyre që ka 350 nxënës,
të jetë në shkollën "Petre Gligoroski" të fshatit Kostincë, ku mësimin e vijojnë
vetëm 15 nxënës maqedonas, nga klasa e parë deri në të tetën. Për 16 arsimtarët e
shkollës së Cërnilishtës kjo është e palogjikshme, por tendencat e këtilla bien sepse
numri i nxënësve shqiptarë vazhdimisht rritet, ndërkohë që numri i atyre maqedonas
zvogëlohet në atë masë saqë pas disa vjetësh parashikohet mbyllja e shkollës së
Gostincës, shprehen ata. Arsimtari i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Rexhep Ibraimi,
thotë se në krahasim me shkollat tjera ku kemi rënie permanente të numrit
të nxënësve, shkolla e Cërnilishtës shënon rritje të numrit të nxënësve.
"Sivjet kemi mbi 80 nxënës të klasës së parë dhe ky numër me siguri do të rritet pasi
që shtohet edhe numri i banorëve të fshatit sepse shumë rrallë mund të ndodhë,
që ndonjë familje të largohet nga vendlindja", shprehet Ibraimi, i cili shton se pas
riparimit të objektit dhe zgjerimit të hapësirave mësimore, shkolla i plotëson të
gjitha kushtet për zhvillimin e procesit edukativ-arsimor.

Jeta vazhdon të përmirësohet

Kohët e fundit, në fshatin Cërnilishtë janë përmirësuar dukshëm gati të gjitha
kushtet e jetesës. Sa i përket infrastrukturës, ky fshat, lidhet me vendbanimet tjera
dhe rrugën rajonale Prilep - Kërçovë, përmes rrugës e cila është asfaltuar me
vetëkontributin e banorëve, qysh në vitin 1970, ndërsa rrjeti i ujësjellësit që shtrihet
në një gjatësi prej 8 kilometrash, i plotëson nevojat e banorëve nëse uji
shfrytëzohet në mënyrë racionale. Cërnilishta ka një ambulancë e cila është ndërtuar
më vitin 2002 dhe aty punon një mjek dhe dy infermiere, që janë në shërbim të
pacientëve të fshatit.

Në qendër të fshatit, në afërsi të objektit shkollor, në përfundim e sipër është
objekti i xhamisë, që përveç banorëve të fshatit, është ndihmuar edhe nga
besimtarët e Kërçovës, Tetovës, Gostivarit dhe Strugës. Banorët e këtij fshati tani
bëjnë përpjekje për hapjen e ambulancës stomatologjike, si dhe të barnatores,
për të cilën kanë më tepër nevojë. Ata pohojnë se kanë nevojë edhe për hapjen e
një filiali të shërbimeve postare i cili duke u bazuar në premtimet e dhëna do të
fillojë punën së shpejti. Kjo do të thotë se në këtë vendbanim krijohen kushte me të
cilat do të parandalohet shpërngulja e popullatës.

Nga pikëpamja ekonomike këtu gjithçka është e lidhur me duhanin prandaj edhe
shfaqet interesimi që nga kjo punë shumë e lodhshme ku angazhohet e tërë familja,
kompensimi të jetë më i madh. Por, banorët shpresojnë në ditë më të mira të cilat
do të vijnë doemos nga potenciali rinor, që tashmë po merr në dorë të gjitha
organizimet për zhvillimin e fshatit. Të rinj veprojnë të bashkuar.
Feta Ibraimi, i cili ka kryer studimet në Fakultetin e administratës publike në
Tetovë dhe tani është i punësuar si mësimdhënës në shkollën e Desovës,
shprehet se kjo rini dallohet nga ajo e fshatrave të tjera për nga afërsia dhe
kompaktësia. "Mbi 600 të rinjtë e këtij fshati veprojnë gjithnjë të bashkuar dhe ky
unitet jep efekte pozitive në organizimin e manifestimeve kulturore dhe sportive",
thotë Ibraimi. Përveç aktiviteteve sportive, të rinjtë e Cërnilishtës i bashkon edhe
SHKA "Tingujt e Pellagonisë", e cila promovon vlerat burimore të këngës, valleve,
veshjes popullore dhe dokeve e zakoneve të kësaj ane. SHKA "Tingujt e Pellagonisë" nga fshati
Cërnilishtë , është prezantuar edhe në Festivalin e këngëve folklorike "Sharri këndon"
në Tetovë, ku mori çmimin e parë me vallen e "Plakut", që e luajtën të rinjtë të cilët
njëherësh prezantuan denjësisht edhe veshjen kombëtare të këtij rajoni.

Në kultivimin e vlerave të traditës dhe trashëgimisë kulturore të këtij fshati,
kontribut të madh ka dhënë edhe Radio "Rinia" nga Cërnilishta e cila prej vitit
1997 e deri më tani ka transmetuar në vazhdimësi emisione për fëmijë, bujqësi,
shëndetësi, si dhe nga fusha e arsimit, sportit dhe kulturës. Banorët e këtij fshati i
shprehin mirënjohje edhe revistës "Zëri i Pellagonisë", e cila është angazhuar në
mënyrë permanente që sa më denjësisht të prezantojë vlerat kulturore të fshatit
Cërnilishtë.

Shpend VINCA - KOHA