"Nevruzin, një djalosh aristokrat i varfëruar, e ftojnë në dasmën e një fisniku fqinjë, por nuk ka para për shpenzimet e peshqeshit që i duhet dhënë sipas zakonit. Kur kthehet nga dasma, i del njëri përpara për gjakmarrje, por ky mposhtet dhe vritet. Miqtë e viktimës e informojnë Pashanë e tmerrshëm të qarkut për aktin e Nevruzit, dhe ky i fundit shtrëngohet t'i kalojë ditët në arrati. Pas shumë peripecish mbërrin në Selanik, ku ndërron emër dhe fshihet. Por meqë kujton se ngjarja është harruar, hyn në punë te një be i vendit me detyrë për të kapur një hajdut. Më pas i bën bisht një thirrjeje këmbëngulëse për t'u kthyer në Shqipëri e për të shtypur diku një kryengritje. Duke pasur ende frikë nga përndjekjet dhe burgu, mbetet në mërgim, dhe ikën në Stamboll. Por këtu e pikasin, e kapin dhe e burgosin. Me ndihmën e një prifti, të cilin dikur e kishte shpëtuar nga burgu, ai arratiset, ndërron emrin përsëri dhe bëhet kapiten policie. Duke qenë i tillë arrin të shpëtojë një vajzë kaukaziane nga haremi i Sulltanit, por e pikasin përsëri dhe e syrgjynosin në ishullin Rodos për tërë jetën. Vdekja e Sulltanit e bën Nevruzin të fitojë lirinë, të kthehet në Shqipëri e të martohet. Është koha e Kongresit të Berlinit më 1878, kur fati i Shqipërisë vihet në fije të perit. Në Shqipëri kanë filluar të zbarkojnë irredentistë nga Korfuzi, dhe në një përleshje me ta Nevruzi vritet." (49)
Mehdi bej Frashëri gjithashtu botoi një dramë historike në pesë akte me titullin Tradhëtia, Tiranë 1926, me subjekt nga koha e Skënderbeut, si dhe shkrime mbi ekonominë, filozofinë, historinë dhe politikën, ndër to edhe një traktat 380 faqesh turqisht për sovranitetin ligjor të Perandorisë Osmane: Imtiyazat-i ecnebiyenin Tatbikat-i haziresi, Samsun 1907 [A. H.1325] (Mbi zbatimin e privilegjeve dhe tatimeve të huaja).
Filip Papajani(1878-1945) nga Elbasani, me pseudonimin Lipi, studioi mjekësi në Rumani, ku, sikundër shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, u njoh së pari me lëvizjen kombëtare. Me t'u kthyer në Shqipëri, shërbeu si mjek, por iu përkushtua mjaft edhe letërsisë. Papajani qe prozator dhe poet, dramaturg dhe botues, veprat e të cilit pasqyrojnë më shumë problemet e periudhës së vonë të Rilindjes se ato të viteve njëzet, kur ishte në kulm të energjive të veta. Botoi gazetën e përjavshme politike e letrare që nuk zgjati shumë, Shkumini, në qytetin e lindjes Elbasan nga prilli 1921 deri në janar 1922. Kjo gazetë kishte edhe një shtojcë letrare të quajtur Shkumini letrar, ku patën mundësi të botonin talente të reja të Shqipërisë së mesme. Papajani përmendet për një numër prozash të gjata, disa prej tyre me temë historike. Ndër to janë: Pelazgë, qytetnim, vllazni!, 1923; Bardhushi, letra atdhetare, Tiranë 1930; dhe Fatbardhi,1934. Veç tyre, ai shkroi një pjesë teatrale me titullin Moisi Golemi, 1928, dhe botoi disa vëllime me vjersha: Osman-Marija, Bukuresht 1913, Vjersha, Korçë 1922, dhe Ndreka, 1925. Asnjë prej këtyre krijimeve, të botuara kryesisht në revista të viteve njëzet, nuk dëshmon për ndonjë talent apo mjeshtëri letrare të veçantë. Papajani vdiq në Tiranë më 25 mars 1945.
