Adhurimi i muzikës serbe nga ana e shqiptarëve është bërë temë debati në një të përditshme të Prishtinës. Në një shkrim është denoncuar hedhja e një CD-je në treg nga ana e një të përditshmeje të Tiranës, ku brenda saj ishte këngëtarja serbe Ceca, e njohur dhe si e dashurua e ish-kreut të paramilitarëve serbë, Zhelko Rrazhnjatoviç Arkan. Sakaq, në një tjetër shkrim të të përditshmes kosovare, thuhet se jo vetëm shqiptarët e Shqipërisë zyrtare, por dhe kosovarët vetë, dëgjojnë hitet e serbes. "I kujt duhet të jetë gjynahu më i madh? I ne kosovarëve që çdo ditë thërrasim për pavarësi, ndërsa presim në radhë të gjata për pasaporta dhe shtetësi serbe, mbushim veshët me këngë atdhetare e barkun me ushqime serbe, vajtojmë për luftën derisa shërojmë plagët e saj me barna të Serbisë? Apo i shqiptarëve të Shqipërisë që dëgjojnë Cecën? Muzika serbe dëgjohet edhe në Kosovë. Mjafton të fusni duart nëpër koleksionet që mbajnë shumë shoferë kosovarë në veturat e tyre dhe diku mes shumë albumeve do të gjeni edhe ato të gruas së kriminelit Arkan? Assesi nuk justifikohet shpërndarja e një CD me muzikë tribale serbe nga një medium shqiptar. Pajtohem, është e

neveritshme. Por, pse ne duhet të reagojmë vetëm kur shohim m... në oborrin e kojshisë, kur vet jemi deri në grykë"
. Kështu shkruhet në komentin e Ilir Mirenës, si reagim ndaj shkrimit denoncues të një kolegu të tij, lidhur me shpërndarjen e një CD-je të Cecës nga një gazetë e Tiranës. I njëjti debat shpërtheu dhe në rastin e koncertit që dha në Tiranë dy vjet më parë, Goran Bregoviç, ku jo koncerti, por ditirambet kushtuar atij, u trajtuan nga një pjesë analistësh mediatikë, si një teprim që tregonte idhujtari pa cak të përzierë me një tregues të identitetit të cunguar keqas, deri në shfaqjen e dozave të inferioritetit. Në fakt, gjysma e shqiptarëve, në kohën e izoloacionit komunist, hapën dhe një frengji për të parën botën, drejtimi i së cilës ishte nga ish-Jugosllavia e Titos (atëherë e Bashkim-Vllazërimit). Ajo "frengji" quhej Pozdravi dhe prej saj, erdhën e bënë mite gjithë ato grupe, këngëtarë e hite sllave, pa asnjë lloj përzgjedhjeje e paragjykimi; në ishin serbe, kroate, boshnjake apo maqedonase. Por dhe pse sot, ai realitet është kthyer me kokëposhtë, nostalgjia bën të vetën ndër shqiptarë; muzika sllave dëgjohet me po aq zell, sidomos 35 vjeç e sipër. Por autori i shkrimit, kujton atë që ndodhi me një orkestër simfonike nga Izraeli vite më parë, e cila u fishkëllye nga publiku, pasi interpretoi një pjesë nga Vagneri. Në emër të dinjitetit dhe respektit për viktimat e nazizmit, publiku nuk mund të pranonte të argëtohej me pjesë të një kompozitori të madh pa diskutim, siç është Vagneri, por që ishte në të njëjtën kohë antisemit, frymëzues i Hitlerit dhe doktrinës së tij naziste.

gazeta-shqip.com