Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    14-11-2007
    Postime
    12

    Bumi turistik në 2007 sjell në Shqipëri 1.6 milionë turistë të huaj

    Bumi turistik në 2007 sjell në Shqipëri 1.6 milionë turistë


    Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Ylli Pango deklaroi sot në konferencën për shtyp, dhënë në Këshillin e Ministrave se Shqipërinë e kanë vizituar më shumë se 1.6 milionë turistë këtë vit.

    Më lejoni që në këtë fund të pikut të sezonit turistik, pasi turizmi në Shqipëri është gjithë vjetor dhe ardhja e turistëve vazhdon, të bëj publike disa nga arritjet kryesore që shënoi sezoni turistik gjatë periudhës së verës. Gjatë këtij viti sic është deklaruar dhe nga Kryeministri Berisha, Shqipëria shënoi një bum turistik, duke arritur që deri në 10 shtator, të shënohet shifra prej 1.6 milione turistë.Ndërkohe ardhja e turistëve vazhdon. Turizmi pra, si një prioritet i qeverisë, pati këtë verë një rritje rreth 35 % të turistëve, krahasuar me vitin e kaluar. Si rezultat i një angazhimi maksimal të MTKRS-së dhe reformave që po ndiqen nga qeveria për zhvilimin e turizmit, u arrit që këtë verë -Zonat turistike nga Velipoja në Ksamil të kishin 24 orë furnizim ujë dhe drita.


    -Infrastruktura për të arritur destinacionet turistike pati përmirësime të ndjeshme ndërkohe që fonde të konsiderueshme po lëvrohen nga qeveria për ndryshimin e rrugeve të zonave turistike.


    - Siguria dhe rendi për pushuesit nga Kosova,Maqedonia dhe për turistët ndërkombetarë ishte maksimale dhe duhet theksuar fakti se nuk pati asnjë incident.


    -Lehtësitë e hyrjes së të huajve në kufi sollën një tjetër risi për zhvillimin e turizmit këtë sezon. Nëpërmjet vendimit të Ministrisë së Punëve të Brëndshme u aplikua dhënia e vizave kolektive sipas modulit informatik. Agjencitë Turistike në rrugë elektronike derguan listën me emrat e turistëve dhe për të gjithë grupin u lëshua vetëm një vizë.


    -Në muajin Maj u miratua Ligji i ri për turizmin dhe MTKRS hartoi 19 akte nënligjore, të cilat janë aprovuar nga Këshilli i Ministrave. Për hërë të parë u realizuan dy projekte të rëndësishme investimesh:


    -Sinjalistika turistike


    - Zyrat e informacionit turistik


    Sinjalistika turistike tashmë është e shpërndarë në të gjithë vendin. Nga MTKRS për vitin 2007 u akorduan 10 milion lekë për qytetet Shkodër Lezhë, Korçë, Durrës, Berat, Vlorë.


    - Nga fondi i MTKRS në bashkëpunim shumë te mire me pushtetin lokal u lëvruan fondet për ngritjen e Zyrave të Informacionit Turistik në bashkitë e Vlorës, Durrësit, Sarandës, Beratit dhe Tiranës. Në vijim të procesit të hartimit të strategjive sektoriale, në funksion të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHES), pas takimeve dhe komenteve të grupit këshillimor si dhe donatorëve të huaj u përgatit Strategjia Sektoriale e Turizmit.


    -Në muajin Korrik filloi funksionimi i web-site të ri zyrtar të turizmit shqiptar www.albaniantourism.com


    Në muajin Qershor u realizua spoti turistik promocional për Shqipërinë, efektet e transmetimit patën impakt të thellë në Kosovë dhe Maqedoni.


    - Turizmit kulturor i është dhënë një zhvillim i madh dhe kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të turistëve. Restaurimet e monumenteve të kulturës, objekteve të kultit dhe rikonceptimi i funksionimit të parqeve arkeologjike ka sjellë një shtim të ndjeshëm të turistëve të huaj në sitet arkeologjike dhe muzeale të vendit. Numri i vizitorëve në Parqet Arkeologjike, vetëm gjatë 3 muajëve të verës shënoi 28 mijë e 400 persona, ku shumica ishin të kombësive të huaja. Aktivitete


    - Në muajin Maj në Shqiperi u organizua “Gumball 3000” me vip- a të apasionuar pas udhëtimit,aktivitet i cili i dha një hov të ri njohjes së Shqipërisë në Europë dhe më gjerë nga prezenca edhe e personalitete të njohura të artit dhe kulturës. MTKRS në bashkëpunim me organizatorët realizoi një promovim të shkëlqyer të Shqipërisë turistike në turin ndërkombëtar me motorcikleta që vinin nga vende të ndryshme të botës, Gjermani, Finlandë, Angli, Skoci, Kosovë, Zvicër etj. Në kuadrin e pjesëmarrjes së produktit turistik të Shqipërisë në panairet ndërkombëtare, është për t’u vecuar ai i Kelnit,organizuar në muajin Gusht si dhe panairi i Kosovës, ku për Shqiperinë u shfaq një interes i vecantë i operatorëve turistikë të rajonit.


    Ju vë në dijeni se qeveria ka akorduar fondin për reklamën në CNN, e cila do të prodhohet nga një kompani hollandeze. Kjo reklamë pritet të transmetohet në muajt mars –prill, tri herë në ditë dhe me një audiencë që parashikohet të llogaritet në rreth 340 milionë teleshikues. Pikerisht ky hap madhor për promocionin e turizmit shqiptar do të coje në rritjen e mëtejshme të numrit të turistëve. Ndërkohë Shqipëria po renditet në guidat dhe hartat ndërkombëtare turistike. Kështu agjencia e njohur amerikane TRAVCOA që operon në mbi 90 vende të botës, ka përfshirë Shqipërinë në guidën e saj. Vitin e ardhshem Shqipëria do të jetë gjithnjë e më shumë prezente në hartat turistike dhe në guidat e agjencive të tjera ndërkombëtare.


    Është përgatitur seti i ri i materialeve promocionale, një kolane guidash i përbërë nga pesë të tilla, me tematika të ndryshme, por në një format. Ky është një produkt tërësisht i ri si në koncept edhe në paraqitje, design, përmbajtje fotosh etj. Tematikat e trajtuara në sejcilën prej tyre janë :


    Guida e Kulinarisë


    Guida e Aktiviteteve sportive


    Guida “ Shqiperia nën ujë”


    Guida “ Informacion turistik”


    Guida mbi muzeumet në Shqipëri




    Press- tripe të organizuara :


    -Në muajin Maj u organizua një press-trip gazetarësh të huaj europiane të cilët vinin nga vende të ndryshme të Europës dhe përfaqësonin disa media të rëndësishme dhe prestigjoze si Travel Trade Neëspaper ( UK), Sanday Post (Skoci), E-Turbo News për Europën, Netherland Press Association, “Les Strategies” France etj. Për potencialet e jashtëzakonshme të Shqipërisë në turizëm u shkruajt vecanërisht pas vizitës së presidentit amerikan George W,Bush, në vendin tonë. Nëpërmjet artikujve të tyre, Shqipëria është cilësuar si “ Perla e Mesdheut” . Ndërkohë artikuj të ndryshëm të ‘Ëall Street Journal “ dhe Associated Press kanë sjellë imazhin e Shqipërisë turistike. Rendesi e vecante i është dhënë zhvillimit të turizmit të llojeve të ndryshme,si turizmit rural,aventures, interesit të vecantë dhe turizmit shëndetësor, agroturizmit etj. Me Ministrinë e Bujqësisë është inicuar projekti i parë i zhvillimit të turizmit rural, në zonën e Bërzhitës.


    Me Ministrinë e Shëndetësisë është inicuar zhvillimi i turizmit shëndetësor, ku janë identfikuar zonat për turizmin malor dhe po punohet për projektin e 40 haneve. Ky i fundit do të konsistojë në krijimin e shtëpive tradicionale për pritjen e turistëve dhe akomodimin e tyre sipas traditës së mikëpritjes shqiptare. Objektivi kryesor është zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm, i cili mbron dhe zhvillon natyrën e Shqipërisë dhe njeh rëndësinë e një mjedisi atraktiv, si parakusht për një turizëm të suksesshëm.


    Pyetje: Cfare masash do të ndërmerren për sezonin e ardhshëm turistik?


    Zoti Pango : Reklama në CNN do të ketë një impakt të madh në zhvillimin e turizmit, vitin e ardhshem. Zhvillimi i infrastruktures,zbatimi i 19 akteve nënligjore të ligjit të ri për turizmin. Licencimi i mëtejshëm i hoteleve dhe agjencive turistike si dhe ngritja e bordit të zhvillimit të turizmit.


    Pyetje: Sa parashikoni të jetë numri i turistëve vitin e ardhshëm ?


    Zoti Pango : Vitin e ardhshem duke u nisur dhe nga treguesit shumë të mirë të këtij viti, numri i turistëve do të dyfishohet.


    Pyetje: Sa është numri i shqiptarëve që shkojnë jashtë Shqipërisë për pushime dhe si shpjegohet ky fenomen?


    Zoti Pango : Për mua shifra e shqiptarëve që dalin jashtë për pushime është një fakt i gëzueshëm, sepse është tregues i ndryshimit të mentalitetit të izolimit dhe aspak anti-tezë e frekuentimit të potencialeve turistike të vendit tonë. Përsa i përket shifrës, statistikat i disponon Ministria e Brëndshme nëpermjet Drejtorisë së Kufirit. Megjithatë theksoj se është normale që shqiptarët të bëjnë pushime jashtë shtetit dhe ky tregues nuk lidhet me krahasimin e prurjes së turistëve në Shqipëri.


    16/09/2007

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Fjala e Kryeministrit Berisha në Work Shop-in “Shqipëria, Turizmi dhe imazhi”

    “ Të nderuar pjesëmarrës,

    Dua të përgëzoj këtë nismë shumë të rëndësishme të zotit Alia dhe Institutit për Demokraci dhe Reforma, të shoqërisë civile, për të trajtuar një problem shumë themelor për vendin, një problem jashtëzakonisht të rëndësishëm, problemin e turizmit.

    Tashmë është e qartë se turizmi përbën potencialin më madhor në distancë, krahasuar me të gjithë potencialet e tjera të vendit, përbën potencialin më pak të shfrytëzuar, në të cilin ne duhet të përqendrohemi, për të shënuar një kthesë të madhe në qëndrimin ndaj tij. E them këtë sepse ,duke ju përgëzuar të gjithëve, të gjithë mikpritësit shqiptarë, të gjithë operatorët e turizmit, për bum-in turistik që përjetoi vendi këtë vit, sërish unë e shoh se ne kemi detyra dhe detyrime shumë të mëdha ndaj turizmit dhe turistëve. Ne kemi shumë për t’u ofruar turistëve. Kjo që ne përjetuam këtë vit ka qenë thjesht një fillim dhe kaq sa ka marrë këtë vit gjithë Shqipëria nga turizmi, nuk do të jetë e largët dita që ta marrë vetëm Saranda. Të mos harrojmë se jemi vendi më malor i Evropës, me Alpet ndër më të bukurat, që në dimër nuk shkelen asnjë herë, ndërsa verës ka ndonjë shtegtarë që shkon.

    Duke njohur realitetet, njeriu duhet t’i ndryshojë ato. Dua të ndalem në dy momente që nxori sezoni turistik i vitit, njëri prej të cilëve ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo është çështja e plehrave. Unë kam marrë letra dhe e-mail-e nga turistë të ndryshëm, të cilët kanë shprehur mahninë e tyre për çfarë kanë vizituar, por kanë shprehur gjithashtu dhimbjen e tyre për situatën që kanë gjetur dhe më keq akoma, shoqërues të rinj të mësuar me të keqen. Një turiste britanike më tregonte, në një letër të saj, se kur i them shoqëruesit tim, një djalë i ri, se si ka mundësi që e lejoni të jetë kjo gjendje me plehra, ai më thotë se aty ku jetohet, aty ka plehra.

    Ne po përgatitemi për të marrë një fushatë të gjerë në këtë drejtim, sepse ky bum turistik mund të na kthehet në një bumerang. Kjo fushatë ka një rëndësi jetike për të ardhmen e turizmit në Shqipëri. Ne na duhen turistët, për shkak të eurove që ata shpenzojnë, por mund t’ju them se më shumë se për eurot ata na duhen për imazhin që ne duhet t’u japim atyre këto vite. Pasi më vonë, një Shqipëri e integruar, një Shqipëri e përfshirë në lëvizjen e përgjithshme, është një Shqipëri krejt tjetër.

    E kam diskutuar edhe me kryetarët e bashkive dhe komunave të zonave turistike dhe qeveria, shoqëria civile dhe të gjithë duhet të angazhohemi së pari, për të zgjidhur këtë problem. Kjo situatë nuk pret, sepse nëse ajo vazhdon, jehona e saj ushton botën dhe siç e thashë, nga bum turistik do të kthehet në bumerang. Ministria e Turizmit, së bashku me ministrinë e Mjedisit, këtë çështje duhet ta kenë më kryesoren, duke filluar nga tani dhe deri në fillimin e sezonit të ri turistik. Me shpejtësi duhet të gjejmë të gjitha mënyrat se si të ndryshojmë gjendjen.

    Lidhur me ndërtuesit, të cilët janë të pa mëshirshëm në ndotjen e ambientit, Shoqata e Ndërtuesve duhet ta marrë me seriozitetin më absolut këtë. Ajo mund të japë një kontribut shumë të madh, sepse është e vërtetë se ndërtohet kudo në botë, por si këtu tek ne, grumbuj plehrash dhe dherash nuk sheh. Bashkitë dhe komunat duhet të riorientojnë të gjitha fondet për një qytet te pastër, për një Shqipëri të pastër. Kjo është e mundur plotësisht. Gjendja aktuale është shumë e papranueshme dhe është shumë më mirë që ne t’ia themi vetes këtë sesa të largojmë të tjerët.

    Duhet gjithashtu që të ketë një sistem anketimi të vazhdueshëm për turistët. Ata janë vlerësuesit më të shkëlqyer për sezonin tjetër. Ne duhet të flasim shumë hapur me qytetarët. Saranda, dy vjet më shumë mbante çmime shumë të larta. Ndërsa sivjet Saranda ka marrë rreth çerek milionë turistë, sepse çmimet kanë zbritur në nivele të arsyeshme. Koncepti se brenda një muaji, me çmime të shtrenjta, duhet të fitohen të gjitha ato që janë investuar dhe ato që i duhen një investitori gjatë viteve, është shumë primitiv. Saranda është qyteti që ka të paktën potencial turistik 9 mujor, ndoshta edhe më shumë dhe ajo po bën progres të madh.

    Turizmi është proces edukimi. Ne kemi një mikpritje me të cilën nuk krahasohet askush, por ajo duhet përpunuar, duhet të përshtatet. A duhet te ketë qytet që të të lerë kamerieri të presësh gjysmë ore? Turisti nuk vjen për të pritur kaq gjatë në tavolinë. Është evidentuar që turistët kanë pasur probleme me shërbimin, me plogështinë, me vonesat. Por kjo nuk ka pse të ndodhë. Ne kemi shkolla për turizmin, kemi kurse. Punëmarrësi duhet të shtojë numrin punonjësve, ose duhet të edukojë ata që ka dhe duhet të paguajë më shumë rroga. Standardi është shumë i rëndësishëm. Sepse vërtetë mund të jesh pronar i një lokali, por përmes këtij lokali ti përfaqëson diçka, përfaqëson më shumë se veten tënde. Gjithsesi, ka përmirësim të ndjeshëm lidhur me shërbimin, por sërish nuk është aty ku duhet në ndonjë qytet. Në këtë drejtim, duhet të bëjë përpjekje të mëdha dhe sektori i shërbimit ndaj turistëve.

    Spoti në CNN është jashtëzakonisht i dobishëm. Por një turist që vjen nga Atlanta në Himarë, nuk gjen një autobus për të zbritur në Lukovë, sepse nuk ka transport. Ndaj duhet të ngremë, qoftë edhe me mjete publike, linja transporti për zonën turistike. Ju bëj thirrje Agjencive turistike që të përpiqen të organizojnë udhëtime brenda vendit. Në një lokal – hotel në Berat, djali i një pronari më tregon në kompjuter se si ai i merrte të rinjtë nga Tirana, në grupe, dhe i çonte 53 km tek kanionet e Skraparit. Këtë e bënte për të mbajtur klientelë aty. Por turisti që vjen në Durrës me çfarë mjeti duhet të shkojë në Berat kur nuk ka një linjë, me çfarë mund të shkojë në Apolloni, në Bylis, etj.

    Ne duhet të bëjmë një diskutim shumë më kompleks dhe më vjen mirë që keni organizuar sot këtë seminar, tamam në kohë. Qeveri është shumë e interesuar që të bashkëpunojë me të gjithë ju, në mënyrë që të krijojmë kushte sa më të përshtatshme për turistët.

    Është e domosdoshme të shqyrtojmë mundësitë e kreditimit të zonave turistike, në mënyrë që të rritet kapaciteti pritës i tyre. Është e domosdoshme të planifikojmë dhe parashikojmë programe të veçanta të bashkive të Vlorës, Durrësit, Sarandës, Velipojës, gjatë gjithë sezonit. Është e vërtetë që kemi pasur një bum turistik por duhet të qëndrojmë në lartësitë e bumit. Kjo nuk është e thjeshtë, por është plotësisht e mundur.

    Vendosa të flas hapur me ju sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme t’i shohësh gjërat në sy. Së bashku duhet ta ndryshojmë këtë realitet në këtë fushë. Ministria e Turizmit, ministria e Mjedisit, Shoqëria Civile, bashkitë, komunat, duhet të angazhojnë të gjitha potencialet. Duhet të bëjmë për vete qytetarët në këtë çështje, duhet të flasim hapur me ta dhe duhet të dalim me një platformë.

    Edhe një herë dua t’ju përgëzoj për ketë nismë shumë të mire që keni marrë dhe dua t’ju siguroj se qeveria është thellësisht e interesuar të bashkëpunojë me ju, me agjencitë turistike, me të gjithë elementët e Shoqërisë Civile, të bashkëpunojë me bashkitë dhe komunat, në mënyrë që sezoni i ardhshëm turistik të na gjejë shumë më mirë, më të organizuar, pasi ne kemi potencialin mikpritës më të madh se çdo vend tjetër”


    20/11/2007

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 188
    Postimi i Fundit: 02-09-2013, 21:37
  2. A ka konspiracion kundër Shqipërisë?
    Nga BARAT në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 42
    Postimi i Fundit: 10-05-2011, 09:36
  3. Kryepeshkopi Anastas ende pret nënshtetësinë shqiptare
    Nga Arrnubi në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 130
    Postimi i Fundit: 19-08-2009, 07:39
  4. Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 06-12-2008, 14:08
  5. Historia e minoritetit grek ne Shqiperi
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-10-2002, 13:15

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •