Grekët mbyllin kufijtë, por kësaj radhe njoftojnë
Kakavija, Kapshtica, Tri Urat dhe Qafë-Bota bllokohen tri orë
Për tri orë pikat kufitare të Shqipërisë me Greqinë nuk do të punojnë. Lajmi është dhënë pikërisht nga autoritetet e shtetit fqinj. Ka qenë pala greke, e cila ka konfirmuar zyrtarisht se që nga ora 8 e mëngjesit dhe deri në orën 11 nuk do të kryejë procedurat e kalimit të shtetasve në të dyja anët e kufirit, në Kapshticë, Kakavijë, Tri Urat dhe Qafë-Botë. Sipas të dhënave, zyrtarisht shkaku është komunikuar të jetë një ndërhyrje në rrjetin kompjuterik. Sipas autoriteteve greke, është zgjedhur pikërisht ky orar, pasi mendohet se lëvizjet në kufi do të jenë më të pakta. Kjo masë bllokimi merret pak ditë pas bllokimit të procedurave gjatë pasditeve dhe natës në kufi, kur kanë mbetur të bllokuara të paktën 150 mjete në radhë. Fluksi i madh i udhëtarëve në të dyja anët e kufirit, si dhe procedurat e regjistrimit kanë bërë që numri i personave që janë kaluar tashmë në kompjuterët e palës greke t‘i kalojë të paktën 10 mijë persona në ditë. Sipas të dhënave nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës, nga ana e palës greke është bërë e ditur se vetëm në fundjavë, gjatë dy ditëve të fundit, numri i personave që kanë kaluar çdo ditë ka qenë mbi 10 mijë vetë të regjistruar në të dyja anët e territorit doganor, gjë që ka bërë që ky fluks i madh të mos përballohet nga ana e rrjetit kompjuterik. Kapaciteti maksimal që ka dogana greke është pikërisht kalimi brenda 24 orëve i 10 mijë shtetasve në të gjitha sportelet. Ky ka qenë edhe shkaku që në dy ditët e fundjavës në territorin grek janë krijuar edhe radhë të gjata, ndërsa shtetasve në të dyja anët ju është dashur të presin për orë të tëra deri në rregullimin e të paktën një kompjuteri. Pala greke ka deklaruar se për tri orë do të ketë bllokim të punës në kufi, por në rast se do të ketë fluks emigrantësh dhe nga ana tjetër do të krijohen radhë, do të shikohet mundësia që të vihet të paktën një nga kompjuterët në punë për të nisur sa më shpejt procedurat e kalimit dhe regjistrimit të shtetasve. Sipas autoriteteve doganore matanë kufirit bëhet fjalë për një heqje të të dhënave nga database, pasi ka pasur një fluks të madh kalimesh, gjë që ka ngarkuar edhe rrjetin kompjuterik. Sipas palës greke, nuk pritet të ketë probleme të dyndjes dhe grumbullimit të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në kufi, pasi nuk është orar piku për lëvizjet ndërkufitare.
GJIROKASTËR
Policia lokale njofton bllokimin
Dje paradite në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës për herë të parë është njoftuar dhe paralajmëruar mbyllja e përkohshme e kufirit për të ndërhyrë në rrjetin kompjuterik ndërkombëtar të të dhënave, ku pritet të instalohet një program i ri për përpunimin e identiteteve. Zëdhënësi i kësaj drejtorie, Gentian Mullai, tha se pala greke ka njoftuar një ditë më parë se të mërkurë lëvizja e shtetasve nëpërmjet pikës së Kakavijës do të ndërpritet për rreth tri orë, nga ora 09:00, deri në orën 12:00, për shkak të disa ndërhyrjeve teknike në rrjetin kompjuterik.
Reagimi
Grekët korrigjohen pas kërkesës së gazetarëve
Duket se autoritetet e policisë dhe doganës greke në pikën më të madhe të kalimit kufitar me Greqinë, në Kakavijë, kanë reaguar pozitivisht pas insistimit të gazetarëve shqiptarë dy javë më parë, gjatë një takimi për ndërmjetësim të Zyrës së Shtypit të ambasadës së Greqisë në Tiranë. Gjatë këtij takimi të zhvilluar përpara dy javësh në pjesën greke të pikës së kalimit të Kakavijës, përfaqësues të policisë greke kanë sqaruar një grup gazetarësh nga Shqipëria për procedurat që aplikohen. Gazetarët kanë kërkuar me insistim të dinë pse dhe kur ka ndërprerje të punës nga pala greke nuk njoftohen homologët e kufirit të palës shqiptare dhe përfaqësuesit e medias.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt