Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Beqari002
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    500

    Konfrence nderkombetare per shqipen standarde

    Nis konferenca ndërkombëtare për shqipen standarde

    Profesorët, apel për mbrojtjen e shqipes


    Jetmira Delia

    Gjuha shqipe ndodhet aktualisht nën trysninë e dialekteve dhe gjuhëve të huaja. Ndërkaq që prej viteve tetëdhjetë vihet re një indiferentizëm i plotë i shtetit për politikat gjuhësore.

    Këto dy probleme janë vërejtur në ditën e parë e Konferencës shkencore ndërkombëtare me temë "Shqipja standarte dhe shoqëria shqiptare sot". Qëllimi i kësaj konference që zhvillohet në dy ditë është përkujtimi i tridhjetë vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe të mbajtur në vitin 1972, si dhe rishikimi i normave drejtshkrimore gjatë këtyre viteve por dhe reflektimin e ndryshimeve në gjuhën standarte të shqipes. Gjatë referateve të mbajtura nga studiues të ndryshëm janë evidentuar disa karakteristika të zhvillimit të gjuhës shqipe gjatë viteve të fundit si dhe nevoja e kujdesit nga shteti për përdorimin e drejtë të gjuhës standarte. Sipas gjuhëtarëve, historia e gjuhës standarte mund të ndahet në dy faza. Faza e parë nis nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe mbajtur në vitin 1972 e deri në vitet tetëdhjetë, ku fillon dhe faza e dytë e cila shtrihet deri në ditët e sotme. Faza e parë sipas tyre karakterizohet nga marrja e disa masave nga shteti për përvetësimin e normave të gjuhës standarte ndonëse jo të plota, përfshirë këtu edhe organizimin e kurseve kualifikuese të mësuesve, korrektorëve dhe redaktorëve letrarë, si dhe kërkesa për përdorimin e gjuhës standarte në administratë. Ndërkaq, pas viteve tetëdhjetë vihet re një indiferentizëm i plotë i strukturave shtetërore për çështjet e politikave gjuhësore. Ajo që ndodh aktualisht me gjuhën shqipe është futja e fjalëve të huaja pa kriter, por, përveç leksikut është prekur edhe gramatika. Kjo ndodh më së shumti në media, qoftë në atë të shkruar apo elektronike. Pjesëmarrës në këtë konferencë janë studiues shqiptarë, kosovarë, maqedonas dhe nga diaspora. Të pranishëm janë gjithashtu edhe albanologë nga Italia, Gjermania, Franca e Amerika. Janë mbajtur një sërë kumtesash nga studiues dhe gjuhëtarë të njohur si; Idriz Ajeti, Rexhep Qose nga Prishtina, Shaban Demiraj nga Tirana dhe Leonardo Savoia nga Italia. Mbi "Shqipen standarte dhe shoqërinë kosovare sot" referoi Idriz Ajeti ku theksoi faktin se "leksema kosovare ka një përdorim të gjerë. Është për t'u habitur" - tha ai - "se sa thellë ka depërtuar ndikimi i gjuhës së huaj në këtë thesar të gjuhës shqipe". Leonardo Savoia, profesor i Universitetit të Firences, mbajti referatën "Aspekte ideologjike të nacionalizmit gjuhësor, dhe u përqëndrua në çështjen e gjuhës kombëtare, vështruar në kuadrin më të gjerë të të drejtave gjuhësore" ku, sipas tij, "të drejtat gjuhësore bëjnë pjesë në të drejtat themelore të njeriut". Studiuesit kanë qenë mjaft të etur për të folur rreth problemeve gjuhësore, shpesh duke kaluar kohën e vënë në dispozicion, ndërsa do të kenë mundësinë që edhe gjatë ditës së dytë të konferencës të diskutojnë për të tjera probleme rreth gjuhës standarte dhe shoqërisë shqiptare
    ___________________________
    _______________________________

    Oj sharki e lehete si era , a ka ardhur ne Shqiperi pranvera?
    Jam martuar002

  2. #2
    Moderator
    Anëtarësuar
    24-04-2002
    Postime
    2,009
    Nje artikull i marre nga gazeta "55"

    Gjuha shqipe dhe pushteti i duartrokitjeve

    "A di të bëhesh gjykatës dhe xhelat i ligjit tënd?"

    NIÇE

    1.

    Te njoftimi se Akademia e Shkencave e Tiranës në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Prishtinës dhe Universitetin e Tiranës do të organizojë një tubim shkencor për 30‑vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit shumëkush lexoi kumtin se më në fund shteti po kujtohet njëmend për gjuhën shqipe. Televizioni shtetëror, që nuk e di përse në çdo ditar përsërit me këmbëngulje se është televizion publik, nisi me i përcjellë drejtpërdrejt punimet prej Pallatit të Kongreseve.

    Pra diçka të rëndësishme paska këtu. Kthesë?

    Tridhjetë vjet janë një kohë e mjaftueshme me vrojtue ç'të mira pati një kongres, ç'fryte solli e si mund të çohen më tej, por edhe (sidomos) ç'dëme i solli gjuhës e si mund të ndreqen ato, aq sa mund të ndreqen sot.

    Në fund të fundit dobia e një pune matet me ndryshimet e mira që sjell; kjo është njësoj e vërtetë edhe në shkencë. Çfarë të rejash pruri në fatin e gjuhës shqipe ky tubim për gjuhën e standardizuar dhe shoqërinë shqiptare ("Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot", 11‑12 nëntor 2002), cilat janë vendimet premtuese të tij?

    Media publikoi një rezolutë të mbushur me fjalët "bën thirrje". Kjo thirrje të kujton një OJQ. Por Akademia e Shkencave nuk është OJQ. Ajo sponsorizohet prej shtetit, si institucioni më autoritar që duhet të grumbullojë e të mbështetë trurin për t'i zgjidhur problemet madhore të kombit.

    Pra: për t'i zgjidhur.

    Problemet e gjuhës së një vendi të lirë nuk rregullohen me thirrje drejtuar opinionit a kujtdo tjetër. Madje duke i përmendur herë pas here e duke mos marrë masa për t'i zgjidhur, përftesa është e kundërt: shoqëria mësohet me praninë e të këqijave e nis me u shqetësue gjithnjë e më pak për to.

    Ishte rasti që Akademia e instituti i saj i gjuhësisë, të financuar prej shtetit, të vinin në tubim me ide të qarta çfarë duhet ndryshuar. Dhe këto ide të pasqyroheshin në një projekt të dokumentit kryesor të përgatitur me kohë, siç ndodh kudo në botë në tubimet serioze. Konferenca më pas mund ta rrëzonte, ta ndryshonte a ta plotësonte atë.

    Por vendin e një dokumenti‑program e zuri një thirrje gjyshërore për ta dashur gjuhën dhe për të ngritur një a disa komisione dado.

    2.

    Disa prej plagëve të gjuhës shqipe u përmendën e u trajtuan në ligjërime të veçanta, hapur e me kthjelltësi. Por në to nuk u ndërhy; kurrfarë strategjie e kontrollueshme nuk u përcaktua për shërimin e tyre. U hijesuan me mbulesë presidiumesh, u përkundën me ninullë mikrofonesh. Gjithçka mbeti në mëshirën e moralit të shtetit, i cili deri tashti nuk ka dëshmuar asnjë nerv të dridhshëm lidhur me treguesin më të qartë të identitetit europian të shqiptarëve, me gjuhën shqipe.

    Se cilat janë disa prej këtyre pikave të dhimbshme, për këtë kam shkruar disa herë në hollësi në këtë gazetë dhe ngjeti ("Gjuha shqipe: plagët e Gazullit e plagët e saj", qershor 2002, e të tjera). Por me që është rasti po i cek shumë përmbledhtas duke i parë në lidhje me tubimin e fundit.

    Çfarë mungoi në këtë tubim?

    3.

    Në këtë tubim mungoi më e para e më e thjeshta: një kumt klithmë i njëzëshëm në emër të gjithë pjesëmarrësve për qeverinë që gjuha shqipe të futet menjëherë e me seriozitet të madh në programet e shkollave të mesme e të larta. Një kërkesë e tillë përmendet diku pas një lidhëse "gjithashtu" midis paragrafëve të rezolutës, thjesht "më ka çue nana me la gojën".

    Në botën e qytetëruar, përfshi SHBA, dy provimeve u kushtohet rëndësi vendimtare: gjuhës amëtare e matematikës. E kam prë vetë në vend se si edhe për t'u bërë mësues i thjeshtë fiskulture në një vend si Bullgaria provimi më i vështirë që i bën me ra në peshë konkuruesit për akademinë e kulturës fizike e sporteve është gjuha bullgare. Me këtë logjikë pritej që Hirushes së deritanishme të quajtur Gjuhë Shqipe t'i vishej këpuca e princit, të cilën kësaj gjuhe ia ka paracaktuar vetë Zoti. Gjuha shqipe është ndër më të vjetrat e më të mëdhatë e kontinentit, për të mos përmendur një vlerësim të Kadaresë që e rendit ndër dhjetë gjuhët më të rëndësishme të rruzullit. E pikërisht kjo gjuhë shqipe vazhdon me qenë zyrtarisht më e nënvleftësuara e më e shpërfillura në atë pjesë të atdheut të saj që quhet Republika e Shqipërisë.

    Në shkollat e mesme e të larta të Shqipërisë gjithçka mund të mësohet, vetëm gjuha e shqiptarëve jo. Gjithkush e di se gjuha mbi baza shkencore mësohet vetëm në shkollë. Ishte e udhës që Akademia, Universiteti, organizatorët e tubimit, të kishin rënë qysh më përpara në një mendim të përbashkët me ministrinë e arsimit dhe problemi të merrte rrugë. Dhe në se nuk do të kishin gjetur mirëkuptimin e nevojshëm, atëherë, po, le t'i drejtoheshin opinionit me një thirrje për të kërkuar mbështetjen e tij në marrëdhëniet e tyre me shtetin, duke i shprehur qartë mospajtime me të.

    Asnjë qëndrimi akademik institucional për ta përmbysur këtë dhunë të heshtur shtetërore mbi gjuhën nuk u përcoll nga kjo konferencë.



    4.

    Në këtë tubim pritej që të shqyrtohej me përgjegjësi kombëtare lehtësimi e çlirimi i gjuhës shqipe prej rregullave të ngrira orwelliane, që u vendosën në kohë të diktaturës, pikërisht në Kongresin e Drejtshkrimit 30 vjet më parë.

    Njësimi i gjuhës në Kongresin Drejtshkrimit e sidomos pranimi e institucionalizimi i rregullave të reja drejtshkrimore në Kosovë, në Maqedoni, Në Mal të Zi e në të gjitha trevat e tjera shqiptare ose ku flitet shqip, pavarësisht nga të metat thelbësore të këtyre rregullave, për rrethanat e kombit shqiptar ishte një fitore historike. Ky njësim shërbente me e ruejtë njësinë (unitetin) e brendshme të kërcënuar të kombit. Ky njësim u kundërvihej tezave përçarëse bizantine të Beogradit e mbështetësve të tij, duke i dëshmuar botës se shqiptarët në Ballkan kanë qenë e mbeten një komb i pandashëm, pavarësisht nga copëtimi e dhuna e historisë mbi ta.

    Në këtë vështrim akademikët e trevave jashtë kufijve shtetërorë, që votuan për normat e reja të drejtshkrimit, sadoqë orwelliane, u dëshmuan vizionarë.

    Por kjo fitore historike pagoi një haraç të madh krejtësisht të panevojshëm, duke u shndërruar gati në një fitore si e Pirros për gjuhën e më gjërë. Këtë haraç krejtësisht të panevojshëm ia pagoi politikës së ditës.

    Ndërsa prej atij kongresi dukej se gjuha shqipe doli buzëgaz, ajo buzëqeshje e mbërthyer prej rregullave a la kompraçikos të sillte ndër mend Njeriun që Qesh të Hygoit. Ose njerëzit e qeshur të pikturave më përfaqësuese të realizmit socialist.

    Kongresi i Drejtshkrimit qe organizuar nën mbikqyrjen e rreptë të kreut të piramidës së kuqe, që përcaktonte njësoj edhe ku do të hapej një pus nafte e ku do të mbilleshin hudhra, edhe ku do të hiqeshin y‑të për t'u zëvendësuar me i ose u. Me një zell të tepruar ai përjashtoi mujshëm thesare të pallogaritshme të gjuhës shqipe në dialektin gegë të saj. Shqelmoi vlera që janë në përdorim prej rreth tri të katërtave të shqiptarëve, të vetmet që ishin pasqyruar qindra vjet rresht edhe në shqipen e shkruar.

    Ky përjashtim nuk u bë sipas kritereve shkencore. Ai u bë sipas kritereve politike vetiake, që vetëm kombëtare nuk mund të quhen. Prapavijën e këtij përjashtimi e kam trajtuar më përpara e nuk është vendi me u ndalë tashti.

    5.

    Dëshiroj me e shpalosë qartë qysh në fillim se nuk shtrohet problemi gegërishtja a toskërishtja.

    Problemi shtrohet: gjuha shqipe, pasi duke u lënë mënjanë pasuritë e gegërishtes, u cunguan pasuritë e vetë gjuhës shqipe, pjesë e pandashme e së cilës janë njësoj si gegërishtja edhe toskërishtja. Shqetësimi kryesor nuk është pse e pësoi gegërishtja. Shqetësimi kryesor është se duke u kryqëzuar gegërishtja e pësoi gjuha shqipe e qytetërimi shqiptar. Duke therur njërin ka në mes të lavrës krimi bie mbi kaun e therur, por në një vështrim të gjërë dëmi afatgjatë bie mbi lavërtarin dhe arën e shterpuar.

    Këto pasuri të nëpërkëmbura i përkasin fjalësit (leksikut), strukturës gramatikore dhe fonetikës. Aq i madh është gjymtimi, saqë shkrimtarë të mëdhenj që kishin shkruar e botuar vetëm 20‑30 vjet më parë, si Fishta, Mjeda etj., për gjuhën e standardizuar u bënë të largët e të pakuptueshëm gati si arbëreshët e Italisë. Pa folë për kryevepra si Visaret e Kombit, Eposi i Kreshnikëve etj., të cilat, bashkë me autorët e mësipërm, për t'i bërë të kuptueshme për brezat e rinj duhet me i "përkthye" prej shqipes në shqip. Eshtë e kotëorvatja me e fshhë këtë të vërtetë me praktikën e strucit.

    Një shkëputje kaq e thellë prej vlerave gjuhësore kombëtare brenda 20‑30 vjetëve nuk është dëshmuar në asnjë gjuhë të botës në kohët e reja. Një shkëputje kaq e thellë prej vlerave gjuhësore kombëtare brenda 20‑30 vjetëve nuk mund të jetë në nderin e meritat e një gjuhe të standardizuar dhe as në shërbim të qytetërimit e të njësisë (unitetit) të popullit që e flet.

    Gjuha shqipe e standardizuar tashti i ngjan një lumi që rrjedh nëpër një shtrat të mbyllur e të zënë në të katër anët me beton. Muret e betonta nuk lënë asnjë curril të kthjellët me u derdhë në të. Këto mure duhen shpërthyer me një mendim shkencor, profesional. Duhen çelë presa që të vijnë aty të gjitha prurjet e pastra prej tërë trevave shqiptare.

    Atëherë çfarë duhet bërë?

    6.

    Kongresi i Drejtshkrimit nuk është nja tabu. As bibël nuk është. As kushtetutë dyqindvjeçare, megjithëse edhe kushtetuta të tilla monumentale amendohen.

    Rishikimi kritik i vetes është vlerë dhe dëshmi jetësie. Eshtë përgjegjësi e seriozitet. Akademikët tanë dhe institucionet akademike nuk ka përse të vazhdojnë me mbetë skllevër të pushtetit të duratrokitjeve të tridhjetë vjetëve më parë, hija e të cilit endet edhe sot përgjatë mermerit të ftohtë të zyrave. Në qoftë se rregullat e drejtshkrimit u vendosën në mënyrë institucionale, në një kongres, 30 vjet më parë, përsëri në në mënyrë institucionale, në një tubim shkencor, mund e duhet të ndryshohen e të përmirësohen ato.

    "A di të bëhesh gjykatës dhe xhelat i ligjit tënd?", thotë Niçja.

    Nuk duhet ngatëruar tempulli me shërbestarët që janë aty. Tempulli është i shenjtë por shërbestarët mund të qëllojnë mëkatarë e kryemëkatarë. Gjuha shqipe është tempull i shenjtë por nuk është i tillë Kongresi i Drejtshkrimit dhe as kuvendet e çfarëdoshme të konjukturave shtetërore.

    Një trajtim i mitizuar i Kongresit të Drejtshkrimit, që e quan të paprekshëm, është joshkencor e jodemokratik. Ai të le shijen e kohëve kur thuhej "e di partia, partia nuk gabon".

    7.

    Disa flasin për një ligjësim të dy standardeve të shqipes, të standardit gegë e standardit toskë. Mbase kështu mendojnë se qepet disi plaga që la shpata e Kongresit të Drejtshkrimit. Gjykoj se vështrimi i tyre është i paqëndrueshëm për tri arsye thelbësore:

    ‑Mendimi për të ligjësuar dy standarde të shqipes, standardin gegë e standardin toskë, nuk ka bazë shkencore, pasi si toskërishtja ashtu edhe gegërishtja përfaqësojnë të njëjtën gjuhë, gjuhën shqipe. Në cilin vend të botës së qytetëruar janë ligjësuar dy standarde të së njëjtës gjuhë? Frengjishtja e Marsejës (e jugut të Francës) ndryshon dukshëm me frengjishten pariziane, megjithatë asnjë francez as në kohët më të çmendura nuk e ka lëshuar idenë e "dy frengjishteve". Italishtja napolitane ndryshon deri në dhimbje me fiorentinen e Dantes që përbën standardin letrar italian. Megjithatë asnjë italian as në kohët më të çmendura nuk e ka lëshuar idenë e "dy italishteve".

    Arsyeja është thjesht se një gjuhë nuk ka si të bëhet dy.

    ‑ Mendimi për të ligjësuar dy standarde të shqipes, standardin gegë e standardin toskë, nuk ka një mbështetje kombëtare. Me ose pa dashje ai ndihmon me mbajtë gjallë me frymëmarrje artificiale teorinë e shpikur në laboratorët antishqiptarë që synon më i nda shqiptarët e Shqipërisë, të jugut të saj, me shqiptarët Shqipërisë së Mesme e të Veriut, përfshi Kosovën e viset shqiptare në Maqedoni, Mal të zi e në Kosovën Lindore. Beogradi ende flet për "shqiptarë" e "albanci".

    ‑Mendimi për të ligjësuar dy standarde të shqipes, standardin gegë e standardin toskë, nuk është i jetësueshëm nga pikëpamja praktike: si do të zhvillohej mësimi në shkolla? Cili do të ishte standardi i administratës shtetërore? E të tjera pyetje kësisoj.



    8.

    Atëherë mos jemi në rrugë pa krye?

    Gjuha u fut me dashje në një rrugë pa krye dhe vazhdon me u mbajtë në një rrugë pa krye. Por rruga megjithatë krye ka. Duhet vetëm vullneti i mirë.

    Përmbysje e plotë e Kongresit të Drejtshkrimit e rifillimi nga e para?

    Nuk është koha me ndërmarrë aventura përmbysëse. Gjuha shqipe nuk është kioskë megjithëse mund të jetë trajtuar si kioskë. Gjuha shqipe është një kala madhështore. Pavarësisht se është ndërhyrë shumë keq në arkitekturën e saj, me të tashti nuk mund të luhet rëndë. Kemi boll halle të tjera si vend e si komb, pa u hyrë edhe këtyre.

    Në qoftë se nuk është koha me ndërmarrë aventura përmbysëse, nuk ka përse të mos rishikohet me themel Kongresi i Drejtshkrimit. Të rishikohet me qëllim që rregullat gjuhësore të disiplinojnë një shtrat të gjërë për lumin e gjuhës shqipe, ku të derdhen gurra e rrjedha nga të gjitha malet ku ka shqiptarë, e jo vetëm nga vendlindja e dikujt.

    Gjuha shqipe duhet të çlirohet prej atyre pllakave të ngurta që ia zënë frymën. Eshtë koha për hapjen e njëmendtë të gjuhës, për t'i liberalizuar me kritere shkencore rregullat ekzistuese, për ta zhbunkerizuar gjuhën, për t''ia zhveshur këmishën e llamarintë të kohës së paranojës. Kjo është detyrë parësore. Pasuritë e pafundme shqipe në gegërisht duhet t'i rikthehen në mënyrë institucionale pronarit të ligjshëm që quhet Gjuhës Shqipe.

    Kundërshtarët e kësaj zgjidhjeje thonë se nuk mund të bëhet "shartim" i trajtave gegërisht me trajtat toskërisht të standardizuara.

    Por nuk e di me ç'logjikë të ndershme mund të përdoret fjala "shartim" kur kemi të bëjmë me të njëjtën gjuhë. Për shartim mund të flitet vetëm kur është fjala për dy gjuhë të ndryshme. Por gjuha shqipe është një gjuhë dhe vetëm një.

    Kundërshtarët e kësaj zgjidhjeje shtojnë se trajtat e gegërishtes, mënyra paskajore e të tjera, nuk ngjizen, nuk u përshtaten me "indet" e gjuhës standarde. Por si nuk u përshtatkan përderisa është i njëjti mish, i njëjti gjak, të njëjtat inde të gjuhës shqipe?

    Ose janë dy gjuhë dhe nuk përshtaten, ose është një gjuhë dhe duhet përë hapja e saj.

    Nëse ata kanë mendimin se gegërishtja dhe toskërishtja qenkeshin dy gjuhë të ndryshme, është e drejta e tyre të mendojnë kështu ose ndryshe. Po pikëpamjen e tyre le ta shtrojnë hapur, përse e fshehin?

    Nëse nuk e kanë këtë mendim, atëherë teoria e tyre e "mospërshtatjes" së indeve të të njëjtit trup është vetëm një bombë tymëse që pshtjellon.

    Kundërshtarët e kësaj zgjidhjeje thonë se paskajoren e kanë zhvendosur edhe greqishtja e gjuhët sllave të Ballkanit, që e kanë pasur dikur.

    A duhet bërë kjo përqasje? Grekët dhe sllavët kanë rrjedhat e tyre, shqipja dhe shqiptarët të tyren. Në shqip paskajorja ka qëndruar, edhe sot e kësaj dite është një mënyrë foljeje shumë e përdorshme (deri edhe si mënyrë urdhërore) prej mbi dy të tretave të shqiptarëve. Ka pasur prirje që paskajorja të gjallërohet edhe në toskërisht. Në këngën qindjveçare "Për mëmëdhenë" të M. Gramenos vargu është "Vraponi burra se s'ka me pritë". Paskajorja gjindet edhe në disa këngë popullore beratase e korçare e mbase edhe gjetkë, por unë nuk e kam studiuar posaçërisht. Nuk ka arsye pse gjuha shqipe të detyrohet me dhunë me ndjekë shembullin e gjuhëve bizantine, kur ajo vetvetishëm ka ndjekur shembullin e gjuhëve të mëdha perëndimore.

    Në anën tjetër, nëqoftëse e kanë zhvendosur greqishtja e gjuhët sllave të Ballkanit, anglishtja e ka më të gjallë se kurrë, frengjishtja e italishja poashtu. Te Buzuku gjindet lidhorja, por vështirë se ky është një fakt kundër paskajores. Paskajorja e lidhorja mund të bashkëjetojnë, ato nuk janë të barabarta.

    Asgjë të re të prekshme nuk solli në mënyrë institucionale ky tubim në këtë fushë.

    9.

    Në këtë tubim pritej të përcaktoheshin disa masa të njëmendta, të kontrollueshme, gjithnjë në bashkëpunim me institucione të tjera të shtetit, sidomos me ministrinë e arsimit, për mbrojtjen e gjuhës shqipe.

    Siç e thanë një numër dijetarësh, mjerisht gjuha shqipe po vazhdon me u shkatërrue për ditë.

    Po dëmtohen keqas tri shtyllat themelore të saj: fjalori, struktura gramatikore e sistemi fonologjik.

    Po e shkatërrojnë botimet zyrtare e jozyrtare, media dhe politika.

    Po e shkatërron shkolla e paaftë, një sistem shkollor tepër i dyshimtë, ku vetëm gjuhë shqipe nuk mësohet.

    Asnjë të re nuk solli në mënyrë institucionale ky tubim në këtë fushë, përveç thirrjes në hapësirë me stil OJQ‑je.

    Nuk më duket e drejtë rrekja me i përligjë sadopak disa dukuri shkatërruese për gjuhën, duke i parë ato si një zhvillim i natyrshëm i ndërveprimit të kulturave në kuadrin e integrimit në Europë.

    Integrimi në Europë është një ëndërr dhe orientim i palëkundshëm i shqiptarëve në të gjitha trevat. Por ai nuk mund të bëhet duke lënë peng veçoritë më të qenësishme të identitetit kombëtar të shqiptarëve as të cilitdo popull tjetër.

    Europa është sa e njësuar aq edhe e larmishme falë larmisë së gjuhëve, kulturave, traditave të kombeve që e përbëjnë. Duke qenë thellësisht demokratik, qytetërimi perëndimor është edhe shumë i ndjeshëm, ai i pranon e i nderon edhe kulturat e traditat e qytetarëve europianë me origjinë afrikane a aziatike; ata ndërtojnë sinagoga e xhami në Paris, Berlin e Londër, hapin klube, organizojnë koncerte. Aq më tepër Europa e nderon dhe e çmon identitetin e kombeve europianë, që përfaqësojnë në mënyrë origjinale pjesë të qytetërimit të saj. Dhe shqiptarët janë bashkëthemelues të këtij qytetërimi e gjuha shqipe është indoeuropiane.

    10.

    Në këtë tubim pritej të programohej ose të shpallej diçka për botimin e veprave themelore që kanë të bëjnë me gjuhën e gjuhësinë shqiptare dhe për sponsorizimin e veprave të reja me peshë.

    Veprat e Çabejt që i thelluan e i vulosën përfundimet e Meyerit, Joklit e dijetarëve të tjerë të mëdhenj mbi karakterin indoeuropian të gjuhës shqipe, pikërisht veprat e plota të kësaj mendjeje të ndritur që do ta meritonte një shtatore në qendër të Tiranës, në Tiranë nuk janë botuar kurrë. Lavdi Zotit që ia pati dalë me i botue Akademia Shkencave e Prishtinës qysh në vitet shtatëdhjetë, anipse nën sundimin serb, e sot kush është i interesuar gjithësesi mund t'i gjejë, ndonëse me shumë vështirësi për shkak të kopjeve të pakta. Nuk është botuar kurrë fjalori i Dizdarit për orientalizmat në gjuhën shqipe, që vlerësohet si më i miri e madje i vetmi në këtë fushë (Çabej e citon me dhjetëra herë në veprat e tij). Gjuha shqipe ka të njëjtin Fjalor të vitit 1980 me vetëm 35.000 fjalë të një sipërfaqeje të kufzuar të gjuhës e jo të thellësisë, të ribotuar këto kohë me një ripunim rreth 5 përqind, siç është thënë, çka nënkupton vetëm pastrimin nga disa tejpolitizime të kohës e asgjë më tepër. Gjuhës shqipe ende i mungon një fjalor që të përmbajë edhe etimologjinë e fjalëve, siç e kanë të gjitha gjuhët e Ballkanit, të Europës posepo. I vetmi Fjalor Etimologjik i Gjuhës Shqipe është hartuar e botuar në anglisht prej një gjuhëtari rus (Vladimir Orel) me 1998, i cili me gjithë vlerat, duket se nuk i ka shpëtuar prirjes për të gjetur sllavizma edhe aty ku ato është vështirë të gjinden e të sajohen. Fjalorët e Gazullit e Bashkimit ka qenë e mundur të botoheshin përkatësisht nën pushtimin osman (1908) e nën pushtimin nazist(1942), por kurrë nuk u (ri)botuan në Shqipërinë e çliruar. E vazhdojnë të mos botohen.

    Sërish asgjë e re rreth këtyre (ri)botimeve nga tubimi i dy ditëve të fundit.

    Ndoshta vetëm një pjesë e vogël e shpenzimeve të kësaj konference do të kish mjaftuar me i botue të gjitha këto e vepra të tjera.

    11.

    Nuk i dinë Akademia dhe Instituti i Gjuhësisë varrët e dhimbjet e mëdha të gjuhës shqipe?

    Shqipërisë nuk i kanë munguar e nuk i mungojnë dijetarët, as gjuhëtarët e mëdhenj. Ata ishin edhe në tubimin në fjalë. Por varet sa dëgjohen e sa pyeten ata.

    Në të shkuarën nuk janë pyetur, përkundrazi, janë parë me dyshim siç qe vepruar me Çabejn, ose janë fluturisur e degdisur në fund të botës, si prof. Selman Riza. Sot praktikisht dijetarët e vërtetë jokonformistë janë të mbrijuar (spostuar), anipse në ndonjë rast mund të thirren më shumë si dekor në presidiume e në ndonjë rast edhe mund t'u ofrohet foltorja. Pushteti i ka mënjanuar ashtu siç ka vepruar me shumcën dërrmuese të intelektualëve të njëmendtë që vështrojnë vetëm kah Perëndimi e nuk e shesin shpirtin; ashtu siç ka vepruar me shumcën dërrmuese të intelektualëve që e duan Shqipërinë, ndaj s'e kanë braktisur kurrë, paçka se e kanë të pasigurtë vetë mbijetesën, pa folë për më shumë.

    Me sa duket janë gishtat e gjatë të një politike të vjetër ata që ndërhyjnë përsëri në Akademinë e Shkencave e jo vetëm aty.

    Katër vjet më parë, pikërisht në tetor 1998, kjo akademi botoi "Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare". Zgjidhja e çështjes shqiptare, sipas kësaj platforme, duhej të ishte Kosova me një status Republike me kryeqytet Beogradin. E njëjta tezë, nxjerrë prej sirtarëve të mykur të politikës zyrtare të fillimit të viteve tetëdhjetë. Atëherë Shqipëria ishte nënë diktaturë; kohët e kushtet ishin krejt të tjera.

    "Nuk na le politika", qe përgjigja e drejtuesve të akademisë menjëherë pas botimit të platformës.

    Në të gjithë botën e qytetëruar shkenca është shkencë e politika politikë. Shkenca jep alternativat e saj sipas argumenteve shkencore. I merr a nuk i merr parasysh politika, që vepron mbi të tjera ligje, kjo është çështje tjetër, kjo është punë e politikës e jo e shkencës. Nëse do të veprojë ndryshe shkenca del prej shtratit të vet. Nëse do të veprojë ndryshe shkenca nuk mbetet më shkencë, por shndërrohet në një aneks zezan të politikës.

    12.

    Kurrgjë e re nga fronti i... gjuhës shqipe. Vetëm dashuri për kamerat, për të dalë para tyre. Dashuri në kohë të kolerës!

    Atëherë përse u mblodh tubimi i 11‑12 nëntorit?

    E vetmja nevojë që ka gjuha shqipe është një vëmendje sado e vogël e shoqërisë dhe sidomos e institucioneve të shtetit me ia shërue plagët dhe e mbrojtë prej brejtjes e gërryerjes së pamëshirshme.

    Kjo shëndoshje e kjo mbrojtje nuk bëhen me jehonën e shuplakërrahjeve të tridhjetë vjetëve më parë. As duke i përcjellë këto tubime drejpërdrejt në ekranin e kaltër të taksapguesve shqiptarë, të cilët, ndërsa e duan e mbase janë gati me u flijue për gjuhën shqipe, shumë pak marrin vesh nga problemet teknike të saj.

    Shëndoshja e mbrojtja e gjuhës shqipe mund të bëhen me masa të prekshme energjike prej mendjesh që mendojnë shqip e prej zemrash që rrahin shqip.

    Mehmet ELEZI

    Tiranë, më 12 nëntor 2002
    .

Tema të Ngjashme

  1. Dështimi i gjuhës standarde shqipe te gegët!
    Nga Davius në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 460
    Postimi i Fundit: 31-01-2010, 20:27
  2. Baza dialektore e gjuhës standarde
    Nga Albo në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 31-07-2006, 05:20
  3. Identiteti Kombëtar dhe Gjuha Standarde
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-04-2006, 12:01
  4. Dialekte dhe Standarde
    Nga Hyllien në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-02-2005, 14:27
  5. Shqipja Standarde: ASHAK-u ngren komision rishikimi...
    Nga drini_në_TR në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 16-07-2004, 13:42

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •