Historia e kishës serbe në Kosovë


Serbët, në opinionin ndërkombëtar,
kur flasin për të drejtat e tyre mbi
Kosovën, ngrenë çështjen e
kishave dhe të manastireve serbe në Kosovë.
Për t‘iu kundërvënë këtij mashtrimi
serb, duhet që më parë t‘u bëjmë të
ditur lexuesve ndarjen e periudhës së
historisë së Mesjetës. Ajo ndahet në tri
periudha:
1. Periudha e hershme e historisë së
Mesjetës përfshin harkun kohor që fillon
nga rënia e Perandorisë Romake deri në
fund të shekullit XIV. Serbët pushtuan
Kosovën në fillim të shekullit XIII, ndërsa
në fund të shekullit XIV ata ishin kthyer
në vasalët më të bindur të Perandorisë
Osmane. Kështu që, i dokumentuar historikisht,
pushtimi i Kosovës zë pjesën
më të vogël të fazës së parë të historisë së
Mesjetës.
2. Periudha e Mesjetës së zhvilluar,
(nga shekulli XV deri në gjysmën e parë
të shekullit XVI). Në këtë periudhë pjesa
më e madhe e popullit shqiptar, në të
gjitha trojet etnike, ishte ende e besimit
të krishterë.
3. Periudha e Mesjetës së vonë, nga
gjysma e shekullit XVI deri në fund të
shekullit XVII. Franz Babinger-i në "Mehmeti
II Pushtuesi dhe koha e tij", me
botues Giulio Einaudi pohon: "Me të
drejtë është cilësuar viti 1453 si kufi
ndarës midis Mesjetës dhe Kohës së Re".
Vlen të theksohet se gjatë tri periudhave
të Mesjetës nuk pati asnjë ankim të dokumentuar
nga ana e kishës serbe në
drejtim të shqiptarëve. Kisha serbe në
kohën e sundimit osman kaloi në pozita
tepër favorizuese. Atë e përkrahu edhe
veziri i Perandorisë Osmane, serbi Mehmet
Sokoloviç, ish-seminarist i një manastiri
serb. Popullsia shqiptare gjithmonë
i ka ruajtur kishat serbe, madje
edhe gjatë periudhës që shumica e saj
kaloi në fenë islame. Manastiri i Pejës, i
cili qe selia e Patrikanës Serbe, mbante
marrëdhënie të ngushta me shqiptarët e
zonës malore të Rugovës, e cila u bë strehë
e Patrikut Arsen IV më 1737, në kohën
që ai ndiqej nga turqit. Këta shqiptarë
vazhdonin të siguronin me truproje
mbrojtjen e Patrikanës, si edhe Manastirin
e Deçanit. ("Saga e Kosovës, fokus në
marrëdhëniet shqiptaro-serbe", Aleks N.
Dragniç dhe Sllavko Todoroviç,
monografi për Evropën Juglindore,
shpërndarë nga Universiteti i Kolumbias,
Nju-Jork, 1984). Marco Dogo në revistën
"Identitetet kombëtare Ballkanike,
me një perspektivë historike,
(Ravenë, 1998), duke folur për literaturën
historike që u përket myslimanëve të
Ballkanit, pohon: "Me sa dimë, i vetmi
rast që është lënë pas dore është vepra e
Çubrilloviqit, shkrimet e së cilit kishin për
qëllim të paraqisnin rregullsinë darviniane
të modelit të deislamizimit, të miratuar
nga shtetet ballkanike në luftën e tyre
për pavarësi". Nga sa thamë më sipër, del
fare qartë shpërblimi që sot i jepet popullsisë
shqiptare të Kosovës për mbrojtjen
nga ana e tyre të kishave serbe të Kosovës,
si dhe minoritetit të tyre në këtë
vend në kohën e sundimit osman, nga
Serbia e Naçertanies dhe e Çubrilloviqit.
Gjatë sundimit osman në Kosovë, kishën
serbe e përkrahnin dhe spahinjtë serbë
të krishterë. Spahinjtë e krishterë financuan
një manastir që u ndërtua në Plevlja
(sanxhaku i Novi-Pazarit). Një spahi
tjetër financoi për pikturimin e Kishës së
Apostujve të Shenjtë në kompleksin e
Patrikanës së Pejës më 1633. Po kështu,
dokumentohet ndihma e dhënë prej dy
spahinjve të tjerë Milosh dhe Stojko (Kiel,
"Arti dhe shoqëria"). Edhe gjatë sundimit
të Perandorisë Osmane respektoheshin
kishat serbe. Citojmë Evlia Çelebinë në
"Shënime nga udhëtimi",(Sarajevë,
1979, faqe 277). Autori gjendetnë turben
e sulltan Muratit I në Kosovë, së bashku
me Maliq Ahmet Pashën: "Kur e pa këtë
turbe Maliq Ahmet Pasha u hidhërua.
Unë i gjori thashë: Imzot! Serbët për nder
të të mallkuarit Millosh, i cili vrau këtu
Padishahun, kanë ngritur tutje në mal
një manastir, ku gjenden kandilet e
qëndisura me margaritarë dhe temianica
plot me ambrë me erë të ashpër meshash;
me to kallogjerët ditë e natë shërbejnë
mysafirët që vijnë e shkojnë.
Vakëfet e këtij manastiri
janë të mëdha dhe
të pasura. Turbeja e
Padishahut Gazi as ka
vakëf dhe as ka personel
të tij". Evlia
Çelebiu, kur përshkruan
vrasjen e sulltan
Muratit, pohon: "Nga
ushtria doli një i pabesë
me emrin Millosh
Kobiliq dhe vrau
madhërinë e tij sulltan
Muratin". Pas tre
shekujsh, Millosh Kobiliqi
gëzonte një përmendore,
kurse sulltan
Murati I një turbe
të braktisur. Mjaft
kisha serbe janë ndërtuar
para se ta pushtonin
serbët Kosovën:
madje edhe në Rashë,
kisha e Shën Pjetrit dhe e Shën Pavlit është
ndërtuar para ardhjes së serbëve,
sepse sllavët nuk ndërtojnë kisha vetëm
për dy apostuj, por kisha të apostujve, po
ashtu, mbishkrimet e gjetura në katundin
Drenovë, afër Prepoljes, në gërmadhat
e asaj kishe janë të shkruara latinisht,
çka flet për një kohë para shekullit
X. Mbeturinat e kishës së Pustenikut
të Vjetër në grykën e Kaçanikut, po edhe
ato të kishës së Lipjanit, flasin për një
kohë parasllave. Është fakt i pamohueshëm
se mjaft kisha në Kosovë, të
ndërtuara në kohën e pushtimit sllav të
Kosovës, janë ngritur mbi themele
kishash të vjetra parasllave. E tillë është
kisha e sotme e Shën Prendës në Prizren,
që është ndërtuar nga Mbreti Milutin në
vitin 1307 mbi themelet e bazilikës së
vjetër. Për shumë gërmadha kishash në
Rrethin e Stalaqit, arkeologët janë të
mendimit se ato janë ndërtuar para kohës
së Stefan Nemanjës, madje dhe
themelet e kishës në fshatin Curlin afër
Nishit, flasin për ndikime nga Perëndimi.
Po ashtu edhe kishat
e luginës së
Timokut në Bosnjë, si
dhe kisha e vjetër e
Prokuplies. Për këtë
flet "Historia e
Jugosllavisë", vëllimi I,
cituar nga Gaspër Gjini
në "Ipeshkvia e Shkup-
Prizrenit nëpër
shekuj", 1992. "Është
e njohur", shkruan dr.
Jahja Drançolli në
"Rrënjët e qytetërimit
iliro-shqiptar në Kosovë",
"‘Rilindja‘, 10-12
shkurt 1999", se Mbreti
Milutin financoi
rindërtimin e kishës së
Zonjës Premte në
Prizren dhe të Manastirit
Graçanica, të njohura
si ndërtime
paraserbe, të ngritura diku rreth shekujve
VI-XI, të cilat sipas burimeve të
rëndësishme konsiderohen si ndërtime
katolike. Po ashtu është ruajtur e dhëna
për Dom Vitën me 30 gur skalitës (kupto
skulptorë). Ky klerik-skulptor ndërtoi
Manastirin e Deçanit. Ajo që tërheq më
tepër vëmendjen këtu është fakti se të
gjitha punishtet e njohura të gurskalitësve,
si për shembull ajo e Tivarit, Ulqinit,
Kotorrit e Korçullës i mbanin mjeshtrit
shqiptarë. Në fillim të shekullit XIII u
ndërtua Kisha e Apostujve. Në të vërtetë
kjo kishë që sot gjendet në kuadër të kompleksit
të kishave të Patrikanës së Pejës,
sikurse këto dy të parat, është rikonstruksion
i një ndërtimi të vjetër". Në një
mbishkrim të viteve 1334-1335 në Manastirin
e Stefan Deçanit, përmendet
protomaxhisteri Vita prej Kotorri si drejtues
gjatë tetë vjetëve të punës ndërtimore
në atë kishë. Këto kisha për të cilat
bëhet shumë zhurmë në botë, deri në
shekullin XIV nuk kanë asgjë të veçantë
serbe. "Ndërtimet kishtare të dinastisë
së Nemanjidëve, thotë Jireçeku, kanë
stilin e Perëndimit". Kisha me mermer të
bardhë e Studenicës, sipas Kondakovit,
është një përmendore me stil lombard të
Dalmacisë. Vetë Deçani është një
ndërtim i admirueshëm me ndërtesa, ku
alternojnë radhët e mermerëve me
ngjyrë. Skulpturat -koka njerëzish, kafshësh,
zogjsh, sheremendesh, janë
perëndimore". Për sa i përket arkitekturës
së kishave serbe, Jireçeku vë në
dukje te "Civilizimi serb në Mesjetë" (Paris,
1913, f. 75): "Historianët e sotëm të
artit dallojnë te Nemanjidët dy periudha
- më e lashta është me tipare të arkitekturës
romane, ndërsa më e vonshmja është
ajo me shkëlqim të madh, me ndikim
bizantin". Arti mesjetar është krejtësisht
fetar, nuk u zhvillua në një vijë të njëanshme.
Mjaft kisha në Serbi janë të tipit
bizantin. Kisha e Shën Kollit të Kurshumlisë
na riprodhon tipin bizantin të kishës
me kupolë me bazë katrore. Kjo kishë ka
si stilin, ashtu edhe teknikën bizantine.
Po kështu kisha e Zicës riprodhon polikroninë
e modeleve të Kostandinopojës,
kthesat e ndërtuara me tulla kjo kishë i
ka si kishat e Greqisë dhe të Maqedonisë,
por me navatën e saj të vetme ndjek modelin
perëndimor. Kurse te kisha e Deçanit
arkitektura serbe largohet më shumë
se në çdo kishë tjetër nga modelet bizantine
dhe, duke lidhur bazat bizantine me
elementet perëndimore, ka krijuar përmendoren
e vet më origjinale dhe piktoreske.
Përveç arkitekturës, rëndësia e
kishës së Deçanit dëshmohet nga zbukurimet
me gdhendje në dy portat, në atë
nga jugu dhe në atë nga perëndimi dhe
në dritaret e fasadës nga perëndimi. Në
portën nga perëndimi, paraqitet Krishti
në fron mes engjëjve, ndërsa në atë nga
jugu, pagëzimi i Krishtit, tregohet në dritaren
e Shën Gjergjit me Dragoin. Ky dekoracion
është sipas stilit italian,
veçanërisht atë të Pulias, (krahinë në Italinë e Jugut); të dyja portat janë vepër artistike
e të njëjtit artist, edhe pse porta
nga jugu duket më e vjetër. (Sestieri, "Kishat
Mesjetare në Kosovë"). Vlen të përmendet
Sestieri edhe për kishën në Sopoçan.
Ai thotë: "Në kishën e Sopoçanit
(1272- 1276) të gjitha pjesët iu shtuan
bërthamës fillestare. Ato mbuloheshin
nga e njëjta çati, e cila jep qartazi përshtypjen
e një bazilike: Ne e shohim në
mënyrë të qartë përzierjen (ndërthurjen)
mes formës italiane dhe asaj të Adriatikut
Perëndimor me domosdoshmërinë e
shpërndarjes së elementëve bizantinë
në pjesën e brendshme të kishës". "Kjo
kishë gjysmë e rrënuar na jep një dëshmi
të çmuar mbi marrëdhëniet me Italinë,
madje dhe për sa i përket pikturës. Dhe
kjo është më e rëndësishme sepse, në
përgjithësi, nga artet figurative vetëm
skulptura vjen nga Perëndimi, ndërsa
piktura lidhet me skemat dhe kriteret e
artit bizantin. Në Sopoçan, në afreskun
"Heqja nga Kryqi", i cili nga bizantinët
ishte trajtuar tashmë me saktësi simetrike
në vendosjen e figurës, aty është
skena e Marisë së zalisur e ndihmuar nga
Gjoni. Për Bizantin, grupi nuk ishte gjë
tjetër veçse vendosje pranë e pranë e dy
figurave pa ndonjë afërsi shpirtërore, të
shkëputur madje dhe në gjestin e
mbajtjes dorë për dorë të demonstruar
nga fakti që duart ishin të ndara nga një
copë pëlhure. Përkundrazi, këtu, zalisja
e Marisë theksohet. Busti i përkulur
mbahet nga dora ndihmëse dhe dy duart
që takohen, ndahen nga shirita pëlhure,
por nuk janë të bashkuara në një
kapje ngushëlluese. Paraqitja e këtij
grupimi është i guximshëm dhe i zgjuar,
me efekt të fuqishëm. Krijimi është dramatik,
vepra e një artisti të vërtetë, i cili
shkon përtej modelit të tij që vinte nga
Italia. Në fakt, në Itali, ky qëndrim ishte
shprehur më parë me "Mjeshtrin e Shën
Françeskos", nga Fra. Guljelmo dhe
Çimabue. Në Shën Xhovani Fuorçivita të
Pistojas dhe në pjesën e sipërme të Asizit,
Fra. Guljelmo dhe Çimabue e kishin
paraqitur Marinë të mbajtur nga Xhovani,
në një grupim me më pak
intensitet dramatik sesa në Sopoçan
dhe me më pak afërsi të
ndjerë shpirtërore. Ata kishin
sjellë risi për sa u përket skemave
të vjetra bizantine: kontakti
i duarve të zhveshura, pa
asnjë pengesë. Piktori i Sopoçanit
është frymëzuar nga këto
modele, duke kapërcyer përmbajtjen
intime dramatike, por
kompozimin me një kryq të pikturuar
të Muzeut të Sopoçanit,
përfaqësimi i të cilit është
pothuajse i ngjashëm me atë të
kishës së Sopoçanit, na tregon
se të gjitha këto piktura kanë të
përbashkët qendrën e
origjinës, që është Italia. Arti në
këtë pikturë murale është dinamik,
ndërsa në pikturat murale
të kishave bizantine është
statik, siç shihet në pavijonet,
të cilat në Greqi, gjatë shekujve
të mëpasshëm mbetën
pothuajse të pandryshuara.
Rreth pikturave murale të
kishave ortodokse në vendin tonë, pas
rënies së Perandorisë së Bizantit, thuhet
prerazi se ato i përkasin periudhës postbizantine;
në fakt ato i përkasin Rilindjes
Evropiane, e cila hyri në Kosovë në kohën
e pushtimit të saj nga Nemanjidet. Është
për t‘u vënë në dukje se veshjet bizantine
kishin shumë pak origjinalitet. Për
shembull, kostumi bizantin njihej vetëm
nëpërmjet pikturave murale të bazilikave
të vjetra të Kostandinopojës,
Romës, Istrias, Romanjës, Lombardisë
dhe nga pikturat në varret Aleksandrinë.
Madje dhe në ditët e sotme ne e dimë se
sa pak origjinalitet ka mbetur në këto piktura
murale. Le të citojmë Dom Lazer
Shantojën:, "Arti i Puljas u përhap në
Ballkan nëpërmjet Kotorit dhe Shqipërisë
së Veriut duke krijuar kështu në
gjirin e artit bizantin një stil të ri, më të
gjallë, më të përsosur, plot me pasion, i
cili me pa të drejtë quhej serb
ose maqedonas, por që në fakt
ishte italian nga origjina. (Qendra
e Studimeve Shqiptare në
Akademinë Italiane, Dom Lazer
Shatoja, AQSH, Fondi 1261,
Dosja 610, 1939). Paule Garde
në "Jeta dhe vdekja e Jugosllavisë"
(Paris, 1992), dëshmon për
gjuhën liturgjike. Për këtë ai shkruan:
"Popujt ortodoksë, bullgarë
dhe serbë përdorin një
gjuhë liturgjike vendore, sllavonin,
dialekt bullgaro-maqedonas
i shekullit IX, i cili u ka shërbyer
"apostujve sllavë", Cirilit
dhe Metodit, për të përkthyer
shkrimet e shenjta, me anë të
një alfabeti të veçantë cirilik. Në
Serbinë e Nemanjidëve mbretëronte,
përveç krimit, edhe grabitja.
Udhëtarët ishin në rrezik
të madh kur kalonin në tokat
serbe të Nemanjidëve. Për këtë
Jireçeku, në veprën e cituar, na
bën të ditur se nuk ishin të rralla
rastet, kur shihje njerëz të
cilëve u kishin marrë rrobat e trupit, kur
të kapurin e vinin me kokë poshtë ose e
linin të prangosur në gropë si ndonjë ari.
Kur na flet për ushtrinë serbe të Nemanjidëve,
autori i sipërpërmendur në faqen
76 të veprës së cituar, shkruan: "Lufta bazohej,
mbi të gjitha, në plaçkitjen e
vendeve armike, në shkatërrimin e pemishteve
dhe të vreshtave, si dhe në djegien
e shtëpive". Mbretërit e Serbisë
luftonin fenë katolike. Konfliktet midis
tyre dhe Papës shkuan duke u ashpërsuar
gjithnjë e më shumë. Papa Klementi
i kërkoi Milutinit që të lirojë kishat latine,
që i kishte okupuar ai e të tjerët. (Augusto
Theiner, "Monumente të vjetra të
sllavëve të jugut", botim i Akademisë së
Shkencave të Sllavëve të Jugut, Zagreb,
1875, I. 127-130). Katolikët persekutoheshin,
rriheshin dhe vriteshin. Vlen të
përmendet kurorëzimi i Stefan Nemanjës
I nga Papa Onori III. Ai, pasi u pranua
si bir i Kishës së Romës, i dërgoi Papës
dëshmi besnikërie dhe fill pas saj u kthye
tek ortodoksia. Më 1250 u kthyen në fenë
katolike krahinat e Pulatit, Arbërisë dhe
Kandavisë. "Ky akt i lavdishëm i pavarësisë
kishtare, i deklaruar prej shqiptarëve
gegë, shënohej prej analistëve
romanë në vitin 1250, gjë që ka ashpërsuar
akoma më shumë urrejtjen kombëtare
midis Serbisë dhe Shqipërisë".
(Jakob Fallmerayer: "Elementi shqiptar
në Greqi", Mynih, 1857-1861). Serbët si
dje, ashtu edhe sot, kishën e kanë pasur
institucion politik. Për këtë citojmë historianin
e fillimit të këtij shekulli Cedomil
Mjatoviç: "Ndjenjat fetare të serbëve nuk
janë asnjëherë të thella dhe të zjarrta.
Kishat e tyre janë në përgjithësi të zbrazura,
me përjashtim kur zhvillohen festivale
shumë të mëdha të kishës, si edhe
festivale politike. Serbët e kishës sonë e
konsiderojnë kishën si një institucion
politik. Në vitin 1319 bujarët shqiptarë i
dërguan letër Papës Gjon XXII, duke i
kërkuar që të ndërhynte për ndjekjet e
ashpra që i bënte Uroshi II katolikëve
(Farlati VII, 63). Vetëm Uroshi III, Deçanasi,
i përmirësoi kushtet e katolikëve.
Theiner-i, në "Monumenta Hungariae"
(I, f. 701), përmend letrën e Papa Klementit
VI, viti 1346, drejtuar Stefan Dushanit,
i cili i bën të ditur se Prizreni, Novobërda,
Trepça dhe Janjeva janë nën
juridiksionin e Ipeshkëvit të Kosovës.
Papa, në letrën tjetër të 7 shkurtit 1346,
"Monumenta slavorum" (I, 215, nr. 280),
i shkruan Uroshit IV se disa mbretër të
Rashkës, paraardhës të Dushanit, kishat
e përmendura i kanë mbajtur të okupuara.
Papa kërkoi që këto kisha të lirohen
prej tij. Populli shqiptar kërcënohej
nga rreziku i greqizimit dhe i sllavizimit,
për këtë akademiku N.Jorga pohon se
"Shqipëria pa prestigjin e forcën e doxheve
të Venedikut kurrë nuk do të ishte
shkëputur nga Kostandinopoja; vetë karakteri
i racës së saj do të goditej, ndoshta
do të përzihej me sllavizmin dhe greqizmin
e fqinjëve, kundër karakterit
ortodoks të të cilit luftonte prej shekujsh,
duke ruajtur kombësinë e vet dhe duke
u ndihmuar nga misionarët që vinin nga
Perëndimi...Nga vrulli kalorsiak i normanëve
italianë dhe nga ekspansioni
ekonomik i Venedikut, ajo pothuajse i
shpëtoi plotësisht sovranitetit bizantin.
Shqipëria u ringjall". (N.Jorga, "Histori e
shkurtër e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar,
Bukuresht, 1919). Pra, ishte ofensiva
perëndimore ajo që i dha një ndihmë
të madhe popullit tonë që të mbante
marrëdhëniet e vjetra politike dhe fetare
me Evropën. Lidhjet jetëdhënëse të Shqipërisë
me Vatikanin si dhe historia e saj
mesjetare pasqyrohen zbehtë në kronikat
bizantine. G.Petrotta në "Katolicizmin
në Ballkan", (Albania, vëll. I, fashikull
III-IV, maj-gusht, 1928), vë në dukje
se bizantinëve nuk u interesonte të vinin
në pah lidhjet e atij populli me Selinë e
Shenjtë, të cilat nuk u dobësuan asnjëherë
në atë kohë. Më 29 janar të vitit
1369 bënë betimin vëllezërit Balsha,
duke kaluar në Kishën Katolike. Kjo
ndikoi në mbrojtjen e katolicizmit në Shqipëri,
çka largonte ndikimin sllav në
vendin tonë. Të bie në sy përkatësia historike
e kishave serbe në Kosovë: ato, në
shumicën e rasteve, u përkasin shqiptarëve.
Car Stefan Dushani filloi
rindërtimin e kishës së Deçanit. Ai u
detyrua të mbante një njësi ushtarake,
sepse vendasit (shqiptarët katolikë) nuk
lejonin që mjeshtërit të punonin në faltoren
e tyre. (S.Riza: "Shqiptarët dhe serbët
në Kosovë"). Pra, është e padrejtë që
të mashtrohet komuniteti botëror prej
gënjeshtrave serbe, që këto kisha të kenë
sot garnizone ushtarake serbe "për t‘i
mbrojtur" për të realizuar qëllimet e ringjalljes
të Car Stefan Dushanit (!) Edhe sot
i shkon vula Car Stefan Dushanit te serbët
dhe te rusët. Për të treguar se sa properëndimorë
dhe sa e kanë mbrojtur
krishterimin serbët, do t‘u bëjmë të njohur
lexuesve tanë vetëm katër nene të
Kodit barbar të Stefan Dushanit...

(Vijon në numrin e ardhshëm)

gazeta shqip 02-10-2007