Sarandë, në kërkim të Odeonit

Një grup specialistësh anglezë e shqiptarë kanë nisur gërmimet



Ajo që është thënë dendur, se pas Butrintit edhe Saranda e sotme është një qytet i ngritur mbi një nëntokë arkeologjike, po përforcohet dita-ditës. Hipoteza është parë e provuar edhe gjatë kryerjes së punimeve inxhinierike që kryhen kohë pas kohe për përmirësimin dhe modernizimin e rrjetit të ujësjellësit, telefonisë, apo në hapje themelesh që hasin patjetër në mbetje dhe tregues të një qytetërimi që është "varrosur" së bashku me Onhezmin e lashtë. Nënshtresat e hasura kanë shërbyer për arkeologët si sinjale të qarta për të provuar përfundimet e ardhura nga literatura, që lidhet me lashtësinë dhe moshën e qytetit. Kështu ka ndodhur edhe me kërkimet e nisura ditët e fundit në "zemër" të qytetit të sotëm të Sarandës, në zonën më arkeologjike të saj. Kazma nën drejtimin e arkeologut ka rënë shumë pranë bazilikës dhe sinagogës hebraike, në vendin midis selisë së bashkisë dhe kinoteatrit "Butrinti", ku harta arkeologjike flet për praninë shumë të mundshme të një odeoni. Janë një grup specialistësh anglezë e shqiptarë, që kanë nisur nga puna një ditë më parë në këtë territor. Arkeologu anglez Oliver Glikes dhe profesori i asocuar Dr. Dhimitër Çondi, drejtojnë punimet për "qërimin" e vendit dhe hapjen e territorit ku mendohet se ka qenë dhe ka funksionuar odeoni i Sarandës.

Oliver Glikes tha për "Shqip" se puna për zbulimin e odeonit të Sarandës ka nisur pas disa konsultave profesionale me ekspertë të kësaj fushe dhe, pasi është reflektuar mbi informacionin e disponuar që jep shpresë, se një teatër i përmasave të vogla, ka qenë e mund të gjendet në gjendje të mirë edhe në Onhezmin e lashtë, që është Saranda e sotme. Odeoni i pritshëm për t‘u zbuluar në vendin ku kanë nisur punimet disa metra mbi shëtitoren e qytetit, dhe jo shumë larg mureve rrethues të tij në pjesën e detit, nga arkeologët vlerësohet si një objekt me rëndësi, që u shtohet pasurive arkeologjike të qytetit, përfshi objektet dhe dyshemenë e dekoruar me mozaik në ish PTT e vjetër. Odeoni, sipas tyre, është një teatër i përmasave të vogla, ku jepeshin shfaqje për elitën e qyteteve antike. Një odeon i tillë është gjetur në qytetin antik të Apolonisë, e tani pritet të zbulohet një odeon i përngjashëm me të edhe në Sarandë, si pjesë e kulturës antike të Onhezmit të lashtë, të shek. IV.



Do ringjallet zona muzeale


Odeni tregon qytetarinë e zonës



"Odeoni është tipar i qyteteve me nivel të lartë kulturor"-shpjegon Çondi, e të gjithë elementët e studiuar të çojnë, sipas tij, në domosdoshmërinë e gjendjes së tij në vendin ku kanë nisur punimet kërkuese e zbuluese. Çondi thotë se edhe këto punime janë në funksion të synimit për rihapjen e pikës arkeologjike muzeale që gjendet në ish PTT-në e Sarandës, për të cilën është siguruar mbështetja financiare nga fondacioni grek "Levendis", donator i njohur në ngritjen e muzeut arkeologjik të Butrintit.



Projekti


Do të gërmohet për 15 vjet



Profesor Çondi tregon se disa kërkesa të përsëritura e të argumentuara, janë bërë për të nisur kohë më parë këto punime, por ato janë mundësuar vetëm në mesin e qershorit të sivjetshëm. Ai thotë se nxjerrja në dritë e këtij objekti të mundshëm, që fsheh nëntoka e Sarandës së sotme është bërë së fundmi pjesë përbërëse e projektit 15-vjeçar, që kanë Fondacioni "Butrinti" dhe Zyra e Arkeologjisë Ndërkombëtare Packard në vendin tonë. Përfshirja në këtë projekt e punimeve për zbulimin e odeonit, vlerësohet edhe në një kuadër më të gjerë që ka për Sarandën, si portë e rëndësishme e turizmit shqiptar, nga shpërndahen turistët në disa drejtime të vendit tonë.