Nga Artan SHKRELI

Eshtë i njohur kontributi i pazëvendësueshëm i arbëreshëve për Ringritjen Kombëtare Shqiptare. Përdor këtu termin Ringritje pasi
termi Rilindje është përdorur gabimisht në historigrafi në tonë duke përcaktuar me të pikërisht Lëvizjen për Ringritje Kombëtare,
e duke shkaktuar si rrjedhim një konfuzion jo të vogël që krijon probleme terminologjike per përcaktimin e epokës së Rilindjes
Arbënore – gjithë në kuadër te Rilindjes Europiane, e cila në fakt e preku, ndonëse cekazi edhe truallin tonë – atbote shumë me të madh nga sa sot. Kështu pra, njëra ndër figurat jo fort të njohura sot ndër shqiptare, aktive në Ringritjen Kombëtare Shqiptare të shek. XIX-XX, është dhe Françesk Muzaka (it. Francesco Musacchia, arberisht Muzaqa).
Muzaka, ishte pinjoll i një ndër familjeve të vjetra të arbëreshëve t’Italisë në Sicili. Të parët e tij duket se i perkisnin familjes së madhe fisnike e shqiptare të Muzakajve në Shqiperinë e Jugut, por “rrënjet arbëreshe” të Francesk Muzakës duhen kërkuar në koloninë e madhe shqiptare të Piana degli Albanesi pranë Palermos, e cila ende sot përbën një Eparki më vete në realitetin etniko-religjioz të vendit.
Në fakt familja Muzaka ishte forcuar ekonomikisht pas shkeputjes së një komuniteti shqiptarësh nga Piana dhe pat fituar tituj fisnikërie (markez, don, baron etj.) në realitetin e ri te Santa Cristina Gela - po në Sicili - ku u pat vendosë në shek. XVII. Si një ndër shtëpitë e rëndësishme arbëreshe të rajonit, tatmadhi i Muzakes, Don Gaetano Ferrante, i hapi dyert për lëvizjen garibaldine në Siçili dhe realizoi pritjen historike të vetë Giuseppe Garbaldit në shtëpine e tij.
Francesku, i lindur më 1852 në S. Cristina Gela, u rrit në këtë klimë sa të shëndoshe aq edhe ambige; u rrit mes konservatorizmit arbëresh, me rrënjët në kulturën e vjetër bizantine, dhe të prirjes familjare për aventurë. Të dyja këto karakteristika, që përcaktojnë dhe kundërshtine e brendshme të kulturës arbëreshe, ai do dinte ti ngushëllonte në një ekuilibër pozitiv gjatë jetës së tij produktive, por sidomos në ato momente të rëndësishme që po kalonte Shqiperia, e cila ende vuante nën sundimin Osman.
Për këtë, e shoh me vend të përkthej drejtperdrejt, studiuesin arbëresh Zef Chiaramonte ne atë pjesë të punimit të tij, “Toka e Kostandinit” (La terra del Costandino), që mban edhe titullin e këtij artikulli.
* * *
Francesku rritet në një atmosferë të ngjeshur me shqiptari (it. albanesitá) e cila e fut atë të bëjë pjesë në tubën e trëndafiltë të arbëresheve të shquar, të cilët kishin ndërmend që poezisë misionare të De Rades ti jepnin rezultatin konkret, atë të lirisë për Shqiperinë.
Ja dy dëshmi këtu për Francesk Muzakën: njëra e shkruar “Një nga më të lartit në ndjenjat kombëtare e themelonjesi i Shokjëris Kombëtare Shkjipëtare të Palermos”; tjetra gojore “Në doni drithë ka vini te Dara, në doni Haromë (pará) ka veni te Muzaqa” (thënë nga Gabriel Dara, kushëri i poetit De Rada, në fillim të shek. XX).
Françesk Muzaka përdori të ardhurat e tij për të themeluar në Palermo, më 1902, Societá Nazionale Albanese, më pas njohur si Lega Italo-Albanese (dhe për këtë blen si shtepi tëvetën “Palazzo del Cancelliere” të cilën e përdor si residencë dimërore. Nga kujtimet e bijve të tij, Emanuele, Giorgio e Maria, dihet se ajo shtëpi vizitohej vazhdimisht prej njerëzish të shquar nga Shqipëria, e se për këtë arësye Maria shprehej më mire në shqip se në arbërisht).
Programi i Ligës mbështeste qoftë aktivitete minore, sikurse formimin kulturor të shqiptarëve të Italisë si mbështetje për tua ofruar bashkëpatrioteve në Ballkan, qoftë aktivitete të rëndësishme me qëllim pavarësinë e Shqipërise, nëpërmjet sensibilizimit të opinionit publik dhe të kancelarive europiane.
Diskutoheshin në këtë kuadër edhe opsione të ndryshme që kërkonin marrjen parasysh të realiteteve të reja që krijoheshin vazhdimisht me ndryshimin e forcave jashte dhe brenda Ballkanit; si ai i Pietro Chiarës, psh., që e shihte lirinë e Shqipërisë në kuadër të një Mbretërie të forte Greke (P. Chiara L’Epiro, gli Albanesi e la Lega), ose si ai i Lidhjes së Prizrenit që aspironte të pakten një autonomi shqiptare në kuadër të Portës së Lartë.
Për tv qenë në kontakt me ata që përfaqesonin drejtperdrejtë të interesuarit, në maj të vitit 1903 Muzaka, në cilësine e presidentit të Ligës, ftoi në Palermo, Ismail bej Vlorën, që ndonese personalitet i larte në Perandorinë Osmane, kish preferuar më mirë mërgimin se sa kompromisin me sulltanin dhe me Turqit e Rinj. Dhe do ishte pikerisht Vlora, që në përfundim të luftrave ballkanike, më 28 nëntor 1912 do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë.
“Ky akt paraqiti një surprizë të vërtetë për opinionin publik dhe Kancelaritë Europiane dhe ishte një zhgënjim i forte për Aleatët Ballkanikë: papritur dhe në mënyrë të paparashikuar akti i Ismail Qemalit (shpatullat e të cilit ruheshin prej Italisë dhe perandorisë Austro-Hungareze) asgjësonte qëllimet e tyre mbi territorin e vogël shqiptar, territor që Traktatit të Londres do t’i duhej t’a caktonte tash për Shqiperinë e ringritur. Kryetari i Qeverisë Provizore të Vlorës menjëherë pas kësaj u dha komunikimin zyrtar qeverive të Fuqive të Mëdha për shpalljen e shtetit të ri dhe u kërkoi atyre njohjen e tij. Ismail bej Vlora ia dërgonte këtë telegram edhe presidentit të Ligës Italo-Shqiptare të Palermo,s kavalier Francesk Muzakes” (R. Petrotta).
Ky telegram, që shprehte një konsideratë kundrejt Muzakës, nuk i dedikohej dhe aq kujtimit të vizites në Sicili. Vlora ishte në dijeni edhe të një tentative fisnike nga një grup vullnetarësh arbëreshë për të zbarkuar në Shqipëri e për të ndihmuar kryengritësit. Ky grup, i pajisur dhe i financuar nga Muzaka, do ish nisur duke ndjekur Ricciotti Garibaldin, nëse në momentin e fundit para mbarkimit nuk do ish dhënë një kundër-urdhër qeveritar tipik për politiken pritëse të ministrit Italian të Jashtme të San Giulianos.
Shpedita neo-garibaldine, kërkuar nga qeveria greke në akord me anglezet, u konkretizua në një dërgatë ndërkombetare me 12 mije vullnetarë në Ballkan. Më 14 nëntor 1912, ajo përballoi turqit në Trisko të Maqedonisë, por nuk mundi ti rezistoje kundërofensives së mëpastajme osmane.
Pas shpalljes së pavarësise shqiptare Liga kaloi në duart e prof. Giovanni Cuccia di Mezzojusso për tu drejtuar më pas nga vëllezerit Gaetano e Rosolino Petrotta.
Tashmë bëhej fjalë për të mbështetur të drejtat e Kombit Shqiptar pranë Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) me qëllim njohjen e shtetit te ri.
Françesk Muzaka mori pjesë në Kongresin panshqiptar të Triestes qe u mbajt në mars të vitit 1913 e që kishte për qëllim nxitjen e kësaj njohjeje. Ai mori pjesë, më pas, ne të gjitha kuvendet që paraprinë dhe ndoqën konfliktin botëror, për të mbrojtur ekzistencën e brishtë të një Shqiperie të lirë dhe u mbushi amën e bijve të tij me dashurinë për tokën e stërgjyshërve.
Shenim: Dosja e Ligës Italo-Shqiptare prehet në bibliotekën private të Rosolino Petrottës dhe ruhet nga vejusha e tij, zonja Giuseppina Mandalá në Palermo, por ajo nuk është konsultuar ende.


http://www.balkanweb.com/gazetav4/index.php?id=25891