Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Ngelem unë! Maska e DI_ANA
    Anëtarësuar
    30-12-2006
    Vendndodhja
    France.
    Postime
    5,874

    Dituria dhe padituria e natyrës njerëzore!

    Kur ikën dhe kur del në dritë...


    PLATONI

    E tani, thashë unë, lermëni t’ju tregoj me një shembëlltyrë sa e ditur ose e paditur është natyra e njeriut: - Shikoni! Ca qenie njerëzore që rrojnë në një shpellë nën tokë, që grykën e ka të hapur nga drita dhe drita arrin deri në fund të saj. Këtu ata janë që fëmijë, të lidhur për qafe e për këmbësh dhe të pamundur për të lëvizur dhe mund të shohin vetëm ç’bëhet përpara tyre, se zinxhirët nuk i lënë të kthejnë kokën. Përmbi ta dhe prapa tyre ka një zjarr që ndrin në largësi, e midis zjarrit dhe të lidhurve ka një si rrugë të ngritur dhe, po të vështrosh, do të shohësh faqen e një muri të ulët të ndërtuar rrëzë rrugës, si ajo perdja që aktorët e kukullave vënë përballë vetes, ndaj së cilës lëvizin kukullat.
    E shoh.
    Dhe a i sheh, thashë unë, njerëzit që kalojnë rrëzë murit të ngarkuar me enë, me statuja e me figura kafshësh prej guri e druri e lëndësh të tjera, që duken përmbi mur? Disa prej tyre flasin, disa rrinë të heshtur.
    Shembëlltyra që më rrëfeve qenka e çuditshme, po të çuditshëm qenkan edhe të lidhurit.
    Si puna jonë, thashë unë, ata shohin vetëm hijet e veta ose hijet e njëri-tjetrit, që flakët i hedhin në faqen e kundërt të shpellës.
    Ashtu është, tha ai, e si të shohin gjë tjetër përveç hijeve, përderisa nuk lejohet ta lëvizin kurrë kokën?
    E pra, kështu, thashë unë, ata do të mund të shohin vetëm hijet e sendeve që u kalojnë përpara.
    Po, tha ai.
    E, po të mund të flisnin me njëri-tjetrin, a nuk do të mendonin se flasin për gjëra që janë vërtet?
    Ashtu është.
    E ta zëmë, pastaj, sikur shpella të kishte një jehonë që të vinte nga ana tjetër, a nuk do t’u shkonte mendja atyre se, kur të fliste ndonjëri nga kalimtarët, zëri që dëgjojnë vjen nga hijet që kalojnë?
    Patjetër, tha ai.
    Të vërteta për ta, thashë unë, do të ishin vetëm hijet.
    Ashtu është, vërtet.
    E tashti shih ç’do të ndodhte, sikur të lidhurit të liroheshin dhe dikush t’u thoshte se ato që shihnin, nuk ishin të vërteta. Në fillim, kur ndonjëri syresh të lirohet dhe të detyrohet papritur të ngrihet më këmbë, të kthejë qafën e të ecë e të vështrojë drejt dritës, do të vuajë fort; drita do t’ia marrë sytë e ai nuk do të jetë i zoti t’i shohë ashtu siç janë ato, që në gjendjen e mëparshme, i kishte parë vetëm si hije; pastaj, merre me mend ç’do të ndodhte, sikur dikush t’i thoshte se ato që shihte, më parë kishin qenë vetëm vagëllime, ndërsa tani ai po i afrohej më shumë së vërtetës e syri po i shihte gjërat ashtu siç janë dhe më qartë – si do të përgjigjej? Dhe përfytyro, pastaj, sikur mësuesi t’i tregonte gjërat që i kalojnë para sysh dhe t’i thoshte t’u vinte emra – a nuk do të hutohej ai? A nuk do të mendonte se hijet që shihte, më parë kishin qenë më të vërteta sesa gjërat që i shfaqeshin tani?
    Shumë më të vërteta.
    E po të detyrohej t’ia ngulte sytë dritës, a nuk do t’i dhembnin sytë e do t’u kthehej gjërave që mund të shohë e që do t’i dukeshin më të qarta, sesa gjërat që i shfaqen tani?
    E vërtetë, tha ai.
    E ta zëmë prapë se do ta tërhiqnin me zor nga shkëmbinjtë e ashpër të shpellës dhe, ashtu të shtrënguar, ta nxirrnin në dritën e diellit, a nuk do të vuante, a nuk do të pezmatohej ai? Kur t’i afrohej diellit, do t’i merreshin sytë dhe nuk do të ishte i zoti të shihte asgjë.
    Asgjë nuk do të shihte, tha ai.
    Do t’i duhet të mësohet me ato që sheh në botën e sipërme. Në fillim do t’i shohë më mirë hijet, pastaj pasqyrimet e njerëzve e të sendeve në ujë, e pastaj dhe vetë sendet; pastaj ai do të vështrojë dritën e hënës dhe të yjeve të qiellit; dhe qiellin dhe yjet do t’i shohë natën më mirë se diellin ose dritën e diellit ditën, apo jo?
    Sigurisht.
    Në fund fare, ai do të jetë në gjendje të shohë diellin dhe jo vetëm pasqyrimet e tij në ujë, po do ta shohë atë në vendin e tij e jo në ndonjë vend tjetër; e do ta shohë ashtu siç është.
    Sigurisht.
    Pastaj do të fillojë të arsyetojë se dielli është ai që bën stinët e vitit dhe që ruan gjithë ç’ka në botën që shihet dhe, në njëfarë mënyre, do ta quajë shkakun e të gjitha gjërave që ai dhe shokët e tij janë mësuar të shohin?
    Ashtu është, tha ai, në fillim ai do të shohë diellin dhe pastaj do të arsyetojë rreth tij.
    E kur t’i kujtohet vendi ku ka qenë më parë dhe ajo që dinin ai dhe shokët e shpellës, si thua, nuk do të gëzohet për ndryshimin e gjendjes e nuk do t’i vijë keq për ta?
    Patjetër që do t’i vijë keq. E po ta kishin zakon ta lavdëronin atë që, në mes tyre, ishte më i shpejti në kapjen e hijeve kalimtare dhe në vëzhgimin se cila hije dilte para tjetrës, cila vinte pas saj e cilat dilnin bashkë, pra, se kush ishte më i zoti për të nxjerrë përfundime lidhur me të ardhmen, a mendon ti se tani do t’i bëhej vonë për këto lavdërime apo do t’ua kishte zili atyre që i fitonin? A nuk do të thoshte ai bashkë me Homerin: Më mirë të jesh shërbëtor i varfër i një zoti të varfër, dhe t’i durosh të gjitha të ligat më parë se të mendosh e të rrosh siç mendojnë e rrojnë ata?
    Po, u përgjigj ai, them se ai do të ishte gati të hiqte të zitë e ullirit, më parë se të binte prapë në ato mendime të gabuara dhe të jetonte në atë mënyrë të mjerueshme.
    Pa përfytyro edhe një herë, thashë unë, sikur atë njeri ta hiqnin befas nga dielli dhe ta kthenin prapë në vendin që zinte më parë; a nuk do t’i binin sytë në errësirë të plotë?
    Sigurisht që do t’i binin, tha ai.
    E po të bëhej një garë dhe ai të hahej në vëzhgimin e hijeve me shokët që nuk kishin dalë kurrë nga shpella, kur vështrimin e kishte ende të dobët e sytë nuk i ishin mësuar (e koha që do t’i duhej për t’iu mësuar sytë, mund të ishte shumë e gjatë), a nuk do të bëhej qesharak? Shokët e shpellës do t’i thonin se ishte nisur me sy dhe ishte kthyer pa sy; e se atë që do të përpiqej të lironte e të nxirrte në dritë ndonjë tjetër, do ta kapnin e do t’ia merrnin shpirtin.
    Ashtu do të bënin, vërtet, tha ai.
    Gjithë këtë shembëlltyrë, thashë unë, i dashur Glaukon, mund ta lidhësh me atë që thamë më parë; shpella është bota e asaj që shikojmë, drita e zjarrit është dielli, e shpresoj të mos më keqkuptosh kur të them se rruga për lart është ngjitja e shpirtit në botën e intelektit, sipas bindjes sime të shkretë që, me dëshirën tënde, e shpreha në këtë mënyrë – mirë a keq, një Zot e di. Por, i drejtë apo i gabuar qoftë, mendimi im është se në botën e dijes, ideja e së mirës është ajo që shfaqet në fund dhe shihet vetëm në qoftë se bëhen përpjekje për ta parë; e kur shihet, duhet kuptuar si krijuese e gjithçkaje të mirë dhe të drejtë, lindëse e dritës dhe zonjë e dritës në këtë botë që shihet dhe burim i parë i arsyes e i së vërtetës në botën e intelektit; e kjo është forca që duhet t’ia ngulë sytë kush do të veprojë sipas arsyes, qoftë në jetën publike apo private.
    Më ke në një mendje, tha ai, për aq sa jam në gjendje të të kuptoj.
    Për më tepër, thashë, s’duhet të habitesh që, kush ka arritur të shohë këtë lumturi, të mos dëshirojë të ulet në nivelin e njerëzve të tjerë; se shpirti i tij synon përherë të arrijë në botën e lartë, ku dhe dëshiron të rrijë; e kjo dëshirë e tij është fort e natyrshme, në qoftë se shembëlltyra jonë është me vend.
    Po, fort e natyrshme është.
    E a ka për t’u çuditur që kush kalon nga vështrimi hyjnor në gjendjen e mjeruar të njeriut, të mos dijë të sillet dhe të bëhet qesharak; që, kur është ende si i verbër dhe përpara se t’i mësohen sytë me errësirën që e rrethon, të detyrohet të grindet në gjyq ose në ndonjë vend tjetër, për vagëllime ose hije të vagëllimeve të drejtësisë, e të përpiqet të kuptojë mendimet e atyre që nuk e kanë parë kurrë drejtësinë e plotë?
    S’është fare për t’u çuditur, tha ai.
    Kushdo që ka gjykim të shëndoshë, do ta dijë se sytë të erren në dy raste e për dy shkaqe, kur ikën nga drita dhe kur del në dritë, që është e vërtetë edhe për sytë e mendjes, njëlloj si për ato të trupit; dhe atij që mban mend këtë, nuk do t’i vijë të qeshë, kur të shohë ata që e kanë të pamët të turbullt e të dobët; ai do të pyesë, së pari, nëse ai shpirt ka ikur nga jeta e dritës dhe nuk është në gjendje të shohë, e se nuk është mësuar me jetën e errësirës apo është kthyer nga nata në ditë dhe është si i verbuar nga drita e fortë. E atij do t’i vijë mirë për njërin, në atë gjendje që është, dhe do t’i vijë keq për tjetrin; ose, në pastë ndër mend të qeshë me shpirtin që vjen nga shpella në dritë, do të ketë më shumë arsye të qajë me shpirtin që, nga drita e diellit, kthehet në errësirën e shpellës.

    Përktheu Zef Simoni


    25 Dhjetor 2007

    Marre nga gazeta Albania


    Cili eshte mesimi qe mund te nxjerrim dhe kuptimi i ketij shkrimi?!

    Respekte
    "Carpe Diem"

  2. #2
    Hyllin Maska e Hyj-Njeriu
    Anëtarësuar
    22-07-2007
    Vendndodhja
    Fatkeqesisht mes ndergjinoresh
    Postime
    2,945
    Pse nuk na e thua ti njehere
    Shqiptari e ka care rrugen e historise me Palle ne dore!

Tema të Ngjashme

  1. Fragmente nga Shën Grigor Teologu
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 12-03-2007, 07:40
  2. Immanuel Kant
    Nga fisnik në forumin Filozofi-psikologji-sociologji
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 17-09-2005, 04:21
  3. Fromm
    Nga Veshtrusja në forumin Filozofi-psikologji-sociologji
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 03-04-2005, 21:48
  4. Besimi dhe besimtari
    Nga Fjala e drejte në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 15-12-2004, 16:41
  5. Rruga e hapur e islamit
    Nga Arrnubi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 22-04-2004, 17:04

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •