Ç’po ndodh me folësit e gjuhës shqipe?
Nga Granit Zela
Gjatë një monitorimi të përditshëm të gjuhës së përdorur në median e shkruar, para shumë vjetësh, gjatë një praktike mësimore me Akademinë e Shkencave rezultoi, se përdorimi i fjalëve të huaja ishte përtej normales dhe në njëfarë mënyre ishte kthyer në një ‘sëmundje’, e cila po e prishte gjuhën shqipe. Atëherë si shkak shihej më së shumti politika, e cila përdorimin e fjalëve të huaja e quante dëshmi të të qenit elitë intelektuale perëndimore, çka mëtohej t’i jepte peshë dhe rëndësi në sytë e turmës. Sot, pas shtatëmbëdhjetë vjetësh të hapjes së gjuhës shqipe kundrejt gjuhëve të tjera, problematika mbetet e njëjtë në thelbin e vet. Gjuha shqipe po lëkundet përditë përballë trysnisë së madhe të gjuhëve të tjera. Po ta përfytyrojmë si një kështjellë, e cila i ka hapur portat, duhet thënë, se jo më që porta nuk ka kurrkund, por bedenat e morfologjisë dhe sintaksës ditë pas dite po pësojnë krisje të vajmedetshme. Gjuha shqipe është nën mësymjen e fjalëve dhe strukturave të huaja në mënyrë shumë shqetësuese sidomos te tekstet e këngëve, politikanët dhe media. Të gjithë këta janë shembuj të trishtë të “lëngatës” së saj.
Gjuha që përdorin politikanët dhe personalitetet publike vazhdon të jetë gjuhë e papërkthyer, e cila po kështu ka një ndikim të madh, pasi gjen pasqyrim të përditshëm në median pamore dhe të shkruar. Nga politikanët sot, sikurse mot, dëgjon të flitet për ‘workshop, impakt financiar, politikë permanente dhe të përhershme, intrasigjencë politike, mazhorancë, observatorë ndërkombëtarë, lancim nismash, afera, ndryshime të bëra viable, task force etj., etj. Është një terminologji e tërë, me të cilën politikanët hasin çdo ditë, e cila duhet përkthyer. Trysnia e gjuhës angleze apo gjuhëve të tjera është kaq e madhe, sa ndikimi i saj në strukturat tona të të folurit është i tillë, sa shpeshherë intelektualë dhe pedagogë që merren me gjuhën shqipe kanë vështirësi në gjetjen e atypëratyshme të barasvlerësit në shqip. Në një debat shumë serioz në lidhje me gjuhën shqipe në një kanal televiziv, megjithëse gjuha shqipe ishte objekti kryesor i debatit, aty u fol për gradën “Bachellor’, implementimin e Bolonjës, sistemin “Full Time” dhe “Part Time’, ‘literatura bazike që duhej të kishte një student shqiptar për ta përdorur si “textbook”, pasi kjo kishte rëndësi “fundamentale”, bëhej fjalë për “Long Life Learning” etj., etj. Pra, folësja, e cila kishte një përgatitje akademike, kishte vështirësi në gjetjen e barasvlerësve në shqip. Kjo ndodhi edhe në bidedën në studio me një studiues dhe sqimatar të gjuhës shqipe, i cili u detyrua të përdorë fjalën ‘privacy’ me bashkëbiseduesin e vet, ngase ishte e pamundur gjetja e barasvlerësit në shqip. Përballë kësaj sfide të përditshme është edhe media. Një gazetare në një emision televiziv thoshte para pak kohësh për telefonuesin, se ‘e kishte në ajër’, në vend që të thoshte se ‘e kishte në linjë’.. Folësja e lajmeve në një kanal televiziv tha se një politikan kishte “mbajtur profil të ulët” pas fitores në zgjedhje, duke dashur të shprehë faktin se nuk ishte treguar euforik. Por, a u kuptua nga publiku ‘mbajtja e profilit të ulët’, ashtu sikurse ‘presidenti u shpreh se ishte i eksituar nga vizita e tij”, kur nga pamjet televizive presidenti dukej i emocionuar dhe vetëm kaq. Për të mos vijuar pafundësisht me shembuj të këtillë, po përfundojmë me mendimin se gjuha angleze ka depërtuar aq shumë në ligjërimin publik, sa edhe nëpër intervista përgjigjet jepen në anglisht. Pas shkarkimit nga detyra si drejtor, ky i fundit u shpreh, se ministri më mirë të më thotë: ‘I don’t like your face, se sa të bëjë akuza të pavërteta’. Media ndodhet në trysninë e shpejtësisë së përcjelljes së lajmit, e cila nuk lë kohë për pastrimin e prurjeve gjuhësore bashkë me pasqyrimin e ngjarjeve. Theksimi i rëndësisë së përdorimit të gjuhës së pastër shqipe duhet të jetë i vazhdueshëm. Tani në media më së shumti thuhet ‘Kuvend” dhe ‘kuvendor” ndryshe nga kohë më parë, ku përdoreshin fjalët “Parlament” dhe ‘parlamentar”.
Pos kësaj, në krye të listës së gjuhëprishësve qëndron edhe gjuha e përdorur, kënga shqipe, pjesa më popullore e saj, e cila vazhdon të kontribuojë negativisht në rrethin vicioz të këtij kaosi. Për ta shembullzuar këtë, mjafton një këqyrje e shpejtë në përbërësit e këtyre këngëve dhe shihet qartë si dritë e diellit, se ‘revolucioni’ kulturor i këngës shqipe është pak kulturor, shumë pak mirëfilli këngë, thuajse aspak shqipe. Kjo shihet së pari në emrat e këngëtarëve dhe titujt e grupeve muzikore, të cilat nuk janë në gjuhën shqipe. Ja disa prej tyre: Brama Tam Ft Larry Lang, Dashnori Feat ARBAS, Duda Feat, The Dreams, Rikthimi& Big man & Blerina, West Side Family, Mr. Elvis, Nrg Band, Flori &Genti T3nt, NDG, BENK, Lady M, Big Mamma, Madona, Qelbaniks etj., etj. Kjo shihet së dyti në titujt dhe tekstet e këngëve, të cilat ose nuk janë në gjuhën shqipe, ose janë gjysmë shqip e gjysmë anglisht. Po i kujtojmë lexuesit disa prej tyre që t’i nxjerrë vetë përfundimet! Dua të më puthësh/më ndez fantazinë/O ti je shumë sexy, come on, be with me” (Shumë sexy). “Good Morning Albania/ vajzat shqiptare janë shumë seksi/. “This song is to anyone fucking/ Eja eja me mua o bejbe/ një video sexy dua/ uhhhhhhh/ ta kesh, ta kesh nga mua si kujtim/ (Video sexy). “Hey you, hey you, respect your mother! O çuna e goca, respektoni nënën”. Shumë “e realizuar’ duket skena mbyllëse e këngës shqipe të grupit ‘Duda Feat’, ku një fshatar me sfurk në dorë bërtet sikur ta ketë pickuar merimanga e zezë “ You son of the bitch!” . Pavarësisht nga përfundimet që mund të ketë arritur lexuesi, ne po ia bëjmë me dije tonat. Ato janë tekste që përziejnë gjuhën shqipe me atë angleze në një mishmash të vërtetë. Gjuha shqipe shihet si teknologji e vjetëruar për këtë art “të ri”. Banalizimi i këngës shqipe është para së gjithash gjuhësor dhe mandej kulturor. Këngë të tilla jepen sot e gjithë ditën në disa kanale televizive, gjë që e rrit ndikimin e tyre te publiku, sidomos te të rinjtë.
Futja e gjuhës shqipe në shkollat e mesme ishte një nga shenjat e këtij ndërgjegjësimi kolektiv, por, pas kësaj gjuha angleze u fut në shkollën fillore, në një kohë që dihet se tekstet mësimore në anglisht janë ku e ku më të përparuara se ato në shqip. Botimet akademike, emisionet televizive për ndërgjegjësimin e publikut, seminaret shkencore e kanë ndikimin e tyre jetik në këtë lëmë. Doracakët dhe botimet mund të ndihmojnë çdokënd. Jetojmë në epokën e internetit, i cili shumë shpejt do të jetë në shtëpinë e gjithsecilit prej nesh dhe pas një llogarie të thjeshtë bërë në fund të ditës do të kuptojmë se kontakti me gjuhën angleze ka qenë po aq sa me gjuhën shqipe në mos më shumë. A janë të përgatitur folësit e shqipes për këtë? Emrat e emisioneve televizive, reklamat televizive, emrat e kanaleve televizive, emrat e gazetave, bareve, restoranteve, bankave, firmave, mospërkthimi i shumë titujve të filmave etj., etj., të japin përshtypjen se shqipja e ka humbur betejën me anglishten e kohës së globalizmit. Gjuha angleze dhe më pak gjuhët e tjera kanë depërtuar aty-këtu edhe në tekstet mësimore, po se po në gjuhën tonë të përditshme, në atë që dëgjojmë dhe shohim në median pamore dhe të shkruar, në librat e përkthyer dobët. Sfida e përkthimit mbetet kudo dhe kurdo. Kujdes! Të gjithë këta janë shembuj të trishtë të “lëngatës” së saj.
Gazeta Tema
Krijoni Kontakt