Close
Faqja 11 prej 14 FillimFillim ... 910111213 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 201 deri 220 prej 270
  1. #201
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Zbardhet dokumenti sekret: Ja strategjia e SHBA-ve kundër Lindjes

    Gazeta publikoi materialin e klasifikuar që përgatiti Kissinger. Skema e amerikanëve ndaj sovjetikëve dhe gjithë Lindjes

    David Binder

    UASHINGTON – Sipas një përmbledhjeje të shënimeve të tij, sekretari Amerikan i Shtetit, Henry A. Kissinger, ka pohuar se “nëse qeveritë komuniste do të preferoheshin në Europën Perëndimore, Aleanca Atlantike mund të thërrmohej dhe Shtetet e Bashkuara do të izolohen. Dokumenti, i siguruar nga “The New York Times”, është përgatitur në fundjavën e 13-14 dhjetorit në Londër, ku zoti Kissigner mbajti një fjalim para një grupi prej 28 ambasadorësh amerikanë me mision në Europën Lindore dhe Perëndimore. Një zyrtar i Departamentit Amerikan tha se “ishin paraqitur dy materiale në përdorim dhe u bashkuan, duke përgatitur një përmbledhje të fjalimit.
    Nxjerrja e sekretit
    Përmbledhja u ishte shpërndarë ambasadorëve për takimin e dhjetorit me kabllogram që më 12 shkurt, nga Helmut Sonnenfeldt, këshilltar i zotit Kissinger, bashkë me një përmbledhje të shënimeve rreth politikës së Shteteve të Bashkuara në drejtim të Bashkimit Sovjetik. Përmbledhja e shënimeve të zotit Sonnenfeldt është publikuar sot në “The Times”. Kopjet e të dyja materialeve të stampuara si “sekrete” u siguruan nga “The Times” dhe me sa duket, së fundi, edhe nga një tjetër organ shtypi “Human Events”, një botim i përjavshëm konservator në Uashington. Duket se të dyja përmbledhjet nënshkruhen nga senatori konservator republikan i Nju Jorkut, James L. Buckley, i cili ua bëri të ditur javën e kaluar anëtarëve të tjerë të Kongresit. Duket se synimi thelbësor i nxjerrjes së këtyre dokumenteve nga disa zyrtarë të paidentifikuar të Administratës ishte që të pajisin me “armatim” politikanët konservatorë kundër zotit Kissinger, zotit Sonnenfeldt dhe së fundi edhe kundër presidentit Ford.
    Duke iu përgjigjur komenteve, Leonard Saffir, asistenti administrativ i senatorit Buckley, tha se një kopje e përmbledhjes së Sonnenfeldt kishte qenë në zotërim të senatorit për një periudhë njëjavore dhe të tjerët i kishin pasur këto kopje për “tre javë”. Zoti Saffir refuzoi zërat se zyra e Buckley-it kishte shpërndarë kopjet “tek të tjerët”.
    Përmes një njoftimi të Departamentit të Shtetit, zoti Sonnenfeldt tha sot se përmbledhja e publikuar në “The Times” është “konkluzion i nxjerrë përmes një versioni të përpunuar të diskutimit që u mbajt në Londër në dhjetorin e kaluar”.
    Në vijim të materialit, përmbledhja e shënimeve të zotit Kissinger fliste rreth ndikimit që sjell një rritje e mundshme e fuqisë së partive komuniste në Itali dhe Francë, vende këto që janë në Organizatën e Atlantikut të Veriut (NATO):
    Thelbi i dokumentit
    “Është e vështirë të kuptosh sesi ne do të vazhdojmë të kemi diskutime rreth NATO-s nëse këto parti të ndryshme komuniste arrijnë të marrin nën kontroll qeveritë europiano-perëndimore. Ashtu si edhe me Kinën, ne ndoshta duhet të kemi politika paralele. Por, siç dihet, Aleanca në këtë mënyrë nuk mund të mbijetojë”.
    “Aleanca Perëndimore gjithmonë ka qenë e rëndësishme përtej aspektit të sigurisë ushtarake. Shtetet e Bashkuara do të mbeten vetëm dhe do izolohen në një botë në të cilën ne nuk do të kemi marrëdhënie me vendet e tjera”.
    Pak më tej përmbledhja thotë se “nëse partitë komuniste vijnë në pushtet në Europën Perëndimore, do të ketë ndryshime rrënjësore në modelet e realizimit të politikës amerikane”. Materiali vazhdon më tej: “Ajo do të rezultojë në një situatë ku Shtetet e Bashkuara do të jenë një ishull në vlerat e tyre vetjake dhe në këtë mënyrë, do të jenë të detyruara të përpunojnë qendrat e ndryshme komuniste që ndodhen në pushtet, duke i konfliktuar me njëra-tjetrën. Me sa duket, Shtetet e Bashkuara do të dalin nga situata, por vetëm përmes përdorimit të ekuilibrit të egër të politikës së pushtetit”.
    “Në qoftë se ne do ta bëjmë këtë, do të humbim mbështetjen morale dhe ne duhet të operojnë për të gjithë të kaluarën tonë”.
    Zoti Kissinger ka transmetuar mendime të ngjashme publikisht së fundi, më 11 mars, në Boston, por nuk ka folur kurrë me një gjuhë të tillë kaq të ashpër.
    Sipas përmbledhjes, parashtrimi rreth së cilit mbështeten shënimet e zotit Kissinger në drejtim të Europës Lindore, siç bëri edhe zoti Sonnenfeldt, ishte “paraqitja e Bashkimit Sovjetik si një superfuqi”.
    Duke shpjeguar sot pikëpamjet e tij rreth politikës amerikane në drejtim të Europës Lindore, zoti Sonnenfeldt tha se Uashingtoni kishte pasur synim të tij në takimin e Londrës të projektojë konceptet që nxisin “pavarësinë, autonominë dhe një ‘revolucion normal’ te vendet e atij rajoni”.
    Ai tha se ndien keqardhje për përdorimin e fjalës “koordinim” për të përshkruar marrëdhëniet midis Europës Lindore dhe Bashkimit Sovjetik, për të cilat Shtetet e Bashkuara po shikojnë mundësinë të përkujdesen sepse Rusia ka krijuar mosmarrëveshje.
    Reagimi i Kissinger-it
    Përmes një qëndrimi të shkëputur, zoti Kissinger tha se politika amerikane në drejtim të Europës Lindore ishte, siç ai e përshkruan atë në një dëshmi të dhënë më 29 mars përpara Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe se politika amerikane në drejtim të Bashkimit Sovjetik është siç ai e paraqiti në një fjalim të mbajtur më 23 shkurt në San Francisko. “Zoti Sonnenfeldt nuk paraqiti një politikë të re, por ishte më tepër një sqarim”, - tha ai.
    Zoti Kissinger ripërsëriti “besimin e plotë” për zotin Sonnenfeldt në qëndrimin lidhur me zëdhënësin e tij të shtypit, Robert L. Funseth. Ai gjithashtu tha se i vjen keq që kjo praktikë e dokumenteve të klasifikuara të ndaluara për çdo arsye, për më tepër përfshihet tamam, për të vënë në dyshim një politikë ose të dyshohet për zyrtarët e këtij Departamenti”.
    Ron Nessen, zëdhënësi i presidentit Ford në Shtëpinë e Bardhë, tha në konferencën e tij të mesditës se politika e presidentit për Europën Lindore ishte e shprehur qartë në takimin e së enjtes në Milwaukee. Në këtë vend, zoti Ford tha se “politika e Shteteve të Bashkuara është që të mbështesë aspiratat për lirinë dhe pavarësinë kombëtare të popujve të Europës Lindore”.
    Në përmbledhjen e shënimeve të zotit Kissinger, ai rikujton se në mesin e viteve ‘50 ishte argumentuar nga disa politikëbërës amerikanë dhe me sa duket, edhe nga sekretari i Shtetit, John Foster Dulles, se “ekuilibri strategjik sigurohet duke rritur mundësitë për presion rajonal”. Kjo ishte “e gabuar atëherë” dhe është “e vërtetë tani”, - thotë përmbledhja.
    Si përfundim, “ekuilibrat rajonalë fitojnë më shumë domethënie”, - vazhdon përmbledhja. Dokumenti vazhdon se domethënia për këtë mendim është se “një politikë e Shteteve të Bashkuara do ta bëjë atë të pamundur për asgjësuar ato parti europiano-perëndimore të cilat janë anti-NATO, që bëjnë lidhjet se Shtetet e Bashkuara janë një kërcënim për paqen”.
    Çfarë fshihet pas?
    Kjo ishte prapa “qëllimeve për pajtim”, siç ndodhi gjatë sesionit special të Kombeve të Bashkuara vitin e kaluar, që u përqendrua tek zhvillimi i vendeve të ndryshme.
    Për më tepër, zoti Kissinger fajësoi kundërshtarët rreth kësaj politike brenda në Shtetet e Bashkuara për shumë prej zhvillimeve të huaja, të cilat përcaktohen të padëshirueshme. Përmbledhja vazhdon: “Një marrëveshje e madhe që ka ecur keq nuk është rezultat i uljes së tensioneve ose politikës sovjetike. Shembujt janë Portugalia dhe Italia. Problemet e Greqisë, Turqisë dhe Qipros janë pjesërisht rezultat i bllokimeve të brendshme në SHBA”.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 6 prill 1976
    Titulli është redaksional

  2. #202
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Shqipëria kërkon në OKB shkrirjen e NATO-s dhe Varshavës

    “ZP” publikon fjalimin e zv/ministrit Reis Malile në selinë e OKB-së. Sugjerimet e Tiranës zyrtare për paqen dhe siguri në kontinentin e Europës

    Vijon


    Qëndrimi i Republikës Popullore të Shqipërisë lidhur me çështjen e sigurimit europian njihet mirë. Delegacioni shqiptar dëshiron të theksojë edhe një herë se paqja e sigurimi i vërtetë në Europë nuk mund të realizohet pa marrë masa efikase për të likuiduar rreziqet që u vijnë popujve europianë nga politika agresive e dy superfuqive dhe për të ndryshuar gjendjen ekzistuese në këtë kontinent. Në radhë të parë kjo kërkon likuidimin e blloqeve agresive të NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, tërheqjen e trupave amerikane dhe sovjetike nga territoret e vendeve europiane, prishjen e të gjitha bazave ushtarake të dy superfuqive, ndalimin e manovrave të tyre ushtarake pranë kufijve të vendeve sovrane europiane dhe largimin nga Mesdheu të flotave të luftës. Çdo iluzion mbi vlerën e vendimeve që u aprovuan në Helsinki jo vetëm nuk i shërben çështjes së paqes e të sigurimit europian, por do të shfrytëzohet nga dy superfuqitë në dëm të interesave jetike të popujve të Europës. Zhurmën mbi të ashtuquajturën ulje të tensionit, dokumentet dhe frymën e konferencës së sigurimit europian dy superfuqitë dhe disa forca të tjera reaksionare përpiqen t’i shfrytëzojnë edhe si mjet që të harrohen një sërë çështjes të mbetura pa u zgjidhur që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe për t’u mohuar popujve europianë të drejtën për të kërkuar zgjidhjen e këtyre çështjeve. Nga kjo situatë kërkon të nxjerrë përfitimet e saj edhe Republika Federale Gjermane, e cila duke shfrytëzuar rivalitetin midis SHBA-ve e BS-së, përpiqet të afirmohet si fuqi e dorës së parë në Europë. Përkrahja dhe nxitja e vazhdueshme e SHBA-ve dhe lëshimet e njëpasnjëshme të BS-së social-imperialiste kanë shërbyer si inkurajim për forcimin e tendencave revanshiste në RF Gjermane. Nga viti në vit qeveritë e këtij vendi i kanë shtuar përpjekjet për ta kaluar në histori RF Gjermane pa shlyer detyrimet që bien mbi të si rezultat i daljes së Gjermanisë si shtet i mundur nga Lufta e Dytë Botërore, pas shpartallimit të nazizmit hitlerian nga popujt e koalicionet antifashist. Qeveria shqiptare, me kohë e në shumë raste e dokumente, i ka bërë të qarta pikëpamjet e saj për këtë çështje, të cilat i ka parashtruar edhe në këtë asamble tre vjet më parë, në kohën e pranimit të dy shteteve gjermane si anëtare të OKB-së. Delegacioni shqiptar e quan të nevojshme të vërë edhe një herë në dukje se RF Gjermane ka detyrime e borxhe të mëdha ndaj popullit shqiptar për krimet e shumta barbare, dëmet e shkatërrimit kolosale që bënë në Shqipëri pushtuesit nazistë gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë kohët e fundit ia ka përshtatur edhe një herë RF Gjermane kërkesën për t’i paguar dëmshpërblimet e luftës. Qeveria e RF Gjermane jo vetëm nuk ka marrë asnjë masë deri sot për të vënë në vend të drejtat e Republikës Popullore të Shqipërisë lidhur me dëmshpërblimet e luftës, por duke u mbështetur në justifikime krejt pabaza, përpiqet t’ia mohojë asaj këto të drejta. Ky është një tjetër qëndrim armiqësor që ajo mban ndaj popullit shqiptar, i cili nuk mund të mos i kujtojnë tij mizoritë e masakrat që nazistët gjermanë kanë bërë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke ecur në këtë rrugë, qeveria e RF Gjermane nuk bën tjetër veçse ngarkon vetëm me përgjegjësi akoma më të madhe. Republika Popullore e Shqipërisë nuk do të heqë dorë kurrë nga kërkesat e saj të ligjshme, të pakundërshtueshme e të paparashkrueshme. Në asnjë rrethanë e nën asnjë pretekst RF Gjermane nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë e të çlirohet nga detyrimet që bien mbi të. Delegacioni shqiptar deklaron se për zgjidhjen e këtij problemi nuk ka rrugë tjetër të drejtë e të pranueshme veç asaj që qeveria e Republikës Federale Gjermane të rishikojë qëndrimin e vet dhe të fillojë sa më parë t’i shlyejë Republikës Popullore të Shqipërisë dëmshpërblimet e luftës. Rritja e dukshme e rivalitetit midis SHBA-ve e BS-së për ekspansion dhe hegjemoninë në Mesdhe po e bën gjithnjë e më të nderë gjendjen në këtë rajon. Këtë vit ata i kanë përforcuar në një masë të paparë flotat e tyre të luftës me aeroplanmbajtëse e kryqëzorë të rinj, me nëndetëse bërthamore dhe anije të shumta desantimi etj. Lëvizjet provokuese e kërcënuese të këtyre flotave në çdo skaj të Mesdheut janë një demonstrim i politikës së forcës e të shantazhit që praktikojnë dy superfuqitë për të frikësuar e gjunjëzuar popujt dhe vendet mesdhetare. Admiralë e ushtarakë të lartë të dy superfuqive bëjnë vizita pas vizitash në disa vende mesdhetare. Anijet amerikane e sovjetike të luftës, në maskën e vizitave miqësore, hyjnë e dalin pa pushim në portet e disa vendeve mesdhetare dhe përpiqen të qëndrojnë atje sa më gjatë, me synimin që t’i kthejnë praktikisht këto porte në baza të përhershme për ankorim e furnizim. Sot nuk ka vend për asnjë iluzion lidhur me arsyet dhe synimet e pranisë së flotave të dy superfuqive në ujërat dhe në portet mesdhetare. Masat e drejta që mori këtë vit qeveria egjiptiane duke dëbuar nga portet e Egjiptit anijet ushtarake të social-imperialistëve sovjetikë, vërtetojnë edhe një herë atë që flotat e luftës të dy superfuqive, edhe kur vijnë gjoja për ndihmë e me qëllime miqësore, kthehen në rrezik të vazhdueshëm për lirinë e pavarësinë e vendit ku ndodhen dhe të vendeve të tjera përreth. Mesdheu u përket vendeve mesdhetare dhe popujt e këtyre vendeve aspirojnë që ky det të kthehet në një zonë paqeje e qetësie. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë i ka deklaruar botërisht pikëpamjet e saj se për t’ia arritur këtij qëllimi duhet që çdo vend mesdhetar të kundërshtojë me vendosmëri politikën agresive të SHBA-ve dhe të BS, duhet që vendet ku janë instaluar bazat e tyre ushtarake t’i likuidojnë ato, që flotave amerikane e sovjetike të mos u jepet asnjë lehtësi portuale. Udhëheqësi i popullit shqiptar, shoku Enver Hoxha, ka thënë: “Asnjë pretekst nuk mund të qëndrojë në këmbë kur u jepen leje flotave të të dy superfuqive jo vetëm që të kenë baza të përhershme,por edhe të drejtë të ankorohen, të riparohen e të furnizohen. Kjo është shumë e rrezikshme si për vendin që i jep këto koncesione, por edhe për fqinjin. Me këto veprime nuk mund të jemi dakord me askënd”. Vizitat e luftanijeve amerikane e sovjetike në portet e Mesdheut nuk kanë asgjë miqësore. Ato janë thjesht një shprehje e politikës së kanionerive. Çfarë miqësie mund të quhet ajo kur i ashtuquajturi mik të vjen në shtëpi i armatosur deri në dhëmbë, me topa, me zjarr e me hekur? Edhe në Gadishullin Ballkanik gjendja nuk është e qetë. Dhe kjo ndodh kryesisht si pasojë e politikës hegjemoniste që ndjekin në këtë zonë SHBA e BS. Ata përpiqen të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të Ballkanit, të krijojnë konflikte dhe t’i nxisin popujt e kësaj zone kundër njëri-tjetrit. Një gjendje e tillë nuk mund të mos ngjallë shqetësime të ligjshme tek popujt ballkanikë. Republika Popullore e Shqipërisë, e cila ndjek me besnikëri e konsekuencë politikën e fqinjësisë së mirë, nuk i ka kursyer përpjekjet e saj për të kontribuar për paqen e stabilitetin e vërtetë në Ballkan. Ajo ka treguar me vepra konkrete se nuk ka lejuar e nuk do të lejojë kurrë që popujve të vendeve fqinj dhe popujve të tjerë të Ballkanit t’u vijë ndonjë e keqe nga territori i saj. Qeveria shqiptare ka vlerësuar drejt çdo dëshirë të sinqertë për një mirëkuptim e bashkëpunim të vërtetë ballkanik dhe, duke u nisur nga gjendja reale që ekziston në Ballkan, ka shprehur hapur mendimet e saj mbi rrugët për arritjen e këtij mirëkuptimi e bashkëpunimi. Ajo i përmbahet pikëpamjes se aktualisht aspiratave të popujve ballkanikë mund t’u shërbehet më mirë nëpërmjet zhvillimit të marrëdhënieve midis vendeve të Ballkanit në rrugë bilaterale dhe në frymën e politikës së fqinjësisë së mirë. Një rëndësi të veçantë për paqen e stabilitetin në Ballkan e në zonat përreth tij ka zgjidhja e drejtë e problemit të Qipros. Qeveria shqiptare është shprehur kurdoherë në favor të ekzistencës së shtetit të lirë e të pavarur të Qipros, të respektimit të sovranitetit e të integritetit të tij territorial dhe të zgjidhjes së problemit të Qipros nga vetë dy komunitetet që jetojnë në këtë ishull në harmoni e në mirëkuptim midis tyre. Ne dënojmë çdo ndërhyrje të fuqive imperialiste në punët e brendshme të Qipros dhe planet e intrigat e SHBA-ve dhe BS-së për ta shfrytëzuar çështjen qipriote për qëllimet e politikës së tyre hegjemoniste.



    Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 5 tetor 1976
    Titulli është redaksional

  3. #203
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Parashikimet e SHBA-ve në vitin 1975: Si do jetë e ardhmja e Shqipërisë

    Gazetari sjell opinionet e specialistëve amerikanë për vendin tonë. Raportet ekonomike me Kinën dhe dilemat për pasuesin e Enver Hoxhës

    David Binder

    UASHINGTON – Sipas zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, të specializuar për çështjet shqiptare, “Shqipëria, vendi i izoluar europianolindor, me lidhje të forta me Kinën, është përfshirë nga çrregullime të brendshme politike për shkak të mundësisë së ndërprerjes së ndihmës ekonomike nga Pekini. “Duke theksuar se atje ka një stanjacion në zhvillimin ekonomik shqiptar gjatë viteve të fundit, zyrtarët amerikanë thonë se kjo situatë ka shtruar nevojat për hapje në lidhjet me vendet e tjera përtej miqësisë që ky vend ka me Kinën.
    Lidhjet mes Shqipërisë dhe Kinës
    Enver Hoxha, udhëheqësi 66-vjeçar i Partisë së Punës së Shqipërisë, ka reaguar përgjatë dy viteve të fundit me spastrimet e disidentëve. Rasti më i fundit është demaskuar prej tij të mërkurën, gjatë një fjalimi të tij të mbajtur në Tiranë, kryeqyteti i vendit.
    Zyrtarët amerikanë thonë se nuk e kanë idenë se sa asistencë ka dhënë Kina për Shqipërinë gjatë këtyre viteve, që kur vendi ndërpreu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, në vitin 1960.
    Një zyrtar thotë se ndihma supozohet të jetë përllogaritur në rreth 100 milionë dollarë të dhëna nga Kina çdo vit. Marrëveshja e fundit shqiptaro-kineze për asistencën është nënshkruar në korrikun e vitit 1975, por shuma akoma nuk është bërë e ditur.
    Dy zyrtarë thonë se ka të dhëna se asistenca kineze në tërësi ka mbetur në të njëjtat nivele, ose është zvogëluar.
    Ata theksojnë se pothuaj të gjithë zyrtarët e shkarkuar nga zoti Hoxha, përfshirë një numër ministrash të kabinetit qeveritar, kishin pasur lidhje me çështjet ekonomike të vendit. Amerikanët që vëzhgojnë Shqipërinë nuk pranojnë konstatimet që qarkullojnë në radhët e diplomatëve europianë se zoti Hoxha akoma po lufton elementët pro-sovjetikë në partinë e tij. “Unë nuk besoj se gjendet ndonjë element pro-sovjetik i larguar”, - thotë një zyrtar. “Ata janë të zhgënjyer me atë që po marrin nga Kina. Ata janë pro-Shqipërisë, por u mërzitën me Kinën dhe dëshirojnë të marrin asistencë nga Perëndimi ose nga ndonjë vend tjetër gjetkë”.
    Spastrimet e Enverit në vitin 1970
    Javën e kaluar, zoti Hoxha njoftoi shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Piro Dodbiba dhe ministrit të Arsimit, Thoma Deliana. Në listën e drejtuesve të shkarkuar më parë ishte edhe Abdyl Këllezi, kryetar i Planit Ekonomik të Shtetit.
    Zyrtarë amerikanë thonë se ajo që mbetet e rëndësishme është se javën e kaluar zoti Hoxha i demaskoi të shkarkuarit në lidhje me një pritje të bërë për punonjësit kinezë që po drejtojnë punimet për ndërtimin e kombinatit metalurgjik në Elbasan.
    Zoti Hoxha foli me tone plot nënkuptime për “ndihmën e madhe ndërkombëtare të Pekinit” dhe “miqësinë e pathyeshme me Kinën”. Gjithashtu, ai foli për “armiqtë e brendshëm” dhe vazhdimin e spastrimit, duke thënë se “këta tradhtarë dëshirojnë të sabotojnë ndërtimin e socializmit, madje të cenojnë miqësinë me motrën tone, Kinën; të lidhin vendin tonë me revizionizmin sovjetik”. Zyrtarët amerikanë, që i kanë marrë me rezerva konstatimet për çdo spastrim të elementeve pro-sovjetikë, e konsiderojnë këtë fjalim të bërë nga zoti Hoxha si “tymnajë”.
    Ata thonë se spastrimi i fundit më domethënësi i një grupi pro-sovjetik në Shqipëri ndodhi kur ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe një numër mbështetësish të tij në radhët e forcave të armatosura u eliminuan në vitin 1974.
    Gjithashtu, zoti Balluku, një bashkëpunëtor i afërt i zotit Hoxha që në vitin 1941 e në vazhdim, kishte lidhje të ngushta me Lin Bian, ministrin e Mbrojtjes së Kinës, i cili ishte vrarë në vitin 1971, në një aksident të sajuar ajror menjëherë pas një sulmi të dështuar që kishte bërë kundër Mao Ce Dunit.
    Parashikimet e specialistëve amerikanë
    Që atëherë, specialistët amerikanë thanë se zoti Hoxha e ka “izoluar” Shqipërinë, duke imponuar masa të reja frenuese për lidhjet me botën e jashtme, me përjashtim të Kinës. Shqipëria mban marrëdhënie diplomatike me 55 vende në mbarë botën. Zyrtarët amerikanë thonë se stanjacioni ekonomik i Shqipërisë përkon me atë që ata e përshkruajnë si rritje e shkurajimit politik (të popullit – shën red.) me Enver Hoxhën dhe kryeministrin Mehmet Sheu. Raportohet se të dy udhëheqësit e Shqipërisë kohët e fundit kanë qenë të sëmurë dhe specialistët amerikanë konstatojnë se kjo mund të ketë shkaktuar disa ngasje në radhët e udhëheqësve të rinj që po mendojnë për pasardhësin.


    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 3 maj 1976
    Titulli është redaksional: Titulli origjinal është: “Albanian turmoil reported by U.S.”

  4. #204
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Enver Hoxha shfaqet si suvenir

    Ost-algji, do të thotë nostalgjia për kohën e komunizmit e që shfaqet me mbledhjen e sendeve që kujtojnë atë pjesë të historisë së Gjermanisë, të asaj lindore, pra në ost.
    Në Shqipëri shfaqja e parë komerciale e nostalgjisë por dhe talljes njëkohësisht me komunizmin u bë me bunkerët. Ata u shfaqën të riprodhuar në çdo përmasë dhe me materiale të ndryshme, duke u përdorur në mënyrë inflancionare për post-prezantimin e Shqipërisë komuniste. Mbase kjo nuk kishte lidhje me nostalgjinë.
    “Por sot ka ardhur koha”, - thotë Vata një shitës suveniresh në qendër të Tiranës. Pra ka ardhur koha, dhe nga vitrina e dyqanit të tij Enver Hoxha të përshëndet nga një filxhan i madh dhe një i vogël kafeje. Në hyrje të dyqanit ai të buzëqesh nga pulla të vogla magnetike, kurse mbi tavolinë busti i vogël i tij sikur ka dalë nga shkolla tetëvjeçare e Mamurrasit në vitet tetëdhjete, por gjatë rrugës nëpër kohë dhe për Tiranë është zvogëluar. Në bust Enver Hoxha është udhëheqës serioz.
    Firma “Stela” e suvenireve i prodhon magnetet dhe filxhanët me portretin e Enver Hoxhës. Bustet e tij ajo i ambalazhon, por nuk i prodhon vetë.
    Ka ardhur koha, thotë Vata. “Dhjetë vjet më parë njerëzit nuk guxonin as të thoshin që ishin socialistë. Ka ardhur koha që Enver Hoxha të tregohet hapur”. Ai nuk i fsheh sendet me Enver Hoxhën. Reagimet e njerëzve që kalojnë janë të ndryshme.
    Më kanë thënë të m’i thyejnë filxhanët. I kam thënë paguaj 5 mijë lekë dhe thyeji. Ca më kanë të lumtë, dhe ka nga ata që u ka ba shpirti mal. Ca kanë thënë do të vijmë ta marrin. Ka njerëz që e duan tamam.
    Ai i blejnë njerëzit sendet me Enver Hoxhën?
    Po! Ecën mirë.
    Kush i blen më shumë?
    Më shumë i blejnë të huajt.
    A e njohin të huajt Enver Hoxhën?
    Nuk e di. Kam përshtypjen se jo.
    Një francez kishte blerë dje një magnet. Busti nuk shitet shumë.
    Këtu në dyqan Vata teston pulsin e kohës. Ata që më njohin pyesin pse e shes Enver Hoxhën. Ata që s`më njohin, thonë “ky do jetë ndonjë komunist”.
    Vata, vjen nga Tropoja, dhe ka qenë familje e persekutuar. " Aq sa kam qenë në atë kohë me i kundërshtu, i kemi kundërshtu. Tani njerëzit sot që kanë hanë hangër bukë me të e shajnë."
    Ai do shumë Sali Berishën. Në karrigen ngjitur ka lënë gazetat që ka lexuar sot: Tema, RD, dhe Zëri i Popullit. “Kjo është demokracia”, mendon ai.

  5. #205
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Librat e Enverit kanë përfunduar në sirtarët e Stasi-t


    Ambasada shqiptare është marrë edhe me mbledhjen e informacioneve në rrugë jozyrtare. Këtë e tregon një dokument që gjendet sot në arkivat e Stasi-t. Dokumenti me nr. 22854 është shkruar nga Kapiteni Becker, i cili ka hedhur në letër ato çka i ka treguar IMB me pseudonimin “Runge” (bashkëpunëtor jozyrtar për përpunimin e personave të dyshuar si armiq). Dokumenti që mban datën 6 shkurt 1985 tregon se "Runge" ka raportuar se ambasadori i ambasadës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Republikën Demokratike Gjermane ka treguar interes të madh për marrjen e informacioneve mbi aktivitetet e anëtarëve të Byrosë Politike të SED (Unionit Socialist Gjerman- Partia në pushtet) të cilat nuk publikohen në shtyp. Po ashtu ai ka kërkuar që për marrjen e informacioneve të tilla të përdoren edhe rrethet e miqve. Burimit i është kërkuar po ashtu të përpunojë informata për rolin dhe pozicionimin e kishës në RDGJ dhe për temën e "Kisha si mbulesë për grupe të ndryshme opozitare". Këto informacione ai duhet t`ja dorëzojë ambasadorit shqiptar deri në shkurt të 1985-ës.
    Një dokument tjetër është shkruar po ashtu nga kapiteni Becker, por ai përmban informata të dhëna nga IMS me pseudonimin "Pit" (bashkëpunëtor jozyrtar për sigurimin e objekteve). Në të thuhet se "nga një burimi besueshëm u mësua se gjatë një bisede me një diplomat shqiptar në ambasadën e RPSSH në RDGJ (Gjermania lindore) është treguar interesim për këto informacione: si punon SED? çfarë detyrash kryejnë drejtuesit e rretheve dhe qarqeve të SED për përmirësimin e kushteve të punës dhe organizimit të saj, çfarë pengesash shfaqen në arritjen e rendimenteve në ndërmarrje dhe si ndikon partia për mënjanimin e tyre, çfarë roli luajnë partitë e bllokut, a kanë ata komitete nëpër ndërmarrje? Më tej janë bërë pyetje për marrëdhëniet midis RDGJ dhe RFGJ. Diplomati shqiptar ka shprehur mendimin se për udhëheqjen shqiptare çështja gjermane është e mbyllur.
    Që ministria e sigurimit të shtetit, Stas-i ka mbajtur shumë mirë evidenca për aktivitetet jodiplomatike të diplomatëve shqiptarë në RDGj e tregon edhe një dokument tjetër i datës 30 tetor 1980. Ai bën fjalë për shpërndarjen e materialeve politike propagandistike. Në datën 25 tetor punonjësi drejtues i ambasadës së RPS të Shqipërisë në RD Gjermane i shoqëruar nga shoferi dhe gruaja e tij kanë vizituar një nga bashkëpunëtorët tanë në shtëpinë e tij. Vizita nuk ka qenë e paralajmëruar dhe është zhvilluar në orët e para të mbrëmjes. Gjatë vizitës personi...i ambasadës i ka dhënë bashkëpunëtorit tonë veprën më të fundit të kryetarit të PPSH, Enver Hoxha drejtuar kundër Bashkimit Sovjetik dhe bashkimit të vendeve socialiste, “Hrushovianët”, Kujtime, botuar nga Instituti i Studimeve Marksiste Leniniste, në shtëpinë botuese "8 nëntori" Tiranë 1980, për ta studiuar vetë dhe për ta shpërndarë mes qytetarëve të RDGJ dhe Bashkimit Sovjetik si dhe pjesëtarëve të Ushtrisë sovjetike në zonën e Kotbusit. Kështu ai ka marrë 17 ekzemplarë në gjuhën gjermane dhe 15 ekzemplarë në gjuhën ruse. Njëkohësisht ai ka marrë revistën "Shqipëria e re" numrin 3- të i vitit 80 në gjuhën ruse dhe gjermane (nga 10 ekzemplarë për secilin). Punonjësi i ambasadës ka paralajmëruar se do të sjellë ekzemplarë të tjerë të “Hrushovianëve” në gjuhën franceze dhe atë spanjolle për t’ia shpërndarë ato qytetarëve të huaj, për shembull atyre algjerianë.
    Nga biseda me bashkëpunëtorin tonë diplomati donte të merrte informacione se si kanë reflektuar qytetarët e RD Gjermane ndaj ngjarjeve të Polonisë. Thëniet e bashkëpunëtorit tonë se shumë punëtorë janë bërë agresivë dhe kritikë, u pranuan nga diplomati. Ai vetë përfaqëson mendimin zyrtar të PPSH sipas të cilës revoltat në Rep. Pop. Polonisë kanë shumë "përmbajtje pozitive" por ato keqpërdoren nga fuqitë imperialiste për qëllimet e tyre agresive.
    Diplomati u vu në dijeni nga punonjësi ynë se anëtarët e KPD- Partisë Komuniste Gjermane kanë nxjerrë një urdhëresë që të kufizojnë vizitat në ambasadën e RPSSH për të shmangur rënien në sy të organeve të sigurimit të DDR.
    Dokumenti shoqërohet nga një tjetër që tregon për masat e marra menjëherë: bashkëpunëtorit tonë i merren materialet e dhëna,
    në bashkëpunim dhe koordinim me Kotbusin, Sektorin II (Hauptverwaltung Aufklärung) do të merren masa të fshehura që të mënjanojnë shpërndarjen e revistave, vlerësimin analitik të librit "Hrushovianët", dorëzimin e informacioneve tek shoku ministër.

  6. #206
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Vdekja e Enverit, ja si u pasqyrua ngjarja nga “The New York Times”


    Gazeta përgatit specialen për ndarjen nga jeta të Hoxhës më 12 prill. Karriera e diktatorit që nga fillimet deri në ditët e fundit të jetës

    Wolfgang Saxon

    Enver Hoxha, udhëheqësi shqiptar që vdiq dje në Tiranë, e mbajti vendin e tij malor të izoluar në mënyrë të egër për katër dekada me radhë. Shqipëria, gjatë gjithë historisë, u viktimizua që në kohërat e grekëve dhe romakëve, por ruajti pavarësinë e saj në mënyrë sfiduese nën udhëheqjen staliniste. Politikat e saj e larguan Shqipërinë nga miqtë e saj të paktë që kishte përreth si dhe e degraduan qeverisjen e tij me një seri protektoratesh dhe përfituesish të huaj të fuqishëm. Zoti Hoxha mori nën zotërim pushtetet absolute në vend, duke filluar që nga detyra e Sekretarit të Parë të Partisë së Punës (Komuniste) të Shqipërisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. “Le ta kuptojë çdokush në mënyrë të qartë se muret e kështjellës tonë janë shkëmb graniti i pathyeshëm”, - thotë ai në një prej shumë volumeve me kujtimeve, që ka shkruar gjatë viteve, disa prej të cilave përmbajnë kujtimet me Stalinin. Tashmë janë publikuar më shumë se 40 volume të fjalimeve dhe kujtimeve të Enver Hoxhës.
    Fragmente domethënëse
    Librat e tij përmbajnë fragmente domethënëse. Në vitin 1982, pasi po denonconte “imperialistët dhe lakenjtë e tyre, tha se “ne kemi izoluar veten tonë nga ‘bota e qytetëruar’”, dhe më pas ai shtoi këtë fjali domethënëse: “Të dyja, historia e hidhur e vendit tonë në të kaluarën dhe realiteti i ‘botës’ që ata reklamojnë, na kanë mbushur bindur se kjo nuk vjen nga moskuptimet e një ‘bote të civilizuar’, por të një bote në të cilën më i madhi dhe më i forti e shtypin dhe e rrjepin më të voglin dhe më të dobëtin; në të cilën paraja dhe korrupsioni bëjnë ligjin dhe padrejtësia, pabesia dhe prapaskena triumfojnë".
    Shqipëria ishte një nga vendet e para komuniste që denoncoi revizionizmin jugosllav të Josif Broz Titos, duke u rreshtuar me Stalinin në vitin 1948. Pastaj, zoti Hoxha ndërpreu lidhjet e tij me Bashkimin Sovjetik pikërisht në kulmin e fushatës kundër çmitizimit të Stalinit nga Nikita Hrushov në vitin 1961, në kohën e përçarjes kinezo-sovjetike. Zoti Hoxha nisi të besojë te Kina për mbështetje materiale. Siç thotë një proverb në Ballkanin e vjetër, “armiku i armikut tim është miku im”, zoti Hoxha bëhet një zë, megjithëse gjithnjë e më shumë i pandjeshëm, një mbështetës i Mao Ce Dunit kur ai e pa veten të izoluar nga blloku sovjetik.
    Ftohja në lidhjet me Kinën
    Por sërish zoti Hoxha mbetet i zhgënjyer. Shkrirja e akujve në marrëdhëniet kinezo-amerikane solli ftohjen e miqësisë së Shqipërisë me Kinën dhe shndërrimin e tyre në një çarje të madhe që në vitin 1982, pikërisht atëherë kur u ndërprenë plotësisht marrëdhëniet mes dy vendeve.
    Më vonë, Shqipëria, përmes qeverisë “Hoxha”, tentoi të vendosë kontakte me Greqinë dhe Turqinë, duke përpunuar minoritetet etnike, veçanërisht atë grek, për të arritur qëllimet e saja. Në fakt, Vietnami mbeti i vetmi vend me të cilin Shqipëria kishte një marrëdhënie të ngushtë, megjithëse nuk ishte dobiprurëse.
    Së brendshmi, synimi i zotit Hoxha ishte të modernizojë dhe industrializojë një nga vendet që mbeti përgjithësisht më i prapambeturi në Europë. Megjithëse udhëtarët e kanë përshkruar Shqipërinë e sotme më të zhvilluar, por vitet e fundit Tirana ka mbetur me rrugët e kalldrëmta të saja dhe trafikun e rralluar, pothuajse si të ishte një zonë e shekullit të 19.
    Përgjatë viteve qeveria “Hoxha” kishte dhënë fonde për zhdukjen e analfabetizmit. Gjithashtu, besimi ishte i ndaluar, ligjërisht nga diktati i zotit Hoxha duke e bërë kështu Shqipërinë "shtetin e parë ateist në të gjithë botën, i cili ka për besim të saj "shqiptarizimin". E drejta e ushtrimit publik të besimit ishte e ndaluar. Problemet për grekët etnikë Minoritetet etnike brenda popullsisë së Shqipërisë, e cila llogaritet rreth 3 milionë banorë, ishin stisur vetëm në një zonë të banuar nga grekë etnikë, të cilët, për shembull, ishin detyruar të ndryshonin shqiptimin e emrave grekë. Sipas vizitorëve, vetëm së fundi, disa mësues të greqishtes ishin lejuar të jepnin mësime nëpër shkolla, në kuadër të lëvizjes së Shqipërisë në drejtim të një politike më të hapur ndaj Greqisë.
    Përtej gjithë këtyre, zoti Hoxha mbajti kontrollin e tij në drejtimin e asgjësimit të komplotistëve, duke udhëhequr spastrimet e përgjakshme dhe burgosjet masive të të gjithë atyre që kundërshtonin ose që nuk e ndiqnin në linjën e tij të ndryshimeve zyrtare.
    Shumë shpejt, pas njoftimit se në vitin 1981 Mehmet Shehu, kryeministri më jetëgjatë i vendit, ka kryer vetëvrasje, atje kishte informacione të pakonfirmuara se ai në fakt ishte vrarë. Por, zoti Hoxha, përmes një libri të publikuar në vitin 1982, theksoi se zoti Shehu kishte vrarë veten. Versioni për vrasje ishte konstatuar nga analistë perëndimorë që i kushtuan vëmendje një fjalie të një artikull që u publikua në shkurt në gazetën ditore partiake shqiptare, “Zëri i Popullit”. Në një përkthim të shpërndarë nga misioni shqiptar në Kombet e Bashkuara, zoti Shehu ishte cilësuar “një agjent sekret i amerikanëve, sovjetikëve dhe jugosllavëve”, që ishte likuiduar sepse ai atakoi unitetin e pathyeshëm të partisë me popullin.
    Dyshimet rreth versionit të vrasjes
    Anëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikanë në Nju-Jork debatuan se përkthimi ishte keqkuptuar dhe se përkthimi i fjalëpërfjalshëm në shqip “ishte likuiduar” ishte përdorur në kuptimin figurativ, i cili nuk ka kuptimin se zoti Shehu kishte qenë ekzekutuar. Ata theksojnë se artikulli thotë gjithashtu: “Historia rreth çështjes së Mehmet Shehut ishte përshkruar gjerë e gjatë në të gjitha aspektet e tij në një libër të publikuar tashmë nga shoku Hoxha”.
    Veç kësaj, duke u përqendruar në sigurinë e brendshme, qeveria “Hoxha” në vitet e fundit kishte ndërmarrë hapa për hapjen e lidhjeve me fqinjët e saj; Greqinë dhe Jugosllavinë, megjithëse marrëdhëniet me ato ishin ende të ftohta.
    Dhe nga vitet e fundit kishte të dhëna të tjera se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më pak e izoluar dhe po shikonte për lidhje të reja me shtete të tjera. Në marsin e vitit 1984 ishte firmosur një pakt për zgjerimin më të madh tregtar me Italinë, i cili, gjithashtu, përfshin marrëveshjen për zgjerimin e lidhjeve kulturore.
    Djali i një tregtari prodhimesh islame
    Enver Hoxha ka lindur më 16 tetor 1908 në Gjirokastër, një qytet tregtar në Jug të Shqipërisë. Babai i tij ishte një shitës veshjesh islame. Ai mbaroi shkollën e mesme franceze në Korçë dhe në moshën 22-vjeçare shkoi në Francë që të studiojë në Universitetin e Monpeljesë. Kur ishte në Francë ai shkroi për gazetën komuniste "L'Humanite". Në vitin 1934 ai emërohet sekretar në Konsullatën Shqiptare në Bruksel, ku ai përfundoi një kurs për drejtësinë, ndërsa vazhdoi të shkruante për të përditshmen franceze. Që kur artikujt e tij u bënë kritikë për qeverinë e Shqipërisë, - në atë kohë monarki, e drejtuar nga mbreti Zog, - funksioni i tij si konsull ndërpritet pas dy vitesh. Por, ai rikthehet në vendlindje dhe pranoi një punë si mësues i frëngjishtes në shkollën ku kishte mbaruar arsimin e mesëm në Korçë. Sulmet e vazhdueshme të tij ndaj qeverisë rezultuan me burgosjen për një periudhë të shkurtër në fillimin e vitit 1939.
    Roli i fshehtë gjatë pushtimit italian
    Ushtria italiane e Musolinit aneksoi Shqipërinë pak më vonë, pikërisht në atë vit, duke e përzënë jashtë vendit mbretin Zog dhe duke e kthyer vendin nën Mbretërinë Italiane. Një qeveri shqiptare marionetë iu bashkua Boshtit në Luftën e Dytë Botërore dhe u shpalli luftë Aleatëve në vitin 1940.
    Zoti Hoxha, i cili vazhdonte aktivitetin e tij të fshehtë, bëhet themelues dhe udhëheqës i Partisë Komuniste Shqiptare në vitin 1941. Gjithashtu ai ishte drejtues i gazetës “Zëri i popullit”, organi i Partisë Komuniste. Ai për herë të parë punoi në një dyqan cigaresh në Tiranë, i cili shërbeu si një strehë për aktivitetet e tij komuniste. Italianët nuk arritën kurrë ta kapnin atë, por ai mori malet, kur mori mbështetje nga oficerët rusë që zbritën në Shqipëri me parashuta, ashtu siç erdhën edhe oficerët britanikë dhe amerikanë të ndërlidhjes.
    Ish-mësuesi i frëngjishtes organizoi një forcë partizane prej 70 mijë njerëzish që luftuan kundër italianëve dhe më vonë kundër gjermanëve, të cilët patën mbështetjen e aleatëve të tyre për rreth një vit. Pas kapitullimit të Italisë nga Aleanca në Luftën e Dytë Botërore, forcat e saj u tërhoqën nga Shqipëria dhe partizanët komunistë shpallën një qeveri të përkohshme në tetorin e vitit 1944 me Enver Hoxhën, që në atë kohë mbante gradën e “Gjeneralit”; Ai u caktua si kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Qeveria e tij u deklarua se do të njihej nga aleatët perëndimorë, më vonë, në vitin 1945, me kushtin që të mbaheshin zgjedhje të lira.
    Enveri, i vetëm në listën e kandidatëve
    Kur nisën votimet, atje kishte vetëm një person në listën e kandidatëve, i mbështetur nga komunistët. Në janarin e vitit 1946 Shqipëria u shpall Republikë Popullore dhe Shtetet e Bashkuara dhe Britania refuzuan njohjen e saj dhe e bllokuan Shqipërinë që t’i bashkëngjitej Kombeve të Bashkuara deri në vitin 1955.
    Komunistët jugosllavë, që i kishin ndihmuar partizanët shqiptarë që nga fillimet, kishin një bashkim monetar dhe doganor me Shqipërinë e re. Por zoti Hoxha, i frikësuar nga supermacia e Beogradit, ndërpreu të gjitha lidhjet me jugosllavët pikërisht në kohën e prishjes mes Stalinit dhe Titos në vitin 1948. Gjithashtu ai ndryshoi emrin nga Parti Komuniste në Parti Pune dhe mori drejtimin e saj.
    Në vitin 1954 zoti Hoxha dorëzon te Mehmet Shehu detyrën e kryeministrit, por mbetet i gjithëfuqishëm si kryetar partie, duke ndryshuar pozicionin e tij nga Sekretar i Përgjithshëm në Sekretar i Parë.
    Pas ndërprerjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961, zoti Hoxha triumfoi në një numër luftërash për pushtet dhe një tentativë për goditje të brendshme ushtarake në vitin 1974, ku ishte përfshirë ministri i tij i Mbrojtjes. Në këtë rast, ministri dhe disa oficerë të ushtrisë u ekzekutuan.
    Vritet gjysma e Komitetit Qendror
    Në fakt, rreth gjysma e 31 anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë së vitit 1948 ishin vrarë përgjatë viteve në vazhdim. Vështirësitë gjithnjë e më të mëdha ekonomike çuan në gjallërimin e grindjeve politike dhe qindra zyrtarë raportoheshin se po dënoheshin nëpër burgje për shkak të kundërshtimit të politikës së prishjes me Kinën, e cila kishte shërbyer si një nga mbështetëset kryesor në nevojën e tyre për zhvillimin ekonomik. Gjeneral Hoxha, një burrë i gjatë dhe i pashëm, ishte martuar me Nexhmije Hoxhën, një mësuese, të cilën e kishte takuar që në kohën e lëvizjes partizane. Ajo u bë anëtare e Komitetit Qendror dhe pas vitit 1969 punoi si drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë.


    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 12 prill 1985
    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Enver Hoxha. Mastermind of Albania’s isolation”

  7. #207
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    “Enver Hoxha, arkitekt i Shqipërisë së re socialiste”

    Pjesë nga fjalimi i Ramiz Alisë në funeralin për Enver Hoxhën

    “Historia e popullit tonë ka njohur shumë njerëz të shquar”, - tha midis të tjerash shoku Ramiz Alia. “Shumë luftëtarë e patriotë të vërtetë, kanë dhënë një kontribut të madh për lartësimin e kombit dhe përparimin e vendit, për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut. Shoku Enver Hoxha zë vendin kryesor, si figura më e madhe historike e kombit shqiptar. Njerëz si Enver Hoxha janë të rrallë në historinë e popujve. Ata janë gjigantë të mendimit e të vendimit që i lindin revolucionet e mëdha. Ata bëjnë epokë. Me të drejtë populli ynë, kohën që jetojmë sot e quan koha e Partisë. Kësaj kohe i kushtoi veprën e vet të shquar e të gjithanshme shoku Enver i ka dhënë edhe emrin e tij. Shoku Enver është themeluesi i Partisë sonë të lavdishme, i organizatës së të gjitha fitoreve të popullit tonë. Ai, duke qenë në krye të Partisë që nga themelimi, e vazhdimisht e forcoi atë organizativisht dhe e kaliti ideologjikisht, e bëri atë të aftë që t’i bënte ballë me sukses detyrave të mëdha historike që shtroheshin përpara saj. Shoku Enver e bëri Partinë një Parti proletare të tipit leninist, të vendosur e të guximshme, luftëtare dhe të paepur për interesat e popullit. Shoku Enver e bëri partinë një forcë të pamposhtur revolucionare që diti të udhëheqë popullin nga fitorja në fitore, si në festën për çlirim, ashtu edhe në emërtimin socialist të vendit. Rrënjët e Shqipërisë së re janë lufta e lavdishme Nacionalçlirimtare. Shoku Enver Hoxha është organizatori dhe udhëheqësi heroik i Luftës Nacionalçlirimtare dhe i revolucionit tonë popullor. Ai gjeti dhe përcaktoi rrugët e organizimit dhe zhvillimit të saj në mënyrë që të çonte popullin me siguri në fitoren përfundimtare”. “Shoku Enver, - tha më poshtë shoku Ramiz Alia, - qysh në kohën e luftës, i dha popullit dy armë kryesore për fitoren mbi armiqtë, dy instrumente të revolucionit që vazhdojnë edhe sot të jenë armë të fuqishme për socializmin dhe mbrojtjen e Atdheut; Si marksist i vërtetë dhe si strateg i madh, shoku Enver, e kishte të qartë se populli nuk mund të fitonte, se liria nuk mund të sigurohej pa krijuar forcën e organizuar politike, dhe atë ushtarake të lëvizjes. Prandaj ai punoi me të gjitha forcat si komunist dhe patriot i zjarrtë për krijimin e Frontit Nacionalçlirimtar, ku do të bashkoheshin të gjithë shqiptarët, të cilëve ju dhimbsej liria dhe pavarësia. Shoku Enver është organizatori i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ai, si Komandant i Përgjithshëm, e ka udhëhequr atë në të gjitha betejat vendimtare. Lufta jonë, në sajë të udhëheqjes së Shtabit të Përgjithshëm e të shokut Enver Hoxha është zhvilluar në mënyrë të organizuar dhe sipas një plani të menduar e të ndërgjegjshëm. Kjo ka bërë që lufta jonë të zhvillohej drejt, që operacionet e saj luftarake të përfundonin me sukses, që populli ynë me forcat e veta të çlironte vendin dhe të vazhdonte luftën kundër pushtuesve nazistë edhe në Jugosllavi”.
    “Partia dhe shoku Enver, - tha pastaj shoku Ramiz Alia, - qysh në kohën e luftës, i dhanë popullit Pushtetin e tij, nëpërmjet këshillave nacionalçlirimtare. Dalja e popullit në krye të vendit, krijimi i pushtetit Popullor, shënon kurorëzimin me sukses të revolucionit. Dhe në qoftë se në krye të vendit është populli, kjo i detyrohet në mënyrë të veçantë qartësisë ideopolitike të shokut Enver, që ka ditur të demaskojë planet e armiqve, që u ka rezistuar dhe ka hedhur poshtë me vendosmëri veprimet e armiqve të tjerë. Shoku Enver Hoxha është arkitekti i Shqipërisë së re socialiste. Atij i takon merita kryesore në përpunimin e programit të ndërtimit socialist, që e nxori vendin nga errësira në dritë, që krijoi kushtet që jeta e popullit punonjës të përmirësohej pandërprerë. “Programi që hartoi Partia, - tha pastaj shoku Ramiz Alia, - me në krye shokun Enver, për ndërtimin e socializmit, ishte një zbatim krijues i mësimeve të marksizëm-leninizmit. Kur hedhim sytë prapa dhe shohim rrugën e përshkuar, sukseset e fitoret madhështore që janë arritur bëhet edhe më e qartë se ç’fuqi të madhe krijuese kishin ato zgjidhje që u dhanë Partia dhe shoku Enver problemeve që dilnin. “Në këto katër dekada, - tha pastaj shoku Ramiz Alia, - të jetës sonë të lirë, Shqipëria ka kaluar disa revolucione, që ne i quajmë transformime revolucionare, siç janë ato në fushën e ekonomisë, të kulturës, të ideologjisë etj. Në secilën fushë, në themel të luftës së Partisë, të klasës punëtore dhe masave të tjera punonjëse, kanë qëndruar dhe qëndrojnë orientimet programatike të shokut Enver, mësimet e tij marksiste-leniniste, që i janë përgjigjur realitetit shqiptar dhe kërkesave të zhvillimit tonë. Nën udhëheqjen e Partisë, me shokun Enver në krye, brenda një kohe të shkurtër, vendi ynë ka ndryshuar plotësisht pamjen e vet, ai është shndërruar në një vend të përparuar, me industri dhe bujqësi shumëdegëshe e moderne, të afta për të përballuar në një nivel gjithnjë e më të lartë nevojat e popullit”. “Te ne, - tha shoku Ramiz Alia, - është bërë një revolucion i thellë ideologjik e kulturor. Shoku Enver është frymëzuesi dhe luftëtari më aktiv i këtij revolucioni. Me nxitjen dhe kujdesin e tij të drejtpërdrejtë u zhvillua arsimi i lartë, ku përgatiten tërë kuadrot e nevojshme për përparimin e të gjithë sektorëve. Aktualisht, vendi ynë është në gjendje të ecë në një hap me progresin teknik e shkencor të kohës, pa patur nevojë për specialistë të huaj. Kushdo në vendin tonë është dëshmitar i impulsit që mori ndërtimi socialist dhe përparimi i vendit, pas lëvizjeve të frymëzuara nga shoku Enver, si rrjedhim i të cilave u shërben kanunet që skllavëronin gruan, u flakën tej prangat e fesë dhe zakonet e vjetra”.

    Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 13 prill 1985
    Titulli është redaksional

  8. #208
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    “The New York Times”: “Si u zgjodh Ramiz Alia pasues i Enverit

    Hoxha e kishte planifikuar atë për president që në vitin 1984. Dëshmitë e bashkëkohësve të tij, Arshi Pipa dhe Stefen Peters

    David Binder

    Ramiz Alia, presidenti 59-vjeçar shqiptar, është zgjedhur sot udhëheqësi i ri i shtetit në drejtimin e Partisë Komuniste, pasues i Enver Hoxhës, që vdiq të enjten në moshën 76-vjeçare. Media shqiptare raporton se zoti Alia, i cili u zgjodh nga Komiteti Qendror i Partisë, me sa duket, ishte i paracaktuar për këtë detyrë tre vjet më parë nga zoti Hoxha. Veç kësaj, në pozicionin e presidentit, zoti Alia kishte kryer shumë detyra të zotit Hoxha që në verën e vitit 1983. Kjo u bë më e nevojshme kur shëndeti i zoti Hoxha u përkeqësuar deri në atë pikë sa nuk ishte në gjendje të bënte më as daljet publike në raste ceremonialesh. Zoti Hoxha kishte drejtuar partinë qëkur ajo u themelua në vitin 1941. Gjatë gjithë drejtimit të saj ai mbrojti sistemin stalinist, duke e udhëhequr Shqipërinë nëpër thyerje ideologjike me Moskën në vitin 1961 dhe me Pekinin në vitin 1976.
    Alia himnizon Hoxhën
    Paracaktimi i qartë i zotit Hoxha për zotin Alia si pasardhësi i tij u bë veçanërisht i dukshëm në verën e vitin 1984, kur zoti Alia nisi një seri vizitash në kryeqytete të dorës së dytë, duke mbajtur fjalime gjatë gjithë itinerarit. Një vit më pas, në kremtimin e 75-vjetorit të lindjes së zotit Hoxha, zoti Alia ishte shprehur në një fjalim: “Partia jonë kishte një fat që madh që pati në krye të saj një udhëheqës të tillë si shoku Enver Hoxha, dishepull dhe ndjekës besnik i veprave të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit; një udhëheqës që është karakterizuar nga mençuria politike, aftësia për t’u orientuar në çdo situatë, largpamësia dhe kuraja për të marrë vendime korrekte dhe në kohën e duhur.
    Përpara ngritjes së tij në rrethin e brendshëm të udhëheqjes shqiptare në vitin 1960, zoti Alia mbajti një post kyç në stafin e Komuniteti Qendror për një periudhë 2-vjeçare, i ngarkuar për çështjen e ideologjisë.
    Kjo ishte një periudhë kritike, sepse Shqipëria nisi ta çlirojë veten nga varësia e Bashkimit Sovjetik dhe të shqyrtojë mundësinë për vendosjen e marrëdhënieve më të ngushta me komunistët kinezë. Pastaj, detyra e zotit Alia ishte të ndihmojë në përgatitjen e kuadrove të partisë për të qenë besnikë të saj.
    Vendlindja duket në debat
    Ramiz Alia ka lindur më 18 tetor 1925. Në të dhënat zyrtare shqiptare, vendlindja e tij është dhënë qyteti verior i Shkodrës. Por, një ish-mësues, Arshi Pipa, i cili tani është profesor i gjuhës latine në Universitetin e Minesotas, thotë se “zoti Alia ka lindur në Jugosllavi, në provincën autonome etnike shqiptare të Kosovës dhe prindërit e tij janë transferuar në Shkodër që kur ai ishte fëmijë”.
    Si një shqiptar verior, zoti Alia konsiderohej gegë, anëtar i njërit prej dy dialekteve të vendit. Zoti Hoxha ishte toskë, anëtarë i zonës në Jug të vendit.
    Me përjashtim të zotit Alia, thuajse të gjithë anëtarët e udhëheqjes shqiptare janë toskë. Zoti Alia mbaroi shkollën e mesme për frëngjisht në Tiranë gjatë fundit të viteve ‘30 dhe u aktivizua politikisht, qëkur ai ishte student. Në Luftën e Dytë Botërore ai iu bashkua udhëheqjes komuniste partizanë në vitin 1944, që kur ishte 19 vjeç. Si pjesëtar në luftë, së fundi krijoi Brigadën e Shtatë Sulmuese dhe mori pjesë veçanërisht në aksionet partizane kundër forcave gjermane që po tërhiqeshin. Ai e përfundoi luftën si një komisar politik i Divizionit V, me gradën kolonel-lejtënant.
    Detyra e tij e parë në qeverisjen komuniste që u ngrit në Shqipëri menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ishte udhëheqës për të rinjtë, në drejtimin e asaj që njihej në Shqipëri si “Bashkimi i Rinisë Punëtore”. Ai e mbajti këtë detyrë deri në vitin 1955, me përjashtim të një ndërprerjeje të shkurtër kur ishte në stafin e propagandës partiake në vitin 1948.
    Stefen Peters, një zyrtar amerikan me origjinë shqiptare që e takoi zotin Alia në atë kohë, e përshkruante atë si “një shqiptar të gjatë, të dobët, të këndshëm dhe shumë miqësor”.
    Ministër në kabinet për tre vjet
    Zoti Alia është emëruar ministër Arsimi në vitin 1955 dhe tre vjet më vonë bëhet drejtues i lartë i Partisë Komuniste.
    Kur partia ndryshoi formalisht emrin e saj në Parti e Punës së Shqipërisë në vitin 1948, në vitin e lidhjes me bllokun Sovjetik dhe prishje me Jugosllavinë, kur zoti Alia në atë kohë udhëhiqte rininë, bëhet anëtar i Komitetit Qendror. Në ngjitjen e karrierës së tij në hierarkinë partiake ai u bë kandidat i Byrosë Politike në vitin 1956, në moshën 30-vjeçare. Rreth pesë vjet më vonë, në shtator të vitit 1960, ai bëhet anëtar me të drejta të plota i Byrosë dhe një nga sekretarët e partisë nën udhëheqjen e zotit Hoxha, i cili ishte Sekretar i Parë.
    Në vitin 1982, pasi kishte shërbyer në Sekretariatin e Partisë për më shumë se dy dekada, zoti Alia bëhet president i vendit, kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, duke marrë postin e të vjetrit Haxhi Lleshi, i cili e mbajti këtë detyrë që nga viti 1953.
    Martohet me vajzën e profesorit
    Zoti Alia u martua me Semiramis Xhuvanin, vajza e mësuesit Aleksandër Xhuvani, që ka qenë drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit përpara Luftës së Dytë Botërore dhe që më vonë punoi në qeverisjen komuniste. Zoti Peters e cilësonte Semiramis Xhuvanin si një “vajzë të hijshme”, pasi ka qenë një nga nxënëset e tij në Normalen e Elbasanit. Peters thotë se babai i saj, me besim ortodoks shqiptar, i kishte thënë atij se i ishte “thyer zemra” që vajza e tij deshi të martohej me një djalë të besimit mysliman. Ai e kishte pyetur zotin Peters se çfarë mund të bënte për këtë gjë. “Unë i thashë atij: Asgjë, gjërat po ndryshojnë”, - kujton zoti Peters. Tani Semiramis Alia është dekane e Fakultetit të Shkencave Natyrore në Universitetin e Tiranës. Ajo që nuk njihet në Perëndim për zotin Alia në tërësi janë fëmijët e tij.
    Dr. Pipa është pyetur këtë javë rreth së kaluarës së udhëheqësit të ri. Ai e kujton që në kohën kur ishte nxënës në shkollën e lartë në Tiranë në vitin 1943; “Zoti Alia ka qenë një student i mirë, por jo shumë i spikatur, i qetë dhe i përmbajtur”. Doktor Pipa ishte një i burgosur politik në Shqipëri dhe lidhja e tij në kujtimet me zotin Alia ishte në vitin 1956, kur ai ishte ministër i Arsimit dhe që i kërkoi për t’i gjetur një punë. Zoti Alia e bëri atë mësues të shkollës së lartë në Shkodër. “Ai ishte i dashur me mua”, - thotë profesor Pipa. Më tej vijon: “Ai nuk i ringjalli problemet e së kaluarës”.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 14 prill 1985
    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Man in the News; New albanian leader: Ramiz Alia”

  9. #209
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Enver Hoxha: “Kushtetuta e re është shprehje e vetë popullit shqiptar”

    Gazeta “ZP” boton fjalën e Enver Hoxhës me rastin e miratimit të Kushtetutës. Hoxha: “Ja ku ndryshon Kushtetuta jonë nga ato të vendeve të tjera”

    Të dashur shokë dhe shoqe deputetë, Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë dhe komiteti i posaçëm i krijuar nga ky Kuvend për hartimin e Projektkushtetutës së re të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, më kanë ngarkuar t’ju paraqes, në emër të tyre, projektin përfundimtar të ligjit të ri themeltar të shtetit tonë socialist, që juve iu takon nderi dhe iu bie përgjegjësia e madhe ta diskutoni e miratoni. Pas hartimit të projektit fillestar që u shpall publikisht nga Kuvendi Popullor në janar të këtij viti, masat e gjëra punonjëse, në qytet e në fshat nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Partisë dhe të Komitetit Qendror të saj, u njohën me dispozitat e tij dhe zhvilluan diskutime jashtëzakonisht të gjera, revolucionare, në forma nga më demokratiket, për plotësimin, saktësimin dhe përmirësimin e projektit në drejtimet politike, ideologjike, juridike, organizative etj. Njohja e masave me projektin e Kushtetutës dhe diskutimi i tij i zhvilluar me një metodë e stil pune nga më të efektshmit, jo vetëm i dha vendit tonë socialist një kontribut të madh për hartimin e një kushtetute nga më demokratiket e nga më revolucionaret, por shërbeu njëkohësisht si një shkollë e madhe teorike-politike e morale. Ky aktivitet i gjerë u ka dhënë e do t’u japë një shtytje të paparë prodhimit, mendimit përfundimtar dhe veprimit revolucionar. Të gjitha këto do të hapin perspektiva të shkëlqyera për ndërtimin më me vrull të socializmit në Shqipëri. Duke marrë parasysh numrin e madh të diskutantëve në tërë Shqipërinë dhe diskutimet e tyre të shumta, të thella e të dobishme, mund të thuhet me siguri se projekti që ju paraqitet për aprovim, mban plotësisht vulën e mendimit të urtë e revolucionar popullor. Projektkushtetuta është vepër e madhe e partisë dhe e popullit tonë, tregon pjekurinë e madhe politike e ideologjike të Partisë e të popullit, si dhe vitalitetin, guximin, vendosmërinë dhe konsekuencën e tyre të palëkundshme për të çuar përpara, forcuar, lulëzuar, begatur dhe mbrojtur Atdheun socialist. E tërë puna e gjithanshme që u zhvillua për diskutimin e madh popullor të Projektkushtetutës së re në kuadrin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë e të Kongresit të saj, u kurorëzua me sukses. Kongresi i 7-të i Partisë, me një entuziazëm të papërshkuar, e vlerësoi lart njëzëri projektin e Kushtetutës së re socialiste. Komisioni i posaçëm për hartimin e projektit të Kushtetutës, duke e çmuar drejt detyrën që iu ngarkua nga Kuvendi Popullor, pasi u njoh mirë me materialet e përgatitura nga Komiteti Qendror, me plotësimet saktësimet dhe përmirësimet e shumta të propozuara nga masat e gjera punonjëse, nga kuadro, institucione, organizata dhe organe shtetërore e partie, si dhe me vlerësimin e lartë që i bëri projektit Kongresi i 7-të i Partisë dhe, pasi i sistemoi e studioi me kujdes, i pasqyroi në projektin përfundimtar. Ju, shokë dhe shoqe deputetë, jeni të njohur me përmbajtjen e dispozitave të projektit të Kushtetutës, sepse bashkë me popullin, edhe vetë u aktivizuat në diskutime dhe në tërë procesin e hartimit të Projektkushtetutës. Në raportin e Komitetit Qendror të Partisë që iu paraqit Kongresit të 7-të, një kapitull i veçantë iu kushtua tërësisht Kushtetutës. Kongresi përcaktoi vijën e Partisë në fushat politike, ekonomike e organizative, për çështjet e politikës sonë të jashtme dhe qëndrimet tona ndaj problemeve të lëvizjes punëtore e marksiste-leniniste ndërkombëtare. Vendimet historike të Kongresit, që janë udhërrëfyese për mbarë Partinë e popullin tonë, kanë ngritur peshë masat punonjësve të vendit dhe kanë ngjallur kudo një frymë të lartë entuziazmi e mobilizimi në punë. Në këtë sesion të Kuvendit Popullor do të ndalem në disa nga problemet thelbësore e parimore të Projektkushtetutës. Projektkushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë pasqyron në mënyrë të sintetizuar realitetin tonë socialist dhe tendencën e zhvillimit të tij, vijën e Partisë, mësimet dhe përvojën revolucionare të saj, ajo përshkohet fund e krye nga ideologjia marksiste-leniniste dhe nga parimet bazë të socializmit shkencor. Është për këtë arsye që përmbajtja e projektit jo vetëm është miratuar nga masat tona punonjëse, të cilat kanë gjetur të shprehur besnikërisht në vijën e drejtë të Partisë sonë gjatë zhvillimit të pandalshëm të revolucionit socialist dhe të ndërtimit e mbrojtjes së socializmit, por ka bërë një jehonë pozitive edhe në botë. Kushtetuta e vendit tonë socialist është shprehje e vullnetit të vetë popullit shqiptar dhe i askujt tjetër. Ajo është ligji themeltar, bazë mbi të cilën zhvillohet gjithë jeta e popullit. Kjo Kushtetutë, nga njëra anë i përgjigjet një realiteti konkret të vendit, të arritur me gjak, me punë e me djersë dhe nga ana tjetër i hap Shqipërisë socialiste perspektiva të shkëlqyera dhe të sigurta nga çdo pikëpamje. Qartësia është karakteristika e saj që vihet re në çdo nen që trajton probleme të strukturës a të superstrukturës, të organizimit a të të drejtave dhe detyrave të shtetasve shqiptarë.

    Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 28 dhjetor 1976
    Titulli është redaksional

  10. #210
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Fjala e Nesti Nases në OKB dhe jeta e misionit shqiptar në Nju Jork

    Gazeta përgatit një speciale në vitin 1977, në misionin e Shqipërisë në OKB. Fjalimi i Nesti Nases në OKB dhe akuzat për Kinën dhe Bashkimin Sovjetik

    Pranay Gupte

    UNITED NATIONS. NEW YORK – Pikërisht këtu është rasti që shqiptarët po nxjerrin misteret e vazhdueshme në Kombet e Bashkuara dhe ky është i vetmi rast, si dikur, që në tërësi pesë anëtarët e misionit dalin nga vetizolimi, duke hequr perden e fshehtë. Fjalimi i mbajtur dje nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Nesti Nase, përpara Asamblesë së Përgjithshme, ishte një rast për sulmimin e dy ish-aleatëve; Bashkimin Sovjetik, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe Kinën në mënyrë të tërthortë.
    Sulmi kundër Bashkimit Sovjetik ishte i parashikuar, pasi dy vendet kishin një kohë të gjatë që ishin prishur. Por, diplomatët këtu, te sulmet e nënkuptuara kundër Kinës, të bëra në fjalimin e zotit Nase, konstatojnë se ndarja e muajve të fundit midis tyre ishte një test i fortë mes miqve, që ishte zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme.
    Në anën tjetër po e dëgjonin atë anëtarët e misionit shqiptar, të kryesuar nga Abdi Baleta, shefi i ri i Delegacionit të Shqipërisë dhe delegatë të tjerë që kishin ardhur nga Tirana për të ndjekur sesionin vjetor të OKB-së.
    Duke biseduar përmes intervistave, shqiptarët dhanë pritjet e tyre personale rreth mënyrës së jetesës së tyre në qytetin e Nju Jorkut. Ata thanë se janë krejtësisht të izoluar nga jeta e qytetit, duke preferuar që ta mbyllin veten e tyre kryesisht në zyrat e tyre në katin e 21-të të ndërtesës në “250 East, 87th Street” në Manhatan, me jetën e tyre shoqërore të kufizuar vetëm mes anëtarëve të tjerë të misionit. “Jeta jonë private është shumë e rëndësishme për personelin tonë që jeton këtu”, - thotë Muhamed Kapllani, sekretari i Parë i Misionit. Në të vërtetë, shqiptarët kanë krijuar një reputacion të tillë si njerëz të tërhequr që diplomatët i konsiderojnë ata si të çuditshëm dhe që praktikisht janë tërhequr nga qarqet zyrtare dhe sociale këtu, veçanërisht që nga muaji korrik, kur nisën të dilnin informacionet në Perëndim rreth ndarjes së tyre me kinezët. Më parë, delegatët e dy vendeve shikoheshin që frekuentonin shoqërinë e njëri-tjetrit, veçanërisht në pritjet diplomatike.
    Kontakte të pakta me kinezët
    Vështirë se kishte ndonjë komunikim këtu gjatë këtij viti midis Shqipërisë, e cila iu bashkua Kombeve të Bashkuara në vitin 1955 dhe Kinës, e cila është bërë anëtare që në vitin 1971. Sipas diplomatëve këtu, për herë të parë shqiptarët nuk u dukën në aeroportin ndërkombëtar “Kenedi” që të presin delegacionin kinez, që po vinte për në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
    Në fjalimin e mbajtur në frëngjisht në Asamble, ministri i Jashtëm Nesti Nase deklaroi: “Në qoftë se Shqipëria ka marrë dhe mund të marrë disa ndihma ndërkombëtare nga ndonjë vend socialist, kjo nuk ka rëndësi vendimtare për fatin e ndërtimit të socializmit të vendit dhe në asnjë rrethanë, cilado qoftë, nuk mund të bëhet motiv për shkelje të pavarësisë dhe sovranitetit të vendit tonë”.
    Fjala e hedhur duket të jetë për Kinën, e cila ka dhënë miliona dollarë ndihma në Shqipëri dhe, e cila, së fundi, në pak vite, ka pasur vetëm marrëdhënie tregtare me pushtetin e Enver Hoxhës, sekretar i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë dhe sunduesi absolut i vendit.
    “Askush nuk mund të ushqejë iluzione se “Shqipëria është një vend i izoluar”, se atje “nuk mund të jetohet pa ndihmën e huaj”, apo se ajo “do të jetë e detyruar që të dalë në rrugë për të shtrirë dorën për lëmoshë te ndokush”. Zoti Nase tha se vendi do të qëndrojë “i lirë, i pavarur dhe i patundur”.
    Asnjëri nga delegacionet kineze dhe sovjetike në sallën e Asamblesë nuk duartrokiti pas përfundimit të fjalimit të tij prej 30 minutash. Pasi ai u ul, përfaqësuesit e Greqisë, Turqisë, Benineve, Mauritanisë, Pakistanit dhe vendeve të tjera aziatike dhe afrikane shkuan te tavolina e delegacionit shqiptar dhe i dhanë dorën atij.
    Zoti Kapllani, sekretar i Parë i Misionit, gjatë intervistave, dukej shumë i interesuar rreth informacioneve më të fundit se administrata “Hoxha” kishte urdhëruar kinezët që largoheshin nga Shqipëria, siç informonin disa analistë perëndimorë, të cilët e kishin interpretuar në kuptimin se marrëdhëniet midis dy shteteve po u vinte fundi. Me një ton disi të prerë, zoti Kapllani tha: “Absolutisht, mashtrim. Ambasada jonë në Beograd i ka hedhur poshtë këto informacione. Ne akoma kemi personel kinez në Shqipëri, përfshirë edhe stafin teknik”.
    Shmangen diskutimet politike
    Shqiptarë të tjerë si zoti Kapllani, refuzuan të orientoheshin drejt çdo diskutimi politik, por ata biseduan me pasion rreth çështjeve të tilla si edukimi dhe çështjet ekonomike.
    Për shembull, një delegat tha se gjuhë e dytë nëpër shkolla janë Anglishtja, Frëngjishtja, Gjermanishtja, apo Rusishtja, të cila janë përfshirë tani edhe në shkollat e mesme, në të katër klasat e këtij niveli, siç ka qenë më parë. Gjithashtu, ai tha se ka lloje të ndryshme të trajnimeve profesionale pas përfundimit të shkollës së lartë në të gjitha nivelet”.
    Një tjetër anëtarë i delegacionit tha se Universiteti i Tiranës, i cili është krijuar 20 vjet më parë, tani ka tetë fakultete të ndara dhe 16 mijë studentë dhe që institucionet e reja të arsimit të lartë po shtriheshin në të gjithë vendin me një popullsi prej 2.6 milionë banorësh.
    Shqiptarët shfaqen të paduruar që të nxjerrin në pah se edhe fshatrat më të humbur kanë elektrifikim që prej 7 vjetësh dhe se plani i tyre aktual 5-vjeçar përqendrohet tek industria e rëndë dhe bujqësia. Ata thonë se atje nuk ka taksa ose detyrime të tjera fiskale dhe se gruaja përbën 48% të krahut të punës dhe se ajo përfaqësohet me 1/3 e anëtarëve në Kuvendin Popullor, struktura më e lartë legjislative në vend.
    Gjithashtu, anëtarët e delegacionit thonë se qendrat e rikrijuara, - të quajtura “qendrat e pionierëve”, - ishin ngritur përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe se atje po rritet edhe numri i turistëve nga vende të tilla si: Gjermania Lindore dhe Hungaria, të cilat vijnë përmes linjave ajrore, - deri tek kinezët, të cilët punojnë në Tiranë, kryeqyteti i vendit me 200 mijë banorë. Një tjetër anëtar i delegacionit thotë se “Olympic Airways”, - një kompani ajrore greke, - është zgjedhur për të nisur shumë shpejt fluturimet drejt Tiranës”.
    Ministri i Jashtëm Nase dukej më fjalëpaku mes shqiptarëve të intervistuar këtu dhe atij iu kërkua që të shtjellojë fjalimin e tij, qeshi duke treguar tekstin e fjalës së tij në një letër dhe tha: “Atje janë të gjitha”.


    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 7 tetor 1977
    Titulli është redaksional

  11. #211
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Prishja e Shqipërisë me Kinën dhe skenarët që po luheshin në Ballkan

    Gazeta analizon situatën në rajon, pas ndarjes së Tiranës nga Pekini. Si po luante Kina, përplasjet me Rusinë dhe lojërat e Enver Hoxhës

    David A. Andelman

    BEOGRAD – Kazani i politikës ballkanike po vlon sërish. Brenda në kazan ndodhet një përzierje shpërthyese e nacionalizmit, armiqësisë etnike dhe rivalitetit ideologjik, që ndizet nga ambiciet strategjike të fuqive të huaja. Në javët e fundit Shqipëria dhe Kina i dhanë fund miqësisë 20-vjeçare; Jugosllavia dhe Bullgaria janë në konflikt dhe Rumania me Jugosllavinë kanë nisur përgatitjet për një vizitë që do të zhvillohet këtë muaj nga udhëheqësi kinez, Hua Kuo Feng, vizita e parë e tij në Perëndim. Pasojat e ndryshimeve kanë krijuar boshllëqe të fuqishme, të cilat vetëm mund të intensifikojnë një seri manovrimesh për dy nga udhëheqësit kombëtarë më jetëgjatë të Europës, Josif Broz Titos në Jugosllavi dhe Enver Hoxhës së Shqipërisë.
    I gjithë emri Ballkan ndjell mendime të errëta, shpeshherë luftëra vdekjeprurëse për pushtet, gjëmimet e të cilave shpesh ndihen larg, përtej kryeqyteteve gri, ku ata ndeshen.
    Në Sarajevë, kryeqyteti i Bosnjës, pjesë e Jugosllavisë, vrasja e një duke austriak në vitin 1914 nga një fanatik serb, shkaktoi Luftën e Parë Botërore. Drithërimat e Luftës së Dytë Botërore ishin ndjerë fillimisht në Shqipëri: ky vend ishte zgjedhur nga Italia e Musolinit për zbarkimin e parë të saj drejt territoreve të huaja në Europë.
    Shenjat e trazirave midis Shqipërisë dhe “garantuesit” (Kinës, - shën. Red.) të saj më të madh, vërtiteshin rreth e rrotull për disa kohë. Por, pak diplomatë ishin përgatitur për të papritura dhe thyerje të plotë që kur ajo kishte dalë në shesh muajin e fundit.
    Ndarja Pekin-Tiranë
    Javën e fundit Shqipëria botoi një letër të jashtëzakonshme prej 56 faqesh, ku tregonte pakënaqësitë e saja ndaj Kinës që nga fillimet e para të miqësisë së tyre, duke detajuar një linjë të veprimeve autoritare nga ana e Shqipërisë pikërisht për çështjen se si vëllai më i madh mund të menaxhojë çështjet e saj të brendshme dhe të jashtme. Letra që ngjalli një frikë në kufijtë e paranojës, demaskonte afrimin kinez me Bashkimin Sovjetik dhe flirtimet e vazhdueshme të Pekinit me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin. Ajo dënonte “zellin e pazakontë” të Kinës për të ndërhyrë në çështjet e Ballkanit”.
    Sigurisht, ndërhyrja është planifikuar në turin e kryetarit kinez Hua në Rumani dhe Jugosllavi, një vizitë gjithashtu e kundërshtuar hapur edhe nga Bashkimi Sovjetik, i cili vazhdon ta shikojë Ballkanin si terrenin e shtëpisë së tij. Kjo në vetvete është një arsye e mirë për vizitën kineze. Për shumë vjet, shmangia e zgjerimit sovjetik në Ballkan ka qenë një qëllim i politikës kineze në Europë. Po ashtu, ajo ka qenë një gur themeli i planeve strategjike të Perëndimit.
    Pozitat strategjike
    Portet e Adriatikut në Jugosllavi apo Shqipëri krijonin mundësinë e futjes së anijeve të çdo fuqie për të komanduar Mesdheun Lindor dhe Lindjen e Mesme. Sigurisht, Bashkimi Sovjetik do të dëshironte të rivendoste nëndetëset nukleare në bazën e ishullit të Sazanit, të ndërtuara 20 vjet më parë në bregdetin shqiptar, si dhe të merrte territorin detar në Vlorë, më i përdorshmi në të gjithë kontinentin. Linja më e shkurtër ajrore nga Bashkimi Sovjetik drejt Lindjes së Mesme kalon përmes Jugosllavisë dhe Shqipërisë.
    Përgjatë shumë viteve, një Jugosllavi neutrale dhe një Rumani e pavarur në mendje i kanë siguruar Shqipërisë një jastëk mbrojtës prej pushtimit sovjetik. Nëntë vjet më parë, pas pushtimit të Çekosllovakisë, të drejtuar nga sovjetikët, Shqipëria shkoi aq larg, sa i ofroi asistencë ushtarake Jugosllavisë, në rast se vendi pushtohej nga Bashkimi Sovjetik. Që prej asaj kohe Shqipëria ka qenë mjaft e qetë rreth kësaj çështjeje, një reflektim ky që vinte nga ankthet të saj prej zgjerimit jugosllav dhe ndikimit në një masë të konsiderueshme të minoritetit shqiptar gjithnjë në rritje në Jugosllavi, me një popullsi që mbetej shumë të varfër. Çështja e minoriteteve është një çelës kyç te problemet ballkanike.
    Konfliktet ballkanike
    Për shumë vjet Bullgaria ka përdorur minoritetin maqedonas që të mbajë kufijtë e saj me Jugosllavinë të blinduar, si një pikënisje për të denoncuar qeverinë e Titos. Gjatë luftës civile të Greqisë, e cila vazhdoi pas Luftës së Dytë Botërore, Bullgaria dhe Jugosllavia, që më vonë ishin aleatë të devotshëm të Stalinit, përdorën çështjen etnike që të ndihmojnë partizanët komunistë në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë. Javën e kaluar zyrtarët jugosllavë akuzuan Bullgarinë, e cila tani është aleatja më e ngushtë e Bashkimit Sovjetik, se po ringjall çështjen maqedonase, e cila përkon me vizitën e zotit Hua dhe me çrregullimet në Shqipëri. Moska, vetëm për të mos humbur nga kjo situatë, njëherësh nisi denoncimin ndaj politikës rumune në drejtim të minoritetit të saj Bessarabian, i cili është i shpërndarë nëpër Moldavi, vend ky në kufi me Bashkimin Sovjetik. Bukureshti do të jetë ndalesa e parë për kryetarin kinez Hua.
    Shqipëria në qendër të vëmendjes
    Por, pjesa më e madhe e manovrave diplomatike dhe propagandës përfshiu Shqipërinë. Për shumë vjet, qeveria “Hoxha” ka refuzuar të gjitha fuqitë e mëdha një e nga një; të parët Shtetet e Bashkuara, pastaj Bashkimin Sovjetik dhe tani Kinën. Ky vend dhe shtete të tjera duhet të mbushin vakuumin e krijuar nga largimi i ndihmës dhe këshilltarëve kinezë. Megjithëse, plotëson nevojat e saj në bujqësi dhe është prodhuese e qymyrit dhe naftës, Shqipëria për një kohë të gjatë është mbështetur në burimet e jashtme për zhvillimin e teknologjisë industriale, e cila është e vetmja shpresë për ta nxjerrë vendin e vetëm në Europë nga gjendja mesjetare në të cilën ndodhet tani. Tashmë është duke u krijuar një linjë për të zëvendësuar Kinën. Është raportuar se po nisin diskutimet në Uashington rreth mundësisë së rifillimit të bisedimeve me Shqipërinë. Shumë diplomatë të akredituar në Tiranë, por që jetojnë në Beograd, besojnë se Bashkimi Sovjetik shumë shpejt do të bëjë një hedhje të fortë drejt Shqipërisë, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por duke përdorur dy aleatët e saj; Vietnamin dhe Kubën. Dy javë më parë, gjatë një konference të zhvilluar në Beograd, zëvendëspresidenti i Kubës, Carlos Rafael Rodriguez shprehu “solidaritetin” e tij me Shqipërinë në lidhje me konfliktin me Kinën. Vendet europiano-perëndimore, e veçanërisht Greqia, Italia, Belgjika, Danimarka dhe Gjermania Perëndimore po shikojnë mundësitë për lidhje ekonomike më të mëdha me Shqipërinë. Përgjatë viteve të fundit, qeveria “Hoxha”, në mënyrë të heshtur, ka përmirësuar lidhjet tregtare me këto vende. Çështja e minoritetit grek që banon në Jug të Shqipërisë është zgjidhur dhe lidhjet tregtare dhe diplomatike me Greqinë kanë rifilluar; sakaq është hapur një linjë ajrore midis Athinës dhe Tiranës. Megjithëse çështja e dëmshpërblimeve të luftës është akoma e pazgjidhur me Gjermaninë Perëndimore, njoftohet se kanë nisur kontaktet tregtare në një nivel jozyrtar.
    Atje ka shumë pengesa për vendosjen e lidhjeve midis qeverisë staliniste në Tiranë me Lindjen dhe Perëndimin, ku pjesa më e madhe e tyre janë të karakterit ideologjik. Në përzgjedhjen dhe refuzimin padronëve, zoti Hoxha, një individualist tipik ballkanik, nuk është nxituar kurrë. Edhe në këtë periudhë të vonë ai duket se nuk do t’i ndryshojë mënyrat e tij.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 6 gusht 1978
    Autori i shkrimit është korrespondent i “The New York Times”-it, i vendosur në Beograd
    Titulli është redaksional: Titulli origjinal është: “Same players, New sides in age-old Balkan game”

  12. #212
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Tetë arsyet për të cilat Kina e la në baltë Shqipërinë ne vitet ‘70

    Reagimi i Shqipërisë pas ndërprerjes së ndihmave ekonomike dhe ushtarake nga Kina. “ZP” boton letrën që Shqipëria i dërgon Kinës pas ndërprerjes së ndihmave

    Më 27 korrik 1978 Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës i dorëzoi Ambasadës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Pekin një notë zyrtare, me anën e së cilës njoftohet se Qeveria Kineze ka vendosur të ndërpresë ndihmën ekonomike dhe ushtarake për Shqipërinë, të ndërpresë pagesat e ndihmës për Shqipërinë dhe të tërheqë specialistët ekonomikë dhe ushtarakë që punonin në Shqipëri deri në atë datë. Me këtë veprim të pabesë dhe armiqësor ndaj Shqipërisë socialiste, ju çorët pa skrupull marrëveshjet e përfunduara zyrtarisht midis të dy vendeve, shkelët në mënyrë brutale dhe arbitrare rregullat e normat elementare ndërkombëtare, dhe mosmarrëveshjet ideologjike i shtrirë edhe në marrëdhëniet shtetërore me Shqipërinë. Duke hedhur këtë hap armiqësor ndaj Shqipërisë socialiste, ju kërkoni të goditni e të dëmtoni ekonominë dhe aftësinë mbrojtëse të vendit tonë, të sabotoni çështjen e revolucionit e të socializmit në Shqipëri. Njëkohësisht ju minoni rëndë miqësinë vëllazërore midis popujve shqiptar e kine. Duke i dashur të keqen një vendi socialist, siç është Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë, ju kënaqni armiqtë e socializmit e të revolucionit. Përgjegjësia për këtë akt reaksionar e antishqiptar, si dhe për pasojat e tij, bie plotësisht mbi palën kineze. Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare prerjen brutale të ndihmave e kredive për Shqipërinë socialiste nga ana juaj e denoncojnë përpara gjithë opinionit publik botëror si një veprim që përsërit si në përmbajtje, ashtu edhe në formë, metodat e egra e shoviniste të Titos, Hrushovit, Berzhenjevit, të cilat dikur edhe Kina i ka pas dënuar. Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare hedhin poshtë përpjekjet që bëhen në notën kineze për ta bërë fajtore Shqipërinë, për të akuzuar pa asnjë bazë udhëheqjen shqiptare se gjoja ajo është mosmirënjohëse për ndihmën e Kinës dhe se gjoja është përpjekur të sabotojë bashkëpunimin ekonomik e ushtarak midis të dy vendeve. Për çdo njeri normal është e pabesueshme dhe jashtë çdo logjike që Shqipëria, një vend i vogël, që lufton kundër rrethimit imperialist-revizionist e bllokadës së tij, që i është përveshur një pune të gjerë e të gjithanshme për zhvillimin e shpejtë ekonomik e kulturor të vendit, që punon pa u lodhur për forcimin e mbrojtjes së Atdheut të vetë socialist, të nxitë e të kërkojë vetë prishjen e bashkëpunimit ekonomik me Kinën, të refuzojë kreditë e ndihmat e saj, civile e ushtarake. Populli shqiptar, Partia dhe Qeveria e tij, të frymëzuar nga mësimet e marksizëm-leninizmit e nga parimet e internacionalizmit proletar, kanë luftuar sinqerisht e me konsekuencë për forcimin e miqësisë, të bashkëpunimit vëllazëror e të ndihmës reciproke midis Shqipërisë dhe Kinës. Ata e kanë çmuar kurdoherë lart ndihmën që Kina i ka dhënë Shqipërisë, duke e konsoliduar atë si një ndihmë internacionaliste të popullit kine, si një ndihmë që i shërbente çështjes së përgjithshme të revolucionit e të socializmit në botë, si një ndihmë që vinte nga një vend që quhej socialist. Populli shqiptar, Partia dhe Qeveria e tij, ashtu si më parë edhe tani, u përmbahen vlerësimeve që i kanë bërë kësaj ndihme dhe rolit të saj, midis faktorëve të tjerë të jashtëm, për zhvillimin e vendit tonë. Shqipëria socialiste, miqësinë e saj me popujt e vendeve të tjera kurrë nuk e ka parë si një mjet për të nxjerrë përfitime ekonomike. Në të njëjtën kohë, ajo nuk i ka lejuar askujt që ndihmën e bashkëpunimin ekonomik ta llogaritë si një investim për t’i diskutuar dhe imponuar vendit tonë pikëpamje politike e ideologjike që janë në kundërshtim me marksizëm-leninizmin dhe me interesat e socializmit. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë e mbrojti Partinë Komuniste të Kinës nga sulmi i revizionistëve hrushovianë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në atë të Moskës të partive komuniste e punëtore të vitit 1960, ajo këtë e bëri me vetëdije për të mbrojtur parimet e marksizëm-leninizmit dhe jo për të marrë nga Kina disa fabrika dhe disa traktorë. Kur Shqipëria socialiste, për vite e vite me radhë, mbronte të drejtat e Kinës Popullore në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kundër komplotit amerikan, ajo këtë nuk e bënte për interesa materiale, por për të mbrojtur një çështje të drejtë dhe parimore. Kur Partia e Punës e Shqipërisë dhe klasa jonë punëtore mbështeten qëllimet strategjike të Revolucionit Kulturor të Kinës, këtë nuk e bënë për të marrë ndonjë kompensim, por për të ndihmuar klasën punëtore kineze, komunistët dhe popullin kinez për ta shpëtuar vendin nga elementët kapitalistë që kishin uzurpuar pushtetin në Kinë. Qeveria Kineze, për të justifikuar prerjen e ndihmave për Shqipërinë, në pamundësi që të bëjë ndryshe, është kufizuar në argumente ekonomike e teknike të praktikës së thjeshtë e të zakonshme në marrëdhëniet midis dy shteteve. Këtë ju e bëni me qëllim që të fshihni arsyet e vërteta që ju shtynë të ndërmerrnit këtë akt armiqësor kundër Shqipërisë socialiste. Prerja e ndihmave dhe e kredive për Shqipërinë nuk mund të arsyetohet me 8 faktet që paraqitën në notën kineze, se gjoja zëvendësministri i Industrisë dhe i Minierave të Shqipërisë... refuzoi konsultimet e mëtejshme... dhe në mënyrë arrogante u dha fund bisedimeve, se nga specialistët shqiptarë nuk respektuan udhëzimet teknike të specialistëve kinezë në rafinerinë e përpunimit të thellë të naftës, se projekti kine në një objekt ushtarak nuk doli me sukses, për shkak të zbulimit të vonuar të zgavrave që rridhnin ujë si rezultat i studimeve gjeopolitike të dobëta nga ana shqiptare dhe se pala shqiptare ndryshoi mendim duke e marrë përsipër vetë punën dhe i dha fund ndihmës kineze për këtë objekt, se pala shqiptare krijoi pretekste të ndryshme dhe në kundërshtim me marrëveshjen, refuzoi të nënshkruante procesverbalet e vënies në shfrytëzim të objekteve, se pala shqiptare papritur refuzoi të pranonte 25 faturat me një shumë totale prej afro 100 milionë juanë Renminbi, se për arsye të mospërfilljes nga pala shqiptare të këshillave teknike të specialistëve kinezë, në Kombinatin Metalurgjik u formua një ngjitje në furrnaltë dhe këtë defekt specialistët shqiptarë e zhdukën vetë, pa pritur që të vinin specialistë të posaçëm nga Kina, se ambasadori shqiptar në Kinë refuzoi të pranonte notën kineze të 7 qershorit 1978. Këto argumente dhe fakte që sjell Qeveria Kineze, jo vetëm janë të sajuara e të shtrembëruara, por edhe sikur të mos ishin të tilla, ato nuk mund të shërbejnë kurrsesi si një bazë morale dhe juridike ku mund të mbështetet një shtet për të justifikuar prerjen e njëanshme e brutale të ndihmës ekonomike dhe ushtarake ndaj një shteti tjetër, me të cilin ka qenë në aleancë të ngushtë për një kohë të gjatë. Arsyet e vërteta të prerjes së ndihmave e të kredive për Shqipërinë nuk kanë karakter thjesht teknik, siç paraqiten në notën e Qeverisë Kineze, por kanë karakter thjesht teknik siç paraqiten në notën e Qeverisë Kineze, por kanë karakter të thellë politik e ideologjik. Në këtë letër Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare do të hedhin dritë të plotë mbi këto shkaqe politike dhe ideologjike. Por me të parë po ndalemi të vërtetojmë se edhe argumentet që përdor pala kineze në notën e vet, nuk i përgjigjen aspak realitetit. Qeveria e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë do ta njohë opinionin botëror me të vërtetën mbi marrëdhëniet ekonomike midis Kinës e Shqipërisë, e në mënyrë të veçantë për ato çështje që ngrihen në notën kineze, duke botuar notat e plota që janë shkëmbyer për këtë qëllim midis qeverive të dy vendeve. Këtu do të sqarojmë disa fakte që përmenden në notën kineze. Në notën kineze të 7 korrikut, duke radhitur në mënyrë tendencioze një varg shifrash mbi ndihmat që Kina i ka dhënë Shqipërisë, pasqyrohet dëshira e udhëheqjes kineze për t’u mburrur përpara botës. Ajo vepron njësoj siç ka vepruar dhe vepron udhëheqja revizioniste sovjetike që propagandon vazhdimisht me mburrje prej shteti të madh ndihmën që i ka dhënë dikur Shqipërisë. Detyrohemi t’u kujtojmë udhëheqësve kinezë se mburrjet e tyre janë krejt në kundërshtim me deklaratat zyrtare të bëra dikur nga vetë Qeveria Kineze.

    Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 30 korrik 1978
    Titulli është redaksional
    Sui generis

  13. #213
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Letra, “Kina ka falsifikuar shifrat e huave per Shqipërine”

    Nga ana tjetër, në bazë të dokumenteve që disponon pala shqiptare, rezulton se që nga dhjetori i vitit 1954 dhe deri në korrik të vitit 1957, midis Kinës Popullore dhe Shqipërisë janë nënshkruar 17 marrëveshje qeveritare për dhënie kredie Shqipërisë nga Kina Popullore, përveç marrëveshjeve për ndihmën ushtarake. Ndër këto 17 marrëveshje, ka prej tyre ku ndihma në kredi llogaritet në rubla të vjetra, më pas në rubla të reja, pastaj në lira angleze, më vonë në juanë të brendshëm e në juanë tregtarë, ose në dollarë amerikanë. Duke i hedhur monedhat e ndryshme të përmendura në këto marrëveshje në juanë tregtarë me kursin zyrtar kinez të caktuar nga Banka Kineze në periudhat përkatëse, rezulton se vlera e përgjithshme e ndihmës ekonomike kineze në kredi, akorduar Shqipërisë që nga viti 1954 dhe deri në vitin 1975, kur u nënshkrua marrëveshja e fundit, nuk është më shumë se 10 miliardë juanë, siç përmendet në notën kineze, për vetëm 3 miliardë e 35 milionë juanë tregtarë. Nga kjo shumë, duke e llogaritur vlerën e veprave të plota dhe të materialeve të përgjithshme me çmimet e njëanshme të caktuara nga pala kineze, deri në korrik të vitit 1978 është përdorur nga Shqipëria rreth 75 për qind e saj. Por këtu duhet theksuar se vlerat që përmbajnë faturat e Bankës Kineze për veprat e plota dhe për materialet e përgjithshme nuk janë llogaritur mbi bazën e çmimeve të caktuara në konsultim të përbashkët, por janë caktuar në mënyrë arbitrare, vetëm nga pala kineze, pa e pyetur fare palën shqiptare në bazë të marrëveshjes. Prandaj, kthimi nga Banka e Shtetit Shqiptar Bankës Kineze i faturave të objekteve të ndërtuara në Shqipëri nuk është shkelje e marrëveshjeve, siç pretendon Nota kineze. Çmimet për veprat e plota dhe për materialet e përgjithshme mbi të cilat janë llogaritur faturat e dërguara nga Kina, janë caktuar jo në përputhje me dispozitat e marrëveshjes zyrtare ndërmjet Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës të datës 22.12. 1971, në të cilat përcaktohet qartë se: “Çmimet për veprat e plota dhe për materialet e përgjithshme... do të përcaktohen në konsultim të përbashkët sipas principeve të caktimit të çmimeve tregtare midis Kinës dhe Shqipërisë”. Përsa i përket ndihmës ushtarake, vlerësimet nga pala kineze janë bërë krejtësisht në mënyrë arbitrare, mbasi në marrëveshjet e kësaj kategorie, përpara vitit 1967 vlerësimet janë shënuar në monedhën kineze, pa u konsultuar me palën shqiptare, kurse në marrëveshjet e mëvonshme, të cilat përfshijnë edhe pjesën kryesore të ndihmës ushtarake kineze për Shqipërinë, nuk përcaktohet asnjë vlerë konkrete, as në monedhën kineze dhe as në ndonjë monedhë tjetër. Pra, ato miliarda juanë që përmenden në notën kineze, nuk përfaqësojnë shumën e vërtetë të ndihmës ekonomike dhe ushtarake të Kinës për Shqipërinë, por janë një reklamë kineze e sajuar mbi bazën e llogarive arbitrare, të njëanshme dhe tendencioze. Ne themi se pala kineze, për t’u shërbyer qëllimeve të saj të mbrapshta, është nxituar kur caktoi shifra të tilla. Llogaritë e plota do të bëhen sipas marrëveshjeve protokollare dhe kritereve të vendosura nga të dyja palët. Ato do të bëhen duke mbajtur parasysh edhe humbjet edhe dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë sonë nga pala kineze, duke mos i realizuar ajo në kohën e kontaktuar detyrimet, duke i lënë një pjesë të rëndësishme të objekteve të papërfunduara. Pala kineze nuk ka qenë korrekte në zbatimin e marrëveshjeve e të protokolleve zyrtare dhe të kritereve të caktuara bashkërisht. Shumica dërrmuese e objekteve ekonomike që janë ndërtuar në Shqipëri me ndihmën dhe në kredi nga Kina, kanë përfunduar kurdoherë me vonesë, që shkon nga 1 deri në 6 vjet vonesë. Ka edhe objekte të tilla, siç është Uzina e Ferro-kromit, e përcaktuar që të ndërtohej në Shqipëri në bazë të marrëveshjes për kredi nga Kina të përfunduar në vitin 1965, që, për fajin e palës kineze, nuk ka përfunduar së ndërtuari akoma edhe sot e kësaj dite. Po kështu, ndërtimi i Kombinatit Metalurgjik filloi me vonesë dhe deri më sot, për fajin e palës kineze investimet për ndërtimin e tij janë realizuar vetëm në masën 67 për qind kundrejt vëllimit të vleftës së plotë të Kombinatit, dhe nga Kina janë lëvruar vetëm 74 për qind e pajisjeve. Këto shkelje flagrante të marrëveshjeve zyrtare nga pala kineze i kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë shqiptare dhe për këtë Qeveria Kineze mban përgjegjësi të plotë materiale dhe morale. Kur të llogariten në bazë të dokumentacionit zyrtar e të fakteve konkrete të gjitha këto, atëherë do të shihet se kush e sa i ka borxh tjetrit. Në notën kineze ndihma që i ka dhënë Kina Shqipërisë paraqitet si faktori vendimtar i zhvillimit të vendit tonë. Por ajo nuk ka qenë e nuk mund të ishte një faktor i tillë. Faktori vendimtar, që nuk mund ta mohojë askush, ka qenë puna dhe lufta e vendosur, këmbëngulëse dhe heroike e popullit shqiptar, nën udhëheqjen e socializmit, sipas parimit leninist të mbështetjes në forcat e veta. Sukseset madhështore të arritura nga Shqipëria në ndërtimin e socializmit dhe në mbrojtjen e vendit janë vepër e Partisë së Punës të Shqipërisë, e shtetit shqiptar të diktaturës së proletariatit, e popullit shqiptar dhe jo fryt i ndihmës nga jashtë. Ndihma e marrë nga Kina ka qenë vetëm faktor ndihmës. Gjithë kreditë kineze të përdorura deri në fund të vitit 1977 nga Shqipëria, në raport me të ardhurat tona kombëtare, përfaqësonin një përqindje fare të vogël. Ky është realiteti dhe jo paraqitja e gënjeshtërt e palës kineze, që kërkon të krijojë përshtypjen sikur është Kina që ka mbajtur gjallë popullin shqiptar. Konceptet e shovinizmit të shtetit të madh i kanë errësuar logjikën udhëheqjes kineze dhe e kanë bërë atë që të flasë me gjuhën e pronarëve feudalë. Në notën kineze përmendet me mburrje që Kina i ka livruar Shqipërisë 1,8 milionë tonë grurë. Gati sa s’thuhet se Shqipëria “e ka mbajtur shpirtin me bukën e Kinës”! Ky është një qëndrim ofendues për popullin shqiptar. E vërteta është që Shqipëria, gjatë periudhës 1956-1975, ka importuar nga Kina grurë. Jo vetëm shifra që jepet nuk i përgjigjet realitetit, por duhet thënë se Shqipëria vetëm 436 000 tonë grurë ka marrë me kredi nga Kina gjatë gjithë kësaj periudhe, ndërsa e gjithë pjesa tjetër është marrë prej saj në rrugë tregtare, duke e paguar grurin me klering. Përderisa në notën kineze është përmbledhur në një shifër të vetme si gruri i importuar nga Shqipëria me kredi, ashtu dhe gruri i importuar me klering, përsa pala kineze nuk përmend edhe çfarë ka marrë nga Shqipëria, çfarë është eksportuar me klering nga Shqipëria në Kinë gjatë periudhës 1954-1977? Shqipëria i ka lëvruar Kinës mbi 1,7 milionë tonë naftë, mbi 1,3 milionë tonë bitum, rreth 2,7 milionë tonë mineral kromi e koncentrat kromi etj. Duke përmendur ndihmën ushtarake në notën e saj dhe duke e bërë publike këtë notë, Qeveria Kineze ka dëmtuar rëndë mbrojtjen e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe ka ndihmuar armiqtë e saj të jashtëm, veçanërisht forcat e paktit të NATO-s e imperializmin amerikan dhe forcat e Traktatit të Varshavës e social-imperializmin sovjetik. Ky është një akt pabesie dhe për këtë Qeveria Kineze mban përgjegjësi. Në notën e Qeverisë Kineze një vend të veçantë në përpjekjet për të akuzuar punonjësit shqiptarë, se këta gjoja nuk kanë respektuar dhe nuk kanë dashur të bashkëpunojnë me specialistët kinezë që kanë ardhur në Shqipëri. Këto janë trillime fund e krye dhe nuk ia vlen barra t’i përgënjeshtrojmë. Ne jemi të bindur se në ndërgjegjen e tij asnjë specialistë kinezë që ka jetuar e ka punuar midis popullit tonë nuk do t’i aprovojë akuzat që bëhen. Punëtorët, specialistët dhe drejtuesit shqiptarë gjatë gjithë kohës kanë bashkëpunuar në frymë vëllazërore e miqësore me specialistët kinezë, kanë vlerësuar drejt punën e tyre, kanë respektuar dijet dhe eksperiencën e tyre. Duke ndjekur qëllime të caktuara, në notën kineze thuhet se në Shqipëri janë dërguar 6000 specialistë brenda 24 viteve. Kjo shifër globale serviret për të thënë se gjoja për ndërtimet, industrinë, bujqësinë e çdo gjë që është bërë në Shqipëri merita u takon këtyre 6000 specialistëve. Por ndërtimi i Shqipërisë së re është vepër e vetë popullit shqiptar. Në ndërtimin e veprave të ndryshme kanë punuar çdo ditë e vazhdimisht me dhjetëra mijëra specialistë, inxhinierë e teknikë shqiptarë, pa përmendur teknikët e mesëm e punëtorët e kualifikuar që janë qindra mijë. Pa punën e dijet e tyre asnjë vepër nuk mund të ndërtohej. Gjithashtu, në notën kineze nuk thuhet se specialistët e dërguar nga Kina për punën e tyre janë paguar jo pak nga populli shqiptar. Kjo nuk përmendet, por nota nuk mungon të na kujtojë se Kina paska harxhuar 100 milionë juanë për të bërë eksperimente lidhur me hekurin shqiptar! Dhe në të njëjtën kohë, të urdhëruar nga lart, specialistët kinezë që u tërhoqën nga Shqipëria nuk u lanë specialistëve shqiptarë asnjë dokument teknik, por i dogjën ose i morën me vete të gjitha dokumentet teknike që kishin për objektet që ndërtoheshin në Shqipëri me ndihmën e Kinës.
    Sui generis

  14. #214
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Shqipëria humb aleatët për besnikërinë ideologjike

    Gazeta paraqet situatën e rëndë në vend, në prag të prishjes me Kinën. Diplomatët thonë se duhet të jenë shqiptarët që të mirëpresin ndryshimin

    Malcolm W. Browne

    BEOGRAD - Dyshimi tradicional i vendeve të huaja, i lidhur me ideologjinë zyrtare të komunistëve të tjerë, po shikohet si afrim te fanatizmi, gjë që duket se Shqipëria po mendon të largohet nga miku i saj i vetëm, Kina.
    Nëse ndarja rezulton serioze, siç vlerësohet nga zyrtarët jugosllavë, Enver Hoxha, udhëheqësi shqiptar, do të përballet me një vendim të rëndë. Për më tepër, Shqipëria do të duhet të hapë më shumë dyert për tregti dhe kontakte të tjera, gjë që gërryen në këtë mënyrë pushtetin e tij absolut, ose vendi do të përballet me varfëri dhe skamje.
    Në këto ditët e fundit qarkullonin thashetheme, pjesa më e madhe e të cilave në mënyrë të dukshme, e kanë zanafillën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, se Shqipëria i ka thënë Pekinit se nuk ka më nevojë për këshilltarët e saj pas përfundimit të kontratave aktuale. Jugosllavia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie armiqësore dhe informacionet mund të jenë marrë në konsideratë nën këtë këndvështrim. Kinezët dhe shqiptarët i kanë hedhur poshtë këto informacione.
    Sidoqoftë, fjalimet dhe njoftimet zyrtare nga Tirana dhe Pekini lënë të kuptosh ngrirjen e marrëdhënieve që në tetorin e kaluar, kur i moderuari Hua Kuo Fend zëvendësoi Mao Ce Dunin në drejtim e Kinës.
    Modeli stalinist i drejtimit
    Që në fundin e Luftës së Dytë Botërore, zoti Hoxha, i cili tani është 68 vjeç, kishte marrë modelin e drejtimit të tij sipas Stalinit dhe më pas atë të Maos. Zoti Hoxha ka refuzuar atë që quhej “revizionizmi” i Nikita Hrushovit në Bashkimin Sovjetik, apo të presidentit Tito në Jugosllavi dhe tani, të udhëheqësve të rinj në Kinë. Elementët ideologjike prej zotit Hoxha nuk kanë kufizuar marrëdhëniet me jashtë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai nënshtroi komunistët rivalë dhe në mënyrë të vazhdueshme ka spastruar Partinë Komuniste të Shqipërisë, shpesh duke ekzekutuar edhe kundërshtarët e tij. Ashpërsia e të tilla spastrimeve ishte kuptuar nga shumë analistë të huaj se Zoti Hoxha po përballet me një opozitë serioze. Ata thonë se suksesi në politikën e tij me Kinën mund të përcaktojë kohëzgjatjen e qëndrimit të tij në pushtet. Në radhën e politikave që praktikisht mund të ketë sjellë kundërshtimin, është grindja me Bashkimin Sovjetik dhe ksenofobia në drejtim të shteteve evropiane. Zoti Hoxha, vazhdimisht, i trajtoi shqiptarët si ata që duhet të mbrojnë kufijtë tokësorë apo detin Adriatik në mënyrë të përhershme nga pushtuesit, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Që Shqipëria u ka mbijetuar të gjithave, kjo është diçka që ka qenë historikisht aksidentale dhe dëshmi e qëndresës së kulturës shqiptare.
    Qëndrueshmëria historike
    Shqiptarët janë pasardhësit e popullit të lashtë të Ilirisë dhe gjuha dhe traditat e tyre nuk kanë asnjë lidhje me grupet e tjera etnike europiane.
    Si një komb, Shqipëria e shpalli veten për herë të parë në mesin e shekullit XV, kur Skënderbeu, i cili u bë heroi kombëtar, udhëhoqi luftën kundër turqve. Por, përfundimisht turqit e morën kontrollin në vitin 1478 dhe e mbajtën Shqipërinë nën sundim më shumë se çdo vend tjetër në Ballkan, deri në vitin 1912.
    Pjesët e territorit të saj etnik i kaluan asaj që më vonë u bë Jugosllavi dhe Shqipëria e vërtet ishte afër shpërbërjes gjatë Luftës së Parë Botërore, por mbijetoi deri në vitin 1939, kur u aneksua nga Italia. Shqiptarët e thekur kujtojnë se aneksimi nga Hitleri i Bohemisë dhe Moravisë shkaktoi një krizë të madhe evropiane dhe pushtimi gjerman i Polonisë nisi në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa aneksimi i Shqipërisë nga Italia nuk solli edhe aq shumë gjurulldi.
    Pas luftës, nën drejtimin e zotit Hoxha, Shqipëria u bë praktikisht një provincë e Jugosllavisë duke shkëmbyer lehtësirat doganore dhe monedhën me Beogradin.
    Kur presidenti Tito dhe Stalini u ndanë me njëri-tjetrin, zoti Hoxha pranoi Stalinin si mbrojtës të shqiptarëve. Bashkimi Sovjetik mori angazhimin të industrializojë Shqipërinë, të paguajë një sasi të borxheve të jashtme dhe të ndërtojë një bazë detare në Vlorë. Por, në vitin 1961, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet me Moskën dhe u kthye drejt Pekinit.
    Frika nga fqinjët në rajon
    Disa prej shkaqeve të izolimit të Shqipërisë, me një popullsi 2.5 milionë banorë, janë të bazuar te frika prej fqinjëve të saj. Rreth 1 milion banorë jetojnë në rajonin e Kosovës në Jugosllavi. Beogradi është i shqetësuar kohë pas kohe se shqiptarët mund të shqyrtojnë mundësinë të krijojë bashkimin mbarëshqiptar duke marrë Kosovën. Në anën tjetër, Tirana zyrtare shqetësohet se Jugosllavia mund të mund të shqyrtojnë mundësinë që të marrë Shqipërinë nën zotërimin e saj vetjak, duke aneksuar të gjithë shtetin shqiptar. Një tjetër irritim i Tiranës është për faktin e të qenit e informuar se shqiptarët në Jugosllavi janë të varfër, përgjithësisht të pa-arsimuar, dhe me një nivel lindjesh dhe vdekshmërie të lartë.
    Sipas një zyrtari jugosllav, “të dallueshëm lehtësisht nga kësula e tyre konike dhe veshjet kombëtare plot ngjyra, shqiptarët në Jugosllavi janë trajtuar, siç trajtoheshin dikur “zezakët në Shtetet e Bashkuara”.
    Lindshmëria te shqiptarët; si në Shqipëri edhe në Kosovë, është 2.5%, më i larti në Europë. Por, larg nga faktorët e përshtatshmërisë së politikës së jashtme dhe të brendshme, zoti Hoxha dhe kryeministri i tij Mehmet Shehu duket se janë prirë nga ideologjia e tyre vetjake.
    Shteti i vetëm ateist në botë
    Për shembull, sipas ligjit shqiptar, ushtrimi i besimit është formalisht ilegal dhe Shqipëria e konsideron veten si “shteti i parë ateist në të gjithë botën”. Asnjë vend tjetër komunist nuk ka shkuar tërësisht aq larg. Pas shumë shekujsh të sundimit osman, Shqipëria është kryesisht vend mysliman dhe minaret e hirshme dhe xhamitë me kube akoma pikëzojnë territorin e të gjithë vendit.
    Shumica e shqiptarëve janë të prirë të kenë emra myslimanë. Në mënyrë të dukshme zoti Hoxha ndjeu se kjo kujtesë e Islamit duhet të asgjësohet. Sipas Ligjit Nr. 5339, i dekretuar në vitin 1975, shqiptarët u urdhëruan të ndryshojnë çdo emër që ishte vënë që binte ndesh “papërshtatshmërisë politike, ideologjike dhe arsyeve morale” dhe çdo mbiemër që tingëllonte çnderues.
    Në rast të mungesës së dëshirës, emrat e tyre u ndryshuan në mënyrë të dhunshme nga agjencitë shtetërore. Realisht nuk kishte informacione rreth efektshmërisë së ligjit. Në mënyrë të dukshme, kryeministri Mehmet Shehu ka akoma emrin e tij Mehmet, pavarësisht nga konotacionit islamik të tij.
    Refuzimi i ndihmave nga Enveri
    Në kongresin e partisë të nëntorit të kaluar, zoti Hoxha ripërsëriti refuzimin e tij të pranojë ndihma nga çdo vend, Perëndimor apo blloku Sovjetik dhe në një adresim për vendet neutrale, ai denoncoi “sistemin vetadministrues të Titos si një armë e doktrinës borgjeze.
    Ai thotë se Kushtetuta e vitit 1976 synon të “bllokojë rrugën e revizionizmit” dhe të mbrojë Shqipërinë nga eksperienca negative e disa vendeve në të cilat u braktisën parimet e diktaturës së proletariatit me formulimin magjik të revizionizmit, arma më e rrezikshme e kundër-revolucionit”.
    Ndërkaq, rreth 50% e tregtisë së jashtme të Shqipërisë është me Kinën dhe gjysma e tjetër me vendet të Europës Lindore. Shqipëria nuk ka marrëdhënie tregtare me Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara. Prapambetja e Shqipërisë shfaqet kudo. Madje edhe në deklarimet e Tiranës zyrtare. Për shembull, në numrin e fundit të revistës “Shqipëria e re” tregohet progresi në ndërtimin e linjave të furnizimit me ujë në këtë mënyrë: “Në prag të çlirimit të Shqipërisë në vitin 1944 nuk kishte rrjet kanalizimesh në brendësi të vendit. Tani janë ndërtuar 2260 fshatra, të cilët kanë rrjetin e tyre të ujësjellësit. Nuk do të jetë e largët dita kur edhe 348 fshatra do të furnizohen me ujë të pijshëm”.
    Sepse 80% e Shqipërisë është zonë malore dhe vendi është i varur tërësisht nga ushqimet e importuar dhe një ndërprerje e tregtisë me Kinën mund të shkaktojë probleme ekonomike.
    “Shqiptarët të mirëpresin ndryshimin”
    Një diplomat Perëndimor që e vizitoi rastësisht Tiranën thotë se “çështja është sesa gjatë shqiptarët do të vazhdojnë të bëjnë këtë jetë me varfëri në këtë regjim spartan dhe me një pastërti të tillë ideologjike. Asnjë nga turistët e paktë Perëndimorë që kanë mbërritur në Tiranë, - me përjashtim të atyre amerikanë, pasi nuk janë lejuar të vijnë në Shqipëri, - përfshirë edhe ne diplomatët, nuk janë lejuar të shikojë apo dëgjojë ndonjë gjë”. “Por, ne mund ta marrim me mend se atje duhet të jenë shqiptarët ata që duhet të mirëpresin një ndryshim”.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 27 korrik 1977
    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Albania, ideology-bound, may lose its ally”
    Sui generis

  15. #215
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Përplasja, kinezët tërhiqen nga realizimi i projekteve të mëdha

    Vazhdon publikimi i letrës që Tirana zyrtare i nisi Pekinit

    Vijon

    Për çështje konkrete ekonomike në mes dy partnerësh, midis dy shtetesh, është e natyrshme të lindin probleme të ndryshme, për zgjidhjen e të cilave është e nevojshme dhe e domosdoshme të zhvillohen diskutime. Por udhëheqja kineze nuk e ka ndjerë të nevojshme të zhvillonte diskutime normale, pse donte t’i impononte Shqipërisë mendimet e saj. Pala kineze, jo sot, por për një periudhë kohe të gjatë, për çështjet ekonomike ka ushtruar ndaj Shqipërisë presione të shumta në forma e mënyra të ndryshme...Gjatë bisedimeve për nënshkrimin e marrëveshjeve për dhënien ndihmë ekonomike në kredi nga Kina, e pastaj edhe për zbatimin e këtyre marrëveshjeve, janë bërë debate të shumta dhe janë kundërshtuar me sukses nga pala shqiptare pikëpamjet e udhëheqjes kineze që kërkonte t’i impononte Shqipërisë një zhvillim ekonomik të njëanshëm, të frenonte përparimin e shpejtë e të sigurt të saj. Në debatet e zgjatura, presioni i udhëheqjes kineze ka arritur gjer në atë shkallë, saqë pala kineze të hiqte dorë nga projektimi i Hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe i atij të Fierzës, me qëllim që ne të mos ndërtonim fare këto objekte industriale shumë të rëndësishme. Udhëheqja kineze mendonte se Shqipëria, meqë, sipas saj, nuk kishte forca teknike për të projektuar vetë të tilla hidrocentrale të mëdha, e të vështira, do të hiqte dorë nga ndërtimi i këtyre objekteve. Por më në fund ajo u detyrua të pranonte dhënien e kredisë, mbasi pala shqiptare mori përsipër që t’i projektonte vetë këto dy hidrocentrale. Dhe këto dy hidrocentrale u projektuan dhe u ndërtuan nga specialistët shqiptarë, kurse specialistët kinezë kanë luajtur rolin jo të projektuesit, por të konsulentit. Faktet dhe dokumentet e shumta tregojnë se në momente të caktuara, sa herë që politika kineze ka marrë kthesa të mëdha, me të cilat Partia dhe Qeveria Shqiptare nuk janë bashkuar, Qeveria Kineze i ka shoqëruar ato me presione e masa shtrënguese ekonomike nga më të ndryshmet. Këto qëndrime janë një përgënjeshtrim flagrant i deklaratave të bujshme dhe të përsëritura të Qeverisë Kineze, sipas të cilave në dhënien e ndihmës vendeve të tjera Qeveria Kineze respekton me përpikëri sovranitetin e vendeve që marrin ndihmë dhe nuk e shoqëron kurrë atë me kushte, ose nuk kërkon asnjë privilegj. Në notën kineze thuhet se “pala shqiptare, si rezultat i nevojave të politikës së saj të brendshme dhe të jashtme, me dashje ka shpifur për ndihmën e Kinës ndaj Shqipërisë”. Kjo tregon shpirtin intrigant të udhëheqjes kineze dhe dëshirën e saj që ta shohë Shqipërinë të robëruar politikisht, ideologjikisht dhe ekonomikisht nga social imperializmi sovjetik ose nga imperializmi amerikan e borgjezia reaksionare. Udhëheqja kineze flet kështu pse mendon se Shqipëria qenka e izoluar, se ajo merrte frymë dhe rronte në sajë të Kinës dhe tashti paska mbetur në mes të rrugës dhe do të bjerë si një gjah në pritën e imperialistëve ose social-imperialistëve. Kështu kanë menduar e folur dikur edhe Hrushovi e Mikojani se Shqipëria do të shitej për tridhjetë aspra, se ajo do të vdiste për bukë pas 15 ditësh pa ndihmat sovjetike! Por jeta tregoi se Shqipëria as u shit, as vdiq për bukë. Ajo eci përpara në ndërtimin e socializmit me sukses të madh. Dhe kjo u bë jo në sajë të ndihmës kineze, por në sajë të punës heroike e të luftës së lavdishme të popullit shqiptar. Edhe në të ardhmen populli shqiptar, nën udhëheqjen e Partisë së Punës të Shqipërisë, duke u mbështetur në forcat e veta do të ecë gjithmonë fitimtar në rrugën e socializmit, duke u treguar me shembullin e vet miqve dhe popujve forcën dhe vitalitetin e pamposhtur të marksizëm-leninizmit, forcën e socializmit, forcën e popullit. Në luftën tonë për ndërtimin e socializmit dhe mbrojtjen e atdheut, në përpjekjet tona për të përballuar e kapërcyer me sukses vështirësitë që i krijohen vendit tonë nga veprimi armiqësor i Qeverisë Kineze, ne kemi e do të kemi edhe më tepër ndihmën internacionaliste të revolucionarëve të vërtetë, të popujve liridashës e të njerëzve përparimtarë në të gjithë botën. Shqipëria kurrë nuk ka qenë e izoluar, ajo kurrë nuk do të mund të izolohet. Planet e zhvillimit të Shqipërisë, të caktuara nga Partia do të realizohen në të gjitha drejtimet, duke përfshirë edhe ato objekte që Kina i la pa përfunduar, si dhe veprat e tjera të reja që do t’u shtohen këtyre me punën vetëmohuese, me vendosmërinë e popullit dhe me forcat e veta që zbatohen midis partive të vërteta komuniste. Sa herë që ajo ka konstatuar te Partia Komuniste e Kinës qëndrime e veprime që bien në kundërshtim me marksizëm-leninizmin dhe internacionalizmin proletar, në kundërshtim me interesat e socializmit e të revolucionit, ia ka vënë asaj në dukje gabimet dhe e ka kritikuar atë në mënyrë shoqërore. Për këtë ekzistojnë dokumente të shkruara, të Partisë e të shtetit tonë, të cilat ju i dispononi. Por cili ka qenë qëndrimi i udhëheqjes kineze? Ndërsa mbështetja dhe mbrojtja që i ka bërë partia e Punës e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare Kinës Popullore mirëpritej dhe lavdërohej me të madhe nga ajo., vërejtjet e drejta e parimore të Partisë sonë nuk janë mirëpritur asnjëherë nga pala kineze. Udhëheqja e Partisë Komuniste të Kinës nuk ka dashur asnjëherë të zbatoheshin normat e metodat leniniste në marrëdhëniet midis partive.

    Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 30 korrik 1978
    Titulli është redaksional
    Sui generis

  16. #216
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Si ndryshoi Kina pas vdekjes së Maos dhe prishja me Shqipërinë

    Gazeta rrëfen për periudhën pas-Mao dhe reformat që u morën në vitin 1977. Hedhja poshtë e Revolucionit Kulturor dhe politikat që ndoqën liderët e rinj

    Fox Butterfield

    HONG KONG – Së fundi dëgjuesit e Radio Pekinit u befasuan teksa dëgjonin folësit që merrnin nëpër gojë emrat e tyre. Në mënyrë të ngjashme, agjencia kineze e shtypit “Hsinhua” nisi të transmetojë në radhën e parë individët që ishin pajtuar me një pranim të tillë në Kinë. Pranimi i njerëzve të medias është një nga shenjat e ndryshimeve në Kinë qëkur vdiq Mao Ce Duni, rreth 16 muaj më parë. Në vend të shprehjes së Maos për vazhdimin e luftës së klasave, tonet e reja duket të janë për një realizëm më të drejtë; për pranim të vështirësive që Kina duhet të kapërcejë nëse ajo nuk do të realizojë qëllimin e “modernizimit gjithëpërfshirës” deri në vitin 2000.
    Ndryshohet politika e Maos
    Ndoshta ndryshimi i tonit është mishëruar nga thirrja e zëvendëskryeministrit Teng Siao Pinit për “më pak bisedime boshe dhe për më shumë punë”. Zoti Teng u fajësua dy herë gjatë kohës së Maos për një theksim pragmatik në lidhje me ideologjinë, i konkluduar në një vizitë të tij në Burma gjatë javës së kaluar dhe pastaj e deklaruar në Nepal. Udhëtimet përtej detit po bëheshin për herë të parë nga një numër zyrtarësh të lartë të hierarkisë kineze që prej viti 1975, kur zoti Teng u tërhoq për një kohë të shkurtër nga pushteti. Ai udhëtoi në Francë dhe kjo ishte një tjetër shenjë se ai dhe pikëpamjet e tij kanë sërish preferencë të lartë.
    Pasuesit e Maos kanë lëvizur në mënyrë të shpejtë që të çrrënjosin disa nga reformat populiste të Revolucionit Kulturor në fushën e edukimit, industrisë, shkencës dhe teknologjisë. Njohuritë, cilësia dhe disiplina janë rikthyer në modë me më pak shqetësim për rreziqet që paraqet krijimi i një elite të re. Kjo për shkak se Mao akoma respektohet në Kinë dhe udhëheqësit e rinj kanë nevojë që të mbështeten në trashëgiminë e tij. Këto ndryshime nuk ishin shpallur në mënyrë të hapur. Për t’i bërë më mirë, ata i kanë maskuar, duke i paraqitur si pjesë e vazhdimësisë, një përparim më tej përgjatë shtegut të vërtetë të Maos, ose një rikthim te politikat e periudhës së para viteve 1950, të konflikteve fraksioniste të “Kapërcimit të Madh” dhe të “Revolucionit Kinez”. Nuk është e qartë nëse politikat e reja, të cilat janë paraqitur tashmë, do të jenë në gjendje të përmirësojnë vështirësitë që ka Kina.
    Pasojat që la pas kryetari
    Largimi i Maos në moshë të vjetër dhe në gjendje të dobët e la në baltë ekonominë, me fabrika të paefektshme, universitete ku nuk mësohej, një aparat të Partisë Komuniste të gërryer nga urrejtja, me krizë autoriteti dhe një brez të humbur dhe të dëshpëruar të të rinjve kinezë të dalë nga shkolla e Revolucionit Kulturor dhe të degdisur në thellësi të vendit. Ndoshta, refuzimi më i madh i drejtpërdrejtë për Maon ka qenë në edukim dhe shkencë ku autoritetet e reja pranuan se eksperimentet radikale të kryetarit të tyre gjatë kohës së fundit i kushtuan vendin një brez talentesh. Në këto pak muaj Pekini ka rikrijuar kolegje ku hyrja bëhet me testim, që studentët e shkollës së lartë të shkojnë direkt në universitet pa patur nevojë të shpenzojnë fillimisht 2 vjet punë të detyrueshme nëpër fshatra dhe thonë se shkencëtarët duhet ta shpenzojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre nëpër laboratorë, sesa me punë krahu.
    Dy javë më parë, qeveria njoftoi se ishte rikrijuar një shkollë speciale për të kthyer studentët që u ishte hequr e drejta e studimit në vitin 1966. Ndonëse këto reforma mund të prireshin që të mos ushqehej pabarazia, ato duket se janë popullore në radhën e popullit, pasi kishte patur për një kohë të gjatë një edukim cilësor. Në fabrikat kineze, ku vizitorët e huaj që erdhën së fundi, ata ishin befasuar teksa shikonin një numër të madh të makinerive që ishin jashtë funksionit dhe një nivel të lartë të punëtorëve që nuk shkonin në punë, ndonëse ishte urdhëruar që të kthehej autoriteti i menaxherëve te punonjësit. Për rigjallërimin e entuziazmit të punonjësve, Pekini gjithashtu ka garantuar rritjen e pagës për herë të parë pas rreth 20 vjetësh, me premtimin se kjo do të pasohet me stimulim më të madh material. Statistikat paraprake për vitin 1977 konstatojnë se politikat e reja mund të jenë më efektive sesa ato të vjetrat. Prodhimi industrial gjatë vitit të kaluar u rrit me 14% pas dy vjetësh në gjendje thuajse vendnumëro.
    Gjithashtu, bujqësia kineze ka eksperienca të këqija të njëpasnjëshme në këto tre vitet e fundit, më së shumti për shkaktuara prej motit të keq, për shkak se prodhimi ushqimor nuk arrin që të furnizojë popullsinë gjithnjë e në rritje. (Popullsia e Kinës tani është më e lartë sesa 950 milionë banorë). Për të ndihmuar në kapërcimin e mungesave, Pekini ka promovuar një program ambicioz që të mekanizojë bujqësinë kineze pas vitit 1980. Programi do të kërkojë futjen në punë të traktorëve dhe elektrifikimin e zonave rurale dhe pajisjen me plehra kimike.
    Konfliktet mes fraksioneve
    Ndonëse udhëheqësit e Kinës janë thuajse në harmoni të plotë me këto politika të reja, ata akoma duken të përçarë nga armiqësitë personale, - dhe në anën tjetër nga trashëgimia që la pas Mao vitin e kaluar. Një spastrim në shkallë të gjerë të mbështetësve të të ashtuquajturit Gangu i Katërt, nisi me arrestimin e vejushës së Maos, Chiang Ching, në tetorin e vitit 1976, i cili duket se është akoma larg përfundimit të tij. Javën e kaluar, një stacion radioje krahinore njoftoi se udhëheqësi i Partisë së rajonit Sinkiang është shkarkuar nga detyra dhe u zëvendësua nga zëvendësi i tij.
    Në këtë pastrim të brendshëm, linja e vjetër e burokratëve dhe veteranët e ushtrisë ishin përbaltur gjatë Revolucionit Kulturor, ishin përzënë në mënyrë sistematike nga zyrtarët e rinj që i futën ata nga jeta publike 10 vjet më parë. Në një rast, në provincën e Szechwan, një çift në moshë mesatare që u ngrit në pushtet falë Revolucionin Kulturor, nga përzgjedhja e zonjës Chiang dhe kryetarit Mao, ishin zvarritur nga “njëri sesioni i luftës së masave” në tjetrin, gjatë këtyre muajve të fundit. Në Pekin dukej të kishte njëfarë tensioni të fshehur midis mbështetësve të zotit Teng, të cilët ishte spastruar përgjatë Revolucionit Kinez dhe atyre që u bashkëngjiten me Hua Kuo Feng, pasardhësi i Maos në krye të partisë, karriera e të cilit përparoi gjatë rrëmujës politike. Zoti Hua, në mënyrë të dukshme, që të mbronte autoritetin e tij, për më tepër, në mënyrë të sjellshme, kishte marrë disa nga tiparet e mirënjohura të Maos; - si duke u qethur në modelin balla-boks, siç i priste flokët edhe Mao, duke botuar modelet e bukurshkrimit të tij për përdorim në kokat e gazetave dhe nëpër tabelat e stacioneve hekurudhore. Por, të gjykosh nga funksionet që ka mbajtur së fundi dhe vendimet politike, zoti Tend, një burrë mendjefyell që shfaqej gjithmonë si i nxituar, mund të jetë duke fituar garën me zotin Huan.
    Ruajtja e trashëgimisë
    Udhëheqësit e Kinës nuk i kanë braktisur në të gjitha aspektet politikat e Maos. Në çështjet e jashtme ata ndoqën kryesisht orientimet që ai kishte mbajtur; dyshim i thellë për Bashkimin Sovjetik, identifikimin e Kinës me aspiratat e zhvillimit të botës dhe një paralajmërim për hapje ndaj Japonisë, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të industrializuara të Europës Perëndimore që mund të ofronin shkëmbime tregtare dhe teknologjike me Kinën. Por, udhëheqja e Pekinit ka ndërmarrë më tepër se këto politika që pas vdekjes së Maos. Kina është duke negociuar një marrëveshje tregtare afatgjate me Tregun e Përbashkët dhe Japoninë, Gjithashtu ajo la lidhjet e saj të ngushta me Shqipërinë, duke lëvizur për marrëdhënie më të mira me Jugosllavinë, e akuzuar formalisht si mishëruesja e revizionizmit. Madje, Pekini po përgatitet të pranojë ndërmarrjen e një hapi të ngadalshëm të drejtim të vendosjes së marrëdhënieve të plota diplomatike me Administratën Karter. Kinezët janë, në mënyrë të dukshme, të pakënaqur me Uashingtonin, por ata nuk e rritën presionin ndaj SHBA-ve për ndërprerje lidhjesh formale me Tajvanin.
    A ka ndryshuar Kina?
    A u bënë gjithë këto ndryshimeve në politikën e brendshme dhe të jashtme për të mos pranuar Maon? Disa analistë thonë jo, sepse pasardhësit e tij, nga flakja tej e ekstremizmit të Maos në vitet e fundit, aktualisht ia kanë dalë mbanë gjithnjë e më shumë që të sintetizojnë rastin tipik të Maos.
    Mao për veten e tij mund t’i ketë parë gjërat në mënyra të ndryshme. Në një letër për gruan e tij, në fillimin e Revolucionit Kulturor, ai paralajmëron: “Pas vdekjes time, të drejtët mund të kapin pushtetin. Ata do të përdorin fjalët e mia që të lartësojnë flamujt e tyre”. Por ai parashikon: “Ata nuk do të sundojnë për një kohë të gjatë”.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 5 shkurt 1978
    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “China after Mao: Masked tension and unmasked ills”
    Sui generis

  17. #217
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Perse deshtuan britaniket dhe amerikanet per rrezimin e Enverit


    Ahmet bej Zogu, i shpallur më 1928-n Mbreti Zog, ishte anëtar i një familjeje të fuqishme nga krahina e Matit në Shqipërinë e Mesme. Katër vjet më parë ai kishte rrëmbyer pushtetin, - disa raporte japin mendimin se kësaj ia arriti me ndihmën e Zbulimit Ushtarak Britanik, - duke përmbysur peshkopin ortodoks Fan Noli, i cili u përpoq të kryente reforma sociale, duke përfshirë rindarjen e tokës, që e kishin tjetërsuar bajraktarët, të cilët kontrollonin vendin. Duke sunduar me një luks të papërmbajtur, që ishte dukshëm në kontekst me popullin e tij, Zogu ndoqi, siç e quan Julian Amery, një diktaturë liberale të mrekullueshme, megjithëse të tjerë me përvojë e kanë konsideruar atë në fakt partizan i pushtetit absolut. Kur Italia pushtoi Shqipërinë në prill të 1939-s, mbreti u arratis (së bashku me një arkë me florinj të plaçkitur nga thesari kombëtar), për të mërguar në Francë, por me mundjen e Francës ai ishte i detyruar të shkonte në Londër, ndonëse jo si një monark i dëbuar nga fuqitë e boshtit prej një vendi aleat, por si një refugjat privat. Në mërgim nuk kishte asnjë qeveri shqiptare dhe nuk kishte asnjë perspektivë për ta formuar atë. Ndikimi i tij në Forin Ofisin mbështetej në trysninë që i bëhej nga njerëz privatë, siç ishte zonja Aubrey Herbert, burrit të së cilës dikur i ishte ofruar – si dhe mjaft politikanëve të tjerë perëndimorë - Kurora Shqiptare 1). Gjithashtu nuk kishte asnjë perspektivë për një revoltë të brendshme kundër italianëve. Çështja qëndronte se për Shqipërinë mungonin të dhënat zbuluese dhe ato që kalonin nëpërmjet M16-s pothuaj ishin të pabesueshme - një pakënaqësi e përgjithshme që zgjati edhe gjatë Luftës së Ftohtë. Ato pak të dhëna zbuluese kanalizoheshin nëpërmjet Kajros tek Margaret Feni’ Hallëk (Margaret Fani Hasluck), e cila bënte krahasimin e copëzave të informatave, të cilat pothuaj nuk kishin asnjë dobi. Nëpërmjet atyre që jetuan dhe punuan në kohën e mbretit Zog para lufte, ekzistonte pikëpamja e përbashkët se fati politik i Shqipërisë përcaktohej nga pronarët e mëdhenj të tokave gegë, sesa nga toskët e Jugut. Çelësi për ndonjë kryengritje kundër italianëve në Shqipëri në vitin 1941 mendohej se shtrihej në Veri, midis kryetarëve të fiseve gegë, të nxitur prej jugosllavëve. Sipas specialistëve për çështjet shqiptare, Sër Rexhinald Hebërt, i cili shërbeu në radhët e SOE-s gjatë luftës në Shqipëri dhe më vonë si diplomat në Forin Ofis: Përllogaritjet treguan se ishin të gabuara në të gjitha aspektet 2). Elizëbet Barker (Elizabeth Barker), në artikullin “Politika Britanike në Europën Juglindore gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkruan se vendi i vogël i humbur malor”, në skajin veriperëndimor të Gadishullit Ballkanik, me popullsi diçka më pak se një milion banorë, dukej tamam vend i përshtatshëm për eksperimentimin e parë britanik për të inkurajuar një luftë guerile në rajon. Plani u drejtua nga Seksioni D i M16-s si dhe nga specialistë jo të mirëfilltë të luftës të udhëhequr nga Kolin Gabëns (Colin Gubbins) në MI(R). Agjentët e seksionit D, si Xhuliën Emeri në Beograd, rekretuan mërgimtarë në Greqi dhe Turqi, duke përfshirë dhe një nga përkrahësit më të fuqishëm të Zogut në veri, Abaz Kupin, i cili u rezistoi me armë invaduesve italianë për disa orë. Pastaj ata dislokuan depo armësh në kufirin me Greqinë. Më 7 prill 1941, një këshilltar në xhandarmërinë e Zogut dhe oficer në seksionin D Dejrëll Okli-Hill (Dayrell Oakley- Hill) udhëhoqi nga Kosova për në Shqipëri; kryetarët e fiseve veriore, Gani Kryeziu dhe vëllain e tij, së bashku me një forcë prej treqind vetash. Atyre nuk u premtoi askush për ndihma dhe furnizim edhe revolta e tyre shpejt u shua. Shqipëria provoi se ishte më pak e gatshme apo e përshtatshme për një gjë të tillë sesa fqinjët e saj. Rexhinëld Hebërt më vonë shkroi se problemi ishte se vendi ishte i prapambetur politikisht, nacionalizmi ishte i pazhvilluar dhe fshatarët nuk ishin në gjendje të shërbenin 3). I vetmi grup që kishte mundësinë reale për të organizuar një rezistencë koherente ishte Partia Komuniste Shqiptare, e cila u formua me ndihmën e dy komunistëve jugosllavë në nëntor 1941, ku Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh Enver Hoxha. Hoxha u kthye nga Parisi, ku ishte student më 1936-n, tashmë një person shumë i zoti e i aftë në aspektin mafioz të politikës komuniste. Më 1942-shin PKSH formoi Lëvizjen Nacional Çlirimtare. Në të u përfshinë një numër nacionalistësh, më i shquari prej të cilëve ishte pronari i tokave Abas Kupi, megjithëse ai shpresonte të grumbullonte popullin rreth kauës monarkiste. Nacionalistët nuk donin të thellonin armiqësinë me komunistët në interes të frontit të rezistencës. Po ashtu, komunistët në interes të frontit të rezistencës. Po ashtu, dukej se Hoxha ishte më shumë i interesuar të siguronte epërsinë e PKSH-së në rezistencën shqiptare sesa të tërhiqte gamën sa më të gjerë të mundshme të ndjenjave nacionaliste kundër okupatorit 4). Në gusht të vitit 943, qeveria e Musolinit ra dhe kapitullimi solli në Shqipëri një revoltë kombëtare. Në përgjigje, gjermanët dërguan në Tiranë një divizion parashutistësh. Mbas marrjes së masave të rrepta, shumë shqiptarë u larguan në male dhe u bashkuan me partizanët e LNÇ. Gjatë vjeshtës ata udhëheqës nacionalistë të cilët qëndruan jashtë LNÇ, formuan partinë e tyre, Ballin Kombëtar. Balli Kombëtar, një organizatë pasive, donte të evitonte shkatërrimet e panevojshme duke pritur ditën e kryengritjes kombëtare në kohën që gjermanët do të përballeshin me disfatën përfundimtare. Balli Kombëtar, i udhëhequr nga një ish-diplomat, Mithat Frashëri dhe Abaz Ermenji, ishe kundër monarkisë dhe italianëve, por kërkonte që Shqipëria të mbante krahinat e aneksuara nga fuqitë e boshtit. Në nëntor Kupi u përjashtua nga LNÇ dhe formoi një lëvizje të tretë, Legalitetin, që shpalli besnikërinë e tij ndaj mbretit Zog. Gjermanët luajtën një taktikë të zgjuar në Shqipëri. Të pafuqishëm për të ruajtur më tej trupat e tyre, gjermanët vendosën të qetësojnë Shqipërinë me anë të pajtimit politik. Ata lejuan një grup politikanësh të vjetër të para luftës për të fshirë institucionet italiane dhe bënë thirrje për një Shqipëri të tipit nacionalist e republikan të përfaqësuar nga Balli Kombëtar. Për të qeverisur “Shqipërinë e Madhe”, gjermanët ngritën një Regjencë të përbërë nga tre persona, të cilët nuk kishin bashkëpunuar me italianët, ish-kryeministrin e paraluftës Mehdi Frashërin, i cili u caktua Regjent Madhor, Lef Nosi dhe Anton Arapi. Nga radhët e bajraktarëve dhe nacionalistëve asnjë udhëheqës nuk ngriti zërin për të protestuar kundër gjermanëve dhe të ashtuquajturës qeveri në Tiranë 5). Gjermanët krijuan një ushtri shqiptare të komanduar nga gjeneral Preng Previzi dhe një xhandarmëri në vartësi të ministrit të Brendshëm, Xhafer Dava, banor i Kosovës, krahinë e aneksuar nga Jugosllavia. Në Kosovë gjermanët krijuan një shoqatë me prijësit e fiseve vendase, që mori emrin “Lidhja e Prizrenit”, me president Xhafer Davën. Katër batalione me shqiptarë nga Kosova u zgjeruan dhe krijuan një divizion SS special, që mori emrin Skënderbeg, hero shqiptar i shekullit të pesëmbëdhjetë. Ai u përdor në operacione kundër LNÇ dhe partizanëve jugosllavë të Titos 6). Oficerët e parë ndërlidhës të SOE-s në Shqipëri ishin ushtarakët profesionistë, nënkoloneli Dejvid Smajli dhe Nil Meklein. Mbasi hynë nga Greqia, përfundimisht ata gjetën shtabin e Enver Hoxhës dhe vendosën kështu lidhjet me LNÇ. Tepër konservatorë dhe antikomunistë në pikëpamjet e tyre, ata kishin në mënyrë të padiskutueshme simpati për nacionalistët. Së bashku me një djathtist tjetër, Xhuliën Emeri, djali i Leos, sekretar Shteti për Indinë dhe një nga miqtë më të ngushtë të Uinston Çurçillit, ata formuan grupin e njohur me emrin muskëtierët, që ndihmuan Ballin Kombëtar dhe lëvizjen e Legalitetit me Abaz Kupin në krye. Kolegët e tjerë ishin Elën Heër, një Estone i vjetër dhe djali më i vogël i lordit Listouell Toni Nill, Xhon Hibërdin. Entëni Northrop dhe Piter Kemp, të cilët dukeshin se kishin antipati për të gjithë ata në SOE, që kishin pikëpamje progresive. Ata ishin në minoritet, por kishin influencë brenda SOE-s 7).

    Titulli është redaksional
    Sui generis

  18. #218
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Agjentet britanike ndahen ne dy grupe per Enver Hoxhen


    Më 17 dhjetor 1943, gjeneral-brigade i SOE-s, E. M. Trocki Dejvs, raportonte në shtatmadhëri se Balli Kombëtar dhe zogistët janë duke bashkëpunuar me gjermanët, të cilët po i përdorin duke i caktuar të ruajnë rrugët kryesore si policë qytetesh dhe si udhëheqës patrullash për të hapur rrugën për patrullat gjermane, duke u dhënë atyre armë në sasi të mëdha. Ai shtonte se ndërkohë që ata kishin premtuar për të luftuar okupatorët, asnjëherë nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Kam mendimin se qëndrimi i Aleatëve duhet të bëhet menjëherë publik, për t’u treguar kuislingëve, tradhtarëve dhe atyre që nuk i kundërvihen gjermanëve se ata do të marrin ndëshkimin e duhur nga Aleatët në kohën e duhur. Dejvisi rekomandonte njohjen e LNÇ si e vetmja organizatë rezistence. Bile muskëtierët ishin të detyruar të pohonin se nacionalistët bashkëpunojnë me gjermanët dhe se ne mund të jemi të detyruar të bashkëpunojmë ekskluzivisht me partizanët si forca e vetme ushtarake që ia vlen të mbështetet në vend. Tri javë më vonë, Dejvisi i shpëtoi një prite të ngritur nga një grup pronazist i Ballit Kombëtar. Një specialist shqiptar spekuloi: ”Mos ndoshta ndokush në anën e Aleatëve dëshiron të heqë qafe këtë përkrahës të LÇN?”8). Fillimi i vitit 1944, që shënon krijimin e një koalicioni nacionalist, bashkoi Mehdi Frashërin, Abaz Kupin e të tjerë si pjesë e një orvatjeje për të shtypur komunistët. Pa dyshim që pati një bashkëpunim indirekt me kolaboracionistët nacionalistë. Kupi në Tiranë ndërhyri në emër të organizatës së tij në politikën kolaboracioniste të kryeqytetit. Sipas dokumenteve gjermane, Kupi mori takimin me zyrtarët gjermanë dhe u tha atyre se ai nuk do t’i luftonte ata, bile edhe sikur të kishte një zbarkim të forcave aleate. Emisari gjerman në Tiranë konfirmoi se ekzistonte një bashkëpunim me Ballin Kombëtar, të përbërë nga ekstremistë, të cilët kanë denoncuar misionin britanik të Billi Mekleinit për dhënien bolshevikëve të një kontributi të rëndësishëm moral dhe material... Smajli dhe Emeri shiheshin si agjentë të maskuar të Internacionales së Tretë. Oficeri i SOE-s dhe aktor në ngjarjet, Entëni Kuejll (Anthony Quale) në një raport përmbledhës më 30 prill 1944, e përshkruante Ballin Kombëtar si një aglomerim i padisiplinuar individësh që i bashkon vetëm urrejtja për Komunizmin 9). Një raport i gushtit 1944, i përpiluar nga Zyra amerikane e Shërbimeve Strategjike (OSS) mbi Shqipërinë, me titull “Kushtet politike të brendshme” pohonte se Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica dhe Mithat Frashëri janë me gjermanët... Tani janë duke u ndërmarrë masa antisemitike. Një dokument i kapur SS zbulonte se Deva ishte përgjegjës për internimin e “Çifutëve, komunistëve dhe partizanëve” në kampet e shfarosjes si dhe për inkursionet ndëshkimore nga Divizioni SS Skënderbeg. Territori i vogël malor kishte pak çifutë, kështu që të paktën ishin ata që u kapën dhe u pushkatuan, megjithëse Kristofor Simpsën shton se “jo për mungesë të përpjekjeve nga ana e organizatës së Ballit Kombëtar dhe Divizionit SS SHQIPTAR”, të cilët u implikuan në një seri spastrimesh antisemitike, që përmblidhte rreth 800 njerëz, shumica e të cilëve u internuan dhe u masakruan. LÇN e quante Devën përgjegjës për masakrën në Tiranë të 4 shkurtit 1944 dhe për mizoritë e tjera të kryera nga Gestapoja në bashkëpunim me xhandarmërinë shqiptare 10). Entëni Kuejll përfundonte se nacionalistët djathtistë, të cilët vlerësoheshin pothuaj si kuislingë, janë duke parë me shqetësim të ardhmen se kush do t’i shpëtojë ata nga hakmarrja e partizanëve kur gjermanët do të largohen nga Shqipëria? Ngurrimi i nacionalistëve për të luftuar, shkruan Rexhinëld Hebert, në kushte historike, ishte i pafalshëm dhe ndërkohë që lufta po i afrohej fundit, nuk iu fal dhe ata korrën një shpagim të tmerrshëm. Lëvizja partizane nacional-çlirimtare, forcat kryesore i kishte në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut dhe ishte e dobët në malet e Veriut. Sidoqoftë, me vazhdimin e luftës, partizanët u shtuan në forca dhe filluan të lëvizin drejt Veriut, duke i kërcënuar nacionalistët 11). Ndërkohë, misioni CONSENSUS II, që përfshinte Mekleinin, Smajlin, Emerin dhe ata që kishin ngelur nga një mision tjetër Slenderin u kthyen më 1944-n në Shqipëri, kohë kur raporti i forcave ish-në favor të komunistëve. Sidoqoftë, muskëtierët, duke menduar për botën e pasluftës deshën që të rritnin ndihmën për antikomunistin Kupi dhe forcat zogiste, në verilindje të Tiranës. Por, gjatë verës njësitë e BK-së ishin integruar nën komandën gjermane, ndërsa Lëvizja e Legalitetit e Kupit vlerësohej nga Shtabi Britanik i Kajros jo si një faktor ushtarak. Ndonëse nuk kishte ndonjë mbështetje për kthimin e Zogut, Kupi vazhdonte të kënaqej me intrigat e tij dhe gjermanët lejuan një nga përkrahësit e tij, bajraktarin gegë nga Veriu Fiqiri Dine, të organizojë një qeveri të sponsorizuar nga gjermanët, e cila nuk pati jetë të gjatë 12). Të vetmit nacionalistë në Shqipëri që përqafuan me gjithë zemër idenë e ndërtimit të Shqipërisë së ardhshme duke luftuar gjermanët qenë vëllezërit Kryeziu, Gani, Seit dhe Hasan. Megjithatë, lëvizja “Kryeziu” u shtyp menjëherë, duke eliminuar kështu të vetmen rezistencë jokomuniste ndaj gjermanëve në Veri. Kur u bë e qartë se forcat gjermane do të evakuoheshin nga fundi i gushtit, Kupi u bashkua me gjeneral Preng Prevein dhe Fiqiri Dinen për të planifikuar një sulm ndaj gjermanëve, por forcat e tyre, në mënyrë tipike u tretën. Në ditët e fundit të fushatës, një tufë heterogjene e përbërë nga zogistë dhe ballistë, Fiqiri Dinia dhe Preng Previzi, si dhe gjashtëdhjetë trupa shqiptarësh të armatosur, u bashkuan me misionin britanik “Consensus”. Nuk është për t’u çuditur, duke njohur prejardhjen e shqiptarëve te të cilët ishin atashuar Meklein, Smajli dhe Emeri, që Hoxha dhe komunistët, në fakt e shikonin me dyshim dhe armiqësi misionin “Consensus”. Rezistenca e nacionalistëve ishte një iluzion 13). Në vjeshtën e vitit 1944, forcat gjermane po tërhiqeshin jashtë vendit dhe ishte e qartë se komunistët e kishin fituar luftën civile. Megjithatë, Emeri kishte besim se loja nuk ishte humbur: “Unë isha në Shqipëri në një moment kritik. Me një ndërhyrje të vogël britanike ose amerikane ne do të mund ta ruanim Shqipërinë në Perëndim. Kjo është në fund të fundit ajo që ne bëmë në Greqi. Forcat britanike shtypën rezistencën komuniste duke sjellë në fuqi gjeneral Zervën dhe tradicionalistët. Në Londër Uor Ofis pohonte se ishte jashtë mundësive të Britanisë të ndalonte një qeveri komuniste që do të drejtohej për ndihmë nga Jugosllavia dhe Rusia”. Për këtë ne duhet të synojmë të forcojmë që tani pozitat me partizanët, me qëllim që pas luftës të jemi në gjendje të influencojmë në qeverinë partizane. Rezultati ishte se Emeri dhe Smajli ishin të detyruar të abandononin Kupin. Më vonë ai mori rrugën e tij së bashku me Ihsan Toptanin, një tregtar i pasur shqiptar. Enver Hoxha u njohu vëllezërve Kryeziu kontributin dhe ndihmën e dhënë në krahinën e Kosovës dhe për këtë u ofroi atyre një vend në qeverinë provizore, por ata refuzuan. Seiti përfundimisht u evakuua nga Komanda e Misionit Ndërlidhës Britanik në Itali 14). Viskaunt Bill Herkant, i cili ndiqte operacionet e SOE-s që nga Bari me Forcën 399, kur u vendos në Tiranë, ku me sytë e tij pa nga afër regjimin e ri, e vlerësoi Hoxhën si një njeri me karakter tejet të rëndë: I dhjamosur, rrumbullak, njeri i vetëkënaqur me një fytyrë bardhoshe të kuqërreme. Ai flet frëngjisht mirë, por ka një sjellje të pakëndshme. Viskont Herkant e gjeti Hoxhën të rrethuar nga një amalgamë komunistësh dhe banditësh të zakonshëm. Ai i tha gazetarit amerikan Sajrës Soullsbërgër se në fund ishte vendosur të përkrahej Hoxha sepse grupimi i tij dukej më i mirë nga kjo farë e keqe. Megjithatë, nuk kaloi shumë, që e Djathta të zhvillonte teorinë e saj konspirative, ashtu siç bëri me Jugosllavinë dhe Titon. Piter Kemp e vuri çështjen e muskëtierëve në krye të librit të tij “Pa ngjyra e pa kreshtë”. Shqipëria ishte një sakrificë plotësisht e panevojshme që iu bë imperializmit sovjetik. Ishte iniciativa britanike, armët dhe paratë britanike që ushqyen rezistencën shqiptare në vitin 1943, ashtu siç ishte dhe politika britanike më 1944-n që i dorëzoi një fuqie armike nderin tonë dhe miqtë tanë 15). Rexhinëlld Hebërt e hodhi poshtë këtë si një mashtrim të pareshtur nga njerëz të cilët nuk mundën të kuptojnë çfarë kishte ndodhur: “Thelbi i çështjes qëndron në pretendimin se ishte ndihma britanike që solli udhëheqësit partizanë në pushtet në Shqipëri - nëse ndihma britanike do të shkonte në rrugë tjetër Shqipëria do të ishte sot një demokraci properëndimore”. Dhe Smajli lë të kuptohet se ishin komunistët, urithët, liberalët, majtistët dhe sentimentalët në SOE dhe në radhët e shokëve të tij, oficerëve britanikë të ndërlidhjes, që ishin fajtorë për kthimin e komunistëve shqiptarë kundër përpjekjeve më të mira të tij, ato të Bill Mekleinit dhe Xhuliën Emerit. Heërt parashikon kundërargumentin dhe bile në një mënyrë tepër ironike, se ishte Smajli ai që armatosi dhe stërviti Brigadën e parë Partizane më 1943-shin dhe ishte kjo brigadë, që udhëhoqi pushtimin e Veriut më 1943 dhe që mundi të mbijetojë nga përpjekjet e gjermanëve për ta shpartalluar atë gjatë dimrit. Smajli e përshkruan arritjen e kësaj brigade në Veri si ditën më të zezë të vitit 1944. Ishte një e vërtetë e pakëndshme që LÇN kishte mbështetjen popullore dhe se një forcë revolucionare shpërtheu në Shqipëri më 1944-n dhe kjo ishte forca kryesore që i dha fitoren e pushtetit të Enver Hoxhës. Siç pohon Hebërt, nuk ishte ndihma britanike, por dhuna dhe shkatërrimi italian dhe gjerman që sollën revolucionin në Shqipëri... Arritja katastrofale e Hitlerit, që solli komunizmin në Lindje dhe Qendër të Europës, u shtri edhe në Shqipëri 16).
    Sui generis

  19. #219
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Aksionet e para te britanikeve per rrezimin e Enver Hoxhes


    S’ka dyshim se shumica e atyre që i dhanë ndihmë PKSH-së shpejt u zhgënjyen me shoqërinë e re të shpallur më 1945-n. Pati një terror të përgjithshëm dhe persekutime të ashpra në spastrimet që Hoxha bëri në radhët e borgjezisë, katolikëve, atyre që nuk ishin komunistë, tregtarëve dhe të huajve, në fakt ndaj çdo njeriu që ai mendonte se ishte kundërshtar i tij me një seri gjyqesh model të kriminelëve kryesorë të luftës. Me sa duket, ndaj kundërshtarëve u përdorën torturat. Britania, Shtetet e Bashkuara dhe BRSS e njohën Shqipërinë e re në nëntor të vitit 1945. Një muaj më vonë u mbajtën zgjedhje të rreme sipas një liste të vetme të shpallur nga PKSH-ja. Asambleja e dalë suprimoi monarkinë dhe në janar të vitit 1946 shpalli Republikën Popullore me një kushtetutë të modelit sovjetik. Paskëtaj, marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin u keqësuan në mënyrë të shpejtë, mbasi aleatët refuzuan të riatdhesojnë një numër udhëheqësish politikanë nacionalistë, kriminelë lufte, të cilët ishin arratisur në Itali e Greqi, vende këto të okupuara nga Aleatët, të cilëve u ishte dhënë statusi i refugjatëve politikë. Hoxha gjithashtu shante Perëndimin për tentativa për përmbysjen e regjimit të tij. Gjyqe për komplote u përdorën për të akuzuar fuqitë perëndimore për synime të errëta ndaj Shqipërisë 17). Prapa retorikës komuniste, pararojës së shtrembër dhe figurës mistike që Hoxha përdori për të shtypur dhe detyruar popullin të heshtë, pati edhe elementë të së vërtetës. Hoxha kishte arsye që të ishte vigjilent. Në fund të armiqësisë, kur udhëheqësi skuadron, oficeri i SOE-s, Toni Nill, i cili kishte shërbyer në Veri në radhët e katolikëve dhe homologu i tij amerikan u largua nga Shqipëria thuhet se kanë thënë: “Ne do të kthehemi me anë të një rruge tjetër”. Gjatë muajve të fundit të luftës, njësitë britanike dhe amerikane të zbulimit në Itali kishin filluar në fakt që t’i kushtonin një vëmendje të kujdesshme Shqipërisë, jo aq shumë për vetë atë, megjithëse në Britani kishte mjaft njerëz që shqetësonin të shikonin mbretin Zog, i cili në atë kohë jetonte në mërgim në Londër, të kthehej në fronin mbretëror, sesa për marrëdhëniet e saj strategjike me Jugosllavinë dhe Greqinë. Lufta civile ishte gati të shpërthente në Athinë, dhe Titoja i Jugosllavisë ishte në procesin e zhvatjes së Kosovës të banuar nga pesëqind mijë shqiptarë etnikë 18). Në fund të luftës, Forca 399 e SOE-s, ende e komanduar nga Viskaunt Herkant, vazhdonte të fokusonte aktivitetet në Europën Juglindore nga baza e saj në Bari. Bari, ish-qendra e propagandës së Italisë fashiste për Lindjen e Mesme, u bë shtabi i Aleatëve për propagandën e luftës. Sipas Robin Uinks, “buletinet e BBC-së ritransmetoheshin nëpërmjet Radio Barit dhe për një kohë kishin si synim posaçërisht Shqipërinë”. Në Londër, dosjet e shërbimit të zbulimit mbaheshin me të dhëna mbi lëvizjen ilegale në Shqipëri si dhe mbi Shoqatën e Miqve të Shqipërisë, një grup prozogist që përbënte grupimin më liberal anglo-amerikan. Sektori i Kërkimeve dhe Analizave i OSS, Zyra e Shërbimeve Strategjike, kishte filluar të ripërtërijë “Vjtarin mbi guerilasit shqiptarë”, i cili identifikoi deri në pesëdhjetë e pesë grupe guerile dhe njëqind udhëheqës të ndryshëm. Që në fillim të vitit 1944, me gjithë mundësitë e kufizuara për të hyrë në dosjet, ishte e qartë, përfundon Uinks, “se diçka po synohej për Shqipërinë 19). Uinksi bile kujton se në fillim të vitit 1945 disa grupe u hodhën me parashutë në Shqipëri për të marrë takim me grupet fraksioniste, shumica thjesht u zhdukën, megjithëse disa kaluan në Jugosllavi për të raportuar për situatën e turbullt që ekzistonte. Që SOE ishte akoma aktive konfirmohet nga vizita në Bari gjatë verës së vitit 1945 të kreut të Seksionit IX të MI16-s, Kim Filbi. Ndërkohë që ai ishte atje i dobishëm për të marrë një gogol kanakar, që e zgjodhi për parashutim në Jugosllavi, por në vend që të thyente qafën, ai e mbuloi veten me lavdi. Operacionet mund të vazhdonin deri në verën e vitit të ardhshëm, kur SOE zyrtarisht u shpërnda 20). Shërbimi i fshehtë britanik raportonte se Shqipëria ishte nën influencën në rritje të Jugosllavisë, por ajo ndihmohej gjithashtu nga një numër i madh këshilltarësh sovjetikë. Në mars të vitit 1946 Forin Ofisi konstatoi një paralele të afërt ndërmjet depërtimit aktual të rusëve në të gjitha sferat e administratës dhe të njëjtit proces të kryer nga italianët para vitit 1939. I vetmi problem shtrohej nëse Shqipëria do të qëndronte e nënvarur nga Bashkimi Sovjetik apo do të mund të arrinte një status vasal të përshtatshëm 21). Në korrik, një nga tridhjetë e shtatë shqiptarët pranoi në gjyqin e tij se kreu i Misionit Britanik në Tiranën e çliruar, nënkoloneli Ellën Pallmër, i kishte dhënë atij udhëtime para se ai të largohej, që, pas fitores të komunistëve, ai të mbante lidhje me udhëheqësit nacionalistë, Fiqiri Dine dhe Muharem Bajraktari. Ai shtoi se një oficer ndërlidhës britanik, majori Arnëlld, bile i kishte sugjeruar që të vriste Hoxhën. Në sfondin e propagandës antibritanike u zhvilluan bisedime për të zëvendësuar Misionin me një legatë, por që nuk u arrit. Marrëdhëniet me Britaninë përfundimisht morën fund më 22 tetor 1946, kur dy torpedinierë, Saumarez dhe Volafge, ranë në mina në kanalin prej tri miljesh të Korfuzit, kur për rrjedhojë u dëmtuan rëndë dy anijet dhe u vranë dyzet e tre veta. Për hakmarrje, Britania mbajti dhjetë milionë paund floriri, që i takonin Shqipërisë të depozituara gjatë luftës në Bankën e Anglisë (në prill të 1949-n Gjyqi Ndërkombëtar i Drejtësisë në Hagë e gjeti fajtore Shqipërinë dhe urdhëroi që t’i paguhej kompensimi Anglisë). Ministri francez në Tiranë, Gui Mentan, ishte i vetmi burim i disa copërave informatash të mjerueshme që arrinin në Perëndim 22). Me sa duket, Shërbimi Sekret Britanik ish i angazhuar aktivisht në një planifikim jozyrtar për operacione ndaj Shqipërisë, megjithëse në një shkallë të vogël. Tashmë ishin zhvilluar takime me grupe emigrantësh shqiptarë. Një nga agjentët e MI16–s, rusi i bardhë, gjenerali Turkul, thuhej se kishte një organizatë në Beograd që mbështeste kthimin e mbretit Zog në fronin mbretëror. Sipas burimeve të informuara të Xhon Loftës, në këtë kohë britanikët dhe amerikanët ishin duke planifikuar një kryengritje guerile në Shqipëri për të çliruar vendin nga sundimi komunist. Në anën amerikane operacionet ndiqeshin nga Drejtoria e Dedashmenit Ushtarak (DAD) jashtë Frankfurtit, së bashku me një ekip të Shërbimit të Zbulimit Britanik që vepronte nën maskën e Komisionit të Lartë Britanik në Gjermani dhe që kishte një zyrë ndërlidhjeje me DAD-in në ndërtesën e I.G, Farben. Operacionet e DAD-it mbikëqyreshin nga Komenti Koordinues Luftakak Shtetëror-Detar, ku oficer ndërlidhës i Uashingtonit ishte Frenk Uajznër. Uajnër, ish-oficer i OSS-së, i cili ishte përfshirë në operacione të ngjashme në kohën e luftës në Rumani, ishte një avokat i fuqishëm që rastisi të përfaqësojë interesat financiare të një grupi refugjatësh të pasur shqiptarë, anëtarë të Ballit Kombëtar dhe të lëvizjes mbretërore, të cilët kërkonin zhdëmtimin për humbjen e pasurive të tyre të konfiskuara nga komunistët. Në vitin 1947 Din Eçesën e caktoi Uajznërin zv.ndihmëssekretar të Shtetit për Territoret e Okupuara, një post më tepër zbulues se diplomatik 23). Në shtator të 1947-s, një gjyq tjetër u organizua në Tiranë, ku të akuzuarit pohuan se Misionet Britanike dhe Amerikane i kishin nxitur të fillonin një kryengritje të armatosur kundër regjimit. Nëse kjo ishte e vërtetë ose jo, ishte oficeri i CIA-s dhe specialist për çështjet sovjetike Heri Rozicki, që zbuloi se disa persona të stërvitur, me sa duket ruajalistë, ishin hedhur në Shqipëri në vitin 1947. Aksioni kryesor si një përpjekje e përbashkët nuk filloi në vitin 1949. Megjithatë, planifikimi filloi në fillim të 1948-s 24). Para se të nisej për në Stamboll në janar 1947, Kim Filbi u tha se përparësia e tij kryesore ishte Bashkimi Sovjetik dhe të mos i kushtonte vëmendje të madhe Ballkanit. Arsyeja me sa duket ishte se mbeturinat e SOE-s ishin akoma aktive në rajon. Rodni Denis, i cili ishte futur në MI 16 më 1937-n dhe kishte marrë një OBE për punën e tij të dyfishtë në Seksionin 5, po operonte si sekretar i parë i zyrës britanike për Lindjen e Mesme në Kajro, kur një operacion në shkallë të gjerë ndaj Shqipërisë porsa ishte parashtruar për diskutim. Më vonë ai i tha Nikolla Bethëllit se sipas mendimit të tij ishin brejtjet e fundit të SOE-S. Për një moment, vite pasi SOE ishte shpërndarë, u kthye aty ku ishte me agjentët në terren dhe në Ballkan, zona e saj e preferuar. Me sa duket anëtarë të Grupit të Shkretëtirës Afatgjatë, të cilët kishin pasur më shumë luftime në Shqipëri se SOE, ishin të parët që u afruan për një mision të tillë, por ishin ose indiferentë, ose skeptikë rreth kundërrevolucionit 25).
    Sui generis

  20. #220
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Deshtimi i operacionit “Valuable” per te rrezuar Enver Hoxhen


    Operacioni “Valjuebël”, siç e mori emrin aksioni kundër Shqipërisë së Hoxhës, ishte një operacion i SOE-s, ose më saktë, një operacion i MI (R)-it, që pasqyronte aventurën e pasuksesshme të vitit 1941 dhe që kishte karakteristikat e një numri aventurash të Seksionit D. Fillimisht, dora drejtuese ishte ish-drejtori i SOE-s, gjeneral-majori Sër Kolin Gabëns, perceptimi i qartë dhe i veçantë i të cilit për komunizmin vetëm përforconte pozitën e tij ndaj detyrës së marrë. Në janar të 1948-s ai mbajti një leksion në Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore mbi sukseset e kohës të luftës së Operacioneve Speciale. Shefi i MI16-s, Sër Stjuart Menis, me sa duket nuk ishte aspak entuziast rreth fillimit të operacionit të madh paraushtarak, por ai ra dakord si një mënyrë për t’i mbajtur të kënaqur ish-njerëzit e SOE-s që kundërmonin, ishin të neveritshëm e kishin vrull, të cilët akoma gëzonin një farë influence në rrethinat e zbulimit 26). Dega e Operacioneve Speciale që drejtohej nga Harëld Përkins dhe e përbërë nga personeli i SOE-s, që akoma ishin të fshehur brenda MI6-s, ishte themeluar pikërisht për këtë situatë, por shpejt u bë e qartë së mungonin burimet për realizimin e një operacioni kaq të madh. Duke e kuptuar se një gjë e tillë mund të realizohej kur lufta mori fund, Gabëns caktoi Xheri Holdsuorthin në një detyrë të re, që të krijonte një shoqatë me operativë të SOE-s. Shqetësimi urgjent i Gabënsit ishte që të vendoste një sistem, me anën e të cilit persona me një kualifikim të veçantë të mund të kontrolloheshin menjëherë në rast të një lufte të re, ose situate të jashtëzakonshme. Holdsuorthi, i cili kishte qenë anëtar i Seksionit D dhe në fund të luftës ndiqte operacionet në Itali dhe Ballkan nga qyteti i Barit, ndihmoi që në vitin 1947 të themelohej në Najtsbrixh Klubi i Forcave Speciale. Klubi vepronte si pikë kontakti për ish-operativët e SOE-s dhe si bazë rekrutimi për operativët e ardhshëm 27). Megjithëse zyrtarisht i dalë në pension, Gabëns mbante marrëdhënie me MI6-n dhe më 1948-n, ai dhe shokë të tjerë hynë në bisedime me Emerin me idenë për realizimin e një operacioni në Shqipëri. Emeri, që në atë kohë po bënte përpjekje të pasuksesshme për të hyrë në Parlament si kandidat konservator, u zgjodh nga Gabënsi dhe Menzisi jo për shkak të së kaluarës dhe lidhjeve të tij gjatë luftës, kishte shumë njerëz që shërbenin si ushtarakë të rregullt, sepse ai ishte i vlefshëm dhe i angazhuar 28). Në atë kohë Shqipëria po kalonte një periudhë ndryshimesh rrënjësore politike, shumë pak prej të cilave ishin të njohura prej Perëndimit. Në kundërshtim me propagandën perëndimore, marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Moskës pothuaj nuk ekzistonin dhe Stalini ishte i kënaqur që për Shqipërinë të kujdesej Titoja, i cili e trajtonte atë si një shtet klient. Nga mesi i vitit 1947 Hoxha mori takim me Stalinin, takim i cili i dha shpresë të distancohej nga Titoja, por Koçi Xoxe, personi numër dy i PKSH-së dhe ministër i Brendshëm, me zell punonte me jugosllavët. Përjashtimi i Shqipërisë nga Byroja Informative, i vetmi vend komunist që u trajtua në këtë mënyrë, u interpretua nga Ambasada Britanike në Beograd si një shenjë se Shqipëria shpejt do të aneksohej nga Titoja. Udhëheqësit komunistë shqiptarë që vizituan Beogradin përshkruheshin nga zyrtarët britanikë si të parëndësishëm ose absurdë. Kur Koçi Xoxe spastroi një numër përkrahësish të Hoxhës, u duk se federimi i Shqipërisë me Jugosllavinë dhe ndoshta edhe me Bullgarinë, nuk ishte shumë i largët. Çarja e Stalinit me Titon dhe mbështetja që Shqipëria i dha Byrosë Informative, në vitin 1948, e lejoi Hoxhën të ndryshojë rolet me Koçi Xoxen, i cili për pak sa nuk e eliminoi atë. Lajmet e papritura për përjashtimin e Jugosllavisë u pritën me festime të mëdha nga Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij, dhe Shqipëria ishte kështu në gjendje të dilte nga influenca jugosllave 29). Prishja me Beogradin e la ekonominë shqiptare në një gjendje të pasigurt dhe gjeografikisht të izoluar. Ajo ishte pa miq në Ballkan dhe nuk pati një angazhim të sigurt të sovjetikëve në mbrojtje të saj, pasi Jugosllavia prishi aleancën me të. Një ndjenjë paranoje në rritje u pasqyrua në propagandën që bëhej nëpërmjet një serie gjyqesh model me spiunë. Diplomati francez Menant raportonte për një shqetësim të përgjithshëm në vend dhe për spastrime zyrtarësh që kishin ndonjë lidhje me Jugosllavinë. Sigurimi, Shërbimi i Fshehtë Shqiptar, kontrollonte çdo aspekt të jetës së përditshme. Gjatë shtatorit Menant raportonte se në radhët e fiseve në Shalë dhe Hot, në Veri të vendit, ishte bërë kryengritje dhe aktivitet gueril të frymëzuara nga jugosllavët 30). Titoja më 1948-n pa dyshim donte të rrëzonte Hoxhën në mënyrë që të mund ta fuste Shqipërinë në federatën jugosllave. Hoxha e dinte këtë dhe dyshonte se Titoja ishte i lidhur me Britaninë, armiken tradicionale të Shqipërisë. Gjatë atij viti një shqiptar pranoi se një ish-oficer i Shërbimit të Posaçëm Ajror, SAS, Ficroni Meklein, e kishte paguar për të vrarë Hoxhën. Meklein konsiderohej në Shqipëri si një kriminel lufte nga më të kërkuarit, mbi bazën se ai kishte organizuar kalimin e Titos në Perëndim, duke ndryshuar drejtimin e tij. Reixhinëld Hebërt ka mendimin se meqë Ficroi ishte aleat i Titos, Hoxha duhet të kish ardhur në deduksionin se Britania po manipulonte Titon për të realizuar qëllimin e saj për të destabilizuar Shqipërinë. Hoxha e kishte nxjerrë përfundimin. Ai e dinte se britanikët ishin prapa tij dhe se Titoja po ndiqte një rrugë të ndryshme. Më e natyrshme se kjo ishte që ai t’i lidhte këto dy anë dhe të shikonte Ficroi Meklein si një emines gris. Ka mundësi gjithashtu, shton Hebërt, që shqiptarët ngatërronin Ficroin me Billi Meklein, i ngjashëm kaq shumë me Ficroin në shumë drejtime, i cili kishte qenë mjaft kohë në vend 31). Xhuliën Emeri filloi punën për krijimin e një grupi ekspertësh në emër të MI6-s, që e siguroi atë se në dispozicion të tij viheshin fonde të mjaftueshme. Mbas kthimit në Londër nga një vizitë që bëri në Greqi, Emeri kishte embrionin e një plani. Unë e kisha kuptuar sa pranë ishin komunistët në rrëzimin e qeverisë greke. Unë kisha bërë një farë studimi të lëvizjeve guerile nga 1939-a deri më 1945-n dhe ishte e qartë se e vetmja mënyrë për të shpartalluar atë ishte të godisnim në strehët e sigurta që ata kishin në anën tjetër të kufirit, ose duke i ndjekur këmba-këmbës, gjë që është më normale, ose duke nxituar një lëvizje guerile kundër qeverisë që furnizon strehimet.
    Sui generis

Faqja 11 prej 14 FillimFillim ... 910111213 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Dosja e krimit politik në Kosovë
    Nga kosovar në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 15:05
  2. Historia ndryshe
    Nga karaburuni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 01-07-2005, 09:53
  3. NjËdimensionalitetin E QytetËrimit PerËndimor
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 02-02-2005, 17:02
  4. Liria e shtypit shqiptar
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-05-2003, 06:14
  5. Abaz Ermenji
    Nga Eni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 12-03-2003, 14:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •