Më të rrezikshmit në shoqëri janë ish-komunistët e ripozicionuar


Janë një soj njerëzish, që në mugesë të aftësive, tërë ditën mohojnë gjithçka që të tjerët bëjnë. Të këtillët sillen e pështillen rreth grupit të vet. Dhe kurrë nuk mund të pajtohen pse të tjerët ecin përpara, sepse në një kohë e kanë pasur fjalën kryesore për çdo gjë, pasi e kishin përkrahjen e pushtetit komunist. Edhe pse ishin injorantë, pushteti ua kishte krijuar mundësitë që ata të konsideroheshin alfa e omega e shoqërisë. Të këtillët kurrë nuk kanë lënë asgjë me vlerë në asnjërën veprimtari me të cilën janë marrë. Tashmë, kur të tjerët kanë dalë në skenë dhe shquhen në fushëveprimtaritë që i ushtrojnë, “emrat” e dikurshëm angazhohen t'i zhvlerësojnë të aftit dhe punën e tyre. Për ta, askush nuk di gjë. Asnjë pikë të bardhë nuk e shohin tek të tjerët, që sot janë bërë emra të mirëfilltë, pa përkrahjen e pushtetit që e kanë pasur ata. Që janë bërë emra vetëm në saje të kualitetit të tyre që kanë për ndonjërën fushëveprimtari. Duke mos mundur t’i durojnë kualitetet e të aftëve, e duke mos u pajtuar me fatin se i ka shkelur koha jo pse janë moshuar, por pikërisht pse janë krejt të paaftë- ndaj figurave të shquara e përdorin shantazhin. Ata që nga ky soj në fjalë kanë mbetur jashtë institucioneve të sotme, sado që mohojnë kontributin e të tjerëve, nuk janë tash të rrezikshëm si dikur, sepse s'e kanë më mbështetjen e ish-pushtetit komunist. Intrigat e shantazhet u shërbejnë vetëm sa për ta kënaqur shpirtin e tyre. Dhe sa për t’u dukur se ende janë gjallë. Ndërsa pasoja të rënda figurave të shquara po u sjellin ish-komunistët që, nën maskën e partive politike, kanë zënë poste të rëndësishme edhe pas vitit 1999. Si mjeshtër të shantazhit, këta të ripozicionuar, sapo ta vënë dikë në shënjestër, shpejt e eliminojnë nga skena. Por, tash, për t’i eliminuar, figurat e shquara i shantazhojnë dhe i intrigojnë se janë injorantë!!! Merre me mend kur injorantët e quajnë një figurë të shquar si injorante!!! Ky është kulmi i injorancës së injorantëve. Mjeshtërinë e eliminimit të individëve të shquar, e kanë mësuar shkëlqyeshëm, atëherë kur prezent ishte komunizmi në këtë troje. Ai i ka përgatitur se si njëherë duhet t’i zymtësojnë figurat e shquara, për t’i eliminuar më lehtë nga fushat në të cilat kanë vepruar. Në popull nuk kanë mundur t'ua ulin vlerën. Por, në skenë, nuk kanë qenë më (Për Ukshin Hotin, Ali Hadrin etj, populli kishte respekt, por fjala e tyre publike u shua nga ky soj ish-komunistësh).
Metodën e eliminimit të individëve të shquar e përdorin në vendet kyqe, aty ku mund ta ndalin perspektivën e tyre. Diku u bëjnë punë, diku jo. Tek ata që janë njerëz të ndershëm, nuk u ec shantazhi. Qëllimin e arrijnë vetëm përmes individëve të llojit të tyre, sepse lloji-llojin gjithmonë e ka përkrahur dhe do ta përkrahë. Ashtu si kanë qenë më parë viktima të këtiji soji dikur individët e shquar, disa sish janë viktimizuar prej tyre edhe sot. Sa e sa raste i dimë të gjithë nga ne që shumë figura janë shuar ende pa u shquar sa duhet. Madje, ky soj i rifaktorizuar, ndjen kënaqësi të madhe kur e arrin eliminimin e atyre që i kanë vënë në objektiv. E kjo do të zgjasë deri sa gjenerata e ish-komunistëve, që i ka ushtruar këto metoda të ulëta ( të më falin ata që kanë qenë komunistë, por që ishin burra të mirë se për ta nuk bëhet fjalë në këtë trajtim timin)- të mos jetë më në këtë jetë. Duhet pritur edhe disa vjet që kjo të ngjajë. Por, së paku, për të qenë goditja e tyre shumë më e vogël, ata që janë njerëz të ndershëm, duhet të kujdesen që të mos manipulohen nga ish-komunistët e ripozicionuar…