Close
Faqja 0 prej 6 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 116
  1. #1
    Ndryshuar për herë të fundit nga Darius : 10-07-2007 më 23:41

  2. #2

    Histori e Letërsisë Shqiptare

    Kjo kryeteme po i dedikohet nje vepre monumentale sic eshte Histori e Letersise Shqiptare shkruajtur ne anglisht nga albanologu Robert Elsie dhe perkthyer ne shqip me mjeshtri nga Abdurrahim Myftiu. Libri u shkruajt ne nje periudhe 5-vjecare, nga viti 1988-1993 dhe eshte nje dokument i fuqishem mbi letersine dhe gjuhen shqipe. Kam perpire cdo rrjesht e germe te ketij libri dhe me ka mrekulluar puna e bere qe i kalon permasat e nje libri historie te letersise. Me plot gojen mund ta quaj nje testament te vertete historiko-letrar te gjuhes dhe letersise sone. Falenderoj nga zemra autorin e ketij libri per perkushtimin, seriozitetin dhe materialet e mrekullueshme te cilat ka ditur t'i paraqese me aq mjeshtri dhe realizem.

    Nderkohe dua te theksoj qe per postimin e ketij libri ne Forumin Shqiptar fatkeqesisht nuk kam mundur te marr leje nga autori dhe nese ky postim konsiderohet nje shkelje e te drejtes te copyright atehere i kerkoj ndjese si autorit ashtu dhe perkthyesit por qellimi eshte vetem informimi i shqiptareve dhe ndarja me ta i nje vepre qe ne fund te fundit ju perket atyre si popull. Postimet ne forum nuk kane asnje perfitim monetar dhe vlera e tyre besoj se eshte me e madhe kur sherben per te hedhur drite dhe dhene informacion per traditen, kulturen dhe pasurine e mrekullueshme te gjuhes shqipe dhe letersise shqipe.


    Darius







    HISTORI E LETËRSISË SHQIPTARE





    nga

    ROBERT ELSIE




    Përkthyer nga origjinali anglisht “History of Albanian Literature (1995)”
    nga Abdurrahim Myftiu, Tiranë

    (1997)







    PËRMBAJTJA



    Parathënie e botimit shqip


    Parathënie e botimit anglisht



    1. Shqiptarët dhe gjuha e tyre

    2. Historia e hershme e shqiptarëve
    2.1 Nga Iliria deri te Bizanti
    2.2 Përmendjet më të hershme për shqiptarët

    3. Lindja e letërsisë së shkruar në Shqipëri
    3.1 Traditat humaniste të Rilindjes evropiane
    3.2 Fillimet e shkrimit shqip

    4. Fillimet e letërsisë në Shqipëri. Shekujt XVI e XVII
    4.1 Gjon Buzuku dhe libri i parë shqip (1555)
    4.2 Lekë Matrënga dhe Doktrina e Krishterë (1592)
    4.3 Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)
    4.4 Frang Bardhi dhe fjalori i tij latinisht-shqip (1635)
    4.5 Pjetër Bogdani dhe Cuneus prophetarum (1685)
    4.6 Veprat dytësore të shekullit të shtatëmbëdhjetë
    4.7 Përfundime

    5. Shkëlqimi i Orientit.
    Letërsia myslimane e shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX
    5.1 Kushtet historike dhe kulturore
    5.2 Shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruan turqisht.
    5.3 Letërsia e bejtexhinjve
    5.4 Shkrimtarë minorë të periudhës
    5.5 Përfundime

    6. Trashëgimia e Bizantit.
    Shkrimet në traditën ortodokse në shekullin XVIII dhe në fillimin e shekullit XIX
    6.1 Përçarje në identitetin kulturor
    6.2 Shqipja me alfabet grek e me alfabete të tjera
    6.3 Fjalorë dhe gramatika
    6.4 Përfundime

    7. Sotto il sereno cielo italiano (Nën qiellin e kthjellët italian).
    Letërsia arbëreshe në shekujt XVIII e XIX
    7.1 Emigrimi shqiptar në Itali
    7.2 Letërsia arbëreshe në shekullin e tetëmbëdhjetë
    7.3 Gjurmë të fundit të shkrimeve katolike në Shqipërinë e shekullit të tetëmbëdhjetë

    7.4 Jeronim De Rada dhe letërsia arbëreshe e shekullit të nëntëmbëdhjetë
    7.5 Poetë romantikë: Françesk Santori, Gavril Dara i Riu dhe Zef Serembe
    7.6 Shkrimtarë të tjerë arbëreshë të shekullit të nëntëmbëdhjetë
    7.7 Ndihmesa e shkrimtarëve dhe studiuesve arbëreshë që shkruan italisht

    8. Letërsia myslimane dhe bektashiane 1850-1950
    8.1 Arti bektashian
    8.2 Rënia e traditës myslimane

    9. Periudha e Rilindjes.
    Letërsia e zgjimit kombëtar shqiptar
    9.1 Fillimet e ndërgjegjes kombëtare (1830-1850)
    9.2 Letërsia katolike shkodrane e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë
    9.3 Vëllezërit Frashëri dhe letërsia e romantizmit kombëtar të Rilindjes
    9.4 Letërsia toske e Jugut të Shqipërisë nën ndikimin kulturor grek
    9.5 Shkrimtarët gegë veriorë të Shkodrës
    9.6 Përpjekjet për shkollën
    9.7 Zbulimi i letërsisë gojore
    9.8 Lindja e gazetarisë shqiptare
    9.9 Figura minore të letërsisë së Rilindjes
    9.10 Përfundime

    10. Rrymat e letërsisë shqiptare nga fillimi i shekullit XX deri më 1944
    10.1 Vështrim i përgjithshëm historik i periudhës së pavarësisë
    10.2 Poetë të periudhës kalimtare: Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda dhe Asdreni.
    10.3 Faik bej Konica, Fan Noli dhe të tjerë me banim në Amerikë
    10.4 Gjergj Fishta, zëri i kombit
    10.5 Migjeni dhe Lasgush Poradeci, lajmëtarët e bashkëkohësisë
    10.6 Poetë të tjerë shqiptarë të kohës para marrjes së pushtetit nga komunistët
    10.7 Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli dhe proza e periudhës së pavarësisë
    10.8 Zhvillimi i dramaturgjisë shqiptare deri më 1944
    10.9 Zeniti kulturor i mesit të viteve tridhjetë

    11. Letërsia nën regjimin e Enver Hoxhës (1944-1985) dhe dalja nga izolimi
    11.1 Kushtet politike dhe historike
    11.2 Vërshimi i realizmit socialist. Letërsia shqiptare e pasluftës deri më 1961
    11.3 Ismail Kadare, vullneti për të ecur përpara
    11.4 Prozatorë të tjerë nga 1961 deri më sot
    11.5 Poezia e sotme në Shqipëri
    11.6 Dramaturgjia në Shqipëri nga viti 1944 deri më sot

    12. Letërsia shqiptare në Kosovë
    12.1 Vendi i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi
    12.2 Lindja e prozës shqiptare në Kosovë
    12.3 Poezia në Fushën e Mëllenjave
    12.4 Zhvillimi i dramaturgjisë shqiptare në Kosovë

    13. Gjaku ynë i shprishur. Letërsia shqiptare e shekullit XX në Itali e diasporë

    13.1 Etapa e pjekurisë për letërsinë dhe studimet arbëreshe
    13.2 Letërsia e sotme arbëreshe
    13.3 Shkrimtarët shqiptarë në diasporë

    14. Kronologji e letërsisë shqiptare


    15. Bibliografi

  3. #3
    Parathënie e botimit shqip



    Origjinali në gjuhën angleze i kësaj Historie të Letërsisë Shqiptare u shkrua gjatë një periudhe prej pesë vjetësh, nga 1988 deri më 1993, dhe u botua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me pak vonesë më 1995. Vitet e grumbullimit e të studimit të materialit dhe përgatitja
    e këtij libri përkuan me vitet e kthesës dramatike për popullin shqiptar. Nata e gjatë e diktaturës dhe terrorit komunist në Shqipëri më në fund mbaroi, duke e lënë vendin të rrënuar, kurse njerëzit në dëshpërim e kaos. Populli i Kosovës nga ana e tij, i cili, krahasuar me vetë Shqipërinë, kishte gëzuar njëfarë demokracie dhe lirie individuale gjatë viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, e pa vendin e vet të përpirë nga valët e histerisë nacionaliste e të pushtuar ushtarakisht, sikundër të kishte rënë pré e një oreksi të panginjur prej ujku. Asgjë nuk ka mbetur ashtu siç ishte.
    Kjo Histori e Letërsisë Shqiptare është një përpjekje për të trajtuar zhvillimin historik të letërsisë në gjuhën shqipe nga fillimet deri rreth vitit 1990. Libri u shkrua duke pasur parasysh lexuesin e huaj, me synimin që t'i paraqitej botës së jashtme një kulturë në thelb e panjohur, ndonëse kulturë evropiane. Për këtë arsye, kërkesat për një përkthim shqip të kësaj vepre i pritëm në fillim me njëfarë ngurrimi. Normalisht, nuk i takon një 'vëzhguesi të huaj' të shkruajë
    një histori të letërsisë shqiptare për vetë shqiptarët, kur studiuesit vendës sigurisht kanë një njohje më të mirë e më të thellë të kulturës së tyre. Por, megjithatë, pranuam të përkthehet në gjuhën shqipe kryesisht për shkak të mungesës së vazhdueshme të çfarëdo historie tjetër letrare gjithëpërfshirëse e ideologjikisht asnjanëse. Nuk mund të pritet tani për tani që studiuesit shqiptarë, të izoluar siç qenë, të varfër siç janë dhe pa mjete moderne në dispozicion (biblioteka
    të pajisura mirë, qendra studimore, kompjuter e internet), siç do të jenë edhe për një farë kohe,
    të mundin menjëherë të përmirësojnë gjendjen. Përdorimi edhe më tej i teksteve standarde të së kaluarës me një vështrim të njëanshëm e konformist, e në thelb të shtrembëruara e të censuruara nga ekstremistë politikë, vetëm se do të pengojë përparimin kulturor e intelektual të shqiptarëve.
    Besojmë se lexuesi shqiptar do të na falë ndonjë karakteristikë a gjurmë 'të huaj' që mund të gjejë në këtë punim, p.sh. një prirje të lehtë për të anuar nga burimet e jashtme e jo nga
    ato në gjuhën shqipe, digresione dhe shpjegime që mund të jenë të tepërta për të, dhe ndonjë rast mungese etike ndaj gjërash që në Ballkan mbahen të shenjta.
    Në krahasim me variantin në gjuhën angleze, janë bërë ndryshime dhe përmirësime të vogla, kurse disa pjesë të origjinalit janë lënë jashtë. Bibliografia është përditësuar disi, por nuk është bërë ndonjë orvatje serioze për të përfshirë në tekstin e librit zhvillime më të reja të letërsisë shqiptare, domethënë ato rreth vitit 1990 e këndej.
    Për sa i përket letërsisë së sotme dhe autorëve bashkëkohorë të përmendur në krerët e fundit të këtij libri, vlen të theksohet se ata janë vetëm disa prej shkrimtarëve të shumtë që kanë dalë në Shqipëri, në Kosovë dhe në vise të tjera shqipfolëse dhe që mund të kishim paraqitur. Nuk ka ardhur ende koha për një radhitje përfundimtare sipas parimesh krejtësisht estetike. Siç
    e kam theksuar përpara, është lexuesi vetë që do të japë gjykimin përfundimtar për të gjitha veprat. Kështu, do të kërkoja prej tij që t'i lexojë krerët e kësaj vepre si një prezantim të mundshëm dhe jo si një botim zyrtar. Kjo kërkesë nga ana ime vlen në fakt për gjithë librin. Një histori letërsie nuk është dhe nuk mund të jetë unike, si të thuash e shkruar një herë dhe e dhënë përgjithmonë. Mendoj, se aty ka hapësirë për prezantime nga më të ndryshmet, me të cilat kuptohen mendime e trajtime të saj.
    Autori dëshiron të falënderojë edhe një herë shumë miq e kolegë për ndihmën dhe inkurajimin e tyre. Ndër ta në radhë të parë janë: Abdurrahim Myftiu për punën aq të mundimshme të përkthimit të një vepre kaq të gjatë e të imtë në një shqipe të rrjedhshme e të

    saktë; Maks Gjinaj, bibliograf i cilësuar në Bibliotekën Kombëtare, që ma ka lehtësuar shumë punën për njohjen dhe konsultimin e veprave e të studimeve për letërsinë shqiptare; dhe Emil Lafe në Akademinë e Shkencave për redaktimin e kujdesshëm letrar si edhe për një varg saktësimesh e sugjerimesh të vlefshme. Një falënderim i veçantë i drejtohet Shoqatës Gjermane
    për Bashkëpunimin Teknik (Deutsche Gesellschaft für Technische Zusammenarbeit), agjensi e qeverisë gjermane, për mbështetjen bujare financiare që bëri të mundur botimin shqip të kësaj vepre.



    Robert Elsie
    Pranverë 1997

  4. #4
    Parathënie e botimit anglisht



    Prej kohësh është ndier nevoja e ngutshme për një vështrim të plotë të letërsisë shqiptare, për të cilën brenda vendit nuk ka ende një përfytyrim të qartë, kurse jashtë tij ajo ka mbetur në thelb e panjohur. Në të vërtetë as edhe një letërsi kombëtare tjetër në Evropë nuk i ka shpëtuar vëmendjes së publikut të botës perëndimore aq shumë sa letërsia shqiptare. Në këtë aspekt, ky punim rreket të mbushë këtë mungesë duke dhënë një vështrim historik tërësor të krijimtarisë së shkruar në gjuhën shqipe që nga fillimet e deri në ditët tona.
    Letërsia shqiptare ka pasqyruar fatin e popullit shqiptar nëpër shekuj, fatin e një vendi të vogël në një rajon të Evropës, i cili për arsye politike, historike, ekonomike dhe gjeografike ka mbetur më i pazhvilluari në këtë kontinent. Popujt më fatlumë të Evropës kanë mundur t'i gëzohen shkëlqimit të kulturave dhe trashëgimisë së tyre kombëtare, të pasuruara e të kulluara nga shekujt, ndërsa historia e Shqipërisë ka qenë diçka më shumë se luftë për të mbijetuar. Kjo e vërtetë është më e dukshme se kurrë tani që shekulli i njëzetë po i afrohet fundit.

    Pas fillimesh të vona e të vështira, letërsia shqiptare, si një kaçubë e njomë, zuri rrënjë në dheun shkëmbor të atdheut të saj, por rrënjë që do të priteshin e këputeshin herë pas here. Letërsia e hershme e shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë, fidan i Kundër- reformës, u fshi menjëherë nga pushtimi turk i Ballkanit. Letërsia shqiptare myslimane e shekujve të tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë, e shkruar me alfabetin arab dhe e frymëzuar nga Orienti, nuk mund të mbahej më në këmbë gjatë luftërave të shqiptarëve për pavarësi kundër Perandorisë Osmane dhe u braktis në të mirë të modeleve më perëndimore.

    Letërsia e periudhës së parë të shekullit të njëzetë nuk u la të merrte frymë pas ardhjes në fuqi të komunizmit në vitin 1944, me qëllim që t'i hapej rrugë krijimit të një letërsie të re proletare. Kursi i acaruar i marrëdhënieve politike shqiptaro-jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore ua bëri që në fillim të qartë shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, se për kulturën e tyre të shkruar, ata nuk mund të mbështeteshin te Tirana. Për këtë arsye letërsia e tyre e kohëve të reja ka një histori dhe zhvillim të vetin por është njëherazi pjesë përbërëse e jetike e krejt letërsisë shqiptare. Letërsia italo-shqiptare ose arbëreshe, fryt i gjenisë krijuese të paraardhësve të refugjatëve shqiptarë që lanë atdheun dhe u hodhën në Italinë e Jugut në shekullin e pesëmbëdhjetë pas vdekjes së Skënderbeut dhe shuarjes së qëndresës së armatosur kundër turqve, lindi e u zhvillua në mënyrë vërtet të pavarur nga paraardhësja e saj në trojet ballkanike. Në të dy rastet, shqiptarëve iu desh të rimbillnin farën e kulturës së shkruar. Përsëri letërsia shqiptare nisi të lulëzojë mbi lastarët e traditave të veta letrare.

    Mund të flitet vërtet për disa letërsi shqiptare. Por, me gjithë rrjedhën
    e turbullt të historisë shqiptare e ballkanase, shqiptarët si bashkësi gjuhësore mbetën një, kurse letërsia e tyre, shprehja kulturore e kësaj bashkësie, lypset vështruar si një tërësi, sado heterogjene në dukje.
    Deri tani janë shkruar një numër historish të ndryshme nga njëra-tjetra për letërsinë shqiptare, por në një mënyrë a në një tjetër ato kanë dalë të pakënaqshme, qoftë si të paplota, qoftë duke u bërë tejet të vjetëruara e qoftë duke qenë të politizuara që në ngjizje. Për ata që e lexojnë shqipen, Historia e letërsisë shqiptare, Tiranë 1983, botuar nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, përbën një fillim. Ky është një variant i ripunuar e i zgjeruar i punimit në dy vëllime të Universitetit të Tiranës Historia e letërsisë shqipe, Tiranë 1959, 1960. Të dyja këto vepra mbulojnë letrat shqiptare nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë deri në fund të viteve '30 të shekullit tonë, por ato vuajnë, ashtu siç vuajnë në të vërtetë të gjithë librat e tjerë të botuar në Tiranë gjatë gjysmës së shekullit të diktaturës komuniste, nga paragjykime të forta politike e nacionaliste. Prirja për të ndarë gjithë veprat dhe shkrimtarët shqiptarë, qoftë edhe ata të shekujve të mëparshëm, në kategori absolute - kategoria e mirë (përparimtare, d.m.th. e majtë, atdhetare) dhe kategoria e keqe (reaksionare, d.m.th. e djathtë, tradhtare), ishte me pasoja fatale. Kategori të tilla pak hyjnë në punë në vështrime të prodhimit letrar dhe në vlerësime të ndikimit që vepra letrare të veçanta kanë pasur në kulturën shqiptare. Ndër monografi të tjera, ajo në tre vëllime e Rexhep Qoses Historia e letërsisë shqipe: Romantizmi, Prishtinë 1984, 1984, 1986, jep një pasqyrë të mirë të periudhës së shekullit të nëntëmbëdhjetë të romantizmit kombëtar në letërsinë shqiptare. Për letrat bashkëkohore në Shqipëri deri në mesin e viteve shtatëdhjetë, mund të konsultojmë Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist, Tiranë 1978, me kryeredaktor Koço Bihikun, e cila është shkruar, siç edhe mund të pritej, me një paragjykim politik të skajshëm.


    Në anglishte, lexuesi mund të shfletojë punimin tonë Dictionary of Albanian literature, Nju Jork & Uestport 1986 (Fjalor i letërsisë shqiptare), i cili jep të dhëna kryesore biografike dhe bibliografike për mbi pesëqind shkrimtarë shqiptarë dhe tema që kanë të bëjnë me letërsinë. Punimi i Stuart Mannit Albanian literature. An outline of prose, poetry and drama, Londër
    1955 (Letërsia shqiptare. Vështrim mbi prozën, poezinë dhe dramën) përmban informacion të bollshëm e të drejtpërdrejtë për shkrimtarët shqiptarë, por përfshirja në të është e kufizuar dhe mbyllet me Luftën e Dytë Botërore. I shtypur në kohë më të vona është varianti i shkurtuar në anglishte i punimit të Namik Ressulit Albanian literature, Boston 1987 (Letërsia shqiptare). Por
    kjo hyrje prej 42 faqesh në shkrimet shqipe që nga fillimet e deri më 1943, duke u ndalur më fort në traditën katolike të Shkodrës, është përkthyer aq keq, sa që mund të kuptohet vetëm me një njohje të mirë të italishtes. Veç këtyre, në anglisht (si dhe në frëngjishte, italishte dhe rusishte) gjendet edhe përkthimi i bërë në Tiranë i punimit të kritikut Koço Bihiku History of Albanian literature, Tiranë 1980, i cili përqëndrohet në letërsinë e realizmit socialist deri më 1977, i parë në një këndvështrim partiak të ekzaltuar. Punimi jep një material jashtëzakonisht të ndryshëm duke lënë jashtë me vetëdije shumë autorë të mëdhenj të viteve njëzet e tridhjetë të ndaluar për të hyrë në Parnasin shqiptar si dhe gjithë letërsinë e Kosovës.

    Ndonëse nuk është rreptësisht një histori letërsie si e tillë, punimi i Arshi Pipës Albanian literature: social perspectives, Mynih 1978 (Letërsia shqiptare: perspektiva sociale), përmban të dhëna të dobishme për periudha të ndryshme. Letërsia e sotme nga Shqipëria, pa Kosovën, mbulohet gjithashtu nga punimi prej 175 faqesh i Pipës Contemporary Albanian literature, Nju Jork 1991 (Letërsia bashkëkohore shqiptare), i cili përmban mjaft analiza.
    Në italishte, lexuesi mund të përdorë punimin e Zef Skiroit, i Riu (Giuseppe Schirò) Storia della letteratura albanese, Firence 1959 (Historia e letërsisë shqiptare), i cili mbulon letrat shqipe deri në Luftën e Dytë Botërore duke shqyrtuar gjerësisht letërsinë arbëreshe deri në atë kohë; si dhe punimin e Gaetano Petrotës (Gaetano Petrotta) Popolo, lingua e letteratura albanese, Palermo 1932 (Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare), ashtu edhe Svolgimento storico della cultura e della letteratura albanese, Palermo 1950 (Zhvillimi historik i kulturës dhe i letërsisë shqiptare), ky i dyti sidomos për periudhën e pavarësisë nga viti 1912 deri në Luftën e Dytë Botërore. Për letërsinë e hershme shqiptare deri më 1700, mund t'i drejtohemi gjithashtu punimit të Xhuzepe Ferrarit (Giuseppe Ferrari) Storia della letteratura albanese, vëll.1, Bari 1978 (Histori e letërsisë shqiptare). Ende mund të hyjë në punë deri diku për letërsinë gojore dhe të hershme arbëreshe punimi i Albert Stratikoit (Alberto Straticò) Manuale di letteratura albanese, Milano 1896 (Doracak për letërsinë shqiptare), që mund të quhet historia e parë e vërtetë e letërsisë shqiptare.


    Me gjithë botimet e mësipërme, kjo histori e letërsisë shqiptare, që po ju paraqesim, mëton të jetë në shumë pikëpamje një vepër pioniere, sidomos ngaqë mundohet të jetë gjithëpërfshirëse dhe ngaqë nuk lë jashtë asnjë periudhë të letërsisë së shkruar. Synimi ynë në këtë punim ka qenë të paraqesim tërësinë e letërsisë shqiptare në zhvillimin e vet historik e në kontekstin kulturor. Është lënë jashtë vetëm letërsia gojore, së cilës i duhet kushtuar një vëllim më vete. Lexuesi do të na falë që i jemi rreshtur shprehjes së gjykimeve kritike për të gjitha veprat. Kjo rreshtje, ose më mirë të themi - ky parapëlqim për të përshkruar më fort se për të dhënë verdikte - buron jo vetëm nga një farë ngurrimi për të imponuar shijet tona vetjake, por edhe nga një mungesë dëshire nga ana jonë për ta gjykuar letërsinë shqiptare nga optika e një të huaji. Ndonëse kur je vëzhgues i jashtëm ke një varg epërsish të dukshme, është lexuesi shqiptar ai që, në analizë të fundit, jep gjykimin përfundimtar për të gjitha veprat, pavarësisht se ç'mund të thonë kritikët letrarë, qoftë të vendit, qoftë të huaj.


    Për një pjesë të mirë të letërsisë shqiptare ende nuk ka ardhur koha për të bërë konkluzione përfundimtare përderisa historia dhe zhvillimi i saj janë ende tepër të paqarta. Shumë vepra dhe autorë të rëndësishëm, edhe pse të cituar e të ricituar, janë në të vërtetë pak të njohur. Burimet parësore mungojnë deri në një shkallë shqetësuese, kurse shumë dorëshkrime që kanë mbetur gjallë nga rrëmuja ballkanike, kurrë nuk janë botuar me kriteret e duhura shkencore. Botimet origjinale të shumë vëllimeve me rëndësi të madhe letrare e kulturore të shekujve të nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë janë aq të rralla, e për këtë arsye aq të vështira për t'u siguruar, sa që nis e vret mendjen se kush mund t'i ketë lexuar, qoftë edhe në kohën e botimit.


    Shumicës së veprave letrare ka vite që nuk u ndodhen më kopje në qarkullim, kurse disa libra, këtë e them me siguri, as edhe nuk janë parë kurrë me sy nga kritikët që i lëvdojnë apo i hedhin poshtë.
    Nëse burimet parësore janë në një gjendje për të ardhur keq, po në këtë gjendje është edhe niveli i tanishëm i studimeve shqiptare, pjesërisht ngaqë njerëzit në Shqipëri kanë qenë për një gjysmë shekulli të izoluar e të veçuar nga pjesa tjetër e botës prej regjimit politik në atë vend. Pikëpamje të gabuara dhe mendime subjektive, të mbështetura në ideologji, kanë kaluar nga njëra penë në tjetrën, nga njëra makinë shkrimi në tjetrën dhe nga njëri libër në tjetrin derisa kanë arritur të merren si realitete të padiskutueshme. Në vlerësimin e letërsisë shqiptare ka një nevojë të ngutshme për një objektivitet më të madh, sidomos pas dhjetëvjeçarëve të fundit të shtrembërimit politik të ndërgjegjes. Historia e kritikës letrare në Shqipëri deri në ditët tona e bën këtë nevojë edhe më fort të dukshme.


    Në pajtim me natyrën prej pionieri të kësaj vepre, historisë vetë i është shtuar një bibliografi e gjerë e letërsisë shqiptare në ndihmë të lexuesit të interesuar për të bërë kërkime në këtë fushë mjaft të shpërfillur. Bibliografia, natyrisht, nuk mund të përfshijë të gjitha veprat e letërsisë shqiptare, kurse përfshirja e veprave të autorëve të sotëm, në veçanti, është bërë nga nevoja në mënyrë përzgjedhëse. Përfshirja ose lënia jashtë e veprave të këtyre autorëve nuk duhen marrë doemos si pohim i drejtpërdrejtë i vlerave të tyre letrare.


    Fillimi i viteve nëntëdhjetë, kohë gjatë së cilës u përfundua ky libër, e ka parë kombin shqiptar në një gjendje katastrofe politike, ekonomike e intelektuale, gjendje kjo me rrjedhoja dramatike për rrugën e letërsisë dhe të kulturës bashkëkohore. Në të vërtetë të gjitha ndërmarrjet botuese në gjuhën shqipe ose kanë falimentuar ose janë mbyllur. Nuk ka as fonde, as letër, as bojë, as punë dhe, ç'është më e keqja sot, as shpresë. Shqipëria vetë nuk ka ç'të tregojë nga dyzet e gjashtë vjetët e "izolimit të shkëlqyer" dhe të diktaturës staliniste, përveç urisë dhe rrënimeve të atilla që pjesa tjetër e Evropës nuk i ka njohur për një gjysëm shekulli. Populli i Kosovës, nga ana e tij, po ballafaqohet me një shkallë të atillë shtypjeje dhe përndjekjeje, që nuk e ka shoqen në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.
    Është një periudhë vuajtjesh, ankthi dhe pasigurie, ndoshta e papërshtatshme për botimin e një vepre të tillë.

    Populli shqiptar ndodhet përpara detyrës komplekse, pas një mungese të gjatë, për të fituar vendin e vet në Evropë e në botën Perëndimore dhe, njëherazi, për të ruajtur identitetin e vet kombëtar në një periudhë krize. Nëse ky libër mund të ndihmojë, sadopak, atëherë qëllimit ia ka arritur.
    Autori e shikon me vend të shprehë mirënjohje për të gjithë ata që e kanë ndihmuar për realizimin e veprës në fjalë. Për mendimet dhe ndihmën konkrete, që më kanë dhënë, do të doja të falenderoja, duke i përmendur në rend alfabetik, zz. Anton Berisha (Prishtinë), Heinz Bothien (Frauenfeld), të ndjerin Martin Camaj (Mynih), Johannes Faensen (Berlin), Flutura Greva
    (Tiranë/Uashington), Sabri Hamiti (Prishtinë), Rexhep Ismajli (Prishtinë), Perikli Jorgoni (Tiranë), Rudolf Marku (Tiranë), Rexhep Qosja (Prishtinë), Michael Schmidt-Neke (Hamburg/Kiel), Barbara Schultz (Ottava), Agim Vinca (Prishtinë) dhe Petro Vuçani (Grottaferrata).

    Veç tyre, jam shumë mirënjohës për ndihmën që më është dhënë me gjithë zemër në studimet e mia nga punonjësit e Bibliotekës Kombëtare (Tiranë), nga antarët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në veçanti nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë (Tiranë), nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (Tiranë), nga Instituti Albanologjik (Prishtinë), nga Universiteti i Prishtinës, dhe nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës (Prishtinë). Falenderimet e mia të përzemërta u takojnë gjithashtu shumë organizatave dhe individëve të tjerë të panumërt që më kanë dhënë zemër në një mënyrë a në një tjetër gjatë pesë vjetëve të punës sime.

    Në shumë raste, gjatë vizitave nëpër Shqipëri e Kosovë, kam pasur kënaqësinë hutuese të provoj mikpritjen tradicionale e të pakufishme shqiptare në rrethana shpesh tepër të vështira ekonomike e politike për mikpritësit e mi. E di fare mirë se kjo çiltërsi, mirësi dhe bujari nuk është diçka individuale, por një tipar kolektiv i shqiptarëve, të cilëve u jam thellësisht mirënjohës.
    Adhurimi im i takon, në këto fjalë përmbyllëse, numrit të vogël të intelektualëve të guximshëm në Shqipëri të cilët, gjatë viteve të fundit të mpira të diktaturës komuniste, patën guximin, në raste shumë të rralla, të më bënin vërejtje dykuptimshe e sugjerime të holla që më shpinin në drejtimin e saktë, larg gënjeshtrave zyrtare që ata vetë ishin të detyruar të propagandonin.



    Robert Elsie

    1988 - 1993

  5. #5
    1. SHQIPTARËT DHE GJUHA E TYRE





    Gjuha shqipe flitet nga të paktën gjashtë milion njerëz, kryesisht në Shqipëri e në ish- Jugosllavi. Në Shqipëri vetë, kjo gjuhë flitet nga e gjithë popullsia prej 3,255,891 banorësh(1), përfshirë edhe disa pakica etnike dygjuhëshe. Statistika të besueshme për numrin e shqipfolësve në ish-Jugosllavi nuk ka, por ata janë çmuar midis dy dhe tre milionëve.


    Gjuha shqipe ndahet në dy grupe dialektore kryesore: ai gegë në veri të vendit dhe ai toskë në jug(2). Lumi Shkumbin në Shqipërinë e Mesme, duke rrjedhur pranë Elbasanit e duke u derdhur në Adriatik, formon kufirin e përafërt midis dy zonave. Këtu, në një zonë dhjetë deri njëzet kilometra të gjerë, gjejmë edhe dialekte të ndërmjetme. Grupi i dialektit gegë, i karakterizuar nga prania e zanoreve hundore, duke ruajtur n më të vjetër për r toskërishte (p.sh. geg.: venë, Shqypni; tosk.: verë, Shqipëri) si dhe për një radhë tiparesh të veçanta morfologjike, mund të klasifikohet më tej në një dialekt gegë veriperëndimor (Shkodër dhe zona përreth), në një verilindor (Shqipëria verilindore dhe Kosova), në një qendror (midis lumenjve Ishëm e Mat dhe drejt lindjes, përfshirë Dibrën dhe Tetovën) dhe në një jugor (Durrës, Tiranë). Grupi i dialektit toskë është përgjithësisht më homogjen, ndonëse atë mund ta ndajmë në nëngrupe dialektore veriore (nga Shkumbini në Vlorë në bregdet e në gjithë brendësinë e Shqipërisë jugore në veri të lumit Vjosë), labe (në jug të Vjosës deri në Sarandë), dhe çame (cepi jugor i Shqipërisë dhe brenda në Greqi). Gjuha e sotme letrare, e miratuar në Kongresin e Drejtshkrimit më 20-25 nëntor 1972, është një bashkërendim i dy grupeve dialektore ndonëse bazohet në masën 80% mbi atë toskë. Tani kjo është bërë normë e pranuar gjerësisht si në Shqipëri ashtu edhe në ish-Jugosllavi(3).

    Në ish-Jugosllavinë, shqipja flitet nga një numër midis dy e tre milion vetësh dhe vjen e dyta pas serbo-kroatishtes në ish-federatë. Qendra e popullsisë shqiptare është Krahina Autonome e Kosovës me kryeqytet Prishtinën, tani Republika e Kosovës e vetëshpallur nën pushtimin e dhunshëm ushtarak të Serbisë. Në Kosovë, shqiptarët përbëjnë rreth 90% të popullsisë, të tjerët rreth 10%, kryesisht serbishtfolës. Që nga vendosja e kontrollit ushtarak serb më 1989-1990, gjendja e të drejtave njerëzore e gjuhësore të shumicës shqiptare është tejkeqësuar në mënyrë dramatike. Deri në atë kohë, të dyja gjuhët njiheshin zyrtarisht dhe ishin në përdorim të plotë në të gjitha fushat e jetës në këtë rajon politikisht të turbullt(4). Gjuha amtare e shumicës së shqiptarëve të Kosovës është gegërishtja verilindore, të cilën e zumë në gojë më sipër, ndonëse në të vërtetë të gjitha botimet këtu, ashtu si në Shqipëri, janë në shqipen letrare. Edhe në radio, televizion dhe në shkollë, që nga kopshtet e fëmijëve e deri në universitet, përdoret gjuha letrare shqipe(5). Shqiptarët kanë një ritëm jashtëzakonisht të lartë lindjesh, prandaj edhe përpjesëtimi i tyre në popullsinë e Kosovës dhe gjetkë në ish-Jugosllavi rritet nga viti në vit.

    __________________________________________________ _______________

    1 Shifra e popullsisë për v. 1990, kr. Vjetari Statistikor 1991, f. 37.

    2 Për dialektet e shqipes kr. Desnickaja 1968, 1972, dhe Gjinari 1963, 1966.

    3 kr. Kostallari 1973, Byron 1976, 1979b, Pipa 1989, dhe Samara 1989.

    4 kr. Reuter 1982, Pipa & Repishti 1984 dhe Kohl & Libal 1992.

    5 Radioja dhe televizioni në gjuhën shqipe u pezulluan pas vendosjes së kontrollit ushtarak serb, kurse mundësia e arsimimit është pakësuar shumë nga pushtetarët e Beogradit.

    __________________________________________________ _______________




    Republika jugore e Maqedonisë vlerësohet të ketë të paktën një gjysmë milioni shqipfolës, çka është e barabartë me deri 40% të mbarë popullsisë së republikës, ndonëse edhe këtu nuk ka statistika të besueshme. Popullsia shqiptare gjendet në Shkup dhe përreth tij, ku ajo përbën një pakicë me peshë, e sidomos nga Tetova, Gostivari, Dibra dhe deri poshtë në Strugë,
    ku edhe përbën shumicën. Shqiptarët në Maqedoninë perëndimore gëzojnë njëfarë statusi ligjor, por prapëseprapë nuk kanë të drejta gjuhësore e kulturore të plota. Shumica e shqiptarëve të Maqedonisë flasin në dialektin gegë, ndonëse folës të toskërishtes mund të gjenden në jug të Ohrit.
    Gjithashtu, një pakicë prej rreth 50,000 shqipfolësish gjenden në Mal të Zi, kryesisht përgjatë kufirit me Shqipërinë, d.m.th. në rajonet e malësisë së Gucisë dhe Plavës, në Tuz në jug të Podgoricës, dhe në Ulqin në bregdetin jugor malazez. Përveç këtyre, janë edhe të paktën 100,000 shqipfolës të shpërndarë nëpër Serbinë jugore. Është fakt se shqiptarët sot mund t'i gjesh në të gjitha rajonet e ish-Jugosllavisë, shumë prej tyre të emigruar nga rajoni i varfër dhe i turbullt i Kosovës në republikat më të begata e të qëndrueshme veriore (Kroaci dhe Slloveni) në kërkim të lirisë, punës dhe një niveli më të mirë jetese.

    Një numër i madh shqiptarësh nga Kosova gjenden si punëtorë emigrantë dhe si refugjatë në Evropën Perëndimore, sidomos në Gjermani dhe në Zvicër.
    Një befasi për shumë njerëz është qenia e një pakice të madhe shqiptare në Italinë jugore, të ashtuquajturit arbëreshë(6). Ata janë pasardhësit e refugjatëve që lanë Shqipërinë pas vdekjes se Skënderbeut më 1468. Falë një mjedisi politik e social më të favorshëm se ai në Ballkan, arbëreshët qenë në gjendje të japin një ndihmesë vendimtare në zhvillimin e letërsisë shqiptare dhe në lëvizjen kombëtare në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Letërsia e hershme shqiptare, siç do ta shohim, është deri në një shkallë të madhe letërsi arbëreshe. Si pakicë gjuhësore, arbëreshët tani përbëjnë rreth 90,000 folës, shumë prej të cilëve jetojnë në fshatrat malore të Kozencës në Kalabri dhe në afërsi të Palermos në Sicili. Gjuha e tyre, e cila ende nuk përfiton nga statusi zyrtar që u është dhënë pakicave të tjera kombëtare në Itali (gjermane, franceze, sllovene, etj.), po vjen duke u shuar për shkak të ndikimit të fortë kulturor të italishtes si dhe për shkak të emigrimit ekonomik. Ajo është tepër arkaike dhe dallohet shumë nga shqipja që flitet sot në Ballkan, deri aty sa folësit arbëreshë e kanë të vështirë të komunikojnë në shqip nëse nuk njohin gjuhën letrare shqipe. Emigrimi masiv i shqiptarëve në Itali më 1990-1991 ndoshta do të ndihmojë për ta stabilizuar gjuhën.


    Në Greqi, numri i madh i shqiptarëve që populluan një pjesë të mirë të zonës qendrore e jugore në mesjetën e vonë është asimiluar gjerësisht. Gjuha shqipe e atjeshme, e njohur në shqip si arbërishte e Greqisë dhe në greqishte si Arvanitika(7), prapëseprapë mund të dëgjohet ende në rreth 320 fshatra, kryesisht përreth Levadhias, në Eubenë (Evinë) e jugut, Atikë, Korint dhe në Androsin verior. Përderisa kjo gjuhë nuk gëzon ndonjë status zyrtar, statistika zyrtare për numrin e folësve nuk ka. Arbërishtja e Greqisë, e cila po shuhet me shpejtësi, mendohet si forma më arkaike e shqipes që flitet sot.
    Gjetiu në Ballkan, folës shqiptarë ndeshen fare rrallë. Asgjë nuk ka mbetur nga ato bashkësi të mëdha emigrantësh shqiptarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, që lulëzuan dikur në Bukuresht e në Sofje me institucionet e tyre kulturore (shoqata, klube, gazeta, shtypshkronja, shkolla). Megjithatë, kjo gjuhë mund të dëgjohet në rajonin kufitar bullgaro-greko-turk,

    __________________________________________________ _______________

    6 kr. Logoreci 1948, Cirrincione 1959, Nasse 1964, S. Petrotta 1966, Rother 1968,
    Tajani 1969, Kellner 1970, Zllatku 1976, Shkurtaj 1984, dhe Çabej 1987.

    7 kr. Hamp 1961, Haebler 1965, dhe Sasse 1992.
    __________________________________________________ _______________

    sidomos në fshatin bullgar të Mandricës(8).

    Gjithashtu, një numër i paktë shqipfolësish gjenden në Ukrainë(9), sidomos në katër fshatra (Zhovtnevoje, Gamovkë, Georgievkë dhe Denvenskoje) në krahinat e Melitopolit dhe Odesës. Numri i shqiptarëve të Ukrainës, pasardhës të kolonëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë të ardhur nga krahina e Varnës e Bullgarisë, vlerësohet më 1959 në rreth 5000.

    Pak kanë mbetur nga ato koloni shqiptarësh që lulëzonin dikur anembanë Perandorisë Osmane(10). Pakica shqiptare në Egjipt tani është shkrirë, ndonëse bashkësi shqiptare ende gjenden në numër të madh në Turqi (Stamboll etj.) dhe deri diku në Siri, sidomos në Damask. Së fundi, grupe shqipfolësish në madhësi të ndryshme mund të ndeshen në vende emigrimi si në Shtetet e Bashkuara(11) (Boston, Nju Jork, Kënetikët, Nju Xhersi, Detroit), e deri në një farë mase në Kanada, Australi dhe Argjentinë. Gjithashtu, shumë shqiptarë kanë emigruar në Evropën Perëndimore (Itali, Greqi, Gjermani) dhe në Amerikë me rënien e diktaturës në Shqipëri gjatë viteve 1990-1991.

    __________________________________________________ _______________
    8 kr. Shuteriqi 1965, dhe Sokolova 1983.

    9 kr. Derzhavin 1948.

    10 Për shqiptarët në vendet arabe, kr. Mufaku 1981a, 1983, 1990, dhe Azemi & Halimi 1993.

    11 kr. Albanian struggle... 1939, Demo 1960, Noli 1960, Pipa & Prifti 1980 dhe Nagi 1989.
    __________________________________________________ _______________

  6. #6
    2. HISTORIA E HERSHME E SHQIPTARËVE



    2.1 Nga Iliria deri te Bizanti



    Për banorët e lashtë të Ballkanit dhe për gjuhët që flisnin kemi relativisht pak të dhëna. Përveç një numri shumë të vogël mbishkrimesh të shkurtra, si dokumente gjuhësore për ilirishten, trakishten dhe dakishten mbeten vetëm emra njerëzish dhe vendesh të përmendur sidomos nga autorë të lashtë grekë e latinë, që zakonisht nuk qenë fort të interesuar për popujt e tjerë. Megjithatë, nga ç'mbetet prej këtyre gjuhëve, kemi mundësi të arrijmë në përfundimin se ato qenë indoevropiane, pra edhe të lidhura, ndonëse larg e larg, me gjuhët latine, greke, gjermanike, sllave, baltike, kelte e kështu me radhë.


    Atdheu fillestar i shqiptarëve pranohet përgjithësisht të kenë qenë malet e Shqipërisë, dhe në mënyrë të veçantë të Shqipërisë veriore. Dijetari gjerman Georg Shtatmyler (Georg Stadtmüller 1901-1985) ve aq larg sa t'i vendosë ata në fillim në rrethin e Matit(1). Se deri ku kishin vajtur ata në vijën bregdetare, mbetet ende një çështje e diskutueshme.

    Por ç'duam të nënkuptojmë këtu me atdhe fillestar e madje, me shqiptar? Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit janë bërë mjaft studime për të ashtuquajturën etnogjenezë të shqiptarëve, një obsesion i kuptueshëm ky, sidomos ndër vetë shqiptarët, për të hetuar rrënjët dhe prejardhjen. Me gjithë ekzistencën e disa dëshmive gjuhësore e arkeologjike, shumëçka mbetet për t'u hamendësuar. Ajo çka dimë pak a shumë me siguri është se në lashtësi Shqipëria ishte atdheu i ilirëve, një konglomerat fisesh indo-evropiane që në fillim migruan drejt Ballkanit nga Evropa qendrore në fund të epokës së bronzit (rreth shekujve të dymbëdhjetë dhe trembëdhjetë para erës sonë) dhe zunë bregdetin e Adriatikut. Vitet e fundit, në përpjekjet e tyre për identitet e njohje, për shqiptarët është bërë njëfarë doktrine e dogmë ta quajnë veten pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të lashtë. Si shenjë e kësaj vazhdimësie, fëmijëve shqiptarë, kur lindin, u vihen emra ilirë. Ndonëse pa dyshim kemi një element subjektivizmi, nuk ka kurrfarë dëshmish që shqiptarët të jenë të ardhur në atdheun e tyre të sotëm nga gjetiu. Prandaj mund të supozojmë se trungu ilir përbën një element bazë të qenies së tyre. Në trojet që janë sot Shqipëria nuk kanë qenë vetëm ilirët. Kolonitë e para greke u shfaqën në gjysmën jugore të vendit në fund të shekullit të shtatë para erës sonë.

    Durrësi (greqisht: Dyrrhakhion ose Epidamnos) u themelua prej kolonësh nga Korfuzi dhe Korinti më 627 para erës sonë, kurse Apolonia, tani Pojan pranë Fierit në skajin jugor të fushës së Myzeqesë, u themelua në vitin 588 para erës sonë. Këto koloni greke, ndonëse vetëm brenda territorit të bregdetit, patën një ndikim të fortë kulturor në vend. Gjatë periudhës nga shekulli i pestë deri në të tretin para erës sonë, ilirët ngritën shtetet e tyre përgjatë Adriatikut, derisa ranë pre e pushtimit romak. Ndër udhëheqësit ilirë përmenden: Agroni (sundoi në vitet 250-231 para erës sonë), mbret i Shkodrës, dhe mbretëresha Teuta (sundoi në vitet 230-228 para Krishtit), që mbretëroi në Lezhë (lat. Lissus). Romakët, që përherë e më tepër po shqetësoheshin nga piratëria e ilirëve, e pushtuan krejt mbretërinë e Ilirisë nga viti 230 deri 168 para erës sonë, dhe kështu siguruan rrugët e tyre tregtare për në lindje. Në vitin 168 para erës sonë, me humbjen e Gentit, mbreti i fundit ilir i Shkodrës i cili sundoi në vitet 181-168 para erës sonë, krejt Iliria ra nën sundimin romak dhe u

    __________________________________________________ _______________


    1 kr. në veçanti studimet e Shtatmylerit: Stadtmüller 1942c & 1950.
    __________________________________________________ _______________


    përfshi në provincën e Maqedonisë, të themeluar në vitin 148 para erës sonë. Via Egnatia(2), rruga tokësore midis Romës dhe Bizantit, kalonte në zemër të Shqipërisë, nga Durrësi (lat. Dyrrachium) në bregdet përgjatë lumit Shkumbin pranë Elbasanit (lat. Scampa) deri në liqenin e Ohrit. Në kohën e Perandorisë Romake i gjithë Ballkani iu nënshtrua ndikimit të fortë kulturor e gjuhësor të latinishtes, e cila gjatë pesë shekujve zëvendësoi gjuhët vendëse të gadishullit. Nën Jul dhe August Cezarin, ngulimet e Scodra-s, Dyrrachium-it, Byllis-it dhe Buthrotum-it fituan statusin coloniae, kurse Lissus-i u bë municipium sipas ligjit romak. Me imigrimin e vazhdueshëm të legjionarëve, tregtarëve dhe kolonëve romakë drejt provincave të Ballkanit, qendra qytetare si këto qenë të parat që përqafuan latinishten si mjeti më i volitshëm i komunikimit, në fillim përgjatë bregdetit të Adriatikut e më pas në brendësi. Me kalimin e kohës, edhe vendbanimet fshatare u romanizuan deri aty sa edhe nomadët dhe fiset më të thella malësore e ndien ndikimin e kulturës dhe gjuhës së re. Deri në rënien e Perandorisë Romake, shumica e banorëve të Ballkanit në të vërtetë flisnin dialekte krahinore të latinishtes vulgare, të ashtuquajturën latinishte ballkanike, ndonëse mendohet se trakishtja, për shembull, flitej ende në disa zona deri në shekullin e gjashtë të erës së re. Rajonet e fundit që iu nënshtruan këtij procesi romanizimi ishin pa dyshim luginat malore të thella e të paarritshme të Shqipërisë veriore. Edhe pse latinishtja po e shpërbënte thelbin e gjuhës apo gjuhëve vendëse në këtë rajon, dhe tashmë kishte çarë e hyrë në fjalorin dhe strukturën e tyre, ajo nuk kishte mundur të shpërbënte shqipen e vjetër (do të përdorim këtë term pasi na mungon një më i mirë) në mënyrë aq të plotë sa ç'kishte mundur ta bënte me gjuhën paralatine të protorumunëve.


    Kur Perandoria Romake u riorganizua nën perandorin Dioklecian (sundoi në vitet 284-305 të erës sonë) më 297 të erës sonë, Ilirisë i takoi të shkojë me lindjen dhe, me ndarjen përfundimtare në Perandori Lindore e në Perandori Perëndimore në vitin 395 të erës së re, vendi hyri përfundimisht në sferën politike e kulturore të Perandorisë Bizantine Lindore. Në shekujt e mëvonëshëm, Shqipëria u pushtua e u plaçkit nga një radhë fisesh shetitëse: Hunët në shekullin e katërt, Visigotët në vitet 380 dhe 395-401 të erës së re, Ostrogotët në vitin 459, Vandalët në vitin 467, si dhe nga Avarët, Bullgarët dhe Sllavët. Ishte pushtimi sllav i Ballkanit nga veriu në fillim të shekullit të gjashtë që do të ndryshonte rrugën e historisë shqiptare. Depërtimet e para sllave ndodhën në vitet 548 dhe 587 të erës së re, dhe aty nga fillimi i shekullit të shtatë, kultura grekobizantine në Shqipëri pothuaj kishte pushuar së qeni për një farë kohe. Një nga efektet e ngulimeve sllave në Ballkanin jugperëndimor ishte shpëtimi i gjuhës vendëse nga romanizimi i plotë, cilado të ishte ajo.

    Me që gjuha sllave e folur nga pushtuesit i zuri vendin mbisundimit gjuhësor të latinishtes dhe e ndërpreu menjëherë procesin e romanizimit, shqipja e vjetër u ngurtësua në atë gjendje që nga shumë gjuhëtarë quhet si gjendje gjysmëromanizimi. Ndërsa fiset sllave populluan tokat bujqësore të fushave dhe luginave të Ballkanit qendror, banorët vendës të pjesës më të madhe të gadishullit, d.m.th. folës të latinishtes ballkanike apo të gjuhës protorumune, u shtynë brenda rajoneve malore jugore ngjitur me territorin shqiptar. Pikërisht me pesë shekuj pasues të kontaktit midis shqipes së vjetër dhe fiseve proto-rumune shpjegohen shumë tipare gjuhësore të përbashkëta sidomos në leksik e në morfologji, që kanë shqipja dhe rumanishtja. Kolonizimi sllav i Shqipërisë, që përfundoi deri në shekullin e tetë, shpuri gjithashtu në kontakte të forta gjuhësore sllavo-shqiptare. Në fund të shekullit të dhjetë, perandoria e madhe bullgare ra në dorë të grekëve bizantinë, duke u dhënë mundësi barinjve rumunë e shqiptarë për hapësira të reja. Fiset rumune migruan si nga veriu në drejtim të verilindjes dhe veriperëndimit të Ballkanit ashtu dhe nga jugu për në malet e Pindit, ku shumë folës arumunë hasen edhe sot. Shqiptarët nga ana e tyre, filluan

    __________________________________________________ _______________

    2 kr. Tafel 1842 dhe O'Sullivan 1972.
    __________________________________________________ _______________


    të zbresin nga tokat malore e të zgjerohen në shekujt e njëmbëdhjetë e të dymbëdhjetë, së pari duke marrë plotësisht në zotërim bregdetin verior e qendror të Shqipërisë, dhe më tej në shekullin e trembëdhjetë duke u shtrirë në jug drejt asaj që tani quhet Shqipëri jugore dhe Maqedoni perëndimore. Në mesin e shekullit të katërmbëdhjetë ata migruan madje edhe më në jug brenda Greqisë, në fillim në Epir, Thesali (1320), Akarnani dhe Etoli. Së andejmi ata vazhduan në drejtim të lindjes në Beoti (1350) dhe Atikë, ku më 1382 sundimtarët katalonjas të rajonit u dhanë leje për t'u ngulitur aty e për të punuar tokat, si dhe në drejtim të jugut nëpër gjirin e Korintit brenda në More (Peloponez). Manuel Kantakuzeni i Mistrës (sundoi më 1348-1380) i ftoi kolonët shqiptarë të nguleshin në krahinat pak të populluara të Arkadisë dhe Lakonisë e të shërbenin si mercenarë kundër principatave franke në jug. Më 1402 dhe 1425, edhe venedikasit, sundimtarë të Negropontit të Eubesë (Evisë) i nxitën kolonët shqiptarë të nguleshin në Eubenë e jugut(3). Deri aty nga mesi i shekullit të pesëmbëdhjetë, që shënon mbarimin e këtij procesi kolonizimi, shqiptarët ishin ngulur në mbi gjysmën e Greqisë(4) dhe në numër aq të madh saqë, në shumë zona, ata përbënin vërtet shumicën e popullsisë. Vetëm nga mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë gjuha shqipe nisi t'i lëshojë udhë greqishtes. Konsulli austriak Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869) raportonte më 1854 se "në ishujt Hidhra, Spece, Poros dhe Salaminë, shqiptarët kanë ngulime aq kompakte etnikisht, saqë gjatë luftës greke për çlirim nuk kishte fare gra që ta kuptonin greqishten"(5). Megjithatë kjo gjuhë në këta ishuj tani është zhdukur, ajo ende mund të dëgjohet në shumë fshatra të Beotisë, Eubesë së jugut, Atikës dhe gjetkë.

    Nga mesi i shekullit të njëmbëdhjetë Perandoria Bizantine, së cilës i përkiste Shqipëria, sa vinte e po rrezikohej më tepër. Normanët, nën Rober Giskar dë Otvil-in (Robert Guiscard de Hauteville, 1016-1085), vunë në zotërim territoret e fundit bizantine në Italinë jugore dhe më 1081 kapërcyen Adriatikun për të pushtuar Durrësin dhe Shqipërinë qendrore. Ndonëse një vit më pas forcat bizantine ia dolën të rimarrin Durrësin, Lindja dhe Perëndimi do të vazhdonin të haheshin për Shqipërinë në shekujt e mëvonëshëm. Pas plaçkitjes së Konstantinopojës gjatë Kryqëzatës së Katërt më 1204, venedikasit vunë nën zotërim Durrësin (1205). Në lindje dhe verilindje të territoreve venedikase në Shqipëri lindi shteti i parë autonom shqiptar nën princin Progon, shteti Arbanon, i cili jetoi nga viti 1190 deri më 1216. Më 1269, Karli Anzhuin (Charles d'Anjou, 1226-1285) zbarkoi në Vlorë dhe tre vjet më vonë e shpalli veten rex Albaniae (mbret i Shqipërisë).

    Në fillim të shekullit të katërmbëdhjetë, pjesa më e madhe e Shqipërisë u pushtua nga serbët, nën sundimin e të cilëve ajo mbeti deri në vdekjen e Stefan Dushanit të Madh më 1355. Më pas vendi u coptua në një numër të madh dinastish feudale: Topiajt, Balshajt dhe Dukagjinët në veri të vendit, kurse Muzakajt dhe Shpatajt në jug. Nga mbërritja e sllavëve në Shqipëri e deri në pushtimin turk në shekullin e pesëmbëdhjetë shqiptarët jetuan, siç u tha më sipër, në kontakt të ngushtë me fqinjët e tyre sllavë, popuj këta që vinin të dy nën ndikimin në rritje të kulturës bizantine. Mund të flitet vërtet për një simbiozë sllavo-shqiptare anembanë pjesës më të madhe të vendit, në të cilin shqiptarët malësorë e, padyshim, në një masë të madhe nomadë, ndodheshin nën kërcënimin e përhershëm të asimilimit etnik. Gjatë Mesjetës, në qytetet e bregdetit shqiptar nuk ka pasur bashkësi shqiptare për t'u përmendur. Durrësi banohej nga venedikas, grekë, çifutë dhe sllavë; Shkodra nga venedikas dhe sllavë, kurse Vlora nga grekë bizantinë. Emrat e lumenjve në këtë vend, një tregues ky kurdoherë i mirë i strukturës së ngulimeve, janë në një masë befasuese

    __________________________________________________ _______________

    3 kr. F. W. Hasluck, 1908-1909.

    4 kr. Stadtmüller 1950, f. 206 sq.

    5 kr. Hahn 1854, f. 223.
    __________________________________________________ _______________


    sllave (6). Kisha kristiane, mbrojtësja e qytetërimit mesjetar në Ballkan ashtu si gjetiu, ishte ajo që sillte kulturën e huaj, qoftë latine, greke apo sllave. Vlerësohet se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve ishin asimiluar tashmë në prag të pushtimit turk. Ashtu si indianët e Amerikës së Veriut pas kolonizimit evropian, shqiptarët kishin mbetur mjaft anash në vendin e vet.

  7. #7
    2.2 Përmendjet më të hershme për shqiptarët



    Shqiptarët kanë hyrë në analet e historisë së dokumentuar në gjysmën e dytë të shekullit të njëmbëdhjetë. Vetëm në këtë periudhë mund të flitet me ndonjë shkallë qartësie për një popull shqiptar ashtu siç e njohim sot. Në 'Historinë' e tij të shkruar më 1079-1080, historiani bizantin Mihaelis Ataliates (Michaelis Attaleiates) qe i pari që përmendi se Albanoi kishin marrë pjesë në një kryengritje kundër Konstantinopojës më 1043 dhe se Arbanitai ishin nënshtetas të dukës së Dyrrakiumit. Po ashtu, historiani Gjon Skilices (Ioannis Scylitzes) përmend (rreth v.1081) Arbanites si pjesë të trupave të mbledhur në Durrës nga Niqifor Basilaku (Nicephorus Basilacius).
    Për ekzistencën e gjuhës shqipe bëhet fjalë për herë të parë aty nga fillimi i shekullit të katërmbëdhjetë. Në të vërtetë kemi katër përmendje të qarta e të padyshimta midis viteve 1285 dhe 1332(7).


    E para nga këto përmendje në histori për ekzistencën e gjuhës shqipe, ajo e vitit 1285, nuk ndodh në Shqipëri, por në Dubrovnik (Ragusa), ku për njëfarë kohe ka pasur një bashkësi shqiptare të konsiderueshme. Në hetimin e një grabitjeje në shtëpinë e Petro del Volcios nga Belena (më vonë Prati), një farë Mateu, bir i Markut të Mançes, që del se ka qenë dëshmitar i krimit, thotë: "Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca" (Dëgjova një zë që thërriste në male në gjuhën shqipe)(8).
    Njëzetetre vjet më vonë hasim një përshkrim të Shqipërisë në të ashtuquajturin Anonymi Descriptio Europae Orientalis (Përshkrim anonim i Evropës Lindore)(9), një tekst latin mesjetar i vitit 1308 të erës sonë, i cili përmban një vështrim mbi tokat e Evropës Lindore, në veçanti mbi vendet e Ballkanit. Autori anonim i tij mendohet të ketë qenë një klerik frëng apo i shkolluar në Francë, me më shumë gjasa i Urdhërit Dominikan, i dërguar nga kisha në Serbi, ku edhe mblodhi pjesën më të madhe të të dhënave për Ballkanin. Teksti i Anonymi Descriptio Europae Orientalis gjendet në një radhë kodikësh mesjetarë(10). Përveç pjesëve që pasqyrojnë rajone të ndryshëm të Greqisë Bizantine, Rashës, Bullgarisë, Ruthenisë, Hungarisë, Polonisë dhe Bohemisë, ai përmban edhe një pjesë për Shqipërinë, një nga përshkrimet e rralla ky për këtë vend në vitet e para të shekullit të katërmbëdhjetë. Kjo pjesë mbyllet me këtë përmendje

    __________________________________________________ _______________
    6 kr. Elsie 1994d.

    7 kr. Elsie 1991c.

    8 kr. Jirecek 1904 cituar nga Ajeti 1977, f. 693, 1982a, f. 167, 1982b, f. 117.

    9 kr. Elsie 1990a.

    10 Përfshirë Ms. Lat. 5515 dhe Ms. Lat. 14693 në Bibliothèque Nationale (Biblioteka Kombëtare) në Paris, Ms. 263 në bibliotekën e qytetit Puatje (Poitiers), dhe Cod. Lat. 66 në Bibliotekën Universitare të Leidenit. kr. Górka 1916.
    __________________________________________________ _______________


    për gjuhën shqipe: "Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus" (Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një gjuhë që dallohet nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të merren vesh me popuj të tjerë).
    Për herë të tretë shohim se për ekzistencën e gjuhës shqipe bëhet fjalë në njoftimin e një pelegrini gjatë udhëtimit për në Tokën e Shenjtë më 1322(11). Rrëfimet e udhëtarëve për në Tokën e Shenjtë janë vërtet një burim parësor të dhënash për një pjesë të madhe të Mesdheut lindor në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të dytë. Ndonëse shumica e pelegrinëve nuk tregonin veçse një interesim kalimtar për vendet nga kalonin në rrugën drejt destinacionit përfundimtar, dy pelegrinë anglo-irlandezë, Symon Semeonis dhe Hugo Illuminator, që në shqip mund t'u themi Simon Simoni dhe Hugo Ndriçuesi, u ndalën më 1322 në Shqipëri gjatë udhëtimit dhe i pari bëri një përshkrim të gjallë të asaj çka pa. Përshkrimi i tij i jep një vështrim të rrallë të bregdetit shqiptar në gjysmën e parë të shekullit të katërmbëdhjetë. Simon Simoni i Urdhërit Françeskan u nis nga Klonmeli i Irlandës në pranverë të vitit 1322 bashkë me mikun dhe shoqëruesin e tij Hugo Ndriçuesi, dhe kaloi nga Uellsi verior në Londër, Kentërberi, Dover, Uisant, Amien, Paris, Bônë (Beaune), Lion, Avinjon, Nisë, Gjenovë, Bobio, Piaçencë, Parmë, Mantovë, Veronë dhe Viçencë deri në Venedik. Këtu ata i hipën një anijeje tregtare për në Tokën e Shenjtë, e cila gjatë rrugës u ndal në Pula, Zarë (Zadar), Dubrovnik, Ulqin, Durrës, Korfuz, Qefaloni dhe Kretë, para se të mbërrinte në Aleksandri. Përshkrimet e udhëtimit të Simonit, të njohura si Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam (Udhëtimi i Simon Simonit nga Irlanda në Tokën e Shenjtë), ndodhet tani i ruajtur në dorëshkrim në bibliotekën Corpus Christi College në Kembrixh(12).

    'Itinerari' përmban të dhëna të bollshme për një larmi të madhe çështjesh, si kontrolli dhe procedurat e doganës, zakonet, monedhat, lëndët e para dhe prodhimet e vendeve të vizituara e natyrisht për kishat dhe vendet e shenjta. Duke lundruar teposhtë bregdetit të Adriatikut, Simoni shënon: "Albanya est provincia inter Sclavoniam et Romanyam, per se linguam habens" (Shqipëria është një provincë midis Sllavonisë dhe Romanisë (Bizantit), me një gjuhë të vetën). Për qytetin e Durrësit ai vazhdon: "Inhabitatur enim Latinis, Grecis, Judeis perfidis, et barbaris Albanensibus" (Sepse ai është i banuar nga latinë, grekë, çifutë të pabesë dhe shqiptarë barbarë). Mjaft interesante është që në Dubrovnik (Ragusa) ai bën fjalë përsëri për gjuhën e këtyre 'barbarëve': "In eadem dominantur Veneti, et ad eam confluunt Sclavi, Barbari, Paterini et alii scismatici negotiatores qui sunt gestu, habitu et lingua Latinis in omnibus difformes" (Venedikasit mbizotërojnë në të [Dubrovnik], ndërkaq e vizitojnë shpesh sllavët, barbarët, paterinët dhe tregtarët e tjerë përçarës, të cilët ndryshojnë krejtësisht nga latinët në zakone, veshje dhe gjuhë).

    E fundit nga këto raste kur përmendet gjuha shqipe dhe ndoshta e para përmendje e vërtetë për ekzistencën e shkrimit në shqip ka qenë ajo më 1332 nga murgu domenikan frëng Brokard ose Frère Brochard (lat. Brocardus monacus). Në një vepër latinisht të titulluar Directorium ad passagium faciendum, Brokardi shënon: "Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris" (Shqiptarët në të vërtetë kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ndonëse përdorin shkronjat latine në të gjitha librat e tyre)(13).

    __________________________________________________ _______________

    11 kr. Elsie 1991g.

    12 Dorëshkrim nr. 407. Për "Itinerarin", kr. Nasmith 1778, Esposito 1960, dhe Hoade 1952, 1970.

    13 kr. Recueil 1906, f. 484. Kjo vepër nganjëherë i mvishet gabimisht Guillelmus Adam-it ose Adae-s.
    __________________________________________________ _______________

    Ndonëse çka përmendet për ekzistencën e gjuhës është e qartë, ajo për shkrimin e shqipes është e dyshimtë. Nuk mund të thuhet me siguri nëse Brokardi ka pasur parasysh libra në gjuhën shqipe të shkruar me alfabet latin apo thjesht libra të shkruar në gjuhën latine. Mundësia e parë është ajo që natyrisht ka rrëmbyer imagjinatën e brezave pasardhës të studiuesve, dhe me këtë qëllim ky tekst shpesh citohet në historitë dhe studimet për letërsinë shqiptare. Është shkruar apo jo gjuha shqipe nga ndokush gjatë kësaj periudhe kur Shqipëria luhatej midis sferave të influencës së Venedikut, Perandorisë së Bizantit dhe Perandorisë Serbe që po shembej, për këtë nuk është zbuluar ende ndonjë dokument.

  8. #8
    3. LINDJA E LETËRSISË SË SHKRUAR NË SHQIPËRI




    3.1 Traditat humaniste të Rilindjes evropiane



    Shqiptarët u kishin dhënë ndihmesën e tyre modeste letërsisë dhe kulturës perëndimore shumë kohë më parë se ndokujt t'i kishte vajtur mendja që ta përdorte shqipen për të shkruar. Afërsia me Italinë, djepi i qytetërimit evropian, dha mundësi që mjaft prej tyre të përfitonin drejtpërdrejt nga kultura humaniste plot jetë e Rilindjes evropiane dhe të merrnin pjesë në të. Në transmetimin e kësaj kulture ndërmjetës ishte Republika e Shën Markut, Venediku.


    Me fillimin e shekullit të pesëmbëdhjetë, fuqia politike e ekonomike plot dinamikë e 'Serenissima-s' e kishte shndërruar Adriatikun në një liqen venedikas dhe kishte përhapur kulturën e idetë e Rilindjes evropiane nëpër bregdetin dalmat e deri në Shqipëri. Ndonëse Shqipëria vetë mbetej një vend malor i ashpër e i thyer, siç kishte qenë gjithmonë, si dhe për shkaqe historike, politike e ekonomike nuk do të zhvillonte një kulturë qytetëse të lulëzuar si ajo në Dubrovnik (Ragusa), Shibenik (Sebenico), Split (Spalato), Trogir (Traù) dhe Zadar (Zara) sipër në veri të bregdetit dalmat, një numër shqiptarësh që jetonin në Itali, do të linin gjurmët e tyre në kulturën latine të Rilindjes evropiane. Shumë nga këto figura qenë pasardhësit e asimiluar të refugjatëve nga Shqipëria veriore katolike, që kishin ikur nga vendi gjatë pushtimit turk e ishin vendosur në fillim në territoret e 'Serenissima-s', pjesa më e madhe në stabilimenti brenda dhe përreth Venedikut. Në historinë e letërsisë shqiptare këto figura përgjithësisht përmenden si "humanistë shqiptarë"(1). Megjithatë, që në fillim, duhet të themi se për arsye historike është mjaft e vështirë të përcaktohet se kush apo çfarë është shqiptare në shekullin e pesëmbëdhjetë e, për rrjedhojë, prejardhja e saktë etnike e këtyre figurave mbetet deri diku e hamendët.


    Gjon Gazulli(2) (1400-1465), i njohur në lat. si Johannes Gazulus (Gazoli) dhe në serbo- kroatisht si Ivan Gazuliƒ, ka qenë astronom e matematikan i njohur me prejardhje shqiptare, që studioi në Padovë dhe jetoi në Dubrovnik, ku dha mësime filozofie, matematike e astronomie dhe iu përkushtua shpikjes së instrumenteve astronomike. Astronomi dhe matematikani bashkëkohës gjerman Johanes Myler (Johannes Müller, 1436-1476), i njohur edhe si Regiomontanus, e përmend në veprën e vetë. Gazulli gjithashtu kryesoi një numër misionesh diplomatike në shërbim të Dubrovnikut e Venedikut dhe ishte aleat i heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut (1405-1468).

    Historiani Marin Barleti(3) (rreth 1450-1512), i njohur në lat. si Marinus Barletius, mendohet të ketë lindur në Shkodër, ku ai përjetoi nga afër rrethimin e dytë të qytetit nga turqit më 1478. Kur Shkodra më në fund ra, Barleti, si shumë bashkatdhetarë, iku në Itali e u vendos në Venedik e më pas në Romë. Atje ra në kontakt me kulturën dhe idetë e Rilindjes italiane, të cilat e frymëzuan për të dokumentuar historinë e turbullt të Shqipërisë gjatë pushtimit turk dhe qëndresën kombëtare të saj nën udhëheqjen e Skënderbeut. Barleti është autor i tri veprave në

    __________________________________________________ _______________

    1 kr. Prenushi 1981, dhe Pipa 1991b.

    2 kr. Prenushi 1981, f. 34-59, dhe Drançolli 1984.

    3 kr. Pall 1938, dhe Shuteriqi 1979a, f. 44-85.
    __________________________________________________ _______________


    gjuhën latine: De obsidione Scodrensi, Venedik 1504 (Rrethimi i Shkodrës); Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis, Romë, rreth 1508-1510 (Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princit të Epirit); dhe Compendium vitarum summorum pontificium et imperatorum romanorum usque ad Marcellum II, Romë 1555 (Përmbledhje e jetës së papëve dhe perandorëve romakë deri te Marceli II).

    'Historia e Skënderbeut' e Barletit është lexuar e përkthyer gjerësisht në shekujt e gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë(4) dhe përbën për ne një burim themelor të dhënash mbi Shqipërinë e shekullit të pesëmbëdhjetë. I ndikuar fort në stil e në mendim nga historianët romakë, sidomos nga Livi (vitet 59 para erës sonë - 17 të erës sonë), Barleti e frymëzoi lexuesin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, pikërisht kur turqit ishin në portat e Vjenës më 1529 dhe që përherë e më shumë po e zinte ankthi i mundësisë së një pushtimi turk të Evropës Perëndimore. Barleti gjithashtu hodhi themelet e asaj çka vetëm mund të quhet kult i Skënderbeut për shqiptarët brenda vendit dhe në diasporë, duke shprehur një nderim të thellë, pothuajse si shenjtor për heroin kombëtar shqiptar, si simbol dhe thelb i qëndresës ndaj sundimit të huaj.

    Një poet latin i Rilindjes evropiane për të cilin është thënë se ka prejardhje arvanitase ishte Mikel Maruli(5) (Michele Marullo Tarchaniotes, 1453-1500), i njohur në latinishte si Michaelis Marullus. Mendohet se ka lindur nga një familje greko-shqiptare me prejardhje nga Moreja pak muaj pas rënies së Konstantinopojës. Familja e tij iku në Raguzë (Dubrovnik), ku që në vogëli, ndjeu së pari ndikimin e qytetërimit të Rilindjes italiane. Më 1470 ai i hyri një karriere ushtarake dhe shërbeu dhjetë vjet si ushtar energjik i fatit në vise të ndryshme të Italisë. Më 1491-1492 ai rivalizoi me Politianin (1454-1494) në Firence dhe më 1495 u martua me poeteshën Alesandra Skala (Alessandra Scala, 1475-1506), ndonëse martesa nuk zgjati shumë. Neaera, së cilës ai i drejtonte vargjet e tij katuliane të dashurisë, duket se ka qenë personifikimi kolektiv i shumë marrëdhënieve pasionante. Maruli është autor i katër librave me epigrame latine, mjaft prej tyre të mbrujtura me një notë melankolie, si dhe i katër librave me 'himne për natyrën', në të cilët ai, me një stil lukrecian, ngre lart forcat mitologjike të natyrës. Maruli, për të cilin Sandro Botiçeli (Sandro Botticelli, 1444-1510) na ka lënë një portret klasik rilindës, u mbyt aksidentalisht në lumin Cecina më 11 prill 1500.

    Leonik Tomeu(6) (Leonicus Thomeus, 1456-1531), i njohur në italishte si Niccolò Leonico Tomeo, lindi në Venedik nga një familje prej Durrësi. Ai studioi letërsi klasike dhe filozofi në Firence dhe u bë profesor i filozofisë në Padovë, ku thuhet se i ka dhënë mësim, mes të tjerëve, edhe Kopernikut. Më pas u vendos në Venedik dhe dha mësim në Scuola degli Albanesi (Shkolla e shqiptarëve). Tomeu qe një dijetar i shquar klasik, i çmuar mjaft nga Erazmi, dhe përktheu veprat e Aristotelit e të filozofëve të tjerë të Greqisë së Lashtë.

    Një tjetër dijetar latin me prejardhje arvanitase pa dyshim ishte Maksim Greku(7) (rreth1480-1556), i njohur edhe me emrat Michael Trivolis, Maksim Hagioriti, në shqipe Maksim ose Mihal Artioti, dhe në italishte Massimo d'Arta. Ai pati lindur në Artë, një qytet në Epir i populluar mjaft nga shqiptarë, dhe studioi latinisht, greqisht, filozofi dhe teologji në Ferrarë, Firence dhe Padovë. Rreth dhjetë vjet ai jetoi si murg në Malin Atos dhe më 1518 u thirr në

    __________________________________________________ _________________

    4 Për përkthimet e para kr. Petrovitch 1881/1967.

    5 kr. Bruns 1893, Sainati 1919, vëll. 1, ff. 69-161, Zakythenos 1928, Croce 1945, vëll. 2, f. 267-380, Perosa 1951, dhe Prenushi 1981, f. 60-76.

    6 kr. Prenushi 1981, f. 117-130.

    7 kr. Denissoff 1943, A. I. Ivanov 1969, dhe Prenushi 1981 f. 149-164. Veprat e tij janë botuar në rusisht, kr. Maksim Grek 1894-1897.
    __________________________________________________ _________________


    oborrin e Vasilit III (sundoi 1505-1533) në Moskë për të përgatitur përkthimet sllave të teksteve liturgjike greke. Maksim Greku luajti një rol të madh në ringjalljen e kishës ortodokse ruse, duke bërë të njohur në Rusi arritjet e filologjisë dhe të studiuesve bizantinë. Ai është autori i më se 150 veprave, ndër to traktate filozofike, teologjike e gramatike, predikime morale dhe përkthime.


    Marin Beçikemi(8) (Marinus Becichemus Scodrensis, 1468-1526), i njohur në italishte Marino Becichemi, ishte nga Shkodra dhe qe mësues në Dubrovnik e në Breshie para se të bëhej profesor i retorikës në Universitetin e Padovës. Ai është autor i një numri veprash latinisht, ndër to një panegjirikë që merret me rrethimet e vendlindjes së tij, Shkodrës, më 1474 dhe 1478. 'Humanistët shqiptarë' të përmendur më sipër, shkrimtarë dhe mendimtarë të shekujve të pesëmbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë, patën pak rëndësi të drejtpërdrejtë për lindjen e letërsisë shqiptare. Ata ishin produkt i kulturës humaniste të Rilindjes italiane dhe, me talentin e tyre, dhanë ndihmesë në zhvillimin e kësaj ringjalljeje të madhe kulturore, që do të kishte një ndikim të tillë mbi qytetërimin evropian. Duke përdorur latinishten si gjuhë universale të shkollës, shkencës dhe artit, ata nuk patën lidhje të tjera me Shqipërinë përveç atyre të krijuara ndoshta nga rrënjët e tyre etnike. Megjithatë, pikërisht në këtë periudhë energjia krijuese e intelektualëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit filloi për herë të parë të kanalizohej drejt përdorimit të gjuhës së tyre për të shkruar. Një letërsi e re ishte në prag të agimit të saj.

  9. #9
    3.2 Fillimet e shkrimit shqip



    Krahasuar me gjuhët e tjera kombëtare të Evropës, shqipja nuk gëzon traditë letrare të gjatë. Në fakt, shqipja është gjuha kombëtare e fundit në Evropë që është dokumentuar. Kjo rrethanë është sidomos për të ardhur keq jo vetëm nga pikëpamja letrare (ndonëse dihet që kemi disa dokumente të shkruara në latinishte për shqiptarët), por edhe nga ajo gjuhësore, d.m.th. nuk ka gjurmë të rëndësishme të gjuhës shqipe që të datojnë para shekullit të pesëmbëdhjetë. Fillimet e letërsisë shqiptare, ose për të folur më saktë për këtë periudhë - të shkrimit shqip, janë të rralla dhe disi të errëta.

    Fillimi i shekullit të pesëmbëdhjetë na vë përpara një tekst kureshtar që mund të përbëjë pikënisjen për shkrimin shqip. Ky është i ashtuquajturi teksti Bellifortis(9), që ruhet në Muzeun Konde (Musée Condé) në Shato dë Shantiji (Château de Chantilly) në veri të Parisit. I datuar 1405, ai përbën një shtojcë prej 29 rreshtash ndaj të ashtuquajturit dorëshkrimi Bellifortis (ms.348/663, fol.153v), një traktat i njohur mesjetar, në pjesën më të madhe në latinishte, mbi armët dhe fortifikimet ushtarake, nga pirotekniku gjerman Konrad Kyezer (Conrad Kyeser, 1366-1405). Kjo shtojcë, që nuk ka lidhje aspak me pjesën tjetër të dorëshkrimit Bellifortis, është një tekst misterioz që merret me ritet e pagëzimit, ku bën pjesë edhe njëfarë ceremonie e pjekurisë seksuale. Tetë rreshtat, ndoshta në shqipen e hershme, janë ndërfutur në tekstin latin. Teksti i përkthyer është:

    "Kjo është bukuria e të dymbëdhjetë shenjave të ndritshme. Djali i virgjër duhet

    __________________________________________________ _______________

    8 kr. Cosenza 1962, Prenushi 1981, f. 131-148, dhe Shuteriqi 1987, f. 40-72.

    9 kr. Elsie 1986b, 1997b.
    __________________________________________________ _______________


    pagëzuar në një ditë me diell në orët e para të mëngjesit, duke e mbajtur atë gjënë e rrumbullakët me dorën e majtë të trupit [të tij] joharmonik. Kurse me dorën e djathtë të ngritur lart ai duhet të mbajë një pishtar, duke shqiptuar dymbëdhjetë herë atë që është perifrazuar. Pas një pauze, vjen ajo që kërkohet, e përshkruar më parë. Vjen e provohet ajo punë e hollë. Ai që e kupton, e di se ç'është kjo punë. Mjafton një shprehje e thjeshtë. I lidhshin e i bashkofshin dymbëdhjetë majat e qiellit me gjithë virtytet që kanë brenda gjërat e paracaktuara

    due racha yze inbeme zabel chmielfet dayce dayci dayze yan yon yan.

    Thuaji djalit [në] veshin e djathtë "ragam", kurse [në] të majtin "echem" aq herë sa lypset përsëritur, derisa të plotësoni normën e trupit joharmonik. Pastaj, profetët Enoh dhe Elias dhe klerikët e lartë të ftuar do të lidhin bashkë gjërat e paracaktuara.

    ragam ragma mathy zagma concuti perbra ista aus auskar auskary ausckarye zyma bomchity wasram electen eleat adolecten zor dorchedine zebestmus lisne zehanar zehanara zensa echem biliat adolecten zeth dorchene zehat stochis lisne zehanar zehanara zehayssa.

    Atë gjënë e mprehur e të fortë sipër duhet ta mbështjellësh me dyllë të paprekur dhe po ashtu gishtin e madh të kthetrës së djathtë të djalit. Gjithashtu, ajo gjëja e rrumbullaktë duhet të mbahet si më lart në dorën e djathtë, dhe nëse ngrihet e rëndohet më shumë, mund të mbahet kështu edhe me dorën e majtë. Rrjedhtë e kaloftë ajo vala me të cilën do të plotësosh atë që kërkohet. Për hir të Zotit."

    Pjesët e paqarta të tekstit Bellifortis përmbajnë namatisje e formula magjike me përsëritje dhe shndërrime fjalësh, pa dyshim për arsye tabush, dhe kësisoj nuk janë menjëherë të përkthyeshme. Me një shqyrtim më të imtë, për shembull, mund të shihet se dy rreshtat e fundit duket se përsërisin dy rreshtat para tyre. Qoftë edhe në këtë formë të gjymtuar, shumë elemente të tekstit jo rastësisht të kujtojnë shqipen. Mister është në një farë mënyre edhe origjina e tekstit Bellifortis. Si ka përfunduar më i hershmi dokument i shkruar i shqipes, po t'i quajmë kështu, në një dorëshkrim për punimet xhenjere e fortifikuese në ushtri në Château de Chantilly? Dihet se Karli Anzhuin zbriti në Vlorë më 1269 dhe tre vjet më vonë e shpalli veten rex Albaniae. Sundimi anzhuin në Shqipëri zgjati deri në mesin e shekullit të katërmbëdhjetë dhe përfundoi në kthimin e disa viseve të Shqipërisë veriore në katolicizëm. Disa nga këta katolikë, ose të paktën disa klerikë frëngj me një farë njohjeje të shqipes, duhet të kenë ikur nga vendi e të kenë vajtur në Itali dhe Francë kur
    u larguan frankët. Prandaj është fort bindëse që folës të shqipes të gjendeshin në Francën e shekullit të katërmbëdhjetë e të pesëmbëdhjetë, ku është ruajtur ky tekst.

    Teksti i kuptueshëm më i lashtë në gjuhën shqipe është një formulë pagëzimi që mban datën 1462 e që thotë: Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë). Autori i kësaj formule ishte Pal Engjëlli (lat. Paulus Angelus, rreth 1417-1470), argjipeshkëv i Durrësit dhe mik i ngushtë e këshilltar i Skënderbeut. Këtë përkthim në shqipe të formulës së pagëzimit, e cila nevojitej shumë për kthimin në fenë katolike të atyre që nuk flisnin latinisht, Engjëlli e përfshiu në një letër pastorale me rastin e një sinodi të mbajtur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Mat më 8 nëntor 1462. Teksti u zbulua në Bibliotekën Laurentiane(10) në Firence nga dijetari rumun Nicolae Iorga

    __________________________________________________ _______________

    10 Dorëshkrim Ashburnham numër 1167.
    __________________________________________________ _______________

    (1871-1940) dhe u botua prej tij më 1915(11).

    Njëzetenjë vjet më pas, më 1483, ndeshemi me një fjali në gjuhën shqipe (çka është njëherazi edhe mallkimi i parë) në një pjesë teatrale të kohës së Rilindjes evropiane me titullin Epirota(12). Në këtë komedi në stilin e Plautit, të shkruar latinisht nga Thoma Mediusi (ital. Tommaso de Mezzo), bashkëkohës dhe i njohur i Xhovani Piko dela Mirandola (Giovanni Pico della Mirandola, 1463-1494), një këngëtar epirot (d.m.th. shqiptar) me emrin Damasken shan një hanxhi që nuk ia pëlqen këngët, duke e mallkuar në gjuhën e vet me fjalët Dramburi te clofto goglie (T'u dridhtë goja). Ky mallkim është në gjuhën shqipe dhe u ngjan shumë sharjeve që përdoren edhe sot, "T'u mbylltë goja", "T'u thaftë gjuha" etj., d.m.th. "Humbsh zërin për të keqen tënde". Pjesa teatrale u botua në Venedik më 1483, ndërsa kjo frazë njihej se ishte në gjuhën shqipe dhe u botua vetëm më 1972(13).

    Një dokument tjetër e më i rëndësishëm i shqipes së hershme është i ashtuquajturi Ungjilli i Pashkëve ose Perikopeja(14), pesëmbëdhjetë rreshta në shkronja greke, të përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut (27: 62-66). Ai u zbulua nga historiani grek Spiridon Lampros (1851-1919) më 1906 në një dorëshkrim greqisht(15) të ruajtur në Bibliotekën Ambroziane në Milano. Teksti, autori i të cilit nuk dihet, është në dialektin toskë, ndonëse jo i përkthyer mirë. Për moshën e tij vlerësimet shkojnë nga shekulli i katërmbëdhjetë në shekullin e tetëmbëdhjetë. Një analizë paleografike e tekstit e përcakton si shkrim të kohës nga shekulli i pesëmbëdhjetë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë.

    Shekulli i pesëmbëdhjetë mbyllet me një tjetër tekst shqip (1497) që ruhet jashtë, kësaj radhe në Gjermani. Është fjalori shqip i Arnold fon Harfit(16) (Arnold von Harff, rreth 1471-1505), një kalorës gjerman, udhëtar dhe shkrimtar, i lindur në një familje fisnikësh në Rinin e poshtëm (në Harff mbi lumin Erft, në veriperëndim të Këlnit). Në vjeshtën e vitit 1496, fon Harfi u nis për një udhëtim, me sa duket një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë, çka e shpuri në Itali, nëpër bregdetin shqiptar, në Greqi, Egjipt, Arabi, Palestinë, Azi të Vogël, dhe pastaj në kthim nëpër Evropën qendrore në Francë e në Spanjë. Ai u kthye në Këln në vjeshtë të vitit 1498 ose 1499 dhe vdiq më 1505. Gjatë udhëtimeve, fon Harfi mblodhi materiale mbi gjuhët që ndeshi në vende të ndryshme. Në një ndalesë në portin e Durrësit në pranverën e vitit 1497, kur po lundronte me anije tregtare me vela nga Venediku në Aleksandri, ai shënoi njëzetegjashtë fjalë, tetë fraza dhe dymbëdhjetë numra në shqipe, të cilat i hodhi bashkë me përkthimin gjermanisht në ditarin e tij të udhëtimit. Përshkrimet e këtij udhëtimi u botuan më 1860(17), dhe konsiderohen si shembujt më të mirë të kësaj gjinie, aq shumë të përhapur në fund të periudhës së mesjetës. Gjatë udhëtimeve fon Harfi tregoi një interesim të vazhdueshëm për gjuhët dhe zakonet e huaja, duke dhënë, përveç materialit në shqipe, edhe fjalorë të shkurtër me fjalë e shprehje në gjuhët kroate, greke, arabe, hebraishte, turke, hungareze, baske dhe bretone. Këto

    __________________________________________________ _________________

    11 kr. Iorga 1915, f. 194-197.

    12 kr. Medius 1516.

    13 kr. Braun & Camaj 1972.

    14 kr. Borgia 1930.


    1906.

    15 Codex 133, f. 63. Martini-Bassi Catalogus Codicum Graecorum. kr. Lampros


    16 kr. Elsie 1984.

    17 kr. Groote 1860.
    __________________________________________________ _________________


    përbëjnë atë që mund të quhej fjalor xhepi për udhëtarë, që zakonisht përfshijnë terma ushqimorë, shtëpiakë e të udhëtimit, si dhe fraza të nevojshme si: "Mirëmëngjesi", "Sa kushton kjo", apo "Grua, a mund të flemë bashkë sonte?" Kjo pyetje e fundit, për një arsye apo për një tjetër, mungon në fjalorin shqip. Me të mbërritur në Durrës, fon Harfi shkruan:

    "Nga Ulqini në Durrës lundruam me një erë shumë të fortë. Ky është një qytet i madh i rrënuar nga turqit, e që tani është nën sundimin e Venedikut. Ky qytet shtrihet në Shqipëri, ku banorët kanë edhe gjuhën e tyre, e cila nuk mund të shkruhet mirë, meqë në këtë vend ata nuk kanë alfabetin e vet. Kam hedhur në letër disa fjalë të kësaj gjuhe shqipe, të cilat po i jap më poshtë me alfabetin tonë:

    1. boicke bukë
    2. vene verë
    3. oie ujë
    4. mische mish
    5. jat djathë
    6. foeije vezë
    7. oitter uthull
    8. poylle një pulë
    9. pyske peshk
    10.krup kripë
    11.myr mirë
    12.kyckge keq
    13.megaruneto(18) ha
    14.pijneto pi
    15.tauernea tavernë
    16.geneyrea(19) burrë
    17.growaa grua
    18.denarye parà
    19.sto(20) po
    20.jae jo
    21.criste zot
    22.dreckthe dreq
    23.kijrija qiri
    24.kale një kalë
    25.elbe elb
    26.fijetto fle
    27.mirenestrasse mirëmëngjes
    28.myreprama mirëmbrëma
    29.meretzewen(21) mirëdita


    __________________________________________________ _________________
    18 më saktë 'me ngrënë'.

    19 më saktë 'një njeri'.

    20 më saktë 'ashtu'.

    21 më saktë 'mirë se vjen'.
    __________________________________________________ _________________

    30. ake ja kasse zet ve(22) çfarë ke që më pëlqen
    31. kess felgen gjo kaffs(23) sa bën
    32. do daple do ta ble
    33. laff ne kammijss(24) laj këmishën time
    34. ne kaffs(25) si quhet
    35. nea një
    36. dua dy
    37. trij tre
    38. quater katër
    39. pessa pesë
    40. jast gjashtë
    41. statte shtatë
    42. tette tetë
    43. nante nëntë
    44. dieta dhjetë
    45. nijtgint njëqind
    46. nemijgo njëmijë"


    Fon Harfi përdori mbi shqipen drejtshkrimin e tij gjerman, i cili natyrisht nuk mund të mbante parasysh e të respektonte fonemat e shqipes që ndryshojnë nga ato të gjermanishtes. Megjithatë, transkriptimi i shqipes(26) prej tij nuk është më i keq se ai i teksteve të tjerë të periudhës, dhe fjalori i tij i xhepit mund të përdoret nga të huajt deri diku edhe sot.

    __________________________________________________ _________________


    22 më saktë 'a ke gjëkafshë të re'.

    23 më saktë 'qysh vlen kjo kafshë'.

    24 më saktë 'laj një këmishë'.

    25 ne kaffs është keqkuptuar nga fon Harfi. Fjalë për fjalë, dhe më saktë, ajo do të thotë 'një kafshë' ose 'një gjë'. Për këtë le të mendojmë udhëtarin e Mesjetës që vjen në Shqipëri dhe kërkon përkthimin e pyetjes 'si quhet?', dhe në vend që të marrë përkthimin i jepet një përgjigje për emrin në shqip të sendit që rastësisht ai mund të ketë treguar me gisht. Kështu që fon Harfi ka identifikuar përkthimin e pyetjes që kërkonte me fjalët shqip të përgjigjes.

    26 kr. Hetzer 1981c.
    __________________________________________________ _________________

  10. #10
    4. FILLIMET E LETËRSISË NË SHQIPËRI.

    SHEKUJT XVI E XVII





    Nga shekulli i pesëmbëdhjetë e këndej, Shqipëria u nda në tri sfera kulturore e gjuhësore të dallueshme nga njëra-tjetra: sfera e turqve myslimanë, ajo e grekëve ortodoksë dhe ajo e 'latinëve' katolikë. Ndonëse fiset malësore vendëse kishin kulturën e vet popullore dhe një letërsi gojore të pasur, ato nuk kishin alfabet dhe, si pasojë, as kurrfarë traditash të shkruara në gjuhën shqipe. Kështu, ato nuk patën mundësi për arsimim të rregullt e kulturë intelektuale, që do t'i kishte dhënë shtytje krijimit të një letërsie të shkruar.

    Këto elemente do të silleshin nga tri kulturat fqinje që e kishin ndarë vendin.
    Kur Perandoria Osmane ishte në kulmin e fuqisë, forcat turke që pushtuan Shqipërinë, sollën me vete një kulturë të re myslimane që do të mbijetonte këtu deri në shekullin e njëzetë. Gjuhët e kulturës dhe të dijes në Shqipërinë myslimane gjatë kësaj periudhe qenë turqishtja, persishtja dhe arabishtja. Arsimimi në gjuhën turke jepte mundësi jo vetëm për karierë fetare, por edhe për karierë politike apo ushtarake në shërbim të Portës së Lartë. Gjuha shqipe qe e pamjaftueshme për realizimin e plotë intelektual në këtë perandori përherë në zgjerim me tradita të pasura kulturore turke e persiane; ajo nuk u zbulua si mjet i krijimtarisë letrare islame veçse në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë.

    Pjesa më e madhe e viseve të Shqipërisë që, me gjithë pushtimet turke, kishin mundur t'i bëjnë ballë kulturës së re e përherë kërcënuese islame, i mbetën besnike kishës ortodokse dhe traditave të ngurtësuara të Bizantit. Por edhe shqiptarët ortodoksë nuk qenë në gjendje të përdornin gjuhën e vet për qëllime arsimore e kulturore, përderisa gjuhët tradicionale të kishës ortodokse, pra edhe të vetmet gjuhë të mundshme për t'u shkruar, ishin greqishtja në jug të vendit dhe sllavishtja kishtare në veri.

    Fuqia e tretë kulturore në këtë vend, ajo e kishës katolike të Romës, nuk i kishte më të pakta synimet për t'i asimiluar shqiptarët e për t'i përfshirë në grigjën e latinishtes e të italishtes. Megjithatë, në disa raste të rralla në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ajo lejoi gjuhën vendëse të kalonte, ka të ngjarë si reagim ndaj reformizmit protestant në Evropën veriore. Në ato vende, njëfarë përdorimi më liberal i gjuhëve kombëtare e lokale shpuri në një lidhje më të ngushtë me kishën, meqë njerëzit e thjeshtë kishin mundësi kësisoj të kuptonin se ç'bëhej e, gjithashtu, në krijimin e shumë letërsive në gjuhën vendëse. Edhe brenda kishës katolike, gjithashtu po ndiehej ndikimi i frymës së humanizmit dhe i respektit për pasionin intelektual, të cilët ishin arritje të Rilindjes italiane.
    Letërsia e hershme shqiptare, ajo e shekujve të gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë, ishte në thelb letërsi fetare.

    Në fillim ajo përbëhej nga përkthime tekstesh kishtare nga latinishtja e italishtja në shërbim të Kundërreformës, kurse më vonë nga vepra origjinale të hartuara me një gjuhë vendëse të re, ende e papërshtatur për abstraksione filozofike e teologjike.
    Karakterin fetar të kësaj letërsie e përcaktuan dy faktorë. Së pari, publikun lexues të asaj kohe në Shqipërinë 'latine' e përbënte tërësisht kleri i shkolluar në pjesën më të madhe në Itali.
    Së dyti, kisha kishte në të vërtetë monopolin e botimeve në Shqipëri si edhe gjetiu, gjë që u linte pak hapësirë krijimeve të tjera që nuk ishin tekste fetare. Autorët e hershëm shqiptarë mund të kenë shkruar apo përkthyer edhe tekste laike, por vepra të tilla nuk e kanë parë dritën e botimit. Në Shqipëri botimi i shkrimeve kurrë nuk ka qenë punë e lehtë. Të vetmet shtypshkronja të asaj periudhe mund të gjendeshin në Itali dhe në bregun dalmat të Republikës së Shën Markut. Përveç kësaj, çdo vepër, qoftë fetare apo laike, duhet të kalonte nëpër një censurë të rreptë para se të merrte 'vulën' e kishës. Në atë kohë të paqëndrueshme të Kundërreformës pikëpamjet dhe mendimet se ç'ishte e parrezikshme për t'u botuar ndryshonin me shpejtësi, çka bënte që shumë vepra të botuara të hiqeshin më pas nga qarkullimi.

    Letërsia fetare, për një numër arsyesh, ishte një shteg i përkryer për përmbushjen e aspiratave të kësaj klase intelektualësh shqiptarë. Nga njëra anë, një literaturë e tillë ndihmonte për përhapjen e doktrinës se kishës katolike, kurse, më anë tjetër, çante rrugën për zhvillimin e një kulture dhe letërsie me tipare dalluese kombëtare shqiptare. Botimet e para fetare në gjuhën shqipe përbënin gjithashtu një akt kundërshtimi ndaj pranisë depërtuese të një kulture myslimane turke në këtë vend.
    Sikundër ka ndodhur shpesh në historinë e letërsisë shqiptare, të shkruarit në gjuhën shqipe përfaqësonte një simbol të qendresës ndaj fuqive të huaja që sundonin në Shqipëri ose mbizotëronin në kulturën e saj.

    Përveç mungesës së mjeteve botuese, shkrimtarët e parë që guxuan të shpreheshin në gjuhën shqipe, u ndodhën edhe para pengesash të tjera. Vetë krijimi i një alfabeti të përshtatshëm për sistemin tingullor të shqipes, problem ky që nuk u zgjidh plotësisht para fillimit të shekullit të njëzetë, kërkonte në fillim frymë të fortë iniciative e energji të mëdha. Së dyti, përshtatja e një gjuhe fisnore për një sistem më të përpunuar e më intelektual komunikimi nxirrte probleme të atilla, që mund të zgjidheshin, në analizë të fundit, vetëm nga dijetarë me formim arsimor të qëndrueshëm. Jo vetëm sistemi i shkrimit, por edhe idetë u sollën nga jashtë e u gatuan për t'iu përshtatur nevojave, aspiratave dhe ëndrrave të popullit shqiptar.

  11. #11
    4.1 Gjon Buzuku dhe libri i parë shqip (1555)



    Vepra e njohur përgjithësisht me emrin Meshari nga Gjon Buzuku është libri i parë në gjuhën shqipe e njëherazi një nga frytet më interesante në historinë e letërsisë shqiptare, të paktën nga pikëpamja gjuhësore e kulturore.
    Për shkak se ballina dhe gjashtëmbëdhjetë faqet e para të kopjes së vetme të njohur të kësaj vepre historike mungojnë, për titullin origjinal dhe vendin e botimit vetëm mund të hamendësohet. Është vërtetë një mrekulli që ky monument i madh i letrave shqiptare ka ardhur deri në ditët tona. Për autorin e Mesharit shqiptar dihet pak. Nga tiparet dialektore të gegërishtes veriperëndimore të tekstit, mund të gjykohet se familja e Gjon Buzukut duhet të jetë diku nga fshatrat e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, ndoshta afër Shestanit, tani në territorin e Malit të Zi. Ato të dhëna të pakta që kemi për Buzukun, vijnë nga pasthënia e Mesharit, të cilën Buzuku e shkroi me dorën e vet në gjuhën shqipe, pa e ditur ç'përmasa historike do të merrte kjo punë e tij:

    "U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s'anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë, për-se ata të mundë mernë s~ i naltë e i mujtunë e i për-mishëriershim anshtë Zot'ynë atyne qi t'a duonë ëm gjithë zemërë. U lus ënbas sodi m~ shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t'inë Zot; e ate në ënbarofshi, Zot'ynë të ketë mishërier ënb§ jã, e ata qi u monduonë dierje tash, m~ mos u mondonjënë. E ju t'ini të zgjiedhunitë e t'inë Zot, e për-herrë Zot'ynë k~ me klenë me jã, ju tue ëndiekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrenbënënë. E këta ju tue b~m, Zot'ynë ka(a) me shtuom ëndër jã, se të korëtë t'aj të ënglatetë dierje ën së vielash e të vielëtë dierje ën së ënbiellash. E u m~ duo të ënbaronj vepërënë t'eme, t'inë Zot tue pëlqyem. Ëndë vietët M.D.L.IV. një-zet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor V. dit. E se për fat në keshe kun ënbë ëndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, ai qi të jetë m~ i ditëshim se u, ata faj e lus t'a trajtonjë ënde e mirë; për-se nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë m~ e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom ënbë gluhët t'anë. Për-se ata qi shtanponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, për-se për-herrë ëndaj 'ta nukë mundë jeshe, u tue ënbajtunë një klishë, ënbë të dí anët më duhee me sherbyem. E tash u jam ënfalë gjithëve, e lutëni t'enë Zonë ende për muo."(1)

    Është thënë në mënyrë bindëse se Buzuku nuk ka jetuar brenda Shqipërisë, por diku në Adriatikun verior në Republikën e Shën Markut, ka të ngjarë në rajonin e Venedikut, ku familje refugjatësh shqiptarë kishin ardhur pas pushtimit turk të Shkodrës më 1479(2). Në Venedik Buzuku duhet të ketë pasur më shumë mundësi se në Shqipëri për shkollimin e nevojshëm letrar e për specializimin si prift. Mendimi i përgjithshëm është se Meshari i Buzukut ka qenë botuar në Venedik, ndonëse po njëlloj mund të mendohet edhe për qendra botuese të bregdetit dalmat. Me sa duket, vepra nuk ka pasur ndonjë përhapje të gjerë, prandaj dhe ka mbetur vetëm me një kopje të ardhur deri në ditët tona.

    Rallësia e saj pa dyshim është rrjedhojë e politikës së lëkundur kishtare gjatë Koncilit të Trentit (1545-1563) e më pas. Ka shumë të ngjarë që, në atmosferën e Reformës, kisha të ketë dhënë në fillim autorizimin për këtë përkthim, por më vonë, në shenjë ripohimi të doktrinës katolike tradicionale të Kundërreformës dhe në atmosferën e përgjithshme të frikësimit që mbretëronte gjatë Inkuizicionit, të jetë orvatur të mos lejojë vepra në gjuhën vendëse. Dihet se shumë vepra fetare e liturgjike kanë qenë ndaluar apo hequr nga qarkullimi
    për një periudhë prej tridhjetë vjetësh nga 1568 deri 1598, dhe është plotësisht e mundshme që Meshari i Buzukut të ketë qenë ndër to. Kjo do të shpjegonte si numrin e vogël të kopjeve të veprës ashtu dhe mungesën e qarkullimit të saj.
    Autorët e mëvonëshëm të letërsisë së hershme shqiptare, si Lekë Matrënga (1567-1619), Pjetër Budi (1566-1622) dhe Frang Bardhi (1606-1643) duket se nuk e kanë njohur Mesharin, ndonëse eruditi Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), në një raport për Propaganda Fiden më 1665, duke cekur çështjen e mungesës së librave në gjuhën shqipe dhe, duke renditur botimet për të cilat kishte dëgjuar, përmend një 'Euangelii in Albanese' (Ungjill në shqip)(3). Është krejtësisht e mundshme që ta ketë pasur fjalën për Mesharin e Buzukut dhe se ka shënuar titullin origjinal të veprës.

    Kopja e vetme e ardhur deri në ditët tona e Mesharit të Buzukut u zbulua rastësisht më 1740 në bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fides prej Gjon Nikollë Kazazit (1702-1752) nga Gjakova kur, si Argjipeshkëv i Shkupit, ishte për vizitë në Romë. Ai e cilësoi këtë zbulim si "një meshar të lashtë shqiptar të rrëgjuar nga koha". Kazazi bëri një kopje fragmentesh të tekstit e ia dërgoi Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta, 1682-1756), themelues i Seminarit shqiptar në Palermo. Dihet se në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë libri ka bërë pjesë në koleksionin e pasur
    të kardinalit Stefan Borxhia, që më vonë përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit(4). Pas shumë vitesh harrimi, Meshari u nxor në dritë nga Monsinjor Pal Skiroi (Paolo Schirò, 1866-1941),

    __________________________________________________ _________________

    1 Transkriptim fonetik nga Ressuli 1958, f. 379.

    2 kr. Zamputi 1988.

    3 kr. Shuteriqi 1977, f. 58.

    4 Ai tani është kataloguar nën Ed. Prop. IV. 244.
    __________________________________________________ _________________


    peshkop e dijetar arbëresh nga Sicilia, i cili e fotokopjoi tekstin më 1909-1910 dhe përgatiti një transliterim e transkriptim të tij. Për fat të keq, studimi i gjerë i Skiroit për Mesharin është botuar vetëm pjesërisht(5). Më 1929 u bënë tri kopje të tjera për studiuesin françeskan Justin Rrota (1889-1964), i cili botoi fragmente të Mesharit një vit më pas në shtypshkronjën françeskane në Shkodër(6). Për herë të parë botimi i plotë u mor përsipër më 1958 nga Namik Ressuli (1908-1985), përfshirë një fotokopje e një transkriptim(7). Dhjetë vjet më vonë, gjuhëtari Eqrem Çabej (1908-1980) bëri botimin e tij kritik në dy vëllime në Tiranë(8). Vëllimi i parë i Mesharit të Çabejt përmban një studim hyrës me një transliterim të të gjithë tekstit; vëllimi i dytë përmban një faksimile të origjinalit dhe një transkriptim fonetik, i cili përbën një ndihmë të madhe për të kuptuar drejtshkrimin e Buzukut, që është shpesh me gabime.

    Meshari në fillim përbëhej prej 110 fletësh ose 220 faqesh, nga të cilat kanë mbetur 94 fletë ose 188 faqe. Libri përmban jo vetëm një meshar (lutje e rite për gjithë vitin), por edhe shumë fragmente të përkthyera nga librat e lutjeve, psallmet dhe litanitë katolike. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e veprës përbëhet nga përkthime prej Dhjatës së Vjetër e të Re, fakt ky që lehtëson mjaft interpretimin e tekstit, i cili nuk u është shmangur gabimeve të shtypit apo kapërcimeve. Të 188 faqet e tekstit përfshijnë 154,000 fjalë me një fjalor të përgjithshëm prej rreth 1500 leksemash(9).

    Meshari u botua në stilin gjysëmgotik të Italisë së veriut me shkronja latine, përfshirë edhe pesë shkronja me prejardhje cirilike për tingujt që nuk gjenden në latinishte apo italishte. Për këtë arsye shtypshkronja e Buzukut duhet të ketë pasur kontakt me serbo-kroatishten, në veçanti me karakteret e shkrimit bukvica të përdorur në Bosnjë. Stili i shkronjave i ngjan atij të përdorur në Venedik më 1523 dhe 1537, ku kishin qenë botuar edhe mesharët në cirilikë për katolikët e Bosnjës. Mario Roku (Mario Roques, 1875-1961) vëren në studimin e tij për tekstet e lashta në gjuhën shqipe(10) se Buzuku u ishte borxhli sllavëve katolikë të Bosnjës, Dalmacisë dhe Serbisë jo vetëm për shkronjat cirilike e për tipografinë venedikase, por ndoshta edhe për vetë idenë që t'u jepte bashkëvendësve një meshar në gjuhën e tyre. Roku, gjithashtu, bën krahasime të përmbajtjes me një meshar boshnjak të botuar më 1512, dhe në veçanti disa elemente françeskane që na japin çelesa të tjerë të tërthortë për të njohur autorin dhe veprën e tij.

    Gjuha e Buzukut, sikundër u tha më sipër, paraqet tipare të gegërishtes veriperëndimore nga viset e bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës, ndonëse në të takohen edhe elemente të dialekteve të tjera. Kjo na shpie në përfundim që Buzuku është përpjekur të përdorë një gjuhë më gjerësisht të kuptueshme se dialekti i tij vendës ose, që mund të jetë edhe më e vërtetë, se ai ka lindur dhe është rritur jashtë Shqipërisë. Jo vetëm që gjuhës së Buzukut i mungon krejtësisht ai ndikim i fortë nga turqishtja i shqipes së mëvonëshme, por ajo edhe përmban shumë tipare çuditërisht arkaike të padokumentuara ndryshe, të cilat deri tani, falë kompleksitetit të sistemit shkrimor të përdorur prej tij, janë hetuar veçse pjesërisht. Për historianët e gjuhës Buzuku është

    __________________________________________________ _________________


    5 kr. Schirò & Petrotta 1932.

    6 kr. Rrota 1930.

    7 kr. Ressuli 1958.

    8 kr. Çabej (red.) 1968.

    9 Për leksikun e Buzukut, kr. K. Ashta, 1964-1966.

    10 kr. Roques 1932b.
    __________________________________________________ _________________


    minierë të dhënash. Gjon Buzuku nuk ishte një krijues i mirëfilltë i letërsisë. Meshari i tij, me përjashtim të pas-shënimit, është thjesht një konglomerat përkthimesh nga tekste fetare në gjuhën latine. Por si autor i librit të parë në shqip, mund të thuhet se është ai që e lindi shqipen letrare. Stili i rrjedhshëm i tij ka bërë që disa studiues të hamendësojnë për ekzistencën e njëfarë tradite letrare në Shqipërinë veriore të asaj kohe, por deri më sot nuk është zbuluar ndonjë vepër më e hershme.

  12. #12
    4.2 Lekë Matrënga dhe Doktrina e Krishterë (1592)



    Lekë Matrënga (Luca Matranga, 1567-1619) ka qenë një klerik ortodoks i bashkësisë arbëreshe të Sicilisë. Ai ka lindur ose në Horën e Arbëreshëvet (ital. Piana degli Albanesi, që në atë kohë quhej Piana dei Greci) në jug të Palermos ose në Monreale, pinjoll i një familjeje arbëreshe që kishte emigruar në Sicili, ndoshta nga Peloponezi, rreth viteve 1532-1533. Data e saktë e lindjes nuk dihet(11). Për pesë vjet, ka të ngjarë nga 1582 deri më 1587, ai studioi në Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë, që kishte qenë themeluar më 1577, dhe pastaj u kthye në Sicilinë e tij të lindjes. Është përmendur në 'Kronikën e të gjithë studentëve të Kolegjit Grek që nga themelimi e deri më 1640', ku shkurt thuhet: "Lekë Matrënga nga Monreale e Sicilisë, me kombësi shqiptare, student i rëndomtë, studioi kulturën e lashtë greke e latine, pastaj u largua për arsye sëmundjeje, pasi kishte kaluar pesë vjet në këtë kolegj".

    Nga një dëshmi pagëzimi mësojmë se Matrënga u mor me detyra pastorale midis arbëreshëve të Horës së Arbëreshëvet në dhjetor 1601. Dëshmia thotë: "Unë, Don Lekë Matrënga, famullitar në këtë kishë të Shën Gjergjit, pagëzova një foshnjë mashkull më tridhjetë të nëntorit të kaluar, birin e Antoni dhe Venera Zalapit, dhe emri iu vu Andrea. Kumbar ishte Françesko i të nderuarve Josep dhe Beatriçe Guzeta, kurse kumbare ishte Domenika, e bija e të nderuarve Josep e Beatriçe Guzeta, e shoqja e Joan Muzakës nga kjo krahinë e Pianës(12)." Për jetën e Matrëngës nuk dihet gjë tjetër. Vdiq si kryeprift më 6 maj 1619.

    Lekë Matrënga ka mbetur si autor i një vepre të titulluar E mbsuame e krështerë(13), Romë 1592 (Doktrina e Krishterë), një katekizëm prej njëzetetetë faqesh i përkthyer nga një vepër latinisht e priftit jezuit spanjoll Jakob Ledesma (1516-1575). Kopja në dorëshkrim e përkthimit, që ka ardhur deri në ditët tona në tri variante të ndryshme(14), i pari nga të cilat është me sa duket me shkrimin e vetë Matrëngës, është kataloguar nën Codex Barberini Latini 3454 në Bibliotekën e Vatikanit. Nga data e shënuar në variantin e parë, mësojmë se Matrënga e ka përfunduar përkthimin e tij më 20 mars 1592 në Piana dei Greci. Varianti i botuar, nga i cili ka shpëtuar vetëm një kopje, u shtyp në Romë nga Gulielm Façoti (Guglielmo Facciotto) 'me lejen

    __________________________________________________ _________________

    11 La Piana 1912, f. 4, jep vitin 1560, por sot kjo datë merret si tepër e hershme. Shuteriqi 1987, f. 97, ditëlindjen e vendos në vitet 1571-1572.

    12 Arkivi i Katedrales në Horën e Arbëreshëve. Regjistri i pagëzimeve, vëll. 3, nr. 835, fletë 85.

    13 kr. La Piana 1912, Rrota 1939, Sciambra 1964, dhe F. Sulejmani 1979.

    14 kr. Riza 1962, 1965b. Një variant tjetër i dorëshkrimit, i zbuluar nga Skiroi më 1909 dhe i përdorur nga La Piana më 1912, me sa duket është zhdukur.
    __________________________________________________ _________________


    e eprorëve' dhe u zbulua nga Mario Roku (Mario Roques)(15). Ai është mbështetur në njërin prej varianteve të dorëshkrimit të redaktuar keq dhe përmban shumë gabime. Titulli i plotë i botimit është:

    "Embsuame e chraesterae. Baeaera per tae Vrtaenae Atae Ladesmae sciochiaeriet Iesusit. E prierrae laetireiet mbae gluchae tae arbaeresciae paer Lecae Matraengnae. Imbsuam i Cullegit Graec tae Romaesae. Dottrina Christiana. Composta dal Reuerendo P. Dottor Ledesma della Compagnia di Giesù. Tradotta di lingua Italiana nell'Albanese per Luca Matranga alumno del Collegio Greco in Roma"

    (Doktrina e krishterë. Bërë nga i urti At Ledesma i Shoqatës së Jesuit. Përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe nga Lekë Matrënga, student i Kolegjit Grek të Romës.)

    Vepra e Matrëngës përmban një hyrje në italishte, një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe vetë katekizmën, e cila është një udhëzim fetar për doktrinat kishtare në formën e pyetje-përgjigjeve. Në hyrje, duke ia kushtuar veprën kardinalit Ludovico II de Torres, argjipeshkëv i Monreales, Matrënga shpjegon se përkthimi ishte bërë për t'u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin italisht të katekizmës në qarkullim, duke theksuar se ai do t'u vlente "qindra familjeve në Kalabri e në Pulje" me prejardhje shqiptare.

    Ndonëse e shkurtër në krahasim me vepra të tjera të letërsisë së hershme shqiptare, vetëm me 28 faqe, Doktrina e Krishterë e Matrëngës është me rëndësi historike e letrare jo vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepra e parë nga një arbëresh dhe e para vepër e shkruar në toskërishte. Të gjithë autorët e tjerë të hershëm shqiptarë, Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, kanë shkruar në dialektin e tyre të gegërishtes. Me sa duket, Matrënga në Sicilinë e vendlindjes nuk do ta ketë njohur Mesharin e Buzukut të botuar tridhjeteshtatë vjet më parë. Ai nuk u ndikua fare nga drejtshkrimi i këtij të fundit. U mjaftua me shkronjat e alfabetit latin, ndërkohë që shkrimtarët shqiptarë veriorë në Ballkan përdornin veç tyre edhe disa shkronja cirilike. Matrënga përdori ae për zanoren e pazëshme që tani shkruhet ë, italishten sc(i) për sh dhe ishte i pari që përdori th për frikativen dentale. Shqipja e tij(16) ka një ngjyrim të fortë me leksik të greqishtes, jo vetëm sepse greqishtja ishte gjuha e kishës ortodokse, por edhe sepse pikërisht nga Greqia kishin ikur arbëreshët e Sicilisë gjashtëdhjetë vjet më parë. Në atë eksod duhet të kenë marrë pjesë gjyshërit e tij, në mos edhe prindërit. Ky shtresim nga leksiku i greqishtes në dialektet arbëreshe ka ardhur duke u dobësuar ashtu si ka ndodhur me leksikun turqisht në shqipen e Ballkanit, i cili pak nga pak ka dalë jashtë përdorimit.

    Vepra e Matrëngës përmban një leksik të përgjithshëm prej 450
    fjalësh. Vjersha e parë që i takoi të botohet në gjuhën shqipe, përbëhet nga tetë vargje në njëmbëdhjetërrokësh me rimë të këmbyer. Ajo përmban një ide prekëse dhe titullohet thjesht 'Canzona spirituale' (Këngë e përshpirtshme):

    "Cghíthaeue u thaerés cúx dó ndaegliésae,
    Tae mírae tae chraextée búra e gráa,
    Mbae fiálaet tae tinaezót tae xíchi méxae,
    Sé síxtae gneríj néx cciae mcátae scáa,


    __________________________________________________ _________________
    15 kr. Roques 1932b, f. 19.

    16 kr. Ashta 1957, 1965.
    __________________________________________________ _________________


    Elúm cúx e cuitón sé cáa tae vdésae,
    E mentae báxcae mbae taenaezónae i cáa,
    Sé chríxti ndae parráisit i baen piésae,
    E baen paer bijr tae tij e paer vaeláa."



    (Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë,
    Të mirë të krështee burra e graa,
    Mbë fjalët të tinëzot të shihi meshë,
    Se s'ishtë njeri nesh që mkatë s'kaa;
    E lum kush e kujton se kaa të vdesë,
    E mentë bashkë mbë tënëzonë i kaa;
    Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
    E bën për bir të ti e për vëllaa.)

  13. #13
    4.3 Veprat e Pjetër Budit (1618-1621)



    Dy breza pas Gjon Buzukut vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë. Pjetër Budi(17) (1566-1622), autor i katër veprave fetare në gjuhën shqipe, lindi në fshatin Gur i Bardhë në krahinën e Matit. Po të rrinte në vendlindje nuk do të kishte marrë shkollimin e nevojshëm të rregullt, prandaj vajti e mësoi për prift në të ashtuquajturin Kolegj Ilirian të Loretos (Collegium Illyricum i Zonjës Sonë të Lurias), në jug të Ankonës në Itali, ku do të studionin shumë shqiptarë e dalmatë me emër. Në moshën njëzetenjëvjeçare u dorëzua prift katolik dhe u dërgua menjëherë në Maqedoni e Kosovë, në atë kohë pjesë të krahinës kishtare të Serbisë nën juridiksionin e Argjipeshkëvit të Tivarit (Antivari), ku dhe shërbeu në famulli të ndryshme në dymbëdhjetë vitet e para. Më 1610 përmendet si 'kapelan i kristianizmit në Shkup', kurse më 1617 si kapelan në Prokuple në Serbinë jugore.

    Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë, Budi erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër Portës.
    Më 1599 Budi u emërua famullitar i përgjithshëm (vicario generale) i Serbisë, post që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, ai jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të nderë. Pozita e tij kishtare ishte nga shumë anë vetëm një mbulesë për aspiratat e tij politike.

    Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin e vet të lirë nga zgjedha turke dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi. Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte me figura që u dëgjohej fjala si Françesko Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe me kryengritës shqiptarë që luftonin për të përmbysur sundimin osman. Por Budi nuk ishte kurrsesi nacionalist mendjengushtë. Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më vonë, synonte një kryengritje të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkatdhetarët myslimanë. Më 1616 Pjetër Budi vajti në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikqyrur botimin e veprave të veta. Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për një pelegrinazh

    __________________________________________________ _________________
    17 kr. Zamputi 1965a, 1985, Domi 1966, 1967, Lacaj 1966, Riza 1979, Svane 1985b, 1985c, 1986b, 1986c, 1986d, 1986e etj., dhe Ismajli 1986.
    __________________________________________________ _________________


    tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë. I kthyer në Romë në vjeshtën e vitit 1619, ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen e kurisë romake kundrejt gjendjes së mjerueshme të të krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje për qëndresë të armatosur. Më 20 korrik 1621 u bë peshkop i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), d.m.th. i krahinës së Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe më fort e natyrës politike se fetare. Një nga synimet e tij ishte që klerikët e huaj të zëvendësoheshin me shqiptarë vendës, veprimtari kjo që nuk duhet të ketë qenë pritur mirë nga disa eprorë të tij në Itali. Në dhjetor 1622, pak ditë para Krishtlindjeve, Pjetër Budi u mbyt duke kaluar Lumin Drin. Është hamendësuar të ketë qenë viktimë e ndonjë komploti për ta zhdukur, ndonëse dëshmitë për këtë nuk janë të sigurta(18).
    Mjaft nga të dhënat biografike që kemi për këtë autor vijnë nga një letër e datuar 15 shtator 1621, të cilën Budi ia drejtonte kardinal Goxadinit (Gozzadini) në Romë, e në të cilën ai parashtron planet dhe strategjinë për një kryengritje në Ballkan. Në këtë letër ai theksonte edhe:

    "... gjatë shtatëmbëdhjetë vjetëve, me aq sa munda, nuk i kam rreshtur kurrë përpjekjet për të ndihmuar e lehtësuar ata popuj, përfshirë edhe priftërinjtë, me modele fetare, duke shkruar vazhdimisht libra fetarë në gjuhën e tyre, si në atë të Serbisë edhe në atë të Shqipërisë, ashtu siç janë parë në mbarë ato vende në ditët tona."

    Kjo do të na jepte të kuptonim se gjatë viteve të shërbimit në Kosovë e Maqedoni, Budi i ka kushtuar energjitë e veta hartimit dhe përkthimit të veprave fetare tashmë të humbura. Përndryshe, si mund të shpjegohej botimi i katër veprave në gjuhën shqipe me gjithsej një mijë faqe brenda pesë vjetësh?
    Vepra e parë e Budit është Dottrina Christiana ose Doktrina e Kërshtenë, një përkthim i katekizmit të Shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më 1618 dhe ruhet një kopje origjinale në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna:

    "Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di Santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de' Superiori."

    (Doktrina e Krishterë, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani kardinal i kishës së shenjtë Santa Maria in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga Reverend Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e eprorëve.)

    E shënuar me dorë në fund të faqes është "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Shën Robert Belarmini nga Montepulçano ishte kardinal dhe jezuit, i kanonizuar dhe deklaruar doktor i kishës më 1930, Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat e tij të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin. E ashtuquajtura Doktrina Kristiane 'e vogël' e tij, një vepër që Kundërreforma e rekomandonte posaçërisht për përdorim misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër

    __________________________________________________ _________________
    18 kr. Zamputi 1958, 1985.
    __________________________________________________ _________________


    gjuhësh, përfshirë gjuhën angleze, uellse, arabe (1613) dhe greke (1616). Përkthimi shqip i Doktrinës Kristiane prej Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe.
    Doktrina Kristiane në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregacioni i Propaganda Fides në Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Propaganda Fides kishte ende gjithsej 960 kopje të librit(19).
    Me interes më të madh letrar se katekizmi vetë janë pesëdhjetë e tri faqe me vjersha fetare shqip, rreth 3000 vargje, shtojcë për Doktrinën e Kërshtenë. Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose italishtja, por një pjesë janë origjinale.

    Botimi i dytë i Budit përmban tri veprat e tij të tjera. Ballina mban titullin:

    "Ritvale Romanvm et Specvlvm Confessionis. In Epyroticam linguam a Petro Bvdi Episcopo Sapatense & Sardanense translata. Sanctissimi Domini Nostri Gregorii XV liberalitate typis data. Romae, apud Haeredem Bartholomaei Zannetti. 1621. Svperiorvm permissv."

    (Ritual romak dhe Pasqyrë rrëfimi. Përkthyer në gjuhën epirote (shqipe) nga Pjetër Budi, peshkop i Sapës dhe Sardës. Dhënë për shtyp me bujarinë e zotit tonë më të përndershëm Grigor XV. Romë. Bartolomeu Zaneti 1621. Me lejen e eprorëve.)

    Po në dorëshkrim në fund të faqes është "Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622). Kjo vepër ende ruhet në Vatikan (Barberini VI. 56).
    Ky botim përmban: 1) Rituale Romanum ose Rituali Roman, një përmbledhje prej 319 faqe lutjesh dhe kungatash me komente në gjuhën shqipe; 2) një vepër e shkurtër me titull Kush thotë Meshë keto kafshë i duhetë me shërbyem, 16 faqe shpjegime meshash, dhe; 3) Speculum Confessionis ose Pasëqyra e t'rrëfyemit, një përkthim 401 faqesh ose, më saktë, një përshtatje e Specchio di Confessione të Emerio de Bonis, i cilësuar nga Budi si "një lloj bashkëbisedimi shpirtëror fetar shumë i dobishëm për ata që nuk kuptojnë gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare shqipe."

    Si Rituali Roman ashtu edhe Pasqyra e të Rrëfyemit kanë shtojcë në vargje në gjuhën shqipe. Gjuha e përdorur nga Budi në veprat e tij është një formë arkaike e gegërishtes që ruan disa tipare fonetike interesante(20). Eqrem Çabej (1908-1980) ka vërejtur se Budi është munduar më fort të ndjekë një farë norme letrare se të shkruajë thjesht në dialektin vendës të tij, gjë që përsëri mund të merret si tregues i ekzistencës së një farë tradite letrare në Shqipërinë veriore. Alfabeti i përdorur prej tij është i ngjashëm me atë të paraardhësit, Gjon Buzukut, ndonëse Budi në asnjë vend nuk e zë në gojë Buzukun.
    Në shikim të parë Pjetër Budi mund të merret si përkthyes dhe botues tekstesh fetare nga latinishtja dhe italishtja. Në të vërtetë rëndësia e tij si shkrimtar i prozës e kapërcen këtë cak. Parathëniet e ndryshme, letrat baritore, shtojcat dhe passhënimet e vëna prej tij e që arrijnë në mbi njëqind faqe prozë origjinale në shqip, zbulojnë një stil dhe talent të konsiderueshëm. Krahasuar me Gjon Buzukun para tij e me Pjetër Bogdanin një shekull më pas, gjuha e tij është

    __________________________________________________ _________________

    19 kr. Archivo storico della S. Congregazione 'de Propaganda Fide', SC Stamperia 2, f. 246.

    1986.

    20 Për gjuhën e Budit kr. Cipo 1952, Çabej 1966, Svane 1980, 1982, dhe Ismajli
    __________________________________________________ _________________


    më e mirëfilltë, më e gjallë e idiomatike. Për shembull, për shumë terma të huaj që përdor, ai përpiqet të japë sinonimet me origjinë nga shqipja. Edhe pse jo aq i hollë e i thellë sa Bogdani me leksikun e tij më të madh, Budi mbetet shkrimtari më i vetvetishëm e më prodhimtar i periudhës. Pjetër Budi është gjithashtu shkrimtari i parë në Shqipëri që iu përkushtua poezisë. Veprat e tij përfshijnë rreth 3300 vargje fetare, thuajse të gjitha në strofa katër vargje me rimë
    të këmbyer. Kjo poezi, nëntëmbëdhjetë poema gjithsej, përfshin si përkthime poetike ashtu edhe poezi origjinale nga Budi vetë, si edhe të paktën një e ndoshta edhe dy vjersha(21) nga një Pal Hasi ose Pali prej Hasit. Pjesa më e madhe e kësaj poezie është tetërrokëshe, që është dhe normë në poezinë popullore shqiptare. Edhe pse poezisë fetare të Budit nuk i mungon stili, meqenëse përmbajtjen e ka imitim të poezisë moraliste italiane e latine të kohës, ajo nuk është mjaft origjinale. Atij i pëlqejnë më shumë temat biblike, panegjirikët dhe motivet universale si, fjala vjen, ai i pashmangshmërisë së vdekjes. As rimat e tij nuk janë gjithmonë elegante, gjë që vjen pa dyshim pjesërisht edhe nga leksiku i tij i kufizuar, që është llogaritur deri në 2453 fjalë(22)
    .
    Në parathënien e tij për Doktrinën e Kërshtenë, Budi thotë: "Më parë hodha (d.m.th. kopjova) në gjuhën tonë dy kapituj të Ditës së Gjyqit të fundit, të shkruar nga shumë i përndershmi e i devotshmi prifti Pal i Hasit." Kjo Ditë e Gjyqit ishte një përshtatje mjeshtërore në gjuhën shqipe, sipas ritmit të saj tetërrokësh, himnit të njohur latinisht të mesjetës Dies irae, dies illa të murgut françeskan Thoma nga Çelano (Thomas a Celano, rreth 1200-1255):

    "Dies irae, dies illa
    Solvet saeclum in favilla,
    Teste David cum sibylla.

    Quantus tremor est futurus
    Quando judex est venturus,
    Cuncta stricte discussurus.

    Tuba mirum spargens sonum
    Per sepulcra regionum
    Coget omnes ante thronum..."

    "Ajo ditë me mënii
    Qi të vinjë ndë e vonë
    Këtë shekullë të zii
    Ta diegë e ta përvëlonjë,

    Si Profeta ban dëshmii
    Me sibilënë, po thonë,
    I madh gjyyq e mënii

    Të vinjë për mkate tonë.
    Saa dridhmë e cokëllimë
    Të jeenë përgjithanë,


    __________________________________________________ _________________

    21 kr. Riza 1979, f. 120.

    22 kr. Ashta 1966.
    __________________________________________________ _________________


    E n qiellshit shkepëtimë
    Nd'ajërit e madhe gjamë...
    (23)"

    Tërheqëse në poezinë e Pjetër Budit e të Pal Hasit janë ndjenja e sinqertë dhe shqetësimi i çiltër njerëzor për vuajtjet e një bote të mbrapshtë. Një vjershë tjetër që përcjell bukur këtë dhembshuri është ajo mbi vdekjen dhe madhështinë e njeriut. Ajo nis kështu:

    "O i paafati njerii,
    Gjithë ndë të keq harruom,
    I dhani ndë madhështii,
    Ndë mkat pshtiellë e ngatëruom;

    Ndo plak jee, ndo j rii,
    Përse s'shtie të kuituom,
    I vobeg ndo zotënii,
    N ceije iee kriiiuom?

    Balte e dheu cë zii,
    E io ari cë kulluom,
    As engjiishi cë tii,
    Ndo guri cë paaçmuom;

    Kaha të vien n dore tyy,
    Mbë të madh me u levduom,
    Ndë sqime e ndë madhështii,
    Tinëzot me kundrështuom?

    Lavdinë tand të levduom,
    Ti pa vene ree vetë,
    Ame cote idhënuom,
    Kuur leve mbë këtë jetë,

    Aty s'prune begatii,
    As vistaar të levduom,
    As urtë a diekëqii,
    As gurë të paaçmuom;

    Aty s'prune madhështii,
    As dinje me ligjëruom,
    As vertyt as trimënii,
    As vetiu me ndimuom;

    Aty s'prune zotënii,
    Kual të bukur as të çpeitë,
    As dinje gjak e gjeni,
    As të mirëtë as të keqtë;



    __________________________________________________ _________________
    23 Tekstet shqip këtu janë të transkriptuar.
    __________________________________________________ _________________


    Po leve gjithë mëndryem,
    Ame n cote idhënuom,
    Tue qaam mallënjyem,
    Me një zaa të helmuom
    (24)..."

  14. #14
    4.4 Frang Bardhi dhe fjalori i tij latinisht-shqip (1635)



    Frang Bardhi (1606-1643) është i katërti në radhën e shkrimtarëve të hershëm shqiptarë me emër. Ai është autor i fjalorit të parë shqiptar, të botuar në Romë më 30 maj 1635, që njëherazi përbën në gjuhën shqipe veprën e parë pa brendi fetare të drejtpërdrejtë. Frang Bardhi, i njohur edhe si Frano Bardhi apo Frangu i Bardhë, kurse në latinishte si Franciscus Blancus apo Blanchus, lindi në Nënshat ose Kallmet (në veri të Lezhës) në krahinën e Zadrimës të Shqipërisë veriore në një familje me tradita në dërgimin e djemve të saj për peshkopë kishe apo për ushtarë a nëpunës të Republikës së Venedikut. Ungji i tij qe peshkop i Sapës e i Sardës. Bardhi u dërgua në Itali ku studioi për teologji, ashtu si Pjetër Budi, në Kolegjin Ilirian të Loretos, afër Ankonës, e më vonë në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Më 30 mars 1636, pa dyshim nën ndikimin e familjes, ai u emërua peshkop i Sapës e i Sardës, duke zëvendësuar të ungjin, i cili u bë kryepeshkop i Tivarit (Antivari). Para nisjes për në Shqipëri më 8 prill të atij viti, ai mori 'imprimatur'-in e domosdoshëm për botimin e dytë të Doktrinës së Kërshtenë të Budit, që mban emrin e tij:

    "Nos Franciscus Blancus Dei, & Apostolicae Sedis gratiae electus Episcopus Sappatensis, & Sardanensis... vidimus ac studiose considerauimus versionem Doctrinae christianae in Epiroticum idioma olim impressam ac publicatam..."

    (Ne Frang Bardhi, në emër të Zotit e të Selisë Apostolike, i zgjedhur peshkop i Sapës dhe i Sardës... kemi parë dhe shqyrtuar me imtësi variantin e Doktrinës së Krishterë në gjuhën epirote të shtypur e të botuar dikur...)

    Që nga viti 1637, Bardhi vazhdoi t'i dërgojë nga Shqipëria Kongregacionit të Propaganda Fides raporte(25) italisht e latinisht, që përmbanin një minierë të tërë të dhënash për dioqezën e tij, për ngjarjet politike, zakonet shqiptare dhe për strukturën e vendin që zinte kisha. Nëntëmbëdhjetë nga këto letra dhe raporte ruhen në arkivin e Propaganda Fides. Më 1641, dy vjet para vdekjes, dihet se ka ardhur në Romë për të dorëzuar një raport me dorën e vet. Pas një jete të shkurtër por të dendur si shkrimtar e si figurë kishtare, Frang Bardhi vdiq më 9 qershor 1643 në moshën tridhjeteshtatëvjeçare.

    Viti i fundit në Kolegjin e Propaganda Fides qe ai kur Frang Bardhi njëzetënëntëvjeçar botoi fjalorin 238-faqesh latinisht-shqip, për të cilin ka mbetur në histori(26). Kjo vepër që mban

    __________________________________________________ _________________

    24 Transkriptimi i përshtatur nga Ismajli 1986, f. 64-67.

    25 kr. Zamputi 1956, 1963b/1965b.

    26 Gjenden dy botime të fjalorit, duke përfshirë të dy kopjet fotostatike të origjinalit: Roques 1932a, dhe Sedaj 1983. Për studime të mëtejshme kr. K. Kamsi 1956, Ashta 1962, 1971-74, Geci 1965, Daka 1983, dhe Demiraj 1986.
    __________________________________________________ _________________


    titullin Dictionarium latino-epiroticum, una cum nonnullis usitatioribus loquendi formulis, Romë 1635 (Fjalor latinisht-epirotisht me disa shprehje të përditshme), përmban 5640 zëra latinisht të përkthyer shqip, plus një shtojcë me pjesë të ligjëratës, proverba dhe dialogë. Në parathënien e tij shqip të titulluar "Githë atyne tarbenesceve ghi ta marrene mee zghiedhune e mee zan", Bardhi shpjegon synimet e tij:

    "Tve passune dite, e perdite (te dascunite e mij mbassi hina nde College) cuituem me ghisc zoppe Libre chesce me ndimuem mbe gna ane ghiuhene tane, ghi po bdarete, e po bastastardhohete saa maa pare te vè; e maa fort me ndimuem gith e atyne ghi iane ndurdhenite tine zot, e te Scintesse Kisce Cattoliche, e sdijne ghiuhene Latine, paa te ssijet as cusc smune scerbegne si duhete, paa te madh error, e fai, hesaapete, zaconete, e Ceremoniate e Scintesse Kiscesse Romesse. Me ndy io pach mire me marre, e me nchethyem nghiuhet ze Letine mbe ghiuhet Tarbenesce gna Ditionaar, ghi tietre sascte vecesse gna Libre, ghi kaa nde uetehe saa fiale, e saa emena iane, e gingene nde chete piesse Seculi: possi cuur me thanë, te Nienezet, e te Stasseuet, & Vienauet, e te Maleuet, e te Fuscavet, e te saa tiera cafsceue, ghi gindene ndene kielt, ende mbi kielt, possi cuur te tine zot, te Engiet, e te Scintenet &c. I silli Libre me pelghiei, e mu duch se chiste me u chiene per ndoogna ndime, ndoonesse te pache..."

    (Pasi vrava mendjen për ca kohë (të dashurit e mij, pasi hyra në kolegj) se me ç'lloj libri do të mundja nga njëra anë të ndihmoja gjuhën tonë që përherë e më tepër po bdaret e po bastardhohet dhe, nga ana tjetër, të ndihmoja të gjithë ata që janë në shërbim të Zotit e të Kishës së Shenjtë Katolike e që nuk e dijnë gjuhën latine, pa të cilën askush nuk mund t'u shërbejë ideve, zakoneve dhe ceremonive të Kishës së Shenjtë të Romës ashtu sikundër duhet, pa bërë gabime të mëdha, mendova se do të ishte ide e mirë të hartoja e të përktheja një fjalor nga gjuha latine në gjuhën shqipe, që nuk është tjetër veçse një libër me fjalë dhe emra të ndeshur në këtë pjesë të botës. Pra, emra njerëzish, kafshësh, ujrash, malesh, fushash dhe gjëra të tjera që gjenden në qiell e në tokë, si dhe zoti, engjëjt dhe shenjtorët etj.. Ky libër më pëlqen mua dhe shpresoj se do t'u ndihmojë sadopak të tjerëve.)

    Siç shihet, dy synimet e këtij fjalori ishin të shpëtonin gjuhën shqipe nga 'bastardhimi' e të ndihmonin klerin shqiptar të mësonte latinishten. Synimi i parë mund të vështrohet në kuadrin e atij ndikimi të fortë që turqishtja po ushtronte mbi gjuhën shqipe në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Si do të çmonte një prift katolik shprehjen 'Allah, Allah!', që Bardhi e jep si shprehje admirimi? Synimi i dytë del qartë në letrat dhe raportet e Bardhit dërguar Romës, në të cilat ai ankohet për nivelin e klerit shqiptar. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kisha katolike në Shqipërinë veriore ishte në gjendje shthurjeje të shpejtë. Shumica e peshkopatave qenë të paplotësuara me klerikë, ndërkaq shumë prej tyre qenë pa shkollë. Pjesa më e madhe e shërbyesve shqiptarë në kisha me sa duket kishin njohuri të cekëta për doktrinën e kishës, kurse shumë syresh, për të mos mbetur prapa kolegëve ortodoksë, qenë të martuar. Synimi i Bardhit ishte t'i ndihmonte për të mësuar latinishten si për të ngritur nivelin ashtu edhe për të kapërcyer nevojën për një kler të huaj shpesh pa emër të mirë brenda këtij vendi, kler ky që, nga ana e vet, e dinte pak ose aspak gjuhën shqipe. Në një rast raportohej me keqardhje se grave shqiptare u duhej të rrëfeheshin nëpërmjet përkthyesit. Në njërin nga raportet e tij, të datuar 8 shkurt 1637, Bardhi shton se kishte përkthyer vepra të tjera kishtare(27) në gjuhën shqipe, çka dëshmon se

    __________________________________________________ _________________

    27 Professione della fede (Dëshmia e fesë) dhe Ordine del Sinodo posto nel pontif. Romano (Rendi i sinodit të vendosur në pontifikatin roman). kr. Shuteriqi 1976, f. 73.
    __________________________________________________ _________________


    fjalori latinisht-shqip nuk qe e vetmja vepër e tij në shqipe. Nuk dihet nëse këto përkthime të tjera u botuan e u vunë ndonjëherë në qarkullim.
    Fjalori i Bardhit është vepra e parë në leksikografinë shqiptare dhe deri diku vepra më e rëndësishme ndër njëzet e dy fjalorët shqip që do të botoheshin më pas deri më 1850. Me sa duket, ka pasur qarkullim të mirë. Më 1759 në depon e Propaganda Fides në Romë(28) gjendeshin rreth 360 kopje të këtij libri. Dictionarium latino-epiroticum nuk është as punim sistematik e as
    i hartuar në një mënyrë të lehtë për nevojat praktike të përdoruesit, por si vepër e parë e këtij lloji, autorit mund t'i falen mangësitë. Bardhi nuk e ka të vështirë të japë në shqipe terma konkretë, por gjuha e tij shpesh ngec e nuk ecën kur ndodhet para konceptesh më abstrakte: materia "aste gna cafsce, seayet te tierate bahene (një gjë nga e cila bëhen gjërat e tjera)", substantia "aste gna caffsce ghi mbaa giaal nierine (një gjë që mban gjallë njeriun)", patria "dheu cu aste leem nierye (dheu ku është lindur njeriu)".
    Me jo më pak interes se vetë fjalori është shtojca prej tridhjetë e tri faqesh, e ndarë në shtatë krerë (1. emra dhe numërorë, 2. tituj familjarë, 3. qytete dhe kështjella, 4. ndajfolje, 5. parafjalë, 6. pasthirrma, 7. proverba, fjalë të urta, dialogë dhe përshëndetje). Një pjesë e mirë e shtojcës është katërgjuhëshe (latinisht, italisht, shqip dhe turqisht).

    Duke renditur fjalorin e tij të shqipes sipas pjesëve të ligjëratës, Bardhi na jep skeletin e një gramatike të shqipes. Të 113 proverbat dhe fjalët e urta që ai përfshin në fjalor, e para përmbledhje e tillë, si dhe dialogët që vijnë më pas, janë me rëndësi parësore si për historianët e gjuhës ashtu edhe për folkloristët.
    Në frymën e shekullit të shtatëmbëdhjetë, para korpusit të fjalorit janë vënë katër vjersha të shkurtra panegjirike latinisht, të shkruara nga bashkëstudentët e Bardhit në Kolegj: Stefan Gaspari (Stephanus Gasparus) nga Durrësi, Françesk Azopardi (Franciscus Azzopardus) nga Malta dhe Mateu Dudesi (Matthaeus Dudesius) nga Dalmacia; vjershat lëvdojnë veprën e Bardhit dhe e krahasojnë me Ovidin dhe Homerin.

    Bardhi ka botuar gjithashtu një traktat shtatëdhjetë e gjashtë faqesh latinisht për Skënderbeun, të titulluar Georgius Castriottus Epirensis vulgo Scanderbegh, Epirotarum Princeps fortissimus ac invictissimus suis et Patriae restitutus, Venedik 1636, (Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbe, vetë Princi i fuqishëm e i pathyeshëm i Epirit, i kthehet popullit dhe vendit të tij), në të cilin ai hedh poshtë mëtimin e peshkopit boshnjak Tomeus Marnavitius se heroi kombëtar shqiptar ishte me prejardhje boshnjake. Ajo është një vepër erudite dhe me ndjenjë atdhetare, e ngjashme me polemikat që bëhen dhe çmohen edhe sot në Ballkan.

    Ndihmesa e Frang Bardhit për vetë letërsinë shqiptare, parathënia e tij gjashtë faqesh për fjalorin e parë shqiptar, është modeste. Por duke u nisur nga mungesa e vazhdueshme e shkrimit shqip në gjysmën e parë të shekullit të shtatëmbëdhjetë, vepra e tij nuk është pa rëndësi të madhe. Si humanist me përkushtim të fortë për përparimin e popullit të vet dhe si dijetar me horizont të gjerë kulturor, ai zë një vend kyç në zhvillimin e kulturës së hershme shqiptare.

  15. #15
    4.5 Pjetër Bogdani dhe Cuneus prophetarum (1685)



    Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), i njohur në italishte si Pietro Bogdano, është shkrimtari i fundit dhe dukshëm më origjinali i letërsisë së hershme në Shqipëri, autor i Cuneus
    __________________________________________________ _________________

    28 kr. Archivo storico della S. Congregazione 'de Propaganda Fide', SC Stamperia 2, f. 257.
    __________________________________________________ _________________


    prophetarum (Çeta e profetëve), vepra e parë e rëndësishme në prozë e shkruar drejtpërdrejt shqip (d.m.th. jo përkthim)(29). Lindur në Gur të Hasit afër Prizrenit rreth vitit 1630(30), Bogdani u edukua me traditat e kishës katolike, së cilës i kushtoi gjithë energjitë e veta. I ungji Ndre Bogdani (Andrea Bogdani, rreth 1600-1683) ishte argjipeshkëv i Shkupit dhe autor i një gramatike latinisht- shqip, tani e humbur. Për Bogdanin thuhet se shkollimin e parë e ka marrë nga françeskanët në Çiprovac të Bullgarisë veriperëndimore dhe pastaj ndoqi studimet në Kolegjin Ilirian të Loretos afër Ankonës, sikundër edhe paraardhësit e tij Pjetër Budi dhe Frang Bardhi. Nga 1651 deri më 1654 ndoqi studimet në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë, ku u diplomua doktor në filozofi e teologji. Më 1656 u emërua Peshkop i Shkodrës, post që e mbajti për njëzet e një vjet, dhe u caktua administrator i Kryedioqezës së Tivarit deri më 1671. Gjatë viteve të turbullta të luftës turko-austriake, 1664-1669, u fsheh në fshatrat Barbullush e Rjoll të Shkodrës.

    Edhe sot e kësaj dite emrin e tij e mban një shpellë ku qe strehuar atëhere. Më 1677 pasoi të ungjin si kryepeshkop i Shkupit dhe administrator i Mbretërisë së Serbisë. Me zellin fetar dhe zjarrin atdhetar në zemër ai mbeti në konflikt me autoritetet turke dhe, në atmosferën e luftës e të rrëmujës që mbretëronte, u detyrua të ikë në Raguzë (Dubrovnik), nga ku vazhdoi rrugën për në Venedik dhe Padovë, me dorëshkrimet me vete. Në Padovë u prit me përzemërsi nga kardinal Gregorio Barbarigo (1622-1697), të cilit i kishte shërbyer në Romë. Kardinali Barbarigo, peshkop i Padovës, ishte ngarkuar për të ndjekur çështjet kishtare të Lindjes dhe kishte interes të madh për kulturën e Orientit, përfshirë Shqipërinë. Ai kishte ngritur edhe një shtypshkronjë në Padovë, Tipografia del Seminario(31), që shërbente për nevojat e gjuhëve orientale dhe kishte matrica për gjuhët hebraike, arabe e armene. Kështu që Bogdani, në punët me vlerë historike që po ndërmerrte, do të ndihmohej nga Barbarigo me dëshirën e mirë, gatishmërinë dhe aftësitë e tij.

    Pasi i vuri punët në vijë për botimin e Cuneus prophetarum, Bogdani u kthye në Ballkan në mars 1686 dhe i kaloi vitet e tjera duke mbështetur qëndresën kundër ushtrive të Perandorisë Osmane, sidomos në Kosovë. Ai organizoi bashkimin e një force prej 6000 ushtarësh shqiptarë me ushtrinë austriake që kishte mbërritur në Prishtinë dhe e shoqëroi në marrjen e Prizrenit. Por atje, ai dhe pjesa më e madhe e ushtrisë së tij u ndeshën me një kundërshtar tjetër po aq të tmerrshëm, me sëmundjen e murtajës. Bogdani u kthye në Prishtinë, por sëmundja e vuri poshtë përfundimisht më 6 dhjetor 1689. I nipi, Gjergji, bënte të ditur më 1698 se eshtrat e të ungjit ishin shvarrosur më pas nga ushtarët turq e tartarë dhe u ishin hedhur qenve në mes të sheshit në Prishtinë. Kështu përfundoi një nga figurat më të mëdha të kulturës së hershme shqiptare, shkrimtari i përmendur shpesh si babai i prozës shqiptare.

    Cuneus prophetarum, traktati i tij i gjerë mbi teologjinë, u botua shqip e italisht pikërisht në Padovë më 1685, me ndihmën e kardinalit Barbarigo. Bogdani e kishte përfunduar variantin shqip dhjetë vjet më parë, por nuk i qe dhënë leja e botimit nga Propaganda Fide, e

    __________________________________________________ _________________

    29 Studimet më të plota për Bogdanin deri më sot janë kryer nga Sciambra 1965 dhe Rugova 1982. Shih edhe Weigand 1927, Zamputi 1954, 1963a, V. Kamsi 1962, Riza 1965a, Redzepagiƒ 1966, Xholi 1986a/1986b, Marlekaj 1989, Shuteriqi 1989, Marquet 1989, 1991, Kostallari (red.) 1991, Plasari 1994b, Fortino 1995, dhe Sh. Osmani 1996.

    30 Disa autorë pëlqejnë ta datojnë vitin e lindjes 1625, por megjithatë viti 1630 ka më shumë të ngjarë.

    31 kr. Bellini 1938.
    __________________________________________________ _________________


    cila urdhëroi që dorëshkrimi paraprakisht të përkthehej(32), pa dyshim për të lehtësuar punën e censorit. Titulli i plotë i variantit të botuar është:

    "Cvnevs prophetarvm de Christo salvatore mvndi et eivs evangelica veritate, italice et epirotice contexta, et in duas partes diuisa a Petro Bogdano Macedone, Sacr. Congr. de Prop. Fide alvmno, Philosophiae & Sacrae Theologiae Doctore, olim Episcopo Scodrensi & Administratore Antibarensi, nunc vero Archiepiscopo Scvporvm ac totivs regni Serviae Administratore"

    (Çeta e profetëve të Krishtit, shpëtimtar i botës dhe i fjalës së tij të vërtetë, botuar në gjuhët italiane e epirote dhe ndarë në dy pjesë nga Pjetër Bogdani i Maqedonisë, student i Kongregacionit të Shenjtë të Propaganda Fides, doktor në filozofi e teologji të shenjtë, ish-peshkop i Shkodrës dhe administrator i Tivarit, kurse tani kryepeshkop i Shkupit dhe Administrator i mbarë Mbretërisë së Serbisë).

    Cuneus prophetarum u shtyp me alfabetin latin sikundër përdorej në botimet italisht, duke shtuar po ato shkronja cirilike që patën përdorur Pjetër Budi e Frang Bardhi, veprat e të cilëve duket se Bogdani i ka njohur. Dihet se gjatë studimeve në Kolegjin e Propaganda Fides, Bogdani ka kërkuar libra shqip nga shtypshkronja e kolegjit: "pesë kopje të Doktrinës së Krishterë dhe pesë fjalorë shqip", me siguri vepra të Budit e të Bardhit. Në një raport dërguar Propaganda Fides më 1665, ai gjithashtu përmend një 'Evangelii in Albanese' (Ungjij në shqip)(33), për të cilët kishte dëgjuar, dhe ka të ngjarë të jetë Meshari i Buzukut i vitit 1555.

    Cuneus prophetarum u botua në dy shtylla përkrah njëra-tjetrës në çdo faqe, njëra shqip e tjetra italisht, në dy vëllime, secili prej tyre kishte katër pjesë (scala). Vëllimi i parë, i cili në fillim ka disa përkushtime e panegjirika të shkruara latinisht, shqip, serbisht dhe italisht, dhe përfshin dy vjersha shqip tetëvargëshe, njëra nga kushëriri i tij Lukë Bogdani (Luca Bogdani) dhe tjetra nga Lukë Suma (Luca Summa), trajton kryesisht tema nga Dhjata e Vjetër: i) Si e krijoi Zoti njeriun, ii) Profetët dhe rrëfimet e tyre për ardhjen e Mesisë, iii) Jeta e profetëve dhe profecitë e tyre, iv) Jeta e dhjetë Sibilave. Vëllimi i dytë, i titulluar De vita Jesu Christi salvatoris mundi (Mbi jetën e Jezu Krishtit, shpëtimtarit të botës), i kushtohet kryesisht Dhjatës së Re: i) Jeta e Jezu Krishtit, ii) Mrekullitë e Jezu Krishtit, iii) Vuajtjet dhe vdekja e Jezu Krishtit, iv) Ringjallja dhe ardhja e dytë e Krishtit. Kjo pjesë përfshin një përkthim nga Libri i Danielit, 9, 24-26, në tetë gjuhë: latine, greke, armene, siriake, hebraike, arabe, italiane dhe shqipe, dhe pasohet nga një krye mbi jetën e Antikrishtit, me tregues italisht dhe shqip dhe me një shtojcë trifaqesh mbi Antichità della Casa Bogdana (Lashtësia e Shtëpisë së Bogdanëve).

    Kjo vepër u rishtyp dy herë nën titullin "L'infallibile verità della cattolica fede", Venedik 1691 dhe 1702 (E vërteta e pagabueshme e besimit katolik)(34).

    Cuneus prophetarum merret si kryevepra e letërsisë së hershme shqiptare dhe është e para vepër me tipare të plota letrare e artistike në gjuhën shqipe. Ajo përfshin një gamë të gjerë: filozofi, teologji, shkencë (me trajtime në gjeografi, astronomi, fizikë e histori). Ndërsa me poezinë dhe prozën letrare të saj prek çështje të estetikës e të teorisë së letërsisë. Ajo është një

    __________________________________________________ _________________

    32 "Compositio de qua fit mentio, translatetur" (Shkrimi për të cilën është fjala, le të përkthehet). kr. Zamputi 1954, V. Kamsi 1962, Riza 1965a, Rugova 1982, f. 46.

    33 kr. Shuteriqi 1977, f. 58.

    34 Cuneus prophetarum gjendet edhe në rishtypje që i është bërë në ditët tona, kr. Bogdani 1977 dhe 1989.
    __________________________________________________ _________________


    vepër humaniste e Epokës Baroke e ndikuar nga traditat filozofike të Platonit, Aristotelit, Shën Agustinit dhe Shën Thoma Akuinit. Qëllimi filozofik themelor i Bogdanit është njohja e Zotit, zbërthimi dhe shpjegimi i problemeve të qenies, çka ai e kryen me armët e arsyes e të mendjes. Edhe pse talenti i Bogdanit bie më shumë në sy në prozë, poezisë së tij të thjeshtë fetare nuk i mungon eleganca. Trungun e poezisë së tij e përbëjnë vjershat për dhjetë Sibilat (e Kumës, e Libisë, e Delfit, e Persisë, e Eritresë, e Samosit, e Kumanit, e Helespontit, e Frigjisë, e Tivolit), vjersha që përshkohen nga prirja e shija baroke për tema fetare dhe aludime klasike. Ja, për shembull, Sibila e Persisë:

    "Kumbon zani malsh e keletth ndë shkretëti,
    Xihariq me dhan'e u e të dërejtë,
    Shekullit me çelë, e fajevet për mengji,
    Pagëzimnë predikon mbë ketë jetë,
    Kuj do me shelbuem pa rrenë e sherregji,
    Ndë parrijsit vendtë gjanjë si do vetë,
    Tue trusun' kryetë asaj bishe,
    Mirë tu bam, e shpesh tu votë n'kishe."


    Nga të gjithë shkrimtarët e tjerë të hershëm shqiptarë Bogdanin e dallon shqipja e tij e veçantë. Ai kishte një interesim të vetëdijshëm për fjalët e vjetra të harruara si dhe një leksik shumë të pasur, të cilin e përdori me mjeshtëri për të shprehur nocione të reja abstrakte. Bogdani filozofon mbi skolasticizmin dhe teologjinë me siguri dhe zhdërvjelltësi, ndërkohë që paraardhësi Frang Bardhi, pesëdhjetë vjet para tij, kishte hasur vështirësi të dukshme për të shprehur nocione abstrakte të çdo lloji. Në veprën e Bogdanit ndeshemi për herë të parë me atë që mund të quhet gjuhë letrare. Kësisoj, ai e meriton të mbajë cilësimin e babait të prozës shqipe.

  16. #16
    4.6 Veprat dytësore të shekullit të shtatëmbëdhjetë



    Vepra të tjera të letrave shqiptare janë të pakta e të rralla, larg njëra-tjetrës, si palma që shfaqen aty-këtu në horizontin e një shkretëtire letrare. Asnjëra syresh nuk ka ndonjë vlerë të veçantë letrare, edhe pse, në këtë periudhë, çfarëdo shkrimi në gjuhën shqipe mund të marrë rëndësi kulturore, gjuhësore e historike.
    Për qenien e një numri veprash në gjuhën shqipe në shekullin e shtatëmbëdhjetë dihet vetëm ngaqë përmenden ose prej autorëve të tyre ose nga studiues të mëvonshëm. Më sipër zumë në gojë, për shembull, dy përkthimet fetare që Frang Bardhi njofton se i ka bërë dhe gramatikën latinisht-shqip të Ndre Bogdanit, ungji i Pjetër Bogdanit.

    Një përkthim tjetër fetar në shqipe ishte ai i Neofit Rodinosë (Neofito Rodinò, 1576-1659), misionar qipriot. Rodinoja ka kaluar disa vjet në ngulimet arbëreshe në Italinë jugore, përfshirë Munxifs (ital. Mezzoiuso) në Sicili dhe Barill (ital. Barile) në Potenzë. Nga 1628 deri më 1643 ai jetoi dhe punoi në krahinën e Himarës në Shqipërinë jugore. Bashkë me studentin e tij Dhimitër Delvina (Demetrio Dervino), prift shqiptar, ai përktheu shqip një Doktrinë të Krishterë për përdorim fetar. Origjinali ndoshta ka qenë ai i Jakob Ledesmës(35), i përkthyer më

    __________________________________________________ _________________

    35 kr. Shuteriqi 1976, f. 74.
    __________________________________________________ _________________


    parë nga Lekë Matrënga. Në letrën dërguar Propaganda Fides më 28 gusht 1637, Rodinoja shkruante:

    "Tra alcuni scolari mei che tengo, vi è un sacerdote detto Demetrio, il quale possede elegantissimamente la lingua albanese per esser della nation, et è catholico vero; perciò mi sono posto a tradur la dottrina christiana, quella che è contenuta in soli duoi fogli, in questa lingua, la qual spero in Iesu Christo sarà di utilità apreso loro. Con altra occasione, e spero presto, la manderò, perchè ancora non è finita, pregando a Vostra Signoria Illustrissima la proponga alla Sagra Congregatione, acciò dii ordine che si stampi."

    (Ndër studentët e tjerë që kam është një prift me emrin Dhimitër, që e di gjuhën shqipe në mënyrë shumë të zhdërvjelltë, meqenëse është i atij kombi dhe katolik i vërtetë; për këtë arsye, i hyra përkthimit të Doktrinës së Krishterë, që jepet në këtë gjuhë vetëm në dy vëllime e që besoj në Jezu Krishtin se do t'u vlejë atyre. Do t'ua dërgoj më vonë, shpresoj së shpejti, meqë ende nuk e kam përfunduar, me lutje Shkëlqesive Tuaja që t'ia propozoni Kongregacionit të Shenjtë në mënyrë që të japin urdhrin për ta botuar.)(36)

    Por Kongregacioni i Shenjtë i Propaganda Fides, si zakonisht, nuk ishte fort i interesuar për të pasur vepra fetare në gjuhën shqipe, iu përgjigj vetëm se Doktrina e Krishterë ishte përkthyer e botuar tashmë shqip, duke e pasur fjalën sigurisht për botimin e dytë të përkthimit të Pjetër Budit, dhe se nuk ishte nevoja t'i hynte mundimit për ta përkthyer përsëri. Kështu vepra e Neofit Rodinosë mbeti në dorëshkrim dhe humbi. Sikundër kemi vërejtur më sipër, mjaft nga të dhënat tona për Shqipërinë në këtë periudhë dalin prej letrave dhe raporteve dërguar Propaganda Fides nga misionarë dhe kishtarë vendës që shërbenin në Ballkan. Këto raporte shpesh përfshinin jo vetëm çështje të lidhura me kishën, por edhe të dhëna të rëndësishme për zhvillimet politike, si dhe për historinë, gjeografinë dhe zakonet e popullsisë fisnore vendëse.

    Në njërin nga këto raporte, me datën 14 shkurt 1633 dhe me titullin 'Trajtesë e shkurtër për kombin shqiptar e, në veçanti për banorët e malësisë së Dukagjinit', hasim një listë me tridhjetë e dy fjalë shqip(37), për të cilat autori i saj Pjetër Mazreku (Pietro Maserecco, vd. 1634), nga Prizreni, kryepeshkop i Tivarit, orvatet të japë etimologji dhe shpjegime. Shumë prej tyre të kujtojnë imagjinatën naive të Shën Isidorit të Seviljes njëmijë vjet para tij. Pjetër Mazrekut mund t'i njihet kësisoj merita e babait të studimeve etimologjike shqiptare.

    Në vitin 1638 u botua në shqipe një vjershë e Zhan Zhak Bushar-it (Jean Jacques Bouchard, 1606-1641?) në një libër me titull Monumentum romanum, Nicolao Claudio Fabricio Perescio, senatori Aquensi doctrinae virtutisque causa factum, Romë 1638, që përmbante tipa vjershash në shumë gjuhë asokohe ekzotike si, fjala vjen, gjuhët hindu dhe japoneze, kushtuar Nikola Klod Fabri de Peires (Nicolas Claude Fabri de Peiresc), mecenat frëng i arteve dhe shkencave nga Aix-en-Provence dhe mik i filozofit Pier Gasendi (Pierre Gassendi, 1592-1655) dhe i astronomit Galileo Galilei (1564-1642). Autori arbëresh i vjershës në shqip, Daniel Korteze (Daniel Cortese), pati lindur në Ungër (ital. Lungro) në Kalabri më 1617 dhe pati ndjekur studimet në Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë nga viti 1631 deri më 1639, ashtu si dhe Lekë Matrënga një shekull para tij. Vjersha e tij me gjashtë vargje 'Carmen albaniense sev epiroticvm' (Këngë shqiptare apo epirote) është një panegjirikë e

    __________________________________________________ _________________

    36 kr. Karalevskij 1912, f. 196.

    37 kr. Roques 1932a, Zamputi 1964a, 1964b, L. Marlekaj 1995.
    __________________________________________________ _________________


    thjeshtë e pa ndonjë meritë të vërtetë letrare a gjuhësore(38).

    "Scerbese himiri hiscte na ringraziome
    Atà ce ben mirè ghidhue cusctii hisctè
    Zoti NICOLO ce beri mirè ghidhue
    Asctu vete iemi baiture na te
    Ringraiziome atà edhue na me
    Gliucha dhenè"


    (Është shërbim i mirë. Falënderojmë
    Ata që të gjithëve u bëjnë të mira. Kështu ishte
    Zoti Nikolla, i cili të gjithëve u bënte mirë.
    Prandaj vetë jemi të shtrënguar
    T'i falenderojmë edhe ne
    Në gjuhën tonë.)

    Duke gjykuar nga drejtshkrimi, ka të ngjarë që Daniel Korteze të jetë njohur me veprat e Gjon Buzukut, Pjetër Budit dhe Frang Bardhit, ndonëse jo doemos edhe me ato të Lekë Matrëngës. Vjersha e tij e vogël përbën dokumentin e tretë më të vjetër në dialektin tosk (pas Ungjillit të Pashkëve dhe Matrëngës) dhe të parin dokument nga Kalabria.

    Një tjetër Doktrinë e Krishterë, që ndoshta mbetet për t'u zbuluar, është ajo e Bernardit të Kuintianos (Bernardus a Quintiano apo Quinzano) ose të Veronës. Është një përkthim në gjuhën shqipe i së ashtuquajturës Doktrinë e Krishterë 'e vogël' e Shën Robert Belarminit (1542-1621), e përkthyer gjithashtu nga Pjetër Budi më 1618. Bernardi(39) ishte një prift françeskan dhe misionar që shërbeu në Shqipëri nga viti 1636 deri më 1649, ku thuhet se e mësoi mirë gjuhën. Doktrina e tij e Krishterë u botua vërtet në Venedik më 1675. Pjetër Bogdani e njihte këtë vepër dhe në një letër dërguar Propaganda Fides nga Shkodra më 3 janar 1676 njoftonte:

    "Gjatë kohës që kalova në Venedik verën e shkuar sigurova dhe me shpenzimet e mia rishtypa Doktrinën e Krishterë të vogël në gjuhën shqipe e në italishte të përkthyer me saktësi nga Reverendi At Bernardi i Veronës, dhe meqë i mora të gjitha kopjet me vete për t'ua shpërndarë klerikëve anembanë Shqipërisë, e gjykova të nevojshme t'i dërgoj një kopje Kongregacionit të Shenjtë nëqoftëse ata dëshirojnë ta ribotojnë në Propaganda Fide për t'u dhënë mundësi brezave të ardhshëm, ngaqë është mjaft e frytshme.(40)"

    Një vepër tjetër që me siguri do të ishte me interes për leksikografët, është një Dictionarium epiroticum, një fjalor shqip i hartuar para vitit 1678 nga një Leo i Çitadelës (Leo da Cittadella), një misionar italian që shërbeu në dioqezën e Shkodrës më 1671. Vdiq më 1678. Si e ku, mbetet e panjohur.

    __________________________________________________ _________________

    38 kr. Shuteriqi 1958, 1973, f. 72-73.

    39 kr. Roques 1936b, f. 33-34, Shuteriqi 1976, f. 79.

    40 kr. Arkivi i Propaganda Fides, S. R. C. Albania II, f. 137. Nëse Doktrina e Krishterë e Bernardit të Kuintianos ruhet ende në bibliotekën e Propaganda Fides, kjo është e vështirë të thuhet, përderisa ende nuk ka kurrfarë katalogu të hollësishëm të materialeve të këtij arkivi historik që mund të kenë vlera albanologjike. kr. Kowalsky & Metzler 1983.
    __________________________________________________ _________________


    Arkivi i Propaganda Fides përmban gjithashtu një letër të shkruar shqip, me datën 30 mars 1689(41). Ajo u drejtohet autoriteteve kishtare nga pleqësia e Gashit në Shqipërinë verilindore, për t'u tërhequr vëmendjen lidhur me gjendjen e tyre, sidomos për faktin se për katër vjet me radhë kishin pritur t'u vinin priftërinjtë e premtuar nga Kongregacioni i Shenjtë. Arsyeja e përfshirjes së tekstit shqip të letrës, të hartuar për ta së bashku me variantin italisht nga famullitari dalmat i Pultit Xhorxhio Toliç (Giorgio Tolich), ishte pa dyshim që të theksonin vështirësitë gjuhësore me të cilat po ballafaqohej kisha në Shqipëri. Kuptimplotë është fakti se Toliçi përdor drejtshkrimin e Budit dhe Bogdanit, tregues ky se veprat e këtyre dy shkrimtarëve njiheshin prej tij.

    Një vepër e shënuar e leksikografisë shqiptare, e hartuar para vitit 1694, është fjalori shqip-italisht, italisht-shqip(42) i murgut sicilian Nilo Katalano (Nilo Catalano, 1637-1694). Katalano ka lindur afër Mesinës në Sicili dhe ka shërbyer si misionar në krahinën e Himarës në bregdetin e Shqipërisë jugore, ashtu si dhe bashkatdhetari i tij Neofit Rodino. U emërua kryepeshkop i Durrësit dhe famullitar apostolik i Himarës më 1693 dhe vdiq një vit më pas më
    3 qershor. Dihet gjithashtu se u ka dhënë mësim të gjuhës shqipe arbëreshëve të Munxifsit (ital. Mezzoiuso). Dorëshkrimi i veprës së tij Vocabolario albanese-italiano et italiano-albanese (Fjalor shqip-italisht dhe italisht-shqip) u bë i ditur nga Xhuzepe Krispi (Giuseppe Crispi, 1781-1859)(43) se ndodhej në Bibliotekën e Seminarit Shqiptar në Palermo më 1831. Më vonë ai ra në duart e studiuesit dhe shkrimtarit arbëresh Xhuzepe Skirò plaku (Giuseppe Schirò senior, 1865-1927)(44), i cili thotë se fjalori është në dialektin verior gegë (që nuk flitet as në Sicili e as në Himarë) dhe shpreh pikëpamjen se për këtë arsye ai mund të jetë një kompilim i fjalorit të Frang Bardhit dhe i veprave të Pjetër Budit e të Pjetër Bogdanit(45). Fjalori shoqërohet me shënime gramatikore për gjuhën shqipe dhe me dy faqe me shkrim grek. Ai përmbante në fillim edhe një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe të shkruara me alfabetin grek, përfshirë 'Këngën e Pal Golemit', që Skiroi e botoi më 1923(46). Nëse këto këngë janë ende në këtë dorëshkrim, ato do të përbënin përmbledhjen më të vjetër të këngëve popullore arbëreshe, duke ia kaluar me mbi dyzet vjet më herët përmbledhjes që mendohet se e ka bërë Nikollë Filja (Nicolo Figlia, 1682?-1769).

  17. #17
    4.7 Përfundime



    Të pesë shkrimtarët kryesorë shqiptarë të shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe

    __________________________________________________ _________________
    41 kr. Bartl & Camaj 1967.

    42 kr. Roques 1932b, f. 35-36, Dh. Shuteriqi 1976, f. 88, 1995, Kastrati 1980, f. 4-6.

    43 kr. Crispi 1831.

    44 Shuteriqi 1976, f. 88, njofton se ky dorëshkrim ndodhet sot në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës. Por Gangale 1973 nuk e përmend fare në katalogun e tij të Koleksionit Shqiptar (Albansk Samling) të shënuar atje.

    45 kr. G. Schirò 1917-1918.

    46 kr. G. Schirò 1923, f. 22-25.
    __________________________________________________ _________________


    shtatëmbëdhjetë: Gjon Buzuku, Lekë Matrënga, Pjetër Budi, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani, formojnë bërthamën e letërsisë së hershme shqiptare. Ata i dhanë kësaj letërsie frymëmarrjen e parë të talentit krijues dhe farën e imët të zhdërvjelltësisë dhe nivelit artistik. Së bashku me një radhë autorësh dytësorë që u përmendën më sipër si dhe pa dyshim me të tjerë që u kanë humbur analeve të historisë së letërsisë, ata sollën në jetë një letërsi që u zhvillua vrullshëm, por që do të mbytej në djep, si të thuash, nga shtrëngesat e rrjedhës së historisë shqiptare. Ato që mund të kishin qenë rrënjë të forta të një letërsie kombëtare dinamike, si ato që u rritën në rajonet më fatlume të Evropës në shekullin e shtatëmbëdhjetë, u këputën dhunshëm nga pushtimi turk dhe, si pasojë, nga dobësimi dhe rënia e mbrojtësit disi kontradiktor të Shqipërisë, kishës katolike.

    Pushtimi turk dhe kolonizimi i vendit, që kishte filluar që më 1385, e ndau Shqipërinë në tri sfera kulture, të gjitha në thelb të pavarura nga njëra-tjetra: kultura kozmopolite e Orientit islamik që përdorte në fillim turqishten, persishten dhe arabishten si mjete shprehjeje, trashëgimia e zgjatur bizantine e Ortodoksisë greke në Shqipërinë jugore dhe kultura në zgjim e arbëreshëve në Italinë e jugut, të ushqyer nga një klimë shoqërore, politike, ekonomike më e favorshme si edhe nga trualli intelektual i qytetërimit italian. Me pushtimin osman të Ballkanit, letërsia e hershme shqiptare menjëherë rrudhet e rrëgjohet dhe me aq mbyllet përfundimisht kreu i parë i shquar i historisë së kësaj letërsie. Deri para se të vinte lëvizja e Rilindjes Kombëtare, në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, letërsia në Shqipëri nuk do të mund të rifitonte atë karakter jetësor që kishte pasur në shekujt e gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë. Letërsisë kombëtare do t'i duhej përsëri të fillonte nga e para.

  18. #18
    5. SHKËLQIMI I ORIENTIT.
    LETËRSIA MYSLIMANE E SHEKULLIT XVIII DHE FILLIMIT TË SHEKULLIT XIX





    5.1 Kushtet historike dhe kulturore



    Më 28 qershor 1389 turqit mundën koalicionin e forcave ballkanike nën udhëheqjen serbe në Fushë-Kosovë, dhe u bënë zotër të Ballkanit. Më 1393 turqit kishin pushtuar Shkodrën, ndonëse venedikasit do ta rimerrnin pas pak kohe bashkë me kështjellën madhështore të saj. Pushtimi i Shqipërisë vazhdoi edhe në vitet e parë të shekullit të pesëmbëdhjetë. Kështjella malore e Krujës u mor më 1415, kurse qytetet po aq strategjike të Vlorës, Beratit dhe Kaninës
    në Shqipërinë e jugut ranë më 1417. Deri më 1431 turqit e kishin përfshirë Shqipërinë jugore brenda Perandorisë Osmane dhe kishin ngritur administratën e 'sanxhakut' me kryeqytet Gjirokastrën, të pushtuar më 1419. Shqipëria feudale e veriut mbeti në dorë të fiseve autonome, ndonëse tani nën suzerenitetin e Sulltanit.

    Pushtimi turk nuk u prit pa kundërshtime nga ana e shqiptarëve, sidomos në kohën e Gjergj Kastriotit, të njohur me emrin Skënderbej (1405-1468), princ dhe tani hero kombëtar. I dërguar nga i ati si peng te Sulltan Murati II (sundoi 1421-1451), djaloshi Kastriot u kthye në fenë islame dhe mori shkollim mysliman në Edrene (Adrianopol). Turqit e quajtën Iskander dhe i dhanë titullin bej, nga edhe vjen emri Skënderbej. Më 1443 Skënderbeu përfitoi nga shpartallimi i turqve në Nish nga ana e komandantit hungarez Janosh Huniadi (rreth 1385-1456) dhe braktisi ushtrinë osmane, u kthye në Shqipëri dhe ripërqafoi kristianizmin. Arritja e madhe e parë e tij qe bashkimi i fiseve feudale të përçara të Shqipërisë veriore në Lidhjen e Lezhës më 1444. Me anë të një dredhie ai mori kështjellën e Krujës dhe u shpall kryekomandant i një ushtrie shqiptare, e cila, ndonëse e pavarur, as mund të krahasohej me fuqinë kolosale ushtarake të turqve. Më 1453 vetë Konstantinopoja ra në duart e forcave të Sulltan Mehmetit II Ngadhënjimtarit (sundoi 1451-1481), duke i dhënë fund kësisoj Perandorisë Romake Bizantine njëmijëvjeçare të Lindjes. Por Shqipëria, ndonëse e braktisur në fatin e saj, nuk do të dorëzohej lehtë.

    Në vitet më pas, Skënderbeu zmbrapsi me sukses trembëdhjetë sulme osmane, përfshirë edhe tre rrethimet e mëdha të kështjellës së Krujës, të udhëhequra nga vetë sulltanët (Muradi II më 1450 dhe Mehmeti II më 1466 dhe 1467). Për qëndresën ndaj turqve ai gëzoi adhurimin e madh të botës kristiane dhe iu dha titulli 'Atleta Christi' nga papa Kalisti III (sundoi 1455-1458). Qëndresa shqiptare u mposht vetëm pas vdekjes së Skënderbeut më 17 janar 1468 në Lezhë. Më
    1478 kështjella e Krujës u mor përfundimisht nga forcat turke, më 1479 ra Shkodra dhe, më në fund, më 1501 ra Durrësi. Me fundin e shekullit të gjashtëmbëdhjetë Perandoria Osmane ishte ngritur në zenitin e saj politik dhe Shqipëria do të nënshtrohej krejt gjatë katër shekujve të kolonizimit turk, i cili ia ndërroi rrënjësisht faqen vendit.

    Studiuesit e sotëm shqiptarë kanë prirjen t'i vështrojnë pasojat e këtyre shekujve të sundimit turk si tërësisht negative, me hordhi barbare aziatike që shkatërrojnë dhe plaçkisin një vend që, përndryshe do të kishte lulëzuar në djepin e qytetërimit evropian. Kjo pikëpamje mjaft e njëanshme vjen e përcaktohet në një shkallë të madhe nga përvoja e lëvizjes kombëtare shqiptare në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur Perandoria Osmane qe në një periudhë kalbëzimi të thellë. Edhe pse pushtimi turk i Shqipërisë u solli vuajtje të pafundshme banorëve të këtij vendi, ai solli edhe një kulturë të re e të përpunuar, e cila më vonë do të bëhej pjesë përbërëse e identitetit shqiptar.

    Islami, si një fé e re, kishte çarë midis veriut katolik dhe jugut ortodoks të Shqipërisë dhe, me kalimin e kohës, u bë besimi sundues i vendit. Ndonëse gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të sundimit turk ndër vetë shqiptarët kishte pak myslimanë, deri në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë llogaritet se pesëdhjetë përqind e popullsisë së Shqipërisë veriore ishin kthyer në fenë islame(1.) Katolicizmi romak dhe ortodoksizmi grek e serb në Shqipëri kishin qenë, në fund të fundit, mjete transmetimi kulturash të huaja, të vëna në lëvizje nga gjuhët e huaja. Ato ishin fe në të cilat shqiptarët, në krahasim me fqinjët serbë, bullgarë e grekë, kishin qenë konvertuar vetëm në mënyrë të sipërfaqshme. Kthimi masiv i popullsisë shqiptare në fenë islame bëhet edhe më i kuptueshëm po të kemi parasysh taksat e rënda (haraç) që iu vunë rajave, banorëve kristianë të Perandorisë.

    Hasan Kaleshi (1922-1976)(2) ka shprehur një mendim bindës kur ka thënë se pushtimi turk i Ballkanit e pati të paktën një rrjedhojë pozitive - i shpëtoi shqiptarët nga asimilimi etnik prej sllavëve, ashtu si sikundër vërshimi sllav në Ballkan në shekullin e gjashtë i pati dhënë fund procesit të romanizimit që kishte kërcënuar me asimilim paraardhësit jo-latinishtfolës të shqiptarëve një mijë vjet më parë. Ndonëse të panjohur nga turqit si pakicë etnike (popullsia e Perandorisë Osmane ndahej sipas fesë e jo sipas kombësisë), shqiptarët ia dolën mbanë të mbijetonin si popull dhe, në thelb, të zgjeronin zonat e ngulimeve të tyre nën sundimin turk. Shkodra dhe qendrat e tjera qytetëse përgjatë bregdetit shqiptar u bënë për të parën herë qytete të vërteta shqiptare dhe me popullsi shqiptare.

    Perandoria Turke, me organizimin e saj qendror dhe bazën pushtetore të përqendruar në Stamboll, e la Shqipërinë në një amulli kulturore e politike, siç kishte qenë që në fillim, ndërsa kultura turke osmane, që do të arrinte kulmin gjatë Epokës së Tulipanit në shekullin e tetëmbëdhjetë, depërtoi thellë në mbarë vendin. Qytete jugore e qendrore të Shqipërisë si Berati dhe Elbasani me kalatë, xhamitë dhe medresetë e ndërtuara rishtas, u bënë qendra krahinore të dijes orientale dhe përjetuan vërtet njëfarë rilindje kulturore nën Islamin, ashtu si dhe Shkodra e Gjakova në veri. Poetë, artistë dhe dijetarë shëtitës filluan të gëzojnë përkrahjen e qeveritarëve dhe pashallarëve vendës ashtu si ndodhte në mbarë Azinë e Vogël.

    Sikundër autorët e parë të Shqipërisë kristiane kishin shkruar latinisht apo greqisht, ashtu edhe shkrimtarët e parë nga Shqipëria myslimane përdorën mjetet letrare të Perandorisë Osmane: turqishten(3) dhe persishten, bile shumë prej tyre me sukses të dukshëm.

  19. #19
    5.2 Shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruan turqisht.



    Një nga më origjinalët ndër poetët e hershëm të Perandorisë Osmane ishte Mesihi i Prishtinës(4) (rreth 1470-1512) i njohur në turqishtë si PriÕtineli Mesihi. Mendohet se ka qenë

    __________________________________________________ _________________

    1 Për islamizimin e Shqipërisë, kr. Arnold 1896, Rossi 1942, Stadtmüller 1955,
    Skendi 1956b, dhe Bartl 1968.

    2 kr. Kaleshi 1975.

    3 Për historinë e letërsisë turke në Shqipëri, kr. Karateke 1995.

    4 kr. Gibb 1902, vëll. 2, f. 226-256, Bombaci 1969, f. 330-333, Morina 1987, dhe Kaleshi 1991, f. 22-24.
    __________________________________________________ _________________


    shqiptar nga Prishtina, edhe pse duhet të ketë banuar në Stamboll që në moshë të njomë e më pas. Mesihi nuk qe vetëm një poet jashtëzakonisht i talentuar, por edhe një mjeshtër me talent për kaligrafi, dhe pati postin e sekretarit të Kadim Ali Pashës gjatë sundimit të Bajazidit II (sundoi 1481-1512). Një Õehr o—lani (djalë qyteti) qefli, sikundër e cilëson biografi Ashik Çelebi, Mesihinë mund ta gjeje më lehtë nëpër parqe e bahçe dëfrimi me miqtë dhe dylberët e tij sesa në punë. Ndonëse mënyra hedonistike e jetesës do t'ia ketë penguar përparimin në karierë, ai krijoi atë që mund të quhet si ndër më të mirat poezi osmane të kohës së vet. Më e përmendura është Murabba'-i bahar(5) (Odë për pranverën) e cila, pas botimit në përkthim latinisht më 1774 nga orientalisti Sër Uilliam Xhounz (Sir William Jones, 1746-1794), do të bëhej poezia më e njohur turke në Evropë për një kohë të gjatë. Ajo fillon kështu:

    "Dinle bülbül kissasin kim geldi eyy~m-i bah~r
    Kurdi her bir b~—da heng~me heng~m-i bah~r

    Oldi s§m efs, ~n ana ezh~r-i b~d~m-i bah~r
    'Ays, ã nãs, et kim geçer kalmaz bu eyy~m-i bah~r"


    (Dëgjo bilbilin, ditët e pranverës kanë ardhur,
    Stina e pranverës i ka gjallëruar tërë kopshtet,

    Lulet e bajames lëshojnë rreze të argjendta,
    Pi dhe bëj qef, se ditët e pranverës të ikën e të lënë.)

    Më origjinale se 'Odë për pranverën' është poezia e Mesihisë Ôehr-engîz (Tmerri i qytetit), që pas pak kohe do të bëhej model i një gjinie letrare të re në poezinë osmane. Në 186 kupletet e tij ai i këndon bukurisë dhe nurit të dyzet e gjashtë djelmoshave të Edrenesë (Adrianopojës). Është kjo një kryevepër e poezisë turke të fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë që, me lojën e fjalëve dhe humorin therës, sjell një farë lehtësimi e shlodhjeje në mes të atij vërshimi të përgjithshëm të poezisë intelektualiste mistike. Mesihi pranon me humor se vjersha e tij është mëkatare, por edhe se ka besim që Zoti do ta falë: "Zemra ime bredharake është bërë aq shumë copash, saqë secila ka vajtur te njëra prej atyre bukurive."

    Një shkrimtar tjetër i shekullit të gjashtëmbëdhjetë me prejardhje shqiptare ishte Jahja bej Dukagjini(6) (vd. 1575), i njohur në turqisht si Dukagin-zâde Yahyâ bey ose TaÕlicali Yahyâ. Pinjoll i një fisi dukagjinas që banonte në alpet e zhveshura shqiptare në veri të lumit Drin, ai vetë doli nga krahina e Plevlës, tani në veri të Malit të Zi, dhe u dërgua në rini për të shërbyer si jeniçer. Ndryshe nga shumë të rinj shqiptarë të shkolluar në shërbim të Perandorisë Osmane, nuk e kishte lënë në harresë prejardhjen e tij shqiptare. Në njërën nga vjershat e tij thotë:


    "Arnavud asli olub-dur aslim
    Qili—iyla dirilür heb neslim
    Nola ol .t~'ife-i š§r-efken
    Qilsa š~hin gibi .tašliqda vat.an
    Arnavud as. li olanda bu hüner
    Aña beñzer ki ola .tašda güher"


    __________________________________________________ _________________
    5 kr. Rossi 1954.

    6 kr. Gibb 1904, vëll. 3, f. 116-132, Bombaci 1969, f. 345-346, dhe Kaleshi 1991,
    f. 19-22.
    __________________________________________________ _________________


    (Raca shqiptare është raca ime, Mbarë populli im mban shpatën pranë, Ata trima si petrita nuk e kanë për gjë Të ngrenë shtëpitë mes shkëmbinjve, Kjo është dhunti e racës shqiptare, Ata njerëz janë gurë të çmuar mes shkëmbinjsh.)

    Jahja beu ishte ushtar trim e njëkohësisht shkrimtar i guximshëm. Ai nuk kishte frikë t'i dilte kundër opinionit publik ose t'ua prishte qejfin nëpunësve të oborrit me vargun e tij shpesh me frymë polemike. Një herë, i akuzuar nga Veziri i Madh pse kishte guxuar të shkruante një elegji për vdekjen e princ Mustafait, i cili qe ekzekutuar në Konjë nga i ati, sulltan Sulejman Madhështori (sundoi 1520-1566) më 1533, Jahja beu iu përgjigj me zgjuarësi: "Ne e dënojmë me Padishahun, por e vajtojmë me popullin". E prapëseprapë, meqë kishte bërë shumë armiq, e pa më të arsyeshme të tërhiqej në çifligun e tij afër Zvornikut në Bosnjë, ku, plak i moshuar në të tetëdhjetat e me divanin e tij në dorë për ta përfunduar, vdiq më 1575 [983 A.H.]. Nga pesë mesnevî të tij më e njohura është Shâh u gedâ (Mbreti dhe lypësi), për të cilën na thotë se e ka mbaruar brenda jo më shumë se një jave. Kjo poemë e çmuar shumë, e shkruar me vargje të rregullta, idealizon dashurinë e pastër për një djalosh nga Stambolli me bukuri të rrallë (i dhënë si mbret meqë mbretëron mbi zemrën e tij) nga dashnori i tij i përunjur (i dhënë si lypës për shkak të lutjeve plot dëshirë e mall). Ai ishte edhe autori i një divani gazelesh të përmendur më sipër, që përgjithësisht mendohet se janë më pak origjinale. Një tjetër poet turk me emër ishte i vëllai i Jahja beut, Ahmed bej Dukagjini, i njohur në turqisht si Dukagin-zâde Ahmed bey.


    Me prejardhje shqiptare duket se kanë qenë të paktën tre prozatorë turq të vjetër. Ata janë Ajazi (Ayâs), autor i fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, i cili ka hartuar një kronikë të mbetur pa u botuar; Veziri i Madh Lutfi Pasha (vd. 1564), autor i një traktati për detyrat e shtetit; dhe Koçi Beu nga Korça, këshilltar i Sulltan Muradit IV (sundoi 1623-1640), traktati politik i të cilit për problemet shqetësuese të Perandorisë dhe rrugët për mënjanimin e tyre e bëri orientalistin e madh austriak Baron fon Hamer-Purgshtal (Baron von Hammer-Purgstall7 1774-1856) ta quante 'Monteskjë Osman'.

    Gjatë pesë shekujve të bashkimit të dhunshëm me Perandorinë Osmane, Shqipëria do të nxirrte shumë burra të tjerë të mëdhenj, ndikimi i të cilëve mbi kulturën turke kurrsesi nuk qe anësor. Ndër ta ka qenë teologu dhe dijetari Hoxha Hasan Tahsin (1812-1881), i pari rektor i Universitetit të Stambollit; leksikografi dhe enciklopedisti Sami bej Frashëri (1850-1904), i njohur në turqisht si Shemsedin Sami (Ôemseddin Sami); poeti mbarislamik Mehmet Akif (1873-1936) nga Peja, autor i himnit kombëtar turk të vitit 1921; dhe Riza Tevfik (1868-1949), një nga filozofët më të mëdhenj turq të kohës.

    Ndërkaq, për fat të mirë, në shekullin e tetëmbëdhjetë, energjitë krijuese të shqiptarëve osmanë filluan të rrjedhin edhe në drejtim të zhvillimit të gjuhës së tyre kombëtare.

  20. #20
    5.3 Letërsia e bejtexhinjve



    Kalimi nga turqishtja, persishtja dhe arabishtja te shqipja si mjet i shprehjes letrare

    __________________________________________________ _______________
    7 kr. Hammer-Purgstall 1836-1838.
    __________________________________________________ _______________


    përfundoi në një shembull të asaj që njihet si letërsi Alhamiado, term spanjisht (aljamiado) ky që shënon një letërsi vendëse të shkruar me shkronja arabe e të ndikuar fuqishëm nga kultura islame. Letërsitë Alhamiado lindën kryesisht në Spanjë dhe Portugali gjatë periudhës maore si dhe në Bosnjë e në Shqipëri gjatë sundimit turk. Orvatjet e para në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë nga shkrimtarë shqiptarë të formuar në një kulturë islamike për t'u shprehur jo në gjuhët e Orientit, por në gjuhën e vet vendëse, ishin aq vendimtare dhe të rëndësishme sa edhe ç'kish qenë kalimi nga latinishtja në shqipe për krijimin e letërsisë së hershme shqiptare (në shekullin e gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë).

    Letërsia e bejtexhinjve(8), sikundër quhet kjo periudhë e shkrimeve shqiptare, përbëhet kryesisht nga poezi në shkrim arab. Tashmë sistemi i shkrimit arab u ishte përshtatur nevojave të turqishtes osmane(9) dhe po merrte trajtë për t'iu përshtatur sistemit fonetik më të përpunuar të shqipes, ose më saktë, dialekteve të shqipes në fjalë. Doli po aq i pakënaqshëm për shqipen sa edhe për turqishten pati dalë. Por oriental nuk qe vetëm shkrimi. Gjuha e bejtexhinjve ishte një shqipe aq shumë e ngarkuar me fjalë turqishte, arabishte e persishte, saqë shqiptarët sot e kanë shumë të vështirë ta lexojnë pa fjalor. Për më tepër ka të ngjarë që lexuesit e turqishtes klasike
    që nuk dinë shqip, t'i kuptojnë më shumë e më mirë ato tekste sesa lexuesit e shqipes që nuk dinë ndonjë gjuhë orientale. Shtresimi i fjalorit të huaj që depërtoi në gjuhën shqipe të kësaj periudhe u përdor, së pari, për të shprehur tiparet e një feje të re dhe të një kulture të re, të cilat në fillim qenë krejt të panjohura e të huaja për shqiptarët. Së dyti, po me aq rëndësi të paktën
    për krijimtarinë poetike, përdorimi i fjalorit tradicional arabisht dhe persisht lehtësoi shumë vargun me rimë dhe metrikë klasike, siç kishte ndodhur me poezinë turke osmane.

    Poezia e bejtexhinjve u ndikua fort nga modelet letrare turke, persiane e arabe, që ishin në modë aso kohe në Stamboll e në Lindje të Mesme. Në shqipe do të haset shumica e zhanreve dhe formave zotëruese në vargun turk e persian. Në vjersha të veçanta apo në divane(10) gjejmë: murabba', vjershë në strofa katërvargjesh; ilahi (arab. ilâhî), himne fetare; kaside (arab. qasîde), ode më të gjata panegjirike të pëlqyera më fort nga arabët; dhe gazele (arab. ghazal), vjersha më të shkurtra, shpesh lirika dashurie, të pëlqyera më fort ndër turqit e persianët. Sistemi metrik qe kryesisht silabik ndonëse pati aty këtu orvatje për të futur metrat sasiorë(11). Përmbajtja qe shpesh fetare, ose intime meditative ose haptazi didaktike-moralizuese, për përhapjen e besimit. Karakteri kryesisht meditativ i kësaj poezie e merrte frymëzimin nga rrymat e Islamit: nga spiritualiteti autoritar Sunit deri te sferat e thella mistike të Sufizmit Shiit e më pas, deri te meditimet më liberale, ndonëse po aq mistike, të panteizmit bektashian. Kemi edhe poezi laike: lirika dashurie, vjersha kushtuar natyrës dhe poezi historike e filozofike në të cilat ndeshemi me meditime herë-herë ironike mbi të përpjetat e të tatëpjetat e qenies në një botë që është ekzotike si për vetë lexuesin e sotëm shqiptar po ashtu edhe për atë perëndimor.

    __________________________________________________ _______________

    8 Bejtexhi: term për poet popullor në traditën myslimane, nga turqishtja beyit, d.m.th. kuplet. Terma të tjera për këta rapsodë shëtitës ishin ashik, dhe në turqisht saz Õairleri
    'poetë muzikorë'. Për burime të përgjithshme mbi këtë letërsi, kr. Kaleshi 1956, 1958, 1966-67, 1975, 1991, Myderrizi 1955c, 1959, 1965, Shuteriqi 1976, Salihu 1987, dhe Pirraku 1988.

    9 Turqishtja shkruhej me alfabet arab deri më 1928.

    10 Divani është një përmbledhje poezish orientale me një renditje të veçantë. Zakonisht nis me një lutje Allahut, vazhdon me vargje për dashurinë dhe kënaqësitë tokësore ose për çështje të fesë e të filozofisë, dhe mbyllet me ode panegjirike për Sulltanin ose sundimtarët e padronët vendorë.

    11 kr. Rossi 1946, f. 243.
    __________________________________________________ _______________

    Letërsia e bejtexhinjve ka mbetur në dorëshkrime, që tani kanë humbur ose, në rastin më të mirë, nuk ka qenë e mundur të gjenden deri më sot. Një numër i paktë kopjesh të vona të dorëshkrimeve (për fat të keq, jo origjinalet) ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, por pjesa më e madhe e materialeve në dorëshkrim të ardhura deri në ditët tona ndodhen ende në duar privatësh, sidomos në ish-Jugosllavi. Nga dorëshkrimet e ruajtura është botuar fare pak. Për këtë arsye, shkrimet e bejtexhinjve përbëjnë një nga kapitujt më pak të njohur të letërsisë shqiptare.

    Vjersha më e vjetër shqiptare në shkrim arab është një lutje humoristike për kafenë, që mban datën 1725 [1137 A.H.], dhe është shkruar nga një i quajtur Muçi Zade, djali i Muçit, për të cilin dihet se ka qenë plak kur e ka shkruar. Refreni i saj, Imzot, mos na lerë pa kahve, pa dyshim që u prek telat e zemrës shumë terjaqinve të kafesë. E zbuluar në një dorëshkrim nga Korça që tani ruhet në Tiranë, kjo vjershë përbëhet nga shtatëmbëdhjetë strofa katërshe me rimë AAAB. Është krijimi letrar më i vjetër në dialektin toskë e i shkruar brenda në Shqipëri, që njihet deri më sot.

    Poeti i parë i madh ndër bejtexhinjtë është Nezim Frakulla(12) (rreth 1680-1760), i njohur edhe me emrat Nezim Berati apo Nezim Ibrahimi. Ai ka lindur në fshatin Frakull afër Fierit dhe jetoi një pjesë të madhe të jetës në Berat, qendër e lulëzuar e kulturës islame të kohës. Nezimi kreu studime në Stamboll, ku edhe shkroi për herë të parë poezi në turqishte, persishte dhe ndoshta arabishte, ndër to dy divane. Aty nga viti 1731 u kthye në Berat, ku dihet se hyri në një rivalitet letrar me vjershëtorë të tjerë të kohës, sidomos me Mulla Aliun, myftiun e Beratit. Midis viteve 1731 e 1735 ai krijoi një divan dhe poezi të llojeve të tjera në shqipe, si dhe një fjalor shqip-turqisht në vargje. Divanin origjinal nuk e kemi të plotë, por nga ai kemi kopje të rreth 110 vjershave. Disa nga vargjet e tij janë kompozuar, dhe nëpër shekuj disa këngë kanë ardhur gojë më gojë deri në ditët tona. Nezim Frakulla e thotë vetë se ishte i pari që shkroi një divan në gjuhën shqipe:

    "Divan kush pat folturë shqip? Ajan e bëri Nezimi,
    Bejan kush pat folturë shqip? Insan e bëri Nezimi.

    Ky lisan qe bërë harab
    Në gussa me shumë hixhab Shahid mjaft është ky kitab Handan e bëri Nezimi.
    "

    Me poezitë e Nezim Frakullës u njoh albanologu gjerman Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869), i cili botoi tetë vjersha(13) të tij më 1854. Emri i Nezim Frakullës u përfshi edhe në antologjinë e parë me vlerë të letërsisë shqiptare(14) më 1941, redaktuar nga Namik Ressuli (1908-1985) etj., i cili i kishte të vetat gjashtëdhjetë e dy fletë dorëshkrimi të divanit.
    Në divanin e Frakullës përfshihen vargje me një gamë të gjerë, nga panegjirikët për

    __________________________________________________ _________________

    12 kr. Rossi 1946 dhe Myderrizi 1954.

    13 kr. Hahn 1854, vëll. 2, f. 142-146.

    14 Shkrimtarët shqiptarë. Pjesa I (1462-1878). Botim i Ministris s'Arsimit. Mbledhë e punue nën kujdesin e Ernest Koliqit, nga Namik Ressuli. Tiranë 1941, f. 107-109.
    __________________________________________________ _________________

    pashallarët vendorë dhe fushatat ushtarake deri te odet për miq e zotërinj padronë, vjersha për ndarjen dhe mallin për miqtë e dylberët, përshkrime të natyrës në pranverë, vargje fetare e, sidomos, lirika dashurie. Figurat e gazeleve të fundit, disa prej të cilave i kushtohen të nipit, janë ato të poezisë arabe, persiane e turke me shumë nga temat, metaforat dhe aludimet e tyre: dashuria si sëmundje që e bën poetin të lëngojë, dylberi shpirtkazmë me vështrimin që ta bën zemrën plagë, ose shërbëtori me një bukuri që e bën të zotin t'i përunjet në gjunjë.

    "Më ke rop e të kam xhan. Shpirti im ashtu më rrush;
    No më vra no më ban derman, Merr e sgjith cin të dush.
    Qaj e qaj e po pëlcas,
    Se mu ka mërzit dynjaja, Ne vetvetën dua t'a vras, Të shtëpoj nga sëvdaja.
    Mbi gjith' këto hallë që kemi Dylberat' me goj' s'na flasin; Na qolet' e tynë jemi,
    Makar le t'na vrasin."


    Nezim Frakulla pati mbështetjen dhe mbrojtjen e Sulejman pashë Elbasanit dhe Ismail pashë Velabishtit, ky i fundit edhe vetë poet. Diku aty pas vitit 1747, pasi qe kthyer në Stamboll për të kërkuar punë, e dërguan në Hotin të Besarabisë (sot në Ukrainë), ka të ngjarë në internim. Atje ai hartoi disa kaside, njëra prej të cilave i këndon fermanit që i jepte leje për t'u kthyer në atdhe, kurse një tjetër e hartoi gjatë rrugës për në Berat duke kaluar nga Shkupi dhe Elbasani. Për mbërritjen në këtë të fundit, ku edhe vargjet e tij do të vazhdonin të kishin popullaritet për shumë kohë më pas, Frakulla thërret:

    "Në Elbasan hym me gzim
    Posi sheqer o Nezim."


    Për shkak të ndonjë intrige me karakter politik ose të polemikave letrare, shpesh të acaruara, ku mori pjesë, Nezimi e ndjeu veten keq dhe iku nga Berati për të jetuar disa vjet në Elbasan. Me sa duket, pas kthimit tjetër në Berat, ka qenë i burgosur. Sidoqoftë, në moshë të thyer, vdiq nga kolera në burg, në Stamboll më 1760 [1173 A.H.].
    Nezimi e quante veten jo vetëm si të parin poet që shkruante në gjuhën shqipe, por edhe mbahej si Sadiu dhe Hafizi i kohës së tij. Kasidetë e tij në shqipe, thotë ai, krahasohen me ato të Urfiut në persishte dhe Nefiut në turqishte. Për shumë specialistë krahasime të tilla janë të tepruara. Ndërkohë që Nezim Frakulla ishte pa dyshim njeri me iniciativë e talent, vargu i tij kurrsesi nuk arrin nivelin e përsosmërisë letrare të klasikëve persianë; nga ana tjetër, as përzierja e rëndë e shqipes, turqishtes dhe persishtes që ai përdori, nuk e ngriti deri në atë shkallë sa t'u afrohej atyre. Ndihmesa e tij qe se hodhi themelet për një traditë të re letrare në Shqipëri, traditë që do të zgjaste dy shekuj me radhë.

Faqja 0 prej 6 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Diaspora shqiptare në mbrojtje të çështjes sonë kombëtare
    Nga altin55 në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 09:20
  2. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  3. Letersia Shqiptare
    Nga new-man në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-01-2009, 12:28
  4. Mesjeta e hershme shqiptare
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-11-2006, 15:10
  5. Rruga e modernitetit dhe koha e artë e letërsisë shqiptare
    Nga Eni në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-10-2002, 14:04

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •