I
Krishti, përmbledhja e gjithçkaje frymore.
Te dashur vëllezër dhe motra,
Mendova të postoj edhe një libër tjetër te W. Nee, apo më mirë të paktën kapitullin e parë të këtij libri. Nuk e kam vendosur akoma nëse do postoj të gjithë librin apo jo. Është një nga librat më të bukur që kam lexuar ndonjëherë dhe shpresoj t'ju pëlqejë edhe juve. Nese me te vërtete do t'ju pëlqeje, atëhere do ta postoj të gjithë librin, nëse nuk shoh ndonjë interes te vecantë atëhere nuk ka edhe kuptim që të postoj dicka që nuk lexohet nga të tjerët. Do mundohem ta ndaj këtë libër ne pjesë sa më të vogla të jetë e mundur në mënyrë që të mos bëhet i lodhshëm në lexim. Ju uroj lexim të mbarë.
Krishti është Rruga, E vërteta, dhe Jeta
Jezusi i tha: “Unë jam rruga, e vërteta, dhe jeta: asnjë nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”. (Gjoni 14:6)
“Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta,” thotë Zoti Jezus. Kjo na bën të ditur se rruga që Perëndia jep është Krishti, e vërteta që Perëndia jep është gjithashtu Krishti, dhe jeta që Perëndia jep është në të njëjtën mënyrë Krishti. Krishti është rruga jonë, Krishti është e vërteta jonë, Krishti është jeta jonë. Ne vijmë tek Ati vetëm nëpërmjet Krishtit. Në zemrën e Perëndisë, çdo gjë që ka lidhje me Të, është Krishti vetë, i cili është gjithashtu Biri i Tij. Ajo që Ai na jep është Krishti vetë; Ai nuk na ka dhënë shumë gjëra jashtë Krishtit.
Shpeshherë në gjërat frymërore, ne shohim dhe prekim një gjë që është thjesht një term apo formulim besnik, e zbrazët nga çdo dobi frymërore për ne. Sa nevojë kemi t’i kërkojmë Perëndisë të na hapë sytë të mund të njohim Birin e Tij. Krishtërimi karakterizohet nga fakti se burimi, thellësia, dhe pasuritë e tij kanë të bëjnë me njohjen e Birit të Perëndisë. Nuk ka rëndësi sa mirë njohim metodat, doktrinat, apo fuqinë. Ajo që me të vërtetë ka rëndësi është njohja e Birit të Perëndisë. Të njohësh Birin e Perëndisë është rruga, të njohësh Birin e Perëndisë është e vërteta, të njohësh Birin e Perëndisë është jeta. E kemi forcën në njohjen e Birit të Tij. Gjithçka Perëndia na jep është Biri, dhe jo një shumicë gjërash. Ndaj, e gjithë çështja qëndron në njohjen e Birit të Perëndisë.
Krishti është Rruga
Fjala e Jezusit është: “Unë jam rruga.” Me rrugën këtu mund të nënkuptohet edhe mënyra. Çfarë Ai përpiqet të na tregojë është se Ai është rruga nëpërmjet të cilës ne shkojmë te Perëndia, sikurse edhe mënyra për të shkuar tek Ai. Duke pasur Atë, ne kemi rrugën; duke zotëruar Atë, ne zotërojmë mënyrën. Cdo besimtar i vërtetë duhet ta mësojë këtë mësim të paktën një herë – se, Zoti Jezus është rruga, Zoti Jezus është mënyra. Nëse je i shpëtuar, ti ke të paktën përvojën e të besuarit në Zotin Jezus si rrugën tënde drejt Perëndisë. Sepse Ai është rruga, pa të cilin asnjë nuk mund të shkojë te Perëndia. Të gjithë të Krishterët e vërtetë dinë si të ecin në këtë rrugë. Falë Perëndisë, besimtarë të vërtetë të panumërt kanë mësuar të paktën këtë mësim - të shkosh te Perëndia nëpërmjet Jezusit të Nazaretit, Birit të Perëndisë. Ne e kemi përshkuar këtë rrugë të paktën një herë. Kjo rrugë nuk është gjë tjetër veç Krishtit vetë. Nuk është ndonjë metodë jashtë Tij. Kemi nevojë të shohim se Zoti Jezus, dhe jo ndonjë mënyrë tjetër, është e vetmja rrugë me anë të së cilës ne shkojmë te Perëndia, fillimisht në kohën e shpëtimit, dhe në cdo kohë të mëvonshme.
Disa të krishterë kërkojnë të gjejnë metoda frymërore. Një herë, kur sapo ishte dhënë një mesazh rreth fitores nëpërmjet Krishtit, dhe jo nëpërmjet vetes, një vëlla i shtrëngoi dorën vëllait që ndau mesazhin dhe i tha: “Kam qenë vazhdimisht i mundur për shumë vite, por sot çdo gjë është në rregull.” Kështu, vëllai që predikoi pyeti: “Si është e mundur kjo?” dhe përgjigja ishte: “Sepse mendoj se tani kam një rrugë drejt fitores. Falë Perëndisë sot kam gjetur një metodë! Fitorja vjen nga Zoti, jo nga unë”. Por vëllai që kishte predikuar iu përgjigj me sinqeritet: “Nëse ajo që ke gjetur sot është një rrugë fitoreje, do mundesh përsëri.” Përse e tha ai këtë? Sepse Zoti Jezus na thotë: “Unë jam rruga.” Me fjalë të tjera, vetëm Ai është rruga, metoda. Rruga nuk është jashtë Tij, sepse Ai vetë është rruga. Nëse gjithë çka ne marrim është thjesht një metodë, shpejt do zbulojmë se sa pa rezultat është kjo gjë. Zoti nuk na ka dhënë një metodë; Ai na jep vetë Birin e Tij.
Shpesh dëgjojmë mbi përvojën e të tjerëve dhe e dallojmë vlerën e saj, por shohim veç një metodë në vend të shohim Zotin që ky person ka prekur. Për rrjedhojë, vuajmë dështim pas dështimi. Për arsyen kryesore se nuk e njohim Zotin si rrugën.
Le të kuptojmë pra se të besosh në Zotin vetë dhe të besosh një formulë, janë në fakt dy gjëra krejt të ndryshme. Nëpërmjet .........
vazhdon....
Krijoni Kontakt