Prifti jezuit Zef M. Harapi (50) (1891-1946) nga Shkodra botoi në fillim romanin sentimental Pushka e trathtarit, Shkodër 1914, gjatë Luftës së Parë Botërore, në të përmuajshmen jezuite Përparimi. Pushka e trathtarit është një orvatje e hershme për të shkruar një roman me frymë romantike. I shkruar me një stil të gjallë por të ngatërruar, ai vë në qendër hakmarrjen dhe drejtësinë sipas kanunit në malësinë e Shqipërisë së veriut në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Sikundër mjaft vepra të kësaj kohe në prozë, ky roman 200 faqesh është aq shumë i ngjeshur me veprim, me imtësi të tepërta e digresione, sa që lexuesi e ka të vështirë të ndjekë fillin e ngjarjeve. Një roman i dytë i këtij autori, Peng a rob?, u botua numër pas numri
__________________________________________________ _________________
49 kr. Mann 1955, f. 95-96.
50 kr. Koliqi 1973b, dhe Kongoli 1983.
__________________________________________________ _________________
në të përmuajshmen jezuite Leka të Shkodrës nga 1930 deri më 1933, dhe nuk përbën ndonjë hap përpara në krahasim me të parin. Zef M. Harapi, që nuk do ngatërruar me Anton ose Ndue Harapin (1888-1945), ka qenë edhe autor i dy pjesëve historike: Oso Kuka, 1921, dhe i pjesës me pesë akte Mustafë Pasha i Shkodrës, Shkodër 1923, që u luajt për herë të parë nga ansambli Bogdani më 28 nëntor 1923. Zef Harapi kishte studiuar në Kolegjin Saverian në Shkodër, të themeluar nga jezuitët më 1877, dhe kishte qenë mësues në Pejë, Durrës e më pas në qytetin e lindjes Shkodër. Përmendet si një bashkëpunëtor i rregullt i revistave periodike shkodrane si Hylli i Dritës, 1913-1944, Përparimi, 1914-1916, Lajmtari i Zemers t'Jezu Krishtit, 1914-1944, Leka, 1929-1944 dhe i almanakëve Vepra pijore.
Tregimtari Kolë Mirdita (1900-1936), që përdorte edhe pseudonimin Helenau (akronimi i emrave Heine dhe Lenau), lindi në Shkodër më 24 janar 1900 dhe studioi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Gracit në Austri. Në vitet njëzet ky universitet kishte pranuar një numër të mirë studentësh shqiptarë. Sikundër Migjeni dhe Gaspër Pali, Mirdita vdiq në moshë të re nga tuberkulozi (3 tetor 1936) pa e zhvilluar talentin deri në fund. Helenau përmendet për tregimet e shkurtra, ndonëse shkroi edhe poezi dhe dy pjesë, ndër to edhe një tragjedi për vdekjen e Skënderbeut. Poezia dhe nëntë tregimet e shkurtra iu përmblodhën pas vdekjes në vëllimin modest Trandafila që s'çelin për ne, Tiranë 1959.
Një prozator i së majtës që, ashtu si Sterjo Spasse, nisi të shkruajë e të botojë në vitet tridhjetë e që vazhdoi karrierën letrare, me bekimin e autoriteteve komuniste, në dekadat e para të periudhës enveriste ishte Nonda Bulka (51) (1906-1972). Lindur në fshatin Leusë të Përmetit, Bulka studioi në liceun francez të Korçës, ku ka studiuar edhe Enver Hoxha (1908-1985). E përfundoi atë më 1929 dhe vazhdoi studimet, ashtu si Hoxha, për pak kohë në Francë. U kthye në Shqipëri në fillim të viteve tridhjetë për të punuar si mësues dhe shumë shpejt do të shfaqte prirje për letërsi e gazetari. Bulka bëri emër si publicist e satirik duke trajtuat tema të ndryshme shoqërore, kurse më pas si tregimtar e poet. Sprovat plot humor e herë-herë me ironi të mprehtë si dhe skicat në prozë, të botuara me pseudonimin Chri-Chri, u bënë të njohura për kritikën therëse ndaj kushteve politike e shoqërore nën regjimin e Zogut. Në artikullin e shkurtër Horizonte të reja për letërsinë kombëtare, të botuar më 1932 në të përmuajshmen e Tiranës Minerva, ai mundohej të bindë lexuesin se, ndonëse letërsia klasike kishte vendin e vet të paprekshëm në kulturë, në letërsinë e shekullit të njëzetë ndihej nevoja për diçka të re, që do të pasqyronte njeriun bashkëkohës dhe aspiratat e tij.
"Në botën e qytetëruar filloi qysh prej kohe revolucioni letrar: një Rolan në Francë, një Ada Negri në Itali, Mani në Gjermani, Shou dhe Uellsi në Angli, Gorki në Rusi, Drajzeri dhe Sinkleri në Amerikë, Unamunoja në Spanjë, Tagora në Lindje, janë flamurtarë të një bote të re, nga e cila duhet zhdukur hipokrizia dhe interesi. Përkthimet e Dantes dhe të Petrarkës janë xhevahirë të çmuar në letërsinë kombëtare, por atdheu ynë do të kishte nevojë për vepra më të gjalla, më moderne, më të përshtatshme, se njerëzit paralelisht me artin, duhet të stërvitin edhe logjikën."
Kjo pikëpamje për letërsinë ishte krejtësisht e kundërt me atë të shkrimtarit më tradicional Gjergj Fishta (1871-1940) dhe të shkollës katolike shkodrane, si dhe të mjaft prozatorëve sentimentalë të romantizmit kombëtar më të vonshëm. Bulka, së bashku me Migjenin (1911-1938) dhe me veteranin e luftës civile të Spanjës Petro Marko (1913-1991), i dha kështu tonin letërsisë përparimtare e të angazhuar në Shqipëri në vitet tridhjetë. Skicat e tij
__________________________________________________ _________________
51 kr. M. Gurakuqi 1961, Xhaxhiu 1979, Qosja 1988, f. 252-273, dhe S. Gashi
1995.
__________________________________________________ _________________
të shkurtëra u botuan fillimisht në vëllimin Kur qan e qesh bilbili, Korçë 1934, dhe pas lufte Bulka u ngrit lart nga kritikët marksistë. Ndonëse ishte një zë kritik i kohës dhe i kulturës që i përkiste, Nonda Bulka nuk na u prezantua si publicist i madh, ndërsa si talent letrar nuk mund të lëvdohet. Ndër botimet e tij pas lufte, nga viti 1950 e derisa vdiq, kemi tregime të shkurtra deri në njëzet faqe dhe poezi, që për nga niveli artistik shkojnë nga niveli mediokër deri tek ai tmerrësisht i dobët. Ajo zemërata e zjarrtë e Chri-Chrisë që pati në moshën e rinisë shkoi e vate. Janë tregime artificiale e jobindëse, jo vetëm për mungesë talenti, por sidomos sepse hipokrizia politike e periudhës enveriste nuk lejonte më kritikë sociale të vërtetë. Një përmbledhje me krijime të tij është botuar gjithashtu anglisht me titullin Sketches and short stories, Tiranë 1984.
Vedat Kokona (l. 1913), prozator, poet, kritik dhe përkthyes, ka lindur më 7 gusht 1913 në Izmir, Turqi, në një familje të nderuar të shtresës së mesme nga Gjirokastra. I ati Elmaz Kokona kishte punuar në shërbimin civil osman si avokat. Pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, familja Kokona u vendos në Tiranë, ku Vedati ndoqi shkollën fillore. Më pas, pati fatin e mirë të pranohej në liceun francez në Korçë, një nga shkollat e mesme më të mira asokohe në Shqipëri. Viteve të kësaj shkolle u përkasin dhe vjershat e tregimet e para të tij. Kur po kryente këtë shkollë më 1935, Kokona fitoi çmim në një konkurs letrar, çka i dha mundësinë financiare për të udhëtuar jashtë. Si fryt i udhëtimit atë vit në Itali, Gjermani, Suedi dheDanimarkë ishte botimi i ditarit me shënime udhëtimi Nga Tirana në Stokholm, Tiranë 1935, një nga librat e parë të këtij lloji të botuar në gjuhën shqipe. Po më 1935 Kokona nisi të studiojë për drejtësi në Paris, ku ndenji deri në fillim të vitit 1939, vite që do të ushtronin një ndikim të thellë mbi pikëpamjet dhe stilin e prozës së tij. Me t'u kthyer në Shqipëri, punoi si mësues i gjuhës frënge në po atë shkollë të mesme të Korçës, ku kishte qenë nxënës, dhe botoi një numër vjershash dhe prozash origjinale në revistën e përmuajshme të Ernest Koliqit Shkëndija. Më 1941 u transferua në gjimnazin e shtetit në Tiranë, ku dha mësim për një vit. Për shkak të trysnisë politike dha dorëheqjen më 1942 dhe i hyri profesionit të tij të fillimit, avokatisë. Në shkurt 1944, së bashku me Mitrush Kutelin, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen, ai themeloi dhe kryesoi redaksinë e së përdyjavshmes Revista letrare, jetëshkurtër, por me ndikim në jetën kulturore, e cila më pas do të damkosej si fashiste. Prejardhja e tij gjirokastrite dhe studimet në liceun e Korçës, të cilin e kishte kryer në tetor 1930 edhe Enver Hoxha (1908-1985), kanë qenë ndoshta ato që e shpëtuan nga përndjekjet e drejtpërdrejta gjatë spastrimeve të intelektualëve pas luftës. Në vitet e para të pasluftës, i padëshirueshëm si avokat, ai iu kthye punës si mësues i frëngjishtes në një shkollë të mesme në Tiranë, kurse nga 1949 deri më 1965 si përkthyes në shtëpinë botuese shtetërore Naim Frashëri. Nga 1965 e derisa doli në pension dha frëngjishten në Universitetin e Tiranës.
Pjesa më e madhe e veprave me interes letrar të Kokonës u botuan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndër to janë dy vëllime me poezi: Dritë dhe hije, Tiranë 1939, përmbledhje me nëntëmbëdhjetë vjersha introspektive dashurie, dhe ai me satira Shtatë prilli, Mussoliniada, Tiranë 1943. Si prozator, Kokona përmendet kryesisht për vëllimin Yje të këputur, Tiranë 1940, përmbledhje e shtatë tregimeve me frymë moderniste, që e paraqitnin si një ndër prozatorët më të talentuar e më origjinalë të viteve të luftës. Në këto rrëfime e në dhjetë tregime të tjera të botuara veç e veç në revista të kohës, lexuesi ndien lidhjet e autorit me rrymat e prozës franceze që nga Gystav Floberi (Gustave Flaubert, 1821-1880) e deri te letërsia intelektuale e viteve tridhjetë. Ndër veprat e mëvonëshme të Kokonës janë romani me dy pjesë Me valët e jetës, Tiranë 1961, 1965, dhe drama Hijet e natës, Tiranë 1966. Vedat Kokona gjithashtu përktheu shumë klasikë të letërsisë së përbotshme, si Pier Kornej (Pierre Corneille, 1606-1684), Zhan Rasin (Jean Racine,1639-1699), Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616), dhe Leon Tolstoi (1828-1910), Maksim Gorki (1868-1936) dhe Xhon Gollsuorthi (John Galsworthy, 1867-1933), si dhe hartoi fjalorët mjaft të kërkuar frëngjisht-shqip (1966) dhe shqip-frëngjisht (1977).
Figura ndoshta më interesante ndër prozatorët minorë të periudhës parakomuniste, qoftë si njeri e qoftë si autor, është Musine Kokalari (52) (1917-1983) nga Gjirokastra. Kokalari ka qenë e para shkrimtare femër në Shqipëri, dhe e vetmja deri në vitet 1960. Lindur më 10 shkurt 1917 në Adana, në Turqinë jugore, në një familje atdhetare dhe politikisht aktive me prejardhje nga Gjirokastra, Kokalari u kthye në Shqipëri me familjen më 1920. Që në moshë të njomë do të hidhej pas librave dhe dijes, duke përfituar edhe ngaqë i vëllai Vejsim mbante një librari në Tiranë në mesin e viteve tridhjetë. Në janar 1938 vajti në Romë për të studiuar letërsi në universitet dhe e përfundoi atë më 1941 me një studim për Naim Frashërin. Qëndrimi në qytetin e përjetshëm i çeli një dritare për të parë për pak kohë një botë magjepsëse krijimtarie intelektuale, dhe synimi i saj i vetëm me t'u kthyer në Shqipëri ishte që të bëhej shkrimtare. Më 1943 i tha një shoqeje: "Dua të shkruaj, të shkruaj, e vetëm të shkruaj letërsi artistike dhe të mos kem të bëj fare me politikë." Dhe vërtet, në moshën njëzet e katër vjeç, kishte botuar tashmë një përmbledhje të parë 80 faqesh me dhjetë rrëfime rinore në prozë, të shkruara në dialektin e vendlindjes Gjirokastër: Siç më thotë nënua plakë, Tiranë 1941. Kjo përmbledhje historike, e frymëzuar fuqishëm nga folklori toskë dhe nga mundimet e përditshme të grave në Gjirokastër, mendohet se është e para vepër letrare e shkruar dhe e botuar nga një grua në Shqipëri. Kokalari e quajti këtë libër "pasqyrë e një bote të perënduar, shtegu i kapërcimit nga vajzëria në mes të këngëve, një nusëri për ta hedhur gruan prapë në vargonjtë e rëndë të robërisë së fanatizmit." Tre vjet më pas, me gjithë peripecitë e luftës civile, Kokalari, tani njëzet e shtatë vjeç, mundi të botojë një përmbledhje të vëllimshme me tregime e skica me titull ... sa u-tunt jeta, Tiranë 1944, gjithsej 348 faqe. Kjo vepër e afirmoi si shkrimtare me brumë, ndonëse për një kohë të shkurtër. Një vëllim i tretë me rrëfime me frymë popullore qe Rreth vatrës, Tiranë 1944. Ndërsa Luftës së Dytë Botërore po i vinte fundi, Kokalari vetë hapi një librari dhe u ftua të bëhej anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve, të themeluar më 7 tetor 1945 nën kryesinë e Sejfulla Malëshovës (1901-1971). Gjithë kohën asaj i fanitej ekzekutimi pa gjyq i dy vëllezërve të saj, Mumtaz dhe Vejsim, më 12 nëntor 1944 nga komunistët dhe haptazi kërkonte drejtësi e shpagim. Duke pasë qenë e lidhur ngushtë më 1944 me Partinë Socialdemokrate Shqiptare të sapolindur dhe me organin e saj Zëri i lirisë, ajo u arrestua më 17 janar 1946 në atmosferën e terrorit, që shoqëroi rënien e Malëshovës, kurse më 2 korrik 1946 u dënua me njëzet vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si 'sabotatore dhe armike e popullit'. Tetëmbëdhjetë vitet e tjera të jetës i kaloi në burgun famëkeq të Burrelit, e veçuar dhe në vëzhgim të vazhdueshëm, e përndjekur dhe e ngacmuar nga zyrtarët harbutë e të pashkollë të burgut. Grua e vrarë shpirtërisht, u lirua rreth vitit 1964 dhe e caktuan të punojë fshesare në qytetin e Rrëshenit. Musine Kokalari, dikur rrëfimtare e talentuar, u përndoq deri në ditët e fundit të jetës. Ajo vdiq më 14 gusht 1983.
Krijime të tjera modeste në prozë në periudhën e pavarësisë dhanë Lazër Lumezi (1870-1941) nga Prizreni, autor tregimesh, dramash dhe tekstesh shkollore; ati françeskan Anton (Ndue) Harapi (53) (1888-1946) nga Shkodra, i ekzekutuar në Tiranë më 19 shkurt 1946, i cili përmendet për romanin e shkurtër Valë mbi valë të botuar në disa numra në revistën Hylli i Dritës nga 1939 deri më 1942, dhe për veprën në prozë, me 222 faqe e njëzet e dy kapituj Andrra e Prêtashit, Romë 1959, botuar pas vdekjes; Ismet Toto (1908-1937), botues dhe prozator nga Progonati i Labërisë; Aliko Vançi, autor i dy romaneve të shkurtra dhe i një përmbledhjeje me tregime; Andon S. Frashëri (1892-1965), botues i Diellit të Bostonit dhe autor i romaneve të shkurtër: Patrioti, Korçë 1933, dhe I funtmi i Kastriotëvet, Tiranë 1944; Llambi Dardha, autor i dy romaneve me temë kombëtare: Kthimi i Skënderbeut në Krujë,
__________________________________________________ _________________
52 kr. Mandia 1995.
53 kr. Plasari 1994a.
__________________________________________________ _________________
Korçë 1929, dhe Dëshmorët e lirisë, Korçë 1933; Dionis Miçaço, publicist dhe gjykatës i mbajtur në burg nga 1947 deri më 1957; si dhe Mustafa Greblleshi (1922-1986), autor i romanit sentimental Gremina e dashunis, Tiranë 1944, i cili u burgos për dy vjet më 1947. Pas shpalljes së pavarësisë në nëntor 1912 proza u zhvillua e u kthye në një gjini që mund ta quajmë me peshë në letërsinë shqiptare. Megjithatë, krahasuar me letërsinë Perëndimore, niveli letrar i përgjithshëm në vitet njëzet e në fillim të viteve tridhjetë të kujton në rastin më të mirë romanin sentimental evropian të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe mjaft nga letërsia moralizuese e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, për shembull atë të fillimeve të Anglisë Viktoriane. Fryma e romantizmit kombëtar të Rilindjes vazhdoi të jehojë në shpirtin e shumë shkrimtarëve pa mjeshtëri teknike e pa aftësi për të krijuar vepra me nivel të mirëfilltë artistik.
Krijoni Kontakt