Apolonia, në mes të ditës vidhen varret 3 mijë vjeçare
Derguar me: 21/05/2007 - 08:05
• Admirina Peçi
U përcoll në heshtje grabitja dhe shkatërrimi i një grup varresh antike në Parkun Kombëtar të Apolonisë. Dhunimi rezulton të jetë i përmasave alarmuese. Në mes të ditës, disa grabitës, kanë rrëmuar dhe kanë nxjedhur nga nëntoka arkeologjike, gjithë ç'kanë dashur. Sigurisht kanë shkatërruar gjithçka përreth, gjurmët historike, dhe hapësirat përreth. Pastaj të qetë janë larguar. Policia edhe këtë herë është prononcuar, "Persona të paidentifikuar" dhe "janë larguar në drejtim të paditur". Ata që hapin një varr prehistorik në një qendër madhështore arkeologjike, s'mund të jenë udhëtarë të zakonshëm që kalojnë andej pari rastësisht. Ata janë gjuetarë të përhershëm të relikeve që fshihen prej mijëra vitesh nën tokë. Janë persona të mirëinformuar, "mjeshtra" që njohin çdo koordinatë me saktësi gati të habitshme. Kjo e shpjegon faktin, pse këta persona nuk dalin kurrë duarbosh. Pse gjithmonë aksionet e tyre janë të suksesshme dhe arrijnë t'ia mbathin, pa u dënuar nga organet shtetërore.
Lajmi
Para pak ditësh u grabit nekropoli tumolar, quajtur me gjuhën e specialistëve tuma në Parkun Kombëtar të Apolonisë. Varret e dhunuara nga persona ende të paidentifikuar, sipas shpjegimeve të specialistëve datojnë nga shekulli i shtatë para Krishtit deri në shekullin e tretë para Krishtit. Alarmin e këtij shkatërrimi e kanë dhënë drejtuesit e Parkut Kombëtar të Apolonisë si dhe grupi arkeologjik i shpëtimit që vepron në këtë zonë. Sipas tyre, dëmi i shkaktuar është i madh. Nisur nga përcaktimi arkeologjik, përveç vlerës materiale, dëmi ka një vlerë të madhe të trashëgimisë historike e kulturore.
Gërmimet e jashtëligjshme, dhe grabitjet janë kryer në zonën që përfshin grykën midis kodrave të Apolonisë si qytet dhe Kryegjatës si zone. Për shkak të mundësive thuajse zero, për të mbykqyrur me roja gjithë Parkun Arkeologjik, i cili ka një shtrirje rreth 250 ha, "gjuetarët e nëntokës" punojnë thuajse të qetë, pa u shqetësuar prej askujt. Tashmë në të gjithë luginën ka gjurmë të freskëta të gërmimeve. Në shumë prej këtyre gjurmëve dallohen shkatërrimet e elementëve historikë. Në qendër të kodrës, që mban brenda vetes më shumë se njëmijë varre antike, gërmimeve të viteve të shkuara ua kanë zënë vendin gërmimet e reja, të cilat kanë nxjerrë në sipërfaqe gjurmë të qeramikave të ndryshme si dhe të mbulesave të varreve.
Dëshmi
Nga fillimi i javës e deri në fund të saj, në këtë zona vijnë shumë vizitorë. Banorët pohojnë se në këtë varrezë antike vijnë edhe turistë të ndryshëm të shoqëruar nga shqiptarë. Madje ata dëshmojnë se shpesh herë kanë parë të huaj të shoqëruar nga shqiptarë me aparate të posaçme kërkimi, duke rendur pas gjurmëve të thesareve të nëntokës së kësaj zone. Por nga dëshmitë e banorëve mësohet se një arsye tjetër e këtij gjahu të vazhdueshëm ajnë objeket e florinjta. Ata bësojnë se në ato varre ka shumë prej tyre.
Reagimi i specialistëve
Menjëherë pas publikimit të këtij skandali, kanë mbërritur edhe reagimet shqetësuese të specialistëve. Drejtori i Grupit Arkeologjik të Shpëtimit, Lorenc Bejko, thotë me shqetësim se "Në këtë rast kemi të bëjmë me një grup njerëzish që merren me tregtinë e vlerave antike dhe shteti në këtë rast nuk mund të bëjë rolin e shurdhit apo të memecit". Sipas tij, Nekropoli tumolar i Apolonisë është një nga burimet dhe pasuritë më të rëndësishme të botës mesdhetare arkeologjike. "Padyshim që vendosja e parkut arkeologjik këtu, pavarësisht nga masat që janë marrë, ka një specifikë të veçantë, ka në administrim një territor të madh, nga më të mëdhenjtë e parqeve të Mesdheut", - thotë Bejko, duke shtuar se "kjo fushtaë, nxitet edhe nga ekzistenca e një rrjeti të trafikimit të këtyre vlerave dhe veprave. Gjatë ditëve të fundit, këtu janë vërejtur ndërhyrje të shtetasve shqiptarë dhe joshqiptarë, për identifikimin e pasurisë arkeologjike. Por kjo ndikohet edhe nga vështirësitë ekonomike të banorëve të zonës. Ka ardhur koha që banorët të jenë pjesë e zhvillimit dhe jo dëmtimit të vlerave tona kulturore".
Një tjetër reagim ka mbërritur edhe nga drejtori i parkut, Marin Haxhimihali. Që prej më shumë se një viti, Haxhimihali ka dhënë sinjalin SOS duke kërkuar ndihmë nga strukturat përkatëse. "Parku Arkeologjik Apolonia ka një sipërfaqe prej 250 ha si territor dhe kjo do të thotë se ai është një nga parqet më të mëdha në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe një nga më të mëdhenjtë në Ballkan", - thotë haxhimihali, duke theksuar se në territorin e parkut përfshihen edhe rrethinat e këtij qyteti. Ai thotë se "zyra që unë drejtoj ka nisur punën për evidentimin e monumenteve dhe shenjave të trashëgimisë kulturore të dëmtuara në këtë territor, por, për fat të keq, ndihemi të pafuqishëm për shkak të madhësisë së territorit dhe mjeteve tona të kufizuara. Ndaj kërkojmë një bashkëpunim me organet e rendit në zonë dhe që puna të jetë e koordinuar, sepse nuk ia dalim të ruajmë një hapësirë kaq të madhe, ashtu siç do ta meritonte një territor i rëndësisë dhe përmasave të Apolonisë".
Ndërhyrja e munguar
Kjo pjesë e Parkut Kombëtar të Apolonisë përfshin më shumë se një mijë varre antike, që e bëjnë këtë tumë më të madhen në historinë e botës antike jo vetëm në Shqipëri, por edhe më tej. Ato shtrihen në Luginën e Kryegjatës, përballë Manastirit të Apolonisë, në vendin ku dikur ka kaluar Via Egnatia. E megjithë vlerat që mbart, ky Park Arkeologjik më i madhi në Shqipëri dhe në Ballkan, është përballë rrezikut të shkatërrimit të plotë.
Një pjesë të mirë të vitit të shkuar e kaloi në errësirë të plotë. Netëve të errëta dhe pa roje, gjithkush mund të grabiste në çdo cep të Apollonisë. Rastet e këtyre vjedhjeve nuk kanë munguar. Grabitja dhe shkatërrimi i varreve në tumën e madhe të Apollonisë, ëhstë veç një prej sinjaleve Sos, që s'ka gjetyr asnjë përgjigje. Grabitësit gjithmonë marrin çfarë duan dhe ikin "në drejtim të paditur".
Krijoni Kontakt