Pesë monumentet e harruara të Jugut

Luan Sejdini
14-05-2007-shekulli


Një pamje e detajuar e kalave në Borsh dhe kishave në Nivicë, Kakome e Piqeras, historitë dhe karakteristikat e ndërtimit

Turizmi shqiptar, sipas politikave dhe fjalëve, duhet të jetë i orientuar drejt turizmit kulturor dhe Shqipëria të cilës Zoti i ka falur një bregdet të bukur, është pasuruar edhe nga monumente që rrjedhin prej lashtësisë. Sigurisht pak njerëz e dinë se ekzistojnë disa monumente në këtë zonë, ku për të paktën 15 vjetët e fundit nuk është hedhur asnjë qindarkë dhe nuk po ndërmerret ndonjë hap për t’i integruar. Gazeta prezanton pesë monumente të zonës së Borshit, Piqerasit, Kakomesë e Nivicës, të pestë me histori dhe arkitekturë kurioze, por deri tani të lënë në mëshirë të fatit.

Kalaja - Borsh
Ndodhet mbi një kodër të fshatit Borsh që është 500 m mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III p.k. Kodra e Sopotit, mbi të cilën ngrihet kalaja, ndodhet në Veri të fshatit Borsh. Sipërfaqja e saj është shkëmbore. Nga ana Perëndimore mali formon disa tarraca natyrale, ku duken një sërë tepricash të godinave mesjetare. Mbeturina muresh të kohës antike duken në anën jugperëndimore në një gjatësi prej rreth 10 metra dhe një lartësi prej 1,33 m. Në sipërfaqen e qytezës, janë gjetur fragmente enësh me vernik të zi, të shekullit të IV para erës sonë. Periudha e dytë, që shkon nga mesi i shek. IV deri nga mesi i shekullit I p.e.s., shënon zhvillimin më të madh të qytetit. Në këtë kohë ai zhvillohet gradualisht si një qytet i formuar dhe zë një sipërfaqe prej 57 ha. Në shekullin IV-I p.e.s qyteti fillon të zgjerohet jo vetëm në pjesën e sipërme të kodrës, por dhe në shpatet Perëndimore dhe në zonën Veriore të saj. Në fillim ai del jashtë kontureve, duke u shtrirë në shpatin Perëndimor dhe zbret me muret e tij rrethues deri në mesin e kodrës, duke mbyllur një rrethim të plotë. Linja e murit, në dallim nga muret e fazës së parë, karakterizohet nga kthesa të vazhdueshme me kënde të ngushta, që i japin pamjen e dhëmbëve të sharrës. Gurët janë punuar në forme të tillë që faqja e jashtme të jetë e fryrë, ndërsa faqet e tjera të jenë të rrafshta. Në periudhën e mesjetës ajo u përshtat për garnizon ushtarak dhe mori pamjen e plotë të fortifikimit në kohën e Ali Pashë Tepelenës .

Kalaja e Badhrës, Borsh
Ndodhet në Jug-Perëndim të fshatit Borsh dhe ka formën e një elipsi të çrregullt. Kalaja e Badhrës si nga teknika e ndërtimit të mureve, 2 m lartësi (me gurë të papunuar) me përmasa mesatare e të vogla dhe pa lidhje llaçi, ashtu edhe nga materiali arkeologjik, paraqet një nga fazat më të hershme të ngritjes së vendbanimeve të fortifikuara të epokës së bronzit të vonë, 1500-1200 vjet para Krishtit. Linja e murit është gjarpëruese, e parregullt, e pasigurt, duke iu përshtatur terrenit, mbrohet nga ana jugore nga rrëzime shkëmbore, si një ndërtim i bërë pjesë-pjesë. Sipërfaqja brenda mureve është pjesërisht shkëmbore dhe nuk ka gjurmë banimi. Fortifikimi nuk është llogaritur për një kohë të gjatë, por vetëm për qëndresa kundër grabitësve. Këto të dhëna na japin fizionominë e një vendbanimi fisnor, ku bashkësia patriarkale është vendosur në një territor të përshtatshëm për blegtorinë. Jashtë mureve të kalasë (në anën Veriore e Perëndimore) ruhen rrënojat e 15 banesave, të cilat kanë rëndësi sepse janë banesat e para të epokës së bronzit në Shqipëri. Ato hedhin dritë mbi organizimin fisnor patriarkal të shoqërisë ilire të asaj kohe. Kalaja e Badhrës është e një periudhe me kalatë e tjera ilire të zbuluara ne bregdetin e Jonit, si: në Koros, Qeparo, Kalivo. Me Badhrën kemi modelin më të hershëm të lindjes së fortifikimit. Ajo përfaqëson etapa të ndryshme në realizimin e lidhjes midis hapësirës së fortifikuar dhe asaj të banuar. Kalaja e Badhrës është dominuese e të gjithë bregdetit Lukovë, Borsh, Piqeras. Brenda fortifikimit janë zbuluar banesa në formën rrethore. Venbanimi datohet në bronzin e mesëm e të vonë.

Kisha e manastirit Krimanove Piqeras
Ngrihet në një kodër dominuese të fshatit Piqeras, rreth 1 km në lindje të tij dhe është ndërtuar në mes të manastirit. Bën pjesë në grupin e bazilikave me kupolë. Përbëhet nga narteksi dykatësh në anën Perëndimore, naosi dhe ambienti i altarit. Narteksi lidhet me naosin nga porta Perëndimore e tij. Në katin e dytë hyhet nga një shkallë e jashtme, e ndërtuar në një fazë të dytë. Naosi ka dhe një portë në anën Jugore, mbuluar me arkitra të rrafshta dhe një kamare, mbi të cilën lexohet data e ndërtimit. Në brendësi ndodhen 6 kolona prej rrotullash guri të lidhura me llaç dhe të suvatuara. Nefi qendror, që është dhe më i gjerë dhe në nivel më të lartë, mbulohet me qemerë cilindrike formuese lindje-perëndim. Nefet anësore mbulohen me qemerë cilindrikë të veçanta për çdo hapësirë ndërmjet kolonave dhe që hapen ndaj nefit qendror. Për këtë ata ngrihen mbi harqe të vegjël të ulët, që shkojnë nga kolonat në muret anësore. Kisha ka tre absida, të cilat kanë trajtë 5-faqëshe të ndërtuara me gurë gëlqerorë dhe të lidhura me llaç gëlqereje. Kornizat e abside janë me rrasa guri të dala pak nga muri. Ambienti i altarit ndahet nga naosi me një ikonostas prej druri dhe në anën lindore të tij ndodhet absida rrethore, ndërsa në Veri një nikë për protezistin. Kisha u ndërtua në vitin 1672. Naosi është i tipit bazilikë me kupolë me përmasa 8.30 x 4,60 m.

Manastiri dhe Kisha e Kakomesë
Kisha trekëndëshe, ndodhet 1 km larg gjirit me të njëjtin emër të bregdetit Jon. Kishës në një fazë të dytë i është shtuar një hajat. Ajo hyn në grupin e kishave me tre absida të zhvilluara si në aspektin arkitektural ashtu dhe në ndërtimin struktural. Ngjason me ato të tipit kryq i brendashkruar me kupolë mbi mbështetje të lira të periudhës përpara pushtimit osman. Përbëhet nga naosi dhe ambienti i altarit, të ndara ndërmjet tyre nga një ikonostas druri pa vlera artistike. Me gjithë ngushtësinë e naosit dhe proporcionet e zgjatura të tij, hapësira e brendshme nuk është e ndrydhur. Pjesët këndore të tij janë të mbuluara me qemerë cilindrike, të cilat hapen ndaj nefit qendror. Naosi ndriçohet nga 4 dritare në absidat anësore, ndërsa ambienti i altarit nga 3 dritare të vogla. Në brendësi të kishës, mbi 4 kolona krijohet bërthama katrore mbi të cilën ngrihet kupola me tamburin 8 faqesh. Çatia është e mbuluar me tjegulla, është dyujëse duke pasur më të ngritur pjesën që i takon krahëve jugorë dhe veriorë të kryqit që afron me bazilikat me kupolën. Kisha është ndërtuar nga duar mjeshtërish, të cilët kanë punuar edhe në kishën e Krorezës. Është e pikturuar në vitin 1672 nga piktori Mihal Jerma.

Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë Krorez Nivicë
Kishë me strukturë në formë kryqi me kupolë mbi katër mbështetje të lira që ngjan me kishat bizantine. Struktura e brendshme nuk shfaqet në çati, ndërsa mbulesa dyujëshe i jep asaj pamjen e një bazilike me kupolë në transept. Ka përmasa të brendshme 7,90 x4,40 m . Ngritur në një breg shkëmbor piktoresk buzë detit Jon, rreth 2 km Veri-Perëndim të kishës së Manastirit të Kakomesë. Përbëhet nga një vëllim unik dhe ka në brendësi naosin, të ndarë nga ambienti i altarit nëpërmjet një ikonostasi prej muri të suvatuar. Naosi ndriçohet nga dy dritare të ngushta në muret veriore e jugore dhe dritaret e tamburit, ndërsa ambienti i altarit ka dy dritare të vogla. Dyshemeja e kishës është shtruar me pllaka drejtkëndëshe dhe ka një rozete në pjesën nën kupolë me një yll 6 cepash në mes. Sistemi i mbulesës me harqe e qemerë mbështetet mbi 4 kolona me prerje rrethi dhe muret anësore. Çatia është mbuluar me rrasa guri dyujëse. Muret e kishës janë ndërtuar me gurë të çrregullt e llaç gëlqereje duke pasur në rreshtat e tyre tendencë horizontaliteti. Në anën Perëndimore është shtuar një mur me një hapësirë të harkuar në mes, që mbledh ujërat e çatisë për të kaluar në sterën e ndërtuar në anën Veriore të saj. Ndërtesa me çardak është dykatëshe dhe u ndërtua në vitin 1762. Çardaku është i mbuluar nga zgjatimi i plegmës së çatisë së pjesës tjetër të ndërtesës. Kisha është një abside, ngjason me kishat e tipit sallë me kupolë. Është e periudhës pas bizantine dhe është pikturuar në vitin 1672.