Postuar më parë nga
Duaje Siveten
Panorama, 20 Shtator 2007
Dëmshpërbim ish-komunistëve të burgosur
ADI SHKEMBI
Ligji i Dëmshpërblimit të të Përndjekurve Politikë do të amendohet në pikën ku ka ngjallur më shumë debate dhe që ka të bëjë me nenin ku parashikohen kategoritë që nuk përfitojnë dëmshpërblim për shkak ...
... të detyrës që kanë pasur në kohën e regjimit.Kështu, neni 6 i ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, parashikon funksionet dhe detyrat e papajtueshme për përfitimin e dëmshpërblimit, në të cilat renditen një sërë profesionesh, që për shkak të rolit që kanë pasur në kohën e regjimit, nuk mund të përfitonin nga dëmshpërblimi. Por në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të mbledhur dje vetëm për diskutimin e këtij ligji, është rënë dakord në mënyrë unanime që neni 6 të hiqet i tëri. Burime nga grupi i PD-së bëjnë të ditur se pas paraqitjes së disa amendamenteve nga ana e Bujar Leskajt, një javë më parë që kishin të bënin pikërisht me disa kategori, të cilat kanë qenë të detyruara, sipas tij, të dëshmonin në gjyqe politike nga regjimi komunist, të mund të përfitojnë nga ky ligj dëmshpërblimin.
Heqja e nenit 6 nga ky ligj do të thotë se dëmshpërblim për vitet e burgut do të përfitojnë punonjësit e sektorit për sigurimin e shtetit, në Komitetin Qendror të PPSH-së; anëtarët e qeverisë, anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, anëtarët e Këshillit Presidencial; kryetarët e Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, deputetë, përpara zgjedhjeve të 31 marsit 1991; oficerët e sigurimit të shtetit (legal a ilegal) në repartet e ndjekjes dhe ato të ruajtjes së personaliteteve; personat e regjistruar në materialet e sigurimit të shtetit si bashkëpunëtor (informator, agjent rezident, strehues ose zotërues i një apartamenti vënë në dispozicion nga sigurimi i shtetit), gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991; denoncuesit, dëshmitarët e rremë ose rëndues në procese politike në dëm të të pandehurve; hetuesi, prokurori, gjyqtari a ndihmësgjyqtari në procese politike speciale; bashkëpunëtori i ndonjë shërbimi të huaj zbulimi ose analog i tyre. Por duke u dhënë të drejtë të gjitha këtyre kategorive të përfitojnë dëmshpërblim, lihet shkas që përfitues të jenë edhe familjet e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Beqir Balluku apo edhe një sërë ish-funksionarësh të tjerë, të cilët u pushkatuan nga regjimi.
Por burime brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike bënë të ditur se një çështje e tillë është ngritur edhe në mbledhjen e djeshme dhe është rënë dakord që gjatë diskutimit të këtij ligji sërish në Komisionin e Ekonomisë, të bëhen disa shtesa në ligjin e vitit 1993 për statusin e të përndjekurve politikë, ku do të shtohet një pikë që të mos përfitojnë ata që janë akuzuar për krime gjatë regjimit komunist. Heqja e këtij neni nga ligji për dëmshpërblimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e shoqatave të të dënuarve politikë. Një gjë e tillë është konsideruar nga deputetët demokratë si një përmirësim rrënjësor që i është bërë këtij ligji, duke e quajtur atë edhe dëmshpërblimin e parë moral për këtë klasë. Kjo, pasi, sipas deputetëve të PD-së, shumë prej këtyre kategorive që përfshiheshin në nenin 6 të këtij ligji, kanë qenë nën presion të madh për të dëshmuar kundër viktimave të radhës së regjimit komunist.
Neni6
Funksione a detyra të papajtueshme për përfitimin e dëmshpërblimit
Në kuptim të këtij ligji me funksione a detyra të papajtueshme për përfitimin e dëmshpërblimit nënkuptohet:
a) Punonjësi i sektorit për sigurimin e shtetit, në Komitetin Qendror të PPSH-së;
b) Anëtari i qeverisë, anëtari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Anëtari i Këshillit Presidencial; kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, deputet, përpara zgjedhjeve të 31 marsit 1991.
c) Oficeri i sigurimit të shtetit (legal a ilegal) në repartet
e ndjekjes dhe ato të ruajtjes së personaliteteve;
ç) Personi i regjistruar në materialet e sigurimit të shtetit si bashkëpunëtor (informator, agjent rezident, strehues ose zotërues i një apartamenti vënë në dispozicion nga sigurimi i shtetit), gjatë periudhës
30.11.1944 deri më 01.10.1991;
d) Denoncuesi, dëshmitari i rremë ose rëndues në procese politike në dëm të të pandehurve;
dh) Hetuesi, prokurori, gjyqtari a ndihmësgjyqtari në procese politike speciale
e) Bashkëpunëtori i ndonjë shërbimi të huaj zbulimi ase analog i tyre.
Dëmshpërblimi, 2 mijë lekë për ditë burgu
Ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë do të përfitojnë 2 mijë lekë për çdo ditë burg, ndërkohë që ata që kanë qenë të internuar ose të rrethuar në tela me gjemba nga viti 1944 deri në vitin 1954, do të përfitojnë nga 1 mijë lekë për çdo ditë burgim. Këshilli i Ministrave miratoi në prill të këtij viti projektligjin “Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë të regjimit komunist”, duke zëvendësuar në këtë mënyrë ligjin e mëparshëm, i cili për rreth dy vjet ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese.
Krijoni Kontakt