RD

Gjysmëshekulli në skenë, "Artisti i Popullit" i ka dhënë teatrit shqiptar një varg figurash të pavdekshme


Shkodër: Pjetër Gjoka, "Apolon" i skenës shqiptare


Gjysmëshekulli në skenë, "Artisti i Popullit" Pjetër Gjoka i ka dhënë teatrit shqiptar një varg figurash të pavdekshme. 25 role të interpretuara në teatrin e Shkodrës para çlirimit të vendit dhe mbi 90 të tilla pas çlirimit, në teatrin profesionist, e rendisin atë në ikonat e artit skenik shqiptar. Ndaj me të drejtë në aktivitetin e organizuar në 95 vjetorin e lindjes së tij, Pjetër Gjoka u cilësua me emrin e perëndisë Apolon.


Ceremonia përkujtimore


Artist, sportist, patriot, Pjetër Gjoka, i ndarë nga jeta 25 vjet më parë, u kujtua në 95 vjetorin e lindjes në një aktivitet të organizuar nga shoqata kulturore-atdhetare "Dukagjini". Në lokalin me emrin "Tradita", pjesë të të cilit janë elementë interesantë të së shkuarës, të ftuar nga Shkodra dhe Tirana kujtuan me emocion 'Artistin e Popullit' dhe për këtë zgjodhën përvjetorin e lindjes dhe jo atë të ndarjes nga jeta.

Kryetari i shoqatës "Dukagjini", Ndue Sanaj, tha në fjalën e tij se "Dukagjini duhet ta ruajë Pjetër Gjokën në kujtesën e vet si një smerald që ndrin mes njerëzve që bënë art nga kjo trevë me plot lavdi". Ndërsa shkrimtari dhe publicisti, Prelë Milani, në temën e tij "Pjetër Gjoka, apoloni i skenës shqiptare" do të ndalej tek një thënie e vetë Pjetrit vite më parë; "jam filiz i një oxhaku të dëgjuar malësor me gja e mall nga Dushmani i Shkodrës".

Dhe vërtetë Pjetër Gjoka rridhte nga një familje e njohur nga Dukagjini, e cila vlerësohej më tepër në opinion për përpunimin e qymyrit, mjeshtrinë e hapjes së puseve dhe të furrave. Problemet e gjakmarrjes e patën detyruar familjen e tij të linte trojet dhe të shtegtonte sa në Maqedoni dhe në Ulqin të Malit të Zi, aty ku dhe lindi Pjetri duke u pagëzuar në kishën e Shestanit të asaj zone. Në atë ambient, Pjetri do të bëhej 3 vjeç, për t'u vendosur së bashku me familjen në Shkodër.


Pjetri sportist


Ndoshta pak kush e di se Pjetër Gjoka ka qenë dhe një sportist mjaft i mirë, fillimisht në futboll dhe më pas në atletikë. Referuesi i materialit kryesor të këtij aktiviteti përkujtimor, Prelë Milani theksoi se në vitet '30-të, Pjetër Gjoka ishte pjesë kryesore e ekipit të 'Vllaznisë' në futboll dhe pati një simpati të jashtëzakonshme nga tifozët e asaj kohe për vetë lojën e tij mjeshtërore. Falë këtyre aftësive, ai do të përfshihej dhe në ekipin kombëtar të vitit 1931, ku u prezantua denjësisht. Krahas futbollit, Pjetri ushtroi dhe atletikën për t'u shpallur në vitin 1933 kampion i Shqipërisë. Madje në këtë sport përfaqësoi dhe Shqipërinë në Olimpiadën Ballkanike të Athinës. Hoqi dorë nga sporti për shkak të dy dëmtimeve radhazi, për t'u përfshirë në fushën e artit, nga e cila nuk do të ndahej për gati 50 vjet.


Jeta në skenë


Pjetër Gjoka cilësohet si një nga artistët e parë që kapërceu teatrin deklamatik për të sjellë me mjeshtëri figura të afërta komunikuese. Rolet e tij tek 'Kthimi i Skënderbeut për liri të Shqipërisë', 'Halili dhe Hajria', 'Shtatë shaljanët', 'Trimi i mirë me shokë shumë', 'Cuca e maleve', 'Besa e madhe', 'Gjenerali i ushtrisë së vdekur', 'Shënomëni dhe mua', 'Epoka para gjyqit', japin tiparet e njeriut të asaj kohe nëpër histori, luftra e halle, tiparet e malësorit, të burrave të pushkës e të mençurisë. Duke vijuar vështrimin e materialeve arkivorë që u servirën në takimin përkujtimor, mëson se Pjetër Gjoka ka qenë aktori i personazheve të veprave të dramaturgëve të mëdhenj botërorë, si Shekspirit, Molierit, Gogolit, Ibsenit, Shilerit, Brehtit, Gorkit, etj, dhe arriti të krijojë figura të afërta komunikuese me spektatorin e asaj kohe. Përmendet këtu personazhi Shtokman tek 'Armiku i Popullit', Bubinov tek 'Bujtina e të varfëve', Hartinov tek 'Për ato që janë në det', Luljakov tek 'Revizori', Gracianai tek 'Otello', Zanelini tek 'Orët e Kremlinit', Mileri tek 'Intrigë e dashuri', Klajdi tek 'Hamleti', Doranti tek 'Borgjezi fisnik', Liri tek 'Mbreti Lir', Dogsborgu tek 'Arturo Ui', e të tjera role që i dhanë mundësi Pjetër Gjokës që të shfaqte talentin e tij të jashtëzakonshëm për të arritur kulmet e tij artistike. Niveli i tij si artist u shfaq dhe në fushën e regjisurës, por edhe si pedagog i mjeshtrisë së aktrimit, përçues i fjalës artistike në skenë dhe ekran, i dashuruar pas artit poetik, përkrahës dhe edukator i talenteve të reja, shok dhe mik i dashur për kolegët dhe spektatorët.


Thanë për Pjetër Gjokën


Përvjetorin e 95-të të lindjes së njërit prej kollosëve të artit shqiptar, Pjetër Gjoka, e respektuan figura të njohura të artit skenik shqiptar si Lazër Filipi, Tinka Kurti, Bep Shiroka, Ramiz Rama, Zef Deda, Bruno Shllaku, etj. "Pjetrin e kam pasur shok të ngushtë. Me të kam ndarë të mirat dhe të kqijat", do të thoshte aktori Lazër Filipi. "Pjetri kishte një shpirt të thellë që rrallë mund ta ketë ndokush, kjo ishte arsyeja që ai na befasonte vazhdimisht me personazhet që realizonte. Mbresat në vite me këtë shok e mik timin të paharruar janë shumë e shumë të mëdha, por ato do t'i përcjell më gjerësisht në një botim me kujtimet e mia, të cilin jam duke e përgatitur", tha më tej Filipi. Me superlativa për vlerat e artistit Gjoka folën dhe ish- kolegët dhe miqtë e tij të skenës, Kurti, Shiroka, Rama, ndërkohë që aktori i teatrit "Migjeni" Bruno Shllaku, tepër i emocionuar, do të thoshte "emra kaq të mëdhenj të skenës shqiptare, pjesë e së cilës është edhe i madhi Pjetër Gjoka, është shumë vështirë të zëvendësohen".

Të pranishmit do të sillnin dhe të tjera vlerësime që janë dhënë nga personalitete të artit. Kështu shkrimtari Teodor Laço ka thënë për Pjetrin: "Përveç të tjerave, te artisti Pjetër Gjoka njeriu mund të mësonte se çdo të thotë pasion për punën. Them për punën e jo vetëm për artin e interpretimit aktorial, ku ai pati kulmet e tij si artist, sepse fjala e madhe dhe e gjerë 'punë' sigurisht e përmbledh më bukur veprën e këtij artisti". Ndërsa, regjisori i Teatrit të Gjirokastrës Bernard Kokalari është shprehur për artistin Gjoka se "me thjeshtësinë e tij, me natyrshmërinë e komunikimit, ai që në orët e para të punës fitoi dashurinë dhe respektin e gjithë trupës artistike. Si një prind i mirë që grumbullon fëmijët rreth vatrës për t'u dhënë këshilla, ashtu ndihej prania e tij rreth tavolinës së rrumbullakët në teatër".

Për Pjetrin kanë folur edhe të mëdhenjtë e skenës, që ashtu si ai janë ndarë nga jeta. "Ishte vërtetë një mësues i madh i artit dhe i kinematografisë shqiptare. Mund ta quaj të pazëvendësueshëm", ka thënë Ndrek Luca, ndërsa Sandër Prosi aftësitë e Pjetrit i ka vlerësuar kështu "Fytyra e tij, zëri i tij, gjestet e tij mund të bënin për vete çdo karakter personazhi". Në mbyllje të aktivitetit përkujtimor për 'Artistin e Popullit' Pjetër Gjoka, të pranishmit ndoqën me emocion dhe një intervistë të dhënë prej tij me rastin e 60 vjetorit të lindjes.






--