(Postuar dje edhe në një forum tjetër, si ky)
Fjalët e qiririt është një vjershë e cituar dhe e përdorur në shumë kontekste, nga të cilat shumica me karakter të pretenduar nacionalist. Ajo është lavdëruar bile edhe nga komunistët dikur, sikurse një vjershë patriotike, dhe ka kohë që dëgjojmë p.sh. Ilir Shaqirin të këndojë këngë të ndërtuara mbi vargjet e kësaj vjershe. Megjithate, cilësimi i kësaj vjershe si poezi patriotike nuk është tjetër veç një keqkuptim i madh, përkundër faktit që nacionalizmi shqiptar është një pjesë përbërëse e bektashizmit bashkëkohor, sepse ky sekt mysliman përbëhet në kohë të sotme kryesisht nga shqiptarët. Fjalët e qiririt është në fakt një vjershë misticiste, që e prek thelbin e sufizmit bektashi.
Një analizë e shpejtë. Le të fillojmë me titullin.
Fjalet e Qiririt
Qiriri është një simbol i rëndësishëm në dervishizmin shia, dhe është përdorur boll nga të gjithë vjershëtorët misticistë, ashtu si përdoret shpesh në këngët fetare të alevitëve të Turqisë. Në këto këngë haset pikërisht metafora mum (qiri) dhe ”mum nur” (dritë qiriri), si simbol i një stili të virtytshëm të jetesës, ku besimtari jeton duke vepruar e duke u shpenzuar si qiriri, që të u ndihmojë atyre të cilëve u duhet ndihmë, e të i përndritë ata që jetojnë në errësirën e paditurisë. Qiriri si simbol përdoret edhe në ritet e bektashinjve ashtu si përdoret në disa nga ritet e syniislamit hanefi.
Në strofën e parë, Naimi e përmbledh jetën e vet të deriatëhershme, dhe konstaton se ka jetuar ashtu si duhet të jetojë një besimtar.
Në mes tuaj kam qëndruar
Pra duke qëndruar afër të tjerëve, atyre të cilëve u drejtohet, që për dallim nga besimtari, janë nevojtarë për dhurëtinë e përndritjes së shpirtit me besim, dituri dhe urtësi.
E jam duke përvëluar,
Duke u përvëluar, pra duke punuar dhe duke e ndarë diturinë dhe veprën e vete me të tjerët
Që t'u ap pakëzë dritë,
Me qëllim që edhe ata të fitojnë një thërrimë të asaj urtësie që është ideal i besimtarit
Natënë t'ua bënj ditë.
Që pra më të mos jetojnë në errësirën e injorancës, që në islam në përgjithësi dhe në bektashizëm në veçanti konsiderohet si mëkator.
Në strofën e dytë Naimi e përsërit zotimin e vet bektashi, të përkushtimit, të vazhdimit të gjallimit dhe veprimit në këtë frymë.
Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t'u ndrinj mir' e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.
Rreshti i fundit i kësaj strofe, ku aludohet te njohja e njeriut, është me rëndësi të posaçme në misticizmin bektashi, meqëse bektashinjtë konsiderojnë se i afrohen më shumë Perëndisë duke e njohur njeriun, si pasqyrim i Perëndisë. Gjithashtu edhe përshkak të parafytyrimit alegorik me themele në Kuran, që njeriu e ka Perëndinë më afër se damarin e qafës.
Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s'e duronj dot.
Në strofën e mësipërme, ku Naimi vazhdon ta zhvillojë zotimin e vet besimtar, aludohet gjithashtu te virtytshmëria e mundimit të vetëvetes (vargu 3) dhe mospërfilljes së tundimeve (vargu 4), dy themele të rëndësishme të stilit të jetesës sipas idealeve bektashie.
Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s'dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t'u ndrinj më mirë.
Duke mos i u druajtur zjarrit, që është metaforë për vuajtjen dhe dhembjen nëpër të cilën kalon një shpirt në fisnikërim e sipër (në rrugën drejt përsosjes), zjarri, nëpërmjet virtytshmërisë besimtare shndërrohet në një fuqi të madhe që përdoret për të i kryer veprimet e mira. Kjo është ajo alegori bektashie që ceket në strofën e sipërme.
Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall' e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,
Në interpretimin bektashi të Kuranit, ekziston edhe reinkarnimi, ringjallja e njeriut, në mënyrë të ngjashme si parashikohet në budizëm; dhe ky është motivi i strofës së mësipërme. Në drejtimet sufiste si bektashizmi, reinkarnimi mundet të bëhet në dy mënyra: si reinkarnim trupor, ku njeriu rilind në një jetë tjetër, ose si reinkarnim shpirtëror, duke vazhduar të jetojë në shpirtërat e të tjerëve të cilëve u ka bërë mirë, si ndonjë lloj ingjenie. E kjo strofë aludon pikërisht te kjo mënyra e dytë, të cilën si duket Naimi e preferon më shumë.
Kjo gjë precizohet më tej në strofën e ardhshme:
Unë jam në shpirtin tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M'është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Se ma k'ënda t'u bënj mirë,
Të mos mbeti n'errësirë.
Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,
Rreshti i fundit i strofës së sipërme ka një domethënie të veçantë dhe më alegorike se ç’mund të duket në shikim të parë. Kur Naimi i fton njerëzit rreth tij, ”hani, pini” është një qerasje. Një ftesë që njerëzit rreth tij të hanë nga mishi i tij metaforik (metaforë për veprën) dhe të pinë nga gjaku i tij metaforik (gjaku si metaforë për fjalën), në mënyrë jo krejt të ndryshme nga ajo që simbolizohet në ritet e të krishtera ku njerëzit alegorikisht qerasen me trupin dhe gjakun e Krishtit. Edhe kjo është një pjesë e riteve dhe misticizmit bektashi.
Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,
Dua ta djek trupn' e kretë
Për atë zotn' e vërtetë.
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë,
Dy strofat e mësipërme janë qartësime dhe përsëritje të thënieve dhe aludimeve të mëparshme, por në strofën përsipër, theksohet qartë se e tërë kjo bëhet në emër të Allahut, në emër të zotit të vërtetë dhe për hir të tij; sepse në bektashizëm dhe drejtimet tjera dervishe, mënyra më e mirëfilltë e adhurimit të Allahut nuk janë ritet, po jetesa sipas mësimeve të tij. Jeta dhe vepra si një falje e gjatë dhe e vërtetë.
Ky mendim vazhdon më tej edhe në strofën përfundi, ku Naimi sqaron se e bën këtë me qëllim që të ”vete te perëndia”
Bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
Unë dua njerëzinë,
Mirësin' e urtësinë.
E çka kërkon ai nga njerëzit si shpërblim? Në fakt kurrgjë përveçse ata të afrohen në udhën e Perëndisë, dhe ta duan njëri tjetrin, e të mos mëkatojnë:
Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si u dua,
Njëri-tjetërin në doni,
Të paudhë mos punoni.
Dhe në strofën përfundi, ai bile predikon, dhe u flet atyre lexuesve/dëgjuesve me ”zemër fluturake”, pra atyre dëgjuesve që kanë imagjinatë, e që nuk pengohen në fluturim nga pesha e paragjykimeve, ayre pra të cilëve kjo mënyrë jetese mundet të u duket tërheqëse; duke i ftuar ata në bektashizëm, si rrugë e devotshme drejt shenjtërimit.
O zëmëra fluturake,
Qasju pakë kësaj flake!
Mase krahët t'i përvëlon,
Po dhe shpirtin ta shënjtëron.
Në strofat që vijojnë pastaj, Naimi e përmbledh përvojën e vete jetësore, dhe në mënyrë alegorike rrëfen se ç'do të thotë të jesh bektashi. Sidoqoftë, ta lexojmë vjershën edhe një herë, po tani shpresimisht me sy të tjerë:
Fjalet e Qiririt
Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t'u ap pakëzë dritë,
Natënë t'ua bënj ditë.
Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t'u ndrinj mir' e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.
Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s'e duronj dot.
Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s'dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t'u ndrinj më mirë.
Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall' e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,
Unë jam në shpirtin tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M'është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,
Se ma k'ënda t'u bënj mirë,
Të mos mbeti n'errësirë.
Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,
Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,
Dua ta djek trupn' e kretë
Për atë zotn' e vërtetë.
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë,
Bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
Unë dua njerëzinë,
Mirësin' e urtësinë.
Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si u dua,
Njëri-tjetërin në doni,
Të paudhë mos punoni.
O zëmëra fluturake,
Qasju pakë kësaj flake!
Mase krahët t'i përvëlon,
Po dhe shpirtin ta shënjtëron.
Unë duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar.
Kam qënë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë.
Gjithë tuajt' i kam parë,
Mëm' e at' e fis e farë,
Si tani gjithë i kam ndër mënt,
Që rrininë më këtë vënt.
Edhe sot nër ju ata shoh,
Se shpirtin e tyre ua njoh,
Dhe unë si ju jam ndruar
E jam përzjer' e ndryshuar,
Pa jam bërë shumë herë
Zjar e uj' e balt' e erë.
Jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.
Edhe ndër qiej fluturonj,
Edhe brënda në det qëndronj,
Shumë herë fle në baltë,
Diku ndodhem dhe në mjaltë
Bënem qëngj e kec i pirë,
Lul' e bar e gjeth i mbirë.
Dua shumë fjalë t'u them,
Po trëmbem mos i bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët' e gjuhësë zjarrtë?
-- Naim Frashëri
Krijoni Kontakt