Në tregjet ushqimore të Tiranës, çmimet e frutave dhe të perimeve mund t'i gjesh aktualisht në nivele dy herë më të larta se në tregjet e shumicës. Në rast se domatet tek tregu i Uzinës Dinamo i gjen me 100 lekë për kilogram, ato kushtojnë 200 lekë tek shitësit me pakicë të lagjeve. Një kg rrush në tregun e shumicës kushton 70 lekë, ndërsa në tregjet e pakicës e gjen me 150 lekë për kilogram1. Bamjet tek shumica shiten me 100 lekë ndërsa në njësitë e tregtisë me pakicë kushtojnë 200-220 lekë/kg. Po kështu, specat shiten me 50 lekë tek shumica, për t'u transformuar me çmim deri në 120 lekë për kg pranë konsumatorëve, që nuk shkojnë dot tek tregjet e shumicës. E njëjta situatë paraqitet me të gjitha çmimet e fruta-perimeve. Për muajin që sapo lamë pas, kohë kur dhe çmimet filluan të merrnin të përpjetën, sipas Institutit shtetëror të Statistikave, ndryshimi vjetor i çmimeve me pakicë të artikujve kryesorë në treg ishte 4.2 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.8 për qind. Sipas INSTAT-it, indeksi i grupit "Ushqime dhe pije joalkolike" shënoi një rritje prej 4.3 përqind. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 10.2 përqind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet". Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të domateve me 35.3 përqind, kastravecave me 16.0 përqind, patëllxhaneve me 36.4 përqind, specave me 23.6 përqind, bamjeve me 21.7 përqind etj. Indeksi i nëngrupit "Bukë dhe drithra" shënoi një rritje prej 11.4 përqind, rritje kjo e shkaktuar nga rritja e çmimit të bukës me 17.8 përqind. Edhe indeksi i nëngrupit "fruta" shënoi një rritje prej 4.1 përqind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të portokalleve me 33.2 përqind, shalqinit me 15.7 përqind, pjeshkëve me 19.0 përqind, kivit me 8.3 përqind, dardhave me 5.4 përqind, mollëve me 3.3 përqind etj. Gjatë muajit gusht çmimet janë rritur pothuajse në të gjitha nëngrupet e tjera të këtij grupi, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, "vajra dhe yndyrna " me 2.3 përqind, "Qumësht djath e vezë" me 2.1 përqind, "peshk" me 0.8 përqind dhe "mish" me 0.1 përqind. Indeksi i grupit "Pije alkolike dhe duhan" shënoi një rritje prej 0.4 përqind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të pijeve alkolike me 1.1 përqind dhe çmimit të cigareve me 0.1 përqind.

Balkanweb