Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016

    Shpërfytyrime - Ndarja Prozë 2007

    Shpërfytyrime

    Vallë në këtë kasaba nuk paska njeri i cili do të më ndihmonte për të komunikuar me njerëz? Pse ti zonjë nuk di të komunikosh me ta, nuk flet shqip? Ore njeri unë nuk i njoh njerëzit e traumatizuar nga lufta! Ç’të duhen ty ata? Dua të shkruaj për ta! Gabimisht të kanë informuar, grua, këtu nuk ka të tillë. Si nuk ka? Ashtu nuk ka! Po mirë, a është ky vend i goditur më së shumti nga lufta? Është! A është e vërtetë se këtu më së shumti ka pasur vrasje, dhunime? Po, edhe të masakruar ka pasur! Dhe ti më thua se këtu nuk ka të traumatizuar! Ashtu është! Ore ti, si e pate emrin.? Emrin e kam Zenë, kurse mbiemrin Ziba!. Mirë e di ti ç’është trauma? Di ti zonjë ç’është lufta? Natyrisht se e di, në të kundërtën nuk do të gjendesha këtu. Sigurisht di nga filmat dhe romanet! Shiko ti...si e pate emrin...? Zenë, zonjë, emrin e kam Zenë kurse mbiemrin Ziba. E pra ti Zenë Ziba, nuk lejoj që të tallesh me mua! Zonjë, nuk është në natyrën time të tallem me ata me të cilët pi kafe, e aq më pak me një zonjë te nderuar për të cilën njerëzit këtu po flasin aq shumë. Për mua flasin? Sigurisht, sepse janë gëzuar që gjendesh këtu! Kurse unë me dëshirë do të doja të ikja sa më parë nga ky vend i mallkuar. Mos po nxiton pak si tepër zonjë... në qytetin tonë ka gjera interesante për të cilat do të mund t’i hynin në punë juve gazetarëve. Gjëra interesante thua? Po zonjë, madje edhe frymëzuese. Ore zotëri, nuk më duhen mua frymëzimet, por rrëfimet e gjalla të njerëzve të traumatizuar, a po kupton! Më vjen keq zonjë, të thash, këtu nuk mund të gjesh as rrëfime, as njerëz të tillë! Po mirë, kush është ai njeri në fund të restorantit që vazhdimisht po shikon përtej dritares? Ai njeri, në këtë restorant vjen për çdo mëngjes, ulët, porositë një kafe, dhe beso zonjë, terë ditën e lume shikon diku jashtë! Ke e shikon ai i gjorë ? Ke, ke, fëmijët gruan dhe nënën plakë që ia vranë para syve! E ai tjetri afër tij, që po heshtë? Cili.. këtu zonjë heshtin të gjithë! Ai de ai me shall të bardhë rreth qafës! Zonjë, tash behën shtatë vite nga mbarimi i luftës, e herifi nuk e ka folur asnjë fjalë me askë. Si me askë? Ashtu...herë të fundit foli me Radovanin , kur e luti që ta vrisnin atë, e të ia kursenin të vetmin fëmijë që kishte...Çka ndodhi pastaj? Zezëdita...ia rrëmbyen vogëlushin nga gjoksi dhe në praninë e tij, ia therën thikë... E ai atje në atë kënd që po flenë mbi tavolinë...? Zonjë ai atje në kënd mbi tavolinë nuk fle por qanë? Qanë? Po ulë kokën dhe qanë në heshtje, nuk do që ta ia shohin njerëzit lotët që i dredh për familjen të cilën ia dogjën, deri sa gjendej në mal. Po ai njeri që po flet zëshëm me dike, nuk e dalloj dot, me ke flet ai? Flet vetmevete zonjë? Mos edhe atij ia dogjën shtëpinë? Jo zonjë, para se të ia djegin shtëpinë, ia dhunuan gruan dhe motrat, pastaj i varën në manin e vjetër, që gjendej në oborrit e shtëpisë! E ai, ku gjendej ai? Dihet në mal, me armë në dorë. Tmerr, tmerr! Prit, zonjë, prit se ka ende...e pave atë gruan sot në mëngjes? Cilën grua? Atë që mihte! Po, por nuk është kurrgjë e jashtëzakonshme të shihet duke mihur femra shqiptare, të kujtohen gratë e Çajupit, burrat e të cilave rrinin nën hije, deri sa ato punonin? E jashtëzakonshme është se ajo mihë nëpër arat e huaja, nëpër rrugë, madje edhe nëpër kopshtet e fqinjëve me zarzavate mihë, duke i dëmtuar shumë...mihë, kërkon burrin dhe tre fëmijë e mitur, varrin e të cilëve nuk e gjeti kurrë. Po pse nuk e izoloni pasi që po bëka dëme! Kemi konsideruar se nuk është e rrezikshme meqë ka filluar të mihë nëpër ujë! Po pse nëpër ujë? E ka gjetur një këpucë fëmije dhe mendon se është i fëmijëve të saj! Megjithatë, do të thotë se këtu paska njerëz të rrezikshëm, pse nuk më the se ka njerëz të tillë...?. Jo zonjë për ty ka kaluar rreziku, ndonëse dje e ke pasur punën keq, veçsa nuk të sulmuan! Pse dje e kam pasur punën keq, nga kush, a bën të dihet? Nga njerëzit këtu, mendonin se je Radojka e Radovanit...e shoqja e atij policit serb i cili masakroi shumë njerëz këtu! Dhe? I binda disi, por kjo ngjyra e flokëve tua, nuk i lente të qetë! Ngyra e flokëve të mia po ua zeka rrugën! Mos u brengos zonjë, sepse më në fund i binda se në të vërtetë je mësuesja e fëmijëve tanë, Drita! Dhe të besuan! Jo menjëherë, sepse thonin: mësuesja Drita megjithatë ishte brune, pse zonja Drita ke ndërruar ngjyrën e flokëve? Terë jetën time kam pas këtë ngjyrë të flokëve! Jo zonjë, kanë të drejtë vendasit e mi që dyshojnë në identitetin tënd! Dyshon edhe ti! Unë, jo... por nuk mund të kuptoj pse e braktise profesionin shenjtë të mësueses, për tu bërë një gazetare e thjeshtë? Shiko ti...si e pate at dreq emër..?Zena jam, Zenë Ziba më quajnë! E më dëgjo mirë ti Zenë Ziba... së pari nuk quhem Drita, por Dita; se dyti, nuk jam zonjë por zonjushe, besoj se din dallimin midis njërës dhe tjetrës; se treti nuk jam gazetare as mësuese por studiuese, shkencëtare, psikologe; së katërti, nuk di se kush ma mbushim mendjen të vijë në këtë shkretinë së cilës edhe zoti ia paska kthyer shpinën; dhe së pesti, nuk e kam të qartë pse po çaj dërrasa më ty? Kur ka ndodhur kjo zonjë? Cila? Kjo de që po mendon që nuk je mësuese por shkencëtare. Nuk po kuptoj? Edhe veterinari ynë thoshte se ishte mjek njerëzish, madje edhe dentist, ndërkohë që shëronte kafshët e sëmura! Cili veterinar ore njeri? Ai që të ngushëllonte? Pse më ngushëllonte, mos vallë më kishte vdekur kush? Maçoku, de maçoku të kishte ngordhur, u sëmur dhe ngordhi... kurse njerëzit zunë të flisnin pastaj...Ç’flisnin njerëzit a bën të dihet? Paj...thonin...ra maçoku e u martua mësuesja me veterinarin? Unë me veterinarin? Pikërisht me te, ndjesë pastë! Pse, paska vdekur? Nuk dihet ne ka vdekur, apo është zhdukur! A më tregon ti mua Zen Ziba, kur ka autobus këtu? Këtu autobusi vjen një herë në javë. Në herë në javë the? Jo, desha të them, një herë në muaj, por çka të duhet ty autobusi,? Dua të ik sa më parë që është e mundur nga kjo çmenduri, ja pse! Mësuese Drita, mendoj se prapë po ngutesh, se...Ore njeri, edhe sa herë duhet të them se nuk quhem Drita, por Dita, se nuk jam mësuese por shkencëtare, a po kupton? Unë po të kuptoj, por edhe ti duhet ta kuptosh hallin e fëmijëve tanë! The këtu s’ka autobus para një muaji? Unë thash ashtu? Ti me gojën tënde! Gabimisht paske dëgjuar mësuese e nderuar... ç prej se është rrënuar ura, këtu kurrë nuk ka rentë ndonjë autobus! Gjepura....po unë si erdha këtu, mendon se fluturova, apo pika nga qielli? Ti mësuese, as që ke ikur fare nga këtu! Si nuk kam ikur? Ashtu, këtu me ne ke qëndruar terë kohën! Edhe gjatë luftës? Edhe gjatë luftës edhe para, edhe pas saj... Po ti, kush je? Veterinari jam, nuk më njeh? Po nuk the se është zhdukur! Thash zonjë se nuk dihet ne është zhdukur, apo e kanë vrarë! Mirë, je ti i zhdukuri apo i vrari ? Jam yt shoq, dreqi e marrtë....!

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e mondishall
    Anëtarësuar
    28-11-2006
    Vendndodhja
    Ne Selanik te Greqise
    Postime
    2,690
    C'te them me shume, vec se me ka befasuar ne leximin e pare dhe kenaqur ne rilexim. Urime dhe suksese autor/it/es! Respekt mondishall
    Ndryshuar për herë të fundit nga mondishall : 16-12-2007 më 06:32

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    08-08-2007
    Postime
    197
    SHPËRFYTYRIME

    Që në titull, autori na tregon se po e fut lexuesin në një botë të shpërfytyruar, e cila është rezultat i shpirtrave të traumatizuar nga luifta. Shpërfytyrim do të thotë përmbysje, shthurje... dhe krejt kjo ndodh për shkak të përjetimeve makabre, të cilat në kokat e traumatizura kanë përzier realen me irealen. Kjo përzierje krijon asimetrinë shqisore dhe shpirtërore.
    Personazhet, kahdo që shkojnë, edhe pas tetë vitesh, bartin me vete atë dhembje të papërballueshme të dhunës, të poshtrimit, të pamjeve, të çasteve: jetë-vdekje. Ata, personazhet pra, njëkohësisht jetojnë në dy kohë: në luftë dhe paqë, në qetësi dhe shqetësim.
    Konceptet janë përzier dhe brenda këtyre koncepteve dhimbja është errozive. Personazhet nuk e njohin njëri tjetrin, sepse pamjet e tyre janë shpërfytyruar në trurin e tjetrit, prandaj edhe bisedat, dialogjet, të cilat autori i organizon mirë, na sjellin dhembje përmes një përjetim të thellë ideoestetik.
    Në gjithë tekstin, autori përdor një gjuhë të kapshme që mund të komunikojë me shtersa të gjëra lexuesish. Di të organizojë ngjarjen, veprimet, gradacionin e dramaticitetit dhe lëvizjen e heronjve. Është tekst paksa i shkurtër për tipizim të mirëfilltë të personazheve, por me dy-tri finesa ai arrin të bëjë tipizimin e tyre...
    Kjo është vetëm një tablo nëpër të cilën kaluan shqiptarët, një tablo e dhënë artistikisht...
    Organizimi i dialogëve dhe depërtimi, aty-këtu, në shpirtin e personazhit, tregon se autori me këtë tregim vjen pas një përvoje.
    Tregimin (gjithë atë dhembje dhe tragjikomikë) e përmbyll me një fjali që është si shkëndi shpresëdhënëse, ku personazhet rinjihen, duke braktisur për një çast botën traumatike dhe dhembjen, duke përqafuar realitetin e ri. Pra, ata i kthehen vetes, jetes. "Mirë, je ti i zhdukuri apo i vrari ? Jam yt shoq, dreqi e marrtë....!" (citim)
    Pra, më në fund, duhet theksuar se autori gjen një mënyrë të mirë të përmbylljes; dhe ato tri pikat e heshtjes janë rruga që shpie në realitetin e ri të së nesërmes...

    Autorit i uroj suksese!
    Ndryshuar për herë të fundit nga trysil : 27-12-2007 më 13:23
    Sidoqoftë, mirmëngjes Jetë!

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    13-11-2007
    Postime
    18
    nje proze brilante, e shkelqyer...
    me ne fund dicka qe lidhet me artin

    urime te sinqerta autorit.

Tema të Ngjashme

  1. Ndarja e Maqedonisë do të jetë e pashmangshme
    Nga Faik në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 05-05-2009, 07:00
  2. Dalja nga ndarja e fese - Vizita e Papes fillim historik.
    Nga DYDRINAS në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 02-12-2006, 08:25
  3. Ndarja e fjalëve në fund të rreshtit
    Nga sadete71 në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 30-10-2006, 09:14
  4. Moore: Ndarja e Kosovës, recetë për rindezje të konflikteve
    Nga ARIANI_TB në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 26-04-2006, 23:53
  5. Petersen: Ndarja e Kosovës nuk është opsion
    Nga Albo në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 01-03-2005, 18:39

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •